01 05 2018

Nuk ka zhvillim pa punë dhe dinjitet të punëtorëve

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot në 1 Maj në ditën ndërkombëtare të punëtorëve mbajti një aksion simbolik duke krahasuar hendekun në paga në Kosovë. Në këtë aktivitet në të cilin u prononcua anëtarja e Kryesisë Nazlia Bala tha se sot kur duhet të flasim për të drejtat dhe gjendjen e punëtorëve nuk mund të mos flasim për varfërinë.

Ende Kosova vazhdon të jetë vend i varfër. Mbretëron papunësia, dhe pabarazia ekonomike, sepse qeveritarët e kanë për synim pasurimin e vet, e jo zhvillimin ekonomik.

Një vend me gjendje të tilla dihet që nuk ka kushte për punëtorët sepse të drejtat e punëtorëve janë të lidhura ngushtë me papunësinë. Sa më shumë të papunë, aq më i pasigurt punësimi edhe për ata që janë në punë, sepse mund të zëvendësohen lehtë e shpejt. Sepse ai që s’ka rrogë fare, lehtë e pranon rrogën e keqe, e ndonjëherë i mbyll sytë e veshët edhe përballë abuzimit nga shefi.

Prandaj, ne nuk jemi këtu për t’u treguar atyre që punojnë sa të shtypur janë. Sepse gjithë gratë e burrat që punojnë, e dinë, ata sot me VETËDIJE e pranojnë një farë shtypje e abuzimi, vetëm e vetëm që ta kenë të paktën një vend pune.

Papunësia e madhe paraqet rrezik që të punësuarit ta humbin punën e që shpesh herë është burim i vetëm i të hyrave për familje. Kjo i shtyn ata që ta pranojnë gjendjen mjeruese e të papërmirësueshme qofshin punëtore në arkat e marketeve, qofshin punëtorë të minierave, qofshin taksistë, punëtorë sigurimi a infermiere.

Sipas shifrave të Bankës Botërore papunësia është rritur me 3 përqind në vitin 2017. Ndërkohë, edhe ata që paguhen në fakt keqpaguhen. Paga minimale në Kosovë është 130 euro deri në moshën 35 vjeçare– kurse 170 mbi 35 vjeç. Ndër më të ulëtat në kontinent. Kaq nuk mjafton as për bukë, dhe a ka turp më të madh se sa të punosh, e megjithatë të mos arrish as bukë të blesh?

Por ky nuk është realiteti i vetëm i Kosovës. Ka në Kosovë paga marramendëse që ne nuk na e merr mendja. Vetë buxheti i Kosovës paguan paga mbi 4 mijë, madje dhe mbi 5 euro për muaj. Poashtu, ka privatë, pronarë korporatash me fitime multi milionëshe. Këta me importin që bëjnë mbysin ekonominë vendore, e edhe aty ku ka vend për ndonjë prodhim vendor, e uzurpojnë përmes monopolit. Janë bash të njëjtit që i keqpaguajnë punëtorët.

Kufizimi i orarit të stërzgjatur i punës, ndalja e punësimit pa kontratë pune, kryerja në rregull e pagesave nuk janë një refren ankues por kërkesa të qarta e të drejta që kërkojnë zbatim të menjëhershëm. Këto kërkesa janë krejt normale madje është skandal se pse në vitin 2018 ne ende duhet të bëjmë kërkesa të tilla.

Sivjet, pra për katër muaj të këtij viti kanë vdekur katër punëtorë në vendin e punës. Vitin e kaluar 17. Vetëm në KEK që nga paslufta kanë vdekur 43 punëtorë në vend të punës. Çka është kjo moskokëçarje e shtetit dhe e privatit për punëtorët? Në këtë vend ku po e qeveris shtetin dhe ekonominë hajnia, duket sikur punëtorëve u është shpallur luftë.

Qeveria duhet ta shohë me prioritet punësimin dhe barazinë, edhe pse ne e dimë se nga ky lloj pushtetarësh që është i lidhur ngushtë me oligarkët dhe me neoliberalizmin, zhvillim ekonomik nuk ka për të pasur. Deri tash prej tyre ne kemi parë vetëm përkushtim ndaj luksit të vet, të oligarkëve dhe të drejtorëve që i kanë ortakë dhe shokë. Ndërmarrjet nuk janë të drejtorëve, as të oligarkëve. Kosova nuk është e korporatave dhe punëtorët nuk janë shifra dhe të papunët nuk janë shifra. Ata janë njerëz, janë qytetarë, janë forca e vetme që mund ta zhvillojë Kosovën. Shteti ka obligime për ta. Tashmë shteti është në borxh të madh si tek të papunët edhe tek punëtorët, e që të ndryshojë gjendja për ta, duhet të ndryshojë vetë pushteti. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka alternativën më të mirë për zhvillim ekonomik, rritje të punësimit, zvogëlim të pabarazisë dhe të drejta të punëtorëve.

Kontribo