11 01 2017

Nis vizita e delegacionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mbretërinë e Bashkuar

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! po merr pjesë në një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar për t’u takuar me mërgatën shqiptare, partitë politike britanike, dhe organizata shqiptare dhe ndërkombëtare. Delegacioni udhëhiqet nga Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri dhe është i përbërë nga Glauk Konjufca, Kryetar i grupit parlamentar, Fisnik Ismaili, deputet, dhe Fitore Pacolli, Drejtuese e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë.
Në ditën e parë të vizitës delegaioni është takuar me përfaqësues të lartë të Partisë Laburiste Britanike si Baronesha Janet Royall, me Ndërlidhsen e Marrëdhënieve me Jashtë Znj. Jo Greening dhe me Menaxheren e Projekteve Ndërkombëtare Znj. Nabila Sattar.

Baronesha Royall, e cila ka dhënë më herët një kontribut të çmuar gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, shprehu interesimin që të mësojë më shumë mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë si dhe tregoi gatishmërinë e saj për të forcuar marrëdhëniet bilaterale me Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Baronesha Royall dhe Kryetari Visar Ymeri e përqendruan diskutimin te forcimi i marrëdhënieve mes forcave progresive social-demokrate në Evropë si strategji e domosdoshme për të sfiduar pushtet e djathta dhe konservatore. Kryetari Ymeri e njohu Borenesën me zhvillimet e fundit ekonomiko-politike në Kosovë duke u ndalur edhe te pasojat negative që ka sjell dialogu pa kushte me Serbinë.

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të vazhdojë vizitën gjatë kësaj jave në takime të tjera me përfaqësues të partisë Laburiste, me Ministrinë e Punëve Jashtme Britanike, me gazetarë si dhe në takime dhe një tubim me mërgatën shqiptare. Ndër të tjera, në datën 13 janar, Visar Ymeri dhe Glauk Konjufaca do të mbajnë edhe një ligjëratë në Universitetin Sussex me temën “Kosova dhe shqiptarët në një Evropë në ndryshim”

11 janar 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo