Në Therandën e punëtorëve fisnik dhe bujqve të ndershëm, të kulturës e patriotizmit, në Therandën e pendës, të bukës, të këngës e të pushkës, në tubimin e jashtëzakonshëm që konfirmoi se Theranda është pjesë e pandashme e fitores së 500 mijë zemrave që rrahin si një, anembanë e cep më cep Kosovës për numrin 118.
Në nisje të këtij tubimi, Kryetari i Qendrës në Therandë, Jetmir Durmishi i uroi mirëseardhje kryeministrit Albin Kurti, në Therandën e tokës së njerëzve punëtorë e bujarë, në vendin e ndërmarrësve që kalojnë kufijtë e kontinentit, në vendin ku mërgata është më shumë se lidhje me atdheun, në qytetin e klubeve sportive dhe në vendin e tokës pjellore.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në fjalën e saj të këtij tubimi paraqiti investimet që janë bërë në Therandë nga Ministria e Arsimit, duke theksuar se aty janë investuar mbi 5 milionë euro në përmirësimin e infrastrukturës shkollore, në salla e pajisje sportive, kabinete, laboratore, inventare për shkollat dhe kopshtet, duke nënvizuar përfundimin e çerdhes në Therandë me kapacitetin për 160 fëmijë.
“Kryeministri Kurti tashmë ka shpallur vitin 2025 si vit i gruas, andaj më 9 shkurt votojmë për një qeveri që ju çmon dhe ju vlerëson, që ua njeh mundin dhe punën, që e kupton forcën e madhe të grave dhe vajzave, kapcaitetin e tyre, vlerat e jashtëzakonshme që gratë sjellin në progresin ekonomik dhe shoqëror”, tha ministrja Nagavci teksa iu drejtua grave e vajzave të Therandës dhe të gjithë Kosovës.
“Nuk po mund të kthehemi në Prishtinë aq kollaj, për shkak të kësaj mikpritjeje kaq të përzemërt për koalicionin tonë të LËVIZJES VETËVENDOSJE! me partinë Guxo e me partinë Alternativa”, tha kryeministri Albin Kurti në hapje të fjalës së tij përballë qytetarëve të Therandës, që ishin aq entuziastë e të zëshëm për fitoren e madhe të 9 shkurtit.
Duke vazhduar fjalën e tij, kryeministri Kurti u shpreh se koalicioni ynë është rritur, e tash në vitin 2025 jemi më të mëdhenj se kurrë më parë e sa askush tjetër, andaj fitoren e kemi të sigurtë më 9 shkurt, me numrin 118, që do të jetë fitorja rekord dhe historike, fitorja më e madhe e parë ndonjëherë.
“Gati 10 milionë euro kemi ndarë me subvencione dhe grante për më shumë se 4600 bujq e fermerë këtu në Therandë, kemi investuar 400 mijë euro për sistemin e ujitjes dhe të pijes në Komunën e Therandës, kemi 320 të rinj të punësuar nga platforma Superpuna, me programin Superpuna për Gratë që do të vazhdojë në mandatin e radhës dhe pagën minimale që do ta bëjmë mbi 500 euro, kemi patur mbi 13 milionë euro investime në infrastrukturë për Therandën. Kjo komunë do të bëhet edhe me autostradë të re edhe me digë të re, që sigurojnë edhe qëndrueshmëri edhe zhvillim”, tha kryeministri Kurti duke numëruar disa nga punët që janë bërë e do të bëhen në mandatin e ardhshëm, nga të cilat kanë përfituar dhe do të përfitojnë edhe në vazhdim qytetarët e Therandës.
Në vijim të kësaj, kryeministri Albin Kurti theksoi se mbi 88.5% e buxhetit të Komunës së Therandës është grant qeveritar i Republikës së Kosovës, sepse qeveria e LËVIZJES! VETËVENDOSJE nuk diskriminon komuna, pavarësisht se kush i qeveris ato, sepse ne i duam pa kushte e pa rezervë therandasit dhe qytetarët e Republikës.
Kryeministri Kurti tha edhe se kemi zhvilluar dialog shumë të suksesshëm në Bruksel: “Atje në Bruksel ata vazhdimisht më bëjnë presion me nënshkrimet e pararendësve të m’i Mustafa e Thaçi, a marrëveshjes me mua i ikin se s’duan të nënshkruajnë. Kur të gjitha ish-qeveritë po e zhvillonin dikur dialogun në Bruksel, kishim Serbi që forcohej e Kosovë jostabile që dobësohej. Me qeverinë tonë dhe dialogun që udhëheqim ne, kemi Serbi jostabile dhe Kosovë që po ngrihet e po forcohet. Juve ju kujtohet se si dikur në Kosovë kryeministrat jepnin dorëheqje, e tash kryeministrat po japin dorëheqje në Serbi.”
“Tash jemi para një referendumi të ri, para referendumit të 9 shkurtit ku ju duhet ta gjykoni pozitivisht qeverisjen tonë, t’i ndëshkoni me votë ata që nuk duhet të kthehen kurrë më në pushtet dhe të na jepni lejen për zotimin tonë, që ne t’ju shërbejmë për programin e ri qeveritar, me ato 25 premtimet tona dhe në këto katër vite Kosova të ngrihet në çdo aspekt. Numri 118 është numri me të cilin juve thoni ‘Po’ në referendum”, tha kryeministri Albin Kurti duke përmbyllur tubimin e jashtëzakonshëm në Therandë, pjesë e rrugëtimit të 500 mijë zemrave, të fitores së 9 shkurtit me numrin 118.
Skenderaji shtoi entuziazmin për fitoren e 500 mijë zemrave me numrin 118
Në tokën e heroizmit e të krenarisë, aty ku shumëçka flet për luftën dhe sakrificën, mbështetës si asnjëherë më parë u mblodhën për ta pritur Kryeministrin Albin Kurti.
Nga Drenasi i atdhetarëve, i dëshmorëve, sakrificës e kryengritjeve, mes brohoritjesh për VETËVENDOSJE!-n, e në iso thirrjesh me këngën ” Jo nuk ndahet Mitrovica” filloi tubimi i radhës, në valën e fushatës së fitores.
Kandidatja për deputete Egzona Tërdevci hapi tubimin duke theksuar se kush më mirë se drenicasit e din se çfarë domethënie ka sovraniteti për këto troje e për këtë popull. Kush më mirë se drenicasit njohin vlerën e lirisë.
Në fjalën e saj Tërdevci tha “Sot, falë përpjekjeve të pandërprera të Qeverisë Kurti, Kosova nuk përulet. Në veri të vendit, aty ku për vite të tëra janë luajtur lojëra me të drejtat tona dhe integritetin tonë, pikërisht nga aty ne po tregojmë se Kosova është një dhe e pandashme.
Kush nga ju do të kishte besuar që 26 vite pas përfundimit të luftës dhe 17 vite nga shpallja e pavarësisë, në Drenicë do të zinin vend strukturat dhe komuna paralele serbe që dirigjohet nga Beogradi. Asnjëherë, askush në gjithë këto vite nuk pati guxim t’i largojë nga aty. U dashtë të vijë Albin Kurti në Qeveri që t’i shporrim strukturat paralele nga Skënderaj, sepse kushtetuetshmëria dhe sundimi i ligjit do të funksionojë cep më cep të Kosovës”.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci në fjalën e tij tha se “Ndaq le të gjuajn me ujë, ndaq le te gjuajn me pedarte, nuk ka kush që e ndalë Kosovën me shtri ligj e sovranitet cep më cep të Kosovës”.
Ministri Peci theksoi se kjo qeveri është qeveria që ka bërë kthesë në secilin fushë.
7.6 milionë euro janë investuar në Drenas në sektorin e bujqësisë dhe përfitues kanë qenë vetëm fermerët e vërtetë dhe meritor.
Mes të tjerash, ministri tha që tani jo që më nuk mund të shitet toka për 3.5 euro, por as edhe të tjetërsohet siç ka ndodhur më parë duke iu dhënë grupeve kriminale të Radoiçiqit..
Sovraniteti dhe ligji do të shtrihet cep me cep, dhe nuk do të ndahet siç kanë bërë ata më herët cop më cop.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se dëshmorët nuk luftuan dhe nuk e dhanë jetën që dikush të pasurohet duke vjedhur shtetin. Ata nuk luftuan që strukturat paralele serbe të lulëzojnë në Kosovë.
“Pushteti i kaluar donin t’i falnin krimet e luftës, Qeveria Kurti për herë të parë e bëri ligjore Adresimin e Krimeve të Luftës.
Me institutin për Krimet e Luftës po dokumentojmë çdo akt barbarie në Kosovë, sepse nuk mund t’i kalojmë në gjendje të heshtur. Me Qeverine Kurti nuk ka ammesti për kriminelët siç kishte me qeveritë e kaluara.
Kudo që po shkojmë qytetarët po thojnë hajnat në burg, e unë jam e bindur që gjyqtarët e Prokurorisë Speciale po ju dëgjojnë me vëmendje “Populli i Kosovës po thotë hajnat në burg”. Lëndët e rasteve të korrupsionit të dërguara të trajtohen me shpejtësi e jo shqyrtimi të jetë me hapa të kërmillit”.
Kryeministri, Albin Kurti, tha që ne kurrë nuk i harrojmë masakrat në Poklek e Çikatovë dhe që qeveria gjithmonë do të jetë pranë tyre në të drejtën e të mirën e shtetit.
“Ashtu si e kemi dhembjen e madhe, e kemi dhe krenarinë e madhe për mijëra dëshmorët e martirët e paepur dhe veprimtarët e çështjes kombëtare nga Drenica e Drenasi”.
Më tej vazhdoi duke thënë se me koalicionin fitues që mban numrin 118 duhet të bëhen të gjithë, i madh e i vogël bashkë dhe cep me cep. Sepse ashtu të bashkuar jemi duke i hequr qafe politikanët të cilët nuk janë rreth himnit të përbashkuar por rreth korrupsionit të përbashkuar.
“Ata i ka ndarë paraja, neve na bën bashkë idealja. Shpirti kombëtar dhe ideali i dëshmorëve. Prandaj ne jemi bashkë për 118, edhe për një mandat të ardhshëm katërvjeçar.
Vendi i punës me neve është në fuksion të shtetit, vegël për të rritur ekonominë e shtetit e të familjes. Me neve shteti është shtet social, i zhvillimit e i së drejtës. Për ata shteti-treg, tregu-pazar për veten e tyre. Për ne shteti barazi që nuk lë askë mbrapa.
Shtetndërtimi në Kosovë para neve në qeverisje nuk ka qenë për shtet social por për shtet privat për privatizim pa shtet e për shtet të privatizuar. Me qeverinë e VETËVENDOSJE!-s shtetndërtimin e bëjmë ashtu siç e mendojmë dhe e besojmë Republikë me zhvillim, barazi e drejtësi për të gjithë, që s’lë askë mbrapa”.
Fjalimin e tij kryeministri Kurti e përmbylli duke përmendur disa nga investimet e bëra në Drenas gjatë mandatit katërvjeçar si dhe kërkoi mbështetje në zgjedhjet e 9 shkurtit për të vazhduar realizimin e programet të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Në Drenas janë subvencionuar 86 familje me mesatarisht 3600 euro për izolim. Janë investuar 1 milionë euro për renovimin e 9 shkollave me energji efiçiente. Si dhe janë subvencionuar 4500 bujq me 7 milionë e gjysmë euro. Ndërsa janë ndërtuar katër çerdhje në Drenas sa krejt qeveritë e tjera së bashku për 17 vjet në Kosovë.
Gjatë mandatit të ardhshëm do të vazhdojë investimi në efiçiencë të energjisë. Do të ndërtohet diga e Kuçicës, Poliklinika Specialistike në Drenas dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, si dhe do të përfundojë ndërtimi i Parkut Industrial ku jemi duke i imvestuar 8 milionë, e po ashtu ndërtimi i rrugës Drenas-Komoran ku janë investuar 7 milionë euro.
“Në ushtri do të investojmë 1 miliardë euro, do të ndërtohet fabrika e municionit dhe dronëve Made in Kosova. Ushtarët tanë se shohin më fundin e sandukut.
Për shumicën për interesin tuaj, kërkoj votën për 118 dhe 110 kandidatët tanë të pakorruptuar.
Pushteti i drejtë dhe i së drejtës, i pari që nga paslufta. Jo në emër të UÇK-së por me besnikëri ndaj UÇK-së”.
Në Deçanin e dëshmorëve dhe sakrificës madhështore, u dha kurshtrimi i fitores së 9 shkurtit, ngadhënjimit të 500 mijë zemrave që rrahin si një cep më cep Kosovës.
Duke e hapur këtë tubim që reflektonte gjallëri entuziazmi dhe bindje të palëkundur për fitore, kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Deçan, Faton Selmanaj tha se Komuna e Deçanit si asnjëherë më parë e ka ndjerë dorën e shtetit në këto katër vite me mbi 60 milionë euro investime.
Në vazhdim ai radhiti projektet e realizuara dhe disa të tjera që janë në proces realizimi nga Qeveria Kurti: Rruga e Qendrës, Qendra Rinore, Kolonia e Artistëve, Rruga Deçan-Plavë, shtrati i Lumbardhit, restaurimi i monumenteve kulturore-historike, ndërtimi i çerdhes në Carrabreg, asfaltimi i rrugës për në bjeshkë të Strellcit, i rrugës për në bjeshkë të Pleqës, ndërtimi i disa urave për në bjeshkë të Roshkodollit, asfaltimi i rrugëve dhe rrugicave nëpër fshatra, ndërtimi i kanaleve të ujitjes, ndërtimi i pishinës gjysmë-olimpike, e shumë të tjera.
“Gjatë këtyre katër viteve kemi luftuar fuqishëm kundër korrupsionit dhe krimit, me sukses. I kemi luftuar në lindje, në perëndim, në jug të Kosovës dhe vëllezër e motra, edhe në veri të Kosovës më në fund.”, u shpreh ministrja dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla në fjalën e saj drejtuar qytetarëve të Deçanit.
Ministrja Gërvalla foli për arsyet pse Kosova dhe qytetarët e saj e fituan të drejtën për të lëvizur pa viza vetëm me qeverinë e Albin Kurtit: “E arritëm këtë sepse luftuam kundër korrupsionit dhe krimit dhe kështu fituam respektin e partnerëve tanë dhe hapëm dyer të mëdha për qytetarët tanë. Qeveria Kurti është qeveria kundër krimit, prandaj Qeveria Kurti është qeveria për Kosovën.”
Kryeministri Kurti, duke iu drejtuar deçanasve tha se Deçani është kjo tokë që ka dhanë aq shumë për çlirim e për lirinë, për pavarësi e për bashkim, e duke përmendur figura të paharrueshme që Deçani ia ka dhënë kombit shqiptar: Sulejman Vokshin, Jusuf Gërvallën, Sali Çekun, Luan e Shkëlzen Haradinajn, Mentor Tolajn, Isa Boletinin e Isniqit e shumë të tjetë deri te Haki Povataj, martir i arsimit shqip.
Pasi paraqiti punët e mëdha që janë bërë e ato që do të bëhen në vazhdim, kryeministri Albin Kurti foli për zhvillimin ekonomik e punësimin.
“Për çdo vit në këto më pak se katër vjet, ia kemi shtuar ekonomisë së Kosovës nga 1 miljardë euro. E atyre ish-ish-ish-qeverive u duheshin së paku tri vjet për 1 miljardë. Ne kemi shtuar punësim për 1 vjet sa ata për 5 vjet, ekonominë e rritëm për 1 vjet sa ata për 3 vjet. Kur vjen puna te rritja e ekonomisë ne jemi 3 herë më të shpejtë, e te punësimi jemi 5 herë më të shpejtë”, theksoi kryeministri Kurti.
Në fjalimin e tij, kryeministri Kurti bëri edhe një qartësim, se në Republikën e Kosovës në të vërtetë nuk do të ketë zgjedhje në vitin 2025, por zgjedhje do të ketë në vitin 2029, sepse në vitin 2025 më 9 shkurt ka referendum, në të cilin vlerësohet puna jonë dhe vazhdimi i saj.
“Më 9 shkurt, për punët e mira që i kemi bërë në këtë gati 4-vjeçar dhe për 25 zotimet e reja që i kemi publikuar dje, do të ketë referendum. Dilni në referendum dhe i thoni ‘po’ numrit 1 1 8. Pra, u thoni ‘jo’ partive private e i thoni ‘po’ lëvizjes publike e republike të koalicionit VETËVENDOSJE!, Guxo, Alernativa”, tha në mbyllje të këtij tubimi frymëzues kryeministri Albin Kurti.
Juniku unik e fisnik iu bashkua 500 mijë zemrave që rrahin sinkron anembanë Kosovës.
Në fjalën e tij hapëse të këtij tubimi, Kryetari i Qendrës së Junikut, Jetmir Tofaj i falënderoi pjesëmarrësit e shumtë që e ndezën sallën me entuziazëm, në Junikun e 12 fiseve, të kullave dhe odave, të trashëgimisë kombëtare, qëndresës dhe sakrificës.
Në vijim të këtij tubimi në cepin perëndimor të Kosovës, profesori Nezir Kraki që është kandidat për deputet në listën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga partia GUXO, tha se Juniku do të qëndrojë në anën e duhur të historisë, në këtë moment strategjik dhe krucial ku gjendet Kosova, për shtetësinë e saj cep më cep, duke shtuar se Albin Kurti nuk është një lider rajonal, por i të gjithë Kosovës.
“Juniku nuk do t’i votojë ata të cilët çdo mendim e nisin me fjalinë se ‘Serbisë duhet me i dhënë diçka’. Juniku do të rreshtohet drejt, sepse ka marrë fund koha kur Kosova shihej prej atyre që qeverisnin dikur vetëm si qasje në buxhetin e shtetit”, theksoi Nezir Kraki.
Ministrja e Jashtme dhe Zëvenësministrja, njëherazi bashkëkryetare e partisë Guxo, Donika Gërvalla në fjalën e saj tha se Juniku sot ka nevojë për zhvillim, ka nevojë për një perspektivë, për zhvillim ekonomik të shpejtë, që të mbushet me jetë. Prandaj, ka nevojë për shumë punë dhe së bashku me kryeministrin Kurti dhe me dy kandidatën nga Juniku jemi me vizion të qartë për ta përmirësuar realitetin në të gjithë Kosovën.
“Gratë e Junikut kanë votuar pak në zgjedhjet e kaluara. Jo vetëm shtesat për fëmijë, shtesat që i marrin gratë lehona, jo vetëm rritjet e pensioneve, por edhe vëmendja e veçantë që kjo qeveri i ka dhënë pozicionit të gruas në shoqëri, në vendin e punës, si dhe vetë fakti që 63% e të punësuarve të rinj në institucionet tona janë gra, tregon që barazinë gjinore nuk e kemi vetëm fjalë, por e kemi vepër dhe punë. Nevojitet pjesëmarrja dhe vota e secilës grua në këtë përpjekje që gratë të japin kontributin e tyre sa më të madh në çdo drejtim”, nënvizoi ministja Gërvalla.
