28 08 2022

Mbledhja e XLVIII e Këshillit të Përgjithshëm

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot mbledhjen e XLVIII të Këshillit të Përgjithshëm të saj. Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Kryeministrit njëherit Kryetarit të LV-së, Albin Kurti:

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
Të dashur aktivistë e anëtarë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Mirë se e gjejmë njëri-tjetrin në këtë mbledhje të 48 të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në këtë muaj u bënë një vit e gjysmë nga fitorja e madhe e 14 shkurtit 2021. Ndërkaq, në muajin e ardhshëm bëhen një vit e gjysmë nga qeverisja jonë demokratike e progresiste. Ka shumë gjëra që kanë ndryshuar që nga atëherë. Kemi filluar kthesën e madhe si shtet e shoqëri drejt zhvillimit demokratik dhe avancimit të gjithanshëm, të cilave ua kemi dedikuar gjithë kohën dhe ua kemi dhënë maksimumin e energjisë, duke ia bashkangjitur rritjen dhe zhvillimin ekonomik pikërisht këtij përparimi demokratik. E megjithatë, ky angazhim në qeveri nuk e ka ndalur angazhimin tonë në Lëvizje: kemi mbajtur mbledhjet e rregullta dhe gjithëpërfshirëse, kemi marrë vendime transparente dhe kemi hapur Lëvizjen për secilin e për secilën që ndanë vlerat e qëllimet tona të përbashkëta. Sepse ne besojmë që demokracia e brendshme dhe transparenca në subjektet politike është e lidhur ngushtë me demokracinë dhe transparencën në qeveri.

Prandaj edhe themi që Lëvizja jonë nuk është e jona e as për ne. Është mundësi e platformë për gratë dhe burrat e popullit tonë që përmes garës e procedurave demokratike të ndryshojnë e perfeksionojnë shoqërinë. Në këtë kuptim, as subjekti politik e as qeveria nuk janë qëllim të vetvetes dhe për këtë janë garanci qytetarët, meqenëse edhe Lëvizja edhe qeveria janë nga qytetarët e për qytetarët. Liritë individuale marrin kuptimin kur secili mbi bazën e besimit e të vlerave që përfaqëson arrinë të gjejë jo vetëm hapësirën por edhe mundësinë për të realizuar potencialin e vet. Është detyrë e secilit dhe secilës që Lëvizjen ta bëjë shembull të një platforme dhe forumi demokratik ku idetë përparimtare e kritikat konstruktive e mbajnë Lëvizjen e hapur, të përgjegjshme dhe funksionale.

E unë jam zgjedhur që të jem bartës, së bashku me ju e në mesin e të barabartëve, i të gjitha këtyre ndryshimeve demokratike që po i bëjmë edhe të tjerat të cilat do t’i bëjmë në të ardhmen. Mirëpo zhvillimi i shtetit e demokracisë tonë kërkon më shumë se një individ e një grup të njerëzve të cilët besojnë në vlerat e demokracisë e të progresit shoqëror. Nënkupton gjithë Lëvizjen tonë, dhe jo vetëm. Qeverinë e mirë e demokratike që kemi tani nuk mund ta marrim të mirëqenë nëse platformat përmes të cilave fitohet pushteti nuk kanë demokraci të brendshme. Lëvizja është dhe mbetet e hapur për të gjithë, por jo ndaj të gjithëve. Hapja dhe demokracia e brendshme në Lëvizje është në funksion të promovimit të vlerave të përbashkëta që e çojnë përpara progresin shoqëror. Ne besojmë në liri individuale, në barazinë gjinore, në drejtësisë sociale. Ne besojmë në të drejtat e njeriut.

I them këto edhe për shkak se jemi subjekti më i madh demokratik në Kosovë dhe jemi shpresë jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin. Andaj edhe kemi përgjegjësinë që njëjtë siç motivuam ndryshimet në lidership të disa subjekteve politike në Kosovë, të motivojmë edhe reformat demokratike brenda tyre përmes udhëheqjes me shembull.

Nuk është për t’u çuditur se një qeveri e cila punon për të siguruar barazi dhe të drejta të njeriut për të gjithë qytetarët pa dallim, udhëhiqet nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Sepse Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti politik më demokratik në vend. Dhe vetë koncepti i demokracisë ngërthen në vete parimet e barazisë dhe të respektimit të drejtave të njeriut. Pa garantimin e lirisë së shprehjes dhe të tubimit, pa siguruar të drejtën e votës për të gjithë, demokracia nuk mund të funksionojë. Dhe parimi thelbësor i çdo demokracie, parimi “një person, një votë”, na detyron që të konceptojmë secilin qytetar si të barabartë me të tjerët, me të drejta dhe liri të barabarta. Është pikërisht ky parim thelbësor demokratik, “një person, një votë”, ai që i bën kaq të rëndësishme zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Përmes këtyre zgjedhjeve, të gjithë ata që synojnë një pozitë zyrtare brenda Lëvizjes, i nënshtrohen një procesi demokratik, ku vota e një anëtari të thjeshtë nuk ka më pak peshë sesa vota e vetë kryetarit. Në këtë proces, të gjithë kemi të drejta dhe liri të barabarta, pa asnjë dallim. Prandaj, iu bëj thirrje të gjithë anëtarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që të marrin pjesë sa më gjerësisht në këto zgjedhje të brendshme. E ardhmja e Lëvizjes sonë, e ardhmja e vendit tonë, varet jo prej meje, prej asnjërit prej nesh, por prej të gjithë neve bashkë.

Tani më lejoni të flas për punën e rëndësishme që kemi bërë dhe po bëjmë në qeveri. Siç e dini, dy nga prioritetet tona kryesore mbeten puna dhe drejtësia. Në këtë drejtim, vitin e kaluar e kemi mbyllur me 10,53% rritje ekonomike kurse në tremujorin e parë të këtij viti kemi rritje ekonomike prej 4,9% pasi që të hiqet inflacioni. E këtë vit për herë të parë, vlera e eksportit pritet të kap shifrën e një miliard eurove.

Kemi ngritur mirëqenien sociale me prezantimin për herë të parë të shtesave për lehonat dhe fëmijët.

Në drejtësi këtë vit kemi bërë funksionalizimin e Gjykatës Komerciale si gjykatë e specializuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve biznesore që do të ndihmojë për zhvillimin e biznesit por edhe në sjelljen e investimeve. Është punuar në reformën e Këshillit Prokurorial, kemi miratuar Koncept Dokumentin për krijimin e fondit të konfiskimit dhe Projektligjin për Sanksionet e Shënjestruara kundër Shkelësve të Huaj të të Drejtave të Njeriut.

