10 06 2022

Java e Lëvizjes – Agjenda e plotë

Java e LËV17JES 10-17 Qershor

Të premten, 10 qershor, fillon Java e Lëvizjes. Hapjen e saj e shënojmë me Ditën e Lidhjes në Prizren, për të vazhduar me përvjetorin e aktivistit Arbënor Dehari, Ditën e Çlirimit të Prishtinës, Përvjetorin e Lëvizjes tonë, dhe aktivitete të tjera që lidhen me Gratë dhe Rininë e VETËVENDOSJE!-s, qeverisjen lokale dhe qendrore, deri në Ditëlindjen e aktivistit dhe veprimtarit të shquar Ukshin Hoti.

Ju ftojmë dhe mirëpresim në Javën e Lëvizjes!

10.06.2022 – LIDHJA E PRIZRENIT

9:00 –Nderime tek busti i Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit dhe Sulejman Vokshit.

11:00 deri në 20:00 – Ekspozitë kushtuar 144 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit – E vendosur afër Urës së Gurit.

20:45 – Shfaqja e ndeshjes së kombëtares Shqipëri – Izrael ne lokalin n’kojshi, Shatërvan.

11.06.2022, PËRVJETORI I ARBËNOR DEHARIT DHE DITA E CLIRIMIT TË PRISHTINËS

09:00 – Homazhe te varri Arbënor Deharit ne nder te përvjetorit te tij.

09:30 – Homazhe te varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.

18:00 – Tribunë përkujtimore në nder të aktivitetit dhe veprës së Arbënor Deharit.
Vendi: Fakulteti Filologjik.

12.06.2022, PËRVJETORI I LËVIZJES

16:00 – Konferencë për media – Kryetari i Lëvizjes.
Vendi: Selia qendrore e Lëvizjes VETËVNEDOSJE!

18:00 – “Takohemi në Lëvizje” – Aktivitet për shënimin e 17 vjetorit të themelimit të Lëvizjes.
Vendi: Le Jarden

13.06.2022, RINIA PËR VETËVENDOSJE!

17:00 – Takim pune dhe diskutim për rolin e të rinjve në përfshirjen në strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në jetën politike në përgjithësi.
Vendi: Biblioteka Kombëtare

20:00 – Organizime mobilizuese me të rinj dhe të reja në të gjitha qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

14.06.2022, GRATË PËR VETËVENDOSJE!

10:00 – Tryezë.
Vendi: Salla 506 Kuvendi i Kosovës.

17:00 – Tryezë diskutimi – Mbështetja për Shëndetin Menstrual.
Vendi: Salla 506 Kuvendi i Kosovës.

18:00 – Diskutimi me gratë dhe vajzat në secilën qendër për organizimin e GVV.

15.06.2022, DITA E QENDRAVE TË LËVIZJES VETËVNEDOSJE!

19:00 – Në 17 qendra të LVV themelohen Pika të LVV, duke shënuar kështu edhe simbolikën e përvjetorit të Lëvizjes.

16.06.2022, DITA E PUSHTETIT QENDROR DHE LOKAL

17:30 – TRYEZË – Pushteti Lokal si shërbim i gjithanshëm për qytetarët.
Vendi: Salla Orion te rr. Rexhep Luci

17.06.2022, DITËLINDJA E UKSHIN HOTIT

– Vizitë tek Shtëpia Muze e Ukshin Hoti

13:00 – Shpalosja e pllakatës në parkun e të pagjeturve në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.

13:00 – Mbjellja e 50 fidanëve përmbyllës për parkun e të pagjeturve në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.

18:00 – Diskutim: Bisedë përmes hekurash.
Vendi: Selia qendrore e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Kontribo

09 06 2022

Java e Lëvizjes – Dita e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Nesër fillon Java e Lëvizjes me aktivitetet e para që kujtojnë dhe nderojnë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ju mirëpresim në aktivitetet tona të mëposhtme.

9:00 –Nderime tek busti i Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit dhe Sylejman Vokshit, (Prizren).

11:00 deri në 20:00 – Ekspozitë kushtuar 144 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit – E vendosur afër Urës së Gurit, (Prizren).

20:45 – Shfaqja e ndeshjes së kombëtares Shqipëri – Izrael ne lokalin n’kojshi, Shadërvan, (Prizren).

21:00 – Ndezja e Flakadanëve në Kalanë e Prizrenit.

Kontribo

05 06 2022

Deputetë të LV-së marrin pjesë në konferencën e XVIII të (COSAP)

Deputetë të LV-së marrin pjesë në konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrim/Çështje Evropiane të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim -Asociimit të Evropës Juglindore (COSAP).

Deputetët Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Agon Batusha dhe Driton Hyseni, kanë marrë pjesë në konferencën e XVIII të COSAP që është mbajtur këtë fundjavë në Ohër të Maqedonisë.

Në këtë konferencë ku është folur për bashkëpunimin ekonomik rajonal, delegacioni ynë nga Kosova ka potencuar rëndësinë e Procesit të Berlinit për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Përfaqësuesi i delegacionit të Shqipërisë, njëherit anëtar i Komisionit për Integrim Evropian, deputeti Kreshnik Çollaku deponoi kërkesën për ndryshimin e rregullores së punës së COSAP, në mënyrë që në takimin e radhës në rend dite të futet kërkesa për anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota dhe të barabarta. Kjo u bë e mundur falë mbështetjes së kryetares së Komisionit për Integrim në Shqipëri, Jorida Tabakut, dhe të gjithë deputetëve anëtarë të këtij Komisioni.

Besojmë fuqishëm që ky bashkëpunim do të përfundojë me anëtarësim të Kosovës në COSAP, pas 9 vitesh prej kur është bërë kërkesa për herë të parë.

Kontribo

01 06 2022

Deputetët e LV-së marrin pjesë në SEECP (Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore)

Deputetët e grupit tonë parlamentar, Fitore Pacolli, Ardian Gola, Jeta Statovci dhe Mefail Bajqinovci, po marrin pjesë në SEECP (Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore) që po mbahet në Athinë të Greqisë.

Atje, me angazhimin e tyre kanë siguruar që Kosova të udhëheqë me dy Komisione: Komisioni për Edukim, Hulumtim dhe Shkencë, dhe Komisionin për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Siguri.

Tash, deputetët tanë po punojnë ta vendosin në rezolutë thirrjen e shteteve anëtare të kërkojnë nga Bashkimi Evropian liberalizimin e vizave për Kosovën. Këtu e kemi mbështetjen e plotë nga Greqia.

Kontribo

29 05 2022

Mbledhja e XLVII e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot u mbajt mbledhja e organit më të lartë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, mbledhja e 47-të e Këshillit të Përgjithshëm, ku u diskutuan çështje të rëndësishme politike dhe organizative.

Para delegatëve të pranishëm, siç është zakon në pjesën e parë të mbledhjes, fjalën e mbajti Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili foli për zhvillimet në vend, me theks te njëvjetori i qeverisjes, punët që janë bërë dhe do të bëhen, si dhe për procesin zgjedhor brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Edhe pse ka qenë një vit sfidues me pandeminë, krizën globale energjetike, agresionin rus në Ukrainë, kemi punuar me krejt çfarë kemi mundur dhe jemi angazhuar me krejt çfarë kemi ditur që t’ia dalim sa më mirë në këtë një vit qeverisje tha Kurti në fjalën e tij hyrëse.

“Kemi menaxhuar suksesshëm me pandeminë duke qenë në rajon vendi me numrin më të vogël të vdekjeve dhe shkallën më të lartë të vaksinimit. Kemi shënuar rritje dyshifrore ekonomike. Kemi bërë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Kemi luftuar pa kompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kemi zbatuar politika sociale që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve tanë. Kemi avancuar aleancat dhe partneritetin me shtetet mike dhe kemi treguar solidaritet ndërkombëtar me popujt në nevojë. Kemi respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Dhe, kemi pasur një koordinim të shkëlqyer institucional mes presidencës, kuvendit dhe kryeministrisë

Kryetari Kurti foli edhe për matjet e publikuara nga organizatat e jashtme që e nxjerrin Kosovën si fanar të demokracisë. Ai tha se ato tregojnë më së miri ndryshimin substancial në vendin tonë, ndryshimin përmbajtësor të imazhit të Kosovës, si dhe japin hapësirën e duhur të aplikojmë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe në Bashkimin Evropian.

Në lidhje me vizitën e gjatë dhe të frytshme jashtë vendit në ShBA dhe Zvicër, Kurti tha se ato janë zhvilluar me sukses në shërbim të shtimit të mundësive për investime dhe siguri në Kosovë.

Te çështjet organizative ku tash në qendër kemi procesin e brendshëm zgjedhor, Kryetari Kurti foli për rëndësinë që kanë dy organet e reja Gratë për VETËVENDOSJE!-n dhe Rinia për VETËVENDOSJE!-n në fuqizimin e mëtejmë të grave dhe rinisë përbrenda organizatës, dhe për nevojën e organizimit të mërgatës në një formë të re më të përshtatshme dhe efikase.

Pas fjalës së Kryetarit Kurti, pasoi diskutimi i delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm për situatën politike në vend.

Në aspektin organizativ u bë zëvendësimi i anëtarëve të Komisionit Statutor; Filloi diskutimi për rregulloren e re për organizimin e mërgatës; si dhe u bë shpërndarja e certifikatave për aktivistët që kanë përfunduar Nivelin Teorik të Shkollës Politike të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kontribo

24 05 2022

Vizita e Kryeministrit Kurti në ShBA

Kryeministri Kurti para dy ditësh përmbylli vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila në theks kishte dy qëllime kryesore: investimet nga ShBA-të në Kosovë dhe siguri për Kosovën.

Në shërbim të këtyre dy synimeve, Kryeministri Kurti, zhvilloi takime e vizita nëpër kompanitë më të njohura botërore të sektorit të Teknologjisë Informative, duke i ftuar ato që në planet e zgjerimit ta konsiderojnë përfshirjen e Kosovës për shkak të potencialit të lartë që ka. Në anën tjetër, sa i përket çështjes së sigurisë, ai takoi disa prej zyrtarëve më të lartë të administratës Biden me të cilët ndau aspiratat për fuqizim të lidhjes mes dy shteteve tona dhe shtim të kapaciteteve tona mbrojtëse.

Kryeministri Kurti po ashtu mbajti disa prezantime e ligjërata në disa universitete të njohura në ShBA si dhe disa takime e tubime me bashkatdhetarë e shoqata shqiptare që veprojnë atje.

Në këtë album i gjeni të përmbledhura të gjitha aktivitetet e Kryeministrit në ShBA.

Kontribo

12 05 2022

Deputetet e LV-së në programin e Kongresit Amerikan “Open World”

Deputetet e Grupit Parlamentar Tinka Kurti dhe Jeta Statovci po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në programin e Kongresit Amerikan “Open World”. Gjatë ditës së parë ato kanë marrë pjesë në takimet me Zëvendës Presidentet e MCC, znj. Katerina Ntep me të cilën diskutuan mbi investimin e 200 milionë eurove në energji dhe për përfshirjen gjinore dhe sociale tek Korporatat.

Një takim përmbajtësor kanë zhvilluar me përfaqësuesin Ritchie Torres i cili është një zë i fuqishëm për Çështjet Shqiptare dhe Anëtar i Komitetit për Çështjen Financiare. Deputetet e falenderuan për mbështetjen e vazhdueshme. Z. Torres premtoi që puna e lobimit për njohjen e Kosovës tek aleatët e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë. Gjithashtu, do të kujdeset të flasë për çështje të tjera që lidhen me ekonominë e vendit dhe sigurinë nacionale.

Takimi me përfaqësuesit Jim Himes ishte i përzemërt gjithashtu. Ai u zotua se bashkë me z. Ritchie Torres do të vazhdojnë punën në favor dhe dobi të shtetit të Kosovës.

Ndërkaq, një takim tjetër me rëndësi ishte edhe me përfaqësuesen Lisa Mclain. Sfidat e punësimit të grave, përfaqësimi i tyre politik si dhe kategoritë e dala prej luftës.

Deputetet Kurti dhe Statovci paraqiten gjendjen aktuale në Kosovë dhe nevojat që ka shteti ynë në këtë drejtim.

Një takim frytdhënës ishte edhe me znj. Ben Burtusek nga Komiteti i Senatit të SHBA-së pë Biznesin e Vogël dhe Ndërmarrjen.

Ndërkaq në takimet në Kongres kanë zhvilluar takime edhe me znj. Tamara Fucile nga Komiteti i Përbashkët Ekonomik. Aty u diskutua gjendja ekonomike dhe mundësitë për zhvillim dhe përmirësim të saj.

Kontribo

09 05 2022

The peoples’ freedom will triumph!

The peoples’ freedom will triumph!

The Allies’ victory in Europe and the capitulation of Hitler in May 1945 were followed by the May 9, 1950, declaration of the French Foreign Minister, Robert Schuman. These were the events that laid the foundations for peace and solidarity in our continent – victory over Nazi-Fascism and building the peace project in Europe. The European Union project, the longest-running peace project in the history of mankind, has begun based on these political events and human values.

After the fall of the Berlin Wall, in the 1990s the shadows of fascism in its brutal form returned to Europe. The wars, crimes and genocide inflicted on the peoples of the Balkans by Milosevic brought back the struggle to win yet another battle, essentially, for freedom. With the liberation of Kosova 23 years ago, Europe marked another victory over fascism, this time, against Serbia.

This year, European May 9th is challenged again. 77 years after the great victory of freedom in Europe, a large-scale war of invasion is taking place. For three months now, Ukraine has been facing the largest military aggression since World War II.

We are highly sensitive to the experiences of the Ukrainian people because of similar experiences we had before 1999. The strife, the suffering, the shortages, but also the liberation war aided by allies, reminds us of our struggle for freedom and democracy against Slobodan Milosevic’s fascism.

Over the years, we, the Movement for SELF-DETERMINATION!, have stressed that equality between states and the inviolability of state borders are two of the key foundations of peace in Europe. We have repeated this because of the constant threat posed to us by Serbia. We are repeating this because of the threat already made to Europe with the invasion of Ukraine.

The threat to peace somewhere is a threat to peace everywhere and this has historical value especially in Europe.

Today marks the day of the European project, in the highest sense ever, thanks to the resistance of the Ukrainian people against Russia’s aggression. It is this resistance that today is making impossible any declaration of victory in the fascist camp. This is the day that reminds us that just as Hitler’s calculation to invade Russia in three months failed, so Putin’s calculation to invade Ukraine is also failing.

Despite efforts to revive fascism, it is this day that reminds us that even 77 years later, peoples do not succumb to occupation and domination.

We pay honor to all the men and women who have fallen for the freedom of the people of Europe from any fascist aggression yesterday and today. Freedom and security in Europe will triumph.

May 9, 2022

Movement for SELF-DETERFMINATION!

(Lëvizja VETËVENDOSJE!) 

Kontribo

09 05 2022

Liria e popujve do të triumfojë!

Liria e popujve do të triumfojë!

Fitorja në Evropë e aleatëve dhe kapitullimi i Hitlerit në maj të vitit 1945, u pasua nga deklarata e 9 majit 1950 e ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Robert Schuman. Këto ishin ngjarjet që patën vendosur në kontinentin tonë themelet e paqes dhe solidaritetit. Fitorja mbi nazifashizmin dhe ndërtimi i projekti i paqes në Evropë. Mbi këto ngjarje politike e vlera njerëzore ka zënë fill projekti i Bashkimit Evropian, projekti më jetëgjatë i paqes në historinë e njerëzimit.

Pas rënies së murit të Berlinit, në vitet ’90 hijet e fashizmit në formën e tij më të egër u kthyen sërish në Evropë. Luftërat, krimet e gjenocidi i shkaktuar ndaj popujve në Ballkan nga Millosheviqi rikthyen përpjekjen për ta fituar sërish një betejë në thelb për lirinë. Me çlirimin e Kosovës 23 vite më parë, Evropa shënoi edhe një fitore tjetër ndaj fashizmit, tanimë të Serbisë.

Këtë vit 9 maji evropian gjendet i sfiduar sërish. 77 vjet pas fitores së madhe të lirisë në Evropë, një luftë pushtuese e shkallës së gjerë po zhvillohet. Tash e tre muaj Ukraina po qëndron përballë agresionit më të madh ushtarak që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kemi ndjeshmëri të lartë për përjetimet e popullit ukrainas për shkak të përvojave të ngjashme që kemi kaluar para vitit 1999. Mundi, vuajtjet, mungesat, por edhe lufta çlirimtare e ndihmuar prej miqve na kujtojnë luftën tonë për liri e demokraci kundër fashizmit të Sllobodan Millosheviqit.

Si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi theksuar ndërvite që barazia mes shteteve dhe paprekshmëria e kufijve shtetërorë janë dy prej themeleve kyçe të paqes në Evropë. Këtë e kemi përsëritur për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm që na bëhet prej Serbisë, këtë po e përsërisim për shkak të kërcënimin tashmë të realizuar në Evropë me pushtimin e Ukrainës.

Kërcënimi i paqes diku është kërcënim për paqen kudo dhe kjo ka vlerë historike sidomos në Evropë.

Sot, shënohet dita e projektit të Evropës, me kuptimin më të lartë se kurdoherë dhe kjo falë rezistencës që po tregon populli Ukrainas ndaj agresionit rus. Është kjo rezistencë që sot po pamundëson çfarëdolloj deklarate të fitores në kampin fashist. Është kjo ditë që na kujton që ashtu siç Hitlerit i doli gabim përllogaritja për pushtimin e Rusisë në tre muaj ashtu po i del gabim edhe Putinit përllogaritja për pushtimin e Ukrainës.

Pavarësisht përpjekjeve për ringjallje të fashizmit, është kjo ditë që na kujton që edhe 77 vite më pas, popujt nuk durojnë pushtimin dhe sundimin.

Nderime të gjithë burrave dhe grave që ranë për lirinë e popujve në Evropë nga çdo agresion fashist dje dhe sot. Liria dhe siguria në Evropë do të triumfojnë.

9 maj 2022

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

06 05 2022

Në prag të mbajtjes së Konferencës Ndërkombëtare Arabo-Evropiane: Ndikimi i ndryshimeve klimatike në degradimin e tokës

Në prag të mbajtjes së Konferencës Ndërkombëtare Arabo-Evropiane: Ndikimi i ndryshimeve klimatike në degradimin e tokës

Shefja e Grupit Parlamentar te Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila, së bashku me deputetët Armend Muja dhe Jeta Statovci pritën sot në takim një delegacion nga Arabia Saudite që do të marr pjesë në “Konferencën Ndërkombëtare Arabo-Evropiane: Ndikimi i ndryshimeve klimatike në degradimin e tokës”.

Kjo konferencë që do të mbahet me datë 7 dhe 8 maj në Prishtinë, organizohet nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, në bashkëpunim me Unionin Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis.

Shefja e GP, Mimoza Kusari Lila, vlerësoi lartë bashkëpunimin e deritanishëm me shtetet arabe dhe theksoi nevojën për thellimin e këtij bashkëpunimi edhe në aspektin ndërkombëtar dhe ekonomik të investimeve sidomos në sektorë që lidhen me energjinë, shëndetësinë dhe bujqësinë.

Përfaqësuesit e Unionit Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis shprehën gatishmërinë për bashkëpunim parlamentar, ekonomik, dhe në mes të OJQ-ve, duke u zotuar se do të shikojnë mundësitë dhe do të intensifikojnë përpjekjet për investime të shteteve arabe në Kosovë.

Kontribo

06 05 2022

Treyzë e organizuar nga Grupi i Grave Deputete

Sfidat e shumta të gjidhënies u diskutuan sot në treyzën e organizuar nga Grupi i Grave Deputete. Zbatueshmëria dhe rëndësia e Ligjit për Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht Gjiri ishte tema kyçe e këtij debati për më shumë se dy orë. Kryetarja e Grave Deputete Tinka Kurti theksoi rolin që politika duhet të marrë në këtë aspekt kurse Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi Fatmire Mulhaxha – Kollçaku për rëndësinë shëndetësore e të mirëqenies.

Këshillimoret, kufizimi i reklamave për qumështin formulë, pauzat e garantuara sipas ligjit deri në ditëlindjen e dytë të fëmijës që ushqehet me qumësht gjiri, dhomat e përshtatshme brenda vendeve të punës, harmonizimi me Ligjin e Punës dhe ligje të tjera, por edhe aspektet socio kulturore u diskutuan sot. Të gjitha rekomandimet do të dërgohen te Komisioni për Shëndetësi pas formalizimit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon nga ligjvënësit hartimin e politikave të përshtatshme për këtë çështje por edhe promovimin e vazhdueshëm. Gjidhënia pos që ndikon në mirëqenie, në disa raste shpëton jetë të fëmijës apo edhe nënës. Prandaj, mirëqenia është gjithmonë politike.

Zv. ministrja e Shëndetësisë Dafina Gexha Bunjaku shprehu gatishmërinë për lehtësimin e këtyre sfidave, gjithashtu njoftoi me atë çka është bërë në këtë drejtim, duke u bërë pjesë e strategjive nacionale.

Në këtë takim pjesmarrës ishin edhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që ndërlidhen me të drejtat dhe mirëqenien e fëmijës dhe nënës.

Pos MSH-së, pjesëmarrës kishte edhe nga Zyra E Kryeministrit Të Kosovës, Ministria e Financave / Republika e Kosovës, UN Women Kosovo, Unicef Kosovo Programme, UNFPA Kosovo, NDI Kosovo, Save the Children Kosova/o, Komf Kosova, Shoqata e Mamive të Kosovës, Balkan Sunflowers Kosova, Iniciativa Kosovare per Stabilitet – IKS, Komisioni i Pavarur për Media i Kosovës, e të tjera. Gjithashtu, Inspektororati i Veterinës dhe Ushqimi, Inspektorati i Punës dhe Shëndetësisë si tri institucione puna e të cilëve ndërlidhet me mbikëqyrjen e këtij ligji.

Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për politika të mirëqenies dhe të favorshme për gratë e fëmijët. Për lehtësim të sfidave të nënave të punësuara gjatë periudhës së gjidhënies, njëjtë edhe atyre punëkërkuese.

Kontribo

06 05 2022

Vizitë nga delegacioni i Partisë Socialiste të Zvicrës

Sot në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! pritëm një delegacion nga Partia Socialiste e Zvicrës, drejtuar nga deputeti dhe sekretari për marrëdhënie ndërkombëtare, Fabian Molina. Disa aktivistë nga sekretariatet e ndryshme të Lëvizjes, nga Kryesia e nga Grupi Parlamentar biseduan miqësisht me mysafirët nga Zvicra. Temat e diskutimit përfshinë nevojën për përforcim të marrëdhënie ndërpartiake mes subjekteve socialdemokratike të cilat duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën kundër rrezikut nga autokracitë dhe autoritarizmat. Përfaqësuesit tanë këmbyen ide e mendime me socialdemokratët zviceranë për çështje si aktivizmi qytetar, forcimi i demokracisë, barazia gjinore, zhvillimi i ekonomisë, të drejtat e punëtorëve, mjedisi etj. Momenti global është i përshtatshëm për socialdemokracinë.

Kontribo

28 04 2022

Ditë e Rëndësishme për Luginën!

Ditë e Rëndësishme për Luginën!

Të nderuar bashkëkombas, shqiptarë të Luginës, sot është një ditë e rëndësishme ku ju mund t’ia jepni edhe një mandat deputeti z. Shaip Kamberi në Kuvendin e Serbisë.

Nevojiten 650 vota që z. Kamberi ta vazhdojë përfaqësimin e shqiptarëve.

Ftoni të gjithë ata që i njihni dhe që kanë të drejtë vote të shkojnë në Tërnoc, në qendrën numër 6 të vendvotimit, dhe ta votojnë bartësin e listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberin për një mandat të ri.

Diskriminimi e shtypja ndaj shqiptarëve në Luginë ka shtuar migrimin. Tash pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë i ka zvogëluar gjasat e përfaqësimit të tyre nëpër institucione. Është tejet e rëndësishme që zërin përfaqësues të Shaip Kamberit ta kemi sërish në kuvend. 

Shaip Kamberi për dy mandate ka ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve duke denoncuar regjimin autokratik në Serbi.

Shaip Kamberi ka ngritur zërin për krimet e Serbisë në Kosovë dhe për fshehjen e tyre.  

Shaip Kamberi ka problematizuar kushtetutën e Serbisë që e sheh Kosovën si pjesë të saj dhe ka avokuar në vazhdimësi për reciprocitet të të drejtave mes pakicave serbe në Kosovë dhe atyre shqiptare në Serbi.

Prandaj, të gjithë ju më të drejtë vote, shkoni sot në vendvotimin numër 6 në Tërnoc dhe të votoni për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës, të votoni për Shaip Kamberin.

Kontribo

27 04 2022

1617 fidanë për 1617 të pagjetur!

1617 fidanë për 1617 të pagjetur!

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka zhvilluar sot një aktivitet ku ministra, deputetë e aktivistë së bashku me qytetarë u mblodhën te Biblioteka Kombëtare për mbjelljen e 1617 fidanëve në kujtim dhe nderim të 1617 të pagjeturve. Deputetët e Lëvizjes, Tinka Kurti dhe Salih Zyba folën për këtë aktivitet.

Deputetja Tinka Kurti tha që kjo mbjellje po bëhet në kuadrin e historisë dhe brezave që vinë, ngase një fidan i do dekada të rritet e t’i bëjë hije njeriut, atëherë kur gjurmët e luftës 1998-1999 të jenë shuar nga të qenit të gjalla, studentëve e të rinjve që vinë nga i gjithë vendi u shfaqet para një memorial prej pemësh përmallimi që patën brezat para tyre për humbjen e Profesor Ukshin Hotit, dhe gjithë të tjerëve.

Deputeti, Salih Zyba, kujtoi që ashtu siç pasluftës çështja e të pagjeturve ka qenë ndër çështjet e para, edhe tash me qeverinë e re ajo është prioritet në secilin proces të jashtëm e komunikues me shtetet tjera, e në veçanti me Serbinë. Zyba foli edhe për masakrën e Mejës që sot shënon 23 vjetorin dhe për Serbinë që duhet t’i kthej trupat e zhdukur me dhunë e të përballet me krimet e saj gjenocidale.

“Ndër çështjet e para të Kosovës së pasluftës ka qenë çështja e pagjeturve. “Të gjithëve na mungojnë” vazhdon të mbetet parulla përfaqësuese që kërkon drejtësi e kthim të trupave të vrarë që mbahen të fshehura nga Serbia. 27 prilli na kujton jo vetëm gjenocidin e shtetit serb, jo vetëm në vrasjet e masakrimet ndaj civilëve në Kosovë, por edhe fshehjen e organizuar të trupave të njerëzve tanë. Kjo e dyfishon krimin.”

“Në secilin takim edhe me Serbinë, por edhe me shtete të tjera vazhdimisht jemi duke e theksuar se ndër të vetmet tema që nuk pret është çështja e të pagjeturve. Serbia së pari duhet t’i kthejë të gjithë trupat që i mban nëpër varrezat masive në Serbi dhe pastaj të përballet me krimet e gjenocidit që i ka shkaktuar në Kosovë”, tha Zyba.

Aktiviteti i mbjelljes së fidanëve do të vazhdojë deri në 17 qershor, në ditën kur shënojmë edhe ditëlindjen e profesorit dhe intelektualit, Ukshin Hoti, i cili u burgos dhe ende pa u liruar u kidnapua nga shteti i Serbisë dhe për fatin e të cilit ende nuk dimë asgjë.

Ftojmë qytetarët që të bëhen pjesë e këtij aktiviteti duke mbjellur fidanë në shënim të kësaj dite.

Kontribo

27 04 2022

LV inicon themelimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë nga viti 2006-2022

LV inicon themelimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë nga viti 2006-2022

Grupi Parlamentar i LV, duke parë që demokracia në Kuvend është vënë në pikëpyetje nga opozita, dhe gjithashtu duke qenë në shërbim të opinionit dhe qytetarëve për zbardhjen e të vërtetës sa i përket vendimmarrjes në sektorin e energjisë, ka vendosur të procedojë kërkesën për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë me të gjitha kërkesat që opozita tashmë i ka parashkruar por duke e zgjeruar fushëveprimin e këtij komisioni nga 2006 deri më 2022.

Kthimi në 2006 për vlerësimin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë është i rëndësishëm për shkak se në atë kohë Kosova ende pa e shpallur pavarësinë e saj është bërë pjesë e Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Në atë vit një mori iniciativash janë zhvilluar në këtë sektor. Prej shthurjes së KEK-ut deri te themelimi i KOST-it. Planifikimet për strategjinë për të ardhmen e sektorit të energjisë. Projektet gjeneruese. Strukturimi i brendshëm i energjisë dhe zbatimi i standardeve që burojnë nga Traktati.

Për rikujtim të publikut, ligji për hetim parlamentar ka hyrë në fuqi në korrik 2010, atëherë kur LDK dhe PDK bashkëqeverisnin. Të njëjtat rregulla prej atëherë e deri tek komisionet më të fundit hetimore kanë qenë në fuqi – as propozuesit as koalicioni qeverisës nuk e drejtojnë komisionin hetimor. Këto janë rregullat që këta vet i kanë propozuar dhe ideuar. Pavarësisht kësaj, sikur mos të dinin se çfarë kanë bërë këta vet me vendimet e veta sollën një kërkesë të nënshkruar nga të gjithë duke u vetbllokuar e duke mos e themeluar dot komisionin hetimor.

Kështu që edhe në këtë drejtim PDK LDK AAK nga një panik i paprecedentë paraqitën një kërkesë po ashtu të paqëndrueshme dhe me thënë të drejtën edhe të palogjikshme. Opozita së bashku me listën serbe dhe një deputet të pavarur nga minoritetet u vetbllokuan në një rrugë qorre (pa krye).

Në dritën e kësaj situate, ne morëm nismën që ta ndihmojnë opozitën për të dalë nga kurthi ku ka rënë me këmbët e veta e s’po di si të dalë prej andej duke e dorëzuar sot kërkesën për komision hetimor parlamentar me shtrirje nga viti 2006 deri aktualisht dhe me zgjerimin e objektit për hetim.

Shumëçka nga ajo kohë nuk ka arritur të jetësohet. Andaj, rrethanat e trashëguara nga sektori i energjisë duhen hetuar nga vitit 2006.

Opozita do ta kryesojë këtë komision hetimor parlamentar.

Përveç kërkesave të opozitës, komisioni do t’i trajtojë edhe këto kërkesa.

– Investimet kapitale në ndërmarrjen publike KEK sh.a., (2006-20222).

– Investimet kapitale në distribucionin e energjisë elektrike pas privatizimit dhe burimet nga ku u bënë ato investime (vlera e investimeve të parapara me kontratën e privatizimit ishte 300 milionë euro).

– Pagesa e mbi 17 milionë euro nga KEK për KEDS në emër të ‘korrigjimit’ të tarifave të vitit paraprak në vitin e parë pas privatizimit të distribucionit.

– Veprimet e ZRrE dhe njësisë mbikëqyrëse e privatizimit të KEDS rreth mbikëqyrjes së realizimit të investimeve dhe raportet mbi mbikëqyrjen.

– Mbi numrin e të punësuarve në KEK, procesi i rekrutimit lidhur me to dhe shqyrtimin i mbajtjes së konkurseve të punësimit të shpallura në ndërmarrjen publike KEK-u nga viti 2006 deri në Prill 2022.

– Kontratat e lidhura për blerje të Energjisë elektrike që nga viti 2006–2022 dhe procedurat e ndjekura gjatë këtyre blerjeve?

– Shqyrtimi i rrethanave që rezultuan me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në Shtator 2014 dhe rritja tjetër në Prill 2015.

– Shqyrtimi i vendimeve që rezultuan me heqjen e bllok tarifës në vitin 2017.

– Licencat e BRRE-ve, kriteret për dhënien e tyre dhe vendimmarrja për licencat e kapaciteteve gjeneruese nga burimet e ripërtërishme me tarifa nxitëse.

– Shqyrtimi i rrethanave dhe vendimmarrjes së institucioneve përgjegjëse që vendosën “humbjet komerciale” (vjedhjet, rryma e papaguar në katër komunat me shumicë serbe të Kosovës) t’ju faturohen (shpërndahen në fatura) secilit konsumatorë të kyçur në sistem.

– Baza ligjore e rregullativës së ZRrE-s për përfshirjen e humbjeve komerciale (vjedhjeve) në tarifa të energjisë elektrike.

– Shqyrtimi i vendimeve të ZRRE-së që sollën deri tek autorizimi i KOSTT për mbulimin e devijimeve.

– Shqyrtimi i vendimmarrjes që solli deri tek bllokimi i investimeve në njësitë e TC Kosova A në vitin 2015, rasti me projektin Bilfinger.

– Vendimet Qeveritare për shpalljen zone me interes të veçantë për hapësirat në mihjet sipërfaqësore në komunën e Obiliqit.

– Vlerësimi i procesit të shpronësimit të pronave rreth mihjes sipërfaqësore në Hade, Shipitullë përfshirë rritjen e vlerave të shpronësimit nga 4 milionë Euro në 28 milionë Euro (referuar vlerësimeve paraprake).

Kontribo

22 04 2022

Deklarata e Zv. Kryeministrit Besnik Bislimi pas takimit për çështjen e reciprocitetit me targa

Deklarata e Zv. Kryeministrit Besnik Bislimi pas takimit për çështjen e reciprocitetit me targa

Grupi punues i Republikës së Kosovës është munduar që të vijë deri te një draft propozim, por që nuk kishte gatishmëri nga pala serbe për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e 3-të e marrëveshjes së 30 shtatorit. Përgjatë gjithë këtyre 6 muajve ka pasur shumë pak interesim nga Serbia që të merren me kërkesat që i ka paraparë ajo marrëveshje dhe në vend të saj ata janë marrë me elemente margjinale që kanë treguar se thjeshtë dëshirojnë ta sabotojnë punën e grupit punues.

Zv. Kryeministri Bislimi deklaroi se Republika e Kosovës do të trajtojë lirinë e lëvizjes në të njëjtën mënyrë siç e trajton edhe pala serbe. Ndërkaq për tabelat KM të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ilegale do të ofrohet një opsion se si do të kalojmë tek targat normale.

Ndërkaq, tema e arkivave nuk është diskutuar as në takimin bilateral e as në takimin trelateral. Kjo është një prej shqetësimeve serioze për mënyrën se si Beogradi e adreson çështjen e dialogut, tha Besnik Bislimi.

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/1076117202944332

Kontribo

19 04 2022

Po demokracisë parlamentare – JO abuzimeve të vjetra

Sot është hera e dytë me radhë që PDK, LDK, AAK, Lista Sërpska në kundërshtim me ligjin provojnë ta formojnë komisionin për hetim parlamentar për masat e ndërmarra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë. Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është i gatshëm ta mbështes këtë komision hetimor apo çfarëdo komisioni tjetër hetimor dhe në lidhje me cilëndo sekuencë të qeverisjes tonë, por, jemi që kjo të bëhet sipas ligjit dhe duke respektuar rregullat, tha shefja e GP, të LV, Mimoza Kusari Lila.

Kusari Lila po ashtu bëri të ditur që si pasojë e lëshimit të sallës nga ana e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së mbetën pa u votuar 4 marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në vlerë prej 100 milionë eurove. 1) Marrëveshja mes RKS dhe RSH për ndihmë juridike falas; 2) Marrëveshja për kredi mes RKS dhe Bankës Evropiane për Investime për impiantin e ujërave të zeza në Mitrovicë. 3) Marrëveshja për kredi me BERZh-in për projektin e trajtimit të ujërave të zeza; dhe 4) Reforma e sistemit të ndihmës sociale në Kosovë, që njëherit përbën marrëveshjen e parë ndërkombëtare të rrëzuar njëherë në Kuvend nga LDK-ja.  

Sipas ligjit në fuqi dhe frymës së Kushtetutës ku flitet për komisione hetimore, përcaktohet qartë kriteri i përbërjes dhe i kryesimit të komisionit. Të gjithë ata që nënshkruajnë kërkesën për komision hetimor parlamentar janë iniciues të saj, rrjedhimisht asnjë deputet nga grupet parlamentare nënshkruese nuk mund ta kryesojë komisionin, kjo bie ndesh me ligjin. PDK, LDK, AAK, dhe Lista Sërpska kanë bllokuar vetën proceduralisht dhe nuk po mund të procedojnë tutje, dhe krejt çfarë bëjnë tani është akuzojnë mazhorancën, pozitën, që kinse po i bllokon, tha deputeti Adnan Rrustemi. 

