11 07 2022

Nga takimi i Këshillit të Internacionales Socialiste në Kombet e Bashkuara, Gjenevë

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! mori pjesë në takimin e parë për vitin 2022 të Këshillit të Internacionales Socialiste që u mbajt në selinë e OKB në Gjenevë të Zvicrës.

Këshilli i zhvilloi punimet dy ditore mbi temën qendrore “Angazhimi ynë për zgjidhje humanitare dhe të qëndrueshme ndaj krizave globale. Ndërsa temat bazë të diskutimeve ishin angazhimi për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare bazuar në qëllime, principe dhe rregulla të përbashkëta, po ashtu dhe mbi forcimin e demokracisë dhe sigurimin e të drejtave themelore, si dhe adresimi i krizave globale si pandemia, ndryshimet klimatike, ekonomia, emigracioni dhe refugjatët.

Nga data 7 deri më 8 korrik 2022 delegacioni i VETËVENDOSJE!s i përbërë nga Mevlyde Hyseni, Sekretare për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Reis Luzhnica, aktivist nga Qendra e Lëvizjes në Zvicër përfaqësuan dhe paraqitën gjatë takimit të Këshillit dhe në takime të veçanta qëndrimet tona dhe përkushtimin për të bashkëvepruar me partitë simotra në këtë kohë krize të shumëfishtë.

Në fjalimin e mbajtur në punimet e Këshillit, Sekretarja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Mevlyde Hyseni theksoi përpjekjen e popullit të Kosovës për çlirim, betejën e gjatë deri tek shpallja e pavarësisë dhe përpjekjet e pandalshme për një sistem që ka në thelb demokracinë. Po ashtu ajo paraqiti edhe trajektoren e përpjekjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! prej vitit 2005 deri në fitoren e14 shkurtit 2021 dhe qeverisjen e vendit aktualisht. Midis të tjerave Sekretarja veçoi dhe reformat që subjekti ynë po ndërmerr tani në qeverisje dhe arritjet e qeverisë së re. Duke u ndalur tek përkushtimi në betejën e përhershme ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, vendosmërinë për demokratizimin institucional dhe zhvillimin ekonomik.

Delegacioni ynë mbajti takime dhe me drejtuesit si George Papandreou, Kryetar i Internacionales Socialiste, Luis Ayala, Sekretar i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, me Pedro Sánchez, Kryeministër i Spanjës dhe zv. Kryetar i Internacionales Socialiste e shumë personalitete e zyrtarë që morën pjesë në takimin e Këshillit si Ahmet Ünal Cevikö, Deputet në Kuvendin e Turqisë, zv. Kryetar i Komitetit të Harmonizimit të BE-së, Anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Anëtar i Delegacionit Turk në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Zv. Kryetar i Internacionales Socialiste, me Pia Locatelli, Zv.Kryetare e Internacionales Socialiste, Presidente Nderi e Internacionales Socialiste të Gruas, anëtare e Partisë Socialiste të Italisë, me Hana Jalloul, Deputete në Parlamentin e Spanjës dhe Sekretare për Marrëdhënie Ndërkombëtare në partinë PSOE, me David Balsa Guldris, Anëtar i Këshillit të Internacionales Socialiste nga Galicia, me Johnson Asiedu Nketiah, zv. Kryetar i Internacionales Socialiste dhe delegacionin nga Ghana, me Anëtarë të delegacionit të partisë Alliance of Democratic Forces of Congo (AFDC) nga Republika Demokratike e Kongos si dhe me anëtarë tjerë të Internacionales.

Për qasje të përbashkët në adresimin e sfidave dhe krizave bazuar në vlerat dhe parimet e të majtës ndërkombëtare, anëtarët e Internacionales u dakorduan dhe miratuan deklaratat dhe Rezoluta lidhur me paqen dhe në kundërshtim të luftërave pushtuese, lidhur me fuqizimin e demokracisë si dhe u dakorduan për përpjekje në luftë kundër populizmit reaksionar kudo që ai shfaqet. Në të cilat rezoluta e deklarata përfshihen dhe zhvillimet nga kontinenti ynë aktualisht.

Anëtarët e Internacionales u dakorduan për Deklaratën mbi Pandeminë Covid-19 dhe profesionistët e shëndetësisë si dhe në ato për gjendjen në Haitin, për rajonin kurd, për Xhibutin, për Kaukazin e Jugut dhe Deklaratën për Kirgistanin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! që nga viti 2018 është anëtare vëzhguese në Internacionalen Socialiste ku bëjnë pjesë partitë e majta dhe socialdemokrate nga të gjitha kontinentet.

11 korrik 2022

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Sekretariati i Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Kontribo

06 07 2022

Parlamenti Evropian miratoi rezolutën ku thuhet: Marrëveshja Kosovë-Serbi të bazohet në njohje të ndërsjellë

Për herë të parë në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë rezolutë theksohen edhe reformat e ndërmarra nga qeveria Kurti dhe përshëndetet luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kontribo

05 07 2022

Miratohet Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme

Dje, në mbledhjen e Qeverisë, u miratua Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme.