Në 1/3 e mandatit kemi kaluar mbi 150 ligje në qeveri dhe së bashku kemi kaluar pastaj ato në kuvend, ku 87 ligje kaluan vetëm në gjysmën e parë të këtij viti.

Prioritet kryesor në drejtësi mbetet vettingu i sistemit të drejtësisë dhe këtë do ta bëjmë së bashku me kuvendin e në bashkëpunim me gjithë spektrin politik.

Kemi vazhduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kemi pasur mbi 700 operacione policore kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit dhe janë arrestuar mbi 2000 persona, prej të cilëve afër 300 janë zyrtarë publik; janë shkatërruar 65 grupe kriminale e është konfiskuar 1,5 ton narkotikë. Kemi luftuar monopolizimin dhe ilegalitetin duke bërë fiskalizimin e resortit të skijimit në Brezovicë, zhbllokimin e rrugëve në terminalin e Hanit të Elezit dhe heqjen e liçensës korruptive të homologimit. Operacionet policore për sundim të ligjit janë zhvilluar në çdo cep të vendit, duke përfshirë edhe veriun ku janë shkatërruar 5 laboratorë të substancave narkotike, laboratorë për prodhimin e kriptovalutave dhe janë mbyllur 11 rrugë ilegale. Sundimi i ligjit, luftimi i kriminalitetit do të mbetet prioritet në gjithë vendin pa dallim etnie e prejardhjeje.

Në shëndetësi ka vazhduar menaxhimi i pandemisë COVID-19 si prioritet primar ndërkohë që po punohet në Ligjin për Shëndetësinë, atë për Sigurime Shëndetësore dhe në Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2023-2030. Këto do të rezultojnë me zgjerimin e trajtimeve shëndetësore, ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe rekrutimin e specializantëve të ri për fushat deficitare.

Arsimin përveçse e kemi bërë falas, kemi shtuar testet dhe kemi rritur buxhetin me qëllim të shtimit të profesionalizmit e të kualitetit mësimdhënës dhe ngritjes së infrastrukturës adekuate. Kemi filluar me hapa konkret për arsimin dual duke nënshkruar marrëveshje me bizneset për 3 profile për vitin shkollor 2022/2023. E për mërgatën, në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë, në këtë 1 shtator do ta kemi abetaren e përbashkët për mësim e kultivim të gjuhës shqipe. Prioritet deri në fund të ktëij viti mbetet përfundimi i ndërtimit të 15 çerdheve të reja për gjithsej 1,800 fëmijë.

Kemi bërë dhjetëra ndërhyrje emergjente dhe restauruese në monumentet e trashëgimisë kulturore në gjithë vendin. Dinamizim të punëve në infrastrukturën kulturore, rinore dhe sportive dhe renovim të ndërtesave të institucioneve të kulturës. Kemi rritur mbështetjen financiare të skenës së pavarur të kulturës dhe të artit e të federatave të sportit dhe për herë të parë kryeqyteti ynë është nikoqir i një prej bienaleve më të mëdha nomade në botë – “Manifesta”. Qysh tani në verë, dihet që viti 2022 është viti më i mirë në Kosovën e pasluftës për nga ngjarjet e zhvillimet kulturore, për nga avancimi i skenës artistike.

Për komunat kemi trefishuar grantin e përformancës dhe kemi filluar digjitalizimin e shërbimeve dhe aktiviteteve komunale, me ç’rast do të zhvillohet edhe platforma e-Komunat që parasheh ofrimin e 50 shërbimeve të digjitalizuara. Ndërkaq, buxheti që do t’u ndahet komunave për vitin 2023 është për 15% më i lartë sesa buxheti i vitit 2022.

Kemi miratuar Projektligjin për Bashkëfinancimin e Studimit të Fizibilitetit për Hekurudhën Durrës-Prishtinë, e cila do ta lidh portin e ri të Durrësit me portin e thatë të Prishtinës. Kemi marrë masa që të mbrohen konsumatorët nga spekulimet dhe keqpërdorimi me çmime të derivateve dhe do të vazhdojmë edhe me produkte të tjera elementare, sepse në kohë krize na duhet solidaritet me njëri-tjetrin, që ta ruajmë njëri-tjetrin, që t’i mbrojmë të gjithë, sidomos ata në nevojë, që të mbrohemi bashkarisht.

Sa i përket integrimeve euro-atlantike, pas një pauze të gjatë të vetë-izolimit, si mungesë e dijes por edhe e ndëshkimit për shkak të korrupsionit, kemi zgjeruar lidhjet e vendit me botën dhe kemi kthyer Kosovën në integrimet euro-atlantike dhe ndërkombëtare. Kemi aplikuar në Këshillin e Evropës si një vend demokratik, liridashës e paqedashës që mbron dhe promovon të drejtat e njeriut, barazinë dhe drejtësinë. Kemi themeluar grupin punues për anëtarësim në NATO dhe Programin për Paqe të NATO-s. Kemi themeluar grupin punues për anëtarësim në Bashkimin Evropian ku do ta dorëzojmë sivjet aplikacionin. Kemi hequr çdo pengesë e dyshim te vendet hezituese të Bashkimit Evropian për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave përmes luftimit të krimit e korrupsionit dhe zhvillimit demokratik që e kanë përmirësuar shumë imazhin tonë. Jemi rreshtuar me vendet demokratike duke dënuar ashpër sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke ju bashkuar sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Federatës Ruse dhe jemi solidarizuar me popullin ukrainas duke hequr vizat dhe duke strehuar gazetarë të saj që tash janë banorë të kryeqytetit tonë.

E me punën që kemi bërë së bashku jemi ngritur për 17 vende në Indeksin e Transparency International dhe po aq vende në indeksin e lirisë së mediave, teksa jemi renditur të parët në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit sipas World Justice Project.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, kemi përpara disa procese delikate për të cilat jemi të bindur që do të arrijmë të kemi rezultate të mira. Por, kjo kërkon durim dhe këmbëngulje në mbështetjen e vazhdueshme të aktivistëve e anëtarëve për Lëvizjen. Mbështetja nuk duhet të vijë si duartrokitje, vetëm kur e korrim ndonjë fitore, sepse duartrokitjet për fitoret na i japin edhe partitë e tjera. Por, prej anëtarëve dhe aktivistëve, na duhet mbështetja e besimi edhe në ato javët e gjata, kur ne angazhohemi e ballafaqohemi me sfidat për të cilat nuk mund të komunikojmë aty-për-aty, sepse çdo komunikim do ta dëmtonte rezultatin. Pra na duhet mbështetja para fitores, lloji i vetëm i mbështetjes që është kontribuese në fitore.

Jemi dëshmitarë se ka investim në keqinformim dhe në përçarje e çoroditje të opinionit publik. Ka edhe njerëz e ndonjë kanal medial në Kosovë që interesin kryesor e kanë të besohet më shumë lajmi me origjinë nga Beogradi se sa lajmi me origjinë nga Prishtina. Pavarësisht se ne po përpiqemi të japim shembull për korrektesë e vërtetësi, ndërsa nga Beogradi prej dekadash vijnë sensacionalizma dhe lajme të rrejshme. I bëjnë jehonë çka thotë filani e fisteku, pastaj më thonë mua e ministrave të mi pse nuk e komenton atë çka tha ai, pse nuk po flet, çka po fshehni. E pra një gjë po e them sot dhe mbase nuk do të duhet ta përsëris më: çdo komunikim i imi për media, si kryeministër, do të jetë vetëm në kuadër të interesit të Kosovës, dhe asgjë tjetër. Çdo komunikim i imi për media, si kryetar i Lëvizjes, do të jetë vetëm në kuadër të interesit të Lëvizjes dhe asgjë tjetër. Nuk jam unë në pozitë që të them çdo mendim që kam dhe të komentoj gjithçka, sepse ajo prishë punë. Madje i këshilloj gjithë vartësit e mi, të ndjekin të njëjtin parim. Duhet ta ulim pak këtë zhurmën e spektaklit, dhe të komentimit për komentimet pambarim për gjithçka, sepse vetëm ashtu do të mund të dëgjojmë më mirë njëri-tjetrin dhe të lidhemi bashkë.

Të nderuar delegatë,

Ekonomia globale është në një moment të vështirë. Nuk ka nevojë ta fshehim këtë gjë që mund ta lexoni në çdo medie serioze ndërkombëtare, madje përditë. Janë lidhur shumë faktorë me njëri-tjetrin. Pandemia që ndërpreu konsumin dhe dëmtoi zinxhirët e ofertës, post-pandemia që solli një konsum më të madh se sa ishte e përgatitur ekonomia globale, lufta pushtuese e agresore e Rusisë në Ukrainë dhe sanksionet, që kanë shkaktuar rritje të çmimeve të gazit e naftës, por edhe të hekurit e drithit, tensioni mes Kinës dhe perëndimit për çështjen e Tajvanit, kriza klimatike që po shoqërohet me thatësira të mëdha në shumë vende të botës, të gjitha këto e influencojnë inflacionin.

Ne jemi ekonomi e vogël, jemi një vend në zhvillim, edhe pse as vendet e mëdha dhe të zhvilluara nuk kanë përgjigje të shpejtë për këto probleme. Por e kemi dhe ne një të mirë: jemi mësuar me vështirësi, dhe do t’ia dalim, duke ndihmuar njëri-tjetrin. Qeveria do të ketë këto parime për krizën: 1. do të angazhohet 100% të kohës për të zbutur dhimbjen ekonomike që do ndjejnë pjesët më të brishta të shoqërisë; 2. do të ketë vazhdimisht qasje zhvillimore për të afruar investime të huaja direkte; 3. në aspektin gjeopolitik e gjeoekonomik, ne do të jemi gjithnjë me kahje atlantiste dhe europianiste; 4. korrupsioni te ne nuk ka vend, dhe ata aktorë privatë apo politikë që përpiqen ta shfrytëzojnë krizën për të avancuar ndonjë veprimtari korruptive apo për të shantazhuar shtetin, do të hasin në vështirësi që nuk ua pret mendja; dhe 5. do të afrohemi ekonomikisht me Shqipërinë, sepse jemi komplementarë dhe ballafaqohemi me vështirësi të ngjashme, por edhe do të nxisim marrëdhënie ekonomike dhe me gjithë vendet të cilat e njohin Kosovën.

Politikat tona sociale dhe ekonomike nuk maten nga teket e askujt. Pakoja e ringjalljes ekonomike ka arritur gjithsej vlerën prej 7% të Bruto Produktit Vendor. Jemi qeveria që ka ndërmarrë më shumë politika sociale se cilado qeveri para nesh. Por edhe në krahasim me rajonin, qeveria jonë ka dhënë mbështetje të madhe ekonomike, nëse llogarisim për kokë banori. Me inflacionin, jemi ndër vendet me shifra më të ulëta krahasuar edhe me vende të zhvilluara evropiane. Sa i përket mbështetjes ekonomike që po i japim sektorit të energjisë, sipas Financial Times, Kosova është vendi i katërt në Evropë. Kjo mbështetje është me disa forma, që nga përkrahja për konsumatorin, e deri te mbështetja e prodhuesve. Mirëpo çmimet po rriten. Është mirë të kursejmë, këtë po e thonë shumë qeveri në Evropë, pra: jo pesimizëm, por realizëm ekonomik. Kursimi në këtë kohë krize është patriotizëm. Ata që thonë “mos kurseni”, duan t’ju vjedhin.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,

Egoizmat, karrierizmat, edhe brenda lëvizjes ku jemi në zgjedhje, po edhe në raport me shtetin e me qeverinë, e me kuvendin, nuk janë mënyra për të ecur përpara. Na duhet punë kolektive, punë ekipore, ku personat që e marrin një detyrë dinë të punojnë pa krijuar probleme mes grupit për shkak të egove të tyre. Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj. Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer dhe jo për të sunduar. Ministrat dhe zëvendësministrat në qeverinë e Republikës së Kosovës nuk janë shefa, janë udhëheqës të projekteve zhvillimore në përputhje me kushtetutshmërinë dhe me ligjet. Prandaj, modestia është cilësia që na duhet, sidomos në këtë kohë krize. E shoqëruar me vendosmërinë të cilën e kemi pasur përherë.

Ministrat, zëvendësministrat dhe i gjithë stafi politik e dinë që do të mund të ketë ndryshime dhe do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës. Nuk mjafton që të thuhet se ministri apo zëvendësministri i VETËVENDOSJE!-s nuk po vjedh, por patjetër duhet që kjo të shoqërohet me rezultate sipas programit tonë qeveritar dhe planit tonë të punës. Nuk mjafton të themi që punojnë më shumë se qeveritë e kaluara. Të gjithë ministrat, zëvendësministrat duhet të shkojnë më shpesh në terren, të takohen me sektorët dhe me qytetarët që i prek fushëveprimtaria e ministrisë së tyre, duhet t’i zgjidhin problemet konkrete që janë brenda mundësive të qeverisë, duhet të vijnë me projekte e ide të reja zhvillimore, gjithnjë brenda programit tonë dhe sidomos të ketë zbatim të tyre. Të ketë zbatim të tyre deri në fund. Nuk mund ta nisim një punë që nuk e përfundojmë dhe nuk mund t’i lëmë punët përgjysmë sepse sado të mira që janë ato moszbatimi i tyre i plotë i delegjitimon.

Duhet të reformojnë administratën, sepse nuk tolerohet një administratë e trashëguar ku ka plot elementë që nuk e bëjnë punën për të cilën paguhen. Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e stafi politik gjatë kësaj kohe, sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë që askush dhe asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm.

Në raport me deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, asnjëri nuk duhet ta harrojë se për çka është votuar. Askush nuk e ka votuar deputetin tonë që të mungojë në seanca. Kemi bërë punë të mirë. Të gjithë deputetët kanë punuar mirë, dhe unë ju falënderoj përjetë e ju jam mirënjohës përditë për këtë gjë, por e keni mundësinë të shkëlqeni. Mirë nuk është shkëlqyeshëm. Midis jush mund të ketë edhe ministra e zëvendësministra të ardhshëm, e njerëz që udhëheqin projekte e procese sot, në të ardhmen, e ndoshta edhe një ditë kur unë nuk jam kryeministër, por nëse nuk përkushtoheni tash dhe këtu, në maksimum për programin e Lëvizjes, nëse nuk tregoni modesti e vetëpërmbajtje në jetën e përditshme dhe kudo ku jeni e tërë kohën, nëse nuk e ndihmoni qeverinë, gjasat janë që edhe në mesin e deuteteëve që kemi sot do të ketë nga ata të cilët nuk do të jenë në lista herën e ardhshme.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, të dashur aktivistë,

Më lejoni të flas për dy çështje të cilat kërkojnë sa vëmendjen për informim po aq edhe mirëkuptimin e bashkëpunimin e të gjithë neve. E, këto janë energjia dhe dialogu me Serbinë.

Siç e dini muajin e kaluar kemi nënshkruar grantin mbi 200 milionësh me Korporatën e Mijëvjeçarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mjete të cilat do të shkojnë në energji të gjelbër, duke investuar në bateri që ruajnë energjinë e vjelur nga era e nga dielli. Ky investim së bashku me investimin në Parkun e Erës në Bajgorë dhe Selac me kapacitet prej 105 MW, e po ashtu edhe investimet e planifikuara për parkun energjetik afër Korporatës Energjetike të Kosovës me kapacitet prej 100 MW, përbëjnë hapat tonë konkret jo vetëm në adresimin e hendekut në rritje të mungesës së energjisë por edhe në investimin në diversifikimin e burimeve të energjisë drejt një energjie të gjelbër e të qëndrueshme.

Për situatën të cilën e kemi trashëguar, kemi folur dhjetëra herë. Termoelektrana të stërvjetruara, kapacitete të pamjaftueshme, dhe mungesë të investimeve për dekada. Në krye të kësaj kemi krizën botërore me energji për të cilën fola, e cila ka sjellë edhe një krizë të ekonomisë që e ndjejnë të gjithë evropianët jo vetëm qytetarët e shtetit tonë me rritje të çmimeve që e rëndojnë dhe e vështirësojnë jetën e secilit. E me ditët e ftohta që po afrohen vjen edhe nevoja për t’u ngrohur. Në mungesë të investimeve në ngrohje alternative, burimi kryesor për shumë qytetarë për ngrohje vazhdo të jetë energjia elektrike. Për ta përballë konsumin e rritur në dimër energjia duhet të blihet. Në bursën Hupex, një orë MW, sot shkon deri në 800 euro. Kurse në pikun kur kemi më së shumti nevojë, parashihet të shkojë deri në 1500 euro. Me një çmim të tillë, nëse blejmë në kohën e pikut, ne do të humbim miliona euro në ditë, mjete këto të cilat nëse do të shkonin në blerje të energjisë do të shkatërronin të gjitha shanset për investime në projekte zhvillimore duke ndalur progresin tonë dhe duke dëmtuar të ardhmen.

Ne tashmë kemi ndarë 100 milionë euro për të zbutur ndikimin e rritjes së faturave të energjisë për qytetarët por çmimi i energjisë është vazhdimisht në rritje. Prandaj, edhe na duhet një debat i hapur dhe i sinqertë mes nesh mbi gjendjen që jemi dhe sfidën që kemi përpara në mënyrë që gjatë dimrit të fokusohemi në atë që është e mundur e që mbi të gjitha siç e theksova është kursimi i energjisë.

Tema tjetër është dialogu dhe marrëdhëniet tona me Serbinë. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe duam marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët mbi bazën e barazisë dhe të reciprocitetit. Serbia nuk njeh dhe lufton pavarësinë tonë andaj edhe marrëdhëniet tona nuk janë normale. Dhe, për shkak se marrëdhëniet tona nuk janë normale ne jemi në një proces normalizimi. Ne dëshirojmë që të ketë normalizim dhe këtë ta bëjmë përmes një marrëveshje ndërkombtarisht e ligjërisht të obligueshme për normalizim të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Në takimin e fundit në Bruksel kam prezantuar një kornizë të përgjithshme me 6 kapituj, me shumë elemente, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për t’u takuar edhe më shpesh, në mënyrë që ta finalizojmë këtë marrëveshje.

Por në mungesë të marrëveshjes do të ketë reciprocitet të plotë i cili do të vendoset gradualisht. Reciprociteti në marrëdhënie diktohet nga sovraniteti ynë. Ne nuk mund të mos e ushtrojmë sovranitetin të cilin e kemi shpallur, njëjtë siç nuk mund të sillemi neutral ndaj vetes apo të marrim vendime të cilat krijojnë dualizëm në sistemin tonë ligjor.

Do të donim që me Serbinë të kishim marrëdhënie normale, sikur që do të dëshironim që të kishim si fqinj një Serbi demokratike që ballafaqohet me të kaluarën e saj, një Serbi që e trajton seriozisht se si u bë që pas rënies së Millosheviqit u zbuluan pesë varreza të mëdha masive atje me njerëz të vrarë e kufoma të rrëmbyera, gjithsej 950 shqiptarë deri më tash, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak.

Prandaj edhe vendimet tona sikur ato për referendumin, zgjedhjet e deri te këto për targat e kartat identitetit, por edhe tek vendimet tjera në të ardhmen, janë asgjë më shumë e më pak sesa shprehje e ushtrimit të sovranitetit.

Unë jam i angazhuar dhe i përkushtuar që në mënyrë aktive e kreative, në bashkëpunim e koordinim me partnerët e aleatët tanë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian, të arrijmë marrëveshjen ligjërisht të obligueshme me njohjen e ndërsjelltë në qendër, marrëveshje kjo që sjell paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe do t’i kontribuojë sigurisë ballkanike.

Dhe për këtë do të punoj së bashku me gjithë spektrin politik. Ne jemi për dialog me parime dhe për proces transparent prandaj edhe sot i dërgoj ftesë tre krerëve opozitar për t’i informuar e për të diskutuar për takimin e fundit që kemi pasur në Bruksel dhe sfidat që i ka shteti ynë përpara.

Ne jemi demokraci e demokracia është e zhurmshme edhe e komplikuar. Secili prej nesh kemi mendimet tona dhe kur përballemi me vendime të mëdha është e natyrshme që të kemi edhe dallime e mos-pajtime, por asnjëherë dallimet tona nuk duhet të tejkalojnë interesin tonë shtetëror e kombëtar, shoqëror e qytetar. Angazhimi e aktivizmi ynë në Lëvizje kurrë s’ka qenë për hir të kundërshtimit por çdoherë në mbrojtje të sovranitetit, të barazisë dhe të trajtimit me dinjitet.

Do të kemi fitore edhe të tjera, ashtu siç kemi patur arritje me çështjen e zgjedhjeve, apo këto të fundit raportet bilaterale me Serbinë, apo ato të rritjes ekonomikë e të politikave sociale. Por këto fitore nuk janë kundër askujt, nuk e lëndojnë askënd, nuk e dëmtojnë asnjeri. Këto janë vetëm fitore të barazisë mes popujve, e të barazisë brenda popullit. Ne do të punojmë fort, dhe do të pranojmë zgjidhje e formula të cilat siç do të zbatohen nga Kosova, simetrikisht do të zbatohen nga Serbia. Nuk është puna këtu çfarë do japim e çfarë do marrim, as kush fiton e kush lëndohet, është puna të jemi të barabartë, dhe angazhimi ynë është vetëm në këtë drejtim, dhe i tillë që është pa kursim e pa rezervë.

Të dashur aktivistë,

Para disa viteve thoshim “kush qëndron, fiton”, kurse tash themi “bashkë, vetëm bashkë, përparojmë, përparojmë shumë”.

Ju falemnderit.

Kontribo

25 08 2022

Reforma e madhe në kulturë po bëhet!

Pas një procesi një vjeçar të diskutimeve me komunitetin, hulumtimeve dhe analizave, në mbledhjen e fundit të qeverisë u miratua Koncept-dokumenti për Art dhe Kulturë, duke i hapë kështu rrugë Ligjit të ri të Kulturës, Ligjit të ri të Kinematografisë, rregullimit ligjor të sektorit muzeal dhe Strategjisë Kombëtare për zhvillimin e Kulturës.

“Ky moment i rëndësishëm është rezultat i punës së madhe të stafit civil dhe kabinetit politik të Ministrisë së Kulturës, zyrtarëve të institucioneve publike të kulturës, zyrtarëve të ministrive të linjës dhe të Zyrës së Kryeministrit, pjesëtarëve të komunitetit artistik e organizatave të skenës së pavarur, konsulentëve vendorë dhe nga jashtë. Hapat e ardhshëm të reformës më të madhe kulturore në vend do të bazohen në këtë dokument, i cili do të jetë udhërrëfyes i yni shtetëror për çdo lloj mase që duhet të ndërmarrim për t’i ngritur më tutje të gjitha kapacitetet kreative në vend”, tha ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Kontribo

24 08 2022

Elaborimi i këndvështrimit të palës tonë për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes finale me Serbinë në formën e gjashtë kapitujve

Kontribo

23 08 2022

Kryetari i Komunës së Podujevës, Gjilanit, Kamenicës dhe Shtimes në konferencë të përbashkët

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe ai i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu mbajtën konferencë të përbashkët për media me ç’rast shprehën distancimin e tyre nga qëndrimet e Asociacionit të Komunave të Kosovës për padinë ndaj dy ministrive të Qeverisë së Kosovës.

Në këtë konferencë kryetarët theksuan se veprimet e fundit të Asociacionit të Komunave të Kosovës me padinë e ngritur ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë për çështjen e kontratës kolektive janë edhe një hap tutje që dëshmon edhe një herë se ky Asociacion iu shërben qëllimeve të caktuara politike, por jo edhe arsyes dhe qëllimit të themelimit-nevojave dhe interesave të komunave dhe qytetarëve.

Në fund u theksua se kjo padi përveç tjerash nuk po bëhet në kohën e duhur dhe adresën e saktë ngase kontrata kolektive është lidhur kohë më parë kur dy ministritë drejtoheshin nga qeveri të tjera dhe se asnjëherë nuk ishin zotuar mjete, kësisoj kjo padi është e padrejtë dhe me tendencë ndaj qeverisë aktuale.

Konferenca:
https://fb.watch/f5EliCdaDK/

Kontribo

23 08 2022

PËR MËSIMDHËNËSIT

Javën e kaluar ministrja e MASHTI-së, Arbërie Nagavci ka filluar turin e diskutimeve të hapura me mësimdhënës gjithandej komunave të Kosovës. Deri tash ajo ka zhvilluar diskutime të frytshme me mësimdhënës të komunës së Gjilanit, Pejës, Podujevës e Mitrovicës, duke trajtuar kështu problematikat që prekin direkt punën dhe angazhimin e gjithë punëtorëve të arsimit.

Jemi të vetëdijshëm që gjendja në arsim sikur në secilin sektor nuk është aspak e mirë, por qeveria e Kosovës ka dijen, vullnetin dhe përkushtimin që të ndërrohet gjendja në këtë sektor.

‘’14 shkurti ka qenë moment i kthimit të madh për rregullimin e secilit sektor shoqëror tashmë të dëmtuar rëndë, ndër të cilët pothuajse më së rëndi ky i arsimit. Dhe padyshim fajtorët nuk janë anonim. Jam shumë e vetëdijshme për gjendjen aktuale, por çdo ditë po marrim iniciativa e vendime që do të na nxjerrin përfundimisht nga kjo gjendje. Kemi e do të kemi pengesa, por kemi edhe vullnetin e hekurt që besimin që kemi marrë nga qytetarët për programin tonë ta çojmë deri në fund’’, ka theksuar ministrja Nagavci.

Kontribo

15 08 2022

Kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike

Prishtinë, 15 gusht, 2022 – Duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Falë punës dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Elektroenergjitike të Kosovës (KEK) dhe Korportatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike.

Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim. Megjithatë, marrë parasysh situatën, luten të gjithë qytetarët dhe bizneset që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike.

Bashkëpunimi me Shqipërinë në do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi.

Kontribo

15 08 2022

Ditën e sotme qytetarët janë njoftuar për ndërprerje të energjisë elektrike në orare të caktuara nga KEDS/KESCO.

Për situatën e krijuar duam të ju njoftojmë si në vijim:

Prodhimi ditor i Korporatës Elektroenergjitike të Kosovës (KEK) është rreth 507 MWh.

Kërkesa për konsum është deri në 750 MWh.

Çmimi në bursën Hungareze (HUPX) është rreth 430 euro për MWh.

Humbjet komerciale (të shkaktuara nga vjedhjet) dhe teknike të Kompanisë KEDS janë 19%. Këto humbje ende mbulohen nga të gjithë, pra prodhimi ose importi, jo nga vet KEDS-i.

Institucionet përgjegjëse që monitorojnë punën e akterëve të furnizimit me energji, janë duke marrë të gjitha hapat që furnizimi me energji elektrike t’i kthehet normalitetit.

Kriza energjetike ka kapluar Evropën, siç kemi paralajmëruar me rastin e shpalljes së gjendjes emergjente në furnizimin me energji elektrike. Është me rëndësi që secila e secili prej nesh të kemi kujdes dhe të kursejmë shpenzimin e energjisë elektrike gjatë gjithë ditës. Kursimi i vogël individual do ta lehtësonte tejet shumë furnizimin me energji elektrike, si dhe to të lehtësonte vështirësitë të mëdha që po kalon dhe do të kalojë vendi.

Ne jemi duke bërë gati masat jo vetëm për furnizim të rregullt, por veçanërisht për të ndërprerë përdorimin e paautorizuar të energjisë elektrike, pra humbjet nga vjedhjet. Këto humbje vazhdojnë të jenë shumë të larta e për të cilat kompania dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur rezultate.

Askush, e aq më pak qytetarët dhe buxheti i vendit, nuk duhet të paguajnë çmimin e lartë të importit për ata që tolerohen të vjedhin energji. Prandaj, në këto kushte Qeveria, me mjetet dhe kompetencat e saj, do të ndërhyjë për ta minimizuar deri në ndalje të plotë këtë dukuri, pa asnjë kompromis.

Tutje, Qeveria do të marrë masa për çështjen e ngrohjes gjatë muajve në vijim për të ndihmuar qytetarët. Prandaj, të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit, të cilët janë duke planifikuar të bëjnë investime në sistemet e tyre të ngrohjes, ftohen e rikujtohen që t’i ndërrojnë ato nga energjia elektrike në forma të tjera të burimit të energjisë.

Po ashtu ju njoftojmë dhe me të dhënat nga Korporata Elektroenergjitike e Kosovës si më poshtë:

Kosova A – A3 dhe A4 janë në prodhim;

Kosova B – B1 është përfunduar remonti dhe është në prodhim; B2 remonti ka filluar dhe do të përfundojë më 26 gusht 2022.

https://me.rks-gov.net/…/mbi-gjendjen-e-furnizimit-me…

Kontribo

15 08 2022

Jo plagjiaturës në Universitete!

Ministrja e MAShTI-së, Arbërie Nagavci sot ka marrë vendim të rëndësishëm në dritë të ndaljes dhe parandalimit të plagjiaturave në Universitetet në Republikën e Kosovës.

Me këtë vendim këto institucione janë të obliguara të publikojnë disertacionin e doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara.

“Me këtë vendim, obligohen të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës që me rastin e deklarimit të stafit akademik në platformën e-akreditimi të AKA-së të bëjnë ngarkimin e disertacionit të doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara, në platformat e përcaktuara me Manualin e AKA-së për akreditim”, ka shkruar ministrja Nagavci.

Kontribo

15 08 2022

Shpallen zgjedhjet e brendshme për kandidatët për pozicionet drejtuese në Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Pas përfundimit të procesit zgjedhor në nivelin e parë organizativ, në Pika, ku janë zgjedhur strukturat drejtuese të shtrira në lagje e fshatra, në kuadër të zgjedhjeve të brendshme dhe në përputhje me Statutin dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Lëvizja VETËVENDOSJE!, nga sot, shpallë zgjedhjet e brendshme për nivelin e dytë dhe të tretë organizativ, që përfshinë kandidatët për:

Niveli i tretë:

– Kryetar/e të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

– Kryetare të GVV.

– Kryetar/e të RVV.

Niveli i dytë:

– Kryetar/e Qendre.

– Kryetare të GVV në Qendër.

– Kryetar/e të RVV në Qendër.

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm dhe Komisionet Zgjedhore Ad-hoc-e të qendrave (KZAQ) njoftojnë të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilët janë të interesuar për të kandiduar për pozicionet e lartëcekura, që të paraqesin deklaratën e kandidaturës nga sot, 15 gusht deri më 23 gusht 2022.

Kandidatët e interesuar për të kandiduar, deklaratën e kandidaturës për të gjitha pozitat dhe nivelet mund ta marrin në zyrën e qendrës përkatëse dhe të njëjtën ta dorëzojnë te Komisioni Zgjedhor i Ad-hoc i Qendrës (KZAQ) (për nivelin e dytë) dhe në Komisionin Zgjedhor të Përgjithshëm (niveli i tretë) ashtu siç është e paraparë me Statutin dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti më demokratik e më transparent sa i përket vendimmarrjes, veprimtarisë e organizimit. Në frymën e demokracisë së brendshme ne urojmë për një proces zgjedhor sa më të mirë dhe ftojmë për përfshirje sa më të madhe në këtë proces.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

15 gusht 2022

Kontribo

12 08 2022

PLANIFIKIM – INFRASTRUKTURË – MJEDIS

Kemi nisur një rrugëtim me pikëmbërritje të reja sa i takon politikave për korridoret rajonale dhe evropian. Këtu janë të listuara si prioritete të mëdha të Qeverisë sonë hekurudha Prishtinë – Durrës, korridoret me rrugët Prizren – Tetovë, Deccan – Plavë dhe iden e portit të thatë të Durrësit në Prishtinë.

Së dyti kemi filluar planifikimin dhe veprimet për të transformuar situatën me mbeturinat dhe deponitë e deritanishme drejt një sistemi krejt të ri dhe afatgjatë.

Politikat mjedisore marrin kohë për të dhënë rezultate dhe korrigjuar demët e kryera por është konsideruar e domosdoshme nga Qeveria jonë që të ndërrmerren hapa në ndryshim rrënjësor për ndotjet e ujrave, tokës dhe ajrit.

Politikat e banimit të përballueshëm për të gjithë çiftet e reja dhe shërbyesit civilë e zyrtarët publik janë në fazën finale të përfundimit të studimit e projektimit. Ndërsa tashmë ka nisur puna për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës që është dhe Kushtetuta e rregullimit të të gjitha veprimtarive në vendit tonë.

Kontribo

11 08 2022

MBËSHTETJE PUSHTETIT LOKAL

Mbështetja e drejtë nga qeveria për nivelin e pushtetit komunal është një nga komponentët kyç për të ndikuar në rritjen e mirëqenies dhe shërbimeve kudo që ata jetojnë në vendin tonë.

Kjo mbështetje do të vij duke u bërë me e larmishme dhe më e lartë.

Kontribo

11 08 2022

TRASHËGIMI – ART- RINI – SPORT

Trashëgimia, arti, sporti dhe rinia kanë marrë vëmendjen më të madhe për shkak se programi dhe synimet e qeverisë tonë janë transformimi në themel i mënyrës se si publikja i bën vend dhe i jep vrull konservimit, talenteve dhe krijimtarisë.

Kontribo

10 08 2022

PARANDALIMI I KRIMIT LUFTË KUNDËR KORRUPSIONIT

Për çdo ditë ka operacione dhe veprime kundër krimit të organizimit. Qeveria jonë është e pozicionuar në frontin antikrim dhe antikorrupsion.

Çdo aktivitet kriminal pengon jetën e mirëqenien e secilit dhe zvogëlon dukshëm gjasat për përparim shoqëror dhe për barazi.

Është pra e pakompromistë goditja e grupeve kriminale dhe parandalimi i aktiviteteve kriminale e korruptive

Kontribo

10 08 2022

PËR FËMIJËT, PËR STUDENTËT MBËSHTETJE ARSIMIT DHE SHKENCËS

Mbështetja për shkollimin dhe përparimin e fëmijëve dhe studentëve tanë është sot një nga prioritetet shoqërore. Ndaj Qeveria jonë ka përgatitur planet e programet për ta realizuar këtë.

Viti i ri shkollor dhe viti i ri akademik do t’i gjejë të rinjtë e të rejat tanë me një grup programesh që do t’u çelin rrugën drejt zbulimit të talentit të tyre dhe përsosjes së aftësive.

Përpjekja për shkollë dhe universitet të cilësisë dhe të së ardhmes do të marrë kohë të përmbushet por qeveria tashmë e ka nisur këtë plan.

Kontribo

10 08 2022

Për herë të dytë Qeveria e Kosovës po mbështet të rinjtë e të rejat që studiojnë në universitetet më prestigjioze në botë

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka nënshkruar vendimin për mbështetje financiare studentëve që janë regjistruar apo vijojnë studimet e nivelit master në universitetet më prestigjioze në botë.

Për të dytin vit Qeveria e Kosovës po mbështet të rinjtë e të rejat që studiojnë në këto universitete. Shuma maksimale është 7.000 euro ndërsa numri i përfituesve do të jetë 20 aplikantë. Kjo bursë që është në diskrecion të vet ministres shënon edhe prishjen e traditës së ministrave të kaluar të cilët këto shuma i kanë përdorur në forma jotransparente e për qëllime nepotiste e klienteliste.

Në listë të përfituesve ishin studentët e fushave të matematikës, mjekësisë, arkitekturës, TI-së etj si dhe në të gjenden emra të njohur të universiteteve botërore si: Universiteti Yale-it, Oxfordit, Harvardit, Massachusetts-it, Universitetit Teknik të Munich-ut etj.  

Po ashtu përparësi kanë aplikantët me gjendje më të dobët socio-ekonomike, personat me aftësi të kufizuara si dhe aplikantët të cilët studimet paraprake në nivelin bachelor i kanë përfunduar në institucione publike.

Për të rritur përfaqësimin e grave në mesin e studiuesve, gratë do të zgjidhen me preferencë në rastet e kualifikimit të barabartë të kandidatëve gra dhe burra.

Të dhënat – https://masht.rks-gov.net/thirrje-per-mbeshtetje-financiare-per-studentet-e-nivelit-master-2/?fbclid=IëAR066LeiVT-Xt-qSjGgyEIh8aqjyl9462bCkscnfGËM5E-nKta5t5oLUY6c

Kontribo

10 08 2022

Kryeministri shpreh zotimin për mbështetje dhe angazhim të shtuar sektorit të shëndetësisë

6 temat që u diskutuan:

Ndarja dhe bashkëpunimi publik – privat në sektorin e shëndetësisë.

Sistemi Informativ Shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore.

Reforma e sistemit shëndetësor, në veçanti e ShSKUK-së, për fuqizimin e QKUK-së, të spitaleve rajonale dhe kujdesit parësor shëndetësor.

Raporti i sektorit publik të shëndetësisë, si shërbim e kujdes profesional me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit, si vatër e kërkimit, hulumtimit dhe studimit shkencor.

Nevoja për Spitalin rajonal të Prishtinës.

Raporti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe ShSKUK-së me odat e profesionistëve shëndetësorë

Nga takimi i Kryeministrit Albin Kurti, Ministrit dr. Rifat Latifi, Zëvendësministres dr. Dafina Gexha-Bunjaku me Bordin e SHSKUK-së

Kontribo

09 08 2022

Luftë ekonomisë informale

Qeveria e Kosovës, institucionet ligjzbatuese janë duke bashkëvepruar në një platformë gjithpërfshirëse në luftimin e ekonomisë informale. Hapa të tjerë të rëndësishëm do të ndermerren dhe ndihma e çdo raportimi dhe sinjalizimi nga çdo qytetar është shumë e mirëpritur.

Ekonomia informale zvogëlon mundesitë për punë dhe për fitime të ndershme, cenon të hyrat buxhetore duke zvogëluar invesitimet publike. Sipërmarrësit e ndershëm duhen ndihmuar më së shumti duke luftuar të gjithë bashkë informalitetin.

Qeveria jonë është zotuar për këtë dhe po e bën pa ndalur e për çdo ditë.

Kontribo

09 08 2022

09 08 2022

PUNË DHE DREJTËSI

Puna dhe drejtësia nuk janë vetëm kërkesa legjitime të qytetarëve por edhe shtylla të progresit të përgjithshëm shoqëror. Puna nuk është vetëm vendi i punës por edhe mundësia për të mësuar dhe bërë përvojën e parë në jetë. Ndaj për këtë qeveria jonë ka bërë programe. Drejtësia është ajo e ligjit por mbi të gjitha është ajo shoqërore.

Andaj, Qeveria jonë është duke u përpjekur për drejtësinë penale, atë civile por mbi të gjitha edhe me atë shoqërore ku shtresat në nevojë përkrahen. Këto janë vetëm një pjesë e projekteve dhe planeve të nisuara nga Qeveria dhe që do të shtohen e dinamizohen në vjeshtën e këtij viti dhe do të planifikohen për Buxhetin e ri 2023.

