Në prag të mbajtjes së Konferencës Ndërkombëtare Arabo-Evropiane: Ndikimi i ndryshimeve klimatike në degradimin e tokës
Në prag të mbajtjes së Konferencës Ndërkombëtare Arabo-Evropiane: Ndikimi i ndryshimeve klimatike në degradimin e tokës
Shefja e Grupit Parlamentar te Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila, së bashku me deputetët Armend Muja dhe Jeta Statovci pritën sot në takim një delegacion nga Arabia Saudite që do të marr pjesë në “Konferencën Ndërkombëtare Arabo-Evropiane: Ndikimi i ndryshimeve klimatike në degradimin e tokës”.
Kjo konferencë që do të mbahet me datë 7 dhe 8 maj në Prishtinë, organizohet nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, në bashkëpunim me Unionin Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis.
Shefja e GP, Mimoza Kusari Lila, vlerësoi lartë bashkëpunimin e deritanishëm me shtetet arabe dhe theksoi nevojën për thellimin e këtij bashkëpunimi edhe në aspektin ndërkombëtar dhe ekonomik të investimeve sidomos në sektorë që lidhen me energjinë, shëndetësinë dhe bujqësinë.
Përfaqësuesit e Unionit Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis shprehën gatishmërinë për bashkëpunim parlamentar, ekonomik, dhe në mes të OJQ-ve, duke u zotuar se do të shikojnë mundësitë dhe do të intensifikojnë përpjekjet për investime të shteteve arabe në Kosovë.
Sfidat e shumta të gjidhënies u diskutuan sot në treyzën e organizuar nga Grupi i Grave Deputete. Zbatueshmëria dhe rëndësia e Ligjit për Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht Gjiri ishte tema kyçe e këtij debati për më shumë se dy orë. Kryetarja e Grave Deputete Tinka Kurti theksoi rolin që politika duhet të marrë në këtë aspekt kurse Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi Fatmire Mulhaxha – Kollçaku për rëndësinë shëndetësore e të mirëqenies.
Këshillimoret, kufizimi i reklamave për qumështin formulë, pauzat e garantuara sipas ligjit deri në ditëlindjen e dytë të fëmijës që ushqehet me qumësht gjiri, dhomat e përshtatshme brenda vendeve të punës, harmonizimi me Ligjin e Punës dhe ligje të tjera, por edhe aspektet socio kulturore u diskutuan sot. Të gjitha rekomandimet do të dërgohen te Komisioni për Shëndetësi pas formalizimit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon nga ligjvënësit hartimin e politikave të përshtatshme për këtë çështje por edhe promovimin e vazhdueshëm. Gjidhënia pos që ndikon në mirëqenie, në disa raste shpëton jetë të fëmijës apo edhe nënës. Prandaj, mirëqenia është gjithmonë politike.
Zv. ministrja e Shëndetësisë Dafina Gexha Bunjaku shprehu gatishmërinë për lehtësimin e këtyre sfidave, gjithashtu njoftoi me atë çka është bërë në këtë drejtim, duke u bërë pjesë e strategjive nacionale.
Në këtë takim pjesmarrës ishin edhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që ndërlidhen me të drejtat dhe mirëqenien e fëmijës dhe nënës.
Pos MSH-së, pjesëmarrës kishte edhe nga Zyra E Kryeministrit Të Kosovës, Ministria e Financave / Republika e Kosovës, UN Women Kosovo, Unicef Kosovo Programme, UNFPA Kosovo, NDI Kosovo, Save the Children Kosova/o, Komf Kosova, Shoqata e Mamive të Kosovës, Balkan Sunflowers Kosova, Iniciativa Kosovare per Stabilitet – IKS, Komisioni i Pavarur për Media i Kosovës, e të tjera. Gjithashtu, Inspektororati i Veterinës dhe Ushqimi, Inspektorati i Punës dhe Shëndetësisë si tri institucione puna e të cilëve ndërlidhet me mbikëqyrjen e këtij ligji.
Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për politika të mirëqenies dhe të favorshme për gratë e fëmijët. Për lehtësim të sfidave të nënave të punësuara gjatë periudhës së gjidhënies, njëjtë edhe atyre punëkërkuese.
Vizitë nga delegacioni i Partisë Socialiste të Zvicrës
Sot në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! pritëm një delegacion nga Partia Socialiste e Zvicrës, drejtuar nga deputeti dhe sekretari për marrëdhënie ndërkombëtare, Fabian Molina. Disa aktivistë nga sekretariatet e ndryshme të Lëvizjes, nga Kryesia e nga Grupi Parlamentar biseduan miqësisht me mysafirët nga Zvicra. Temat e diskutimit përfshinë nevojën për përforcim të marrëdhënie ndërpartiake mes subjekteve socialdemokratike të cilat duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën kundër rrezikut nga autokracitë dhe autoritarizmat. Përfaqësuesit tanë këmbyen ide e mendime me socialdemokratët zviceranë për çështje si aktivizmi qytetar, forcimi i demokracisë, barazia gjinore, zhvillimi i ekonomisë, të drejtat e punëtorëve, mjedisi etj. Momenti global është i përshtatshëm për socialdemokracinë.
Të nderuar bashkëkombas, shqiptarë të Luginës, sot është një ditë e rëndësishme ku ju mund t’ia jepni edhe një mandat deputeti z. Shaip Kamberi në Kuvendin e Serbisë.
Nevojiten 650 vota që z. Kamberi ta vazhdojë përfaqësimin e shqiptarëve.
Ftoni të gjithë ata që i njihni dhe që kanë të drejtë vote të shkojnë në Tërnoc, në qendrën numër 6 të vendvotimit, dhe ta votojnë bartësin e listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberin për një mandat të ri.