Përmes këtij projektligji do të rregullojmë për më të vegjlit tanë ofrimin e edukimit në të gjitha format e organizimit nga lindja deri në moshën 6 vjeçare, tha ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci.

Ky projektligj përfshinë: Koordinimin ndërsektorial; edukimin në familje, ushqyeshmëri, krijim të menyve ushqimore; sigurim e rregullim të materialit didaktik ; monitorim të punës edukative; aftësim të dadove.

Nga viti shkollor 2023-2024 Edukimi Parafillor do të bëhet i obliguar.

Investimi në fëmijërinë e hershme garanton një të ardhme më të sigurtë për fëmijët tanë, familjet tona, dhe vendin tonë.

Kontribo

05 07 2022

Mirësevini në atdhe të dashur bashkatdhetarë!

Muajt e verës janë gjallëri e shoqërive kudo por tek ne vera shënon çdo vit ngjarje. Qindra mijëra vajza e djem, gra e burra bashkë edhe me fëmijët e gjyshërit kthehen për çdo verë në shtëpitë e të parëve të tyre, në rrugicat e fëmijërisë e rinisë.

Për çdo vit edhe ne në Lëvizjen VETËVENDOSJE! i mirëpresim me organizime të veçanta bashkatdhëtarët tanë.

Këtë vit kemi organizuar për të gjithë muajin korrik takime e tubime për t’u parë e për të folur, për t’u çmalluar e për t’u njohur nga afër me më të rinjtë që mbase për herë të parë vinë në atdheun e prindërve të tyre.

Të afërmit tanë, miqtë e shkollës dikur, shokët e kolegët e dikurshëm kthehen këto ditë e bashkë me ta dhe mijëra aktivistë tanët që veprojnë në mërgatë.

Falenderimet e lëvdatat për ta janë mbase një nga vlerat që për çdo vit po rrënjoset në kulturën tonë. Këmbëngulja e tyre për të mos u shkëputur shpirtërisht nga Kosova, mësimi i brezave të rinj me këtë traditë të pushime në atdhe është padyshim një kontribut monumental i mërgatës shqiptare.

Shihemi së shpejti në aktivitetet tona të kësaj vere!

Kontribo

02 07 2022

Qysh po ndrron gjendja në veri?

Shumëçka ka qenë përherë e mundshme por nuk është bërë asnjëherë.

Kjo për shkak se gjithmonë kur është folur për Mitrovicën gjithnjë është folur për ndarjen ose ‘Zajednicën’

Dhe për shkak se bashkëpunëtorët e Listës Serbe dhe Radojiqiqit bashkë me Serbinë kanë përfituar nga mungesa e sundimit të ligjit në atë pjesë.

Tashmë, ndryshimi i gjendjes në veri është i qartë.

Video:
https://fb.watch/e2jptxA-z0/

Kontribo

01 07 2022

Fjalimi i Kryeministrit Kurti për ndihmën e Qeverisë për qytetarët

Faleminderit nënkryetare,
të nderuar deputetë të Kuvendit, 
ministra të Qeverisë,
qytetarë të Republikës,

Për më pak se një e treta e mandatit tonë, pra për 1 vit e 3 muaj unë po numëroj me shifra se si kemi ndihmuar kategoritë e ndryshme shoqërore dhe kemi kontribuar në jetesën, por edhe mbijetesën e qytetarëve të vendit tonë:

  • Pakoja e Ringjalljes Ekonomike: 420 milionë euro; Masat mbështetëse për qytetarët: 100 milionë euro me ç’rast rishikimi i buxhetit ka shtuar 150.5 milionë për Pakon e Ringjalljes Ekonomike në mesin e të cilave janë këto 100 milionë euro për qytetarët.
  • Shpërndarja e shtesave për lehona dhe për fëmijë: Rreth 18,000 lehona përfituese nga 170 euro. Lehona në Kosovë ka pasur edhe para se ne të vijmë ne në qeverisje, por s’janë ndihmuar kurrë. Nënat e reja nuk janë ndihmuar kurrë. 18 mijë lehona i kemi ndihmuar nga 170 euro dhe gjithashtu 153,527 fëmijë përfitues nga 20 euro, kur janë mosha nga 0-2 vjeç, dhe nga 2-16 vjeç, nga 10 euro. Fëmijë ka pasur edhe para qeverisjes sonë. 
  • Pastaj, mbështetja me 1,500 euro për ata që kanë humbur familjarin nga virusi COVID-19, e kur familjari ishte staf shëndetësor i kemi ndihmuar me nga 15,000 euro. Përfituan 3,021 familje.
  • Rritja e pensioneve prej 11% për pensionet bazike dhe 33% për pensionet e personave me aftësi të kufizuara.
  • Në nëntor 2021, 100 euro shtesë mbi këtë rritje. Kanë përfituar rreth 300,000 pensionistë.
  • Prill 2022 – 100 euro shtesë për të gjithë pensionistët. Sërish kanë përfituar rreth 300,000 pensionistë.
  • Rritja prej 30% e përhershme për 25,000 familje në asistencë sociale: nëntor dhe dhjetor 2021 – dyfishim i asistencës sociale, mbi rritjen. Rreth 25,000 familje përfituese. Prill 2022 – dyfishim i asistencës sociale, mbi rritjen. Rreth 25,000 familje përfituese.
  • Ndarja e 10,500 kuponëve ushqimorë për familjet në asistencë sociale për 6 muaj, ku vlera e një kuponi është 60-70 euro për një familje.
  • Shpërndarja e 350,000 shujtave ushqimore përmes 13 kuzhinave popullore për shtresat më të cenueshme.
  • Shpërndarja e 34,152 pakove ushqimore për shtresat më të cenueshme përmes 39 OJQ-ve dhe shoqatave bamirëse.
  • Mbështetja me shumë të njëhershme prej 100 euro e të gjithë punëtorët e sektorit privat dhe publik. Përfitues: rreth 250,000 punëtorë të sektorit privat dhe rreth 80,000 zyrtarë publikë. 
  • Mbështetja me shumë të njëhershme prej 100 euro për të gjithë studentët, rreth 70,000 kanë aplikuar dhe rreth 50 mijë tashmë i kanë marrë këto mjete.
  • Projektligji për pagën minimale ka kaluar në lexim të parë në Kuvend, rritja e pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto, dhe heqja e tatimit për 250 euro pagë. Nga rritja do të përfitojnë rreth 100,000 punëtorë, prej heqjes së shkallës së parë tatimore përfitojnë të gjithë punëtorët.
  • Subvencionimi i 10% të kryegjësë për kreditë konsumuese. Përfitues 5,761 familje.
  • Kupona për trajnimin për kurset e TI-së për maturantët e shkollave të mesme. Përfitues 957.
  • Subvencionimi i energjisë për familjet në skemën e ndihmës sociale dhe shtresat e cenueshme. Për rreth 25,000 familje, në total prej 4.5 milionë euro.
  • Rritja e mbështetjes për bujqësinë me rritje prej 70% të subvencioneve me ç’rast 50 milionë euro vlerë totale.
  • Subvencioni në vlerën prej 5 milionë euro për akcizën për naftë.
  • Zotimi i Qeverisë në vlerën prej 100 milionë euro për të mbrojtur familjet nga rritja e çmimit të energjisë elektrike mbi 20 milionëshin e dhjetori të vitit të kaluar.
  • Udhëzim administrativ për rregullimin e çmimeve të naftës dhe të karburantëve të ripërtritshme duke vendosur kështu mënyrën e përcaktimit të çmimit maksimal të lejuar apo çmimit tavan.
  • Pagesa e shtesave për stafin shëndetësor në vlerën prej 10% të pagës bazë apo 60 euro në vazhdimësi që prej shtatorit të vitit 2021.
  • Pagesa e stafit mbështetës dhe profesionistëve shëndetësor për luftimin e pandemisë për 1271 persona.
  • Tashmë bashkatdhetarët mund të aplikojnë online për subvencionimin e policave kufitare, e blejnë 20 euro, nuk ndalen në kufi dhe pastaj ne atyre ua rimbursojmë.

Pra, këto për më pak se një të tretën e mandatit tonë, pa numër shifra. Ndërkaq propozimi që ka ardhur sot para juve të nderuar deputetë, i ka vetëm dy shifra edhe janë të njëjta, numrin 3. Thotë: ‘’Të reduktohet akciza dhe norma e TVSh-së për derivate për 3 muaj me mundësi vazhdimi edhe 3 muaj. Dhe, të zgjerohet lista e produkteve të domosdoshme me normë të reduktuar të TVSh-së për 3 muaj me mundësi vazhdimi edhe për 3 muaj’’.

Krejt çka keni sjellur është një numër, numri 3, 3 muaj plus 3 muaj, a unë ju lexova pa numër shifra se qysh kemi ndihmuar 420 milionë euro plus 100 milionë euro, të zbërthyer nëpër kategori shoqërore për jetesën e qytetarëve tanë dhe mbijetesën sociale. Vetëm dy numra, prandaj ministri im i financave u detyrua t’i bëjë numrat edhe për juve dhe ju tregoi se çka do të thotë ky numër i vetëm që në mënyrë të dyfishtë ju e sollët propozimin tuaj. Kjo tregon gjithashtu se e keni të huaj vizionin dhe planifikimin, nuk jeton populli veç 3 muaj, as veç 6 muaj, çka të bëjmë pas 6 muajve, çka të bëjmë pas 3 muajve? Shumë shtete të cilat kanë bërë këso ulje të TVSh-së apo të akcizës për 3 muaj apo për 2 muaj janë penduar kur ka kaluar ai afat. Është e mundshme të ndihmohen shtresat më së shumti në nevojë pa e dëmtuar buxhetin e Kosovës. Pra, 3 plus 3 nuk është ide, është shprehje e mungesës së idesë. Kur s’ke ide thua 3 plus 3. Unë ju tregova numrat tanë, që janë të qytetarëve tanë, masat që ne i kemi ndërmarrë, këto janë masa të shumta sociale dhe unë besoj që kemi kontribuar në jetesën e dinjitetshme, por edhe mbijetesën sociale. Jeta është rënduar, mirëpo kontributi jonë në jetën aktuale dhe në mbijetesën sociale është bukur i madh. 

Ministri i Financave Murati pak më vonë do t’ju shpjegojë si është kjo në raport me vendet e rajonit sepse jemi në shumë aspekte shumë më mirë se vendet e rajonit. Këta janë numrat tanë. Lehona ka pasur edhe para se të bëhet Kurti kryeministër, ku keni qenë? Pse s’keni ndihmuar nënat që lindin fëmijë? Pse s’keni bërë shtesa për fëmijë? Lehonat nuk kanë filluar të shfaqen kur erdhëm ne në qeverisje, 20 vjet ka pasë lehona këtu e s’i ka ndihmuar askush dhe tash krejt çfarë bëni 3 muaj plus 3 muaj. Pra, 3 muaj plus 3 muaj nuk është ide, por mungesë e idesë dhe gjithashtu është papërgjegjësi se i bije thuajse do të jetojmë edhe 3 muaj, eventualisht edhe 3 muaj. Qeverisja është gjë serioze, kur thua 3 muaj me mundësi vazhdimi edhe 3 muaj kjo është persiatje, qeverisja me persiatje nuk shkon, persiatjet mbani vetmevete, persiatjet duhet të jenë monolog, eventualisht dialog, por kurrsesi qeverisje.

Link:
https://bit.ly/3OTVksh

Kontribo

30 06 2022

Komisioni i Venecias ka dhënë dritën e gjelbër për të filluar procesin e Vetting-ut në Kosovë

Në konstatimet e këtij komisioni rekomandohet që përmes ndryshimeve kushtetuese të bëhet Vetting-u i niveleve të larta në gjyqësor dhe prokurori përmes mekanizmit të jashtëm. Nivelet e larta përfshijë; Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, Kryetarët e Gjykatave, Kryeprokurorët e për të vazhduar më pas me vlerësimin e rregullt të gjyqtarëve e prokurorëve nga këshillat tashmë të vetuar.

Komisioni i Venecias thekson një numër të madh problemesh në sistemin e drejtësisë dhe konstatohet nevojën për reformë në drejtësi.

Në anën tjetër, komisioni mirëpret disa ndryshime pozitive që janë duke u ndërmarrë sëfundmi në sistemin e drejtësisë përmes reformave që fuqizojnë transparencën dhe efikasitetin në prokurori krahas procesit të Vetting-ut.

https://fb.watch/d_A8RZOAGs/

Kontribo

30 06 2022

Seanca për ngitjen e çmimeve – GP i LV-së propozoi që të iniciohet projektligji për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazë.

“Në këtë kohë të krizës globale, me qëllim të krijimit të lehtësirave për qytetarëve tanë, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! propozon që të iniciohet projektligji për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazë, ato të cilat janë të përcaktuara edhe me ligjin e TVSh-së dhe të cilat janë në normën 8%. Në këtë listë të produkteve hynë; drithërat, kripa, sheqeri, qumështi dhe produktet e qumështit, vaji për ushqim, vezët si dhe disa produkte tjera bazike. Është e nevojshme miratimi dhe draftimi me procedurë të shpejtuar për të sanuar efektet e rritjes së çmimeve dhe për të vendosur një kontrollë tek ata të cilët në situatë krize shfrytëzojnë mundësitë për të përfituar jashtë normave dhe etikës biznesore”.

-Drejtuesja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila.

https://fb.watch/d_zVNNto-z/

Kontribo

30 06 2022

Seanca për ngritjen e çmimeve – Fjala e kryeministrit Kurti

Më lejoni të them se Kosova nuk është e vetme në këtë situatë të rritjes së çmimeve.

Çmimet janë rritur globalisht, edhe për shkak të kufizimeve në zinxhirin e furnizimit. Pra, kryesisht kemi të bëjmë me inflacion të importuar, mbi të cilin ne si qeveri nuk është se kemi ndonjë mënyrë kontrolli apo ndikimi.

Si qeveri kemi bërë maksimumin, që të sigurohemi se po i marrim masat e nevojshme për të arritur 3 qëllime kryesore:

– Të parandalojmë presionet inflacionare të brendshme, për aq sa mundemi;

– Të mbështesim ata që kanë më së shumti nevojë, dhe;

– Të marrim masa kundër tregtarëve spekulantë që tentojnë të shfrytëzojnë këtë krizë për të trashur fitimet.

https://fb.watch/d_zPtXn2M9/

Kontribo

30 06 2022

Seanca për ngritjen e çmimeve – Ministri Murati: Alternativa e propozuar nuk ka asnjë kalkulim se sa i kushton shtetit dhe sa përfitojnë qytetarët

LDK ka propozuar debatin për ngritjen e çmimeve. Alternativa e propozuar prej saj nuk ka asnjë kalkulim se sa i kushton shtetit dhe sa përfitojnë qytetarët.