Kontribo

08 08 2022

Muhaxherët nga Rogana kampion të Turnirit “Rogana 2022”

Turnirin e futbollit “Rogana 2022” të organizuar nga Komuna e Kamenicës në nderim të dëshmorëve Selver Kryeziu dhe Emin Kryeziu, e ndoqi dje Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj, Kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, deputetin, Shaip Kamberi, dhe Kryetarin Arben Taravari.

Në garën me 45 ekipe dhe 95 lojë të zhvilluara, mes interesimit të jashtëzakonshëm të banorëve të fshatit dhe të kësaj komune, finalja mes ekipit Muhaxherët nga Rogana dhe Blinori Plast dhuroi një spektakël të vërtetë për të gjithë dashamirët e futbollit që ishin mbledhur, duke e nxjerrë në fund fitues ekipin Muhaxherët nga Rogana.

Kryetari i Kamenicës duke përgëzuar nivelin e organizimit të këtij turniri, në profilin e tij ka shkruar që ngjarje të tilla na duhen e do të ketë më shpesh në Kamenicë.

Kontribo

08 08 2022

Përpjekjet e arritjet e sesionit pranveror parlamentar për realizimin e projektit politik të shumicës

Sot, Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari-Lila, bashkë me kryetarin e komisionit për legjislacion, deputetin, Adnan Rrustemi, përmes një konference për media paraqitën punën dhe aktivitetin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për sesionin pranveror.

Ky është sesioni i parë ku shumica jonë parlamentare dhe qeverisëse ka vijuar punimet me programin e vet, me atë që edhe janë fituar zgjedhjet në shkurt të vitit 2021, dhe me buxhetin tërësisht të planifikuar prej fillimit të vitit, tha Mimoza Kusari-Lila.

“Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! drejton 7 komisione parlamentare nga 14 sa janë gjithsej, ndërsa në 7 të tjera ka zëvendëskryesues. Po ashtu, grupi ynë parlamentar drejton edhe dy grupe shumë të rëndësishme në kuadër të Kuvendit, grupin e grave dhe grupin e rinisë. Gjithashtu jemi drejtues të delegacionit të shtetit të Kosovës, në Këshillin e Evropës, në Parlamentin e Evropës, në Asamblenë e NATO-së, dhe në organizatën ndërkombëtare të Frankofonisë. Me gjithë këto përgjegjësi, na mbetet obligimi që ta rrisim standardin e performancës dhe nivelin e kënaqshmërisë të qytetarëve të Republikës me punën e Kuvendit. Në këtë kuptim besoj që kemi ende shumë punë për të bërë për standardin që synojmë”, tha Kusari-Lila.

Tutje, Kryetarja e GP të LV, theksoi se ka nevojë të shtohet aktiviteti raportues dhe mbikëqyrja aktive e proceseve kryesore të planifikimeve dhe rezultati final që ato u japin institucioneve dhe qytetarëve.

“Si grup parlamentar do të inkurajojmë dhe mbështesim sa më shumë takime publike të specializuara apo të përgjithshme nga secili komision për shumicën e temave që ata mbulojnë. Po ashtu do të punojnë që niveli i punës së Kuvendit të kthehet në shembull të përgjegjshmërisë së lartë të të zgjedhurve ndaj qytetarëve të Republikës. Është synim i yni dhe politik që Kuvendin e Republikës ta shndërrojmë në një res publica ekselente ku publikja merr formën e vet më të lartë si parakusht i çdo dimensioni të ushtrimi të demokracisë direkte apo përfaqësuese”, tha në fund të fjalës së saj, Mimoza Kusari-Lila.

Deputeti Adnan Rrustemi, foli për punën konkrete në pjesën e legjislativit që edhe është pjesë e programit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Me 282 mbledhje, 1329 pika të rendit, 87 projektligje të shqyrtuara, 2588 amandamente të shqyrtuara, 68 grupe punuese, shqyrtimin e përplot raporteve, pritjet dhe vizitat jashtë vendit, është bërë punë e hatashme përgjatë këtij sesioni parlamentar ku janë miratuar shumë ligje që janë jetike për jetën e qytetarëve tanë, në shumë fusha, prej drejtësisë e ekonomisë tek mjedisi e bujqësia e arsimi, tha Rrustemi.

“Për herë të parë, pas një përpjekje 12 vjeçare, Kuvendi ka miratuar Rregulloren e Punës së Kuvendit, kurse ligjet e miratuara si Kodi i Procedurës Penale, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Deklarimi i Pasurisë e Ligji për Financimin e Subjekteve Politike janë pjesë të reformës evropiane e kërkesa të përvitshme të raportit të progresit. Po ashtu, me rëndësi jetike janë edhe ligjet si Ligji për Gjykatën Komerciale, KPK, të Drejtën Ndërkombëtare Private, Ligji për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Ligji për markat tregtare e ligje të tjera.”

“Ne kemi dhe një synim politik shumë të rëndësishëm për të mbërritur e ai është miratimi i legjislacionit që buron nga programi ynë politik, rrjedhimisht nga programi qeverisës. Ndaj përkushtimi ynë në punë i kërkon dyfishin e angazhimit të parë deri tani në kuvend”, tha Rrustemi.

Tutje, Rrustemi paralajmëroi kontribut të shtuar në sesionin vjeshtor në mbështetje të çështjeve dhe grupeve që kanë nevojë.

“Kontributi ynë përtej procesit ligjvënës është dhe do të jetë edhe më i shtuar në sesion vjeshtor, në betejën për të çuar deri në fund vendosjen e drejtësisë për krimet e luftës, mbështetjen për familjet e dëshmorëve, martirëve dhe vet viktimat e dhunës seksuale, betejën antikorrupsion, të drejtat në punë e pagë, përparimin e të drejtave të grave dhe vajzave, mbrojtjen e interesave të grupeve shoqërore në vështirësi ekonomike arsimore e shëndetësore.”

“Mbështetjen e parezervë për minoritetet dhe të zbatimit e të drejtave të tyre. Si dhe kontributin për hapjen e një rruge të re drejt politikave të mbrojtjes së mjedisit. Mbështetjen dhe promovimin për artistët dhe sportistët. Dhe pa dyshim përfaqësimin sa më të denjë në institucionet ndërkombëtare të Kuvendit dhe shtetit tonë.”

“Si grup parlamentar do të punojnë që niveli i punës së Kuvendit të kthehet në shembull të përgjegjshmërisë së lartë të të zgjedhurve pra deputetëve ndaj qytetarëve të Republikës”, tha Rrustemi në fund të fjalës së tij.

Kontribo