Mes ovacioneve të shumta e mbështetjes së madhe, fjalën e mori kryeministri Albin Kurti, i cili tha se gjatë qeverisjes sonë rreth 100 nëna lehona dhe më shumë se 720 fëmijë kanë përfituar shtesa, janë bërë mbi 10 milionë euro investime në Junik, nga rrugët e ndriçimi publik, te shkolla “Edmond Hoxha”, te çerdhja për 40 fëmijë që u përurua më pak se para dy javësh. E duam Junikun me zemër dhe këtë e dëshmojmë me mbështetje buxhetore, me përkrahje financiare dhe me investime kapitale.
Si projekt më strategjik dhe më të rëndësishëm për Junikun, kryeministri Kurti e veçoi rrugën Junik-Gjeravicë për të cilën deri më tani qeveria ka ndarë 4.5 milionë euro dhe do të vazhdojë ta mbështesë që të përfundojë sa më parë, në mënyrë që si banorët ashtu edhe turistët të shijojnë bukurinë e bekuar të Bjeshkëve të Nemuna dhe Bjeshkëve të Rugovës.
“Janë tre Junika. Njëri në Kosovë, njëri nëpër Kosovë edhe është një Junik i tretë në diasporë. Këta tre Junika le të bëhen bashkë për 1000 vota më datën 9 shkurt për numrin 118 dhe brenda 500 mijë zemrave në të gjithë Kosovën cep më cep ”, tha në fund kryeministri Kurti, duke shtuar se me programin e ri qeveritar jemi të nderuar që mund t’iu shërbejmë një populli të shkëlqyer si populli shqiptar dhe një Republike të jashtëzakonshme si ajo e Kosovës dhe një komune unike sikurse Juniku.
Malisheva kurrë nuk ka luftuar për pak. Malisheva kurrë nuk voton për prag. Malisheva është pjesë e 500 mijë zemrave, është pjesë e fitores, është zemra e Kosovës.” Kryeministri Albin Kurti
Në një atmosferë të zjarrtë, çfarë vetëm Malisheva di ta organizojë e ta mbajë, qytetarët që s’mund t’i zinte salla e madhe e tubimit, konfirmuan përkrahjen e tyre për fitoren e 500 mijë zemrave, për fitoren e qeverisë me Kryeministër Albin Kurti.
Kandidati për deputet, ish-deputeti dhe veprimtari i palëkundur i çështjes kombëtare, z. Gani Krasniqi, deklaroi se, ashtu si në kohën e formimit dhe të organizimeve të UÇK-së, edhe tani Malisheva është e gatshme ta bëjë dallimin përmes mobilizimit të qytetarëve për 500 mijë votat që shkojnë për Lëvizjen VETËVENDOSJE!.
Ministrja Arbërie Nagavci theksoi se 9 shkurti do të jetë dita e vazhdimit të qeverisjes së mirë dhe se qytetarët e Malishevës do t’i bashkohen pjesës tjetër, cep më cep të Kosovës, duke qenë pjesë e 500 mijë zemrave. Ajo u shpreh se me Albin Kurtin Kryeministër në Republikën e Kosovës do të vazhdojnë projektet e mira e progresive në interes të qytetarëve, jo siç ka ndodhur me qeveritë e kaluara para Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Kryeministri Albin Kurti, mes brohoritjesh të zjarrta e të papara ndonjëherë, deklaroi se më 9 shkurt, pikërisht në këto orë, nga kutitë e votimit do të dalin 500 mijë votat e fitores së madhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Ai theksoi se kjo qeverisje e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ishte qeverisja më e mirë në Kosovën e pavarur, ajo që e rriti ekonominë, shtoi punësimin, subvencionoi bujqësinë dhe ngriti cilësinë si në arsim ashtu edhe në shëndetësi. Ishte qeverisja që i rriti imazhin dhe dinjitetin edhe shtetit, edhe qytetarit; qeveria që e zmbrapsi Serbinë, që i garantoi kufijtë dhe që i shtoi sovranitetin e territorit shtetit tonë.
“Kemi blerë drona luftarakë Bayraktar TB2 nga Turqia, sisteme antitank Javelin nga Amerika dhe helikopterë Black Haëk (ose ‘Skiftera të Zinjtë’) po ashtu nga Amerika. Në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, do të alokojmë 1 miliard euro për Ushtrinë e Kosovës — për ushtrinë që mbron, respekton dhe zbaton idealet e amanetet e dëshmorëve në njërën anë dhe mbron, respekton e zbaton dëshirat e rinisë, nevojat e popullsisë dhe ëndrrat e fëmijëve në anën tjetër.”
Kryeministri Kurti kujtoi që Malisheva është një komunë që bënë dallimin mes emrit UÇK dhe atyre që thirren “në emër të UÇK-së”.
“Ju jeni ndër komunat që e dini dallimin mes emrit UÇK dhe atij formulimi ose shprehjeje “në emër të UÇK-së”. Shkronjat UÇK janë të shenjta; lindën nga sakrifica dhe flijimi i Jasharëve, u përjetësuan nga heroizmi dhe gjaku i kaq shumë dëshmorëve, dhe nuk janë pronë e asnjë individi, sepse burojnë nga populli dhe i takojnë kombit. Këto shkronja janë të arta, i mbron shteti i fortë e sovran i Kosovës, i mbron ekonomia që rritet e sjell punësim, mirëqenie, progres e dinjitet. I mbrojnë djemtë e vajzat e ushtrisë sonë, i mbrojnë policët e Policisë sonë, i mbrojnë forcat tona të cilat çdo vit po forcohen me trajnime e armatim. I mbron qeveria jonë dhe e juaja, që i shërben popullit me dije, me nder dhe me djersë, në çdo cep të Republikës Demokratike të Kosovës, shtetit tonë të pavarur”.
Në fund, duke iu referuar përkushtimit të zjarrtë që kanë qytetarët e Malishevës për ndryshime të mëdha në vend, ai theksoi se: Malisheva kurrë nuk ka luftuar për pak. Malisheva kurrë nuk voton për prag. Malisheva është pjesë e 500 mijë zemrave, është pjesë e fitores, është zemra e Kosovës.
Klina me 118 i bashkohet 500 mijë zemrave të Republikës
Në Klinën me histori të pasur të rezistencës dhe luftës për liri, në Klinën e lokalitetit arkeologjik të Dresnikut nga periudha romake, në Klinën e rezistencës ndaj oligarkëve të pasluftës, u mbush palestra me të rinj e të reja, me të moshuar e pleq, të cilët kishin ardhur për ta dëgjuar Kryeministrin Albin Kurti për mandatin e tij të ri qeverisës.
Kandidatja për deputete, Teuta Mulaj, në fjalën e saj kujtoi disa prej të arriturave të qeverisë Kurti 2, të cilat, siç tha ajo, tregojnë qeverisjen me vizion të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
“Kemi pasë një qeverisje që e ka rritur mirëqenien e qytetarëve duke e rritur pas shumë kohe pagën minimale, një qeverisje që ndarë shtesa për fëmijë, një qeverisje që ka mbështetur nënat dhe familjen, e sidomos gratë në punësim. Pra një qeveri që ka rritur ekonominë dhe ka mvështetur bizneset dhe qytetarët për një jetë më të mirë në vendin tonë. Me 9 Shkurt, së bashku me 500 mijë zemra, do t’ia vazhdojmë Kosovës cep më cep këtë rrugë prosperuese”, tha kandidatja Mulaj.
Ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, kujtoi se qeveria Kurti e ka treguar dhe dëshmuar se është e mundur të krijohen politika që janë në interes të qytetarëve e jo të grupeve të caktuara.
“Sa herë që jemi bashkë dhe të vendosur, kemi arritur shumëçka. Andaj, edhe këtë 9 shkurt do të jemi bashkë për fitoren tonë të madhe. Për një qeveri të ndershme, të përgjegjshme dhe të gatshme të luftojë për interesat e qytetarëve të saj.”
Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij, kujtoi një bashkëpunim të qeverisë me qytetarët e Klinës, që ndali një projekt të dëmshëm të Korporatës Devolli.
“Bilanci i qeverisjes matet me gjërat që kanë ndodhur, por qeverisja matet edhe me ngjarjet që nuk kanë ndodhur, me të këqijat që nuk kanë ndodhur e me të cilat ne krenohemi. Këtu në Klinë ne kemi bashkëpunuar për të parandaluar një krim të madh mjedisor – ndërtimin e fabrikës së çimentos. Katër mijë banorë, me plot të drejtë, e kanë kundërshtuar një projekt të tillë, sepse ndotja nga kjo fabrikë do të ishte e dëmshme për Klinën dhe për mbarë Dukagjinin. Fabrikën kishte ndërmend ta ndërtonte Korporata Devolli. Fabrika u parandalua falë banorëve që u ankuan te qeveria dhe falë qeverisë që u doli në ndihmë. Ky ishte një bashkëveprim i suksesshëm që kemi pasur. E Korporatës Devolli i themi edhe një herë: sa bëni këso manovra të gabuara, kthejani 62.6 milionë euro Telekomit të Kosovës, që ia keni marrë me arbitrazhe të kurdisura.”
“Klina është komunë e bekuar. Nëpër territorin e saj kalojnë shumë rrugë të rëndësishme rajonale që e lidhin perëndimin e Kosovës me lindjen dhe e përshkojnë lumenj që bashkohen në Drinin e Bardhë; ajo i ka edhe ujëvarat e Mirushës. E këtu në Klinë e kemi edhe lokalitetin arkeologjik të Dresnikut, ku janë zbuluar gjurmë të qytetit antik nga periudha romake. Ne i kemi shpronësuar parcelat duke e bërë atë pasuri publike shtetërore. Në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po e bëjmë planin e konservimit dhe të menaxhimit. Parku arkeologjik do të ketë hapësirën muzeale, qendrën e trajnimit dhe qendrën për vizitorë, sepse do të shndërrohet në një pikë shumë të rëndësishme të turizmit kulturor e historik për Republikën tonë e për kombin shqiptar”, tha Kryeministri Kurti
“Ne në Vetëvendosje, bashkë me Guxo dhe Alternativa, themi ‘cep më cep’, ndërsa ata të tjerët thonë ‘aty ku kam qëlluar unë.’ ‘Cep më cep’ është 118. Më 9 shkurt të bëhemi 500 mijë zemra cep më cep Republikës së Kosovës, për fitoren e madhe, për festën tonë të përbashkët.”
Dardana, qyteti i njohur për bukuritë e saj natyrore dhe traditat e pasura kulturore, është një prej vendeve ku takohet atdhedashuria dhe përkushtimi i punëtorëve të saj. Me një natyrë të mrekullueshme dhe qytetarë që kontribuojnë aktivisht në zhvillimin ekonomik e social, Dardana është një simbol i qëndrueshmërisë dhe vizionit të qartë për të ardhmen.
Në këtë frymë, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot një tubim zgjedhor madhështor.
Bajram Mavriqi, kryetar i Qendrës së LVV-së në Dardanë dhe kandidat për deputet, vlerësoi forcimin e shtetit nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti:
“Shteti ynë nuk ka qenë kurrë më i fortë se sot. Prandaj ne ndihemi krenarë me një kryeministër si Albin Kurti. Për 20 vjet nuk u investua në Dardanë aq sa bëri Qeveria Kurti në 4 vite, duke ofruar mbi 20 milionë euro mbështetje edhe për Preshevën. Për Dardanën është jetike që të rritet mbështetja për Kryeministrin Kurti dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!”.
Ministrja Albulena Haxhiu, në fjalën e saj, theksoi rëndësinë e përparësive që i jepen grave dhe familjes në politikat qeveritare:
“Siç e keni parë, ky vit është shpallur ‘Viti i Gruas’ nga Kryeministri Kurti, dhe gjatë këtij viti do të ndërmerren politika edhe më të fuqishme për fuqizimin e gruas. Çdo votë ka peshë të madhe. Deri tani, mbi 60 mijë lehona kanë përfituar, fëmijët po mbështeten për herë të parë në Kosovë, aftësimi profesional dhe punësimi i grave ka përfshirë mbi 12 mijë përfituese”, tha mes tjerash në fjalen e saj Haxhiu
Kadri Rahimaj, kryetari i Komunës së Dardanës, vlerësoi arritjet e qeverisjes së VETËVENDOSJE!-s në nivel lokal dhe nacional, duke nënkuptuar se me VETËVENDOSJE-n, Kamenica sikurse e gjithë Kosova frymon ndryshe.
Kryetari Rahimaj kujtoi se Qeverisja jonë ka shënuar arritje të jashtëzakonshme, shumë më shumë se ato që janë bërë në mbi dy dekada nga pushtetet e kaluara, si në infrastrukturë rrugore, arsim, qendra rinore, qendra sportive, punësim e shumë dimensione të tjera.
Në fund të këtij tubimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndau bindjen e thellë se qëllimi i përbashkët me qytetarët cep më cep Kosovës, është fitorja e cila shpien përpara shoqërinë dhe Republikën tonë.
Mbështetja e Qeverisë për komunat, për qytetarët përmes buxhetit nga njëra anë dhe masave të punësimit, do të vazhdojnë edhe më tej, duke kontribuar direkt në zhvillimin e komunës dhe mirëqenien e qytetarit.
Kryeministri Kurti theksoi se në komunën e Darsanës, rritjen ekonomike e kemi shpërndarë si për sektorin publik ashtu edhe për atë privat. “Me mbështetje prej 7 milionë eurosh, mbi 2800 fermerë janë subvencionuar. 850 nëna lehona kanë përfituar shtesa. Më shumë se 200 të rinj janë punësuar dhe mbi 6000 pensionistë po përfitojnë rritje të pensioneve me 20%. Gjatë katër viteve të fundit janë realizuar mbi 50 projekte me një vlerë prej 32 milionë eurosh në arsim, sport dhe infrastrukturë rrugore.”
“Ata nuk kanë ku të kthehen, sepse shteti i Kosovës dhe karakteri i tyre nuk përputhen më”, theksoi kryeminiatri Kurti duke aluduar në ish-pushtetarët, gabimet e të cilëve po përpiqemi t’i përmirësojmë tha ai.
Edhe ky tubim, ishte një dëshmi e qartë e mobilizimit qytetar dhe besimit të madh dhe mbështetjen e pakursyer ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një të ardhme dinjitoze, me zhvillim, drejtësi e siguri, si Dardanën ashtu edhe gjithandej cep më cep Kosovës.
Në Artanën e zemrës së zjarrtë dhe nëntokës së artë, qytetarët ishin të vendosur dhe kishin vendosur.
Ky tubim nisi me fjalën e kryetarit të Qendrë së Artanës, Lirim Gashi, i cili tha se qytetarët e Artanës tashmë kanë vendosur për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, përkrah kryeministrit Albin Kurti dhe numrit 118.
“Të votosh numrin 118 do të thotë të votosh mirëqenien, drejtësinë e barazinë, sovranitetin dhe integritetin territorial cep më cep Kosovës”, tha ai përballë qytetarëve të Artanës të bindur për fitoren.
Pas mori fjalën e saj, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu falënderoi të gjitha gratë dhe vajzat e vendit tonë dhe të cilat na kanë mbështetur gjithmonë.
“Përfshirja e grave në jetën politike është gurthemeli i përparimit të shoqërisë. Ato duhet të jenë aktive nëpër proceset zgjedhore dhe të mbështeten në mënyrë të barabartë, sepse kështu zëri i tyre është i fuqishëm dhe ndikojnë drejtpërdrejt në formësimin e politikave progresiste që adresojnë nevojat e çdo gruaje dhe çdo vajze në Republikën e Kosovës”, tha ministrja Haxhiu.
Në sallën që jehonte pandalshëm nga mbështetja e pakursyer e qytetarëve të Artanës, fjalën e mori kryeministri Albin Kurti.
“Synimi ynë është që të ndalet njëherë e përgjithmonë plaçkitja, zhvatja e keqpërdorimi dhe Trepça të bëhet bashkë me KEK-un, Telekomin, pjesë e Fondit Sovran të Kosovës, që t’ia shtojmë vlerën dhe prodhimtarinë, e njëkohësisht edhe punësimin cilësor. Në mandatin e ri, në fokus do ta kemi përmirësimin e gjendjes në miniera për t’i rigjallëruar ato ashtu siç kemi rigjallëruar Telekomin dhe Postën e Kosovës”, theksoi kryeministri Kurti.
Duke iu drejtuar qytetarëve të Artanës dhe të gjithë Kosovës, ai u shpreh se nuk është mirë me humb kohë me numra që të humbin kohë. Numri që nuk të humb kohë, por që të fiton katër vjet mirëqeverisje e mirëqenie është numri 118.
“Duke votuar masivisht për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, me 500k zemra e thyejmë rekordin e pranverës së vitit 2021, për t’u bërë mazhoranca më e madhe në Kosovën e çliruar dhe Kosovën e pavarur”, tha kryeministri Albin Kurti në fund të këtij tubimi në Artanë, që si kudo tjetër po konfirmon fitoren e 9 shkurtit.
Sallat në Viti nuk janë të vogla, por pjesëmarrja e qytetarëve ishte aq e madhe sa tubimi mund të mbahej vetëm në ambientin e hapur.
Në fjalën e tij të hapjes së tubimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Viti, kryetari i qendrës së këtij qyteti, Arsim Ademi që është njëherazi zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe kandidat për deputet nga kjo komunë, ai i uroi mirëseardhje të pranishmëve në qytetin e Vitisë, në vendin e njerëzve të pendës dhe të pushkës, në Vitinë e maleve të Karadakut dhe Anamoravës, të dy shkollave të para Shqipe në Stubëll dhe Pozharan, të rezistencës, dëshmorëve e martirëve që ranë për të mbrojtur territorin e tyre.
“Vitia nuk i mbështet më ata që e zhvatën popullin për mëse 20 vite, ata që e zvogëluan Kosovën përmes decentralizimit, ata që i dhanë territoret e Kosovës përmes demarkacionit me Malin e Zi, ata që avokuan dhe premtuan asociacion të komunave me shumicë serbe dhe ndarjen e Kosovës, Vitia nuk i mbështet më ata që e tradhëtuan besimin e qytetarëve. Vitia ka nevojë për një qeveri që i qëndron besnike parimeve të saj dhe qytetarëve të saj, ka nevojë për qeverinë Kurti 3, për Albin Kurtin kryeministër”, tha zëvendësministri Arsim Ademi.
Teksa flamuri kombëtar u shpalos në ambientin e jashtëm të shtëpisë së kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” dhe në muret e bibliotekës publike “Ramadan Musliu”, fjalën e mori Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njëherazi edhe kryetare e Gratë për Vetëvendosje.
“Rezultati i 9 shkurtit është i rëndësishëm edhe në lidhje me ata që e penguan reformën në drejtësi, ata që duan të pengojnë përpjekjen për të ndërtuar një sistem të drejtë dhe të pavarur të drejtësisë. Fitorja e 9 shkurtit është mesazh i qartë se reforma është e pakthyeshme dhe çdo tentativë për ta ndaluar atë do të dështojë. Kjo është një betejë për të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve tanë”, nënvizoi ministrja Albulena Haxhiu.