Qeveria ka marrë vendime për 365 milionë euro dhe ka listuar të gjitha përfitimet që i kanë pasur qytetarët duke filluar nga parandalimi i shtrenjtimit të rrymës për 80% të familjeve, mbështetja me nga 100 euro për pothuajse të gjitha familjet, dyfishimi i asistencës sociale, mbështetja e lehonave, fëmijëve, etj.. Pra, ka listuar të gjitha, secilën familje ku ka përfitu dhe sa i ka kushtuar buxhetit. LDK nuk e ka bërë një gjë të tillë.

LDK thotë të ulet TVSH për produktet bazë nga 18% në 8%. Për një familje me të ardhura 400-450 euro, shpenzimi i 100 eurove në shportë, ky propozim sjell 10 euro përfitim në muaj.

LDK thotë të ulet TVSH për naftën. Për një familje mesatare që shpenzon 50 litra karburant në muaj, ky propozim sjell 6.5 euro përfitim në muaj.

D.m.th., 10 euro nga zbritja e TVSH-së për produktet bazë dhe 6.5 euro nga zbritja e TVSH-së apo taksave të tjera për naftën, do të sjellnin përfitim 16.5 euro në muaj për qytetarët.

LDK ka propozuar që kjo politikë të zgjas 3 muaj, që i bie 3 x 16.5 bëjnë 49.5 euro. As 50 euro.

Kjo është politika që propozon LDK.

Ne i kemi dhënë 100 euro për studentë, pensionerë, të punësuar.

Mesatarisht kanë përfituar 200 euro për familje. Në mesatare pra. Do të thotë edhe po të zgjatej politika e LDK-së në 6 muaj, 12 muaj, prapë do të ishte më pak sesa që ne kemi dhënë.

https://fb.watch/d_zntPBPcf/

Kontribo

30 06 2022

Replika e drejtueses së GP të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila me Kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku

“Ju jeni një seancë vonë, seanca për trustin kur është kërkuar prezenca juaj ka qenë me 23 qershor jo me 30 qershor. Asnjëherë tjetër nuk e kemi kërkuar prezencën tënde. Për atë ditë është kërkuar prezenca juaj edhe e ekonomistëve tjerë të grupit për arsye se i keni dhënë mbështetje një ideje që asnjë logjikë ekonomike nuk e ka pasë. Mbi të gjitha pasojat për Sistemin Pensional të Kosovës kanë qenë të paralajmëruara dhe alarmante nga gjithë të tjerët përveç jush dhe këtyre që e kanë propozuar. Kredibiliteti juaj për të folur për diçka në kontekstin ekonomik dhe të ardhmes tonë është i barabartë me zero në raport me mungesën tuaj.”

https://fb.watch/d_yMsHQej8/

Kontribo

29 06 2022

Qeveria paguan policën kufitare/kartonin e gjelbër për mërgatën

Për dallim nga dy vitet paraprake, kur polica e subvencionuar merrej në pikën kufitare, këtë vit kjo bëhet përmes aplikimit online.

Procedura është e thjeshtë, nuk merr kohë, dhe eviton pritjen në kufi.

Hapi 1: Para se të niseni për në Kosovë, policën kufitare mund ta bleni online përmes linkut më poshtë: https://api.bks-ks.org/PolicaOnline/sq-AL

Hapi 2: Pasi ta keni blerë policën kufitare, ju mund të aplikoni për rimbursim të kostos duke plotësuar këtë formular: https://masa4-5.rks-gov.net

Kontribo

26 06 2022

Rreth votimit për Këshillin Drejtues në Universitet

Pas zgjedhjeve studentore në Universitetin e Prishtinës u mbajt edhe mbledhja e Senatit ku u votuan 5 anëtarët e Këshillit Drejtues që vijnë nga vota e Senatorëve.

Shumëkush brenda dhe jashtë Universitetit kuptoi për rrjedhën e këtij procesi edhe nga raportimet, qëndrimet e kundërshtimet publike. Edhe ne në Lëvizjen VETËVENDOSJE! kuptuam për procesin nga këto raportime. Dhe ndajmë shqetësimin e thellë me plot universitarë, studentë dhe qytetarë për gjendjen të cilën pasqyron ky proces.

Nuk gjenden shumë reagime të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për punët e brendshme të Universitetit të Prishtinës ndër vite. Kjo ngase ne ndajmë besim se rezistenca ndaj zvetënimit të universitetit duhet të ngjajë nga brenda mjediseve universitare midis profesorëve e studentëve. Aq më shumë që ky Universitet është shënjuesi i fortë i rezistencës intelektuale në historinë e universiteteve. Edhe për ngjarjet e fundit ndajmë shqetësimin por edhe shpresën se brenda universitetit ka aq vrull dhe kapacitet e energji për organizim ndaj çdo forme që cënon idenë e universitetit dhe jetën e brendshme të tij.

Duam të njoftojmë opinionin publik se Lëvizja VETËVENDOSJE! as nuk ka si synim dhe as nuk bën përpjekje për të dirigjuar organizmat universitarë. E kundërta, ne “dirigjohemi” në plot fusha e çështje tonat nga mendimi universitar dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës.

