Në ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur
Në ditën ndërkombëtare për personat e zhdukur, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti bashkë me ish-deputetë, anëtarë të kryesisë dhe aktivistë të Lëvizjes mbajtën homazhe në sheshin Skënderbeu para përmendores dedikuar të pagjeturve të luftës.
Prej luftës së fundit në Kosovë fati i 1652 të pagjeturve ende mbahet peng në errësirat e zyrave të shtetit serb. Familjarët e tyre ende kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë për ta. Fati i të pagjeturve është ngushtësisht i lidhur me fatin tonë, të mos kërkosh drejtësi për ta do të thotë ta zhdukësh veten prej drejtësisë. Paqja, ardhmëria dhe zhvillimi nuk e mbushin kurrë boshin dhe mungesën e tyre. Brenga për të pagjeturit na mëson se paqen në jetë e sjell vetëm vendosja e drejtësisë.