11 03 2021

Takim me drejtorin e FES për Kosovë, Z. René Schlee dhe drejtoren e FES për Maqedoninë e Veriut, Znj. Eva Ellereit.

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, priti në takim drejtorin e Institutit Friedrich Ebert (FES) për Kosovë, Z. René Schlee, dhe drejtoren e FES për Maqedoninë e Veriut, Znj. Eva Ellereit.

Schlee dhe Ellereit uruan Lëvizjen VETËVENDOSJE! për fitoren plebishitare në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit. Me drejtuesit e FES u bisedua për hapat e ardhshëm drejt formimit të shpejtë të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.

FES është një partner i shkëlqyer jo vetëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, por edhe i institucioneve të vendit. Schlee dhe Ellereit shprehën gatishmërinë e tyre që të vazhdojnë ndihmën për institucionet e ndryshme të Republikës së Kosovës dhe këtë ndihmë ta thellojnë dhe zgjerojnë edhe më tutje përgjatë mandatit tonë, veçanërisht në dimensionin e zhvillimit të politikave zhvillimore socio-ekonomike.

Drejtuesve të FES, Kurti dhe Ahmeti ua shprehën vullnetin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që ta vazhdojmë dhe avancojmë edhe më tutje bashkëpunimin tonë.

Kontribo

08 03 2021

Takim me ambasadoren e Finlandës në Kosovë, znj. Pia Stjernvall

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, znj. Pia Stjernvall, e shoqëruar nga këshilltarja znj. Maria Palmu, vizitoi sot zyret tona për t’ia uruar kryetarit, njëherit kryeministrit në ardhje, Albin Kurtit, fitoren në këto zgjedhje dhe për të kuptuar më shumë për qeverisjen e re.

Kryetari Kurti, bashkë me deputeten, Arbërie Nagavci dhe asistenten ekzekutive Valë Gjonbalaj, e falënderoi ambasadoren znj. Stjernvall për vizitën dhe urimin. Kryetari Kurti tha se qeveria e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të punojë për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve tanë duke prioritizuar drejtësinë e duke e lidhur arsimin me punësimin e të rinjve, që kësisoj Kosova të bëhet vend me perspektivë ku mund të jetohet mirë e jo prej ku iket nga dëshprimi. Kurse përbrenda temës së marrëdhënies qeveri-kuvend, ai theksoi se përkushtimi për një bashkëpunim sa më cilësor mes këtyre dy institucioneve do të jetë në qendër të qeverisjes tonë të re.

Në fund, të dyja palët ndanë bindjen që me konsolidimin e qeverisë së re do t’i thellojnë marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve tona.

Kontribo

08 03 2021

Takim me përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, z. Arne Sannes Bjørnstad,

Përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, z. Arne Sannes Bjørnstad, dhe ambasadorin norvegjez, z. Jens Erik Grøndahl, i priti sot në takim, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me deputetin e legjislaturës së re, Glauk Konjufca, dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

Përfaqësuesi special, z. Bjørnstad dhe ambasadori, z. Grøndahl, e uruan kryetarin Kurti për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për fitoren në këto zgjedhje. Ata po ashtu i dëshiruan sukses kryeministrit në ardhje, z. Kurti në punën e tij drejt formimit të institucioneve të reja. Kryetari Kurti i falënderoi për urimin dhe tha se është duke u përkushtuar që qeveria e re të konsolidohet pa ndonjë vonesë. Ai theksoi që detyra e parë dhe urgjente e qeverisë së re do të jetë sigurimi i vaksinës kundër Covid-19. Për këtë, të dyja palët ndanë bindjen që shtetet mike duhet ta ndihmojnë Kosovën për ta siguruar atë në sasi sa më të madhe dhe sa më shpejtë. Çështje tjera që u diskutuan krahas menaxhimit me pandeminë dhe prioriteteve të tjera të qeverisë së re, ishin dialogu me Serbinë dhe raportet ndërfqinjësore. Kryetari Kurti përsëriti qëndrimin tonë që ky proces të përgatitët mirë dhe të jetë parimor e me qytetarët si përfitues. Në fund, të dyja palët shprehën vullnetin për ta zgjeruar bashkëpunim në çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe për t’i thelluar marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve tona.

