26 06 2022

Rreth votimit për Këshillin Drejtues në Universitet

Pas zgjedhjeve studentore në Universitetin e Prishtinës u mbajt edhe mbledhja e Senatit ku u votuan 5 anëtarët e Këshillit Drejtues që vijnë nga vota e Senatorëve.

Shumëkush brenda dhe jashtë Universitetit kuptoi për rrjedhën e këtij procesi edhe nga raportimet, qëndrimet e kundërshtimet publike. Edhe ne në Lëvizjen VETËVENDOSJE! kuptuam për procesin nga këto raportime. Dhe ndajmë shqetësimin e thellë me plot universitarë, studentë dhe qytetarë për gjendjen të cilën pasqyron ky proces.

Nuk gjenden shumë reagime të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për punët e brendshme të Universitetit të Prishtinës ndër vite. Kjo ngase ne ndajmë besim se rezistenca ndaj zvetënimit të universitetit duhet të ngjajë nga brenda mjediseve universitare midis profesorëve e studentëve. Aq më shumë që ky Universitet është shënjuesi i fortë i rezistencës intelektuale në historinë e universiteteve. Edhe për ngjarjet e fundit ndajmë shqetësimin por edhe shpresën se brenda universitetit ka aq vrull dhe kapacitet e energji për organizim ndaj çdo forme që cënon idenë e universitetit dhe jetën e brendshme të tij.

Duam të njoftojmë opinionin publik se Lëvizja VETËVENDOSJE! as nuk ka si synim dhe as nuk bën përpjekje për të dirigjuar organizmat universitarë. E kundërta, ne “dirigjohemi” në plot fusha e çështje tonat nga mendimi universitar dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës.

Sigurisht nga çfarë pamë, niveli i përfaqësuesve në organin drejtues të Universitetit nuk përkon as me nivel të shumicës aty as me pritjet që i kanë të gjithë për Universitetin.

Ne as nuk qëndrojmë prapa e as mbështesim asnjë votim në Universitet, por po ashtu as nuk bëhemi pjesë e shkeljes së autonomisë së Universitetit.

Universiteti ka qenë dhe do të jetë gjithmonë vend i rezistencës ndaj së padrejtës. Vend i dijes. Vend ku krahas profesionalizmit te studenti ushqehet edhe ndjenja e dashurisë dhe lirisë për vendin.

Fatkeqësisht gjatë njëzet viteve të shkuara Universiteti u bë i pushtetit. Filluan të banojnë aty edhe forma të ndryshme të korruptimit që kishin lidhje me partitë në pushtet.

Institucionet qendrore kanë dërguar 4 anëtarë, prej të cilëve 50% gra, me kredibilitet të lartë profesional dhe personal, që angazhohen çdo ditë për përmirësimin e gjendjes në Universitet. Kurse, ka shumë të ngjarë që anëtarët e tjerë, të votuar në senat, janë pjesë e asaj që është zhvilluar për më shumë se 20 vite në këtë Universitet.

Nëse Lëvizja VETËVENDOSJE!, apo qeverisja e saj mund “të kritikohet” në këtë pjesë, është vetëm për mosndërhyrje në autonominë e Universitetit.

Siç e bëri të ditur edhe ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, do të çlirohet secili institucion arsimor në vend, dhe universitetin do ta bëjmë vend të dijës dhe shkencës ku vlojnë diskutimet dhe idetë e nuk mësohet krimi e korrupsioni.

Kontribo

24 06 2022

Reforma në drejtësi është e pandalshme

Kemi thënë se drejtësia dhe sundimi i ligjit janë shtylla të shtetit demokratik.

Jemi zotuar se do të punojmë maksimalisht për jetësimin e Vettingut dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kemi miratuar Strategjinë për Sundimin e Ligjit, ligjin për Këshillin Prokurorial, ligjin për Gjykatën Komerciale, dhe kemi punuar shumë që Vettingu dhe Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të jetësohen sa më parë. Për këto dy të fundit, është treguar kujdes maksimal, dhe është pyetur Komisioni i Venecias i cili ka treguar afinitet për përmbajten e të dyjave, duke kërkuar zgjerim të kompetencave të mekanizmit për verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Kemi ende shumë punë përpara, por me një ritëm të lartë po vazhdon puna për jetësimin e reformës në drejtësi.

https://fb.watch/dV81uPyCJw/

Kontribo

24 06 2022

Telegram ngushëllimi familjes Pozhari

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti sot nëpërmjet një telegrami i ka shprehur familjes Pozhari ngushëllimet e tija më të thella.

“Ardoniti ishte shembulli i të riut atdhedashës e dashamirës. Të tillë do ta kujtojmë përherë. Me vullnetin e këmbëngulësinë që e pati gjithmonë, ai luftoi për jetën deri në momentet e fundit dhe fitoi zemrën e admirimin e secilit që e njihte apo kishte dëgjuar për të” tha ndër të tjera Kryetari Kurti në letrën e tij.

Edhe ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! duam t’i shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona dhe t’i ndajmë fjalët më të veçanta për aktivistin dhe shokun tonë i cili ishte përherë shembull.

Ardoniti u prehtë në paqe!

Ngushëllime familjarëve, aktivistëve e të gjithë shoqërisë që e njohën e që nuk do ta harrojnë kurrë!

Kontribo

23 06 2022

Për t’u bërë deputet nëse je me kombësi shqiptare në Serbi të përsëriten zgjedhjet plot katër herë

Sot, Presidenti i Serbisë u paraqit në samitin e vendeve të Ballkanit perëndimor në BE. Aty po kërkonte të ardhmen evropiane të Serbisë, teksa në Tërnoc, lokalitetit më të madh të Bujanocit, po pengohej mbajtja e zgjedhjeve për herë të katërt, ngase aty po kandidon një shqiptar Shaip Kamberit përballë Ivica Daçiqit, partisë së tij.

