Kryeministri Albin Kurti këtë fundjavë zhvilloi katër tubime të jashtëzakonshme me mërgatën në Gjermani!
Sallat në Mynih, Stuttgart, Köln dhe Berlin ishin të stërmbushura me bashkëatdhetarët tanë, të cilët gjithmonë tregojnë përkushtimin dhe dashurinë e tyre të lartë për Kosovën.
Tubime të tjera do të mbahen në qytete të tjera të Evropës, ku mërgata jonë jeton dhe punon. Së bashku, do të vazhdojmë përpjekjet tona, punën tonë, për një Kosovë më të zhvilluar e më të drejtë, për një Kosovë ku secili/a ka një të ardhme prosperuese.
Faleminderit për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme!
Në Köln, atmosfera ishte e mbushur me emocion dhe pritshmëri! Bashkatdhetarët tanë u bashkuan për ta pritur Kryeministrin Albin Kurti. Besimi në reformat transformuese të qeverisë Kurti është aq i lartë sa që tubime madhështore si këto janë edhe ngjarje festive plot shpresë dhe entuziazëm për të ardhmen. Bashkime kaq të mëdha të shqiptarëve jashtë vendit tregojnë se diaspora jonë është më e vendosur se kurrë për të ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për Kosovën.
Kryeministri Kurti: Përparimi në Kosovë në thelb e ka meritën e diasporës
Qindra bashkatdhetarë u mblodhën në takimin e mbajtur në Stuttgart me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duke krijuar një atmosferë e një pritje të jashtëzakonshme. Shprehim keqardhje për të gjithë ata që udhëtuan gjatë për të qenë pjesë e këtij tubimi, por që për shkak të mungesës së kapacitetit nuk patën mundësi të marrin pjesë. Ju sigurojme se do të kemi organizime të tjera shumë shpejt de do të shihemi sërish në to. Kërkojmë ndjesë të sinqertë dhe mirëkuptimin tuaj!
Në këtë takim madhështor, Kryeministri Kurti foli për arritjet e qeverisë që ai drejton për këto tre vite e gjysmë. Ai përmendi rritjen e Bruto Produktit Vendor për 33%, rritjen e buxhetit shtetëror për 35%, përmirësimet e ndjeshme në shëndetësi, përparimet në drejtësi dhe siguri, luftën ndaj korrupsionit. Kurti tha se qeveria e drejtuar prej tij ka ngritur numrin e të punësuarve nga 350 mijë në 425 mijë duke krijuar 75 mijë vendeve të reja të punës.
Kryeministri Kurti në këtë takim kujtoi rëndësinë që ka pjesëmarrja e diasporës në Kosovë si në aspektin ekonomik po ashtu në atë politik. Ai ftoi bashkatdhetarët të investojnë në Kosovë, të hapin biznese dhe të përfitojnë nga lehtësimet dhe masat që qeveria ka vendosur për të mbështetur aktivitetet e tyre në vendlindje. Gjithashtu, Kurti i ftoi të gjithë të ushtrojnë të drejtën e votës, duke nënvizuar se procesi i votimit tashmë është bërë më i lehtë dhe mund të realizohet në konsullatat apo ambasadat e Kosovës nëpër botë.
Të marrim pjesë masivisht në zgjedhje që po afrojnë duke u kujdesur kështu që reformat tona të kompletohen e të jetësohen në plotninë e tyre. Përparimi në Kosovë në zemër ka mërgatën.
Kryeministri Kurti: Mërgata, faktor kyç për zhvillimin e Kosovës
Takim madhështor dhe atmosferë kombëtare e plotë atdhedashuri, takimi i Kryeministrit Albin Kurti me bashkatdhetarët në Mynih.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi rolin e rëndësishëm të diasporës në zhvillimin dhe çlirimin e Kosovës. Duke njohur kontributin e mërgatës, kryeministri Kurti ftoi bashkatdhetarët të kthehen dhe të investojnë në atdhe ku edhe do të mund të përfitojnë ekonomikisht po edhe do ta fuqizonin tutje vendin.
Kryeministri Kurti foli për arritjet e qeverisë në tre vitet e fundit, rritjen e vendeve të punës nga 350 mijë në 425 mijë. Rritjen e Bruto Produktit Vendor për 33% dhe buxhetin shtetëror për 35%. Përmirësimet në sistemin shëndetësor si dhe përparimet që janë bërë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në përmbyllje, kryeministri theksoi rëndësinë jetike të pjesëmarrjes së diasporës në proceset demokratike, duke kujtuar lehtësimin e procesit të votimit dhe duke ftuar të gjithë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës për të kontribuar në një të ardhme edhe më të ndritur për Kosovën.
Fuqizimi i sistemit të drejtësisë: rezultatet e reformave dhe rruga përpara
Në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u mbajt paneli për drejtësi, i cili u fokusua në temat kryesore që lidhen me sundimin e ligjit, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, duke diskutuar përpara delegatëve lidhur me të arriturat dhe sfidat kryesore gjatë mandatit të tyre.
Panelistët, përfshirë ministren Albulena Haxhiu, zëvendësministrat, Blerim Sallahu dhe Vigan Qorrolli, si dhe kryetarin e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Adnan Rrustemi, ofruan një përmbledhje të arritjeve të deritanishme gjatë mandatit, duke përmendur rezultatet e reformave të ndërmarra dhe sfidat që kanë penguar një zhvillim më të shpejtë.
Diskutimi u përqendrua në nismat e mëdha reformuese, duke përfshirë procesin e vetingut, reformën në Këshillin Prokurorial dhe krijimin e Gjykatës Komerciale dhe Administrative. Panelistët trajtuan gjithashtu problematikën e krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmes prezantimit të masave si Task-forca Anti-Korrupsion dhe Byroja Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Nga ana tjetër, u ngritën shqetësime rreth vonesave në zbatimin e reformave dhe në gjykata, si dhe sfidat e bashkëpunimit ndër-institucional.
Veçanërisht u theksua rëndësia e përmirësimit të komunikimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve kyçe të drejtësisë, për të arritur një sistem më efikas dhe transparent. Po ashtu, u diskutua për përpjekjet e Ministrisë për parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe fuqizimin e shërbimeve sociale, si dhe për rolin e Kosovës në bashkëpunimin juridik ndërkombëtar.
Delegatët patën mundësinë të shtronin pyetje rreth çështjeve të diskutuara, duke kontribuar me mendime dhe sugjerime për përmirësimin e mëtejshëm të politikave të drejtësisë dhe sfidave që duhet të adresohen në vazhdim.
Angazhimi për transformimin e sistemit të drejtësisë, me rezultate të shumta nga nisma të ndryshme, u vlerësua si shumë e suksesshme dhe një tregues i qartë i rrugës së drejtë drejt përmbushjes së plotë të reformave.
Implementimi i reformave të ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë kërkon përkushtim më afatgjatë, derisa ato të jenë plotësisht të etabluara në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës, për të cilat u theksua gjithashtu se mandati i ardhshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në qeverinë e re, do të jetë garantues për të.
Paneli i sotëm Politikat e Mbrojtjes dhe Sigurisë në Kosovë ngjalli një interesim të lartë te anëtarët e Këshillit dhe një diskutim të gjerë në rrjedhën e tij. Bashkëbiseduam për arritjet e rëndësishme të institucioneve të Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë si dhe masat e ndërmarra për forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë publike, me folës eksperten e sigurisë, shefen e kabinetit në MPB-së, Jeta Tela, ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.