Në vazhdim të fjalës së saj, ajo theksoi se Lëvizja jonë ka patur mbështetje të jashtëzakonshme nga gratë dhe kjo mbështetje na ka mundësuar të ndërmarrim shumë veprime për fuqizimin e gruas në Kosovë, si në shëndetësi, si në arsim, në aspektin e fuqizimit ekonomik, me mbështetje për viktimat, për fëmijët, për gratë sipërmarrëse e ato që merren me bujqësi.
“Viti 2025 është shpallur si viti i gruas nga kryeministri Kurti dhe përgjatë gjithë vitit do të ndërmarrim shumë masa që ndikojnë në jetën e grave dhe vajzave, deri sa të arrijmë të ndërtojmë një shtet ku gratë trajtohen të barabarta. Ne kemi nevojë për angazhimin e çdo gruaje, kudo që ajo ndodhet, sepse vetëm kështu do të mund ta çojmë përpara vizionin tonë për një Kosovë ku gratë janë të barabarta, të sigurta dhe të fuqizuara”, tha ministrja Haxhiu në përmbyllje të fjalës së saj.
“Po të kishim hyrë në sallë, më shumë se gjysma kishin mbetur jashtë e ata brenda e kishin pas tepër nxehtë; sot këtu përjashta është ftohtë, por ju e keni bërë fort ngrohtë, andaj e dashura Viti, ju faleminderit për këtë mikpritje kaq të përzemërt”, tha kryeministri Kurti në nisje të fjalimit të tij drejtuar qytetarëve të Vitisë, teksa entuziazmi i të pranishmëve të shumtë rritej gjithnjë e më shumë.
“Si Lëvizje VETËVENDOSJE! jemi përqëndruar në rritjen ekonomike, në përparimin demokratik, në shpërndarjen sociale dhe në stabilitetin instirucional. Në katër shtylla kemi patur sukses. Kur shtetndërtimi demokratik i ka këto katër shtylla të forta, atëherë padyshim që kurrëfarë sfidimi i stabilitetit e i sigurisë nuk mund të ketë sukses. Ka provuar Serbia për çdo vjet, ka provuar për çdo muaj, mirëpo çdo herë ka dështuar e Republika e Kosovës ka fituar”, u shpreh kryeministri Albin Kurti.
Më tej ai tha se Vitia është një komunë kufitare dhe si e tillë e di më së miri rëndësinë e sigurisë. Prandaj dhe qeveria jonë e ka rritur buxhetin për Policinë e Kosovës për 66 përqind, e kemi trefishuar buxhetin për ushtrinë tonë, e kemi dyfishuar numrin e ushtarëve tanë, i kemi katërfishuar trajnimet për ushtarët tanë jashtë vendit dhe i kemi qindfishuar investimet në armatim e në municion, që do të rezultojë edhe me fabrikë të municioneve në vendin tonë, për një ushtri të fuqishme që na mbron të gjithëve cep më cep.
Në vazhdim, kryeministri Kurti foli për mbështetjen që kjo qeveri i ka dhënë Komunës së Vitisë në bujqësi me 9 milionë euro subvencione dhe grante për gati 4 mijë bujq e fermerë, mbështetjen për 1200 nëna lehona në Viti, për afër 4500 fëmijë që kanë përfituar shtesa, kurse rreth 450 të reja e të rinj të Vitisë kanë gjetur punë përmes programit qeveritar “superpuna”, afër 6 mijë pensionist nga tetori i vitit të kaluar marrin pensionin me rritje prej 20% dhe për katër vjet pesë herë e kanë marrë pensionin e trembëdhjetë.
“Unë e di se Vitisë i është bërë një padrejtësi e madhe me pamundësimin e kyçjes në autostradën ‘Arbën Xhaferi’, por Vitia do të kyçet në atë autostradë dhe qeveria jonë që do ta vazhdojë mandatin është garancia, dëshmia, kushti, mundësia për këtë, sepse punimet do të fillojnë sapo të përmirësohet moti dhe do të përfundojnë në fund të kësaj pranvere”, shtoi kryeministri Albin Kurti.
Në vazhdën e zotimeve për mandatin e ardhshëm, kryeministri Kurti tha se Vitia do ta ketë palestrën e sporteve që e ka pritur dhe që e meriton, diga e Firajës do të jetë zgjidhja e problemit të Vitisë për ujë të pishëm dhe ujitje, si dhe përveç dy çerdheve të reja në Komunën e Vitisë do të ndërtohet sivjet edhe çerdhja në qytetin e Vitisë për 120 fëmijë, ndërsa dy shkollat e para Shqipe në Kosovë, njëra në Stubëll të Epërme do të konservohet dhe tjetra në Pozharan do të rindërtohet, së bashku me ndërtimin e shtëpisë së kulturës aty.
“Ne dikur jemi qeverisur prej politikanëve me mendjen e cekët dhe xhepa të thellë, kur populli i Kosovës e ka merituar të qeveriset prej njerëzve të mençur e të dijshëm, të guximshëm e të ndershëm, punëtor e patriot, siç janë njerëzit e qeverisë sonë, siç janë kandidatët tanë për deputetë që vijnë nga Kosova cep më cep e që më 9 shkurt e kanë numrin 118. Më 9 shkurt do të kemi shpërthim demokratik me guximin e 500k zemrave për numrin 118, ku në Viti e në gjithë Kosovën të kumtohet lajmi i fitores cep më cep për koalicionin VETËVENDOSJE!, Guxo dhe Alternativa”, tha kryeministri Albin Kurti në tubimin e madh në Viti, që u përmbyll me entuziazmin dhe bindjen e fitores së madhe që po vjen.
Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Sharr
Kaç shumë borë dhe kaç nxehtë, unë s’kam parë askund tjetër përveç se këtu në Sharr. E numri ynë 118, qysh po e shihni, është numër i bardhë porsi Sharri, prandaj edhe Sharri i bardhë duhet ta votojë numrin 118.
Të dashur qytetarë të Sharrit, motra e vëllezër, zonja e zotërinjë, të nderuar të pranishëm, që populli ta ketë VETËVENDOSJE!-n në qeverisje duhet që VETËVENDOSJE! ta ketë popullin në zgjedhje. 9 shkurti është shansi që duhet shfrytëzuar, 9 shkurti është mundësia që duhet përdorur, 9 shkurti është e drejta që duhet ushtruar, ndërkaq 118 është numri që duhet votuar. Nëse nuk fitojmë për juve, nuk fitojmë as për vete. Nëse fitojmë, fitojmë bashkë dhe vetëm bashkë. E kur të fitojmë ne, dijeni që keni fituar ju, e kur të fitoni ju, e dimë që kemi fituar ne. Bashkë këtu në Sharr, cep më cep e kudo në Kosovë, tash në Sharr e gjithnjë në Kosovë, cep më cep drejt 9 shkurtit, me numrin 118, drejt numrit 500 mijë zemra të qytetarëve të Republikës së Kosovës!
Këto partitë tjera ndonjëherë edhe mund t’iu kenë folur si Lëvizja e si qeveria jonë, por ato as nuk kanë menduar e as nuk kanë vepruar si ne. Shtetin ata tjerët që janë në opozitë, ata që dikur ishin në qeveri, ata ish-qeveria, ata ish – ish – qeveria, ata që kurrë mos u kthefshin sepse ju s’do ti lejoni asnjëherë, ata pra e kanë trajtuar shtetin tonë të dashur e të përbashkët porsi një lopë që e ushqejnë qytetarët dhe e mjelin pushtetarët për veti. Por koha e tyre ka kaluar e ka ikur në pa kthim. Të dashur aktivistë e anëtarë, përveç se qytetarë, ju që e keni përgatitur këtë tubim madhështor në Sharr, që na e sollët verën në dimër e do të na përshpejtojë pranverën që kësaj radhe nuk ia nisë me 21 mars por 40 ditë më herët, pranvera sivjet ia nisë me 9 shkurt.
Pra, ju që e keni përgatitur këtë tubim madhështor, unë iu them të përgatiteni edhe për tubimin për festim sepse të dielën e 9 shkurtit votohet për numrin 118, për zgjedhje e zgjidhje të vërtetë, për këta 110 kandidatët tanë fitimtarë, për legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës, ku secili është më i mirë se tjetri e të gjithë bashkë janë kandidatët e listës më të mirë në Kosovën e pavarur e të çliruar.
Në Kosovë, para neve, kishte pak demokraci sepse kishte shumë pabarazi. Në administratën publike, për shembull, raporti i pagës më të lartë me pagën më të ulët ishte 20 me 1, gati 5000 euro paga më e lartë kundrejt as 250 euro pagës më të ulët. Koncentrimi i pasurisë te disa oligarkë e sidomos te njëri prej tyre, e minon demokracinë. Ne jemi lëvizje progresive e progresiste. Kosovën e gjetëm vend të shkëmbimit, të konsumit e të pazareve. Me qeverisjen tonë VETËVENDOSJE!, Guxo, Alternativa, Kosova u bë e vazhdon të bëhet gjithnjë e më shumë edhe vend i prodhimit, edhe vend i rishpërndarjes, kurse raporti me pagën më të lartë me pagën më të ulët në administratën publike e kemi zbritur në 4 me 1.
E për kandidatët tanë këtu në Sharr, i kemi veç dy nga të gjitha partitë që e kanë njëmend garën e synimin për ta përfaqësuar Sharrin e dashur në Kuvendin e Republikës. Dr. Jetmir Ajdini numër 104 nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Lendrit Iljazi, me numer 37, nga partia Guxo. Jetmiri dhe Lendriti janë bashkë, ashtu siç janë bashkë VETËVENDOSJE! me Guxo. Faleminderit Jetmir dhe faleminderit Lendrit për punën që bëni për Sharrin, për Lëvizjen, për Guxo. Të tjerët janë në lista tjera, sa për të mbledhur vota për kokat e partive tjera. Ata e dinë që si kanë as gjasat, as mundësinë, as vullnetin, as përgatitjen. Por janë Jetmiri e Lendriti që i bëjnë nder Sharrit në Kuvend të Republikës dhe Kuvendit të Republikës për komunën e Sharrit.
Të dashur qytetarë, ju e dini shumë mirë, ju e dini aq mirë sa që e dini më mirë se unë, që mërgata e Sharrit është e pranishme kudo në botë. Nuk ka tubim në diasporë ku kam marrë pjesë unë në këto gati 20 vitë sa i bënë VETËVENDOSJE! sivjet, e që nuk ka ardhur dikush prej komunës së Sharrit. E keni mërgatën më të madhe në raport me popullsinë e komunës, por unë do të thosha edhe më aktiven.
Ata që nuk arritën të regjistrohen për të votuar për zgjedhjet e 9 shkurtit për numrin tone 118, le ta marrin biletën e le të nisen për ditën e zgjedhjeve me veturë, me autobus, a me aeroplan, qysh të munden, krejt sa janë. E ata të cilët janë regjistruar online, le ta dërgojnë votën e tyre me postë në ambasada, a në konsullata të vendeve ku po jetojnë, banojnë e punojnë. Por, me votat e Sharrit këtu, me votat e Sharrit në diasporë, le ti bëjmë këta dy kandidatë tanë deputetë në Kuvend të Republikës, numrin 118 fitues me 500 mijë zemra dhe qeverinë tonë qeveri edhe për katër vite të tjera, së paku edhe katër vite të tjera në krye të shtetit të pavarur të Kosovës e të Republikës tonë demokratike.
Por suksesin që e kemi pasur në këto katër vite, nuk e kemi mbajtur vetëm për shtet, e kemi shpërndarë për shoqëri dhe e kemi shpërndarë në çdo komunë. Këtu në Sharr janë 33 familje të cilat i kemi përkrahur për izolimin e shtëpive. Shtëpitë e izoluara dimrit janë më të nxehta, verës më të freskëta, ndërkohë që edhe fatura e rrymës iu vjen më lirë.
Tjetra, ne e dimë që sfidat janë të mëdha kur vjen puna te shërbimi dhe kujdesi shëndetësor, dhe shpesh shkohet në Prizren për çdo specialist. Ne e dimë po ashtu sa mjekë specialistë të zotë ka dhënë e ka rajoni i Sharrit, prandaj unë dua që ju ta dini se në mandatin tonë të ri ne do të ndërtojmë një poliklinikë specialistike në komunën e Sharrit. E aty, të dashur qytetarë, ju do të mund të merrni shërbime specialistike, me mjekë specialistë të fushave të ndryshme, shumë më afër shtëpive tuaja. E ku ka më mirë se të angazhohemi për shëndetësi kur e dimë që Jetmirin e kemi doktor. E para se me zbritë prej veturës këtu në Sharr, thane kujdes se këtu ka shumë akull. E a e dini çka iu thash unë? S’besoj që rrëzohem, po edhe në u rrëzofsha, Jetmirin e kemi ortoped, ky ta ndreqë këmbën. Sa këmbët i ka qitë në vend ky Jetmiri, nëse bëhet keq, hyn në rend edhe kryeministri te Jetmiri.
Bujqësia, e kemi ministrin Faton Peci këtu. Vlera e subvencioneve dhe granteve nga qeveria jonë, për 1164 bujqë e fermerë, punëtorë e fisnikë të Sharrit, ka qenë mbi 2.8 milion euro, e pa parë më herët për fermerin, për bujqësinë e blegtorinë e komunës tuaj.
Për gjeneratat e reja të Sharrit po investojmë 1.1 milion euro për ndërtimin e çerdhes në Bresanë për 40 fëmijë. Punimet kanë filluar në dhjetor të vitit të kaluar, çerdhja pritet të jetë gati në vitin e ardhshëm. E 5 shkolla i kemi lidhur me internet të shpejtë, me rrjetin për hulumtim dhe edukim të Kosovës, KREN. Kështu, nxënësve të shkollës “Ulina”, “Shaban Shabani”, “28 nëntori”, “Samedin Emini” dhe “Sezai Surroi” u kemi hapur mundësi shtesë për horizonte të reja të dijes.
Shumë kush në Kosovë ka menduar që struktura paralele e ilegale të Serbisë ka veç në veri të vendit, por jo, struktura ilegale paralele ka pasur gjithandej Kosovës, në jug e në lindje e në perëndim, edhe këtu në Sharr kishte struktura ilegale, por tashmë nuk ka, sepse e kemi mbyllur edhe objektin e komunës ilegale në fshatin Vranisht, edhe bankën komerciale të Serbisë që ka funksionuar ilegalisht. E ju qytetarë të Sharrit e dini shumë mirë, por qytetarët e tjerë të Republikës jo edhe aq, që banka komerciale e Serbisë ka funksionuar ilegalisht në objektin që është pronë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Pra, merreni me mend, një bankë ilegale e Serbisë që funksionon në jug të Kosovës, në pronë të shtetit të Kosovës. Hajde, në veri qeveritë e kaluara ju ka munguar guximi, por në jug të Ibrit prej kujt janë frikësu ata?!
Për krejt këto vite, s’është investuar në Sharr aq sa është bërë për këto më pak se 4 vite të qeverisë tonë. Vetëm në infrastrukturë rrugore kemi investuar gati 11 milion euro, me të cilat janë shtruar më shumë se 61 km rrugë. Unë po i përmend cilat janë këto rrugë e sa janë të gjata përafërsisht: Zhur – Brod – Dragash 42 km, Kapre – Renc 3.9 km, Pllajnik – Xërxë, e kemi nda buxhetin për ta përfunduar këtë rrugë që kish mbetur peng për vite të tëra, 3.9 km, Bresanë – bjeshkë 4 km, Kërstec – Pakishë – Zapod 6.3 km, Restelicë – kufiri me Maqedoninë e Veriut 1.1 km, pra gjithsej më shumë se 61 km rrugë, apo gati prej Sharrit deri në Rahovec.
Deri vonë as valë të telefonit nuk ka pasur mjaftueshëm këtu në Sharr, e kujtoj edhe vetë se u bënë shumë vite e shumë herë që vij këtu tek ju. Por ministria jonë e ekonomisë dhe Telekomi i Kosovës kanë ndërruar plotësisht infrastrukturën e rrjetit të valës, tash lëre që ka valë të Valës, por që besa edhe interneti është më i mirë e shumë më i shpejtë, e nga dy muaj më parë edhe në Brod e Restelicë që janë zonat me lartësinë më të lartë mbidetare ka 4G e 5G.
Tash për të ndodhur ndryshimi i qeverisë lokale këtu në komunën e Sharrit, 12 vjet pas PDK-së, patëm mundësuar ardhjen e LDK-së në pushtet, provuan që në fillim të na fusin në aritmetika jo parimore, pra nëpër pazare, e ne nuk u bëmë fare pjesë e ekzekutivit, siç e shpjegoi doktori më herët. E tash kryetari e ka gojën plot ankesa në komunë, e këto ankesa ai ia përshkruan qeverisë tonë qendrore, anipse ne kemi sjellë miliona investime këtu në Sharr. Por një gjë duhet ta kemi të qartë: komuna duhet të jetë vend i punës e jo vend i ankesave, duhet të jetë vend i bashkëpunimit e jo vend i vajtimit. Prandaj, ne nuk i kuptojmë këto kritika në adresën tonë në Prishtinë përderisa skandalet janë të përditshme në Komunë. Këto më së miri po i zbulon qendra jonë e VETËVENDOSJE!-s dhe asambleistët tanë këtu në Sharr, e shumë punë të mira, të reja do t’i bëjmë këtu në Sharr, po janë disa të tilla që duhet të bëhen edhe pas zgjedhjeve lokale që ju i keni sivjet në vjeshtë.
Të dashur qytetarë, të nderuar të pranishëm, secilën ditë të këtyre viteve të pasluftës, e para neve në qeverisje, shumica dërmuese e popullsisë pati Ramazan, e Bajrami ka qenë i rezervuar për pushtetarët. Me Qeverinë tonë kjo do të ndryshojë krejtësisht, u bë pra Bajram për qytetarët e Ramazan për qeveritarët, sepse nuk ka më luks e pasurim për ministra e kryeministrin, por ka punësim e mirëqenie për qytetarët. Pa favorizime dhe pa padrejtësi, pa privilegje dhe pa diskriminim. Kjo është qeveria jonë e përbashkët, e tashme, e ardhme, e mirë, e mbarë, e VETËVENDOSJE!-s me Guxo dhe me Alternativa-n.
Sot ishim në aktivitete të ndryshme në Pejë e në Deçan, e tash erdhëm në Sharr, e më pas pasdite në mbrëmje do të jemi në Prizren. Një qytetar, duke ardhur këtu, u fotografua me mua dhe më tha: “A bëj me të pyet diçka?” Thashë, “Po si jo?” Tha: “A je lodhë?” A din çka i thash unë: “Njëherë jam tu i lodhë ata tjerët. Njëherë jam tu i lodhë ata tjerët e që besa, jo veç tu i lodhe, por tu i dërmu, rraskapitë e shpartallu.”
E pas 9 shkurtit, kur të votojmë bashkë, kur të fitojmë bashkë, e kur të festojmë bashkë, prap nuk do të mundem me pushu, sepse duhet të punoj për ju!
Faleminderit shumë e mirë u pafshim, i dashuri Sharr! Ju dua fort, përzemërsisht!
Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Vushtrri
Të dashur qytetarë jemi këtu në Vushtrrinë e Hasan Prishtinës, në Vushtrrinë e Jeton Tërstenës, emrin e të cilit e mban kjo palestër e cila është e stërmbushur aq shumë sa që nuk po ju zë brenda këtu. Në tubimet e Vetëvendosjes në Vushtrri, nuk mund të bësh fotografi por vetëm video që i përthakon të gjithë Cep më Cep.
Jemi këtu edhe në Vushtrrinë e Ukshin Kovaçicës e të Azem e Shotë Galicës, jemi në Vushtrrinë edhe të dëshmorëve Isë Mërnicës, Ferki Aliut e Ahmet Krasniqit, në Vushtrrinë e Enver Zymberit e të Afrim Bunjakut, të cilët e lanë me gjakun e tyre veriun e Kosovës, për ta bërë Kosovën tonë të dashur, Cep më Cep, me sovranitet dhe me integritet. Të nderuar të pranishëm, Vushtrria është qytet i urës e i kulturës, i luftës çlirimtare e i punës së ndershme.
E tash nga Prishtina në Vushtrri vi më shpejtë se kurr më parë, sepse e kemi rrugën e përfunduar, shpejtësia është vetë rruga e re, rruga që kishte mbetur rrugëve nga ish-Qeveritë që prej vitit 2009, e në të cilën për të mbërritur nga Prishtina në Vushtrri, nga Vushtrria në Prishtinë janë dashur më shumë se 1 orë, e tash mbërrihet për më pak se gjysmë ore. Punimet janë duke u zhvilluar edhe në pjesën tjetër, nga hyrja në Vushtrri deri në Gojëbulë, me gjatësi rreth 4.2 km. Gjithashtu, e kemi nënshkruar marrëveshjen edhe për segmentin nga Smërkovnica në Mitrovicë, me gjatësi 5 km, rruga përfundon në pranverë sivjet.
Vushtrria është qytet i historisë, i traditës dhe i vlerave. Njerëzit e këtij vendi janë të fortë në shpirt, të lidhur me tokën, me punën dhe me besimin e tyre të palëkundur. Ky kombinim i shpirtit të fuqishëm dhe i zemrës së pastër, e bën Vushtrrinë zemër dhe shpirt të Republikës së Kosovës. Vushtrria ka dhënë shumë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Në Vushtrri ka shumë veteranë e invalidë të luftës, Vushtrria i ka dhënë shumë dëshmorë dhe martirë kombit. E nga ky qytet kanë dalë shumë gra e burra që kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme, e kanë dhënë kontribut tejet të çmueshëm për vendin tonë mbarë. Me respekt të thellë, në veçanti nga këtu përshëndes familjen Zymberi dhe Bunjaku, të cilët janë simbol i flijimit, i sakrificës, i asaj çfarë Vushtrria ka dhënë për lirinë dhe sovranitetin e Kosovës. Familjet Zymberi dhe Bunjaku janë krenaria e Vushtrrisë dhe e Kosovës dhe e shqiptarisë!
Ushtrinë e Kosovës qeveria jonë, qeveria juaj, e kemi forcuar me armatim e me buxhet, Bajraktarë nga Turqia, Javelinë nga Amerika dhe së shpejti edhe helikopterë Black Hawk, apo Skiftera të Zi, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E në Vushtrrinë tuaj të dashur, e në Vushtrrinë tonë të dashur e të mirë, Policia e ka akademinë, e Ushtria e ka rininë. Ne e kemi hapur derën e Ushtrisë sonë, për çdo të re e të ri, deri në moshën 25 vjeçare, dhe e kemi hequr tavanin prej 5000 pjesëtarësh. Kosova po e ndërton një Ushtri kompetente, me integritet dhe të avancuar, të aftë për ta mbrojtur vendin tonë. Ushtarët e Kosovës, oficerët e nën oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë krenaria jonë e përbashkët!
Baba po me dalë në zgjedhje, por jo veç baba, edhe djemtë, edhe vajzat, edhe nënat, edhe dajtë, edhe hallat, edhe tezet, edhe kushërinjtë e të gjitha anëve, me dal me 9 shkurt e me votu Vetëvendosjen!, dhe numrin 118 që është e vetmja zgjidhje e zgjedhje e vërtetë.
Në veri të vendit, ato partitë e vjetra të ish-qeverive, dërgonin banda kriminale e kontrabandistë, e bënin pazare të ulëta në kurriz të Kosovës, ndërkaq ne dërgojmë zhvillim, investim dhe siguri. Me qeverinë tonë, Kosova si Republikë e ka mbrojtur dhe e ka integruar çdo pëllëmbë të territorit të vet. Sot kushdo mund të shkojë, kurdo përtej Ibrit, e të pijë kafe atje, kushdo mund të shkojë atje, kurdo, e të fillojë të investojë, pavarësisht etnisë, sepse kryefjala e punës tonë është paqja dhe bashkëpunimi. Ne nuk e pranojmë as shantazhin, as kërcënimin. Nuk ka më letërnjoftime ilegale e patentëshofera të Serbisë, nuk ka më zyra ilegale, të ashtuquajtura struktura paralele, por ka kudo institucione dhe mekanizma të shtetit tonë të Republikës së Kosovës, ka demokraci, ka zhvillim, ka punësim, ka hapje të bizneseve të reja.
E të dashur vushtrrias, këto janë të mundura, për shkak se Ballkani e ka në Republikën e Kosovës shembullin e mirëqeverisjes dhe të demokracisë kampion. Duke qenë kampion në demokraci, ne arrijmë të integrojmë, të zhvillojmë, ta bëjmë shtetin me sovranitet dhe territorin me integritet. E pra, gjaku i Enver Zymberit dhe gjaku i Afrim Bunjakut nuk kanë shkuar kotë! Gjaku i tyre, mundi e sakrifica e tyre është shpaguar sepse Republika juaj ka fituar! Unë nuk lëshoj pe 3 vjet e 364 ditë, e vetëm një ditë, vetëm me 9 shkurt ju mos lëshoni pe! Mos lëshoni pe, votojeni numrin 118, të koalicionit tonë fitues, Lëvizja Vetëvendosje!, Partia Guxo dhe Partia Alternativa!
Të dashur pjesëmarrës të këtij tubimi madhështorë, në Vushtrri për këto 4 vjet, i kemi mbështetur direkt mbi 2700 nëna lehona, më shumë se 16,500 fëmijë deri në moshën 16 vjeçare, dhe gati 600 të rinj mes moshës 18 dhe 29 vjeçare. Nënat lehona dhe fëmijët i kemi mbështetur me shtesa, kurse të rinjtë punësim përmes Super-punës. Mbi 200 familje nga Vushtrria i kanë izoluar shtëpitë e tyre me mbështetjen tonë, dhe tash e kanë ngrohtë gjatë dimrit, e freskët gjatë verës. Ndërkaq bujqit dhe fermerët e zotë e punëtorë të Vushtrrisë, i kemi mbështetur me afër 20 milionë euro subvencione dhe grante.
Qeveria jonë, koalicioni ynë, ka treguar se është forca e vetme politike në Republikën e Kosovës e cila qeverisë, me ndershmëri e përgjegjësi, me transparencë dhe përkushtim ndaj vendit, qytetarëve dhe interesit të përgjithshëm, interesit publik. E kemi luftuar korrupsionin, e kemi forcuar sundimin e ligjit duke goditur grupet kriminale në veri e në jug, në lindje, e në perëndim, Cep më Cep, dhe duke siguruar që askush nuk do të jetë asnjëherë, askund, më i fortë sesa ligji i drejtë i Republikës së pavarur e demokratike të Kosovës.
E prandaj pra, Kosova jonë, është në top vendet me indeksin ma të lartë të ligjit dhe të rendit, është e para në Ballkanin Perëndimor, e dyta në Evropë, me pikë të barabarta me Estoninë, Finlandën, Luksemburgun dhe Zvicrën, dhe e pesta në botë.
Fitorja e Vetëvendosjes, prandaj të dashur qytetarë, është qelës, është dëshmi, është garanci për të vazhduar përparimin dhe sigurinë, me përgjegjësi dhe transparencë të çdo procesi, të çdo strukture e të secilit zyrtarë të shtetit.
Stadiumi i qytetit Ferki Aliu do të duket sikur të ishte i ri. I kemi ndarë 5 milion euro, punimet nisin sivjet përfundojnë gjatë mandatit tonë të ri. Vushtrrinë e Milot Rashicës do ta bëjmë me një ndër stadiumet më moderne në Kosovë dhe përtej.
Vushtrrinë, rajonin e Shalës, do ta mbështesim me agroturizëm, Vetëvendosja do ta mbështet me agroturizëm, e do të ju mundësojmë parkun energjetik në Qyqavicë, dhe do ta përkrahim industrinë prodhuese ushqimore, e të mobilieve në kuadër të programit të madh shtetëror të 1 miliardë eurove për industrinë prodhuese të vendit tonë.
Kemi investuar shumë edhe në shëndetësi, buxheti është 50% më i madh sesa në vitin e parë parapandemik në 2019. Shumë prej klinikave qendrore në Prishtinë, ku trajtohen pacientë nga mbarë Kosova, janë transformuar plotësisht e rrënjësisht. Në mandatin e ri në fokus do t’i kemi spitalet e qyteteve, pra pas vizionit tonë, klinikë pas klinike, në këtë mandat që po e përmbyllim dalë nga dalë, por sigurt në mandatin e ri të cilit po i afrohemi me shpejtësi, e sigurtë do ta kemi vizionin tonë, spital pas spitali. Kështu, në Mitrovicë do ta ndërtojmë spitalin e ri, në Ferizaj do ta ndërtojmë spitalin e ri, në Gjilan do ta transformojmë rrënjësisht atë, të gjitha spitalet do t’i modernizojmë, shërbimet do t’i decentralizojmë, dhe spitalin e Vushtrrisë do ta zgjerojmë me kapacitete infrastrukturore dhe pajisje të reja moderne, teknologjike, sepse duam ta bëjmë qendër të specializuar për ndërhyrjet minimale invazive.
Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, me qeverinë tonë, e gjithë Kosova u mbulua nga rrjeti 5G. Ndërkaq në qeveritë e kaluara duhej me u ndalë në kafe për të kërkuar passwordin e WI-FI, e opozita, opozita ende sillet duke e kërkuar passwordin e WI-FI. Mirë do të ishte dikush prej jush që ka ndodnjë kontakt me ta, t’u tregojë se nuk ka nevojë më, sepse rrjeti është 5G, mos kërkoni më password të WI-FI nëpër kafet e çajtoret e Vushtrrisë. Me qeverinë tonë, në shkollat e mesme ka filluar që të studiohet e të mësohet kodimi, nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën. Aty do të krijohen programerët e rinj, hakerët e rinj, gamerët e rinj, shpikësit e rinj që do të kontribuojnë jo vetëm për Kosovën, por edhe për njerëzimin.
E në shkollat tona nuk e kemi futur vetëm kodimin, por edhe edukimin për sigurinë. Kjo lëndë i aftëson fëmijët tanë për konceptet dhe praktikat e mbrojtjes së vendit. Shkolla, me qeverisjen tonë, është vend i aftësimit të të rinjëve, është vend i ardhmërisë tonë edhe të sigurtë edhe të ndritur.
Të nderuar të pranishëm, Vushtrria ka qenë gjithmonë nëballë të mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje!. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 kjo komunë na i dha mbi 60% të votave që ne i fituam, apo 61.5% qysh kanë qef me thonë Syla, Besimi, dhe aktivistët dhe deputetët tanë nga Vushtrria. E tash, në vitin 2025 ne synojmë gjysmë milioni vota, gjysmë milioni zemrat bëhen bashkë të votojnë bashkë, të fitojnë bashkë, të festojnë bashkë e të rrahin por si një. Por, para 4 vjetëve i kemi pasë 438 mijë vota, e tash prej 438 mijë vota i duam 500 mijë vota, sepse na duhen 500 mijë vota. Kjo i bjen gati 15% më shumë sesa para 4 vjetëve, prandaj në zgjedhjet e 9 shkurtit le të synojmë, le të punojmë, le të festojmë për 25 mijë vota këtu në Vushtrri. koalicioni ynë Lëvizja Vetëvendosje!, Partia Guxo dhe Partia Alternativa! Pra këtu në Vushtrri, këtu tek ju në Vushtrrinë tonë të dashur, na duhen 25 mijë vota për të ju bashkuar vargut të 500 mijë zemrave që rrahin bashkë, e punojnë bashkë. Ne të Vetëvendosjes, ne të qeverisë, ne pulsin e zemrës e kemi 118! Është pak puls i lartë, por nuk ka ndryshe kur punon shumë dhe ec shpejtë. 118 është pulsi jonë, ashtu qysh është numri i fitores me 9 shkurt.
E të dashur qytetarë të Vushtrrisë, duke na parë qytetarët sa shpejtë ecim e sa shpejtë punojmë, në një qytet, njëri prej pjesëmarrësve në tubim më ndali edhe me një seriozitet përplot dashuri, por jo edhe pa brengë, më tha Albin, a je lodhë? Unë i thashë, bac niher unë jam tu i lodhë opozitën! Edhe të dashur qytetarë, jo veq që jemi tu i lodhë, por edhe jemi tu i sosë, e jemi tu i skropit, e jemi tu i rraskapitë, e jemi tu i dërmu, e jemi tu i thërrmu, se kemi ndërmend t’i shpartallojmë me 9 shkurt, atëherë kur bashkë votojmë, fitojmë e festojmë!
Ju faleminderit përzemërsisht për përkrahjen e pa rezervë, për mbështetjen e pa kursyer, për solidaritetin në çdo stuhi e në çdo krizë për qeverinë tuaj, e për Lëvizjen tonë.
Zoti ju ruajtë, e ju bekoftë, rrnofshi e u gëzofshi, natën e mirë e mirëupafshim!
Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Pejë
E dashura Pejë, Kjo mikëpritje kaq e zjarrtë ma mbush zemrën me gëzim e mendjen me përgjegjësi. Faleminderit shumë. Faleminderit për sonte, faleminderit per secilën ditë të secilës javë, të çdo muaji, përgjatë këtyre shumë viteve që na keni mbështetë pa rezervë, pa kursim, pa pushim, në të gjitha stuhitë e krizat qe i kemi kaluar si Qeveri e Republikës dhe si Lëvizje VETËVENDOSJE!. Peja jonë e Peja juaj është qytet i bukur, me njerëz që i njohin bukuritë. Është qytet i bjeshkëve dhe i lumit, është qytet i xeheve e i artit, është qytet ku prehen eshtrat e Haxhi Zekës e Ali Pashë Gusisë, është qytet i zemrës, i besës dhe i shqiponjave. Të dashur qytetarë të Pejës, Fitoren e VETËVENDOSJES! nuk ka fuqi që mund ta ndalë. Fitoren e VETËVENDOSJE!-s, e të koalicionit tonë me GUXO e Alternativën nuk mund ta ndalim as na vetë, sepse populli ka vendos e po vendos vetë. Ne tash, ne tash, si asnjëherë më parë jemi rritur shumë, e kur rritesh shumë rriten mundësitë për t’u rritur. Por neve tash, na duhet që të rritemi edhe më shumë, na duhet ta rrisim fitoren tonë në lartësinë e gjysmë milioni zemrave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Katër vjet kemi qeverisur mirë, bashkë, drejtë. Katër vjet kemi vetëvendosë rekorde. Ne vendosim rekorde dhe ne i thyejm ato. Kush e mendon politikën Krejt dhe Drejt, kush e sheh atdheun Cep më Cep, nuk ja ka frikën as rekordit të vet e as imagjinates së vet. Ne i vendosim vetë rekordet dhe vetë i thyejm ato. Ende pa u bërë katër vjet mirëqeverisje, 30% është më i madh Bruto Produkti Vendor në vitin 2024 sesa në vitin 2021 kur e morëm qeverisjen. 40% janë më të larta të hyrat tatimore në vitin që e lëmë pas 2024, sesa në vitin kur e morëm qeverisjen 2021. Dhe, 50% është më i madh buxheti i shtetit sivjet sesa buxheti i shtetit në vitin 2021. Ne vendosim rekorde në fusha të jetës e të punës, opozita vendosë rekorde në analista të studiove televizive. Ne veprimtarë ata analista. Ne në frymë e në fakte ata në rrena e në shpifje. E të dashur qytetarë, Një nga rekordet më domethënëse, ne e ngritëm numrin e të punësuarve tonë në numrin rekord të votuesve të 14 shkurtit 2021. Andaj, le ta thyejm edhe këtë rekord me 9 shkurt sivjet në vota dhe ta thyejm rekordin në punësim. Rekord edhe në punësimin e grave. I ftojmë gratë ta rrisin pjesëmarrjen në votim, me mijëra, siç po dalin me mijëra më shumë punë, Cëp më Cep gjithandej, gjithnjë e më shumë.
Me mbi 500 mijë zemra që thurrin fitoren e vargut të numrit 118, le ta thyejm rekordin edhe në punësim me mbi gjysmë milioni qytetarë të Republikës që punojnë për familje, për atdheun e tyre, për mirëqenien e gjithësecilit.
E të dashur pejanë, Nuk kemi thy rekorde vetëm ne, rekorde kanë thyer edhe opozita në borxhe në bizneseve ndaj bizneseve të Kosovës dhe me deficit buxhetor që na i lanë trashëgimi. Në vitin 2021, prej Qeverisë që shkoi, e që s’ka qysh kthehet më, prej Qeverisë që shkoi, i kemi trashëguar 141 milionë euro borxhe ndaj operatorëve ekonomik të Kosovës dhe 512 milionë euro deficit buxhetor. Por asaj ish-qeverie, ne i kërkojmë falje që ja dëmtuam situatën që na i la dhe që e ulëm borxhin. Nga 512 milionë euro deficit buxhetor në vitin 2021, tash janë vetëm 25 milionë euro deficit buxhetor dhe nga 141 milionë euro borxhe bizneseve tona janë vetëm 33 milionë euro broxhe ndaj tyre. Të nderuar të pranishëm, Gjendja në Kosovë është e mirë, është shumë më e mire, sepsë ajo është përmirësuar shumë. E keqja nuk është gjendje, e keqja është strukturë, është strukturë e dobësuar dhe gjithnjë më e dobët. Me 9 shkurt sivjet, me 500 mijë zemra, kësaj të keqe si strukturë ja japim goditjen vdekjepruerëse dhe mdandej e mira nuk ka skaj, qoshe më qoshe, rreth më rreth, cep më cep. E keqja si strukturë përbëhet prej oligarkëve. Oligarkët e duan shtetin jo si Republikë demokratike, por si anije tregtare. Ai që ka mall më së shumti, ja përcakton kursin anijes. Mirëpo, Kosova me qeverisjen tonë të mirë u bë shtet i taksapaguesve të rregullt dhe jo më i pronarëve të mëdhenj. Ky ishte qëllimi i Qeverisë sonë. Ky është edhe qëllimi i realizuar i bashkëqeverisjes sonë, nga trashëgimia e mbrashtë e merkantelistëve e feudalëve, tek ardhmëria e ndritshme, zhvillimore e progresiste, evropiane e demokratike. Faleminderit shumë për përkrahjen që ja keni dhënë Qeverisë në këtë mision të saj fisnik, në këtë qëllim të saj madhor, në këtë princip të saj kombëtar. E tash, e tash të dashur pejan, po vjen dita kur kemi nevojë për një brez të ri të biznesmenëve prodhues, përtej këtyre që u pasuruan prej tranzicionit. Jo më aso biznesmenësh që milionin e parë e kanë nga koha e Serbisë apo nga koha e Klanit Pronto. Republika e Kosovës, kombi shqiptar, ka nevojë për biznesmen patriotë që thonë Peja – Republika e Kosovës, Gjakova – Republika e Kosovë, e jo kurrë e asnjëherë Pec – Serbia a Djakovica – Serbia. Të dashur qytetar, Më mirë e më ndershëm, shumë më mirë e shumë më ndershëm, pa kufi më mirë e pa kufi ma ndershëm është të rregullosh, është të ndreqësh rrota të biçikletave si Ibrahim Devolli, e jo si
djemtë e tij, që e regjistrojnë biznesin e tyre si të Serbisë në Maqedoni të Veriut, në emër të tjetërkujt, për me ardhë si të huaj në Pejë e në Kosovë. Prej kompanisë “Devolli” të dashur qytetarë, kërkoj publikisht t’ia kthejnë Telekomit të Kosovës 62.6 milionë euro që ja kanë marrë në arbitrazhe të kurdisura. Asisoj, Blerim edhe Shkelqim Devolli, djemtë e fisnikut Ibrahim Devolli, do ta dëshmonin se po e ndihmojnë dhe po e duan Republikën e Kosovës. Ne nuk kemi asgjë kundër pasurimit dhe të pasurve, ne i duam qytetarët e Republikës, popullin tonë, sa më të pasur. Mirëpo, ne konsiderojmë që të pasurit kanë përgjegjësi ta pasurojnë shtetin ku janë pasuruar vetë. Ne besojmë, që të pasurit duhet ta pasurojnë shtetin e jo ta rjepin atë. E shteti duhet t’i ndihmojë e t’i pasuroj të varfrit të cilët janë shumica e taksapaguesve të vendit tonë prej nga mbushet buxheti i Republikës tonë të dashur. Të dashur qytetarë të Pejës, Unë nuk besoj që në rruzullin tokësor të ketë një lagje që ka nxjerr më shumë kampionë olimpik se kjo lagjja e Asllan Çeshmja e Pejës. Jo vetëm kampionë olimpik, por edhe trajnerin më të mirë në botë në sportin e xhudos. Andaj ne jemi zotuar dhe do të ndërtojmë Kompleksin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë. Për këtë tashmë kemi ndarë 6 milionë euro. Ky kompleks do të jetë një nga objektet sportive ku do të zhvillohen garat e Lojërave Mesdhetare 2030 – ngjarja më e madhe sportive në histori të vendit. Salla e Sporteve “Karagaçi”, kjo sallë ku jemi sonte këtu kaq masivisht, gjithashtu do të rinovohet thellësisht e tërësisht – për sportistët e Pejës dhe kjo për të mirëpritur Lojërat Mesdhetare 2030. Për Stadiumin “Shahin Haxhiislami” ku i ka zhvilluar historikisht ndjeshjet Klubi i Qytetit BESA, i kemi ndarë 19 milionë euro. Stadiumi është në gjendje të mjerueshme, kush vjen këtu në sallën e sporteve në Karagaç nuk mund ta sheh stadiumin as ditën se lëre më natën meqenëse e kanë lënë si gërmadhë të shëmtuar. Por Qeveria jonë do ta shndërrojë në një stadium modern me rreth 8 mijë ulëse. Ky investim në stadiumin e qytetit tuaj është pjesë e planit tonë 5-vjeçar për infrastrukturën e futbollit: mbi 200 milionë euro për 20 stadiume, në 18 komuna Cep më Cep Republikës së Kosovës. Peja e ka bërë Kosovën, shtet të xhudos. Me sukseset e saja në sport e investimet tona ne do ta bëjmë qytetin tuaj, Kryeqytet të Sportit. E di që të gjithë ju, sikurse të gjithë ne jemi të preukupuar me rrugën Pejë – Prishtinë, Prishtinë Pejë, që e lidh Dukagjinin me Kryeqytetin. Projekti i atyre që shkuan me të madhe e devijonte trasenë aktuale dhe kushtonte 240 milionë euro. Por ju e dini që ata kanë qenë shumë dorëshlirë me para të shtetit edhe kriter për rruga e autostrada i kanë pasur arat e veta e pronat e miqve. Me neve buxheti i shtetit ruhet e arat punohen. Andaj, edhe vendosëm që në vend të projektit të ri e të kushtueshëm, të vazhdojmë me projektin që parasheh zgjerimin e rrugës aktuale. Me këtë vendim tonin i kemi kursyer 150 milionë euro para të shtetit e buxhetit. Në vend se të kushtojë 240 milionë euro, prej të cilave 200 milionë ishin kredi e 40 milionë euro shpronësime, kjo rrugë neve po na kushton vetëm 90 milionë, me gjithë shpronësimet.
Në segmentin Kijevë-Dollc puna po ecën shumë mirë dhe shumë shpejt. Eskavatorët po punojnë pandalur. Ju që e kaloni këtë rrugë çdo ditë e dini shumë mirë. Kurse në segmentin Dollc-Zahaq, puna fillon sivjet. Me Qeverinë tonë së pari bëhet analizë e mirëfilltë e planifikim i kujdesshëm, e pastaj puna e madhe, e shpejtë, e mirë e që besa edhe më e lirë. Me neve ka edhe lirë edhe mirë. Poashtu, kemi edhe marrëveshje me Malin e Zi. Kemi zhvilluar edhe takime për rrugën e rëndësishme për kombin shqiptar, për Kosovën, për Malin e Zi, që e lidh Pejën me Rozhajën. Jemi optimistë dhe do të ecim sa më shpejtë përpara, për këtë aks kaq të rëndësishëm për ekonominë, tregtinë dhe kulturën. Projekti “Turizmi i Aventurës” është një tjetër gur i çmuar në kurorën e investimeve tona. Peja është një thesar natyror, dhe përmes zhvillimit të infrastrukturës turistike, synojmë ta bëjmë këtë qytet një destinacion të njohur ndërkombëtar për turizmin e aventurës, duke tërhequr më shumë vizitorë dhe duke fuqizuar ekonominë lokale. Gjatë këtyre katër vjetëve të mandatit tonë Peja i ka të regjistruar afër 400 mijë vizitorë. E në mandatin tjetër, Peja do t’i ketë më shumë se 500 mijë vizitorë, sikurse Qeveria jonë që do t’i ketë 500 mijë zemra nga secili skaj i Kosovës, për Republikë cep më cep. Të dashur qytetarë të Pejës, Solidariteti është politikë etike dhe është etikë në politik. Ne jemi dëshmuar solidar, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kemi pasur Pakon më të madhe për përballje me Inflacion dhe krizë energjetike në të gjithë rajonin e Ballkanit, si përqindje e Bruto Produktit Vendor sipas raportit të Bankës Botërore. Kemi shpërblyer ata që kanë kursyer energji, kemi mbështetur nënat lehona, pensionistët, fëmijët, studentët, pa dallim e gjithandej. Ndërkaq nga pranimi i refugjatëve prej Afganistanit, e deri tek strehimi i gazetarëve nga Ukraina, kemi dëshmuar humanitetin tonë, si shtet e si popull dhe besnikrinë tonë ndaj aleatëve e partnerëve tonë ndërkombëtar. Po, gjithandej në Kosovë e posaqërisht në veri të Kosovës, shtetit i kemi shtu sovranitet, territorit i kemi shtu integritet, popullsisë i kemi shtu siguri, vendit atje i kemi shtu paqe. Kemi vendosë ligjshmëri, kushtetutshmëri, jemi përballë me struktura paralele e me banda kriminale. Ata kanë provuar të na destabilizojnë e të na cenojnë po sa herë që kanë provuar ata, ata kanë dështuar e
ne kemi fituar. Ne këtë nuk e kemi bërë kundër serbëve, po e kemi bërë kundër Serbisë sepse ajo është kundër Kosovës dhe kombit tonë. Gjatë mandatit tonë, në polici të Kosovës i kemi shtuar 2,452 zyrtarë gjithsej, prej të cilëve mbi 6% i takojnë pakicave të Kosovës, përveç asaj serbe. E pakicës serbe i takojnë 8% e kadetëve të ri në policinë e Kosovës. Në këtë mënyrë ne kemi treguar që jemi kundër bashkëngjitjes së strukturave paralele kriminale, e për integrimin e vërtetë të serbëve që e respektojnë ligjin dhe gjithashtu e pranojnë Republikën e Kosovës. Në veri të Kosovës veç vitin e kaluar janë hapur mbi 300 biznese dhe me qindra serb i kemi punësuar dhe ata janë falenderues ndaj Qeverisë, shtetit dhe policisë së Kosovës. Andaj, nuk ka se si të mos çuditemi kur dëgjojmë nga udhëheqja e LDK-së, se policia e Kosovës, Kryeministri i Republikës, institucionet e shtetit tonë, na qenkan si Serbia e Millosheviqit. Por, këtu siç e dini edhe ju vetë, LDKyhi dhe PDKyhi janë bashkë në koalicion. Ata mund të jenë nostalgjik për të kaluarën kur kanë keqqeverisë bashkë por nuk mund të jenë më ëndrrimtar që kjo përsëritet në të ardhmen, sepse e ardhmja është e numrit 118, e koalicionit VETËVENDOSJE!, Guxo, Alternativa, e ardhmja është e Pejës, e ardhmja është e Kosovës, e ardhmja është e Republikës, e gjithë qytetarëve Cep më Cep. Prandaj, kur na rastis të ndëgjojmë ndonjë udhëheqës të LDKyhit që thotë që po i pëlqen populli apo që populli ka simpati për ta, kjo mua mi ngjan asaj mizës që thoshte “kudo që po shkoj po më presin me duartrokitje”. Pra, kur ata thonë që populli po i pëlqen ata është si ajo miza që lavdohej që njerëzit po e presin me duartrokitje. E ju e dini shumë mirë se me ato duar që duartrokasin çfarë janë duke provuar ti bëjnë asaj mize. Të dashur qytetarë të Pejës, Ne brezi ynë ndodhemi midis dëshmorëve në varre dhe fëmijëve në djep. Shtetin e kemi më së shumti prej dëshmorëve, ata e kanë bërë pjesën më të madhe e kryesore të punës, e neve që na ka mbetur një pjesë më e vogël e punës, por jo më pak e rëndësishme, shtetin duhet ta kemi më së pari për të rinjtë, për fëmijët. Pra, për një shtet që i mirëmban idealet dhe amanetin e dëshmorëve dhe i realizon dëshirat e rinisë e ëndrrat e fëmijëve, më 9 shkurt dilni masivisht në zgjedhje. Zgjedhni VETËVENDOSJEN!, koalicionin me Guxo e Alternativën, numrin 118 dhe vazhdoni progresin tonë të përbashkët në ekonomi, në politikë, në shtet, në kulturë, në shëndetësi, në arsim, e çdo fushë të jetës e punës sonë shoqërore. Me tradita, kulturë dhe histori të pasur, Peja ka qenë gjithmonë qendër e rezistencës dhe burim i krenarisë kombëtare. Ta vazhdojmë këtë trashëgimi, për ta ndërtuar bashkë të ardhmen që qyteti juaj e meriton e Republika jonë e meriton. Poeti juaj, poeti jonë, Azem Shkreli me vargje te urta na kujton, po e citoj: “Me folë pa hile me mikun” e “Me ndezë kandila të fikun”. E që gjithmonë me “mat me dorë në zemër”. Andaj, me dorë në zemër, në 500 mijë zemra të përbashkohemi te numri i fitores 118!
Prandaj, unë ju pyes ju qytetarë të Pejës a do të votoni me 9 shkurt? A do ta votoni Lëvizjen VETËVENDOSJE!? A do ta votoni partinë Guxo? A do ta votoni partinë Alternativa? A do ta votoni numrin 118? A e doni Pejën? A e doni Kosovën? A e doni Republikën? A e doni shqiptarinë? Urime fitorja!
Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Prizren
Zhvillim cep më cep! Sovranitet cep më cep! Integritet cep më cep! Veç a e dini çka nuk po mundemi me bë cep më cep, nuk po mundemi me bë një fotografi që ju përthekon cep më cep. Të dashur qytetarë të Prizrenit, Kjo është toka jonë, të parët na e kanë lënë, kush të mos na e preki se vdesim te tanë. Kështu kanë kënduar delegatët e Lidhjes nëpër rrugët e Prizrenit në vitin e largët 1878, misionin e vizionin e tyre. E për 3 vjet kismet do të festojmë 150 vjetorin e kësaj ngjarje e cila shënon momentin e lindjes së kombit modern shqiptar. Kismet pas 3 vitesh do të bëjmë një festë të madhe për ditëlindjen e kombit tonë, më të vjetrit në Gadishullin tonë, e i cili që nga ajo kohë ka lyp vendin e vet të barabartë në mesin e popujve të Evropës së qytetruar. Në histori ne kurrë nuk kemi luftuar për të zabtuar toka të huaja, mirëpo qysh nga Lidhja ne kurrë nuk e kemi ndal luftën për tokat tona. Në dy shekujt e kaluar na patë rënë hise ky fat i keq, mirëpo gjërat kanë ndryshuar krejtësisht me fillimin e këtij shekulli të ri, shekulli XXI na takon ne. Të dashur qytetarë në Prizren më të bukrin vend, është një këngë tjetër që i këndohet këtij qyteti ku ruhet historia e gadishullit tonë. Në këtë qytet ruhen krejt dinet e imanet, krejt gjuhët dhe krejt fetë e popujve të Ballkanit, kala, shtëpitë xhamitë, kishat e hamamet nga krejt periudhat e ndryshme të cilivizimit, krejt shtresat e historisë këtu palohen mbi njëra tjetrën si askund tjetër. E pra, krejt i ka Prizreni, edhe malet e larta ku ngjizet djathi me kobëza, edhe fushat e ulëta ku gatuhet ajvari, edhe vreshtat e verës edhe krejt ujin e dynjasë. Për këtë Prizreni është i bukur, prandaj, bukur mirë po e lidhim Prizrenin. Nuk po e di sa jeni në dijeni, por lart aty në malet e Sharrit, Qeveria jonë veç ja ka nisë rrugës për Tetovë. Kismet po planifikojmë që për atë festë të madhe që do ta shënojmë pas tre vitesh, një pjesë të mysafirëve që na vijnë me i çu edhe nëpër bujtinat e Tetovës, se veç në këto tonat frikohem që nuk na i zënë. E këta mysafirë me i përcjell në mbrëmje, për 40 minuta në Tetovë, asnjë mysafiri nuk i mbetet hatri. Prizreni është qyteti i Lidhjes së Prizrenit, qyteti i Shoqërisë Kulturore Agimi, i Zambakut të Prizrenit, i shkollës së parë shqipe, i radios dhe gazetës Rilindja, i Dokufestit, kryeqytet i kulturës, kryeqytet i fundjavës, muzikës, muzeve, e i artit. Prizreni juaj dhe Prizreni ynë i dashur për të gjithë është kryeqytet i furrtarëve nga Hasi, i ëmbëltorëve gorane, i peshkatarëve nga Kukësi, i bujqve nga Anadrini, i pekmezit të Rahovecit apo edhe pekmezit të dardhave të Suharekës. Të nderuar të pranishëm, të dashur pjesëmarrës, me 9 shkurt, votojmë për të ardhmen, votojmë për punëtorin e për bujkun, votojmë për studentin, profesorin, mësuesin, arsimtarin, votojmë për mjekun, për inxhinierin, votojmë për pensionistin, votojmë për menaxherin e për pronarin, votojmë për nënat e fëmijët, votojmë për veteranët e për invalidët, votojmë për përparimin, votojmë numrin 118, votojmë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, partinë Guxo, partinë Alternativa, gjithandej Prizrenit e cep më cep Kosovës, votojmë për fitoren e Republikës së zhvilluar e të sigurtë, me mirëqenie për familjet e me sovranitet për shtet. Prandaj, thërrisni e flisni me të
gjithë, me çdonjërin, mos pushoni asnjë ditë, punoni shumë, ditë e natë, natë e ditë, sepse erdhi dita që të shohim shumë dritë. E shumë dritë që ndriçon të ardhmen për popullin dhe miqtë, dhe shumë dritë që verbon kriminelët dhe armiqtë, e që na vjen, e që na sjell te 500 mijë zemrat që do të rrahin porsi nji, të dielën e 9 shkurtit, me pulsin 118, me pulsin e atyre që ecin shpejt e punojnë shumë. Të dashur qytetarë të Prizrenit, që nga pas luftës, Prizreni asnjëherë nuk ka qenë më i përfaqësuar në nivelin qendror, si këto katër vite të mirëqeverisjes demokratike të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ne kishim një zëvendëskryeministre nga Prizreni, dy ministra nga Prizreni, tre zëvendësministra nga Prizreni dhe pesë deputetë nga Prizreni. Në komunën e Prizrenit nga qeverisja qendrore në total janë investuar 241 milionë euro, vit pas viti investimet në Prizren i kemi rritur. Nga viti 2021 në 2024 investimet i kemi rritur për gati 1 të 3tën, nga afër 50 milionë në vitin 2021, në mbi 63 milionë në vitin që lamë pas, 2024. Spitali i Prizrenit mbulon zonën rajonale të dyten më të madhe në Kosovë për nga numri i popullsisë pas kryeqytetit Prishtinës, si dhe ofron shërbime edhe për qytetarët e Shqipërisë nga rrethi i Kukësit. Prandaj, krahas shërbimeve të reja që nisën gjatë këtij mandati, si ajo e rezonancës magnetike, një nga tri rezonancat në mandatin tonë, dhe 20 vjet me parë ishin vetëm 2 rezonanca, e këto tri rezonanca ishin në spitalin e Pejës, spitalin e Prizrenit dhe në Klinikën Pedriatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Pra, edhe investime të cilat po vijojnë në renovimin e plotë të repartave, në barnatoren qendrore dhe në depon e barnave, dhe shërbime të reja moderne që po shtohen, në mandatin tjetër me investime që do t’i bëjmë aty në spitalin e Prizrenit, ai do të jetë spital model për Kosovën e rajonin më gjërë. Në rajonin e Prizrenit i kemi asfaltuar për më pak se 4 vjet, më shumë se 100 km rrugë. Por në Prizren e kemi një projekt shumë për zemër. Është projekti që ka entuziazmin tonë më të madh e vëmendjen tonë më të lartë, rruga Prizren – Tetovë. Me këtë rrugë ne vendosim drejtësi historike ndaj një padrejtësie gjeografike. Malet i kemi për të na mbrojtur, jo për të na ndarë. Punimet për rrugën që lidh Prizrenin me Tetovën, Kosovën me Maqedonin e Veriut, shqiptarët në të dyjat anët e kufirit, kanë filluar dhe po ecin me shpejtësi. Vlera e gjithmbarshme e projektit llogaritet të jetë rreth 200 milionë euro. Tuneli pritet të kushtojë rreth 150 milionë euro. Me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut kemi marrëveshjen për financimin dhe projektimin e tunelit. Tuneli do të i bie mes për mes malit të Vërtopit. Ai do të jetë i gjatë gati 6.5 km dhe do të jetë edhe më i gjatë se tuneli i Kalimashit, për përafërsisht 600m. Rritja ekonomike e këtyre katër vjetëve, që është e paparë, jo vetëm në Kosovën e pavarur, jo vetëm në Kosoven e çliruar, por edhe në rajon, nuk është ngecur tek shteti por është shpërndarë te shoqëria. Me shtesa për nënat lehona e fëmijët, në komunën e Prizrenit kanë përfituar, mbi 38 mijë fëmijë e gati 6 mijë nëna lehona, që përafërsisht i bie sa krejt komuna e Malishevëssa ka banorë. Në komunën e Prizrenit, fshtrave cep më cep, i kemi mbështetur mbi 4100 bujq e fermerë, me afër 11 milionë euro subvencione dhe grante. Rreth 3100 familje kanë përfituar subvecione për blerjen e paisjeve efikase për ngrohje me vlerë prej 1.4 milionë euro, dhe 140 familje nga Prizreni kanë përfituar për izolimin e shtëpive të tyre me një vlerë prej gjysmë milioni euro.