Ky është një rekord tjetër i zi i Serbisë, udhëheqësit e së cilës kanë prodhuar vetëm në muaj e fundit një listë të gjatë të rekordeve të tilla.

Pse duhet të përsëriten zgjedhjet katër herë në Tërnoc dhe të pengohet nga marrja e mandatit të deputetit Shaip Kamberi? Nuk ka tjetër përgjigje përpos që është shqiptar dhe që mban qëndrime që dënojnë krimet e luftës së Serbisë, mohimin e të drejtave të shqiptarëve aktualisht në Serbi dhe flet shqip në Kuvend kur i denoncon këto qëndrime të institucioneve të Serbisë.

I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, misionit vëzhgues të zgjedhjeve OSBE, Këshillit të Evropës e OKB-së që të sigurojnë proces të drejtë e demokratik dhe të mos lejohet deformimi i vullnetit politik të qytetarëve të Luginës. Këta dy ish-ministra të Millosheviqit nuk mundë të vazhdojnë me metoda të ish-shefit të tyre. Është e tmerrshme dhe e papranueshme që me metoda fashiste të shek. XX të luftohen shqiptarët edhe në dekadën e dytë të shek. XXI.

Kontribo

22 06 2022

Mimoza Kusari Lila: Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk e mbështet tërheqjen e mjeteve të Trustit

“Nuk mund të diskutojmë krizën e sotme duke synuar prishjen e sistemit aktual apo faturimin gjeneratave të reja. E kuptojmë që zgjidhja më e lehtë dhe më e shpejtë për ballafaqim afatshkurtër me inflacionin mund të duket votimi i këtij projektligji. Por ne mandatet nuk i kemi marrë për zgjidhje të lehta, të shpejta, dhe afatshkurtra. Zgjidhjet e lehta mund të duken të këndshme por me pasoja afatgjata dhe të rënda për sistemin financiar dhe të ardhmen e të gjithë kontributdhënësve. Nuk guxojmë ta humbim fokusin në momentin e krizës nga synimi ynë afatgjatë. Ajo nëpër çfarë po kalon Kosova nuk është suigeneris vetëm për ne, pasojat e krizës dhe luftës po ndihen në çdo vend të rajonit. Por vetëm parlamenti ynë po e diskuton shëmbien e një sistemi i cili ofron garanci për stabilitetin financiar dhe mirëqenien e qytetarëve në një të ardhme të afërt. Andaj, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk e mbështet propozimin, por qëndron në shërbim të qytetarëve të Republikës për gjetjen e zgjidhjes alternative e cila do të mundësoj lehtësimin e rrethanave të krijuara nga kriza aktuale.”

https://fb.watch/dV6LuNEyeP/

Kontribo

22 06 2022

Kryeministri, Albin Kurti: Nuk duhet të lejohet tërheqja nga Trusti Pensional

Ne e kemi të qartë që mjetet e akumuluara në trust janë të qytetarëve, por vetë natyra obligative e tyre tregon që ato vihen në dispozicion jo në bazë të preferencave politike apo individuale, por në varësi të moshës së arritur.

Edhe njëherë po e ritheksoj, buxheti i Republikës së Kosovës pas gjashtë vjetëve, në vitin 2028, patjetër se është i qytetarëve të këtij vendi. Por, nuk mund ta harxhojmë atë sot për të zgjidhur problemet e sotme. Ngjashëm është edhe me trustin pensional.

Ne, mbase jemi brezi i parë, që mund të ketë pleqëri të dinjitetshme. Nëse edhe këtë e rrënojmë qysh sot për një problem afatshkurtër në situatën ku ngjallen panika të paqena, atëherë edhe brezi ynë po e humbet këtë mundësi, që e kemi ndërtuar e po e ndërtojmë të gjithë së bashku.

Prandaj, të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, nisma për mundësimin e tërheqjes së parave të trustit, nuk është e rastësishme, që ka ardhur nga një deputet i opozitës, i cili në një prononcim të tij medial, duke komentuar deklaratën brengosëse të përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka thënë përafërsisht se: “Po të donte FMN-ja do të na jepte mjete t’i shpërndanim për qytetarët dhe nuk do t’i preknim mjetet e fondit. Ka mjete aq të mjaftueshme Fondi Monetar Ndërkombëtar”. Ja pra se kush po merret me financa e makroekonomi tek ne. Është diletantizëm i jashtëzakonshëm, por pasojat e të cilit nuk kemi pse i bartim ne të tjerët, përveçse vetë ai person.

https://fb.watch/dV7XY1_jBA/

Kontribo

22 06 2022

Nga fjala e kryeministrit Kurti në Kuvend

A janë të mira marrëveshjet në Bruksel të vitit 2013 dhe 2015? Nuk janë të mira. Njësoj siç kam thënë që marrëveshja e vitit 2013 nuk është e mirë në vitin 2013, dhe marrëveshja e vitit 2015 nuk është e mirë në vitin 2015 – them edhe sot.

Pra, ato nuk ishin marrëveshje të mira, por ato i trashëguam edhe i gjetëm aty.

Kur unë u bëra kryeministër i Republikës së Kosovës i gjeta 38 komuna. Po të pyetesha unë nuk do të ishin 32 komuna.

Kur unë u bëra kryeministër i Republikës së Kosovës e gjeta KEDS-in edhe KESCO-n. Po të isha më herët unë kryeministër i Republikës së Kosovës nuk do të kishte KEDS edhe KESCO, por monopoli publik është bërë tash monopol privat dhe unë tash duhet të komunikojë dhe të bashkëpunojë me KEDS-in edhe KESCO-n.

Pra, ka një mori gjërash të cilat nuk i bëj me vullnet e dëshirë por nga nevoja edhe përgjegjësia.

Gjendja në terren është shumë më e keqe se ato marrëveshje të vitit 2013, 2015.