Jeta Tela, eksperte e sigurisë dhe shefe e kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, theksoi progresin e jashtëzakonshëm të arritur në fushën e sigurisë publike në tërë Kosovën me theks në pjesën veriore. Një prej arritjeve të mëdha ajo tha se është largimi përfundimtar i targave të regjimit të Millosheviqit dhe zëvendësimi i tyre me targa të Republikës së Kosovës, që simbolizon një kapitull të ri në kontrollin dhe sovranitetin shtetëror. Fuqizimi i ushtrisë dhe policisë kanë sjellë rezultate të prekshme në sferën e sigurisë dhe mbrojtjes. Sot nuk kemi banda të organizuara dhe struktura të tjera kriminale, kemi qytete, fshatra dhe kufinj të sigurtë, tha Tela.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, vuri në dukje sinkronizimin e institucioneve të sigurisë përmes udhëheqjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që ka kontribuar në përmirësimin e situatës në veri të vendit. Maqedonci njoftoi për investimet e mëdha në armatim, me qeverinë që ka shpenzuar 238 milionë euro deri në vitin 2023 për blerjen e sistemeve të sofistikuara të armatimit, të realizuara përmes marrëveshjeve direkte me shtetet prodhuese. Ai theksoi përparimet në stërvitjet e përbashkëta me forcat partnere, si “Defender Europe 23”, dhe çertifikimin e një regjimenti për mbrojtjen e personelit. Ai kujtoi që deri më tash janë rekrutuar 1971 ushtarë të ri, në proces janë edhe 300 të tjerë dhe deri në fund do të dyfishohet numri me 2,271 ushtarë të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në lidhje me çështjen e ushqimit të ushtarëve të FSK, ministri Maqedonci kujtoi që prej vitit 2015 e deri në këtë vit furnizimi gjithmonë ka qenë përmes konceptit ekstrem emergjent, domethënë në ditën e fundit. Ai tha se ajo formë ka lënë gjithnjë hapësirë për keqpërdorim andaj është vlerësuar që të vazhdohet me konceptin e vetëqëndrueshmërisë që është përbrenda vizionit tonë për një ushtri të kompletuar pra që kujdeset për secilin aspekt edhe atë të sigurimit të ushqimit që i duhet.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndau arritjet në forcimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit, veçanërisht në pjesën veriore të vendit. Sveçla kujtoi se 17% e territorit të Kosovës në atë pjesë më parë ishte në një situatë të rëndë të sigurisë dhe se vetëm falë veprimeve të ndërmarra atje është rikthyer siguria. Në këtë periudhë, janë ngritur 9 nënstacione të reja për sigurinë kufitare dhe është siguruar infrastruktura e rrjetit të Valës dhe radiolidhjeve për Policinë e Kosovës. Në lidhje me ndërtimin e një stacioni policor Sveçla ndau një ngjarje interesante ku tregoi se si teksa po shikonin shpronësimin e perimetrit të sigurisë të stacionit policor kishin parë që si pronar figuronin Veselinoviqi, Berat Buzhala, Bujar Musa e Akan Ismajli. Ministri Sveçla një pjesë të prezantimit e ndau për betejën në Banjskë të cilën e quajti fitore të rëndësishme për sigurinë e vendit ku u parandalua aneksimi i territorit të Republikës. Ne kemi fituar në Banjskë për shkak të përgatitjeve të mëdha paraprake, tha ai, duke theksuar se shëmbëlltyra e asaj fitore është rënia e rreshterit Afrim Bunjaku. Ministri Sveçla po ashtu kujtoi përmirësimet tjera që kanë ardhë me kthimin e sigurisë dhe sovranitetit në pjesën veriore duke kujtuar që tash në pjesën veriore shpenzojmë 35% më pak energji, 35% energji pra që më parë vidhej. Të gjitha sukseset tona nuk janë arritur vetëm për shkak të vullnetit të policëve ose të ministrisë së brendshme por edhe për shkak të vendimit të Lëvizjes VETëVENDOSJE! që rendi dhe ligji, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, të jetë objektivi numër 1 i qeverisë Kurti, tha në fund ministri Sveçla.
Në panelin e sotëm me temë “Politikat Qeveritare për Gratë dhe Vajzat”, u diskutuan arritjet dhe planet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me fuqizimin e vajzave dhe grave përmes një qasjeje të integruar dhe gjithëpërfshirëse. Në panel morën pjesë: Sekretarja Organizative e GVV-së Agnesa Kastrati, ministri i Financave Hekuran Murati, ministrja e MASHT-it Arbërie Nagavci, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, dhe ministrja e Drejtësisë, Kryetarja e GVV-së, njëherazi Koordinatorja Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore Albulena Haxhiu. Këta panelistë ndanë masat dhe politikat konkrete të ndërmarra nga qeveria qendrore në drejtim të fuqizimit të grave në shoqëri.
Agnesa Kastrati, Sekretare e Organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!, njëherazi moderatore e panelit, theksoi rolin aktiv të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbështetjen dhe fuqizimin e grave në sferën publike. Ajo vuri në pah se më shumë se 60% e votës për VETËVENDOSJE!-n duke numëruar dy arsye kryesore për këtë. Së pari për shkak të angazhimit të vazhdueshëm të subjektit tonë në raport me vajzat dhe gratë dhe së dyti për shkak të programit politik me të cilin kemi kandiduar në zgjedhje, e i cili ka përmbajtë një paketë masash ekonomiko sociale që kanë qenë alternativë e duhur për vajzat dhe gratë në vendin tonë, vjen nga gratë, falë angazhimit të vazhdueshëm për fuqizimin e tyre përmes një pakete ekonomiko-sociale, e cila për herë të parë është dëgjuar në Kosovë. Kastrati theksoi se kjo pako ka përmbysur konceptin e kufizimit të grave në sferën private dhe i ka bërë ato pjesë të jetës publike, çka përkufizohet si një çështje fundamentale për barazinë gjinore.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, foli për politikat e qeverisë në mbështetje të fuqizimit ekonomik të grave, përfshirë ndihmën për punësimin e tyre përmes masave që kanë subvencionuar bizneset që punësojnë gratë. Murati nënvizoi se me qeverisjen tonë për herë të parë, rreth 150 milionë euro ndahet në vit për vajzat dhe gratë dhe për herë të parë 100 mijë gra kanë hapur llogari bankare. Qeveria ka siguruar gjithashtu bursa për studente vajza dhe ka ndërtuar platformën “Superpuna” për të rinjtë, ku mbi 50% e të punësuarve janë gra. Gjithashtu, u është dhënë prioritet ndërtimit të çerdheve të reja dhe masave për mbështetjen e fëmijëve dhe nënave lehona.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arberie Nagavci, theksoi përpjekjet e qeverisë për përfshirjen e vajzave në arsim dhe programe STEM. Falë bursave të ofruara për vajza në STEM, numri i vajzave në këto programe është rritur për 50%, duke kaluar madje numrin e vajzave që studiojnë këto fusha edhe në vende brenda Bashkimit Evropian. Ajo theksoi se përveç mbështetjes në arsim të lartë, janë ndarë bursa për vajza në shkolla profesionale, duke promovuar përfshirjen e tyre në fusha ku tradicionalisht janë angazhuar djemtë dhe burrat.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, prezantoi politikat shëndetësore që kanë përmirësuar dhe shtuar shërbimet për gratë. Ndër masat ai përmendi mamografinë dhe rikonstruktimin e gjirit falas, amniocentezës që tash bëhet në institucione publike falas, ndërhyrjet në onkologji dhe gjinekologji, si dhe vaksinën HPV që parandalon deri në 95% kancerin e qafës së mitrës, e që tashmë është në kalendarin e përditësuar të vaksinimit publik. Ministri Vitia njoftoi gjithashtu për fillimin e ndërtimit të një klinike të re gjinekologjike që do të jetë klinika më e dallueshme në rajon dhe më gjerë.
Ministrja e Drejtësisë, Kryetarja e Gratë për VETËVENDOSJE!, njëherazi Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore Albulena Haxhiu foli për angazhimet institucionale në mbrojtjen e grave nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore. Secili ministër në qeverinë Kurti e ka pasë parasysh që duhet të bëjë më shumë për gratë, kjo ka lehtësuar shumë punën dhe nuk e kam pasë aspak të vështirë adresimin e politikave që prekin vajzat dhe gratë tha ministrja Haxhiu. Strategjia Kombëtare kundër Dhunës në Familje është zbatuar ose në zbatim e sipër për mbi 80%, dhe janë miratuar protokolle të reja për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale. Janë ofruar shërbime juridike falas për viktimat dhe janë ngritur zyrat mobile të ndihmës juridike në të gjithë Kosovën. Ministrja Haxhiu gjithashtu theksoi masat për të ndaluar martesat e hershme, si dhe masat për punësimin e viktimave të dhunës.
Ky panel tregon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të krijuar politika gjithëpërfshirëse dhe progresive që fuqizojnë vajzat dhe gratë, duke e bërë çështjen e barazisë gjinore thelbësore për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, zv. ministrja, Dafina Gexha, deputetja Fatmire Kollçaku, deputeti Mirsad Shkreta, si dhe këshilltari i kryeministrit, Jusuf Ulaj ishin pjesë e panelit të sotëm të shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e filloi diskutimin duke treguar se Lëvizja për mbi një dekadë ka hartuar qëndrime, analiza e programe për çdo sektor të shëndetësisë dhe se politikat publike për shëndetësinë për herë të parë kanë zënë vend qendror. Në politika e shprehura në legjislacion kemi pasur synim ligjin për shëndetësinë, ligjin për çmimin e barnave, ligjin për sigurimet shëndetësore, ligji për produktet dhe pajisjet medicinale. Ministri, po ashtu përmendi edhe sukseset e qeverisë në aspektin shëndetësor, si menaxhimi i pandemisë me sigurimin e vaksinave ku në mars 2021 nuk kishte asnjë vaksinë, ndërsa në fund të po atij viti arritëm që të vaksinonim mbi 60% të popullatës. Pas pandemisë kemi pasur ndërhyrje direkte në infrastrukturën rrënjësore të klinikave të spitaleve. Rritjen e pagave më substanciale në historinë e sistemit tonë. Një sukses tjetër është edhe shtimi i buxhetit, kemi premtuar t’i shtojmë 40 milionë euro për katër vite, por arritëm ta bëjmë atë brenda 3 viteve.
Zëvendësministrja, Dafina Gexha tha se efektet në mbrojtjen e shëndetit publik të këtyre investimeve që po bëhen, nuk janë vetëm sot për sot, ato do të ndjehen edhe pas 10-20 viteve. Gexha, po ashtu tha se Kosova pas suksesit të vaksinimit, që siguruam 500 mijë vaksina për më pak se një vit, sot Kosova ftohet për të dhënë shembull sesi zgjerohet gama e programit të vaksinimit. Zëvendësministrja përmendi edhe investimet në laboratoret mikrobiologjike, ajo tha se këto investime janë bërë me shumë sfida por janë përafrime me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Deputeti, Mirsad Shkreta solli në vëmendje klasën politike me të cilën jemi përballur. Shëndetësia nuk ka qenë prioritet. Ai tha se ne nuk po krahasohemi më me qeveritë paraprake, por me synimet që i kemi ne. Gjithashtu, Shkreta foli edhe për rritjen e buxhetit për shëndetësinë dhe llojet e barnave e pajisjeve që iu shtuan listës së blerjeve.
Jusuf Ulaj, këshilltar i kryeministrit Kurti, tha se kritikat që na bënë opozita, janë larg më të dobëta se kritikat që ia bëjmë vetvetes. Ai tha se ne jemi tepër kritik ndaj vetës sepse ne kemi plane dhe aspirata dhe se për herë të parë kemi qeveri plotësisht demokratike. Ulaj theksoi se nuk ka më lista që shkojnë nga zyra e kryeministrit tek drejtuesit e spitaleve për punësime, nuk ka më asnjë interferim në tendera nga asnjë nivel politik në shëndetësi, nuk ka asnjë punësim nepotist.
Ndërsa deputetja, Fatmire Kollçaku foli për ligjet në Komisionin e Shëndetësisë, ajo tha se si komision, kemi punuar krahas me qeverinë për të mbështetur programin tonë. Deputetja foli edhe për gjendjen se si e kemi trashëguar shëndetësinë dhe se duhen ndryshime rrënjësore. Kollçaku tha se politikat nga qeveria jonë janë të gjitha në shërbim të shëndetit. Prej masave të eficiencës së energjisë deri tek kontrolli i ushqimit, subvencionimi i fermerëve, tek mbrojtja e mjedisit janë të gjitha në mbrojtje të shëndetit.
Ditën e dytë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e filluam me panelin për Arsim, Rini dhe Kulturë ku folës ishin ministrja e Arsimin, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nënkryetarja e Lëvizjes, Mrika Limani Myrtaj, Mytaher Haskuka, anëtar i kryesisë së Lëvizjes, Taulant Kelmendi, zv. ministër në Ministrinë e Arsimit, Daulina Osmani, zv. ministre në Ministrinë e Kulturës, si dhe Nora Arapi, Këshilltare në Ministrinë e Kulturës.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci foli për reformat që janë kryer në fushën e arsimit gjatë qeverisjes sonë, rishikimin e teksteve shkollore, ndryshimet në edukimin e hershëm, atë parauniversitar dhe universitar, po ashtu edhe ndryshimet në shkencë ku për herë të parë e kemi programin e shkencës. Gjithashtu ministrja përmendi edhe sfidat me të cilat janë përballur me komunat për hapjen e çerdheve të reja, dhe se pavarësisht sfidave puna po vazhdon. Diçka e re që erdhi bashkë me qeverinë tonë ishte edhe Mësimi Dual në shkolla, ku sot i kemi 12 profile me 1500 nxënës. Një arritje e rëndësishme ishte edhe pavarësia e Këshillit Shtetëror të Cilësisë që po rikthehet si anëtare e asociaur në ENQA. Ndarja e 3000 bursave për vajzat që studiojnë shkencën dhe mbi 10.000 studentë që kanë marrë mbështetje nga qeveria nga programe të shumta të bursave që jep Ministria e Arsimit.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli për sukseset e qeverisë në fushën e kulturës brenda mandatit tonë, ku ka nisur hartimi i masterplanit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, restaurimin e 100 monumenteve të kulturës, gjë që nuk është bërë brenda 20 viteve të kaluara. Ai theksoi mbështetjen me mbi 9 milionë euro për projektet kulturore, po ashtu Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 ku Kosova pret 5000 sportistë, dhe infrastruktura sportive që ka të buxhetuar mbi 200 milionë. Gjithashtu ministri Çeku tregoi se janë duke u bërë gati për ndërtimin e stadiumit nacional dhe janë duke studiuar vendin, por me shumë siguri që hapja e lojrave mesdhetare do të jetë në atë stadium. Tutje, ai foli edhe për artin në shkolla ku së bashku me Ministrinë e Arsimit duan që fëmijët tanë të kalojnë më shumë kohë me art e sport.
Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi përmendi sfidat me të cilat është përballur ministria si dhe procesin e digjitalizimit të sistemit arsimor. Kelmendi tha se pavarësisht se ministria edhe në emrin e saj e ka teknologjinë ajo asnjëherë as që ka planifikuar të merret me teknologji. Ai tregoi se e kanë dërguar në prokurorinë speciale kontratën që kurrë nuk u realizua për digjitalizimin dhe pavarësisht letargjisë së Prokurorisë Speciale për ta trajtuar ne po vazhdojmë punën. Pavarësisht sfidave, Kelmendi përmendi edhe disa prej sukseseve që janë bërë, si shtrirjen e rrjetit brezgjerë në 250 shkolla, digjitalizimin e licencimit të mësimdhënësve dhe vendosja e lëndës së kodimit në shkollat tona.
Daulina Osmani, zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës, theksoi disa prej proceseve në reformën sportive, ku fillimisht kanë punuar në masat e menjëhershme dhe janë përgatitur për politikat afatgjata. Ajo tha se sot në Kosovë nuk ka federatë sportive që nuk e njeh shteti e që nuk ka qasje në fondet publike, gjë që më herët ministria nuk ka pasur as informacion e aq më pak proces të licencimit. Osmani përmendi edhe subvencionimin me mbi 12 milionë euro për federatat sportive, mbështetjet e talenteve në sport duke ndarë 4 milionë euro për programin Supersportistët, hartimin e programit “Kosova shtet i Xhudos’ dhe lidhjen midis sportit, shkollave dhe shëndetit.
Mytaher Haskuka, anëtar i kryesisë së Lëvizjes, foli për reformat që janë bërë në aspektin legjislativ dhe bazamentin për zhvillim në të ardhmen. Ai tha se në arsim nuk mund të shihen menjëherë ndryshimet por nëse bëhet një analizë e përgjithshme, Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës kanë bërë një punë shumë të madhe dhe se janë paraprijëse të zhvillimit ekonomik.