Diskriminimi e shtypja ndaj shqiptarëve në Luginë ka shtuar migrimin. Tash pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë i ka zvogëluar gjasat e përfaqësimit të tyre nëpër institucione. Është tejet e rëndësishme që zërin përfaqësues të Shaip Kamberit ta kemi sërish në kuvend.
Shaip Kamberi për dy mandate ka ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve duke denoncuar regjimin autokratik në Serbi.
Shaip Kamberi ka ngritur zërin për krimet e Serbisë në Kosovë dhe për fshehjen e tyre.
Shaip Kamberi ka problematizuar kushtetutën e Serbisë që e sheh Kosovën si pjesë të saj dhe ka avokuar në vazhdimësi për reciprocitet të të drejtave mes pakicave serbe në Kosovë dhe atyre shqiptare në Serbi.
Prandaj, të gjithë ju më të drejtë vote, shkoni sot në vendvotimin numër 6 në Tërnoc dhe të votoni për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës, të votoni për Shaip Kamberin.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka zhvilluar sot një aktivitet ku ministra, deputetë e aktivistë së bashku me qytetarë u mblodhën te Biblioteka Kombëtare për mbjelljen e 1617 fidanëve në kujtim dhe nderim të 1617 të pagjeturve. Deputetët e Lëvizjes, Tinka Kurti dhe Salih Zyba folën për këtë aktivitet.
Deputetja Tinka Kurti tha që kjo mbjellje po bëhet në kuadrin e historisë dhe brezave që vinë, ngase një fidan i do dekada të rritet e t’i bëjë hije njeriut, atëherë kur gjurmët e luftës 1998-1999 të jenë shuar nga të qenit të gjalla, studentëve e të rinjve që vinë nga i gjithë vendi u shfaqet para një memorial prej pemësh përmallimi që patën brezat para tyre për humbjen e Profesor Ukshin Hotit, dhe gjithë të tjerëve.
Deputeti, Salih Zyba, kujtoi që ashtu siç pasluftës çështja e të pagjeturve ka qenë ndër çështjet e para, edhe tash me qeverinë e re ajo është prioritet në secilin proces të jashtëm e komunikues me shtetet tjera, e në veçanti me Serbinë. Zyba foli edhe për masakrën e Mejës që sot shënon 23 vjetorin dhe për Serbinë që duhet t’i kthej trupat e zhdukur me dhunë e të përballet me krimet e saj gjenocidale.
“Ndër çështjet e para të Kosovës së pasluftës ka qenë çështja e pagjeturve. “Të gjithëve na mungojnë” vazhdon të mbetet parulla përfaqësuese që kërkon drejtësi e kthim të trupave të vrarë që mbahen të fshehura nga Serbia. 27 prilli na kujton jo vetëm gjenocidin e shtetit serb, jo vetëm në vrasjet e masakrimet ndaj civilëve në Kosovë, por edhe fshehjen e organizuar të trupave të njerëzve tanë. Kjo e dyfishon krimin.”
“Në secilin takim edhe me Serbinë, por edhe me shtete të tjera vazhdimisht jemi duke e theksuar se ndër të vetmet tema që nuk pret është çështja e të pagjeturve. Serbia së pari duhet t’i kthejë të gjithë trupat që i mban nëpër varrezat masive në Serbi dhe pastaj të përballet me krimet e gjenocidit që i ka shkaktuar në Kosovë”, tha Zyba.
Aktiviteti i mbjelljes së fidanëve do të vazhdojë deri në 17 qershor, në ditën kur shënojmë edhe ditëlindjen e profesorit dhe intelektualit, Ukshin Hoti, i cili u burgos dhe ende pa u liruar u kidnapua nga shteti i Serbisë dhe për fatin e të cilit ende nuk dimë asgjë.
Ftojmë qytetarët që të bëhen pjesë e këtij aktiviteti duke mbjellur fidanë në shënim të kësaj dite.
LV inicon themelimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë nga viti 2006-2022
LV inicon themelimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë nga viti 2006-2022
Grupi Parlamentar i LV, duke parë që demokracia në Kuvend është vënë në pikëpyetje nga opozita, dhe gjithashtu duke qenë në shërbim të opinionit dhe qytetarëve për zbardhjen e të vërtetës sa i përket vendimmarrjes në sektorin e energjisë, ka vendosur të procedojë kërkesën për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë me të gjitha kërkesat që opozita tashmë i ka parashkruar por duke e zgjeruar fushëveprimin e këtij komisioni nga 2006 deri më 2022.
Kthimi në 2006 për vlerësimin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë është i rëndësishëm për shkak se në atë kohë Kosova ende pa e shpallur pavarësinë e saj është bërë pjesë e Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Në atë vit një mori iniciativash janë zhvilluar në këtë sektor. Prej shthurjes së KEK-ut deri te themelimi i KOST-it. Planifikimet për strategjinë për të ardhmen e sektorit të energjisë. Projektet gjeneruese. Strukturimi i brendshëm i energjisë dhe zbatimi i standardeve që burojnë nga Traktati.
Për rikujtim të publikut, ligji për hetim parlamentar ka hyrë në fuqi në korrik 2010, atëherë kur LDK dhe PDK bashkëqeverisnin. Të njëjtat rregulla prej atëherë e deri tek komisionet më të fundit hetimore kanë qenë në fuqi – as propozuesit as koalicioni qeverisës nuk e drejtojnë komisionin hetimor. Këto janë rregullat që këta vet i kanë propozuar dhe ideuar. Pavarësisht kësaj, sikur mos të dinin se çfarë kanë bërë këta vet me vendimet e veta sollën një kërkesë të nënshkruar nga të gjithë duke u vetbllokuar e duke mos e themeluar dot komisionin hetimor.
Kështu që edhe në këtë drejtim PDK LDK AAK nga një panik i paprecedentë paraqitën një kërkesë po ashtu të paqëndrueshme dhe me thënë të drejtën edhe të palogjikshme. Opozita së bashku me listën serbe dhe një deputet të pavarur nga minoritetet u vetbllokuan në një rrugë qorre (pa krye).