Andaj, kemi vendosë afate kohore që janë të tilla, relativisht të shkurtra për shkak se i kanë ditët si njësi, jo javët, muajt, ose vitet, – i kanë ditët si njësi. Dhe, unë kërkoj bashkëpunimin e të gjithëve që sa më shpejtë gjithçka të funksionoj duke u bazuar në ligjin, rregullat dhe kushtetutshmërinë e Republikës sonë.

Krejt në fund, natyrisht se do të mund të ketë sfida edhe të tjera përpara. Askush nuk thotë se gjithçka ka përfunduar me tekstin e djeshëm të udhërrëfyesit. Mirëpo, besoj që me bashkëpunimin që e kemi me Bashkimin Evropian, me ekspertët tanë që kanë analizuar në hollësi gjithçka, do të mund ta bëjmë edhe furnizimin e qëndrueshëm por njëkohësisht edhe faturimin dhe inkasimin në veri të Kosovës në mënyrë që të gjithë qytetarët e Republikës të jenë të barabartë.

Ajo çfarë unë bëj në qeverisje mund të përshkruhet kësisoj: Ajo që unë bëj në qeverisje mund të përshkruhet kësisoj: E bëj minimum e pranimit të realitetit për maksimumin e ndryshimit të realitetit.

https://fb.watch/dV6m1D7YBS/

Kontribo

22 06 2022

Kryeministri Albin Kurti mbi Marrëveshjen për Energjinë:

– Së pari, si çdo kompani tjetër furnizimi tash edhe në veri do të kemi një të tillë që operon nën kornizën ligjore dhe rregullative të Republikës së Kosovës.

– Së dyti, edhe licencimi është i kushtëzuar.

– Së treti, marrëveshjet e vitit 2013 edhe 2015 nuk janë të mira.

– Së katërti, gjendja në teren është shumë më e keqe se marrëveshjet e këqija, dhe prandaj kemi bërë udhërrëfyesin më të mirë të mundshëm në këtë kontekst politik.

Unë nuk kam ndryshuar as koncept, as qëllime, as qëndrime. Mirëpo kam metoda të cilat për konceptin edhe qëllimin e njëjtë bëjnë më të mirën të mundshme në kohën që është e ngopur me trashëgimi të mbrapshtë.

Po e ritheksoj: E bëj minimumin e pranimit të realitetit për maksimumin e ndryshimit të realitetit.

https://fb.watch/dV5TMHUaa5/

Kontribo

20 06 2022

TË PËRBASHKUAR!

Marrëveshjet që u arritën sot:

1. ARSIM: Mundësi konkurrimi dhe vijimi të studimeve në 19 universitete të të dy shteteve, në kushte të barabarta.

2-3. LËVIZJA E LIRË: Drejt lehtësimit të plotë të lëvizjes së lirë mes dy shteteve.

4. GJENDJA CIVILE: Lajmërimi në kohë reale midis dy shteteve për ndryshimeve të gjendjeve civile.

5. DOGANAT: Studim drejt realizimit të sistemit të përbashkët doganor mes dy shteteve.

6. SIGURIMET SHOQËRORE: Drejt përbashkimit të tregjeve të sigurimeve shoqërore të të dy shteteve.

7-8. ENERGJI: Drejt rritjes së sigurisë dhe diversifikimit të furnizimit (zhvillimi i terminalit për LNG/gaz të lëngshëm në Vlorë).

9-10. BUJQËSI: Drejt rritjes së shkëmbimit, sasisë dhe cilësisë së produkteve bujqësore, qasjes në financa të BE-se, si dhe ndërtimit të sistemit të përbashkët të informacioneve/statistikave të të dy shteteve.

11. INFRASTRUKTURË RRUGORE: Studim për përmirësimin e rrugëve ndërkufitare.

12. TRANSPORT: Studim fizibiliteti për >> NDËRTIMIN E LINJËS HEKURUDHORE DURRËS – PRISHTINË <<, projekt që do të vendosë Kosovën dhe Shqipërinë në hartën e korridoreve të rëndësishme ndërkombëtare për transport të njerëzve dhe mallrave (video i prezantuar i bashkëngjitur).

13-14. SHËNDETËSI: Shkëmbimi i ekspertizës dhe shërbimeve në mjekësi, si dhe unifikim i protokolleve për barna dhe pajisje mjekësore midis dy shteteve (shkëmbim i barnave të rralla).

15. TURIZËM: Platformë e përbashkët digjitale për promovim të turizmit të të dy shteteve.

16. RINIA: Shkëmbim i përvojave rreth zhvillimit të politikave dhe aktiviteteve për të rinjtë.

17. MBROJTA: Intensifikim I bashkëpunimit dhe konsolidimit të përpjekjeve në fushën e kërkim-shpëtimit malor dhe ujërave territoriale.

18. DREJTËSI: Drejt njohjes së barabartë të provimit të jurispodencës dhe lejimit të ushtrimit të profesionit të avokaturës në të dy shtetet.

19. ENCIKLOPEDI E PËRBASHKËT: Drejt paraqitjes së fakteve të kombit tonë në një publikim të vetëm dinjitoz.

***

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë

Kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama

Kontribo

20 06 2022

Mbahet Konferenca ”E Ardhmja e Transportit”

Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, për dy ditë radhazi mbajti Konferencën Parlamentare Ndërkombëtare “E Ardhmja e Transportit”.

Konferencën e hapi kryetarja e këtij komisioni, Fitore Pacolli Dalipi, e cila theksoi rëndësinë e organizimit të konferencave të tilla në vendin tonë. Qëllimi i konferencës ishte bashkimi i deputetëve të rajonit dhe të Evropës për të diskutuar për çështjen e transportit dhe thellimin e bashkëpunimit në avancimin e lidhjeve ekzistuese dhe krijmin e lidhjeve të reja që do të mundësonin udhëtim sa më të lehtë, të sigurt, të pastër dhe të përballueshëm për qytetarët e vendeve tona. Shkëmbimi i eksperiencave dhe politikave që kanë ndërmarr disa vende të Evropës në reformimin e transportit janë të nevojshme për ne.

