16 09 2020

Moratoriumi një vjeçar – suspendim i shtetësisë dhe shkelje kushtetuese

Qeveria e paligjshme, përmes zotimeve të Hotit në Uashington, hoqi dorë nga anëtarësimi në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si në Këshillin e Evropës, Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në UNESCO, Interpol, Europol, në Kartën e Adriatikut e madje edhe nga NATO. Kjo është në kundërshtim me deklaratën e pavarësisë, përbën shkelje të nenit 17 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe është rast i pashembullt në marrëdhëniet ndërkombëtare, potencuan deputetja Fitore Pacollidhe ish zv. ministri i Mbrojtjes, Enver Dugolli, në konferencën e sotme për media që u mbajt në zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Deputetja Fitore Pacolli kujtoi që procesi i zgjerimit të legjitimitetit ndërkombëtar dhe përforcimit të shtetësisë së Kosovës përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare ka degraduar në vazhdimësi. Ajo tha se zotimi i fundit i Hotit në Uashington është një fusnotë e dytë.

“Kjo pikë e zotimeve është tani një fusnotë e dytë edhe më e dëmshme se e para. E para reduktoi anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare nga shteti sovran e me të drejta të barabarta me shtetet tjera në anëtarësim të Kosovës me fusnotë. E dyta pamundëson anëtarësimin si dhe bllokon avancimin e shtetit të Kosovës në shumë dimensione duke filluar nga çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, drejtësisë penale e civile, financiare, të mjedisit, energjisë, arsimit e të shëndetësisë deri tek çështjet infrastrukturore dhe rrugore, hekurudhore dhe ajrore”, theksoi ajo.

Zotimi i Hotit për të hequr dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, sipas Pacollit, rrezikon ta vejë në pikëpyetje statusin e Kosovës në organizatat ku tashmë është anëtarësuar si dhe të pamundësojë avancimin dhe fuqizimin e rolit të shtetit të Kosovës në këto organizata.


Enver Dugolli vuri në dukje hipokrizinë e radhës të kësaj qeverie të paligjshme, e cila në mbledhjen e saj të fundit morri vendim për formimin e një grupi të nivelit të lartë ndërinstitucional për avancimin e rrugës integruese të Kosovës drejt NATO-s. Dugolli tha se pas zotimit në Uashington për të hequr dorë nga anëtarësimet në organizata ndërkombëtare të gjithë e kanë parë që kjo qeveri e paligjshme nuk është e interesuar ta avancojë ose anëtarësoj[ Kosovën në organizma ndërkombëtarë, e aq më pak në NATO.


Sipas Dugollit me zotimin e Hotit për ta pezulluar procesin e anëtarësimit është dëmtuar rrugëtimi i Kosovës drejt Aleancës Veri-Atlantike (NATO). 
“Është dëmtuar pjesëmarrja jonë në iniciativën e Kartës së Adriatikut, apo siç njihet edhe si A5, në të cilën me përkrahjen e madhe të Shqipërisë, Kroacisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova mori statusin e vëzhguesit që nga viti 2014. Tani, kur edhe pritej avancimi i statusit të Kosovës në shtet anëtar të kësaj iniciative, pa pritur Hoti nënshkroi zotimin për mos aplikim. Dhe tani, pa fije turpi, Hoti mundohet të na hedh hi syve për gjoja interesimin e tij të madh për avancimin e Kosovës dhe integrimin e saj në NATO. Dëmtoi gjithashtu edhe pozicionin e Kosovës në iniciativën e RACVIAC-ut ku Kosova ka një status specifik i cili me ndihmën e miqve do mund të shfrytëzohej  për anëtarësim të plotë. Prandaj, edhe këtu kemi një ngrirje e cila fillimisht u tha se do jetë një vjeçare.”

“Puna më e mirë dhe më e frytshme që do duhej të ndodhte, është largimi sa më i shpejtë i kësaj qeverie e cila me veprimet e veta të dëmshme jo që po na ofron me NATO-n, por është duke na larguar gjithnjë e më shumë. Prioritet i yni do duhej të ishte avancimi dhe jo bllokimi, investimi në kapacitete dhe jo keqpërdorimi e zhvatja. Serioziteti ndaj NATO-s tregohet jo duke bllokuar veten por duke kërkuar ndihmë dhe përkrahje në mekanizmat para anëtarësim siç është PfP (Partneritet për Paqe), e deri te mbështetja për anëtarësimin e plotë në iniciativat rajonale të sigurisë”, përfundoi Dugolli. 

Kontribo