Në dritën e kësaj situate, ne morëm nismën që ta ndihmojnë opozitën për të dalë nga kurthi ku ka rënë me këmbët e veta e s’po di si të dalë prej andej duke e dorëzuar sot kërkesën për komision hetimor parlamentar me shtrirje nga viti 2006 deri aktualisht dhe me zgjerimin e objektit për hetim.
Shumëçka nga ajo kohë nuk ka arritur të jetësohet. Andaj, rrethanat e trashëguara nga sektori i energjisë duhen hetuar nga vitit 2006.
Opozita do ta kryesojë këtë komision hetimor parlamentar.
Përveç kërkesave të opozitës, komisioni do t’i trajtojë edhe këto kërkesa.
– Investimet kapitale në ndërmarrjen publike KEK sh.a., (2006-20222).
– Investimet kapitale në distribucionin e energjisë elektrike pas privatizimit dhe burimet nga ku u bënë ato investime (vlera e investimeve të parapara me kontratën e privatizimit ishte 300 milionë euro).
– Pagesa e mbi 17 milionë euro nga KEK për KEDS në emër të ‘korrigjimit’ të tarifave të vitit paraprak në vitin e parë pas privatizimit të distribucionit.
– Veprimet e ZRrE dhe njësisë mbikëqyrëse e privatizimit të KEDS rreth mbikëqyrjes së realizimit të investimeve dhe raportet mbi mbikëqyrjen.
– Mbi numrin e të punësuarve në KEK, procesi i rekrutimit lidhur me to dhe shqyrtimin i mbajtjes së konkurseve të punësimit të shpallura në ndërmarrjen publike KEK-u nga viti 2006 deri në Prill 2022.
– Kontratat e lidhura për blerje të Energjisë elektrike që nga viti 2006–2022 dhe procedurat e ndjekura gjatë këtyre blerjeve?
– Shqyrtimi i rrethanave që rezultuan me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në Shtator 2014 dhe rritja tjetër në Prill 2015.
– Shqyrtimi i vendimeve që rezultuan me heqjen e bllok tarifës në vitin 2017.
– Licencat e BRRE-ve, kriteret për dhënien e tyre dhe vendimmarrja për licencat e kapaciteteve gjeneruese nga burimet e ripërtërishme me tarifa nxitëse.
– Shqyrtimi i rrethanave dhe vendimmarrjes së institucioneve përgjegjëse që vendosën “humbjet komerciale” (vjedhjet, rryma e papaguar në katër komunat me shumicë serbe të Kosovës) t’ju faturohen (shpërndahen në fatura) secilit konsumatorë të kyçur në sistem.
– Baza ligjore e rregullativës së ZRrE-s për përfshirjen e humbjeve komerciale (vjedhjeve) në tarifa të energjisë elektrike.
– Shqyrtimi i vendimeve të ZRRE-së që sollën deri tek autorizimi i KOSTT për mbulimin e devijimeve.
– Shqyrtimi i vendimmarrjes që solli deri tek bllokimi i investimeve në njësitë e TC Kosova A në vitin 2015, rasti me projektin Bilfinger.
– Vendimet Qeveritare për shpalljen zone me interes të veçantë për hapësirat në mihjet sipërfaqësore në komunën e Obiliqit.
– Vlerësimi i procesit të shpronësimit të pronave rreth mihjes sipërfaqësore në Hade, Shipitullë përfshirë rritjen e vlerave të shpronësimit nga 4 milionë Euro në 28 milionë Euro (referuar vlerësimeve paraprake).
Deklarata e Zv. Kryeministrit Besnik Bislimi pas takimit për çështjen e reciprocitetit me targa
Deklarata e Zv. Kryeministrit Besnik Bislimi pas takimit për çështjen e reciprocitetit me targa
Grupi punues i Republikës së Kosovës është munduar që të vijë deri te një draft propozim, por që nuk kishte gatishmëri nga pala serbe për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e 3-të e marrëveshjes së 30 shtatorit. Përgjatë gjithë këtyre 6 muajve ka pasur shumë pak interesim nga Serbia që të merren me kërkesat që i ka paraparë ajo marrëveshje dhe në vend të saj ata janë marrë me elemente margjinale që kanë treguar se thjeshtë dëshirojnë ta sabotojnë punën e grupit punues.
Zv. Kryeministri Bislimi deklaroi se Republika e Kosovës do të trajtojë lirinë e lëvizjes në të njëjtën mënyrë siç e trajton edhe pala serbe. Ndërkaq për tabelat KM të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ilegale do të ofrohet një opsion se si do të kalojmë tek targat normale.
Ndërkaq, tema e arkivave nuk është diskutuar as në takimin bilateral e as në takimin trelateral. Kjo është një prej shqetësimeve serioze për mënyrën se si Beogradi e adreson çështjen e dialogut, tha Besnik Bislimi.
Po demokracisë parlamentare – JO abuzimeve të vjetra
Sot është hera e dytë me radhë që PDK, LDK, AAK, Lista Sërpska në kundërshtim me ligjin provojnë ta formojnë komisionin për hetim parlamentar për masat e ndërmarra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë. Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është i gatshëm ta mbështes këtë komision hetimor apo çfarëdo komisioni tjetër hetimor dhe në lidhje me cilëndo sekuencë të qeverisjes tonë, por, jemi që kjo të bëhet sipas ligjit dhe duke respektuar rregullat, tha shefja e GP, të LV, Mimoza Kusari Lila.