Në anën tjetër, drejtori i FES për Kosovë, Rene Schlee theksoi rëndësinë e konferencës dhe bashkëpunimin që duhet të kenë vendet e rajonit dhe të Evropës në çështjen e transportit.

Konferencës ndërkombëtare iu bashkua edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i cili po ashtu vlerësoi lartë rëndësinë e organizimit të konferencave të tilla dhe e konsideroi të një rëndësie të veçantë.

“Tema të cilën po e trajtojmë sot është shumë e rëndësishme dhe ka marrë vëmendje tejet të madhe, sidomos pas zhvillimeve të fundit që po i shohim në botë, e veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë”, theksoi kryetari Konjufca, i cili po ashtu shtoi se çdoherë kur mendohet dhe diskutohet rreth transportit, duhet të mendohet për zhvillimin e qëndrueshëm i cili, sipas tij, kërkon edhe bashkëpunim mes palëve dhe sektorëve të ndryshëm, duke qenë në harmoni të plotë me komunitetin.

Një fjalë rasti në hapjen e konferencës e kishte edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i cili në fjalën e tij paraqiti prioritetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës drejt agjendës së gjelbër dhe reformimit të transportit. Po ashtu vuri në pah se prioriteti kryesor është integrimi në rrjetin rajonal të transportit. Referuar sektorit të transportit, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se ky sektor ka nevojë për mbështetje të madhe dhe të vazhdueshme.

Në konferencë ishin të pranishëm delegacione parlamentare nga Estonia, Shqipëria, Portugalia, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, ekspertë nga tri organizata për sektorin e transportit të njohura ndrërkombëtarisht, European Road Transport Advisory Council (ENTRAC), World Resources Institute (WRI) dhe Global Road Safety Partnership (GRSP). Ndërsa në nivel vendi morën pjesë ambasadorë të vendeve mike, organizata joqeveritare ndërkombëtare NDI, UN Habitat, Jica, UNDP, dhe ato lokale INDEP, Ec Ma Ndryshe, EcoZ dhe EcoAlbania nga Shqipëria.

Konferenca u përqendrua në çështjet se si mund të ndërtojmë një të ardhme të gjelbër dhe të zhvilluar duke transformuar sektorin e transportit, si mund të bëjmë ndërlidhjen mes llojeve të ndryshme të transportit, krijimi i transportit të mençur, të qasshëm dhe të përballueshëm për të gjithë.

Konferenca kishte gjashtë sesione në të cilat u trajtuan shumë tema të rëndësishme përbrenda fushave të sipër cekura.

Në ditën e dytë të konferencës delegacionet patën mundësi të përjetojnë një udhëtim me tren nga Prishtina në Pejë të cilët gjatë rrugës panë bukuritë e Kosovës e veçanërisht bukuritë e Pejës dhe shijuan një drekë me produkte tona vendore dhe mikpritjen shqiptare në fshatin Stankaj të Rugovës për të cilën u përkujdes Komuna e Pejës.

Konferenca u përmbyll me vizitën e delegacionit në zyrën e Kryeministrit të cilët u pritën nga Kryeministri Kurti.

Konferenca u organizua nga Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim në Kuvendin e Kosovës dhe u mbështet nga fondacioni gjerman Friedrich Erbert Stiftung (FES). Ditëve në vijim do të publikohet edhe raporti me përfundimet e dala nga konferenca i cili do të përgatitet nga UN Habitat.

Kontribo

17 06 2022

79 vjetori i lindjes së Ukshin Hotit

Ditëlindja e Ukshin Hotit e mbyllë Javën e Lëvizjes. Për shënimin dhe urimin e kësaj ditëlindje, siç është zakon, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! me profesorë, deputetë, anëtarë të kryesisë, dhe aktivistë nga qendra e Rahovecit, Gjakovës, Prizrenit, vizituan shtëpinë muze të Ukshin Hotit për të kujtuar veprën dhe sakrificën e tij për liri, barazi dhe pavarësi të vendit tonë.

Profesor Hoti ishte shembulli i intelektualit. Ai nuk kurseu asgjë nga vetja për t’i shërbyer të mirës së përgjithshme. Atë me dijen dhe thjeshtësinë e tij e shihnim në protesta, tubime dhe bashkëbisedime me qytetarë ku diskutoheshin shkrime e bindje politike që nuk guxonte t’i botonte asnjë gazetë. Për këtë vuajti shumë vite burg deri në zhdukjen e tij me 16 maj 1999.

Lavdi jetës dhe veprës së profesor Ukshin Hotit.

Kontribo

16 06 2022

17 Pika për 17 vjetorin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Në 17 vjetorin e themelimit të Lëvizjes, në ditën e Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në 17 qendra të ndryshme është mbajtur procesi zgjedhor në nivelin e parë organizativ, në Pikë, prej nga janë zgjedhur strukturat drejtuese të vendbanimeve përkatëse që do të drejtojnë Pikën për 4 vitet e ardhshme, përfshirë këtu drejtuesin/en e RVV-së dhe drejtuesen e GVV-së.

Teksa sot shënuam ditën e qendrave, nëpër vendbanimet e ndryshme, në lagjet e fshatrat e komunave gjithandej, po mbahet procesi zgjedhor i brendshëm në organizatën tonë. Deri më tani është mbajtur procesi zgjedhor në rreth 150 Pika, derisa ristrukturimi organizativ në nivelin e parë organizativ, në Pikë, do të vazhdojë deri në mesin e muajit korrik. Po ashtu, në nivelin e dytë organizativ, për të parën herë, përveçse do të zgjedhim kryetarin/en dhe kryesitë e qendrave, do të zgjedhim po këto struktura edhe për dy organizatat e formuara rishtazi në Lëvizje, Rininë për VETËVENDOSJE! dhe Gratë për VETËVENDOSJE!. Këto dy organizime nuk do të janë zëvendësim e strukturim forumesh formale, por rritje e rëndësisë në vendim-marrje e dy kategorive më të rëndësishme të shoqërisë tonë, të grave dhe të të rinjve. Në fund të muajit tetor, zgjedhjet në organizatën tonë do të përfundojnë në të gjitha nivelet organizative, me struktura të konsoliduara dhe aktive.