Sigurisht nga çfarë pamë, niveli i përfaqësuesve në organin drejtues të Universitetit nuk përkon as me nivel të shumicës aty as me pritjet që i kanë të gjithë për Universitetin.

Ne as nuk qëndrojmë prapa e as mbështesim asnjë votim në Universitet, por po ashtu as nuk bëhemi pjesë e shkeljes së autonomisë së Universitetit.

Universiteti ka qenë dhe do të jetë gjithmonë vend i rezistencës ndaj së padrejtës. Vend i dijes. Vend ku krahas profesionalizmit te studenti ushqehet edhe ndjenja e dashurisë dhe lirisë për vendin.

Fatkeqësisht gjatë njëzet viteve të shkuara Universiteti u bë i pushtetit. Filluan të banojnë aty edhe forma të ndryshme të korruptimit që kishin lidhje me partitë në pushtet.

Institucionet qendrore kanë dërguar 4 anëtarë, prej të cilëve 50% gra, me kredibilitet të lartë profesional dhe personal, që angazhohen çdo ditë për përmirësimin e gjendjes në Universitet. Kurse, ka shumë të ngjarë që anëtarët e tjerë, të votuar në senat, janë pjesë e asaj që është zhvilluar për më shumë se 20 vite në këtë Universitet.

Nëse Lëvizja VETËVENDOSJE!, apo qeverisja e saj mund “të kritikohet” në këtë pjesë, është vetëm për mosndërhyrje në autonominë e Universitetit.

Siç e bëri të ditur edhe ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, do të çlirohet secili institucion arsimor në vend, dhe universitetin do ta bëjmë vend të dijës dhe shkencës ku vlojnë diskutimet dhe idetë e nuk mësohet krimi e korrupsioni.

Kontribo

24 06 2022

Reforma në drejtësi është e pandalshme

Kemi thënë se drejtësia dhe sundimi i ligjit janë shtylla të shtetit demokratik.

Jemi zotuar se do të punojmë maksimalisht për jetësimin e Vettingut dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kemi miratuar Strategjinë për Sundimin e Ligjit, ligjin për Këshillin Prokurorial, ligjin për Gjykatën Komerciale, dhe kemi punuar shumë që Vettingu dhe Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të jetësohen sa më parë. Për këto dy të fundit, është treguar kujdes maksimal, dhe është pyetur Komisioni i Venecias i cili ka treguar afinitet për përmbajten e të dyjave, duke kërkuar zgjerim të kompetencave të mekanizmit për verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Kemi ende shumë punë përpara, por me një ritëm të lartë po vazhdon puna për jetësimin e reformës në drejtësi.

https://fb.watch/dV81uPyCJw/

Kontribo

24 06 2022

Telegram ngushëllimi familjes Pozhari

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti sot nëpërmjet një telegrami i ka shprehur familjes Pozhari ngushëllimet e tija më të thella.

“Ardoniti ishte shembulli i të riut atdhedashës e dashamirës. Të tillë do ta kujtojmë përherë. Me vullnetin e këmbëngulësinë që e pati gjithmonë, ai luftoi për jetën deri në momentet e fundit dhe fitoi zemrën e admirimin e secilit që e njihte apo kishte dëgjuar për të” tha ndër të tjera Kryetari Kurti në letrën e tij.

Edhe ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! duam t’i shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona dhe t’i ndajmë fjalët më të veçanta për aktivistin dhe shokun tonë i cili ishte përherë shembull.

Ardoniti u prehtë në paqe!

Ngushëllime familjarëve, aktivistëve e të gjithë shoqërisë që e njohën e që nuk do ta harrojnë kurrë!

Kontribo

23 06 2022

Për t’u bërë deputet nëse je me kombësi shqiptare në Serbi të përsëriten zgjedhjet plot katër herë

Sot, Presidenti i Serbisë u paraqit në samitin e vendeve të Ballkanit perëndimor në BE. Aty po kërkonte të ardhmen evropiane të Serbisë, teksa në Tërnoc, lokalitetit më të madh të Bujanocit, po pengohej mbajtja e zgjedhjeve për herë të katërt, ngase aty po kandidon një shqiptar Shaip Kamberit përballë Ivica Daçiqit, partisë së tij.

Ky është një rekord tjetër i zi i Serbisë, udhëheqësit e së cilës kanë prodhuar vetëm në muaj e fundit një listë të gjatë të rekordeve të tilla.

Pse duhet të përsëriten zgjedhjet katër herë në Tërnoc dhe të pengohet nga marrja e mandatit të deputetit Shaip Kamberi? Nuk ka tjetër përgjigje përpos që është shqiptar dhe që mban qëndrime që dënojnë krimet e luftës së Serbisë, mohimin e të drejtave të shqiptarëve aktualisht në Serbi dhe flet shqip në Kuvend kur i denoncon këto qëndrime të institucioneve të Serbisë.