Kusari Lila po ashtu bëri të ditur që si pasojë e lëshimit të sallës nga ana e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së mbetën pa u votuar 4 marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në vlerë prej 100 milionë eurove. 1) Marrëveshja mes RKS dhe RSH për ndihmë juridike falas; 2) Marrëveshja për kredi mes RKS dhe Bankës Evropiane për Investime për impiantin e ujërave të zeza në Mitrovicë. 3) Marrëveshja për kredi me BERZh-in për projektin e trajtimit të ujërave të zeza; dhe 4) Reforma e sistemit të ndihmës sociale në Kosovë, që njëherit përbën marrëveshjen e parë ndërkombëtare të rrëzuar njëherë në Kuvend nga LDK-ja.
Sipas ligjit në fuqi dhe frymës së Kushtetutës ku flitet për komisione hetimore, përcaktohet qartë kriteri i përbërjes dhe i kryesimit të komisionit. Të gjithë ata që nënshkruajnë kërkesën për komision hetimor parlamentar janë iniciues të saj, rrjedhimisht asnjë deputet nga grupet parlamentare nënshkruese nuk mund ta kryesojë komisionin, kjo bie ndesh me ligjin. PDK, LDK, AAK, dhe Lista Sërpska kanë bllokuar vetën proceduralisht dhe nuk po mund të procedojnë tutje, dhe krejt çfarë bëjnë tani është akuzojnë mazhorancën, pozitën, që kinse po i bllokon, tha deputeti Adnan Rrustemi.
“Nuk mund të na kërkohet që të votojmë diçka për të cilën jemi të bindur që është e kundërligjshme. Nuk është hera e pare që Kuvendi po shqyrton themelimin e komisioneve hetimore. Nëse reflektojnë e besojnë tanimë që rregullat i kanë bërë gabim sa ishin në pushtet, i ftojmë të fillojmë nga ndryshimi i ligjit të ri për hetimin parlamentar. Gjithë idetë e tyre se si duhet të jetë hetimi parlamentar le t’i paraqesin në atë projektligj. Kështu punohet me ndershmëri dhe me parime demokratike”, tha Rrustemi në fund, duke u bërë thirrje deputetëve të opozitës të reflektojnë e të procedojnë sipas ligjit drejt formimit të këtij komisioni.
Në 8 mars të vitit 2011 qeveria e atëhershme filloi bisedimet politike me Serbinë të cilat i quajti bisedime teknike. Këto bisedime filluan vetëm tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, tetë muaj pas fitores së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) e cila vulosi legalitetin e shpalljes së pavarësisë, 5 muaj pas rezolutës së OKB-së e cila bënte thirrje për dialog për promovim të bashkëpunimit, progresit dhe përmirësimit të jetës së njerëzve, dhe as 3 muaj pas “të gjeturave” të Raportit Dick Marty.
Ky ishte sfondi kur filluan bisedimet “teknike” me Serbinë, pra në kulmin e arritjes së shtetësisë së Kosovës pas vendimit të GjND-së dhe me një rezolutë të OKB-së që bënte thirrje për përmirësim të jetës së njerëzve.
Si pjesë e opozitës së atëhershme ne jo vetëm kemi kundërshtuar bisedimet politike me Serbinë, madje duke kaluar edhe një rezolutë me 10 mars 2011 në Parlamentin e Kosovës, por edhe kemi protestuar.
Kemi kundërshtuar jo sepse nuk donim kurrfarë dialogu me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, por sepse nuk donim negociata politike për çështje të brendshme të Kosovës. Për më keq, këto bisedime politike, e që në fakt ishin negociata për çështje të brendshme, udhëhiqeshin nga njerëz të kompromiseve me Serbinë. Ishin pa parime, pa kufizime dhe pa transparencë.
Ende pa u bërë një vit nga fillimi i dialogut, me 24 shkurt 2012 na sillet marrëveshja e parë politike që njollosi pavarësinë e Kosovës edhe tekstualisht duke i vendosur pavarësisë një fusnotë. Fusnota i bishtnohet pavarësisë duke e ngrehur nga pas UNMIK-un tashmë 10 vjet. Ne protestuam edhe kundër kësaj fusnote kurse ata që e sollën na thanë se ishte një fjollë bore që do shkrihej me ardhjen e pranverës.
Një vit pas njollosjes së pavarësisë, me 19 prill 2013, qeveria e atëhershme nënshkroi marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (“Zajednica”) duke e negociuar kështu veriun e Kosovës me Serbinë e duke e shkelur rëndë kushtetutën e vendit, karakterin shumetnik dhe decentralizimin etnik të së secilës e kishin mbrojtur me aq zell.
Marrëveshja e 19 prillit 2013 shkel në tërësinë e saj karakterin shumetnik të kushtetutës, por edhe parimin e vetëqeverisjes lokale, organizimin dhe kompetencat e komunave duke krijuar kështu një institucion të ri njëetnik i cili vendoset mbi komunat e në mes pushtetit qendror dhe atij lokal me rol përfaqësues e si organ vendimmarrës e organizativ vetëm për komunat me shumicë serbe. Thënë shkurtë, një Republika Sërpska në tentativë brenda Kosovës.
Ashtu siç ndodhi edhe me shumë marrëveshje të tjera të dëmshme, qeveria asokohe e PDK-së u kujdes që këtë akt të rëndë të shkeljes së kushtetutës e sovranitetit të vendit ta “legjitimojë” në parlamentin e Kosovës. Në orët e mesnatës së 21 prillit, 2013, 89 deputetë në mesin e tyre pothuajse të gjithë opozitarët e AAK-së dhe LDK-së të cilët dy vite më herët kishin votuar kundër rezolutës për bisedime me Serbinë, ngritën duart për ta votuar rezolutën që mbështeste Asociacionin njëetnik.