Strategjia për Rininë nga Ministria e Kulturës është një bazament për punë të mirë, arsimi publik falas, bursat, statuti i ri i Universitetit të Prishtinës e shumë punë që janë bërë.
Këshilltarja e Ministrisë së Kulturës, Nora Arapi, fokus të veçantë i dha trashëgimisë. Ajo tha se për trashëgiminë kanë nisur menjëherë ndërhyrjet emergjente dhe kanë filluar me restaurimet ku të përfunduara tashmë janë 100 objekte, ndërsa në proces janë edhe 50 të tjera. Gjithashtu tha se po merren edhe me rrjetëzimin e qytetit të Janjevës. Për kryeqytetin tha se kemi hartuar planin e konservimit për qendrën historike. Po ashtu, projekti i Ulpianës që ka nisur në 2022 dhe Ulpiana bashkë me lokalitetin në Dresnik janë prona tashmë shtetërore dhe nuk ka rrezik të ndonjë dëmtimi.
PANELI PËR INFRASTRUKTURË: RUAJTJA E MJEDISIT DHE INFRASTRUKTURË E QËNDRUESHME
Infrastruktura e qëndrueshme që lidh dhe zhvillon vendin tonë duke ruajtur mjedisin në të njëjtën kohë ishte në qendër të diskutimit në panelin për infrastrukturë, ku morën pjesë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dy zëvendësministrat e tij, Hysen Durmishi dhe Jeton Raka, kryetarja e Komisionit për Mjedis në Kuvend, Fitore Pacolli, shefi i kabinetit të MPHI-së, Valon Hoti, dhe këshilltari i jashtëm për energji të ripërtëritshme, Agim Mazreku.
Ministri Liburn Aliu theksoi rëndësinë e sinkronizimit të zhvillimit ekonomik midis Kosovës dhe Shqipërisë përmes investimeve në infrastrukturë që krijojnë lidhje të qëndrueshme. Projektet kryesore përfshijnë ndërtimin e rrugëve si Prizren-Tetovë dhe Deçan-Plavë, hapjen e korridoreve ajrore me Shqipërinë dhe përpjekjet për lidhje me Malin e Zi. Ai përmendi gjithashtu prioritetin për ndërtimin e rezervuarëve për sigurimin e ujit dhe menaxhimin e vërshimeve për mbrojtjen e jetës dhe ekonomive të familjeve. Një arritje të rëndësishme ai tha se është fillimi i projektit për banim të përballueshëm ku deri më tani 13 komuna kanë nënshkruar me ministrinë, dhe në 5 prej këtyre komunave tash do të hapet tenderi për ndërtim.
Zv. ministri Hysen Durmishi theksoi sfidat me të cilat është përballur ministria, përfshirë 182 milionë euro borxhe për shpronësimet dhe identifikimin e 12 rrugëve të ndërtuara pa u bërë shpronësime. Ai përmendi luftimin e krimit dhe korrupsionit në sektorin e patentë-shoferëve dhe digjitalizimin e këtij sektori. Për herë të parë pas shumë vitesh, rrugët rajonale janë përmirësuar dhe lidhjet mes fshatrave të Kosovës dhe Shqipërisë janë realizuar.
Deputetja Fitore Pacolli foli për ndryshimet ligjore në të mirë të mjedisit, përfshirë ligjin për mbeturinat, ku janë dyfishuar dënimet për ndotësit dhe është ndaluar përdorimi i materialeve plastike që nuk shpërbëhen lehtë në natyrë. Ligji i ri për pyjet i kalon përgjegjësitë e mbrojtjes dhe shfrytëzimit të pyjeve nga komunat tek agjencitë e pyjeve. Ajo theksoi edhe bashkëpunimin me qytetarët për ndalimin e gurthyesve dhe heqjen e homologimit për automjetet.
Zv. ministri Jeton Raka përmendi se janë gjetur 2800 deponi ilegale dhe është themeluar Task Forca e Gjelbër, e cila ka larguar këto deponi dhe ka sekuestruar mjetet e përdorura në mënyrë të jashtëligjshme për dëmtimin e natyrës. Investimet në përmirësimin e infrastrukturës për transportin hekurudhor dhe rehabilitimin e rrugëve janë prioritet.
Shefi i kabinetit, Valon Hoti, vuri në dukje sulmet që i bëhen ministrisë nga ata që për 20 vite nuk i përfunduan projektet që ne për një mandat i realizuam. Si referencë ai përmendi rrugët Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë dhe rrugën Prishtinë-Pejë, të cilat nuk u përfunduan për 20 vjet, e tash po përfundohen brenda këtij mandati. Ai kujtoi gjithashtu se si ata që na akuzojnë se kemi falur borxhe janë ata që kanë falur më së shumti borxhe në mënyrë të jashtëligjshme; vetëm kompanitë e ujit, për (2006-2020) u paguan 39 mijë euro për ambalazhim, ndërsa me qeverisjen aktuale (2020-2024) janë paguar 437 mijë euro. Hoti po ashtu kujtoi akuzat për monopole nga ata që tashmë kanë humbur monopolet dhe terminalet doganore.
Këshilltari i jashtëm i ministrisë së mjedisit, Agim Mazreku, theksoi se tashmë të gjitha stacionet monitorojnë dhe paralajmërojnë për rrezikun e vërshimeve në kohë reale, duke siguruar mbrojtje më të mirë për qytetarët. Ai theksoi se 50% e prioriteteve janë fokusuar në menaxhimin e ujit, një politikë largpamëse dhe e bazuar në shkencë.
Politika dhe masa si këto tregojnë angazhimin tonë për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të mjedisit për të gjithë qytetarët e Kosovës!
PANELI PËR EKONOMI: ZHVILLIMI I VENDIT ME MASA TË GUXIMSHME!
Sot në kuadër të Mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në pjesën e dytë, u mbajt paneli për ekonomi ku me pjesëmarrjen e zv. kryeministrit Besnik Bislimi, ministrit të Financave Hekuran Murati, ministres së Zhvillimit Ekonomik Artane Rizvanolli, ministres së Tregtisë dhe Industrisë Rozeta Hajdari dhe deputetit Armend Muja, u zhvillua një diskutim i rëndësishëm mbi ekonominë në vendin tonë.
Ministri i Financave Hekuran Murati përmendi përpjekjet për të formalizuar punësimin, duke siguruar më shumë të drejta për punëtorët dhe duke paguar borxhet e mëdha ndaj sipërmarrjeve. Gjithashtu, përmendi mbështetjen për zhvillimin ekonomik përmes subvencionimit të kredive dhe aksesit në financa, si dhe projekteve që nxisin punësimin afatgjatë dhe kërkesën agregate.75 mijë vende të reja pune i krijoi kjo qeveri, shumica prej të cilëve gra dhe të rinj, pra kategori që kanë qenë të nënpërfaqësuar më parë në tregun e punës, tha Murati.
Mnistri i Bujqësisë Faton Peci, foli për ndryshimin rrënjësor në bujqësi, me një rritje prej 27% të aktivitetit bujqësor në kushte të vështira globale. Ai theksoi mbështetjen totale prej 300 milionë eurosh nga qeveria dhe përfitimet e rritura për fermerët, duke përfshirë edhe përfaqësimin gjinor me grante prej 7.2 milionë euro për gratë fermere. Për herë të parë, kemi miratuar 30 ligje për bujqësinë dhe kemi arritur marrëveshje ndërkombëtare në këtë fushë.
Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli theksoi rëndësinë e skemës së subvencionimit të pajisjeve të ngrohjes dhe izolimit të shtëpive, ku deri në fund të vitit do të mbështeten 42 mijë familje. Gjithsej, 50 mijë familje kanë përfituar nga masat e eficiencës, duke ndikuar pozitivisht në kursimin e energjisë dhe cilësinë e jetesës. Qeveria është e fokusuar në forcimin e pavarësisë energjetike përmes prodhimit të energjisë së ripërtëritshme dhe nga thëngjilli.