Kontribo

05 03 2021

Homazhe në Prekaz

Jasharajt e deshën pakrahasimisht më shumë vendin tonë sesa veten e tyre. Dashuria, kujdesi e përgjegjësia institucionale ndaj tyre, janë mënyra më e sigurtë që edhe ne ta duam vendin tonë, tha kryeministri në ardhje, Albin Kurti, i cili bashkë me presidenten, Vjosa Osmani, dhe një delegacion të deputetëve, aktivistëve dhe veprimtarëve bëri sot homazhe në Prekaz, në kujtim të ditëve heroike të 5, 6, 7 marsit, që shënojnë edhe fillimin e Epopesë së UÇK-së.

“3 breza, gjithsej 59 vetë, para 23 vjetëve, u flijuan në Prekazin historik për lirinë e Kosovës. Baca Shaban dhe nëna Zahide nga 74 vjeç, daja Osman 54 vjeç, deri te Kushtrimi 13 vjeç, Igballja 11 vjeç, e Blerina vajza e Hamzës 7 vjeç, u sakrifikuan për çlirim, për pavarësinë, për bashkim. Gjysma përafërsisht ishin burra, por gjysma ishin gra dhe fëmijë. Hamza luftoi bashkë me gruan e tij Feridën, Ademi bashkë me gruan e tij Adilën, e bashkëshortja e bacës Rifat, Zarifja, u vra bashkë me vajzat e saj Hidajeten, Valdeten, e Igballen, e me djalin Igballin. Për këtë sulm shtetëror të Serbisë ndaj familjes legjendare Jasharaj, askush nuk është gjykuar, dhe nuk ka pasur asnjë gjykim për këtë krim të Serbisë që dikush të dënohet. Drejtësia është vonuar sepse ajo as nuk ka filluar, prandaj ne duhet të angazhohemi si institucione e si shtet që kjo të ndryshojë. Për hirë të Republikës së Kosovës, për hirë të pasardhësve të Jasharajve, për hirë të së ardhmes të popullit edhe të kombit tonë në përgjithësi. Ne sot me nderim të përjetshëm, përulemi para jetës, veprës, e rënies së Jasharajve, kryekomandantit, Adem Jashari, të cilët e deshën pakrahasimisht më shumë vendin tonë sesa veten e tyre. Dashuria ndaj Jasharajvje, kujdesi e përgjegjësia institucionale ndaj tyre, janë mënyra më e sigurtë që edhe ne ta duam vendin tonë.”

Kontribo

05 03 2021

Takim me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, znj. Danijela Barišić

Sot, kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me deputetin e legjislaturës së re, Xhelal Sveçla, deputetin e IRDK-së që njëherit ka qenë edhe anëtarë i grupit ndërparlamentar për miqësi me Kroacinë, Elbert Krasniqi, dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj, priti në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, znj. Danijela Barišić, të shoqëruar nga sekretari i parë i kësaj ambasade, z. Mladen Delivuk.

Ambasadorja, znj. Barišić e uroi kryetarin Kurti për fitoren në këto zgjedhje dhe i dëshiroi sukses të mëtejmë në punën e tij drejt formimit të institucioneve të reja në vend. Ajo ritheksoi përkrahjen e shtetit kroat për Kosovën dhe rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në institucione ndërkombëtare. Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, e falënderoi për urimin dhe ndau vlerësimin e lartë për marrëdhëniet politike e diplomatike midis dy shteteve tona duke potencuar se ato vetëm sa do të thellohen edhe më tutje me qeverinë e re. Ai po ashtu e njoftoi ambasadoren znj. Barišić me disa prej prioriteteve kyçe që i kanë dhënë Lëvizjes VETËVENDOSJE! mandat të fuqishëm në këto zgjedhje, e që janë punësimi, drejtësia dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Progresi në këto fusha është parakusht për një shtet stabil dhe funksional, theksoi Kurti. Në fund, të dy ndanë bindjen që marrëdhëniet e mira bilaterale mes dy shteteve tona do të rriten e zgjerohen edhe më tej në të ardhmen.

