Nga prezantimi i Komitetit për Shëndetësi
Sonte në mbrëmje me një panel të gjerë të specialistëve të shëndetësisë u mbajt prezantimi i Komitetit për Shëndetësi. Shëndetësia në epokën e maksimumit të avancimit teknologjik gjendet sot në Kosovë pa sistem informativ, pa pajisje të sallave operatore, pa imazheri diagnostifikuese, etj. Kosova në 2019 nuk ka kushte për sigurime shëndetësore publike. Ato po vonohen nga praktika çnjerëzore korruptive. Ka ministër që shpenzon kohë dhe vëmendje për reklamë, për tenderim të fshehur pas “reformave” por nuk ka dezinfektim të sallave të operimit dhe nën buxhetim të mbështetjes së qendrave të mjekësisë familjare. Ka shkelje të dinjitet të punonjësit shëndetësor sikundër ka promovim të një palice konjukturale që e kanë humbur raportin me integritetin nëpër përkuljet ndaj pushtetit. Kosova i ka stafet dhe vetura për mbi 80 zëvendësministra por jo dhe për mjekët epidemiologë të cilët duhet të punojnë në terren me popullatën. Për barnat ndahet buxhet publik për çdo vit, edhe autoriteti i prokurorimit prodhon vendime për kontraktimin e tyre. Kompanitë private shpërndarëse operojnë madje fitim por barnat nuk gjenden në klinikat tona apo në qendrat e mjekësisë familjare. Shpesh na kanë krijuar përshtypjen që në këto kushte nuk ka zgjidhje brenda këtij sistemi kështu të sulmuar nga të gjitha anët. E vërteta është se mjaft që të lirojnë udhë ata që e bllokojnë organizimin e shëndetësisë dhe gjendja ndërron. Një shembull i vogël por i madh ishte riorganizimi në vitet 2014-2018 i shëndetësisë primare në Prishtinë. Lëvizja VETËVENDOSJE! po përditëson alternativën sektoriale mbi shëndetësinë me synim një plan dinamik qeverisjeje. Këto paraqitje e analiza mbi mjekësinë primare, institutin e shëndetit publik, nivelin dytësor e tretësor, sistemin e sigurimeve dhe politikat e problemet e farmacisë nga doktorët e specialistët shëndetësorë si Jusuf Ulaj, Fatmire Kollçaku, Arben Vitia, Dafina Gexha, Baton Kelmendi, Merita Kasumi, Artan Krasniqi, Mirsad Shkreta, Suliote Aliu, do të pasohen nga diskutimi publik mbi buxhetimin e sektorit të shëndetësisë.