OKSIGJEN PËR SPITALET RAJONALE – OKSIGJEN PËR TË SHPËTUAR JETËN
Spitaleve të mbingarkuara me pacientë me COVID-19, po u shtohet edhe mungesa e oksigjenit. Ditëve të fundit, sikurse muajve të fundit, janë raportuar raste të shumta të vështirësive deri në mbetje pa oksigjen medicinal të spitaleve rajonale.
Fshehtësia dhe papërgjegjësia e qeverisë, ministrit dhe SHSKUK e Agjencioneve përgjegjëse po i kushtojnë vendit me jetë të humbura. Oksigjeni medicinal është element i domosdoshëm në përballje me COVID-19 për pacientët e shtrirë nëpër klinika.
Gjendja është e rëndë dhe institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin veprimet për të garantuar furnizim të rregullt e mbi të gjithë të pandërprerë me oksigjen medicinal dhe nga kompani që i përmbushin të gjithë kriteret duke i mbikëqyrur pa ndërprerë.
Sot, disa nga deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në përgjigje të kërkesave të panumërta të qytetarëve nga gati të gjitha komunat e Kosovës, si dhe deputetët nga komisioni për shëndetësi, kanë ndërmarrë një protestë simbolike para Ministrisë së Shëndetësisë për t’i kujtuar se qytetarët po përballen me rrezik të dyfishtë, kurse punonjësit shëndetësor me vështirësi në punën e tyre, nga mungesa e oksigjenit.