Marrëveshja e 19 prillit e cila 6 nenet e para i ka për “Zajednicën” është marrëveshje për të ndryshuar karakterin e shtetit të Kosovës. Përtej “Zajednicës”, ajo parashihte krijimin e një sërë institucionesh paralele për minoritetin serb në Kosovë. Në aspektin politik e organizativ marrëveshja parashihte formimin e asociacionit etnik vetëm për komunat serbe, në aspektin gjyqësor parashihte gjykatën paralele të apelit, të cilën e realizuan, kurse në aspektin e sigurisë parashihej edhe pushtet policor duke emëruar komandantin rajonal vetëm për katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
Kur në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese interpretoi marrëveshjen e 25 gushtit 2015 për kompetencat e Asociacionit të nënshkruar nga LDK dhe PDK e që buronte nga Marrëveshja e 19 prillit 2013, ajo e nxori asociacionin të paligjshëm dhe praktikisht të pazbatueshëm pasi nuk ka vend në kushtetutën shumetnike për organizma një-etnik.
Këto ishin negociatat me Serbinë pa parime e pa transparencë e që i bënë aq shumë dëm pavarësisë së Kosovës e cila tashmë ishte shpallur mbi kompromiset e shumta me Pakon e Ahtisaarit.
Kjo është edhe trashëgimia që na lanë pas në këtë dialog: ne opozita e dikurshme që protestonte kundër Pakos së Ahtissarit me decentralizim etnik, sot në qeveri duhet ta mbrojmë Kosovën (me gjithë Pakon e Ahtissarit) nga asociacioni njëetnik.
E sikur kjo të mos mjaftonte për të keq, po atë ditë, më 19 prill 2013, ish Kryeministri Thaçi i dërgoi letër ish Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, ku njëanshëm i zotohej që FSK-ja nuk do të kalojë lumin Ibër!
Duhet të rikujtojmë e risjellim në vëmendje që statusi i Kosovës është vendosur me 17 shkurt 2008 dhe se Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Ajo që ka mbetur pa u zgjidhur është statusi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është evidente që Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën prandaj edhe nevojitet njohje reciproke ashtu edhe siç e ka theksuar Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Kjo njohje duhet të vijë nga një dialog parimor e transparent ndërmjet palëve të barabarta, ku – ashtu siç është përcaktuar në rezolutën e OKB-së për dialog – përfitues duhet të jenë qytetarët.
Komunikatat ku prej pesë pikave publikohen dy e mbulohen tre, nuk janë punë për drejtësi, por taktikë dhe strategji e padrejtësisë
Komunikatat ku prej pesë pikave publikohen dy e mbulohen tre, nuk janë punë për drejtësi, por taktikë dhe strategji e padrejtësisë.
Këtë gjë ka bërë Prokuroria e Kosovës, pa u brengosur aspak për aspektin njerëzor të familjarëve e shokëve të Astrit Deharit, por mbi të gjitha, pa u shqetësuar fare për drejtësinë dhe ligjin në Republikën e Kosovës, gjë e cila do të duhej të ishte mision kryesor i atij institucioni.
Instrumentalizimi politik i institucioneve të drejtësisë lehtë përfundon në instrumentalizim kriminal të atyre institucioneve. Këtë na i tregon të gjithëve rasti i Astrit Deharit. Por ndryshimi i madh që ka ndodhur në Kosovë kërkon t’i jepet fund drejtësisë që fsheh krimet dhe dënon të pafajshmit. Ai ndryshim nuk kthehet pas, institucionet do të çkapen, drejtësia do të pavarësohet.
Ashtu siç nxituan atëherë për ta shpallur vetëvrasje, ashtu po nxitojnë dhe sot, për komunikata me informacione selektive.
Asnjë komunikatë e asnjë reagim i atyre që e kishin dhe e kanë detyrë ligjore zbardhjen e rasit, nxjerrjen para përgjegjësisë e mundësimit të drejtësisë së plotë për Astritin, nuk mund të shfajësojë as zinxhirin institucional të kohës, e as përgjegjësinë institucionale të prokurorisë së sotme.
Drejtësi për Astritin pashmangshëm nënkupton nxjerrjen e përgjegjësve para gjykimit. Nga arrestuesit e tij me akuza të fabrikuara, te përgjegjësit e burgut, drejtori i policisë e Kryeprokurorin Sylë Hoxha për pretendimet e tij të pabazuara, kontradiktore e deklaratat e rrejshme.
Burgosja e Astritit dhe mbajtja për dy muaj pas grilave ishte sulmi i parë i dhunshëm kriminal ndaj të drejtave njerëzore e qytetare të Astrit Deharit, për të përmbushur kësisoj atë që më pas do përbënte edhe përfundimin e këtij krimi; nxjerrjen e tij si të vdekur nga burgu. Kësodore, vrasja e tij nuk fillon me vdekjen e tij, por pikërisht me arrestimin e tij nga dora e shtetit e që vdiq në duar të shtetit.
Po bëhen 5 vite, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar profesionale e gjuhë e qëllim dashakeq. Nga një qasje e tillë nuk kemi si most ë jemi të zhgënjyer.
Jemi të bindur, si aktivistë dhe si qytetarë, se asnjë pengesë e stisur, e asnjë individ apo grup, të cilët mund ta kenë qëllim moszbardhjen e rastit Dehari, nuk mund ta sfidojnë drejtësinë.
Në dokumentin më poshtë gjeni Kallëzimin Penal të parashtruar nga Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ndaj ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha.
Kur Lëvizja VETËVENDOSJE! erdhi në qeverisje kishte zero vaksina.
Nuk kishte as marrëveshje dhe as kontratë për sigurimin e tyre.
Falë punës dhe përkushtimit të lartë të qeverisjes tonë, ish-ministrit, Arben Vitia, në kohë rekorde negociuam suksesshëm një kontratë të favorshme për sigurimin e vaksinave.
Kështu, nga të qenit shteti i fundit në rajon për shkallën e vaksinimit kaluam në situatën ku tash jemi shteti i parë në rajon me 1,820,000 doza të administruara, duke u krahasuar me disa shtete të Evropës.