Rozeta Hajdari, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, foli për progresin e bërë në krijimin e politikave sektoriale dhe ligjeve për të bërit biznes të drejtë, të adaptueshëm dhe konkurrues dhe për investime të përgjegjshme dhe të qëndrueshme. Nga viti 2021 deri në shtator të 2024, janë regjistruar 40,349 biznese të reja në Kosovë, ku llojet kryesore janë sh.p.k. dhe biznese individuale. Ajo nënvizoi angazhimin për të shpalosur potencialin e industrisë prodhuese dhe përdorimin e burimeve tona natyrore e njerëzore për zhvillimin tonë. Ajo përmendi shtatë sektorë industrial prodhues dhe përpunues, të cilët kanë potencial të madh të pashpalosur e që mund të kontribuuojnë në zhvillim e punësim: industria e drurit, metalike dhe jo metalike, e tekstilit, e pijeve dhe ushqimeve, si dhe industria kimike dhe industria plastike. Me rritjen e mbështetjes për biznese, eksportet dhe investimet e jashtme janë dyfishuar.
Armend Muja, kryetari i Komisionit për Buxhet, kujtoi se si deri vonë mbi 400 milionë euro janë shpenzuar pë energjinë e konsumuar në pjesën veriore të Republikës. Ne e kemi ndalë atë. Muja kujtoi po ashtu themelimin e bllok tarifës që ndërpret padrejtësinë në inkasimin e faturave të energjisë. Tutje, ai foli edhe për keqpërdorimet me prona shtetërore dhe me burime natyrore që kanë bërë më parë politikanët në bashkëpunim me oligarkët – keqpërdorimet me toka, me ujë dhe me taksa mbi miniera, të gjitha këto u ndalën me qeverisjen tonë, theksoi Muja.
Zv. Kryeministri Besnik Bislimi nënvizoi krijimin e politikave të ambientit për të bërë biznes në vend dhe vendosjen e rregullave në tregun e naftës. Ai theksoi se përfituesit e ndryshimeve janë shumë grupe shoqërore dhe çdo familje në vend, ndërsa humbësit janë të koncentruar në grupet e mëparshme të pushtetit.
Këto masa dhe politika të qeverisjes tregojnë angazhimin tonë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët!
Sot, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, aty ku për disa legjislatura Ali Lajçi shërbeu si deputet, e në legjislaturën e fundit të tij edhe si deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryeministri i Republikës, njëherazi Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministra, deputetë dhe aktivistë, bënë sot homazhe në kujtim dhe nderim të Ali Lajçit, anëtarit tonë, këtij veprimtari patriotik që për shumë vite i shërbeu idealeve të kombit tonë.
Ali Lajçi u lind me 3 janar të vitit 1955 në fshatin Malaj të Rugovës. Ai qysh prej rinisë së hershme është angazhuar politikisht duke qenë edhe një prej emrave që organizuan demonstratat studentore e popullore të vitit 1981, për çka ai u dënua nga regjimi i Jugosllavisë me 15 vite burgim. Ali Lajçi u lirua nga burgu në vitin 1991, por u arrestua sërish me 1993 për ripërfshirjen e tij në organizime të rezistencës së armatosur. Pas luftës në Kosovë, Ali Lajçi ishte Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 – 2007. Pas kësaj ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës në disa legjislatura, ku ishte edhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.
Ali Lajçi ka qenë anëtar dhe deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës.
Ali Lajçi do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij të pandalshëm politik si nga ne që e njohëm dhe punuam me të, ashtu edhe nga historia moderne e Kosovës.
Ngushëllime familjes Lajçi, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të Ali Lajçit për vdekjen e tij!
Librat shkollor nuk janë më çështje biznesi si dikur, sepse ky nuk është qëllimi i librave shkollor
Si në vitin e kaluar, edhe sivjet fëmijët janë pajisur dhe do të pajisen me tekste shkollore. Dallimi i vetëm në këtë mes qëndron se ky proces po bëhet pa ndërmjetësim të grupeve të interesit, e pikërisht këtu është halli i vërtetë i opozitës.
Deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Arjeta Fejza dhe Armend Muja mbajtën sot një konferencë për media ku folën për subvencionimin e teksteve shkollore nga Qeveria e Kosovës.
Deputetja Arjeta Fejza tha se arsyet pse qeveria ka ndërmarrë një vendim të tillë qëndron në faktin se ndër vite procesi i furnizimit me tekste shkollore është përcjellë me probleme dhe vështirësi, gjetje këto jo vetëm të adresuara publikisht por tashmë edhe në komisionin hetimor për tekste shkollore.
“Keqplanifikim, vonim i furnizimit, abuzim me çmime të larta, stoqe të grumbulluara me libra nëpër bodrumet e shkollave janë disa nga problemet që e kanë shoqëruar këtë proces, prandaj ky vendim ka ardhur si rezultat i nevojës për të shmangur abuzimet, keq menaxhimet, mungesën e planifikimeve të qëndrueshme”, tha deputetja Arjeta Fejza.
Ndërsa deputeti Armend Muja tha se ekziston një insistim i vazhdueshëm nga opozita që të gënjejë me shifrat e shpenzimeve për tekstet shkollore.
“Në rast se të dhënat merren zyrtarisht nga thesari, dhe thuhet se në vitin 2023 janë shpenzuar 5.7 milionë euro për tekstet shkollore, cili është insistimi që vazhdimisht të thuhet se po shpenzohen 11 milionë apo 20 milionë. Të dhënat nga thesari i shtetit e që janë të dhëna zyrtare, thonë se janë shpenzuar 5.7 milionë euro për tekste që krahas vitit 2017 është shifra më e ulët që është shpenzuar ndonjëherë në Republikën e Kosovës”, tha deputeti Armend Muja.
Zvarritja për 7 vjet, 6 muaj e 17 ditë në prokurori!
Kronologjia e rastit të Astrit Deharit
Zvarritja për 7 vjet, 6 muaj e 17 ditë në prokurori!
Sulmi mbi Kuvendin dhe arrestimi i aktivistëve të LVV
Më 4 gusht 2016, ndodh sulmi me predhë në ndërtesën e Kuvendit.
Ky ishte inskenimi i sulmit të armatosur mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, duke fshehur autorët e vërtetë dhe fajësimi i LVV, me qëllime të caktuara politike.
Prej datës 5 gusht 2016 deri më 25 gusht, sipas policisë së Kosovës janë hetuar 4 persona krejtësisht të tjerë.
Më 29 gusht 2016 arrestohet Astrit Dehari bashkë me 5 aktiviste/ë të LVV (Adea Batusha, Astrit Dehari, Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Petrit Ademi) për këtë sulm.
Ky arrestim ndodhi për të parandaluar dhe penguar protestën e opozitës më 1 shtator 2016, para parlamentit të Kosovës kundër demarkacionit.
Me urdhër politik nga maja e shtetit të involvuar ishin AKI, Policia, prokuroria dhe gjykata, prokurori Abdurrahim Islami para pensionimit kërkon arrestimin e aktivistëve, ndërsa urdhrin e lëshon gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, po ashtu pak para pensionimit.
Pak kohë pas arrestimit prokurori A. Islami dhe gjykatësi V. Kashtanjeva pensionohen. Sot punojnë si avokatë në Ferizaj.
Vrasja e Astritit
Më 5 nëntor 2016 vdes aktivisti Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Shpejtësia e deklarimeve të zyrtarëve, deklarime kontradiktore nga Prokuroria e Shtetit, Shërbimi Korrektues, Policia e Kosovës dhe, në fund nga vetë Ministrja e Drejtësisë, kishin për qëllim fshehjen e rastit dhe hutimin e publikut.
Rol negativ, dezinformues kishin disa media në rastin Dehari, me spekulime, dezinformata, shpifje etj, sidomos nxjerrja e incizimeve të manipuluara nga Expressi dhe Klan TV, pa autorizim. RTK mbulonte në atë kohë propagandën kundër LVV dhe arsyetonte arrestimin.
Rasti i hetimit të vdekjes së Astrit Deharit iu ngarkua prokurorit Metush Biraj, i cili ishte vetëm vegël e krimit të organizuar në prokurori që duhej të zbatonte urdhrat politikë nga lartë. Sot i pensionuar punon si avokat në Prizren.
Pas vetëm 13 ditëve, ende pa filluar hetimet, Kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha deklaron rrejshëm për vetëvrasje. Kyçja e jashtëligjshme e Kryeprokurorit S. Hoxha në rastin Dehari. Prokurori i rastit, Metush Biraj, i cili faktikisht veç nënshkrimit të dokumenteve, formalisht përjashtohet nga rasti.
Veç 3 vjet më vonë, S. Hoxha, për shërbime të veçanta ndaj klikës vrastare, kundër LVV, është ngritur në prokuror special. Prokuror special një vrasës!
Pas pensionimit, për merita të veçanta Sylë Hoxha shpërblehet nga LDK me kandidaturë për deputet. Pas dështimit të kandidaturës për deputet, sot punon si avokat në Prizren.
20 dhjetor 2016 – Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, i ka dërguar letër kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, përmes së cilës ajo kërkon të kryhen hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare inicion ndjekje ndërkombëtare ndaj avokatit Tomë Gashi dhe ndaj ekspertit të mjekësisë ligjore Besim Ymaj dhe patologut Besim Latifaj, të cilët kanë marrë pjesë në obduksionin e trupit të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.
Sot, pas zbatimit të urdhrave të shefave, është pensionuar nga partia e vet PDK dhe është zhdukur nga skena publike.
7 muaj më vonë, më 3 prill 2017, vdekja e dyshimtë në burgun e Lipjanit e dëshmitarit Naser Makolli.
Në ndërkohë, një tjetër bashkëvuajtës është zhdukur pas lirimit misterioz nga burgu, kurse bashkëvuajtësi i fundit është falur nga Presidenti i Kosovës.
Kërkesa për hetime ndërkombëtare
Pas kërkesës së familjes dhe avokatit të familjes, më 24 Janar 2018 në media lansohet informata se: „Zyrtarë për media të Prokurorisë kanë konfirmuar për KTV-në se Prokuroria është duke i përgatitur të gjitha dokumentet e nevojshme për t’i dërguar për super ekspertizë në shtetin e Zvicrës, ashtu siç ka kërkuar familja Dehari.”
Për këtë nuk janë informuar as familja dhe as Avokati i familjes në lidhje me këto veprime të prokurorisë.
As Familja dhe as Avokati nuk kanë kërkuar super/ekspertizë, apo auditim të dokumenteve të mbledhura të prokurorisë dhe institucioneve tjera në Zvicër. Familja ka kërkuar hetim të plotë të pavarur të rastit të Astritit, në Kosovë dhe atë përfshirë zhvarrosjen e trupit të Astritit. Kjo ishte/është kërkesa e Familjes.
Gjykimi, dënimi dhe lirimi përfundimtar i aktivistëve
Më 19 Nëntor 2017, vetëm 2 ditë para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve komunale, GJTHP në Prishtinë, dënon aktivistët e LVV me mbi 21 vjet dënim me burg, pa asnjë provë materiale që do të mund të përdorej si dëshmi kundër aktivistëve tanë.
Në Mars 2018, me vendimin e Gjykatës së Apelit rast kthehet në rigjykim! Pas mbi 2 vjet heshtje totale, në GJTHP në Prishtinë rifillon rigjykimi i rastit të aktivistëve të LVV në liruar në Mars 2018 nga gjykata e Apelit.
Pas dështimit total të pushtetit për rastin « terrorist » të sulmit të Kuvendit, pushtetmbajtësit e kriminalizuar, kryesisht të PDK, të ndihmuar edhe nga ata të LDK, shpikën rastin tjetër „terrorist“, të ashtuquajtur „Syri i Popullit“, me përpjekjen për shpalljen e LVV si organizatë terroriste, tani me akuza të drejtpërdrejta kundër Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, me dëshmitarë kyç Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dhe eksponentë tjerë nga PDK-SHIK-u kriminal.
Një fakt është qartësuar tanimë: gjithçka vërteton pafajësinë e aktivistëve të LVV. Këtë e ka dëshmuar edhe rigjykimi i rastit më 15 shkurt 2023 i GJTHP me aktgjykimin lirues, dhe përfundimisht me aktgjykimin fuqiplotë e ka vërtetuar Gjykata e Apelit më 31 tetor 2023.
Pra, Astrit Dehari dhe aktivistët e LVV janë arrestuar e burgosur krejtësisht dhe plotësisht të pafajshëm. Astrit Dehari i pafajshëm vritet në Qendrën e Paraburgimit në Prizren pa u marrë asnjëherë në pyetje zyrtarisht nga gjykata për 78 ditë.
Joligjërisht dhe joformalisht, Astrit Dehari është marrë në pyetje disa dhjetëra herë nga policia hetuese, natën, me urdhrin e prokurorisë dhe të gjykatës, pa e regjistruar këtë krim në mënyrë ligjore.
Prokuroria Speciale dhe rasti Dehari
Pas vonesave disamujore, diku rreth mesit të verës 2019, Prokuroria e Kosovës i dërgon dokumentet dhe dëshmitë e dëmtuara, jokomplete, madje edhe me zarfe të zbrazët, të përgatitura në mënyrë krejtësisht joprofesionale, në Institutin e Lozanës për ekspertizë.
Për shkak të dështimeve dhe zvarritjeve të motivuara politikisht dhe me qëllime kriminale nga Prokuroria e Prizrenit në procedurën e hetimore, më 30 tetor 2019, Kryeprokurori i shtetit e kalon rastin në Prokurorinë Speciale të Kosovës, në kompetencë të prokurorit speciale Afrim Shefkiu.
Më 21 Tetor 2020, avokati i familjes njoftohet nga prokurori special Afrim Shefkiu se me datën 9 Tetor 2020 është kryer Rekonstruimi i vendit dhe i ngjarjes në Qendrën e Paraburgimit në Prizren pa pjesëmarrjen e avokatit të familjes dhe pa praninë e ekspertëve zviceranë nga Lozana. Kjo është shprehje e qartë e përpjekjes për të manipuluar me provat dhe dëshmitë.
Prokurori i rastit Afrim Shefkiu kurrë nuk ka kërkuar hetim ndërkombëtar dhe të pavarur për të vërtetuar vrasjen e Astrit Deharit. Për më keq, ky prokuror nuk ka nxjerr kurrë̈ asnjë vendim për hetimin e vrasjes së Astrit Deharit, për hetimin e vrasësve-shtytesve në vrasje dhe për hetimin penal të atyre që deri më tani e kanë fshehur këtë rast.
Ky prokuror, në vend që të kryej punën e tij zyrtare pas ardhjes së ekspertizës shtesë nga Zvicra me të cilin u konstatua manipulimi i provave, kishte filluar një luftë mediale kundër vetë rastit që duhej ta zgjidhte. Puna kryesore që bëri për hetime është, që përshkak të një postimi në Facebook të Ministres së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, kishte kërkuar nga Policia e Kosovës që ajo të merrej në pyetje si dëshmitare për të ofruar informata se kush e vrau Astrit Deharin, duke e harruar punën e vet.
Deri në ditën e sotme, rasti Dehari zvarritet vetëm në prokurori me përpjekje për manipulim tani 7 vjet, 6 muaj e 17 ditë, nga to 3 vjet, 9 muaj e 12 ditë në sirtarin e prokurorit special Afrim Shefkiu, i cili pensionohet pas 2 ditësh.
Strategjia e prokurorisë së shtetit të Kosovës është e qartë: zvarritje e qëllimshme e rastit, bartje e rastit në kompetencë të prokurorëve parapensionistë, që dorëzojnë stafetën e krimit tek prokurori i ardhshëm parapensionistë, për zvarritje deri në harresë dhe deri në absurd.
SHQIPËRIA qan HOMERËT, është titulli i librit me poezi për Arbënor e Astrit Deharin, që u promovua sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Ky libër me poezi të shkruara për Arbënor e Astrit Deharin ka disa autorë, që janë përmbledhur e redaktuar nga Rushit Ramabaja dhe Nebih Bunjaku, për t’u botuar nga Shtëpia Botuese dhe Shtypshkronja Lena Graphic.
