09 03 2020

Në një datë historike si 7 marsi, Lëvizja VETËVENDOSJE! uron të gjithë mësimdhënësit

Historia e shkollës shqipe ishte e lidhur me fatin e kombit, dhe anasjelltas. Përkundër kohërave të vështira, rreziqeve e përndjekjeve, këtu e 133 vjet më parë, nisi krijimi i mësonjëtoreve të para shqipe, për t’u zgjeruar kudo me mësues të cilët vetëmohimin e kishin tiparin dallues, e ndërgjegjësimin kombëtar motiv parësor.

Kështu, më 7 mars 1887, në Korçë u hap shkolla e parë shqipe, me Pandeli Sotirin mësues dhe drejtues, si një paralajmërim, po aq sa edhe domosdoshmëri për krijimin e shtetit dhe përparimin shoqëror e kombëtar.

Nga mësimdhënës e shkolla për të ruajtur gjuhën dhe qenien shqiptare përballë sfidave e goditjeve të shumta, 7 marsi sot simbolizon misionin fisnik të mësimdhënësve në përpjekjen tonë për liri e pavarësi, por edhe rëndësinë që ka shkolla si institucion e dija si vlerë në përparimin e vendit tonë.

Shkolla, aq sa është bazament i shtetit, është edhe vet mundësia jonë për të ecur përpara drejt një shteti të zhvilluar, të mirëqenies e të qëndrueshëm. Nxënësit dhe studentët kanë të drejtë e nevojë për dije e shkencë, mësimdhënësit kanë të drejtë për kushte e dinjitet, kurse shteti ka nevojë për edukim cilësor që përkon me resurset e Republikës dhe zgjeron ato. Sot, shkolla në Kosovë duhet të marrë vëmendjen e duhur për të arritur aty ku presin qytetarët dhe meriton sistemi i arsimit, të prodhimit të shkencës e dijes në funksion në zhvillimit e përparimit shoqëror e shtetëror.

Në një datë historike si 7 marsi, Lëvizja VETËVENDOSJE! uron të gjithë mësimdhënësit, duke vlerësuar lart kontributin e tyre dhe rolin që ata kanë.

Kontribo