16 09 2020

Pafytyrësia e Presidentit

Sot, Zyra e Presidentit ka lëshuar një komunikatë për media ku e ka cilësuar si të rrezikshme dhe të dëmshme idenë e diskutimit për ”Zajednicën” nga Avdullah Hoti në Bruksel. Në këtë komunikatë kërkohet që Kuvendi ta ndalojë kryeministrin që të negociojë për çështje të brendshme, përmes një rezolute, anipse një rezolutë e tillë është votuar nga Kuvendi në mars të këtij viti.

Nëse ”Zajednica” paraqet rrezik për Republikën e Kosovës, gjë që është krejt e vërtetë, atëherë presidenti Thaçi duhet të bëjë së paku tre gjëra: të distancohet dhe marrë përgjegjësi për marrëveshjen e prillit 2013, që është themeli i ”Zajednicës” e që e nënshkroi si kryeministër; të marrë përgjegjësi për ”Zajednicën” e gushtit 2015 të nënshkruar nga kryeministër Isa Mustafa i shoqëruar nga vet Hashim Thaçi si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe garantonte se ajo ishte në përputhje me Kushtetutën ndërkohë që më vonë doli se ajo e shkelë atë në së paku 23 nene të saj; dhe, të japë përgjegjësi për nënshkrimin e tij në letrën ku FSK-së i ndalohet kalimi në veri të vendit.

Ky reagim i presidentit sot, nuk është asgjë tjetër pos pafytyrësi dhe përpjekje që të simulojë opozitarizmin. Pra, ai po shtiret, po e luan rolin, vetëm sa për të mbetur edhe pak në skenën politike, dhe për ta faktorizuar veten ndërkombëtarisht. A i ka numëruar Thaçi sa rezoluta të tilla ka pasur, e sa janë shkelur nga vetë personi që është president? Ai vetë, në cilësinë e kryeministrit bashkë me Daçiqin hodhën themelet e ”Zajednicës”, që më pas e ndalëm me protesta mbarëqytetare.

Kjo kundërshti mes Thaçit e Hotit është kundërshti e rreme e dy anëve të së njëjtës medalje. Është kundërshti e ndarjes direkte të Kosovës me atë të bosnjëzimit për t’u ndarë më vonë. Dallimi i tyre është vetëm kohor. Ata që thonë se ”Zajednica” është obligim në fakt janë duke negociuar ndarjen. Ndërsa kinse-kundërshtarët e tyre, opozita e simuluar, të cilët ka kohë që kërkojnë ndarje, sot thërrasin kundër “Zajednicës” që e krijuan vetë. Njëjtë si hajni kur thërret “kapeni hajnin”.

”Zajednica” cenon rëndë rendin kushtetues dhe unitaritetin e shtetit. Ajo është e dëmshme dhe rrjedhimisht e papranueshme, dhe nuk mund të zbatohet në Republikën e Kosovës e aq më pak të sillet nga një qeverisje e paligjshme. Por Thaçi është baba i “Zajednicës”, e jo kundërshtar i saj. Si themelues i kahmotshëm, atij vetëm i ka mbetur merak pse nuk është ai implementuesi, por kryeministri i tij kukull.

Qytetarët e Republikës së Kosovës, opinioni mbarëshqiptar, Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe studiues të fushave të ndryshme kanë qenë në mënyrë konsekuente kundër marrëveshjeve që kanë rrudhur territorin dhe cenuar sovranitetin e vendit. Ne kemi kundërshtuar ”Zajednicën” Thaçi-Daçiq 2013 dhe atë Mustafa-Thaçi – Vuçiq- Daçiq 2015 sepse janë kundër rendit kushtetues dhe Republikës. Gatishmëria e kryeministrit të paligjshëm për ta ringjallur projektin famëkeq të Serbisë do të kundërshtohet siç janë kundërshtuar përpjekjet e padronëve të tij e që janë pikërisht këta nënshkrues.

Kontribo