Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, vizitë në shoqatat: “Thirrjet e Nënave”, “Shoqatën e Pensionistëve” dhe “Medica Gjakova” në Gjakovë.
Sot, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, bashkë me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, në kuadër të një vizite më të gjerë, kanë vizituar edhe shoqatat “Thirrjet e Nënave”, “Shoqatën e Pensionistëve” dhe “Medica Gjakova” në Gjakovë.
Çdo takim me nënat gjakovare, është takim prekës ku spikasin po aq sa plagët e familjarëve për më të dashurit e tyre të pagjetur nga lufta e fundit, edhe papërgjegjësia e vazhdueshme për çështjen e të pagjeturve nga ana e institucioneve.
Kujtimet e nënave janë të freskëta, e lotët ende të njomë. Familjarët e të pagjeturve përditë jetojnë me mallin për më të dashurit e tyre. 21 vjet nga lufta dhe Serbia vazhdon të fshehë të vërtetën e mbi 1600 të pagjeturve, kurse qeveritë e Kosovës kanë normalizuar atë.
Trajtimi jo i duhur i çështjes së të pagjeturve ka rënduar edhe më shumë familjet. Kthimi i mbetjeve mortore të pjesshme është lëndim shtesë.
Ishte bindje e përbashkët se nuk mund të ketë dialog me Serbinë pa zbardhjen e fatit të pagjeturve. Ndërsa, barazimi i të pagjeturve me të ashtuquajturit kthimin e të zhvendosurve është i papranueshëm dhe potencialisht siç u tha, barazim të viktimës me kriminelin e luftës.
Nënkryetarja Nagavci i njoftoi drejtueset e “Thirrjet e Nënave” për interpelancën që ka thirrur Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! pikërisht për këtë, duke e konsideruar se çështja e të pagjeturve nuk mund të ndërlidhet a kushtëzohet me asnjë çështje tjetër, por është vetë dialogu që duhet të kushtëzohet me zbardhjen e të pagjeturve nga ana e Serbisë. Po ashtu u diskutua për idenë që të ftohen në Kuvend familjarët e të pagjeturve, për të adresuar këtë çështje dhe kërkesat e tyre para deputetëve. “Thirrjet e Nënave” paraqiten edhe njëherë kërkesat e tyre që Serbia të ofrojë informacionet, të nxirren para drejtësisë autorët, të bëhen pjesë e bisedimeve dhe të mbështetën familjet e të pagjeturve.
Nënkryetarja Nagavci, vizitoi po ashtu edhe shoqatën e pensionistëve të Gjakovës, ku u njoftua me gjendjen dhe kërkesat e pensionistëve, si dhe nevojën e adresimit të drejtë të kthimit të fondit pensional të plaçkitur nga Serbia. Ndërsa, në takimin në Shoqatën “Medica Gjakova”, shoqatë e cila ka trajtuar e mbështetur rehabilitimin e grave të dhunuara gjatë luftës, u njoftua për punën e vlefshme që po bëjnë, por edhe me sfidat që përballen.
“Medica Gjakova” duke falenderuar krijimin e Komisionit për verifikimin dhe regjistrimin e rasteve të dhunimeve seksualisht gjatë luftës, e ngriti nevojën e zgjatjes së periudhës për verifikimin dhe regjistrimin e këtyre rasteve, për shkak se shumë gra nuk janë lajmëruar.