Në vazhdën e zgjedhjeve të brendshme në LV që tashmë numëron rreth 60 mijë anëtarë, vetëm për periudhën mars – qershor, janë anëtarësuar mbi 1500 qytetarë. Të rinj e të reja, profesionistë e njerëz të ndershëm, të gatshëm për t’i kontribuar ndryshimit të gjithmbarshëm, çdo ditë e më shumë po i bashkohen Lëvizjes tonë, si e vetmja alternativë qeverisëse substanciale e për transformimin rrënjësor, që veçse ka filluar.

17 vite organizim, ballafaqim e konsistencë. Roli i qendrave tona në rrugëtimin politik të Lëvizjes është i pamatshëm. I tillë do të jetë përherë.

Kontribo

15 06 2022

Tryeza: Mbështetja për Shëndetin Menstrual

Dje, në kuadër të Javës së Lëvizjes, në Kuvendin e Kosovës u mbajt tryeza e diskutimit “Mbështetja për Shëndetin Menstrual” ku folës ishin nënkryetarja e Lëvizjes, deputetja, doktoreshë me profesion, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, zv. ministrja e Shëndetësisë, doktoreshë me profesion, Dafina Gexha Bunjaku, kryetari i Shtimes, doktor me profesion, Qemajl Aliu, dhe deputetja, njohësja e çështjeve gjinore, Tinka Kurti.

Edukimi i hershëm shëndetësor duke filluar nga institucionet shkollore lidhur me vetëdijesimin për shëndetin riprodhues dhe atë seksual; futja e vaksinës HPV në planin nacional të vaksinës; ridefinimi i produkteve menstruale si produkte esenciale; procedimi dhe miratimi i ligjit për shëndetin reproduktiv dhe fertilizimin e asistuar; rritja e numrit të psikologëve të materniteteve, mbështetja psikosociale për nënat e reja dhe nënat që lindin fëmijë me aftësi të kufizuara; vizita sistematike nëpër shkolla për zbulimin e hershëm të problemeve shëndetësore; Skriningu për detektimin e kancerit të qafës së mitrës sidomos nga mosha 40 e sipër, ishin sugjerimet kryesore, konkluzat nga diskutimi në këtë tryeze.

Shëndeti menstrual dhe ai riprodhues kanë rëndësi të madhe për mirëqenien dhe fuqizimin e grave dhe vajzave.

Kontribo

14 06 2022

Tryezë – Dhuna në Familje

Dhuna në Familje ishte tema e tryezës së organizuar nga Grupi Parlamentar dhe Sekretariati i Gruas Aktiviste të VETËVENDOSJE!-s, që u mbajt sot në kuadër të Javës së Lëvizjes në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Nën udhëheqjen e drejtueses së SGA-së, Nazan Kërveshi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, këshilltarja politike në MPB, Fitore Metbala, dhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, mbajtën nga një fjalë rreth temës së dhunës në familje, asaj që është bërë e që ende duhet bërë, për të hapë kështu bashkëbisedimin me pjesëmarrësit e ftuar në këtë tryezë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu renditi veprimet që janë ndërmarrë nga qeveria e Kosovës për adresimin e dhunës në familje:

– Emërimi i koordinatorit nacional kundër dhunës në familje

– Funksionalizimi i grupit ndërministror kundër dhunës në familje

– Miratimi i strategjisë nacionale kundër dhunës në familje

– Garantimi i ndihmës juridike falas për të mbijetuarat e dhunës në familje

– Eliminimi i pengesave për kompensimin e viktimave

– Formalizimi i grupit për hartimin e protokollit shtetëror për adresimin e dhunës seksuale

Në tryezë u fol për funksionimin e qendrave për punë sociale, për qëndrueshmërinë financiare të strehimoreve, mungesën e veprimeve të shpejta në rastet e ndarjes së pronës, trashëgimisë, divorcit, alimentacionit, dhe për veprime të tjera që shtojnë sigurinë e grave dhe vajzave në vendin tonë e që njëherit ngrisin besimin e tyre në institucione.

Kontribo

13 06 2022

17 vjet VETËVENDOSJE!

17 vjet VETËVENDOSJE! – Lëvizim së bashku me popullin

“Ne të Lëvizjes jemi vazhdimësi, as nisje e as mbarim, prandaj ne edhe guxojmë në beteja por nuk guxojmë ta ndalim betejën. Është një kohë për gjithçka, tash është koha e mbështetjes maksimale për qeverisjen tonë dhe për ç’kapje përfundimtare nga pushtetet klanore të mëparshme”, Kryeministri Kurti.

Kontribo

12 06 2022

17 vjet VETËVENDOSJE!

Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Kryeministrit të Kosovës, njëherit Kryetar i LV-së Albin Kurti dhe Nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci të mbajtur në konferencën për media me rastin e 17 vjetorit të themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!:

Fjala e Kryeministrit Kurti:


Të nderuar gazetarë,

Ju falemnderit shumë që i jeni përgjigjë pozitivisht ftesës tonë për këtë konferencë për medie në 17 vjetorin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Pra, 12 qershori kremtohet dyfish nga ne, së pari si dita e clirimit dhe paqes. 23 vjet më parë ne Kosovë aeroplanëve të NATO-s iu bashkëngjit konseria e NATO-s dhe ata në Kosovë i takuan ushtarët dhe njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe refugjatët të cilët me shpejtësi po ktheheshin në atdheun e tyre.

6 vjet më vonë prej asaj dite, themeluam Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe një 17 vjeçar i jashtëzakonshëm i rrugëtimit ka ndodhur për të gjithë ne së bashku si aktivistë në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Ky 17 vjetor i Lëvizjes për herë të dytë na gjen në qeverisje. Edhe 16 vjetorin e patëm festuar në qeverisje, pra gati një vit e tre muaj duke lëvizur gjërat për të mirë e përpara në Republikën tonë.

