01 03 2019

Nga pjesëmarrja në Samitin e Diasporës

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! mori sot pjesë si i ftuar në Samitin e Diasporës të organizuar në Tiranë. Deputetët Liburn Aliu dhe Fitore Pacolli, si dhe anëtarët e Kryesisë Hydajet Hyseni dhe Boiken Abazi, ndoqën sot panele të ndryshme diskutimi në lidhje me të drejtat e bashkatdhetarëve tanë dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrjen dhe jetën politike, ekonomike, institucionale e kulturore të atdheut.

Deputeti Liburn Aliu foli në këtë Samit edhe si panelist në diskutimin për të drejtën e votës. Ai theksoi se mbështetja e madhe ekonomike që aktualisht jep mërgata shqiptare është krejtësisht në shpërputhje me të drejtën e mohuar të votës. Në Kosovë, edhe pse ligji ekziston, vetë ligji dhe procedurat e zbatimit të tij krijojnë barriera të shumta që pengojnë përfshirjen e bashkatdhetarëve në zgjedhje. Është e qartë se shembujt e praktikave të mira nuk mungojnë, dhe këto barriera janë pasojë e vullnetit të munguar politik. Deputeti Aliu shpjegoi se edhe nëse realizohet e papenguar e drejta e votës, kjo do të ishte prap e pamjaftueshme. Mërgata do duhej të kishte ulëse të rezervuara në Kuvend, si dhe të gjitha çështjet që prekin mërgatën do duheshin trajtuar përmes strukturave të posaçme të aparatit shtetëror.

Përfaqësuesit e Lëvizjes do të vazhdojnë të qëndrojnë sot në këtë Samit për t’u takuar me bashkatdhetarët që kanë ardhur nga e gjithë bota.

 

Kontribo