Nga punimet e Këshillit të Internacionales Socialiste
Pas Këshillit të mbajtur vitin e kaluar në Gjenevë, i cili votoi për ta pranuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! si anëtar observues të Internacionales Socialiste (IS), këtë javë Këshilli i IS u mblodh në Santo Domingo. Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, e përfaqësoi Lëvizjen në punimet e këtij Këshilli në të cilin folën personalitete të ndryshme, përfshirë edhe Kryeministrin e Spanjës Pedro Sanchez.
Ndër të tjera, në këtë Këshill u miratua edhe një rezolutë në përkujtim të Holokausitit, si dhe një deklaratë që ngre shqetësimin ndaj rritjes së anti-semitizmit dhe islamofobisë, dhe në përgjithësi ndaj ksenofobisë dhe diskriminimit mbi baza etnike ose fetare. Këshilli trajtoi edhe situatën në Venezuelë duke kërkuar zgjedhje të reja e demokratike nën mbikëqyrjen e një autoriteti të ri e krejtësisht të pavarur. Një rëndësi e veçantë, përmes një deklarate, iu dha edhe kërcënimeve më të fundit që u bëhen demokracive përmes sulmeve kibernetike, lajmeve të pavërteta dhe vjedhjes së të dhënave personale.
Abazi zhvilloi takime me delegacione të vendeve të ndryshme që morën pjesë në këtë Këshill, me një fokus të veçantë përfaqësuesit e partive të atyre shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.