Ka qenë një vit i vështirë me kriza të shumëfishta që prekën gjithë njerëzimin e nuk na kursyen as neve, por me angazhim e punë, me vendosmëri e guxim kemi arritur ta bëjmë më të mirën.

Në një vit qeverisje Lëvizja jonë përveç se e ka bërë prerjen e qartë me të kaluarën, ka dëshmuar se ka qeverisje alternative, tjetër prej asaj që kemi parë në të kaluarën. Ka dëshmuar se mund të qeveriset mirë e të shënohet progres në Republikën tonë.

Kemi menaxhuar suksesshëm me pandeminë me shkallën më të lartë të vaksinimit në rajon dhe me shkallën më të ulët të vdekshmërisë. Kemi dyfishuar ekonomike. Kemi shtyrë reformën në drejtësi. Kemi luftuar krimin dhe korrupsionin. Kemi zbatuar politika sociale që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve. Kemi avancuar aleancat dhe partneritetin me shtetet mike. Kemi respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Kemi shërbyer e mbrojtur si asnjë qeverisje e mëparshme.

Pra sot, nëse kthehemi prapa dhe kujtojmë fjalët që kemi thënë për atë se si duhet të jetë një qeverisje e mirë, apo fjalët që kemi thënë për atë se si do ta bënim ne qeverisjen e mirë, mund të themi se qëndrojmë drejtë edhe në kuptimin që tashmë kemi treguar se shumëçka bëhet e mundshme nëse duam dhe jemi të përcaktuar të punojmë në atë drejtim.

Ne e kuptojmë dëshirën për ende më shumë punë të mira në qeverisje. Kjo thirrje e kjo nevojë e mbanë të ndezur, vitale, e të përgjegjshme qeverisjen sot kudo në Kosovë, nevojat e qytetarëve t’i plotësojmë, por të jeni të sigurt që jemi në rrugë të drejtë dhe duke e bërë atë që është më e duhur për ecjen sa më të shpejtë drejt zhvillimit që na nevojitet.

Këtë vit kemi filluar ndryshimet që e bëjnë qartazi prerjen me të kaluarën. Natyrisht se kemi qenë të vetëdijshëm që ky ndryshim do të hasë në rezistencë nga ata që kanë përdorur shtetin për interesa të tyre vetjake, klanore e familjare por nuk jemi ndalur e as nuk do të ndalemi. Besimi qytetarë ashtu siç na ka përcjellë gjatë një viti në qeverisje do të na përcjellë edhe më tutje sepse tashmë është parë puna jonë e sinqertë dhe serioze drejt zhvillimit që e duam të gjithë.

Në këtë kohë Lëvizja jonë është duke kaluar nëpër një proces tejet të rëndësishëm, atë të zgjedhjeve të brendshme. Kemi thënë që vitin 2022 për së brendshmi si organizatë do të jetë vit që ia kushtojmë këtyre zgjedhjeve dhe këtë po e bëjmë.

Zgjedhjet kanë filluar tashmë dhe i inkurajoj të gjithë të marrin pjesë në to e ta japin më të mirën e tyre. Kemi nevojë për çdo anëtarë nga ata afër 60 mijë sa i ka Lëvizja VETËVENDOSJE! që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, në secilin nivel gjithandej Kosovës.

Lëvizja jonë ka një trup të shëndoshë që duhet aktualizuar sa më shumë në këto zgjedhje.

Ne kemi thënë në vazhdimësi se gratë, rinia dhe mërgata janë kategoritë që u prijnë ndryshimeve në vend. Andaj, në këtë drejtim, në këto zgjedhje për herë të parë do ta kemi organin e Rinisë për VETËVENDOSJE!-n dhe atë të Gruas për VETËVENDOSJE!-n. Kurse për mërgatën kemi lehtësuar procesin zgjedhor. Më shumë hapësirë, më shumë përfaqësim.

Ajo që vlen për Kosovën, vlen edhe për Lëvizjen tonë, transformimet e mëdha, progreset e hovshme i bëjnë pikërisht këto tri kategori shoqërore, pra Rinia, Gratë dhe Mërgata dhe vëmendja jonë edhe në zgjedhjet e brendshme jo vetëm ato parlamentare është e orientuar pikërisht tek ata.

U jam mirënjohës të gjithëve për punën dhe kontributin në këtë kohë, dhe ju ftoj të merrni pjesë në aktivitetet që kemi organizuar në kuadër të Javës së Lëvizjes, aktivitete këto që mes tjerash kujtojnë rrugëtimin historik të popullit tonë ku pjesë është edhe Lëvizja për VETËVENDOSJE! si krijim i hershëm i tij.

Pra, ne jemi një Lëvizje që nuk konsideron që gjërat kanë filluar me neve apo përfundojnë me neve por jemi gjithmonë në Lëvizje si aktivistë që e mirëmbajnë frymën, organizatën dhe programin por gjithashtu edhe trininë që është mendim, fjalim, aksion.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, me 12 qershor të vitit 2005 u pat themeluar pikërisht në këtë mënyrë, pra duke e shkruar parullën JO NEGOCIATA, VETËVENDOSJE! te ai muri i dikurshëm i UNMIK-ut përballë Pallatit të Rinisë. Fjala “JO NEGOCIATA” si pjesa e parë e parullës i ka 11 shkronja, fjala VETËVENDOSJE! i ka 12, pra bëjnë 23 po edhe pikëçuditsja në fund të fjalës vetëvendosje bëjnë 24, andaj 24 aktivistë, secili nga një shenjë, me sprej për herë të parë e patën shkruar parullën me 12 qershor të vitit 2005 dhe pjesa tjetër mëpastaj sigurisht që është historiku i Lëvizjes tonë të cilin e kemi jetuar, përjetuar dhe ndërtuar së bashku.

