27 01 2017

Nismë legjislative për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikuar

Sot, në Kuvendin e Kosovës, Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Komiteti për Drejtësi organizoi një tryezë, në lidhje me Projektligjin për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikuar.

Të pranishëm ishin deputetë, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, avokatë, përfaqësues të zyrës së Bashkimit Evropian, shoqërisë civile, profesorë dhe studentë.

Këtë diskutim e hapi Deputetja e VETËVENDOSJE!-s, Albulena Haxhiu që është njëkohësisht dhe kryetarja e Komisionit parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Në strategjinë legjislative për vitin 2016, Qeveria kishte paraparë procedimin në Kuvend të rishikimit e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme më 30 qershor të vitit 2016.

Qeveria, konkretisht Ministria e Drejtësisë, as nuk e ka sjellë për diskutim një iniciativë të tillë. Praktikisht ka dështuar në realizimin e axhendës legjislative, madje i njëjti projektligj është hequr edhe nga strategjia legjislative e vitit 2017. Sigurisht që kjo sjellje e Qeverisë dëshmon mungesën e plotë të vullnetit që qoftë dhe formalisht ta adresojnë çështjen e pasurimit të paligjshëm dhe krimit të organizuar.

Duke e pasur në vëmendje nivelin e lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit e në anën tjetër pasivitetin e institucioneve të drejtësisë për të luftuar atë, të pranishmit vlerësuan lart nevojën e nxjerrjes së këtij projektligji.

Diskutimet u përqendruan në fuqinë retroaktive të këtij ligji, pra në përcaktimin kohor se prej kur duhet të vlejë shqyrtimi i pasurisë. Po ashtu u diskutua edhe për mbështetjen e sistemit të drejtësisë, duke pasur parasysh që ka mungesë të prokurorëve dhe gjyqtarëve, ngritjen e një departamenti përbrenda prokurorisë i cili do të përfaqësohej nga prokurorë të profilizuar që do të merreshin me rastet e korrupsionit dhe të tjera çështje të ngjashme.

Përfaqësuesit e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u kërkuan të pranishmëve që vërejtjet e tyre për draftin e propozuar të këtij projektligji, t’i parashtrojnë me shkrim deri më 6 shkurt, në mënyrë që projektligji më pas të procedohet në Kuvend.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e kishte propozuar edhe në legjislaturën e kaluar këtë nismë por ajo ishte zvarritur e penguar për të vijuar më tej qoftë nga mazhoranca e asaj kohe, qoftë nga një pjesë e opozitës që tash është në qeveri.

Po ashtu ne jemi të vetëdijshëm se vetëm normat ligjore nuk mjaftojnë për t’i bërë ballë mafias që ka kapur shtetin. Në këtë kuptim ky projektligj është i pamjaftueshëm, por megjithatë është i domosdoshëm dhe e vlerësojmë vetëm si një nga shumë masat që nevojiten për ta çkapur shtetin nga mafia e pushtetit.

Kontribo