11 07 2022

Nga takimi i Këshillit të Internacionales Socialiste në Kombet e Bashkuara, Gjenevë

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! mori pjesë në takimin e parë për vitin 2022 të Këshillit të Internacionales Socialiste që u mbajt në selinë e OKB në Gjenevë të Zvicrës.

Këshilli i zhvilloi punimet dy ditore mbi temën qendrore “Angazhimi ynë për zgjidhje humanitare dhe të qëndrueshme ndaj krizave globale. Ndërsa temat bazë të diskutimeve ishin angazhimi për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare bazuar në qëllime, principe dhe rregulla të përbashkëta, po ashtu dhe mbi forcimin e demokracisë dhe sigurimin e të drejtave themelore, si dhe adresimi i krizave globale si pandemia, ndryshimet klimatike, ekonomia, emigracioni dhe refugjatët.

Nga data 7 deri më 8 korrik 2022 delegacioni i VETËVENDOSJE!s i përbërë nga Mevlyde Hyseni, Sekretare për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Reis Luzhnica, aktivist nga Qendra e Lëvizjes në Zvicër përfaqësuan dhe paraqitën gjatë takimit të Këshillit dhe në takime të veçanta qëndrimet tona dhe përkushtimin për të bashkëvepruar me partitë simotra në këtë kohë krize të shumëfishtë.

Në fjalimin e mbajtur në punimet e Këshillit, Sekretarja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Mevlyde Hyseni theksoi përpjekjen e popullit të Kosovës për çlirim, betejën e gjatë deri tek shpallja e pavarësisë dhe përpjekjet e pandalshme për një sistem që ka në thelb demokracinë. Po ashtu ajo paraqiti edhe trajektoren e përpjekjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! prej vitit 2005 deri në fitoren e14 shkurtit 2021 dhe qeverisjen e vendit aktualisht. Midis të tjerave Sekretarja veçoi dhe reformat që subjekti ynë po ndërmerr tani në qeverisje dhe arritjet e qeverisë së re. Duke u ndalur tek përkushtimi në betejën e përhershme ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, vendosmërinë për demokratizimin institucional dhe zhvillimin ekonomik.

Delegacioni ynë mbajti takime dhe me drejtuesit si George Papandreou, Kryetar i Internacionales Socialiste, Luis Ayala, Sekretar i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, me Pedro Sánchez, Kryeministër i Spanjës dhe zv. Kryetar i Internacionales Socialiste e shumë personalitete e zyrtarë që morën pjesë në takimin e Këshillit si Ahmet Ünal Cevikö, Deputet në Kuvendin e Turqisë, zv. Kryetar i Komitetit të Harmonizimit të BE-së, Anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Anëtar i Delegacionit Turk në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Zv. Kryetar i Internacionales Socialiste, me Pia Locatelli, Zv.Kryetare e Internacionales Socialiste, Presidente Nderi e Internacionales Socialiste të Gruas, anëtare e Partisë Socialiste të Italisë, me Hana Jalloul, Deputete në Parlamentin e Spanjës dhe Sekretare për Marrëdhënie Ndërkombëtare në partinë PSOE, me David Balsa Guldris, Anëtar i Këshillit të Internacionales Socialiste nga Galicia, me Johnson Asiedu Nketiah, zv. Kryetar i Internacionales Socialiste dhe delegacionin nga Ghana, me Anëtarë të delegacionit të partisë Alliance of Democratic Forces of Congo (AFDC) nga Republika Demokratike e Kongos si dhe me anëtarë tjerë të Internacionales.

Për qasje të përbashkët në adresimin e sfidave dhe krizave bazuar në vlerat dhe parimet e të majtës ndërkombëtare, anëtarët e Internacionales u dakorduan dhe miratuan deklaratat dhe Rezoluta lidhur me paqen dhe në kundërshtim të luftërave pushtuese, lidhur me fuqizimin e demokracisë si dhe u dakorduan për përpjekje në luftë kundër populizmit reaksionar kudo që ai shfaqet. Në të cilat rezoluta e deklarata përfshihen dhe zhvillimet nga kontinenti ynë aktualisht.

Anëtarët e Internacionales u dakorduan për Deklaratën mbi Pandeminë Covid-19 dhe profesionistët e shëndetësisë si dhe në ato për gjendjen në Haitin, për rajonin kurd, për Xhibutin, për Kaukazin e Jugut dhe Deklaratën për Kirgistanin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! që nga viti 2018 është anëtare vëzhguese në Internacionalen Socialiste ku bëjnë pjesë partitë e majta dhe socialdemokrate nga të gjitha kontinentet.

11 korrik 2022

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Sekretariati i Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Kontribo