Kontribo

05 03 2021

Takim me Ambasadorin e Japonisë në Kosovë, z. Ogasawara Mitsunori

Ambasadorin e Japonisë në Kosovë, z. Ogasawara Mitsunori, të shoqëruar nga sekretarja e dytë, znj. Kurimoto Kay, dhe këshilltari, Arbër Myftari, i priti sot në takim kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi, kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me deputeten dhe kryetaren e grupit ndërparlamentar për miqësi me Japoninë në legjislaturën e kaluar, Mimoza Kusari-Lila, deputetin Artan Abrashi, që ishte pjesë e këtij grupi për miqësi, dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

Z. Mitsunori e uroi kryetarin Kurti për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, dhe për fitoren e arritur në këto zgjedhje. Ai tha se pret që me formimin e institucioneve të reja të vazhdojë bashkëpunimi për thellimin e partneritetit dhe miqësisë mes dy vendeve tona. Kryeministri në ardhje, z. Kurti e falënderoi për urimin, dhe duke ndarë të njëjtën bindje për marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve tona, e njoftoi ambasadorin edhe me disa prej prioriteteve të qeverisjes tonë. Krahas përballjes me pandeminë, punësimit dhe drejtësisë, qeveria e re është e përcaktuar t’i mbështesë të rinjtë në fushën e inovacionit dhe teknologjisë. Deri më tani me një mbështetje të vogël, e në pjesën më të madhe të munguar nga shteti, rinia jonë ka demonstruar një talent të lartë e të çmueshëm në ndërmarrësi dhe teknologji. Ne jemi të interesuar që ata të kenë sa më shumë hapësirë e mundësi. Të dy palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të shtuar ekonomik e kulturor midis dy shteteve tona.

Kontribo

02 03 2021

Takim me Ambasadoren e Francës në Kosovë, znj. Marie-Christine Butel

Ambasadoren e Francës në Kosovë, znj. Marie-Christine Butel, të shoqëruar nga këshilltari i parë, z. Cyprien François, e priti dje në takim kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për deputete, Saranda Bogujevci dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

Znj. Christine Butel e uroi kryetarin Kurti për fitoren në këto zgjedhje dhe shprehu dëshirën e saj që numërimi i votave dhe certifikimi i rezultatit zgjedhor të bëhet pa ndonjë vonesë në mënyrë që t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja.

Kryeministri në ardhje, z. Kurti e falënderoi për urimin dhe vizitën, dhe duke ndarë bindjen që qeveria e re do të konsolidohet shumë shpejtë, e njoftoi atë edhe me disa prej prioriteteve të saj që lidhen me shtetndërtimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik në vend.Kryeministri në ardhje, z. Kurti foli edhe për sjelljen e qeverisë së re karshi opozitës në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar nivelin më të lartë të përgjegjësisë dhe frymën më të shtruar të bashkëpunimit për çështje që janë në interes të zhvillimit, sigurisë dhe progresit tonë si shoqëri e si shtet. Në këtë takim u fol edhe për dialogun me Serbinë, ku z. Kurti kujtoi që dialogu duhet të jetë i përgatitur mirë dhe parimor. Në fund, të dy u dakorduan që me formimin e institucioneve të reja t’i thellojnë e zhvillojnë tutje marrëdhëniet e mira bilaterale mes dy vendeve tona.

Kontribo

02 03 2021

Takim me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e tjera të Ballkanit Perëndimor, z. Miroslav Lajčák

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe kryeministri në ardhje, Albin Kurti, priti mbrëmë në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e tjera të Ballkanit Perëndimor, z. Miroslav Lajčák në kuadër të vizitës disa ditore të këtij të fundit në Republikën e Kosovës.

Kryetari Kurti pranoi urimet e z. Lajčák për rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit, teksa e falenderoi atë për vizitën në Kosovë. Në fillim të takimit ata folën për zgjedhjet e fundit, mbarëvajtjen e tyre dhe çka nënkuptojnë ato për vendin dhe qytetarët, si dhe për domosdoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja. Kryeministri në ardhje Kurti e njoftoi z. Lajčák për prioritetet e Qeverisë së tij e të cilat burojnë nga nevojat sa evidente aq edhe të shprehura hapur nga qytetarët e Kosovës.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, z. Kurti tha se ai është një proces i rëndësishëm që nuk do të neglizhohet. Porse duke qenë i tillë ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me një qasje të re. Duhet të jetë transformues duke qenë i bazuar në parime e vlera, për dallim nga ai transaksional i bazuar në interesa momentale. Së dyti, të ketë karakter trans-atlantik në kuptim të bashkërendimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe të integrimeve perëndimore për të dy palët. Së treti, të jetë demokratik e transparent, në shërbim të popujve e qytetarëve dhe jo të qeverive aktuale apo politikanëve të veçantë.

Në fund, të dy u dakorduan të mbeten në kontakt të rregullt dhe të vazhdojnë bashkëpunimin pas formimit të qeverisë së re.