Një falënderim u takon të gjithë mjekëve tanë, punëtorëve të shëndetësisë, dhe shteteve mike që e ndihmuan Kosovën me stoqe të vaksinave si donacion
Konferencë për media në lidhje me debatin e zhvilluar për krijimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike.
Shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari dhe deputeti Armend Muja mbajtën konferencë për media në lidhje me debatin e zhvilluar për krijimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike
Opozita dëshiron të flas për pasojat pa folur për shkaqet dhe situatat konkrete të krizës nëpër të cilën kemi kaluar, andaj sot, grupi ynë parlamentarë nuk ua ka mbështetë nismën për komision hetimor parlamentar për çështjen e energjisë.
Kur kemi dëgjuar propozimin për këtë hetim parlamentar ne kemi treguar gatishmëri të lartë për ta mbështetur për shkak se edhe ne dëshirojmë që qytetarët e Kosovës të jenë të informuar mirë mbi atë se çfarë ka ndodhë gjatë kësaj krize, por sot opozita e ndryshoi në tërësi propozimin e saj.
Ne e vlerësojmë aktivitetin opozitar por jo edhe tendencat e synimet e ulëta që të vihet hi dhe pluhur duke thënë të pavërteta mbi veprimet e qeverisë që vetëm përgjatë këtij viti është ballafaquar me kriza të njëpasnjëshme si ajo e pandemisë, energjisë dhe tani luftës në Ukrainë.
Aktiviteti opozitar bashkë me aktivitetin hetimor natyrshëm bëhen për ta mbajtur qytetarin të informuar mbi atë që ka ndodhur dhe jo thjeshtë për të shënuar disa pika të ulëta siç po bënë opozita tani.
Në Krushë të Vogël u vranë 112 shqiptarë, 70% të burrave dhe djemve të fshatit të moshës nga 13 deri në 77 vjeç, u zhdukën.
Në Krushë të Vogël, para 23 vitesh, forcat serbe ndanë gjakftohtësisht familjet, ndalën burrat dhe djemtë dhe i dëbuan nga fshati të gjitha gratë dhe fëmijët. Në këtë masakër u vranë 112 shqiptarë, 70% të burrave dhe djemve të fshatit të moshës nga 13 deri në 77 vjeç, u zhdukën. Nga kjo masakër 82 gra humbën bashkëshortët e tyre e 145 fëmijë mbetën pa baballarë. Ndërsa nga 145 shtëpi banimi, vetëm 8 i shpëtuan djegies dhe shkatërrimit nga aksioni serb.
Ndërkaq sot pas 23 vitesh janë rivarrosur mbetjet mortore të shtatë viktimave të luftës, që ishin vrarë e zhdukur nga forcat e armatosura serbe në këtë masakër, më 26 mars 1999.
‘’Historia e shtetit tonë nuk mund të shkruhet pa Krushën e Vogël e Krushën e Madhe. Nuk mund të shkruhet pa adresimin e dhimbjeve e tmerrit të përjetuar. Dëmeve e vuajtjeve të shkaktuara. Historia jonë është e shkruar me mbi 400 masakra të kryera gjatë viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë. Kjo histori nuk mund të rishkruhet e as të harrohet. Asnjëherë të ndryshohet, tha Kryeministri Kurti.
Në ceremoninë e varrimit mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, Nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Kryetarin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, gjatë luftës, Andin Hoti.
Marsi shënon muajin e përkujtimit të qindra masakrave ndaj popullit të Kosovës të ndërmarra nga shteti i Serbisë në luftën e fundit të vitit 1998-99.
Masakra e Krushës së Madhe që e kujtojmë me 26 mars, pak ditë pas fillimit të bombardimit të NATO-s, ku u vranë 241 qytetarë civilë të këtij fshatit është shembull konkret i krimit dhe gjenocidit të kryer nga Serbia.
”Na e kërkon këtë rivendosje të drejtësisë çdo familje e Krushës, çdo familje e Kosovës, por mbi të gjitha vërtetësia dhe qëndrueshmëria jonë si shtet e si popull. Natyrisht që simbolin e Krushës ne e kemi edhe më të lartë e më të ndritur. Një prej të zhdukurve me dhunë të Krushës është një nga njerëzit më të mençur që ka kaluar në gjuhën shqipe e në trojet shqiptare: Ukshin Hoti. Është e lartë dhe e vështirë t’i rikthesh Krushës së Madhe drejtësinë për Ukshin Hotin. Është e vështirë drejtësia për të zhdukurin. Është e vështirë drejtësia për cenimin në inteligjencë të një populli”, tha Kryeministri Kurti në 23 vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe.
Qeveria e Kosovës krahas përgatitjes së padisë për gjenocid ka themeluar edhe Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë jo vetëm për t’i evidentuar ato, por për të sjellë drejtësi për mijëra viktima që u vranë padrejtësisht në vendin e tyre.
Grupi Parlamentar i VETËVENDOSJE!-s bën homazhe në nderim të znj. Madeleine Albright
Mikja e pazëvendësueshme e atyre që luftuan për liri dhe dinjitet njerëzor, znj. Madeleine Albright, do të kujtohet përherë si gruaja që deri në frymën e saj të fundit u rreshtua me popujt e angazhuar për paqe, liri, dhe barazi.
Si Kosovë, si institucione, përfaqësues, e shoqëri, do e kujtojmë dhe nderojmë përherë si kontributin e saj për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës ashtu edhe mbështetjen e pakursyer të saj për zhvillimin dhe integrimin e vendit tonë.
Madeleine Albright u nda nga kjo botë duke lavdëruar luftën e grave nga Kabuli deri në Kiev, duke theksuar që mendja dhe zemra e saj është me të gjithë ata që luftojnë për një botë të lirë e demokratike, për një botë ku ka barazi e prosperitet për të gjithë.