Mbi 2 milionë euro për mbi 80 biznese përfituese nga skemat për makineri, certifikim, artizanatë dhe inovacion, dhe shumë ndërmarrje nga Prizreni me mbështetjen tonë kanë marrë pjesë në 32 panaire në vende të ndryshme të botës që i përkasin industrive ushqimore, përpunuese, si dhe në turizëm. Në Prizren e kemi edhe Parkun e Inovacionit e Trajnimit. 2 milionë euro i kemi ndarë për këtë park në mandatin e parë, e në mandatin e dytë e kemi trefishuar mbështetjen financiare për ITP. Pra, kemi mbështetur shoqërinë, kemi mbështetur sektorin privat, kemi mbështetur ndërmarrjet publike. Por, a i keni dëgjuar të dashur qytetarë të Prizrenit, altoparlantët e oligarevë kur thonë VETËVENDOSJE! nuk po e mbështet biznesin. Hajde rren, hajde. Në katër vjet qeverisje, rritja mesatare ekonomike ishte 6%, asnjëherë pa ra nën 4%. Duhet të jesh fort i kufizuar me dije, të besosh se nuk ja ka pa hajrin biznesi kësaj rritje të qëndrueshme. Por edhe krejt sikur i padijshëm të jesh, megjithatë nuk mund të mos e kuptosh, se përmirësimi i raportit eksport-import, nga 1 me 9 në 1 me 6, siç ka ndodhur në qeverinë tonë, nuk mund të realizohet pa forcim të biznesit vendor, pa zgjërim të prodhuesve vendorë. Investimet direkte nga jashtë gjatë qeverisjes sonë kanë qenë 2.3 herë më të larta sesa të qeverive të kaluara. Qarkullimi i bizneseve kosovare është rritur nga 12.5 miliardë në 22 miliardë euro, ndërkaq në qeverinë e atyre, kishte kontrabandë që nuk bëhet më, kriminalitet që është ndalur e ndaluar dhe gjithashtu keqfunksionim të institucioneve, që na e solli përtokë imazhin e vendit jashtë në arenën ndërkombëtare. Prandaj, rritja e eksporteve, rritja e investimeve, rritja e punësimit, rritja e ekonomisë, rritja e buxhetit, rritja e shtesave, rritja e pensioneve, që të gjitha këto tregojnë, që biznesi, me qeverinë tonë, po shkon zjarr, po punon dhe po rritet. Mirëpo, të dashur qytetarë të Prizrenit, korporata Devolli, 62.6 milionë euro, ja ka zhvatur Telekomit të Kosovës, që do të thotë se secilit prej jush, secilit qytetar të Kosovës, ja ka marrë përafërsisht 40 euro. Andaj, unë kërkoj përsëri, nga pronari i korporatës Devolli, t’ia kthejë menjëherë Telekomit Kosovës 62.6 milionë euro, dhe t’iu kërkojë falje për arbitrazhin e kurdisur. Malli i huj, nuk bëhët i yti. Shtetin tënd, s’bën me vjedh. Ktheni paret, fitoni shëlbim e shpagim. Ku është Z-Mobile sot? Zyrtarisht Z-Mobile vetem një të punësuar e ka, sepse nuk ju duhen më meqë e kanë kry plaçkitjen. E krerët e prokurorisë, qartazi kanë vdek për së gjalli. Na duhet doemos, me doemos, na nevojitet, një kryeprokuror i ri, profesionist, patriot, i ndershëm. Të dashur qytetarë të Prizrenit, bandat e Serbisë dikur pasuroheshin në veri, e këta oligarkët pasuroheshin në arbitrazhe ndërkombëtare. Të dy grupet kundër Kosovës. Tash shtrohet pyetja: a me koordinim, a pa koordinim? Bandat i shporëm dhe i shpartalluam, kurse këtyre edhe njëherë po i bëjmë kërkesë publike që menjëherë t’i kthejnë 62.6 milionë euro te Telekomi i Kosovës. Të dashur qytetarë të Prizrenit, VETËVENDOSJE! është lëvizje. Esat Mekuli e ka një varg fantastik,thotë: “Njeriu asht lëvizje e pandalshme, klithmë gjaku që vlon”. E këtu në mesin tuaj, sonte i kemi këtu bashkë, axhën Avni e tezen Xhemile. Astriti e Arbënori nuk janë më fizikisht me ne, por shpirti i tyre rron sepse shpirti i tyre na bashkon, sonte në Prizren dhe çdo ditë anembanë Kosovës dhe cep më cep të shqiptarisë. Prandaj, për lëvizjen tonë, për VETËVENDOSJE!, për Ushtrinë Clirimtare të Kosovës, për Republikën e pavarur, për kombin shqiptar, buxhetin për ushtrinë që na mbron, e kemi rritur tre herë. Tre herë më shumë sesa ka qenë në qeveritë e kaluara. Trajnimet për ushtarët i kemi rritur katër herë, katër herë më shumë
se në qeveritë e kaluara. Numrin e ushtarëve, e kemi dyfishuar, ndërkaq armatimin e municionet, i kemi shumëfishuar. Tash dy vjet, Kosova ka arritur standardin buxhetor të vendeve të NATO-s, pra shpenzon ma shumë se 2%, të bruto produktit vendor për ushtrinë, dhe këtë ne do të vazhdojmë ta rrisim edhe më tej. Te shumëfishimi i investimeve në armatim, duhet përmendur veç një fakt; Për vitet 2018-2020, shpenzimet kanë qenë më pak se katër milionë euro, e për vitet 2021 deri në vitin e kaluar, shpenzimet kanë arritur më shumë se 319 milionë euro. Kemi marrë armatimin më modern, Bayraktarët luftarakë nga Turqia e Javelinët anti-tank nga Amerika. E në këtë javë na erdhi edhe konfirmimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për helikopterët amerikanë Black Hawks, që do t’i bashkohen flotës së ushtrisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës. E pra të dashur prizrenas, kështu realizohet ma në fund rezoluta e Lidhjes së Prizrenit. Kështu bëhet realitet ruajtja e tokave dhe trojeve tona. Kështu e këtu, atdhedashuria tregohet. Ata tjerët, që mburren me muskuj, me reklama dhe me pallavra, ushtrinë tonë e dobësuan dhe e vodhën. Ne e rritëm dhe e forcuam sovranitetin e Kosovës, dhe ushtrinë e Kosovës, dhe do të vazhdojmë ta rrisim, ta forcojmë, me ndihmën e me përkrahjen tuaj, e me qeverinë tonë e tuajën. Të dashur qytetarë të Prizrenit, barazia edhe drejtësia e bëjnë rritjen zhvillim dhe zhvillimin progres. Kush punon, fiton; kush fiton, investon; kush investon, punëson; kush punëson, fiton edhe më shumë. Kjo është Qeveria jonë! Prandaj, me datën 9 shkurt, gishtin në kokë dhe dorën në zemër, voto këtë numër e këtë emër – numri 118, emri VETËVENDOSJE!. 118, 118…. është zgjidhja dhe zgjedhja e vërtetë për Prizrenin dhe, cep më cep, për Kosoven! Të dashur qytetarë të Prizrenit, të nderuar të pranishëm, me 9 shkurt, mos e zgjatni fort. Numri 118, koalicioni VETËVENDOSJE!, Guxo, Alternativa, 110 kandidatët secili ma i mirë se tjetri, dhe këta bashkë lista më e mirë që e keni pa, dëgju e lexu, jo veç në Kosovën e pavarur por që nga çlirimi para çerekshekulli. Andaj të jeni të sigurt, që njetin e kemi të mirë, hyzmetin po e bëjmë, ymytin e kemi të madh, e me kismet, me 9 shkurt lezet dhe selamet, cep më cep! E për opozitën, hajmedet! Faleminderit shumë, faleminderit përzemërsisht. Ju dua fort! Mirupafshim dhe natën e mirë!
Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Shtime
Kryetari Aliu, doktor Qemajli, sot në Shtime më ka pritur me 118 anëtarësime të reja në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Dhe, kur i takova këta të rinj, e këto të reja, 118 gjithsej, që posa u anëtarësuan sot në VETËVENDOSJE!, njëri prej tyre tha që na e kemi pulsin e zemrës 118. Është e vërtetë që pulsi 118 është i lartë, por ata që ecin shpejt e punojnë shumë, e kanë pulsin e lartë të zemrës, 118! Ju faleminderit shumë, të dashur qytetarë të Shtimes, për këtë mikpritje kaq të ngrohtë e kaq të përzemërt, që na e ka sjellë verën në dimër, se duhet ta përshpejtojmë pranverën, e sivjet ajo fillon me 9 shkurt, e jo me 21 mars! Unë ju jam shumë falënderues, e thellësisht mirënjohës për mbështetjen, përkrahjen, ndihmën, e solidaritetin që na e keni dhënë ndër shumë vite, jo vetëm qeverisë, por edhe Lëvizjes, pavarësisht krizave e stuhive nëpër të cilat kemi kaluar, dhe e kemi dëshmuar që Shtimja është një vendbanim i moçëm, ndër komunat më të vjetra të Kosovës, vend i ushtarëve në luftë, e i punëtorëve në paqe që i ka qëndruar pranë gjithmonë Vetëvendosjes dhe qeverisë sonë të Kosovës, dhe e cila do t’ju qëndrojë gjithmonë pranë juve, për një jetë më të mirë, pa dallim, pa diskriminim, pa favorizime, e pa privilegje për askënd.
Po pra, Shtimja është komunë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse vetëm në luftën e fundit çlirimtare, Shtimja i dha 51 dëshmorë, e 87 martirë. Qeveria e Republikës, me mua si kryeministër, me grupin tonë parlamentar, me kolegët nga qeveria, me Lëvizjen Vetëvendosje, jemi munduar me krejt çfarë kemi ditur e mundur, që në një anë t’i qëndrojmë besnik idealeve e amaneteve të dëshmorëve, e në anën tjetër t’i realizojmë sa më shumë, e sa më shpejt dëshirat e rinisë, e ëndrrat e fëmijëve të atdheut tonë të dashur. Prandaj, me qeverinë tonë, ia kemi rritur bujkut arenë, punëtorit rrogën, ndërmarrësit fabrikën, studentëve bursën, e ushtarit pushkën! Qeveria e Vetëvendosjes ia ktheu ekonomisë së vendit prodhimin bujqësor, tregtar e industrial. Të moshuarve që kanë kontribuar aq shumë gjatë jetës së tyre për jetën tonë ua rriti pensionet, veteranëve e invalidëve të luftës ua rriti benefitet dhe përkrahjen institucionale shtetërore, kurse këtyre institucioneve të shtetit ia ktheu historinë kombëtare, dhe lavdinë e luftës çlirimtare. Ky pra është shteti që e duam, sepse na duhet, që na duhet sepse e duam. Shteti i cili është i domosdoshëm, për brezin tonë, për zhvillim, për mbrojtje, për siguri, për mirëqenie, por edhe për brezat që do të vijnë, të rinisë, të fëmijëve, e madje edhe të fëmijëve që ende s’kanë lindur e ndaj të cilëve poashtu ne kemi përgjegjësi, dhe duhet të jemi në nivel të detyrës kombëtare e historike. E ky shtet është shtet solidar që kujdeset për të gjithë, pavarësisht prej nga vijnë njerëzit e ku jetojnë qytetarët. Një shtet solidar mes të rinjve e të moshuarve, mes burave e grave, mes brezit tonë e gjeneratave të ardhshme, me kujdes për ambientin, për borxhin publik, për edukimin e shëndetësinë, që të gjithëve u jep mundësi të barabarta për zhvillim, e cili nuk lë askënd mbrapa, por harton politika që rrisin punësimin, rrisin pagat dhe rrisin mirëqenien për të gjithë. Këta jemi ne pra, e numri jonë është 118, e data jonë e fitores është 9 shkurti, e katër vjet të reja zgjatje të qeverisjes sonë na presin pas atyre zgjedhjeve me të cilat ne do të shënojmë fitore historike, rekord të paparë me 500 mijë zemra që do të rrahin por si një!
Me Qeverinë tonë qendrore, e me qeverisjen tuaj lokale, komuna e Shtimes e ka observatorin dhe planetariumin kombëtar të parë e të vetëm në Kosovë, me teleskopin më të madh diellor në krejt Europën Lindore, dhe i ftoj të gjithë qytetarët e Shtimes që tashmë nuk e kanë bërë këtë, dhe i ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që tashmë nuk e kanë bërë këtë, bashkë me fëmijët e tyre ta vizitojnë observatorin dhe planetariumin, sepse aty krijojnë përvoja unike dhe mësojnë për qenien, e natyrën, e qiellësinë si askund tjetër në atdheun tonë, Kosovën Republikë. Me qeverinë tonë qendrore, e me qeverisjen tuaj lokale, komuna e Shtimes tashmë ka bibliotekën e qytetit, sepse e kemi një qeverisje lokale që i do librat dhe i do njerëzit që i duan librat. Shtimen e kemi gjetur vetëm me një qerdhe për fëmijë, pra, 20 vjet një qerdhe. Në katër vitet tona, po ia shtojmë Shtimes edhe 4 qerdhe të reja. Qerdhja në Muzeqinë ka përfunduar dhe ka filluar punën për 40 fëmijë, qerdhja në Godan ka përfunduar ndërtimin, dhe shumë shpejt do të hapet. Qerdhja në Shtime është renovuar totalisht, dhe gjithashtu shumë shpejt do të përurohet, kurse këtë muaj do të hedhim gurthemelin për qerdhën e re në Petrovë. Të trija këto qerdhe për 60 fëmijë secila, e në plan është edhe një qerdhe tjetër në fshatin Carralevë. Në mandatin tonë të radhës, në mandatin tonë të ardhshëm, në katër vitet në vijim që menxi po na presin, ka edhe shumë punë, sepse ka edhe shumë projekte për komunën e Shtimes. Ndërtimi i kompleksit memorial të masakrës Reçakut, i dyti në vend pas atij për epopenë e UÇK-së, për kryekomandantin Adem Jashari në Prekaz. Do ta vazhdojmë autostradën Duhël – Shtime – Banullë me gjatësi 31 kilometra. Dy vjet bëhen përgatitjet, vitin tjetër fillon puna në terren. Ky projekt ka prioritet të lartë në qeverinë tonë, sepse praktikisht është nyja që i lidh 3 autostrada: Ibrahim Rugova, Arbën Xhaferi dhe autostrada e Gjilanit, duke e funksionalizuar kështu tërësisht rrjetin e autostradave në vendin tonë. Tjetra, ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare, investim rreth 3 milion euro, dhe ndërtimi i Entit Special të Shtimes, investim prej 6 milion euro, e gurthemelin do ta vendosim së shpejti së bashku. Pastaj, renovimi i parkut teknologjik me kontratë 170,000 euro, që tani më është duke u bërë, si dhe ndërtimi i nënstacionit të transmisionit 110 KW, zgjidhje e problemeve me ngarkesën e energjisë elektrike. Të dashur qytetarë të Shtimes, të nderuar të pranishëm, në ato 2 dekadat e pasluftës kishim politikanë që defiluan për pushtet, që e kishin pushtetin sfilatë. Atyre u ka rënë zilja! Atyre u ka rënë zilja pa kthim, koha e tyre ka ikur, afati i tyre ka skaduar. Faleminderit kush i ra ziles, e të e parashikonte fjalimin tim. Këta që defilonin në pushtet, e pushtetin e kishin sfilatë, disa prej tyre nuk kishin mend, disa prej tyre nuk kishin zemër, e jo pak prej tyre as mend, as zemër. E ne, në këto 4 vjet, me mend kemi planifikuar, e me zemër kemi realizuar. Pas luftës, mu këto parti që tash janë në opozitë e paraqesin ish-qeverinë, ish-ish-ish qeverinë, e ndanë dhe e përçanë popullin. E këta që e ndanë dhe e përçanë popullin, u ka rënë zilja. Ne tash po e bashkojmë popullin në Lëvizje. Faleminderit shumë për këtë bashkim të jashtëzakonshëm, Lëvizjen tonë të përbashkët!
