30 06 2017

Nga takimet e delegacionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Berlin

Pas vizitës në Bruksel, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka vazhduar sot takimet në Berlin me deputetë të Bundestagut të Gjermanisë, nga Partia Social Demokrate (SPD) dhe Unioni Kristian Demokrat (CDU), si dhe me përfaqësues të admisnitratës gjermane. Kryetari, Visar Ymeri, Kandidati për Kryeministër, Albin Kurti, dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u takuan sot në Bundestag me deputetët e SPD-së Josip Juratoviç dhe Norbert Spinrath, si dhe me deputetin e CDU-së Thorsten Frei dhe këshilltarin për marrëdhënie me jashtë të CDU-së, Z. Hans Joachim Falenski. Më tej delegacioni u prit në takim në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë nga Ambasadori Christian Hellbach, i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore.

Në këto takime delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! shpjegoi situatën politike post-zgjedhore në Kosovë, si dhe paraqiti prioritetet qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe gatishmërinë, bazuar mbi rezultat zgjedhore, për drejtimin e qeverisë së re të Kosovës. Përfaqësuesit gjermanë që morën pjesë në këto takime e përgëzuan delegacionin për rezultatet e arritura në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë dhe treguan edhe një herë vullnetin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë e re që do të arrihet të formohet pas këtyre zgjedhjeve.

30 qershor 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo