06 02 2025

Një Has, një zë, një fitore 118 – Fjala e Kryeministrit Kurti në tubimin e Hasit

Të dashur banorë të Hasit, edhe për neve të Vetëvendosjes, sikur në këtë vend ku jemi mbledhur për këtë tubim madhështor, vetëm qielli është tavan, sikur ajo fotografia aty. Na nuk kemi tavan, përveç qiellit, sepse më 9 shkurt të gjithë do të jenë dëshmitarë që 500 mijë vota, 500 mijë zemra do të shpërthejnë prej kutive të votimit, atëherë kur do të numërohen me numrin 1-1-8. Ky është numri i mirëqenies, dinjitetit, sovranitetit, dhe i progresit të kombit shqiptar të Republikës së Kosovës dhe Hasit këtu.

Ne jemi mbledhur këtu, gjithë Hasi në Romaj, në vendin e Ferhat Romajës, një njeri shumë i mençur e pleqnar, fort i zoti. Pra, jemi mbledhur në një vend edhe të mendjes, edhe të zemrës, e Romaja njihet si vendbanim i lashtë ilir, 5000 vite i vjetër, se këtu janë gjetur tumat ilire. Domethënë, është një vendbanim i cili është dëshmi e lashtësisë sonë dhe autoktonsisë sonë si popull që jetojmë këtu.

Ka njerëz të ardhur në epoka të ndryshme, por ju keni qenë gjithmonë këtu dhe ju do të jeni gjithmonë këtu. Ne nuk e ndajmë Hasin, jo Hasi i Shqipërisë, jo Hasi i Kosovës, jo Hasi i Prizrenit, jo Hasi i Gjakovës, ka vetëm një Has, Hasi.

E tash po e bëjmë një herë bashkimin infrastrukturor rrugor me Hasin andej kufirit. Rruga Dobrune-Blinisht ka përfunduar, është lëshuar për qarkullim vitin e kaluar. Aktualisht po ndërtohet edhe rruga Guruzhub-Bogaj-Mariq, ku ne, bashkë me Qeverinë e Shqipërisë, po i lidhim si rezultat i vullnetit tonë, nevojës së banorëve dhe marrëveshjeve të dala nga mbledhjet e përbashkëta me Qeverinë e Shqipërisë.

E ne duhet t’i japim gjithnjë e më shumë Hasit, sepse ju i keni dhënë shumë kombit. E ju jeni edhe vendi i furrtarëve më të famshëm, i bukës më të mirë që mund ta prodhojë njeriu. Sa herë që nëpër qytetet evropiane, kur shkojmë nëpër konferenca, ngelim të uritur sepse kemi harruar të hamë, e dimë që duhet të takohemi me ndonjë hasjan me ndonjë furrë dhe të marrim energji, për t’u bërë gati për ditën e nesërme.

Unë ju falenderoj shumë edhe për mbështetjen që ja keni dhënë edhe Lëvizjes, edhe Qeverisë në kohë të vështira, sepse për besë, në vitin e parë të mandatit tonë, na ra kriza e pandemisë COVID-19, që ndodhi njëherë në 100 vite. Ai gripi spanjoll ka qenë para 100 vitësh, kurse pandemia COVID-19 na gjeti pa asnjë vaksinë, pa asnjë kontratë për vaksina. Për disa muaj arritëm që më shumë se gjysma e popullsisë të vaksinohet dhe të dalim prej asaj situate. Po ashtu, vitin e parë patëm edhe dy kriza të tjera që ndodhin njëherë në gjysmë shekulli, njërën prej tyre kriza e inflacionit dhe tjetrën atë energjetike, për shkak të agresionit rus në Ukrainë, por prej të dyjave atyre, po ashtu, dolëm me sukses.

Ndërkaq, sikur kjo mos të mjaftonte, i kemi pasur sulmet më të mëdha të Serbisë në Kosovën e çliruar, pikërisht gjatë mandatit tonë, sepse ne nuk ua morëm listen Serbe në koalicion dhe i luftuam strukturat ilegale, institucionet paralele, një nga një, derisa i eliminuam ato me sukses. Sepse, të dashur qytetarë, ne nuk dëshirojmë që problemin me Serbinë t’ja lëjmë brezit të ardhshëm, është brezi ynë që duhet ta kryjë këtë punë. Asnjë brez i shqiptarëve nuk ka kaluar pa luftë. Ka breza shqiptarësh që kanë pasur dy luftëra, por edhe tri, po pa asnjë luftë nuk ka, por ne dëshirojmë që brezi i ardhshëm i shqiptarëve, i hasjanëve, i gjithë rajoneve të shqiptarisë, të jetë pa lufta, me paqe, me siguri, dhe për këtë na duhet një ushtri e fortë dhe e fuqishme.