Kosova po bëhet me një termocentral diellor ndër më të madhin të tillë në Evropë.
Projekti “Solar4Kosova” do të kushtojë 64 milionë euro dhe do të financohet nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ky projekt do të shtojë kapacitetet për rreth 70MW në sistemin e ngrohjes në Prishtinë.
Do të sigurojë kyçjen në rrjetin e ngrohjes qendrore për 12.000 familje apo 60.000 banorë;
Do të ndërtohen kolektorë diellorë prej përafërsisht 69.000 m2;
Do të reduktojë kërkesën për energji elektrike për qëllime të ngrohjes;
Do të reduktojë emitimin e dioksidit të karbonit për 40.000t në vit; si dhe
Do të kontribuojë në diversifikim të miksit të gjenerimit të energjisë së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përmes komponentës së fuqisë fotovoltaike.
Sot Nënkryetarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! njëkohësisht dhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, dr. Fatmire Kollçaku së bashku me dhe Drejtuesen e grupit të Grave deputete Tinka Kurti morën pjesë në tryezën e organizuar nga Forumi Ekonomik i Grave, Friedrich Erbet Shtiftung dhe Iniciativa për Stabilitet ne Kosovë në diskutimin publik për Lejen e lehonisë dhe Lejen prindërore.
Nga organizatoret dhe pjesëmarrëset u paraqitën disa propozime si model për ta adresuar këtë çështje në ligjin e ri që do të përgatitet.
Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka pasur dhe ka prioritet të lartë çështjen e legjislacionit të punës dhe veçanërisht zonat ku rregullohet të drejtat e prindërve për rritjen e fëmijëve dhe kujdesin ndaj tyre krahas vijimit të punës.
Jemi të vetëdijshëm që edhe hartimi i legjislacionit të ri por mbi të gjitha zbatimi i ndershëm dhe i drejtë i tij ka për të pasur tepër shumë pengesa e vështirësi të cilat nuk janë vetëm të natyrës ekonomike apo të burimeve njerëzore, kryesisht në sektorin privat, por edhe të një botëkuptimi të ri për marrëdhëniet e punës dhe të drejtave themelore të lidhura me to.
Të dhënat e dekadës së fundit për çështjen e punësimit të grave dhe veçanërisht të ndërprerjes së marrëdhënies së punës e daljes plotësisht nga marrëdhëniet e punës për shkak të pushimit të lehonisë janë tejet shqetësuese.
Në këtë drejtim qoftë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e në komisionet që i drejtojmë, qoftë në nivel të qeverisjes qendrore e lokale ne do t’i dëgjojmë të gjitha llojet e propozimeve që vijnë nga grupe shoqërore e organizata ngase synimi ynë është ta transformojmë rrënjësisht këtë gjendje.
Sot bëhen 1 vit nga votimi i Qeverisë Kurti II. Menaxhimi i suksesshëm i pandemisë dhe dëmeve të saj, rritja e pashembullt ekonomike, investimet në ekonomi dhe siguri, luftimi i krimit dhe korrupsionit, fillimi i procesit të Vetingut bashkë me atë të konfiskimit të pasurisë dhe kujdesi ndaj atyre që kanë më së shumti nevojë, janë vetëm disa prej arritjeve krahas shumë punëve që janë bërë përgjatë një viti qeverisje. Shumë zotime janë realizuar e për shumë rezultate që i dëshirojmë dhe na duhen tashmë është shtruar rruga që na shpien atje.
• Ndalja e gjakderdhjes financiare
150 milionë euro të kursyera nga anulimi i kontratave të dëmshme.
Shkurtimet e shpenzimeve qeveritare.
Stabiliteti institucional
Zgjedhje demokratike.
Shumicë solide.
Asnjë keqpërdorim i parasë publike.
Kosova e para në rajon për sundim të ligjit sipas “World Justice Project”.
• Luftimi i krimit dhe korrupsionit
550 operacione, 1102 bastisje, 54 grupe kriminale.
Konfiskim i 1 mijë 192 kg drogë.
Mbyllje e rrugëve të kontrabandës në veri.
Arrestim i fajdexhinjve.
Arrestim i policëve për ryshfet.
Themelimi i bazës së Policisë në Bërnjak.
Kapja e keqpërdorimit me derivate prej 600 mijë eurosh.
• Investimi në ndërmarrje publike
Themelimi i Fondit Sovran.
40 milionë për Telekomin dhe Trepçën.
Fillon punën NSH “Brezovica”.
Investimi në siguri
100 milionë euro për FSK.
Modernizimi i ushtrisë.
Fondi i Sigurisë.
• Ringjallja e Ekonomisë
7.9% rritje të GDP-së.
Aktiviteti ekonomik +15%
Eksportet +66%
Të hyrat buxhetore +30%
40 milionë për prodhuesit vendor.
20 milionë për skemën e punësimit.
Mbi 1.1 miliardë euro të hyrat nga dogana.
Mbi 600 milionë të hyra të reja në ATK.
Koncept Dokumenti për energji të ripërtishme.
Subvencionim i kredive.
Letrat me vlerë “Bono të Diasporës”.
10 milionë në rezervat shtetërore.
Pakoja e ringjalljes ekonomike.
• Mbështetje direkte për qytetarët
Kujdes shtetëror për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale.
Nuk ka më pensione nën 100 euro.
142,237 fëmijë përfitues të shtesave.
11,646 nëna lehona përfituese të shtesave.
45 milionë euro shtesa për nënat lehona.
35 milionë euro për skemat sociale dhe pensionale.
• Vaksinimi
2 milionë vaksina Pfizer dhe Astrazeneca.
Vaksinimi i më shumë se 60% të popullsisë.
24 milionë euro për barnat esenciale.
• Veting dhe konfiskim i pasurisë.
Miratimi i koncept dokumentit për Vetingun dhe fillimi i këtij procesi.