Unë nuk e kam ditur atëherë që me 12 qershor nuk po e shënojmë vetëm VETËVENDOSJE!-n që mëpastaj bëhet ditëlindja jonë. Me 12 qershor e ka ditëlindjen edhe Saranda Bogujevci, e cila i ka mbijetuar masakrës së tmerrshme në vendlindjen e saj, dhe kur ne themeluam VETËVENDOSJE!-n, Saranda ndodhej në Britaninë e Madhe. Ne dimë shumë njerëz që kanë shkuar nga Kosova në Britani të madhe që nuk janë të paktë ata që nga Britania e Madhe janë kthyer në Kosovë, njëra prej tyre është edhe Saranda Bogujevci.

Në asnjë moment kur kemi shkruar parulla, kur kemi bërë aktivitete nuk e kemi ditur që sot do të jemi kryeministra, kryetarë kuvendesh, ministra, deputetë, zëvendësministra, nënkryetare Kuvendi, kryetarë komunash e me pozita të rëndësishme drejtuese. Mirëpo duke e mirëmbajtur frymën tonë, duke qenë besnik ndaj programit tonë dhe duke qenë gjithmonë afër e në shërbim të popullit padyshim se si Lëvizje VETËVENDOSJE! do të kremtojmë edhe shumë e shumë ditëlindje të tjera, gjithmonë duke e mirëmbajtur identitetin tonë për hir të popullit tonë, Republikës tonë dhe mbarë kombit.

Ju falemnderit shumë,

Tash ia kaloj fjalën nënkryetares së Kuvendit, aktivistes së VETËVENDOSJE!-s, Saranda Bogujevci.

Urime ditëlindjen Sarandë!

Fjala e nënkryetares Bogujevci:

Përshëndetje i nderuari Albin,

Të dashura media

Në fakt në këtë ditë nuk është vetëm ditëlindja ime, këtë ditëlindje e ndaj edhe me një person që fatkeqësisht nuk ka arritur t’i mbijetoj historisë së ngjashme, e ajo është Ana Frank, e cila gjithashtu ka qenë e lindur me 12 qershor. Gjithashtu këtë ditëlindje e ndaj edhe me vajzat e axhës të cilat po ashtu e kanë mbijetuar luftën e fundit. Pra, 12 qershori është ditë që përkujtojmë shumë gjëra për të mos i harruar kurrë, por në të njëjtën kohë është ditë që festojmë për arsye të ndryshme qoftë të çlirimit të Kosovës por edhe të themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Pardje shënuam ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit së Prizrenit, dje atë të çlirimit të Prishtinës, sot të Kosovës e pas ca ditësh shënojmë edhe ditëlindjen e aktivistit dhe intelektualit Ukshin Hoti. Në tërë këto data natyrshëm gjejmë edhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!, pra sot kur është data e themelimit të saj.

Kjo lidhje nuk është vetëm kalendarike, por edhe konceptuale e parimore. Nga Përbashkimi i shqiptarëve, te ideja e angazhimit, çlirimi që duhet të nis nga vet ne, e deri te e përbashkëta dhe interesin i përgjithshëm e kombëtar, janë vetëm disa nga idetë e frymëzimet që kanë ndikuar dhe frymëzuar Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Por, pas luftës, zakonisht kur flitej e përkujtoheshin këto data flitej për të kaluarën, për atë që ishte larg nesh dhe tashmë thjesht e shkuar. Ishte pak kundërthënie të flisje e kujtoje këto data e të ndiheshe rehat me aktualitetin. Prandaj, erdhi VETËVENDOSJE! si kolektiv e angazhim e grup njerëzish që kishin vendosur të kundërshtonin padrejtësitë e kohës që po ashtu ishin në drejtim të kundërt me aspiratat për të cilat breza e breza kishin kaluar jetët duke u angazhuar e shumë të tjerë kishin dhënë edhe vet jetën për to.

VETËVENDOSJE! ishte thyerje e rehatisë së iluzionit dhe kërkesë për më shumë se çka kishim, por që në fakt ishte vetëm ajo që na takonte dhe për të cilat populli ynë ishte angazhuar. Mijëra takime e tubime me qytetarë, qindra fushata vetëdijësuese, qindra protesta e aksione, po aq tekste e fjalime për të artikuluar kërkesat tona ishin agazhimi i VV-së për t’u bërë adresë e subjekt i ndryshimeve rrënjësore në vend.

Në vija të trasha VETËVENDOSJE! ka lindur si nevojë e domosdoshme e angazhimit për subjektivitet e sovranitet të mirëfilltë shtetëror dhe për drejtësi sociale, për barazi të jashtme mes vendesh dhe barazi të brendshme mes qytetarësh.

17 vjetori i gjen VETËVENDOSJE! në qeverisje e me shumicë të konsiduershme parlmentare që vjen si rezultat i mbështetjes së madhe qytetare. Kemi përgjegjësinë si asnjëherë më parë që gjithë angazhimet e aspiratat e theksuara ndër vite t’i përkthejmë në punë konkrete në qeverisje për të cilat do të punojmë çdo ditë. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka lindur në populle nga populli dhe asnjëherë nuk do guxojmë të largohemi nga ai. Populli është ait ë cilit do t’i shërbejmë gjithmonë e mbështetja e fortë që do të mundësojë të mos devijojmë asnjëherë.

Unë kish dashur t’i uroj ditën e lindjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të gjithë aktivistët, por edhe qytetarëve që kanë qëndruar krah nesh në periudha të ndryshme dhe për të arritë sot këtu ku jemi dhe për të bërë ndryshime që ka pasur nevojë ky vend.

Ju faleminderit.

Kontribo

12 06 2022

Mbledhje e përbashkët me koordinatorët e qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Në 17 vjetorin e themelimit të Lëvizjes pas konferencës për media, është mbajtur mbledhja e përbashkët me koordinatorët e qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në mbledhje kanë marrur pjesë kryetari i LV-së, njëherit kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, sekretarja organizative, znj.Vlora Haxhimehmedi dhe koordinatori i qendrave, z.Valon Hoti.