“Nuk mund të na kërkohet që të votojmë diçka për të cilën jemi të bindur që është e kundërligjshme. Nuk është hera e pare që Kuvendi po shqyrton themelimin e komisioneve hetimore. Nëse reflektojnë e besojnë tanimë që rregullat i kanë bërë gabim sa ishin në pushtet, i ftojmë të fillojmë nga ndryshimi i ligjit të ri për hetimin parlamentar. Gjithë idetë e tyre se si duhet të jetë hetimi parlamentar le t’i paraqesin në atë projektligj. Kështu punohet me ndershmëri dhe me parime demokratike”, tha Rrustemi në fund, duke u bërë thirrje deputetëve të opozitës të reflektojnë e të procedojnë sipas ligjit drejt formimit të këtij komisioni. 

Kontribo

19 04 2022

Në 9 vjetorin e marrëveshjes Thaçi – Daçiq

Në 9 vjetorin e marrëveshjes Thaçi – Daçiq

Në 8 mars të vitit 2011 qeveria e atëhershme filloi bisedimet politike me Serbinë të cilat i quajti bisedime teknike. Këto bisedime filluan vetëm tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, tetë muaj pas fitores së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) e cila vulosi legalitetin e shpalljes së pavarësisë, 5 muaj pas rezolutës së OKB-së e cila bënte thirrje për dialog për promovim të bashkëpunimit, progresit dhe përmirësimit të jetës së njerëzve, dhe as 3 muaj pas “të gjeturave” të Raportit Dick Marty.

Ky ishte sfondi kur filluan bisedimet “teknike” me Serbinë, pra në kulmin e arritjes së shtetësisë së Kosovës pas vendimit të GjND-së dhe me një rezolutë të OKB-së që bënte thirrje për përmirësim të jetës së njerëzve.

Si pjesë e opozitës së atëhershme ne jo vetëm kemi kundërshtuar bisedimet politike me Serbinë, madje duke kaluar edhe një rezolutë me 10 mars 2011 në Parlamentin e Kosovës, por edhe kemi protestuar.

Kemi kundërshtuar jo sepse nuk donim kurrfarë dialogu me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, por sepse nuk donim negociata politike për çështje të brendshme të Kosovës. Për më keq, këto bisedime politike, e që në fakt ishin negociata për çështje të brendshme, udhëhiqeshin nga njerëz të kompromiseve me Serbinë. Ishin pa parime, pa kufizime dhe pa transparencë.

Ende pa u bërë një vit nga fillimi i dialogut, me 24 shkurt 2012 na sillet marrëveshja e parë politike që njollosi pavarësinë e Kosovës edhe tekstualisht duke i vendosur pavarësisë një fusnotë. Fusnota i bishtnohet pavarësisë duke e ngrehur nga pas UNMIK-un tashmë 10 vjet. Ne protestuam edhe kundër kësaj fusnote kurse ata që e sollën na thanë se ishte një fjollë bore që do shkrihej me ardhjen e pranverës.

Një vit pas njollosjes së pavarësisë, me 19 prill 2013, qeveria e atëhershme nënshkroi marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (“Zajednica”) duke e negociuar kështu veriun e Kosovës me Serbinë e duke e shkelur rëndë kushtetutën e vendit, karakterin shumetnik dhe decentralizimin etnik të së secilës e kishin mbrojtur me aq zell.

Marrëveshja e 19 prillit 2013 shkel në tërësinë e saj karakterin shumetnik të kushtetutës, por edhe parimin e vetëqeverisjes lokale, organizimin dhe kompetencat e komunave duke krijuar kështu një institucion të ri njëetnik i cili vendoset mbi komunat e në mes pushtetit qendror dhe atij lokal me rol përfaqësues e si organ vendimmarrës e organizativ vetëm për komunat me shumicë serbe. Thënë shkurtë, një Republika Sërpska në tentativë brenda Kosovës.

Ashtu siç ndodhi edhe me shumë marrëveshje të tjera të dëmshme, qeveria asokohe e PDK-së u kujdes që këtë akt të rëndë të shkeljes së kushtetutës e sovranitetit të vendit ta “legjitimojë” në parlamentin e Kosovës. Në orët e mesnatës së 21 prillit, 2013, 89 deputetë në mesin e tyre pothuajse të gjithë opozitarët e AAK-së dhe LDK-së të cilët dy vite më herët kishin votuar kundër rezolutës për bisedime me Serbinë, ngritën duart për ta votuar rezolutën që mbështeste Asociacionin njëetnik.

Marrëveshja e 19 prillit e cila 6 nenet e para i ka për “Zajednicën” është marrëveshje për të ndryshuar karakterin e shtetit të Kosovës. Përtej “Zajednicës”, ajo parashihte krijimin e një sërë institucionesh paralele për minoritetin serb në Kosovë. Në aspektin politik e organizativ marrëveshja parashihte formimin e asociacionit etnik vetëm për komunat serbe, në aspektin gjyqësor parashihte gjykatën paralele të apelit, të cilën e realizuan, kurse në aspektin e sigurisë parashihej edhe pushtet policor duke emëruar komandantin rajonal vetëm për katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Kur në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese interpretoi marrëveshjen e 25 gushtit 2015 për kompetencat e Asociacionit të nënshkruar nga LDK dhe PDK e që buronte nga Marrëveshja e 19 prillit 2013, ajo e nxori asociacionin të paligjshëm dhe praktikisht të pazbatueshëm pasi nuk ka vend në kushtetutën shumetnike për organizma një-etnik.

Këto ishin negociatat me Serbinë pa parime e pa transparencë e që i bënë aq shumë dëm pavarësisë së Kosovës e cila tashmë ishte shpallur mbi kompromiset e shumta me Pakon e Ahtisaarit.

Kjo është edhe trashëgimia që na lanë pas në këtë dialog: ne opozita e dikurshme që protestonte kundër Pakos së Ahtissarit me decentralizim etnik, sot në qeveri duhet ta mbrojmë Kosovën (me gjithë Pakon e Ahtissarit) nga asociacioni njëetnik.

E sikur kjo të mos mjaftonte për të keq, po atë ditë, më 19 prill 2013, ish Kryeministri Thaçi i dërgoi letër ish Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, ku njëanshëm i zotohej që FSK-ja nuk do të kalojë lumin Ibër!