I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, misionit vëzhgues të zgjedhjeve OSBE, Këshillit të Evropës e OKB-së që të sigurojnë proces të drejtë e demokratik dhe të mos lejohet deformimi i vullnetit politik të qytetarëve të Luginës. Këta dy ish-ministra të Millosheviqit nuk mundë të vazhdojnë me metoda të ish-shefit të tyre. Është e tmerrshme dhe e papranueshme që me metoda fashiste të shek. XX të luftohen shqiptarët edhe në dekadën e dytë të shek. XXI.

Kontribo

22 06 2022

Mimoza Kusari Lila: Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk e mbështet tërheqjen e mjeteve të Trustit

“Nuk mund të diskutojmë krizën e sotme duke synuar prishjen e sistemit aktual apo faturimin gjeneratave të reja. E kuptojmë që zgjidhja më e lehtë dhe më e shpejtë për ballafaqim afatshkurtër me inflacionin mund të duket votimi i këtij projektligji. Por ne mandatet nuk i kemi marrë për zgjidhje të lehta, të shpejta, dhe afatshkurtra. Zgjidhjet e lehta mund të duken të këndshme por me pasoja afatgjata dhe të rënda për sistemin financiar dhe të ardhmen e të gjithë kontributdhënësve. Nuk guxojmë ta humbim fokusin në momentin e krizës nga synimi ynë afatgjatë. Ajo nëpër çfarë po kalon Kosova nuk është suigeneris vetëm për ne, pasojat e krizës dhe luftës po ndihen në çdo vend të rajonit. Por vetëm parlamenti ynë po e diskuton shëmbien e një sistemi i cili ofron garanci për stabilitetin financiar dhe mirëqenien e qytetarëve në një të ardhme të afërt. Andaj, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk e mbështet propozimin, por qëndron në shërbim të qytetarëve të Republikës për gjetjen e zgjidhjes alternative e cila do të mundësoj lehtësimin e rrethanave të krijuara nga kriza aktuale.”

https://fb.watch/dV6LuNEyeP/

Kontribo

22 06 2022

Kryeministri, Albin Kurti: Nuk duhet të lejohet tërheqja nga Trusti Pensional

Ne e kemi të qartë që mjetet e akumuluara në trust janë të qytetarëve, por vetë natyra obligative e tyre tregon që ato vihen në dispozicion jo në bazë të preferencave politike apo individuale, por në varësi të moshës së arritur.

Edhe njëherë po e ritheksoj, buxheti i Republikës së Kosovës pas gjashtë vjetëve, në vitin 2028, patjetër se është i qytetarëve të këtij vendi. Por, nuk mund ta harxhojmë atë sot për të zgjidhur problemet e sotme. Ngjashëm është edhe me trustin pensional.

Ne, mbase jemi brezi i parë, që mund të ketë pleqëri të dinjitetshme. Nëse edhe këtë e rrënojmë qysh sot për një problem afatshkurtër në situatën ku ngjallen panika të paqena, atëherë edhe brezi ynë po e humbet këtë mundësi, që e kemi ndërtuar e po e ndërtojmë të gjithë së bashku.

Prandaj, të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, nisma për mundësimin e tërheqjes së parave të trustit, nuk është e rastësishme, që ka ardhur nga një deputet i opozitës, i cili në një prononcim të tij medial, duke komentuar deklaratën brengosëse të përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka thënë përafërsisht se: “Po të donte FMN-ja do të na jepte mjete t’i shpërndanim për qytetarët dhe nuk do t’i preknim mjetet e fondit. Ka mjete aq të mjaftueshme Fondi Monetar Ndërkombëtar”. Ja pra se kush po merret me financa e makroekonomi tek ne. Është diletantizëm i jashtëzakonshëm, por pasojat e të cilit nuk kemi pse i bartim ne të tjerët, përveçse vetë ai person.

https://fb.watch/dV7XY1_jBA/

Kontribo

22 06 2022

Nga fjala e kryeministrit Kurti në Kuvend

A janë të mira marrëveshjet në Bruksel të vitit 2013 dhe 2015? Nuk janë të mira. Njësoj siç kam thënë që marrëveshja e vitit 2013 nuk është e mirë në vitin 2013, dhe marrëveshja e vitit 2015 nuk është e mirë në vitin 2015 – them edhe sot.

Pra, ato nuk ishin marrëveshje të mira, por ato i trashëguam edhe i gjetëm aty.

Kur unë u bëra kryeministër i Republikës së Kosovës i gjeta 38 komuna. Po të pyetesha unë nuk do të ishin 32 komuna.

Kur unë u bëra kryeministër i Republikës së Kosovës e gjeta KEDS-in edhe KESCO-n. Po të isha më herët unë kryeministër i Republikës së Kosovës nuk do të kishte KEDS edhe KESCO, por monopoli publik është bërë tash monopol privat dhe unë tash duhet të komunikojë dhe të bashkëpunojë me KEDS-in edhe KESCO-n.

Pra, ka një mori gjërash të cilat nuk i bëj me vullnet e dëshirë por nga nevoja edhe përgjegjësia.

Gjendja në terren është shumë më e keqe se ato marrëveshje të vitit 2013, 2015.