Situata politike e çështjet organizative ishin tematikat që u trajtuan e diskutuan në këtë mbledhje.

Republika e Kosovës sot ka një Qeveri që përveçse ka forcuar rendin e ligin për brenda, ka zhvilluar ekonominë e marrur masa për tejkalimin e krizës aktuale me çmime, ka shënuar progres të jashtëzakonshëm në kuptimin e forcimit të subjektivitetit të Republikës tonë në aspektin e politikës së jashtme.

Takimet e fundit, vizitat e përfaqësueseve tonë jashtë vendit, por dhe vizitat e përfaqësuesëve ndërkombëtar në vendin tonë, janë tregues i rëndësishëm i ngritjes së pazakontë të pozicionit tonë si shtet.

Rritja e sigurisë dhe rritja e investimeve kanë qenë fokusi i këtyre takimeve. Stabiliteti institucional e përkushtimi i Qeverisë për transformimin gjithsektorial në vendin tonë, padyshim se do sjellë rezultatet e zhvillimit të gjithmbarshëm të Republikës.

Në anën tjetër ky 17 vjetor e gjen organizatën tonë të fuqishme në kuptimin e shtrirjes së strukturave organizative e mbështetëse të saj. Me rreth 60 mijë anëtarë, të shtrirë në vendbanimet e ndryshme anembanë komunave të Republikës tonë, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet organizimi politik më i fuqishëm në vendin tonë.

Ky vit gjithashtu është edhe vit zgjedhor në organizatën tonë. Anëtarë e anëtare, aktivistë e aktiviste, po zgjedhen e po zgjedhin strukturat drejtuese e udhëheqëse të LVV në vendbanimet e tyre, në Pika.

Aktualisht në mbi 100 Pika është mbajtur proces zgjedhor, ku përveç strukturave të zakonshme organizative, për dallim nga proceset zgjedhore të kaluara, po zgjedhen edhe drejtuesit e RVV e të GVV, struktura këto të krijuara së fundmi në organizatën tonë që i dedikohen rinisë dhe gruas.

Nga muaji mars kur dhe e kemi hapur procesin e brendshëm zgjedhor, Lëvizjes VETËVENDOSJE! i janë bashkuar rreth 1500 anëtarë të rinj.

Në këtë mënyrë, fundi i muajit tetor, do ta gjejë organizatën tonë të shtrirë e të fortë, aq sa e kemi edhe Lëvizjen, në vendbanimet gjithandej Kosovës, në fshatrat e në qytetet e komunave të vendit tonë.

Kontribo

11 06 2022

Homazhe në nder të dëshmorëve të Prishtinës

Sot, në Ditën e Çlirimit të Prishtinës, Kryeministri Albin Kurti, bashkë me koordinatorin e Qendrës së Lëvizjes në Prishtinë, Arben Vitia, ministrat, deputetët dhe aktivistët e Lëvizjes, bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve në kujtim dhe nderim të ushtarëve të UÇK-së nga kryeqyteti që ranë në luftën për liri e bashkim. Është lufta çlirimtare dhe sakrifica e djemve dhe vajzave tona që na ka sjellë lirinë dhe mundësit tona për t’u zhvilluar si shtet dhe shoqëri. Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve!

Kontribo

11 06 2022

Homazhe në nder të aktivistit Arbënor Dehari

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me Avni e Xhemile Deharin, ministrat, deputetët dhe aktivistët e Lëvizjes, bënë sot homazhe te varri i Arbënor Deharit.

Java e Lëvizjes në fillimin e saj ka një figurë qendrore orientuese, atë shokut, aktivistit, studentit, e të njeriut të pazëvendësueshëm si Arbënor Dehari. Arbënori na kujton se konceptet e vetëvendosjes, demokracisë dhe barazisë nuk janë thjeshtë ideale të dëshiruara por edhe mënyra të të jetuarit, praktika të përditshme të atyre që kanë vendosur ta bëjnë një jetë të plotë dhe politike.

Kontribo

10 06 2022

Lidhja është gjallë!

Ekspozita kushtuar 144 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit po vazhdon të qëndrojë e hapur në krahët anësor të urave kryesore në qytetin e Prizrenit. Qytetarët kalimtarë dhe vizitorët e qendrës historike në këtë përvjetor kanë mundësi t’i shohin disa prej sekuencave kryesore historike të Lidhjes së Prizrenit dhe t’i diskutojnë ato mes veti apo me aktivistët tanë që qëndrojnë aty. Lidhja është gjallë!

Kontribo

10 06 2022

Homazhe para përmendores së udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit

Fillon Java e Lëvizjes me lule të freskëta dhe homazhe para përmendores së udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit

Nënkryetarja e Lëvizjes, deputetja, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, bashkë me Kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqin, koordinatorin e Lëvizjes në Prizren, deputetin, Artan Abrashin, dhe deputetë e aktivistë të tjerë të Lëvizjes, me rastin e përvjetorit të 144 të Lidhjes së Prizrenit, që njëherit përbën edhe aktivitetin e hapjes së Javës së Lëvizjes, vendosën lule të freskëta dhe bënë homazhe te përmendorja e udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, dhe Avdyl Frashëri.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit nën udhëheqjen e Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit dhe Abdyl Frashërit ka ndërtuar kalimin tonë te vetëdija e lartë kombëtare prej ndjenjës së fuqishme kombëtare që kishim, dhe te programi politik prej ideve përbashkuese e çliruese që kishim, duke vënë kështu themelin historik të asaj që jemi dhe kulmin politik të asaj që bëhemi. Nderime të larta për secilin/en që me ndjenjë të fuqishme dhe vetëdije të lartë u angazhua dhe punoi për të na bashkuar e shtyrë përpara.

Kontribo