Ngjarjen e moderoi aktorja Vlora Merovci, e cila bashkë me aktorin Afrim Muçaj, dhe aktivisten e Lëvizjes, regjisoren e teatrit, Shkurtë Aliu, nën tingujt e violinçelos së Gresa Broqit, i lexuan disa prej poezive për të pranishmit në këtë promovim.
Autorët e kësaj përmbledhje me poezi, Rushit Ramabaja dhe Nebih Bunjaku e mbajtën nga një fjalë prezantuese për punën që kanë bërë. Pas tyre, një fjalë rasti e mbajti edhe babai i Arbënorit dhe Astritit, shkrimtari, deputeti, Avni Dehari.
Të pranishëm ishin përplotë aktivistë, shokë dhe shoqe të Arbënorit dhe Astritit, familjarë, anëtarë të kryesisë nga Lëvizja, deputetë, ministra, zëvendësministra, nga qeveria e Kosovës.
Arbënor e Astrit Dehari janë dy vëllezërit tanë, dy aktivistët tanë, dy heronjtë që me dijen dhe guximin e tyre shënojnë luftën e popullit tonë për drejtësi, barazi dhe të vërtetën.
I përjetshëm do të jetë kujtimi dhe nderimi për Arbënor dhe Astrit Deharin.
Dita e pestë e Javës së Lëvizjes, Dita e GVV-s, filloi me tubim në qytetin e Podujevës. Një tubim madhështor që tregon përkrahjen dhe besimin e madh të grave dhe vajzave që kanë për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe për Qeverinë. Asnjë qeveri nuk ka bërë as përafërsisht sa Qeveria jonë për gratë!
Gratë në Lëvizje janë shembulli më i ndritur i përkushtimit dhe vendosmërisë për ta ndryshuar shoqërinë. Vështirësive dhe sfidave që përjetuan gratë e përfshira në politikë për dekada me radhë, ato ia kundërvunë një model frymëzues të angazhimit dhe pjesëmarrjes aktive në zhvillimin e vendit. Duke sfiduar stereotipet dhe paragjykimet, ato me guxim shtruan rrugën kah drejtësia dhe barazia. Duke mos u ndalur së angazhuari ato na drejtuan kah fitoret tona duke na bërë subjektin politik më të madh që qeverisë me vendin. Gratë e Lëvizjes janë frymëzim për të gjithë shoqërinë.
Ujmani është një pasuri kombëtare dhe ka një rëndësi të veçantë për qytetarët e Kosovës. Ky liqe i bukur dhe i pasur ka qenë i vështirë për t’u vizituar në të kaluarën për shkak të situatës së paqëndrueshme dhe pranisë së bandave kriminale nga shteti fqinj, të cilët kishin ndërtuar vilat e tyre luksoze në atë zonë. Me qeverisjen e tanishme dhe luftimin e suksesshëm të këtyre bandave, tash është bërë e mundur që qytetarët e Kosovës të vizitojnë lirshëm liqenin.
Sot, Rinia për VETËVENDOSJE! qendra e Vushtrrisë, Mitrovicës dhe Besianës, bashkë me ministra e deputetë organizuan një vizitë të përbashkët në Liqenin e Ujmanit. Kjo vizitë u realizua në kuadër të ditës së RVV brenda Javës së Lëvizjes. Të rinjtë morën pjesë në aktivitete të ndryshme gjatë ditës, duke shijuar bukuritë natyrore të liqenit dhe duke treguar përkushtimin e tyre për ruajtjen e resurseve natyrore.
Ne e kuptojmë se resurset tona natyrore nuk i përkasin vetëm një brezi, por janë një trashëgimi e përbashkët që është bartur nga gjenerata në gjeneratë. Është përgjegjësia e jonë të kujdesemi për to në mënyrë që edhe brezat e ardhshëm të mund t’i gëzojnë dhe të zhvillohen përmes tyre.
Në ditën e dytë të Javës së Lëvizjes, ditën e anëtarësimeve të reja në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, sonte në një pritje madhështore në qytetin e Gjakovës u mbajt tubim me gra dhe vajza aktiviste e mbështetëse të Lëvizjes.
Në këtë tubim të pranishme ishin kryetarja e GVV-së, njëherazi ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nënkryetarja e Lëvizjes, Mrika Limani Myrtaj, kryetari i qendrës së Lëvizjes në Gjakovë, deputeti, Agon Batusha, deputetë, deputete dhe aktiviste tjera të LV-së, ndërsa përmes një video adresimi i përshëndeti të pranishmit edhe kryeministri, Albin Kurti.
Për më shumë se tri vite qeverisje u dëshmua që mbështetjen ndaj vajzave dhe grave e kemi të pa rezervë duke aplikuar masa që në veçanti shënjestrojnë punësimin e grave. Duke punësuar 5 mijë gra vetëm dy vitet e para të mandatit, duke ndarë bursa STEM për vajza dhe gra, duke përkrahur gratë ndërmarrëse dhe ato që merren me prodhim në bujqësi, duke mbështetur nënat lehona dhe ndarë shtesa për fëmijë.
Në përmbyllje të këtij takimi, iu uruam mirëseardhje edhe anëtarësimeve të reja duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për to. Lëvizja është adresa e angazhimit të secilës grua.
10 vjet pa më të dashurin shok, aktivistin tonë të pazëvendësueshëm, Arbënor Dehari
Dita II:
10 vjet pa më të dashurin shok, aktivistin tonë të pazëvendësueshëm, Arbënor Dehari
Arbënor Dehari vazhdon të jetë figurë qendrore dhe orientuese në angazhimin dhe ecjen tonë politike.
Java e Lëvizjes në krye të saj e ka Arbënor Deharin jo vetëm si kujtim dhe nderim për një aktivist të jashtëzakonshëm por edhe si tregues, si frymëzim për brezat e ardhshëm.
Arbënor Dehari na kujton se konceptet e vetëvendosjes, lirisë, barazisë, drejtësisë dhe solidaritetit nuk janë thjeshtë ideale të dëshiruara apo fjalë të thjeshta, por edhe detyrime për të cilat njeriu zotohet, angazhohet dhe punon përgjatë jetës së tij.
Me angazhimin e tij të palëkundur, me guximin e tij të pashoq, me pasionin dhe përkushtimin e tij, Arbënor Dehari, ishte aktivisti që më së shumti anëtarësonte njerëz në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Në këtë kuptim, ditën e dytë të javës tradicionale të Lëvizjes për këtë vit, përveç si ditë ku e nderojmë kujtimin për Arbënorin, e kemi caktuar të jetë edhe ditë e anëtarësimeve të reja në Lëvizjen tonë.
Kujtimi për Arbënorin do të jetë përherë i gjallë mes nesh, i mbushur me aktivitete, i theksuar nga mësimi se idealizmi dhe veprimi i guximshëm janë forcat që ndërtojnë një të ardhme për të gjithë.
Përjetësisht në zemrat dhe mendjet tona do të jesh Arbënor Dehari!
Tribunë: 146 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Dita e parë e Javës së Lëvizjes nisi me shënimin e 146 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit përfaqëson një moment kulmor në historinë e kombit shqiptar, duke shënuar fillimin e përpjekjeve të organizuara për mbrojtjen e territoreve shqiptare nga ndarja dhe pushtimi prej fuqive të huaja. Lidhja synoi t’i bashkonte shqiptarët nën një identitet të përbashkët kombëtar dhe të siguronte të drejtat e tyre në një kohë kur ekzistenca e tyre ishte e kërcënuar. Rëndësia e Lidhjes qëndron jo vetëm në arritjet e saj të drejtpërdrejta, por edhe në trashëgiminë e saj të qëndrueshme, duke ndikuar në lëvizjet e mëvonshme për pavarësinë dhe formimin e vetëdijes kombëtare shqiptare, duke mbetur një simbol i përpjekjeve për liri dhe drejtësi.
Këtë 146 vjetor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Sheshin e Lidhjes, u mbajt një Tribunë ku për ngjarjen e rëndësishme të Lidhjes folën Nënkryetari i Lëvizjes, njëherazi Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, Nënkryetarja e Lëvizjes, Mrika Limani-Myrtaj, dhe historiani Durim Abdullahu.