Se na ka qellu një kojshi shumë i keq, e kur e ke kojshinë e keq, duhet me pas edhe pushkën e mirë, edhe pushkën plotë.
Prandaj, në mandatin e ardhshëm, për më shumë se 50%, do t’i rrisim shpenzimet dhe investimet në ushtrinë tonë. I kemi pasur 630 milionë këto 4 vite, do t’i bëjmë 1 miliardë euro, ku bëjnë pjesë edhe fabrika e municionit dhe dronët ‘Made in Kosova’.
Ushtrinë tonë ja kemi hequr këtë tavanin prej 5000 pjesëtarëve, tashmë e kemi dyfishuar numrin e qizmëve në tokë, pra të ushtarëve të FSK-së, dhe kemi blerë dronë Bayraktar prej Turqisë, sistemin anti-tank Javelin dhe helikopterët ‘Skifterat e Zi’- ‘Black Hawk’ prej Amerikës. Dhe në këtë mënyrë, cep më cep, Kosova do të jetë e sigurt njëherë e përgjithmonë.

Përveç mbrojtjes, 1 miliard euro, gjithashtu edhe mbështetjes për investime në kapacitet prodhuese, përmes garantimit të kredive për ndërmarrësit tanë. Kush prodhon, do ta ketë dorën e mirë të shtetit, në mënyrë që ta rrisë prodhimtarinë, ta shtojë punësimin, të na I rrit eksportet, dhe në këtë mënyrë të pasurohen njerëzit me ligj, me nder, me punë dhe me talent.

Ndërkaq, për ata që kanë zhvatur në të kaluarën, në mënyrë që të ecim shpejt përpara, edhe vettingun në drejtësi do ta bëjmë, se s’bën ndryshe, dhe do ta kemi prokurorinë e re speciale për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne s’kemi asgjë kundër njerëzve të pasur dhe që duan të pasurohen, mirëpo ata, këto 20 vite që bënë shumë miliona, disa dhjetra miliona, e disa të tillë qindra miliona, duhet të na tregojnë se si i kanë bërë ato.
E tash, të dashur qytetarë, unë s’besoj që ndonjë prej tyre kur të merret në pyetje, ka me thënë “vallahi, s’më kujtohet”. I kujtohet, besoj, që i kujtohet.
Tjetra, do të hiqet taksa doganore prej 10 përqind për automjetet prej vendeve të Bashkimit Evropian, kriter do të jetë mbrojtja e mjedisit, jo vjetërsia e automjeteve.

Do ta bëjmë programin e transportit ‘Anëmbanë Kosovës’,transport publik i integruar, urban dhe ndërurban, me biletë mujore 10 euro. Me 10 euro do të mund të shkosh prej Hasit kudo nëpër Kosovë, dhe në këtë mënyrë do të rritet qarkullimi, vizitat dhe lëvizshmëria e qytetarëve.

Kemi me ndërtu hekurudhën Prishtinë-Durrës, ku brenda duhet të ketë segmentin Gjakovë-Shkodër, dhe gjithashtu do të përmbyllim Dollc-Gjakovë, Kijevë-Zahaq, sepse është e domosdoshme që këto të marrin fund njëherë e përgjithmonë. Tani po i korrigjojmë keqplanifikimet, mungesën e projekteve dhe shpronësimet me hile, ne po i rregullojmë këto një nga një, dhe këto rrugë do të bëhen. Do të ndërtohet edhe rruga e Dukagjinit dhe Porti i Thatë i Prishtinës.

500 milionë euro për Brezovicën, për të krijuar një qendër turistike e cila sjell shumë të ardhura. Edhe është e rëndësishme që tash, pasi që ja kemi marrë kontrollin Beogradit, njëfarë kompanie Ineks e Beogradit, edhe e kemi qit te AKP-ja jonë, e kemi fiskalizuar dhe tani mund të bëjmë investimet me partneritetin publiko-privat.

E kemi pasur programin ‘Superpuna’ për të rinjtë, kush është prej 18-29 vjeç, pagën minimale do t’ia japim si bonus për 6 muaj në ndërmarrjen ku punon, dhe kjo ka punësuar shumë të rinj e të reja. Këtë do ta vazhdojmë, por do ta bëjmë edhe programin ‘Superpuna për Gra’. Pra, gratë që mund të punojnë, ta kenë pagën minimale për 6 muaj si shtesë. Për shembull, nëse në një firmë paga është 400, do t’ju bëhet 750. E dimë që gratë kujdesen më shumë për fëmijët, por ne do ta rrisim numrin e çerdheve; 65 çerdhe për katër vite, me 36 milionë euro, i kemi renovuar, ndërtuar apo adaptuar. Ata para neve, 17 vjet, 1.2 milionë, vetëm katër çerdhe. Në disa komuna kemi ndërtuar më shumë çerdhe për katër vite se ata në gjithë Kosovën për 17 vite.
E shtrohet pyetja, pse, të dashur qytetarë? Se ata nuk janë marrë me fëmijët tuaj, ata janë marrë vetëm me fëmijët e vet. Pra, janë bërë ministra, kryeministra, zëvendësministra, vetëm me fëmijët e vet janë marrë. Për fëmijët tuaj nuk u ka interesuar, dhe nuk u ka interesuar as për nëna lehona nëpër Kosovë. Pra, ky është dallimi i madh me qeverinë tonë, se ne jemi qeveri për nënat, qeveri për fëmijët, qeveri për rininë, qeveri për pleq, qeveri për djemtë dhe burrat, qeveri për popullin tonë, jo qeveri për vete.

E këta kundërshtarët tanë, këta çdo pranverë thoshin “në vjeshtë zgjedhjet”. Sa herë vijke vjeshta thoshin “në pranverë zgjedhjet”. Këta kanë menduar që ne kemi me u rrëzuar disi me ndërkombëtarë për ndonjë muaj, nëse edhe jo për ndonjë javë, dhe u bënë 4 vite. E tash, kur e kanë kuptuar se do të bëhen së paku edhe katër të tjera, po dojnë me u trranu krejt.

Tjetra është kujdesi për fëmijë, përveç çerdheve, kudo që nuk ka çerdhe dhe gjyshja dhe gjyshi kujdesen për fëmijët prej moshës 1-3 vjeç, ku punojnë të dy prindërit, ne si shtesë pensioneve të tyne ja japim 100 euro. Këtë model e ka nisur Suedia, ne jemi vendi i dytë në Evropë që po ashtu do ta zbatojmë.

Për studentët një program modaliteti; për ata që studjojnë më larg, sa më larg prej vendit ku jetojnë, ata do të kenë mbështetje më të madhe prej shtetit. Do ta rrisim pagën minimale nga 350 në 500 euro në mandatin e ardhshëm. E kemi gjetur pagën minimale 130 euro nëse ke nën 35 vite, dhe 170 nëse ke mbi 35 vite, e kemi bërë 350, tash do ta bëjmë 500, në mënyrë që të kemi një prag minimal jetik, mbi të cilin duhet të shkojmë, por poshtë të cilit nuk lejohet.

Do të kemi një fond të sigurimeve shoqërore për mbulimin e pagesës për pushimin e lehonisë, prindëror ose në rast të humbjes së vendit të punës. Nëse e humb vendin e punës, mos me humb krejt, me pas njëfarë rrjeti që të mban. A e keni pa, për shembull, ai që bën akrobacione në ajër, ka njëfarë rrjeti që nëse rrëzohet, mos të bjerë në tokë, dhe një kësi rrjetë sociale do t’ja bëjmë edhe ne të gjithë punëtorëve. Ne duam që ata kurrë të mos humbin punën, por nëse e humbin, të kenë rrjetin që i mban dhe jo të bien në tokë. Pra, një rrjet mbrojtës të sigurimit shoqëror.

Më tutje, gjithashtu do të kemi investime në energji. Termocentralin Kosova A do ta rehabilitojmë thellësisht, do ta modernizojmë atë të Kosova B, dhe 150 milionë euro për efiçience për familjet, për të rregulluar kulmet, dyert, dritaret, që të ken verës freskët dhe dimrit ngrohtë, sepse një pjesë e madhe e energjisë shkon dëm, dhe do t’ja bëjmë izolimin e shtëpive, edhe private edhe ndërtesave publike.

Ndërkaq, në shëndetësi, e kemi kaluar ligjin për sigurimet shëndetësore, mirëpo tash po e pret dritën e gjelbër nga Gjykata Kushtetuese Ndërkohë, buxhetin për listën e barnave esenciale e kemi gjetur 24 milionë, dhe e kemi bërë 7 milionë, në mandatin e ardhshëm do ta bëjmë 100 milionë. Njerëzit në Kosovë në përgjithësi blejnë barna 120 milionë, pra prej 120 milionëve që blejnë barna, 100 shteti do t’i rimbursojë.

Me datën 9 shkurt, të nderuar të pranishëm, merrni gjithë anëtarët e familjes, bile edhe ata që kanë bërë 18 vite me 9 shkurt, sepse edhe kush bëhet 18 vjeç me 9 shkurt ka të drejtë. Prej 18 deri në 88 ose 98, se këtu jetojnë ndoshta njerëzit edhe më shume, e keni ndonjë plak, apo plakë që janë edhe më të moshuar, krejt dilni. Nuk mjafton të dalin prej një familje 7 anëtarësh 3 ose 4, bile as 6, të 7-të duhet të dalin, sepse të gjithë kanë të drejtë vote. Mos thoni “Hajt se shkoj baba me djalin apo me vajzën, e nëna po rrinë me fëmijët e tjerë në shtëpi”, ose anasjelltas, krejt duhet të dalin.
Dhe a e dini çka ish kan mire, përveç që të dalin krejt? Të thërrasin edhe tezet, hallat, dajtë, axhallarët, kushërinjtë e gjitha anëve dhe të thonë: “Unë dola, a shkove ti me votu, a si është puna?”. Merrni pak në pyetje kushërinjtë, pyetni a dolën në zgjedhje dhe mos e kanë ‘huqur’ rastësisht numrin 118. Nuk bën  numrit 118 me ja huq, sepse referendum është kjo.

Po, dikush prej jush që është më organizator në familje, sepse secila familje ka një person që është pak më organizator, ju e dini këtë punë. Secila familje e ka një djalë ose një vajzë, është baba, ose është nana, por prej gjithë familjes, njëri është pak më organizator. Dhe ai që është më organizator, që e ka pikëpamjen më të gjerë prej familjes ose fare fisit, ose si të themi më mire; ai që bën listen kanë me thirr në dasëm, ai është shumë i rëndësishëm. Ai person le të bëjë listën sikur kur i thërret në dasëm, dhe le t’i thërrasë për zgjedhje të 9 shkurtit. Drejt me thënë, kur t’i thirr në dasëm, nashti për dikë thotë: ‘Qita s’pe thirri’, ama këtu zgjeroje listën, se nuk është dasëm, po është zgjedhje, është 9 shkurt dhe dasmën e mbajmë ne pastaj. E bëjmë pas orës 7 në mbrëmje, kur ti numërojmë votat dhe të shihet që 500 mijë vota janë për VETËVENDOSJE!, Guxo dhe Alternativa, me numër 1-1-8, sepse do ta realizojmë fitoren historike, rekord dhe të pa parë, dhe 4 vitet e ardhshme do të jenë edhe më të mira se këto 4 vite që kaluan, dhe këto 4 vite që kaluan ishin më të mirat prej që u çlirua Kosova.

Faleminderit shumë!
Tash, na duhet pak të lëvizim shpejt për në palestrën e sporteve “Shan Ninushi”, sepse kemi tubimin në Gjakovë në ora 19:00, dhe po ju kërkojmë falje që duhet të lëvizim me shpejtësi, por jeni më shumë të mirëseardhur nëse keni mundësi të vini, sepse atje do të themi edhe shumë gjëra të tjera dhe mund të bëjmë edhe fotografi me ata që nuk mundemi t’i bëjmë këtu duke dalur.

Faleminderit shumë dhe mirupafshim!

Kontribo