Duhet të rikujtojmë e risjellim në vëmendje që statusi i Kosovës është vendosur me 17 shkurt 2008 dhe se Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Ajo që ka mbetur pa u zgjidhur është statusi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është evidente që Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën prandaj edhe nevojitet njohje reciproke ashtu edhe siç e ka theksuar Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Kjo njohje duhet të vijë nga një dialog parimor e transparent ndërmjet palëve të barabarta, ku – ashtu siç është përcaktuar në rezolutën e OKB-së për dialog – përfitues duhet të jenë qytetarët.

Kontribo

14 04 2022

Komunikatat ku prej pesë pikave publikohen dy e mbulohen tre, nuk janë punë për drejtësi, por taktikë dhe strategji e padrejtësisë


Komunikatat ku prej pesë pikave publikohen dy e mbulohen tre, nuk janë punë për drejtësi, por taktikë dhe strategji e padrejtësisë.

Këtë gjë ka bërë Prokuroria e Kosovës, pa u brengosur aspak për aspektin njerëzor të familjarëve e shokëve të Astrit Deharit, por mbi të gjitha, pa u shqetësuar fare për drejtësinë dhe ligjin në Republikën e Kosovës, gjë e cila do të duhej të ishte mision kryesor i atij institucioni.

Instrumentalizimi politik i institucioneve të drejtësisë lehtë përfundon në instrumentalizim kriminal të atyre institucioneve. Këtë na i tregon të gjithëve rasti i Astrit Deharit. Por ndryshimi i madh që ka ndodhur në Kosovë kërkon t’i jepet fund drejtësisë që fsheh krimet dhe dënon të pafajshmit. Ai ndryshim nuk kthehet pas, institucionet do të çkapen, drejtësia do të pavarësohet.

Ashtu siç nxituan atëherë për ta shpallur vetëvrasje, ashtu po nxitojnë dhe sot, për komunikata me informacione selektive.

Asnjë komunikatë e asnjë reagim i atyre që e kishin dhe e kanë detyrë ligjore zbardhjen e rasit, nxjerrjen para përgjegjësisë e mundësimit të drejtësisë së plotë për Astritin, nuk mund të shfajësojë as zinxhirin institucional të kohës, e as përgjegjësinë institucionale të prokurorisë së sotme.

Drejtësi për Astritin pashmangshëm nënkupton nxjerrjen e përgjegjësve para gjykimit. Nga arrestuesit e tij me akuza të fabrikuara, te përgjegjësit e burgut, drejtori i policisë e Kryeprokurorin Sylë Hoxha për pretendimet e tij të pabazuara, kontradiktore e deklaratat e rrejshme.

Burgosja e Astritit dhe mbajtja për dy muaj pas grilave ishte sulmi i parë i dhunshëm kriminal ndaj të drejtave njerëzore e qytetare të Astrit Deharit, për të përmbushur kësisoj atë që më pas do përbënte edhe përfundimin e këtij krimi; nxjerrjen e tij si të vdekur nga burgu. Kësodore, vrasja e tij nuk fillon me vdekjen e tij, por pikërisht me arrestimin e tij nga dora e shtetit e që vdiq në duar të shtetit.

Po bëhen 5 vite, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar profesionale e gjuhë e qëllim dashakeq. Nga një qasje e tillë nuk kemi si most ë jemi   të zhgënjyer.
 
Jemi të bindur, si aktivistë dhe si qytetarë, se asnjë pengesë e stisur, e asnjë individ apo grup, të cilët mund ta kenë qëllim moszbardhjen e rastit Dehari, nuk mund ta sfidojnë drejtësinë.

Në dokumentin më poshtë gjeni Kallëzimin Penal të parashtruar nga Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ndaj ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha.

Kontribo

29 03 2022

1 vit nga fillimi i vaksinimit në Kosovë

Kur Lëvizja VETËVENDOSJE! erdhi në qeverisje kishte zero vaksina.

Nuk kishte as marrëveshje dhe as kontratë për sigurimin e tyre.

Falë punës dhe përkushtimit të lartë të qeverisjes tonë, ish-ministrit, Arben Vitia, në kohë rekorde negociuam suksesshëm një kontratë të favorshme për sigurimin e vaksinave.

Kështu, nga të qenit shteti i fundit në rajon për shkallën e vaksinimit kaluam në situatën ku tash jemi shteti i parë në rajon me 1,820,000 doza të administruara, duke u krahasuar me disa shtete të Evropës.

Një falënderim u takon të gjithë mjekëve tanë, punëtorëve të shëndetësisë, dhe shteteve mike që e ndihmuan Kosovën me stoqe të vaksinave si donacion

Kontribo

28 03 2022

Konferencë për media në lidhje me debatin e zhvilluar për krijimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike.

Shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari dhe deputeti Armend Muja mbajtën konferencë për media në lidhje me debatin e zhvilluar për krijimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike

Opozita dëshiron të flas për pasojat pa folur për shkaqet dhe situatat konkrete të krizës nëpër të cilën kemi kaluar, andaj sot, grupi ynë parlamentarë nuk ua ka mbështetë nismën për komision hetimor parlamentar për çështjen e energjisë.

Kur kemi dëgjuar propozimin për këtë hetim parlamentar ne kemi treguar gatishmëri të lartë për ta mbështetur për shkak se edhe ne dëshirojmë që qytetarët e Kosovës të jenë të informuar mirë mbi atë se çfarë ka ndodhë gjatë kësaj krize, por sot opozita e ndryshoi në tërësi propozimin e saj.

Ne e vlerësojmë aktivitetin opozitar por jo edhe tendencat e synimet e ulëta që të vihet hi dhe pluhur duke thënë të pavërteta mbi veprimet e qeverisë që vetëm përgjatë këtij viti është ballafaquar me kriza të njëpasnjëshme si ajo e pandemisë, energjisë dhe tani luftës në Ukrainë.

Aktiviteti opozitar bashkë me aktivitetin hetimor natyrshëm bëhen për ta mbajtur qytetarin të informuar mbi atë që ka ndodhur dhe jo thjeshtë për të shënuar disa pika të ulëta siç po bënë opozita tani.

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/5348226945207924

Kontribo