Akademi Përkujtimore në nderim të veprës së dëshmorit Ali Ajeti
Mosha nga rënia e dëshmorit Ali Ajeti është për 10 vjet më e madhe se mosha e lirisë sonë që e gëzojmë edhe si rezultat i veprës dhe rënies së Ali Ajetit. Kjo sepse për lirinë e Kosovës, populli i saj ka nisur të paguaj shumë herët, tha Kryeministri, Albin Kurti, në Akademinë Përkujtimore që u mbajt sot në 35 vjetorin e rënies së Ali Ajetit.
Fjala e plotë e Kryeministrit, Albin Kurti:
E nderuara familja Ajeti,
E dashura nëna Vahide,
I nderuari Isa Ajeti,
E nderuara zëvendëskryeministre, Emilija Rexhepi,
Të nderuar ministra e zëvendësministra,
Drejtues e përfaqësues të institucioneve,
I nderuari Kryetar i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
I nderuari z. Rilind Gërvalla nga Radio Televizioni i Kosovës,
Të dashura motra dhe vëllezër,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Gjatë tërë gjysmës së parë të këtij viti, si edhe tani kur jemi vetëm dy javë para 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, i kemi përkujtuar me nderime të gjithë dëshmorët e lirisë së atdheut tonë, kudo e kurdo. Duke i kujtuar dëshmorët për çdo ditë, sikur dhe sot që po e kujtojmë dëshmorin Ali Ajeti, dallojnë moshat e ndryshme të qenies së dëshmorit pasi që atyre u merr fund jeta fizike gjithnjë më të mëdha këto se mosha e lirisë që na e kanë sjellë ata.
Teksa sot bëhen 35 vjet nga rënia e dëshmorit Ali Ajeti, duhen edhe dy javë që të bëhen 25 vjet nga ardhja e lirisë për Kosovën. Pra në këtë rast, mosha nga rënia e dëshmorit Ali Ajeti është për 10 vjet më e madhe se mosha e lirisë sonë që e gëzojmë, që e jetojmë edhe si rezultat i veprës dhe rënies së Ali Ajetit. Kjo sepse për lirinë e Kosovës, populli i saj ka nisur të paguaj shumë herët, që para se të fillonte lufta çlirimtare, meqë rezistenca dhe betejat për lirinë e Kosovës, janë vite dhe dekada më të hershme se lufta 1998 e ’99 kur ato kulmuan.
Vërtetë lufta në Kosovë shpërtheu në fillim të vitit 1998 dhe përfundoi në mes të vitit 1999 me epilog çlirimin e Kosovës, por preludi i kësaj lufte, shtrihet pas në kohë të paktën një dekadë mbrapa, në vitin 1989. Ky është një vit kur u bën kapërcime të mëdha në ish-Jugosllavi, ku ne ishim të shtypur, pas të cilave fati politik i asaj Federate ku shqiptarët ishin të përfshirë pa u përfillur vullneti i tyre politik, mori kaheje të pakthyeshme.
Ishte ky viti kur përfundimisht Jugosllavia e AVNOJ-it u bë Jugosllavi e Millosheviqit. Më 1 mars të vitit 1989, Serbia pati shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë, që në atë kohë ishte ende krahinë autonome në kuadër të Jugosllavisë. Disa ditë më pas, më 18 mars 1989, Serbia i miratoi disa ndryshime kushtetuese me të cilat i dha vetes arbitrarisht kompetenca shtesë mbi Kosovën, kurse pas pesë ditësh, më 23 mars 1989, regjimi terrorist i Serbisë, ia suprimoi autonominë Kosovës. Katër ditë më pas, më 27 mars 1989, disa djem nga treva e Llapit, kryen një aksion të armatosur duke e vrarë një polic e duke e plagosur një tjetër. Ata i takonin një grupi që njihej si “Çeta e Llapit”, e i cili drejtohej ushtarakisht nga Ali Ajeti, kurse politikisht nga Sabri Kiçmari.
Mes dhjetëra organizatash ilegale të formuara dhe të shpërbëra në Llap që në vitet e ’50-ta, Çeta e Llapit ishte organizata e parë në Kosovë që kishte karakter ushtarak, pra të një rezistence të armatosur. Çeta e Llapit ishte trashëgimtare e një grupi edhe më të hershëm i quajtur “Grupi ilegal i Llapit”, i formuar që më 10 korrik të vitit 1981 në Podujevë, nga Ali Ajeti, Avdi Gjata dhe Hamit Hamiti.
Por ndërkohë, shumë nga anëtarët e këtij grupi ishin arrestuar dhe burgosur politikisht, shpërndarë anë e mbanë kazamateve të ish-Jugosllavisë, sikur se edhe vet Ali Ajeti, që pas gjashtë muajsh në hetuesi, më 18 qershor 1984, u dënua me pesë vjet burgim. Në po të njëjtin proces gjyqësor politik me Aliun, ishin dënuar edhe Bajram Ajeti, Sherif Konjufca, Avdi Gjata, Ismet Begolli, Musa Jupolli, Sabri R. Hamiti, Mustafë Xhemajli, Bajrush Behrami, Kadri Llugalliu dhe Shaban Mulolli. I lindur më 10 gusht 1957, Ali Ajeti i mbushi 27 vjet sa ishte në burg, teksa vuajti në burgun e Prishtinës, në burgun e Mitrovicës, të Gjurakocit, të Dubravës dhe në burgun e hetuesisë në Pejë, gjersa kur u lirua nga burgu, tashmë ishte bërë 31 vjeçar. Por të qenit i lirë nga burgu, nuk i ofronte liri as Ali Ajetit, as shokëve të tij dhe as popullit të Kosovës së okupuar, andaj pas lirimit nga burgu, Aliu iu rikthye angazhimit për lirinë e popullit dhe çlirimin e vendit të tij.
Kjo vazhdoi për disa muaj deri më 30 maj të vitit 1989, kur në Kosovë erdhi një delegacion i Paralamentit Evropian, i prirë nga Hulian Grimaldos, e i përbërë prej këtyre anëtarëve: Giorgio Rosseti, Emilio Espedes, Frode Kristoffersen dhe Lisilot Siebel Emmerling. Ata erdhën në Kosovë për ta parë gjendjen e shqiptarëve, që ishin të shtypur politikisht, të dërrmuar ekonomikisht dhe të diskriminuar ç‘njerëzisht nga regjimi i Serbisë. Në agjendën e delegacionit të Parlamentit Evropian ishte paraparë atëbotë që në ora 13:00, anëtarët e tij ta vizitonin qytetin e Podujevës. Pikërisht në atë kohë Ali Ajeti me shokët e Çetës së Llapit, organizuan një demonstratë masive në Podujevë me parullat: “Kosova Republikë”, “Vetëvendosje”, “Liri, barazi, demokraci”, “Parlament mos lejo apartheid” etj.
Policia e Serbisë reagoi dhunshëm ndaj demonstruesve që mbanin flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, kurse Aliu që ishte edhe i armatosur, rezistoi me armë, derisa u vra. Atë ditë të martë, më 30 maj 1989, Ali Ajeti ra dëshmor duke e përmbyllur jetën e tij të guximshme me rënie heroike. Vet delegacioni i Paralamentit Evropian u deklarua i zhgënjyer që nuk iu mundësua t’i takonte të burgosurit, intelektualët dhe punëtorët, teksa konstatonte edhe vrasjen e Ali Ajetit. Do të duheshin edhe dhjetë vjet të tjera gjatë të cilave shumë nga shokët e Ali Ajetit do të bënin gjithashtu luftë çlirimtare, beteja të njëpasnjëshme, e madje edhe do të binin edhe dëshmorë por si ai, që Kosova të çlirohet e mandej edhe të bëhet Republikë, siç guxuan ta ëndërronin, ta dëshironin, siç e kërkuan dhe siç vepruan dhe vdiqën për të, Aliu, shokët e tij të Çetës së Llapit dhe patriotë të tjerë. Me gjithë qenien i përkushtuar për Kosovë, tërë jetën kushtuar lirisë së Kosovës.
Lavdi veprës së dëshmorit Ali Ajeti dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!