Kalimi i ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Miratimi i Projektligjit për Gjykatën Komerciale.
• Ristrukturim dhe restaurim në Kulturë
Reformë në teatër, balet, Bibliotekë dhe Arkivë Shtetërore.
Kërkesë zyrtare Serbisë për rikthimin e artefakteve.
Projekti për kompleksin memorial “Adem Jashari”.
Dyfishim i fondit për ndërhyrje emergjente në objektet e trashëgimisë kulturore.
• Infrastrukturë zhvillimore
Heqja e homologimit.
Kartoni i gjelbër për mërgatën.
Rruga Prishtinë-Tetovë.
Hekurudha Prishtinë-Durrës.
Nënshkrimi i Projektit për banim të përballueshëm.
• Politikë me integritet dhe dinjitet
Përfaqësim i dinjitetshëm.
Qasje reciproke me Serbinë .
Thellim i aleancave dhe partneriteteve.
• Për rininë e edukuar dhe profesionale
Arsimi publik falas për të gjithë.
100 mijë euro për studentët në universitete elitare.
1000 bursa për vajza që studiojnë shkenca ekzakte.
Mbi 100 asistentë në shkolla për fëmijë me aftësi të kufizuara.
Kosova merr statusin e vendit të asociuar në programin “Horizon Europe” me të drejta të plota.
• Për gratë me punë e barazi
Barazi gjinore nga lart poshtë në secilin institucion e bord.
Subvencionim i kredisë për biznese prodhuesve që udhëhiqen nga gratë.
Bursa shtetërore për shkollim të lartë.
Miratimi i strategjisë kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave.
Lëvizja VETËVENDOSJE! shpall zgjedhjet e brendshme të përgjithshme.
Nisur nga vendimi i Këshillit të Përgjithshëm, organit më të lartë, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shpallur zgjedhjet e brendshme të përgjithshme. Nga 15 marsi, secili anëtar i Lëvizjes do të ketë të drejtë për të votuar e për t’u kandiduar.
Lëvizja VETËVENDOSJE! është organizata me mbështetjen më të madhe në vend, çka duhet të reflektohet në struktura edhe më të fuqishme, e të cilat do të vijnë si rezultat i zgjedhjeve që do të jenë të drejtpërdrejta, të lira e demokratike. Në 30 qendra të Lëvizjes në Kosovë, anëtarët e Lëvizjes do të kenë mundësi që përmes parimit “një anëtar, një votë” të zgjedhin kryesitë e kryetarët e pikave nëpër lagje e fshatra, të propozojnë kandidatët që vlerësojnë më së shumti apo edhe të vetpropozohen.
Të gjithë anëtarët do të kontaktohen për të marrë pjesë në zgjedhje, kurse ju që mbështetni Lëvizjen, por nuk jeni anëtarësuar ende, vizitoni zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE në komunën tuaj dhe anëtarësohuni që të bëheni pjesë e këtij procesi demokratik.
Lëvizja fton të gjithë anëtarët që të bashkohen në këtë proces zgjedhor.
Sot, me 8 mars, Kryeministri i Kosovës bashkë me ministre të kabinetit qeveritar, deputete të Republikës së Kosovës dhe zyrtarë të Sekretariatit të Përgjithshëm e Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë bënë homazhe te Memoriali Heroinat në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së shumë grave të Kosovës gjatë luftës së fundit 1998-99 kundër shtetit okupator, Serbisë.
Te ky memorial që i është kushtuar grave heroina për sakrificën dhe kontributin e tyre gjatë luftës së popullit tonë për liri është vend ku nuk përkujtojmë vetëm sakrificën për liri e çlirim nga pushtuesi, por edhe domosdoshmërinë e barazisë shoqërore. Barazia është liria e vërtetë.
Padrejtësitë ndaj grave dhe vajzave vazhdojnë të jenë evidente në shoqërinë tonë çka e bën edhe më të nevojshëm angazhimin e secilës e secilit prej nesh punën e parreshtur për drejtësi, barazi, për të gjitha gratë, pa dallim.
Më 8 mars aktiviste e aktivistë të Kolektivit “Marshojmë s’festojmë” kanë organizuar një marsh protestues, që do të ketë tri pikëtakime kryesore, në orën 10:00 Pallati i Drejtësisë, 11:00 te rrethi i Flamurit dhe 12:00 te sheshi “Zahir Pajaziti”.
Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë në mbështetje të plotë të marshit dhe nesër do të jemi në shesh sepse mendojmë që për gratë e burrat në shoqërinë tonë duhet të ketë barazi të të drejtave politike, ekonomike e shoqërore. Prandaj është detyrë jona qytetare të dalim në marshim përkrah aktivisteve e aktivisteve të shoqërisë civile.
Mendësia patriarkale mban gjallë vrasjen e grave, femicidin, fenomen kriminal që duhet luftuar nga gjithë pjesët e shoqërisë sonë. Prandaj edhe marshimi nën thirrjen “Marshojmë kundër vrasjes së grave” duhet të na bashkojë të gjithëve si shoqëri e si institucione për drejtësi e barazi gjinore e shoqërore.
Tashmë është dëshmuar se organizimi shoqëror për të jetësuar synimet tona për barazi e drejtësi është e vetmja alternativë. Andaj si çdo ditë edhe në ditën ndërkombëtare të grave ne jemi në solidaritet të plotë me secilin organizim që kryefjalë e ka solidaritetin gjinor sepse jemi të ndërgjegjshëm që solidariteti gjinor është shpresa e vetme nëpërmjet së cilës arrihet te barazia, edhe gjinore.
Ne i bëjmë thirrje anëtarësisë sonë dhe të gjithë qytetarëve pa dallim, jo vetëm ne Prishtinë por, kudo ku marshohet edhe në qytetet tjera të bashkohen kundër patriarkatit që vret, e për barazi.