Me qeverisjen tonë, të gjithë që punojnë do të fitojnë. Gjithnjë e më shumë njerëz do të punojnë, e gjithnjë e më shumë do të fitojnë. E kur të themelohet byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, politikanët e korruptuar edhe do t’i nxjerrim në pension të dinjitetshëm, edhe
do t’ua konfiskojmë pasurinë e paligjshme, edhe Prokuroria dhe Gjykata e re e shtetit do të merret me ta, sepse viktimat kërkojnë drejtësi! Korrupsioni i tyre, të dashur Shtimjanë, na e ka vlerësuar shtetin tonë. Por, përkundër këtij zgjerimi që ata e kanë bërë për 2 dekada, mirëqeverisja jonë për vetëm 4 vjet e ka lartësuar shtetin lartë si asnjëherë më parë, në lartësi të paparë, si ekonomi e si buxhet, si pasaportë e si sovranitet. Me qeverisjen tonë, kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi trefishuar buxhetin për mbrojtje, kemi katërfishuar trajnimet e ushtarëve jashtë vendit, dhe kemi qindfishuar buxhetin dhe shpenzimet për armatim dhe municion. Me qeverisjen tonë, policisë kompetente, profesionale, me integritet të Republikës së Kosovës, ja kemi rritur buxhetin për 66%. Në këto katër vite, rreth kufirit me Serbinë, veri, kemi 9 stacione të reja policore, të cilat na e mbrojnë vendin, paqen, sigurinë, ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, stabilitetin e vendit tonë të dashur. Mbi 300 milion euro subvencione e grante për 118 mijë përfitues. Për herë të parë, në vitin 2024 kemi më shumë kërkesa prej bujqve e fermerëve që të punojnë tokën si asnjëherë më parë, dhe si rezultat kemi 50% më shumë tokë të punuar sesa në vitin e parë parapandemik 2019. Buka jonë, në sofrën tonë, nga toka jonë, me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural e Pylltarisë që e udhëheq kryetari, bashkëkryetari i partisë Guxo me të cilin ne jemi në koalicion, Faton Peci. Dhe, përveç me partinë Guxo, jemi në koalicion edhe me partinë Alternativa që e udhëheq Mimoza Kusari Lila. Koalicioni ynë është dëshmi që ne jemi bashkë, koalicioni ynë është dëshmi që ata janë të ndarë, po ndarjeve e përçarjeve u ka kaluar koha, tash jemi në kohën e bashkimit e të fitoreve të numrit 118, me datën 9 shkurt, cep më cep të Shtimes dhe Republikës së Kosovës.
Në këto 4 vjet qeverisje, i kemi ndarë mbi 15 milion euro për mbi 11 mijë bursa për studentët tanë. Përveç se e kemi bërë arsimin publik në çdo nivel, edhe universitar, bachelor e master pa pagesë. Arsimit ia kemi rritur buxhetin gati 30%, ndërkaq shëndetësisë 50%. Tash, lista e barnave esenciale ka shumë barna të reja, dhe buxhet gati trefish sa që kishte në vitin 2019. Ndërkaq, mbrëmë, cilido mjek specialist në Republikën e Kosovës, që ka kujdestaruar 24 orë, i ka marrë 285 euro. Pra, mjekët specialistë, infermierët janë në fokus të mbështetjes së qeverisë sonë. Prandaj, kur kemi parasysh punët e mbara e të mira që i kemi bërë bashkë në këto 4 vjet, le të vazhdojmë bashkëqeverisjen edhe për 4 vjet tjera. Në Shtime e në Kosovë, në Kosovë e në Shtime, ashtu që kur votat numërohen më 9 shkurt, të dielën e 9 shkurtit, pra sonte 3 javë, e kur ta shpallin fitoren, dijeni se ju jeni më meritore, pa juve nuk ka progres, pa juve nuk ka fitim. Ju jeni populli që e bëni Kosovën shtet sovran dhe Kosova është ajo që ju bën juve qytetarë të Republikës. Votoni më 9 shkurt numrin 118 për veten tuaj, për familjet tuaja, dhe për të mirën tonë të përbashkët! E kryetar Aliu, doktor Qemajl, sot 3 javë votojmë bashkë, fitojmë bashkë, por siç e ke organizuar këtë tubim madhështor sot, sot 3 javë, sonte 3 javë na e organizo tubimin tjetër festiv, sepse pas fitores së përbashkët, e kemi festën e përbashkët. Festën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të fitores së numrit 118! E tash, qytetarë të Shtimes, pas kësaj pasdite të shkëlqyeshme që e kalova në komunën tuaj të mrekullueshme, ne duhet të vazhdojmë me kandidatët tanë për Ferizaj.
Atje e kemi në sallën Bill Clinton tubimin e radhës. E kur të na pyesin atje, a e ka Shtimja pulsin e zemrës 118, çka t’u themi ne? Sot 3 javë, të dielën e 9 shkurtit në Shtime, a po fiton numri 118, çka t’u themi ne? Më 9 shkurt, në zgjedhje të rregullta e parlamentare, kush do të votohet anë e mbanë, anë e kënd, gjithandej Shtimes dhe cep më cep të Republikës së Kosovës? A do t’i bëjmë 500 mijë zemra që rrahin por si një? Faleminderit shumë, urime fitorja! Jua dua fort, përzemërsisht, natën e mirë e mirupafshim!
Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Mitrovicë
Dy zemra t’i kisha pasë, dyjat t’i kisha falë Mitrovicë. Mirë se ju gjej këtu në qytetin e Isë Boletinit e të Hasan Prishtinës. Mirë se ju gjej në Mitrovicën e Trepçës, të Ibrit e të Sitnicës. Në këtë qytet të njerëzve të dashur, puntorë, patriotë të mëdhenj që kanë dhënë aq shumë për Kosovën dhe Shqiptarinë, jo vetëm të luftarëve nga e kaluara, por edhe të dëshmorëve të luftës së fundit si Mehë Uka, Artim Jashari, Fatime Hetemi, Shemsi Ahmeti, Xhevat Jusufi, Agim Sadiku, Agim Ramadani e Adem Trepcca. Mirë se ju gjejmë edhe në Mitrovicën e UÇK-së. E në Mitrovicën e veprimtarëve të pa epur, të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë si Latif Berisha dhe Agim Hajrizi e të këngëtarit martir, Haki Misini. Të nderuar të pranishëm, më lejoni të përshëndes shtatë kryetarë që i kemi këtu në rreshtin e parë në këtë tubim madhështor në Mitrovicë. Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufcën, bashkë kryetarët e partisë “Guxo”, Donika Gërvallën dhe Faton Peci. Kryetaren e partisë “Alternativa” Mimoza Kusari, dhe dy kryetarë fort të veçantë që i kemi fort për zemër, Erden Atiqi nga veriu i Mitrovicës dhe Lulzim Hetemi nga Leposaviqi. Të dashur qytetarë, ne e mbrojmë vendin tonë duke e dashur atë, e kush më mirë se ju e ka bërë këtë në këto 25 vitet e fundit. Përkundër vështirësive që keni kaluar, ju nuk keni rreshtur së dashuri qytetin tuaj, Mitrovicën tonë. Duke e dashur e keni mbrojtur, ju falemnderit! Bashkë e kemi dëshmuar se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria në vendin tonë, sovraniteti, paqja dhe rendi, e populli dhe Republika jonë nuk mund të mposhten asnjëherë nga askush. Nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më sundim të bandave kriminale, nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më qarkullim të targave ilegale, nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më ngritje të barrikadave, nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më prodhim të kriptovalutave. Fuqia e ligjit të drejtë në Republikën demokratike të Kosovës ngadhënjen gjithmonë, çdo kund, cep më cep Mitrovicës e të Republikës së Kosovës. Gjatë këtyre më pak se katër vite, 65 km rrugë të asfaltuara janë shtruar në veri, edhe 100 km tjera rrugë shtesë janë në proces e sipër. Në veri të Ibrit janë regjistruar vetëm ne vitin që lamë pas 300 biznese te reja dhe qindra qytetarë janë punësuar. Kush integrohet përfiton, kush respekton ligjin e mbështetë Qeveria. Për këto katër vite, Qeverisë tonë e tuaj, ne i kemi shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa këta tjerët para nesh për 8 vite. Për çdo vit të qeverisjes tonë ia kemi shtuar ekonomisë nga 1 miliardë euro, e atyre para neve iu nevojiteshin 3 vite për 1 miliardë. Prandaj, për rritje ekonomike jemi tri herë më të shpejtë se ata, e për rritje të punësimit gati katër herë më të shpejtë se ata. Ne punojmë më shumë sepse ne punojmë shumë, ne ecim më shpejtë sepse ne ecim shpejtë, ne jemi në lëvizje andaj zemra jonë rreh fort dhe pulsin në këtë fushatë e kemi 118. 500 mijë zemra tek ky numri 118 janë zgjidhja e vërtetë, janë fitorja Cep më Cep. Të dashur qytetarë, Vizitën sot në Mitrovicë e nisëm tek flotacioni i Trepçës. Trepça është ballafaquar me borxhe të trashëguara rreth 20 milionë euro, uzurpim të pronës në jug e në veri, tendencë për t’i përvetësuar rezervat e saj të plumbit e të zinkut dhe me keqadministrim të vazhdueshëm. Mirëpo. miniera e Stantërgut vetëm në periudhën ndërmjet shtatorit dhe dhjetorit të vitit 2024 ka arritur nxjerrje mujore të xehes 14 mijë deri në 15 mijë tonë xehe, rekord që nga paslufta. Kjo është arritur në saje të përmirësimit të menaxhimit, rikthimit të punëtoreve në minierë dhe prodhim, rikthimit të pronave dhe ndalimit të plaçkitjes së pasurisë së Trepçës nga uzurpatorë privat. Përpjekja për përvetësim të rezervave është ndaluar dhe ndalur, dhe për këto tri vjet kemi mbështetur si Qeveri e Republikës, Trepçën tonë e tuaj të dashur me mbi 30 milionë euro. Qëllimi ynë është që Trepça të përfshihet në Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, të zgjerohet prodhimi përmes hapjes së punishteve të reja të nxjerrjes së xehes, dhe nga 250 mijë tonë të nxjerrim rreth 500 mijë tonë, përmirësimi i procesit të flotimit të xehes dhe rikthimi i industrisë së plumbit dhe të zinkut. Trepçës ia kemi kthyer edhe terminalin rajonal, të cilin ish qeveritarët, ish ish ish qeveritarët e patën privatizuar. Por, të dashur qytetarë të Mitrovicës, neve pra na duhet mandati i ri edhe për punishte të reja. 500 mijë vota me zemër për 500 mijë tonë xehe Trepcës kur t’i bashkohet Fondit Sovran të Republikës së Kosovës. Të nderuar pjesëmarrës, Ndërmarrja Ibër – Lepenc 16 vjet ka operuar me humbje, vetëm në vitet 2016 – 2021 ka pësuar 22.3 milionë euro humbje. Me Qeverinë tonë ka filluar të dalë nga kriza e të fitojë 380 mijë euro fitim në vitin 2022, 632 mijë euro fitim në vitin 2023, dhe nga humbja prej 2.9 milionë euro në vitin e parë të qeverisjes tonë në vitin 2021 për vetëm 3 vite e ka përmbyllur vitin 2024 me fitim 1.6 milion euro. Ndërmarrja Ibër – Lepenc e ka menaxhuar me sukses dëmin që na u shkaktua nga sulmi terrorist i atyre që janë të orkestruar, dirixhuar e financuar nga Beogradi e Moska, dhe përveç kësaj po e bën ndërmarrjën Ibër – Lepenc nga e cila varet edhe uji e ujitja për Kosovën edhe energjia elektrike, shembull të suksesit se si qeveriset mirë me një ndërmarrje publike. Në përgjithësi kur jemi zgjedhur para 4 viteve prej jush, 17 ndërmarrje publike qendrore i kemi gjetur me humbje të gjithmbarshme 59 milionë euro, e në vitin 2024 17 ndërmarrjet publike qendrore i kemi sjellë në fitimin në nivelin, në lartësinë 139.6 milionë euro. Pra, Qeveria jonë edhe din edhe don edhe guxon. Ne nuk e kërkojmë thjeshtë atë që është e mundur, ne e bëjmë të mundur atë që e kërkojmë, atë që kemi të drejtë, atë që e meritojmë, atë që na duhet. Të dashur qytetarë të Mitrovicës,
Punët e mira, rezultatet e pamohueshme janë në çdo fushë. Në Mitrovicë dy çerdhe të reja, në Iliridë ndërtim e sipër 480 mijë euro dhe po ashtu në Shipol. Investime në infrastrukturën e arsimit para-universitar, në shkollat “Avdullah Shabani” në Iliridë, “Ismail Qemaili” në Bajr, “Skënderbeu” në Paganicë dhe “Nonda Bulka” e “Aziz Sylejmani”. Kemi bërë investime thelbësore në kampusin modern të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, kemi rehabilituar Qendrën e Kulturës, xhaminë e Maziqit, kemi renovuar dhe modernizuar stadiumin “Adem Jashari” një nga projektet më të mëdha të Mitrovicës e me rëndësi jetike edhe për Lojërat Mesdhetare 2030. E kemi renovuar spitalin e pediatrisë në Mitrovicë dhe Qeveria po e mbështetë rindërtimin e 200 shtëpive në Mitrovicën veriore e është në proces të përzgjedhjes së lokacioneve për banim social në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Po ashtu, duhet theksuar rruga Mitrovicë – Bajgorë – Podujevë, investim i madh që ka filluar e pritet të vazhdojë rehabilitimi. Rruga është e rëndësisë thelbësore për lidhjen e Mitrovicës me Podujevën përmes Shalës së Bajgorës. Mandej, rruga Bare – Selac, një rrugë e rëndësisë së posaçme për Shalën e Bajgorës, rruga Maxherë – Dedi, rruga e Bistricës, Cerajës dhe Kushtovës së Vllahisë, rruga Suhodoll – Vidimiriq – Zveqan, impianti i ujërave të zeza – projekt në vlerë mbi 30 milionë euro për rehabilitim të ujësjellësit dhe ujërave të zeza si në Mitrovicë, ashtu edhe në Vushtrri. Vlera e përgjithshme e projektit për rrugën Mitrovicë – Prishtinë, për rrugën Prishtinë – Mitrovicë është 25 milionë euro. Projekti merreni me mend ka nisë në vitin 2009, ma shumë se para 15 vjetëve, herë nuk bëhej shpronësimi, e herë nuk kryheshin punimet. Mirëpo, tash që po flasim, ka përfunduar dhe është lëshuar për qarkullim segmenti i parë, i cili shkon deri në hyrje të Vushtrrisë. Paralelisht janë zhvilluar punimet deri në Gojbulë, me gjatësi rreth 4.2 km, e gjithashtu e kemi nënshkruar marrëveshjen edhe për segmentin nga Smrekonicë – Mitrovicë me gjatësi 5 km. Në qershor parvjet, Ministria e ka rishpallur tenderin për ndërtimin e rrugës dhe pas përzgjedhjes së operatorit ekonomik është nënshkruar kontrata me 5 shkurt 2024 me afat 1 vit për kryerjen e punimeve, pra deri me 5 shkurt 2025. Ne 4 vjeçarin e ardhshëm, pas fitores sonë, të mbi gjysmë milioni zemrave, do të kemi mbështetje deri 1 miliard për investime të mesme e të mëdha në ndërmarrje prodhuese, do të kemi program multidimensional për turizmin, me investime deri në 500 milionë euro në kompleksin turistik në Brezovicë, në partneritet me investitorët privatë. Do ta kompletojmë infrastrukturën sportive, mbi 200 milionë euro për 20 stadiume në 18 komuna. Do ta përzgjedhim këtë pranverë përfundimisht dhe do të fillojmë sa më shpejt me hekurudhën Prishtinë – Durrës, Kosovë – Shqipëri. Porti i thatë i Prishtinës me portin e ri të Durrësit. Do ta rrisim aktivitetin e gruas në ekonomi me një sërë masash, përfshirë edhe programin Superpuna për gratë. Do ta rrisim harmoninë e kohezionin shoqëror përmes mbështetjes financiare për gjyshet e gjyshërit që kujdesen për mbesat e nipërit e tyre nga mosha 1- 3 vjeç për rastet kur punojnë të dy prindërit e fëmijëve.
Do të bëjmë investime të mëdha, gjithnjë e më të mëdha, në mbrojtje e funksionalizim të fabrikës së municionit, por edhe për ndërmarrjet tjera nga fusha e ekonomisë ushtarake. Për vit do ta mirëmbajmë e do ta rrisim mbështetjen e përkrahjen financiare për Sanxhakun e për Luginën. Ferizajn e Gjilanin do t’i bëjmë me ngrohtore të re, e dyfishim të kapaciteteve të ngrohtores në Prishtinë. Klinika të reja në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, spital të ri në Mitrovicë, spital të ri në Ferizaj, Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare si në Fushë Kosovë, ashtu edhe në Therandë. Do ta bëjmë mbrojtjen efektive të infrastrukturës kritike të vendit, mbi 75 milionë euro për masa të cilat bëjnë rritjen e efiçiencës në konsumin e energjisë dhe 10 profile të reja të mësimit dual që e lidhin tregun e punës me arsimin profesional, ashtu që për çdo diplomë shkolle të kemi për të rejat e të rinjtë tanë një vend pune. Të dashur qytetarë të Mitrovicës, të dashur pjesëmarrës, Njerëzit e shitur e patën vënë Kosovën në pazar politik dhe ekonomik. Qeveria jonë e ka nxjerr Kosovën nga pazari dhe i ka nxjerr pazargjitë jashtë nga pushteti. E në këto zgjedhje të rregullta parlamentare, zgjedhja e vërtetë është kur qytetarët vendosin vetë e për veten. Kjo zgjedhje është zgjidhja, dhe ajo e ka numrin 118 të dielën e 9 shkurtit të motit 2025. Premtimet e këtyre të tjerëve, premtimet e atyne të tjerëve, të dashur qytetarë, i ngjajnë hajnit që don me ta vjedhë shpinë, por ta premton një bakshish. Kur i dëgjoni ata duke ju premtuar dijeni që ata duan me ta lon bakshishin masi që ta vjedhin shpinë. Por ka kaluar koha kur ata bëjnë sfilatë në pushtet e vjedhin shpinë e popullit. Opozita e ka vendin më së shumti në opozitë. Dhe a e dini pse ata nuk vijnë më dot në pushtet? Për shkak të popullit, për shkak të popullit që kurrë nuk i shërbyen me nder e asnjëherë nuk e kuptuan tamam. Për dallim prej tyre, aleancën me perëndimin Qeveria jonë e ka përdorur për ta forcuar ushtrinë, për ta mbrojtur kufirin, për ta luftuar Serbinë, për t’i eliminuar strukturat paralele. Për këto ne e kemi përdorur aleancën me perëndimin. Forca e Sigurisë së Kosovës i ka dyfishuar ushtarët, e ka rrit tavanin e moshës nga 23 në 25 vjeç, Forca e Sigurisë së Kosovës e ka hequr tavanin prej 5 mijë pjesëtarëve, e ka katërfishuar trajnimet jashtë vendit, ja kemi trefishuar buxhetin mbrojes e e kemi shumëfishuar buxhetin për armatim e municion, 319 milionë euro në Qeverisjen tonë. Kjo është aleanca jonë me perëndimin, aleancë që na bën më të fortë, aleancë që na ngrit, na lartëson, na madhnon, na fuqizon, na forcon ushtrinë tonë, ushtrinë e Republikës, ushtrinë e popullit – për këtë duhet përdorur aleanca me perëndimin. Aleancën me perëndimin e kemi përdorur për bashkë-zbarkim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kuvajt, bashkë-zbarkim me Mbretërinë e Bashkuar në Belize dhe Ishujt Falkland, për Defender Europe 21, për Defender Europe 23 dhe sivjet për Defender Europe 25, ku do të jemi edhe pjesëmarrës edhe nikoqir. Prandaj, vetëm kështu
përdoret aleanca me perëndimin. Aleancë nga e cila nuk forcohet Qeveria, por forcohet shteti, forcohet ushtria, forcohet populli. E të dashur qytetarë të Mitrovicës, për çka e kanë përdor këta që tash janë në opozitë dikur aleancën me perëndimin, e kanë përdor, e kanë keqpërdor aleancën me perëndimin për me ambalazhu ose hajninë ose tradhtinë e tyre. Prandaj, ata u larguan nga pushteti dhe prandaj ata nuk do të kthehen më në pushtet. Aleanca me perëndimin, partneriteti me perëndimin, miqësia me perëndimin përdoret për ta forcuar ushtrinë, e kurrë për ta ambalazhuar hajninë apo tradhtinë siç bënë ata që ishin në pushtet, e tash janë në opozitë, e do të plaken në opozitë, e do të rrokaten në opozitë. Të dashur qytetarë të Mitrovicës, Ne i kemi motivet e larta, qëllimet e përbashkëta, misionin fisnik. Vullneti, të drejtat dhe nevojat e qytetarëve janë ligji për Qeverinë tonë, andaj, ne e kemi nderin të i shërbejmë një populli të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm, qysh është populli i Kosovës, qysh janë shqiptarët, qysh janë qytetarët e Republikës. Lëvizja jonë, koalicioni ynë me Guxo dhe Alternativën është e para, lista jonë është e para, numri 118 do të fitojë sepse 500 mije zemra, gjysmë milioni zemra do të rrahin porsi një më 9 shkurt sivjetit. Të nderuar të pranishëm, Në popullsinë e shoqërinë tonë, në politikën e institucionet tona nuk ka krah të luftës e krah të paqes, se shqiptarët gjithmonë kanë luftu prej zorit, e jo për qejf. Por ka të krahut materialist të luftës dhe të krahut idealist të luftës, e ata të krahut idealist të luftës janë në lëvizje, si nga hera, si përherë, si gjithnjë, si përgjithmonë. Rilindësi ynë i madh, ndër rilindësit e fundit, Faik Konica, Faik Konica ka thënë një shprehje lapidare, i ka shumë të tilla, por unë përzgjodha njërën sonte, po e citoj “Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e muhamedanë, por ndahen në dy anë, ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet dhe ana e zuzarëve”. Ne jemi nga ana e kombëtarëve. Të dashur qytetarë të Mitrovicës, të nderuar të pranishëm, kolegë nga qeveria, ministra e zëvendësministra, deputetë aktual e të ardhshëm, anëtarë e aktivistë. Në Republikën tonë sot 4 javë mbahen zgjedhjet parlamentare, zgjedhjet e lira e të ndershme dhe të pavendosur kanë mbetur pak, fare pak. Por edhe ata pak të pavendosur le të vendosin vetë, sa më shumë që vendosin vetë, aq më shumë rritet fitorja e numrit 118 në mbarë Kosovën Cep më Cep. Të pavendosurit, le të vendosin vet. Prandaj, secilën javë, çdo ditë, në secilën orë, në çdo rrugë, secilës lagje, qyteti e fshati, të komunës së Mitrovicës e anë e mbanë Kosovës le të punojmë pa pushim, pa rezervë, pa kursim. Po garojmë bashkë, le të fitojmë bashkë, e do të festojmë bashkë. Për numrin 118 votojmë të gjithë, me numrin 118 fitojmë të gjithë, për Mitrovicën fitojmë, me Mitrovicën dhe mbarë Kosovën festojmë.
Ju faleminderit Mitrovicë, ju faleminderit Kosovë, ju faleminderit përzemërsisht. Ju dua fort! Me zemër Cep më Cep atdheut tonë të dashur. Dy zemra t’i kisha, dyjat t’i kisha fal! Mirupafshim e natën e mirë!
Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Gjakovë
Gjakova është vend i luftëtarëve të mëdhenj në luftë dhe i punëtorëve të mëdhenj në paqe. Ju falemnderit për këtë mikëpritje kaq të ngrohtë në këtë ditë të bardhë dimri. Fushatën sivjet, fushatën kësaj radhe e nisëm në qytetin e bukur, në qytetin e kulturës, në qytetin historik të Gjakovës, së pari në Dushkajë, në Cërrmjan e në Bec, e më pastaj me vizita nëpër familje, e organizata, e shoqata të ndryshme këtu, për tu mbledhur në palestrën e sporteve “Shani Nushi” të këtij dëshmori, të këtij luftëtari të pa epur, i cili ra në betejë këtu e 8 dekada më parë duke e mbrojtur babain e shkrimtarit Agim Gjakova që aso kohe ishte Gjeneral i ushtrisë së Fan Nolit. E nga ky qytet i cili sakrifikoi aq shumë, që e pësoi aq rëndë gjatë luftës nesër vazhdojmë fushatën në një qytet tjetër të zemrës, në qytetin i cili e pësoi më së shumti pas luftës, në Mitrovicën tonë të dashur, në palestrën e sporteve “Minatori”, atje. Të dashur qytetarë, të nderuar të pranishëm, motra e vëllezër, zonja e zotërinj, e nderuara Zëvendëskryeministre, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Kryetare, bashkëkryetare e partisë Guxo, Donika Gërvalla. E nderuara Kryetare e Grupit tonë parlamentar dhe Kryetare e partisë Alternativa, Mimoza Kusari Lila. I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufca. Të nderuar ministra e zëvendësministra, deputetë, e deputetë të ardhshëm të Kuvendit, anëtarë të kryesive tona, aktivistë nga Gjakova e Kosova. Në asnjë vend tjetër ngado që kam shkuar, ngado që kam takuar, nuk kam parë njerëz bujar, mikëpritës, dashamirës, të durueshëm e të qëndrueshëm si neve qytetarët e Gjakovës, e të Kosovës. Dhe në asnjë vend tjetër nuk kam parë e nuk kam takuar rini dinamike, masive e të shëndoshë sikur rinia jonë dhe gra e burra të ndershëm e punëtorë si njerëzit tanë. Prandaj, të dashur qytetarë, energjitë e popullit tanë të mbarë, potenciali i kësaj rinie, duhen për ta zhvilluar e përparuar vendin tonë. Për ta drejtuar e rregulluar shtetin, ne jemi mundësia institucionale dhe garancia politike për këtë. Të jeni të sigurt që qeveria jonë nuk do t’ju gënjej asnjëherë dhe kurr nuk do t’ju zhgënjejë, të drejtat ju garantojmë, nevojat i plotësojmë. Prandaj të nderuar pjesëmarrës, të dashur të pranishëm, për rininë e kemi punësiminin, për gratë e kemi barazinë, për fëmijët i kemi shtesat, për opozitën e kemi opozitën, për Serbinë e kemi Policinë e Ushtrinë, e dialogun, për pleqt e kemi pensionin dhe për të gjithë e kemi Shëndetësinë. Pra, secili në vend t’vetin. E pas fitores me 9 shkurt dhe Qeverisë sonë të re, të mbarë, të mirë, të vërtetë, të drejtë, nivele të reja të papara të progresit, Cep më Cep, gjithandej dhe anëembanë Republikës sonë.
Me neve në Qeveri, me Qeverisjen tonë, partnerja kryesore tregtare në rajon ëdhtë Shqipëria dhe orientimi ynë është evropian dhe euroatlantik. Ne bashkë me Alternativën dhe Guxo edhe dijmë, edhe duam, dhe me këtë dituri tonë dhe me këtë dashuri tonën me datën 9 shkurt le të votojmë, le të fitojmë, le të festojmë. Por që nesër katër javë të votojmë, të fitojmë, e të festojmë. Në këtë fushatë duhet të na vjetërohen këpucët, e të na rinohet vullneti, duke takuar e biseduar me qytetarë lagje më lagje, e fshat më fshat, e shtëpi më shtëpi, Cep më Cep duke shpalosur programin tonë e duke prezantuar kandidatët tanë, duke dëgjuar njerëzit për hallet e tyre e duke ua shpjeguar zgjidhjet tona. Me qeverisjen tonë të mirë e demokratike, Kosovën e pavarur e bëmë të pavarur edhe nga korrupsioni i politikanëve të vjetër dhe nga pazaret e vjetra me Serbinë. Ne Kosovës ja shtojmë zhvillimin e ja heqim korrupsionin, ja shtojmë prodhimin e ja heqim mjerimin, ja shtojmë drejtësinë e ia heqim krimin dhe ja shtojmë barazinë e ia heqim varfninë. Prandaj në këtë punë tonë fisnike, në këtë mision të madh kombëtar, kemi nderin edhe kënaqësinë që t’ju shërbejmë juve, qytetarëve të Republikës, popullit tonë të dashur pa dallime, pa privilegje, pa favorizime, pa diskriminime, duke mos e lënë asnjëri mrapa. Dhe për këtë jemi ballëhapur para jush, me të arriturat e qeverisjes katër vjeçare, që e ka rritur ekonominë, që e ka ngrutur demokracinë, që e ka shpërndarë mirëqenien, që e ka bërë të paprekshme sigurinë dhe në anën tjetër me 110 kandidatët tanë të listës me numër 118 që janë njerëz të ndershëm e profesionistë, të guximshëm e punëtorë sepse pas 9 shkurtit e tillë duhet të jetë edhe Qeveria jonë, e guximshme dhe profesioniste, punëtore dhe e ndershme. Ne nuk bëjmë gjëra për inat të fqinjit tonë verior, ne bëjmë gjëra për shkak se e duam vendin tonë, e duam popullin tonë, e respektojmë historinë tonë, kurr se harrojmë prej nga vijmë, gjithmonë e përkujtojmë nga shkojmë, por në të njejtën kohë, nxjerrim mësime prej atyre para nesh, të cilët e lulëzuan korrupsionin brenda e na e cenuan dinjitetin jashtë. Jaë dy parti të cilët kanë qeverisur më së gjati, herë bashkë e herë ndaras, por të cilat na e kanë bë dëmin ma të madh, në raport me kojshinë tonë të keq. Ne nuk mund ta ndryshojmë gjeografinë dhe historinë por ne mund ta ndryshojmë të ardhmen duke punuar qysh tash. Njëra prej këtyre partive, LDK-ja, është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë “razumem”, e partia tjetër PDK-ja, është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë “we are not problematic guys”. Por koalicioni jonë, VETËVENDOSJE, Guxo dhe Alternativa, i thot atij ashtu qysh është: ministër i Millosheviqit, aparati shtetëror kriminal i të cilit nuk do të ketë vend sepse do ta ndjekim në çdo kënd Cep më Cep në Republikën e pavarur, demokratike e progresiste të Kosovës. Qeverisja jonë në katër vjetët që po mbushen së shpejti por edhe në së paku katër vitet e ardhshme do të jetë qeverisje edhe me laps edhe me gomë. Këta ish-pushtetarët nuk kanë pasur as laps as gomë, ata kanë qeverisur me lëpirëse, ne kemi edhe gomë edhe laps. Goma e fshin korrupsionin kurse lapsi e shkruan zhvillimin, e për këtë qeverisje edhe me laps për zhvillim edhe me gomë kundër korrupsionit, 9 shkurti është data, e dielë është dita, Kosova është shteti, shteti është Republika, shkolla është vendvotimi, me zemër është vota, 118 është numri, e jona është fitorja. Të dashur qytetarë në katër javët në vijim, do të shpalosim edhe zotimet tona të reja, që do të shndërrohen në programin e ri katër vjeçar qeveritar, do të bëjmë mbështetje deri në 1 miliardë euro për investime të mesme e të mëdha në ndërrmarje prodhuese, Cep më Cep
Kosovës do ta shtojmë prodhimin, do ta shtojmë investimin, do ta mundësojmë riinvestimin, e do ta rrisim eksportin. Do të bëjmë program multidimensional për turizmin me investime deri në 500 milion euro në kompleksin turistik në Brezovicë, në partneritet me investitorë privat, do ta kompletojmë infrastrukturën sportive dhe modernizimin e infrastrukturës përcjellëse për lojërat mesdhetare Prishtina 2030 në 10 komuna të Kosovës dhe bashkë me Durrësin në Shqipëri përfshirë këtu mbi 200 milion euro për 20 stadiume në 18 komuna, pa dyshim edhe për stadiumin në Gjakovë, ku tashmë i kemi ndarë 9 milionë euro e i cili do të përfundohet tërësisht. Në Gjakovë i kemi nda në Babaj të Bogës edhe 4500 hektarë për bazën moderne të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me qindra hektarë të shpronësuar, me 4000 të shtetit e ku do t’i kemi dhe hangarët për fluturaket e FSK-së dhe gjithashtu do ta avancojmë edhe më tej këtë aeroport kaq të rëndësishëm për Gjakovën e për Kosovën. Muajin e ardhshëm publikohet studimi i fizibilitetit me tri opcione për hekurudhën Prishtinë- Durrës, që do ta lidh portin e ri të thatë të Prishtinës me portin e ri të Durrësit. Njëri prej opcioneve që edhe ju edhe unë e kemi më së shumti për zemër është ai që përfshin segmentin Gjakovë-Shkodër. Në katër vjeçarin e ardhshëm do ta rrisim ndjeshëm shkallën e aktivitetit të gruas në ekonomi, përmes një sërë masash përfshirë edhe programin SuperPuna për grate. Më tej, do ta rrisim kohezionin shoqëror përmes mbështetjes financiare për gjyshet dhe për gjyshërit që kujdesen për nipërit dhe mbesat e tyre nga mosha 1-3 vjet, për raster ku punojnë të dy prindërit e fëmijëve. Se, të dashur qytetarë, ne të gjithë bashkë e dijmë një të vërtetë të madhe, se gjyshet edhe gjyshërit janë tu i rrit dy parë fëmijë, edhe neve edhe fëmijët tonë. Prandaj shteti do t’i mbështes ata. Do të kemi investime edhe më të mëdha në mbrojtje dhe funsionalizim të fabrikës së municionit, angazhim edhe në ndërmmarje të tjera nga fusha e ekonomisë ushtarake. Rritje të përvjetme të mbështetjes për Luginën dhe pë Sanxhakun, mbrojtje efektive të infrastrukturës kritike të vendit, mbi 75 milionë euro për masa që targetojnë rritjen e efiçiencës në konsumin e energjisë, ngrohtore të reja në Ferizaj e në Gjilan, dyfishim të kapacitetit të ngrohtores në Prishtinë, klinika të reja në QKUK, spitale të reja nëpër Kosovë përfshirë Mitrovicën e Ferizajin, Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komuna, përfshirë Fushë Kosovën e Therandën, 10 profile të reja të mësimit dual etj., në katër vjeçarin e ardhshëm të Qeverisë sonë të përbashkët. Të dashur qytetarë të Gjakovës, të nderuar pjesëmarrës. Në këto zgjedhje do të dëgjoni ndokënd duke thënë që Albini ka ndryshuar. Që nuk është i njëjti. Është e vërtetë. Unë nuk jam më kandidati për Kryeministër, unë jam Kryeministri. Jam Kryeministri i Republikës por kreu i një Qeverie me kolegë që ju bëjnë edhe juve edhe mua krenar, sepse përbëjnë një ekip të shkëlqyeshëm. Qeverisjet e mëhershme i kanë dhënë popullit pak apo aspak dhe i kanë marr shumë ose tepër shumë, e kjo Qeveri e jona i jep popullit shumë, gjithnjë e më shumë. Para qeverisë sonë qytetarët u patën lodhë nga papunësia, e tash nga 350 mijë të punësuar që i gjetëm në pranverën e vitit 2021 e kemi ngritur numrin në 430 mijë tash që po flasim, andaj nga lodhja prej papunësisë tash edhe punojmë edhe pushojmë, për të mirën e shtetit, të familjeve e të qytetarëve mbarë. Të dashur qytetarë, më lejoni që me këtë rast t’i falëmnderoj të gjitha partitë kudo që jetojnë
shqiptarët në Ballkan që mbështesin Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe posaçërisht të falëmnderoj Aleancën Progresiste Internacionalen Socialiste, të falëmnderoj Kryetarin e Socialistëve të rinj mikun tim Enrikun per mbështetjen e pa rezervë dhe të pa kursyer pë Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe Qeverinë tonë fituese. Vota juaj është shërbimi ynë, vullneti juaj është përgjegjësia jonë, prandaj edhe vendimi juaj është vendi ynë. Ne do të punojmë bashkë me juve, për juve për një katër vjeçar Cep më Cep Republikës sonë, që siguron zhvillim me punësim, që garanton të drejta për të gjithë dhe që njëkohësisht është vazhdimësi e funksionimit të mirë institucional. Kurr Kosova nuk ka pasur këso stabiliteti institucional, që është përkthyer në luftim të suksesshëm të korrupsionit dhe në rritje ekonomike për vendin tonë. Andaj faleminderit për pëkrahjen dhe ndihmën e juaj pavarësisht stuhive e krizave nëpr të cilat kemi kaluar. Shumë gjëra të dashur pjesëmarrës të nderuar qytetarë, shumë gjëra që janë dukur të pamundura janë realizuar, dhe a e dini pse, vetëm dhe vetëm pse jemi bërë bashkë, bashkësia e lindë mundësinë, bashkësia e realizon mundësinë, bashkësia është fitorja. E konkretisht tash bashkësia është VETËVENDOSJE!, Guxo, Alternativa, bashkësia është kur 500 mijë vota bëhen bashkë te numri 118 me datën 9 shkurt. Andaj ne kemi nevojë që për ditë, për çdo orë, gjithandej, të ngriheni bashkë me neve, të dëgjoheni bashkë me neve, të punoni bashkë me neve, të angazhoheni bashkë me neve, të bëhemi bashkë, të jemi bashkë, sepse bashkë fitojmë, sepse vetëm bashkë duhet të fitojmë, sepse së bashku duhet ta përparojmë Gjakovën dhe krej Kosovën Cep më Cep. Ju faleminderit shumë. E le të jemi bashkë në punë, me barazi, për begati, nga populli te Republika, nga Gjakova te Kosova, Cep më Cep, pa korrupsion, me zemër drejt fitores, drejt 500 mijë zemrave që rrahin por si një te numri 118. Faleminderit e ju dua fort!
Kryeparlamentari Glauk Konjufca, Kryetarja e Grave në VETËVENDOSJE!, Albulena Haxhiu, Ministri Hekuran Murati dhe kandidatë për deputetë, u pritën me shumë zemërgjërësi nga gratë e vajzat mitrovicase.
118 është numri me të cilin fiton barazia, drejtësia e mirëqenia. Bashkë me vajzat dhe gratë, cep më cep, për 500 mijë zemrat e 9 shkurtit.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ministri i Financave, Hekuran Murati së bashku me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi mbajtën sot tubim me vajza e gra të kësaj komune.
Gratë janë motori i fitores sonë, ato janë potenciali i pashterueshëm për vazhdimin e progresit shoqëror e barazisë cep më cep!