Andaj, kemi vendosë afate kohore që janë të tilla, relativisht të shkurtra për shkak se i kanë ditët si njësi, jo javët, muajt, ose vitet, – i kanë ditët si njësi. Dhe, unë kërkoj bashkëpunimin e të gjithëve që sa më shpejtë gjithçka të funksionoj duke u bazuar në ligjin, rregullat dhe kushtetutshmërinë e Republikës sonë.

Krejt në fund, natyrisht se do të mund të ketë sfida edhe të tjera përpara. Askush nuk thotë se gjithçka ka përfunduar me tekstin e djeshëm të udhërrëfyesit. Mirëpo, besoj që me bashkëpunimin që e kemi me Bashkimin Evropian, me ekspertët tanë që kanë analizuar në hollësi gjithçka, do të mund ta bëjmë edhe furnizimin e qëndrueshëm por njëkohësisht edhe faturimin dhe inkasimin në veri të Kosovës në mënyrë që të gjithë qytetarët e Republikës të jenë të barabartë.

Ajo çfarë unë bëj në qeverisje mund të përshkruhet kësisoj: Ajo që unë bëj në qeverisje mund të përshkruhet kësisoj: E bëj minimum e pranimit të realitetit për maksimumin e ndryshimit të realitetit.

https://fb.watch/dV6m1D7YBS/

Kontribo

22 06 2022

Kryeministri Albin Kurti mbi Marrëveshjen për Energjinë:

– Së pari, si çdo kompani tjetër furnizimi tash edhe në veri do të kemi një të tillë që operon nën kornizën ligjore dhe rregullative të Republikës së Kosovës.

– Së dyti, edhe licencimi është i kushtëzuar.

– Së treti, marrëveshjet e vitit 2013 edhe 2015 nuk janë të mira.

– Së katërti, gjendja në teren është shumë më e keqe se marrëveshjet e këqija, dhe prandaj kemi bërë udhërrëfyesin më të mirë të mundshëm në këtë kontekst politik.

Unë nuk kam ndryshuar as koncept, as qëllime, as qëndrime. Mirëpo kam metoda të cilat për konceptin edhe qëllimin e njëjtë bëjnë më të mirën të mundshme në kohën që është e ngopur me trashëgimi të mbrapshtë.

Po e ritheksoj: E bëj minimumin e pranimit të realitetit për maksimumin e ndryshimit të realitetit.

https://fb.watch/dV5TMHUaa5/

Kontribo

20 06 2022

TË PËRBASHKUAR!

Marrëveshjet që u arritën sot:

1. ARSIM: Mundësi konkurrimi dhe vijimi të studimeve në 19 universitete të të dy shteteve, në kushte të barabarta.

2-3. LËVIZJA E LIRË: Drejt lehtësimit të plotë të lëvizjes së lirë mes dy shteteve.

4. GJENDJA CIVILE: Lajmërimi në kohë reale midis dy shteteve për ndryshimeve të gjendjeve civile.

5. DOGANAT: Studim drejt realizimit të sistemit të përbashkët doganor mes dy shteteve.

6. SIGURIMET SHOQËRORE: Drejt përbashkimit të tregjeve të sigurimeve shoqërore të të dy shteteve.

7-8. ENERGJI: Drejt rritjes së sigurisë dhe diversifikimit të furnizimit (zhvillimi i terminalit për LNG/gaz të lëngshëm në Vlorë).

9-10. BUJQËSI: Drejt rritjes së shkëmbimit, sasisë dhe cilësisë së produkteve bujqësore, qasjes në financa të BE-se, si dhe ndërtimit të sistemit të përbashkët të informacioneve/statistikave të të dy shteteve.

11. INFRASTRUKTURË RRUGORE: Studim për përmirësimin e rrugëve ndërkufitare.

12. TRANSPORT: Studim fizibiliteti për >> NDËRTIMIN E LINJËS HEKURUDHORE DURRËS – PRISHTINË <<, projekt që do të vendosë Kosovën dhe Shqipërinë në hartën e korridoreve të rëndësishme ndërkombëtare për transport të njerëzve dhe mallrave (video i prezantuar i bashkëngjitur).

13-14. SHËNDETËSI: Shkëmbimi i ekspertizës dhe shërbimeve në mjekësi, si dhe unifikim i protokolleve për barna dhe pajisje mjekësore midis dy shteteve (shkëmbim i barnave të rralla).

15. TURIZËM: Platformë e përbashkët digjitale për promovim të turizmit të të dy shteteve.

16. RINIA: Shkëmbim i përvojave rreth zhvillimit të politikave dhe aktiviteteve për të rinjtë.

17. MBROJTA: Intensifikim I bashkëpunimit dhe konsolidimit të përpjekjeve në fushën e kërkim-shpëtimit malor dhe ujërave territoriale.

18. DREJTËSI: Drejt njohjes së barabartë të provimit të jurispodencës dhe lejimit të ushtrimit të profesionit të avokaturës në të dy shtetet.

19. ENCIKLOPEDI E PËRBASHKËT: Drejt paraqitjes së fakteve të kombit tonë në një publikim të vetëm dinjitoz.

***

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë

Kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama

Kontribo