31 08 2020

Nga vizita në Prizren

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, sot vizitoi Prizrenin i shoqëruar nga ish zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu, dhe këshilltari i tij nga qeverisja e mirë, Tienmu Ma. Aty u prit nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, deputeti dhe anëtari i Kryesisë së VETËVENDOSJE!-s, Arbër Rexhaj, nënkryetari i Komunës, Visar Shehu, drejtorja e Kulturës në Komunën e Prizrenit, Emilja Redzepi, drejtori i Shërbimeve Publike, Osman Krasniqi, drejtori i Administrates Komunale, Osman Hajdari dhe drejtori i Inspekcionit, z. Edon Muçaj. Bashkarisht vizituan panairin vjetor të librit në këtë komunë. Edhepse me më pak shtëpi botuese se zakonisht, përshkak të përhapjes jashtë kontrolli të pandemisë COVID-19, panairi ofronte llojllojshmëri titujsh për të ushqyer mendjen e sfiduar kuriozitetin e lexuesit. Kryetari Kurti falenderoi të gjithë shitësit për kontributin e tyre, derisa foli për rëndësinë e librit në edukim, kulturë dhe shtetndërtim.

Nga aty, nën shoqërimin e kryetarit Haskuka, nënkryetarës Memnuna Ajdini, dhe drejtorëve Redzepi, Krasniqi e Hajdari, z. Kurti mori pjesë edhe në përurimin e Zyrës së Gjendjes Civile në Reçan të Prizrenit. Sipas kryetarit Haskuka, gurthemeli i vitit të kaluar, tanimë është shndërruar në një zyre të re të gjendjes civile që ofron mbi 700 shërbime në ditë për banorët e shtatë fshatrave. Kurse në fjalën e tij, kryetari i Lëvizjes, Kurti, tha se hapja e kësaj zyre është në kuadër të zotimit të qeverisjes sonë në Prizren për decentralizimin e shërbimeve në mënyrë që ato të jenë sa më afër qytetarëve ashtu që t’ua kursejmë atyre sa kohën edhe mjetet. Ai i falenderoi kryetarin e Komunës së Prizrenit, Haskuka dhe nënkryetaren Ajdini, sikurse edhe drejtorët komunalë, Redzepi, Krasniqi dhe Hajdari, për angazhimin dhe kontributin e tyre deri në kremtimin e këtij suksesi.

Kontribo