Kontribo

01 03 2021

Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, priti Ambasadorin e Turqisë, z. Çağri Sakar

Sot, Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për deputete, Fitore Pacolli dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj, në zyret e Lëvizjes priti Ambasadorin e Turqisë, z. Çağri Sakar, dhe sekretaren e dytë të ambasadës, znj. Dilara Köseoğlu.

Ambasadori uroi Kryetarin Kurti për rezultatin e zgjedhjeve duke theksuar se ai dhe Turqia janë të interesuar të thellojnë bashkëpunimin me qeverinë në ardhje. Kryetari Kurti e falendëroi Ambasadorin për vizitën, si dhe për letrën e urimit nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Kryeministri në ardhje, Kurti e informoi Ambasadorin për prioritetet e qeverisë së tij dhe potencoi se në raport me Turqinë do të fokusohemi në shtimin e marrëdhënieve tona bilaterale, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik.

Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje.

Në fund, të dy u dakorduan që porsa të formohen institucionet e reja të legjislaturës së tetë do të vazhdojmë bashkëpunimin në mes të dy vendeve tona mike.

Kontribo

01 03 2021

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për të revokuar fletarrestin për Milan Radojçiqin.

Nga mediat u njoftuam se Gjykata Themelore në Prishtinë paska aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për të revokuar fletarrestin për një nga eksponentët kryesor të krimit të organizuar, Milan Radojçiqin.

Kujtojmë se Milan Radojçiqi, të cilit Gjykata ia hoqi fletarrestin, për gjithë këto vite sfidon ligjin, por edhe sovranitetin e integritetin e Republikës së Kosovës. Me veprimtarinë e tij kriminale, sidomos në veri të vendit, ai ka qenë gjithnjë pengesë e jetës normale duke terrorizuar të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve pa dallim. Po ashtu Milan Radojçiqi sipas prokurorisë ishte ndër të dyshuarit kryesorë për vrasjen e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviqit, për çka ka qenë ndër të tjera në kërkim nga organet e sigurisë.

Ky vendim i Gjykatës, i mbajtur heshtur, larg opinionit publik, përveç skandalit, përbën dhe rrezik e të panjohura. Si mund dikujt që i është përgatitur fletarresti për dyshime si i përfshirë në krim të rëndë t’i revokohet ai? Kush është Prokurori i Prokurorisë Speciale i cili paska kërkuar nga departamenti special pa asnjë argumentim të qëndrueshëm që të revokohet urdhërarresti për një ndër kriminelët më të mëdhenj të pasluftës?

Kushdo këtë veprim të papritur e sheh me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës.

Prokuroria speciale dhe Gjykata themelore duhet t’i shpjegojnë publikut të Kosovës se pse nuk u dashka arrestuar më një kriminel.

Po ashtu i bëjmë thirrje Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor të veprojnë. Rasti në fjalë është skaji i pasigurisë që mundet të shkaktojë për rendin publik ata që duhet ta mbrojnë atë.

I bëjmë thirrje po ashtu organeve të sigurisë dhe atyre ligjzbatuese të jenë vigjilente përballë kësaj ngjarje.

Institucionet e drejtësisë duhet të përgjigjen se pse në vend se të ndjekin kriminelët paskan hequr dorë nga përndjekja. Këto bashkëpunime me krimin e organizuar tash në kohën e ndërrimit të qeverisë janë tërësisht të papranueshme dhe duhet të hetohen.

Si qeverisje e ardhshme jemi të përcaktuar qartë në funksion të sundimit të ligjit e triumfit të së drejtës. Por kjo gjë siç po dëshmohet nuk mund të arrihet me gjykatës e prokurorë që kanë shumë borxhe ndaj politikës apo ndaj krimit të organizuar. Andaj na duhet vetingu në gjyqësi e prokurori, na duhen profesionistë patriotë që i shërbejnë ligjit e vendit e jo burokratë në shërbim të krimit. As atij vendor e as atij rajonal.

Kontribo

26 02 2021

Takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Nicholas Abbott

Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Nicholas Abbott, të shoqëruar nga sekretari i dytë politik, z. Richard Le Vay, e priti sot në takim kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me kandidatin për deputet, Arben Vitia dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

Ambasadori z. Abbott e uroi kryetarin Kurti për fitoren në këto zgjedhje dhe i dëshiroi sukses në angazhimin e mëtejmë drejt formimit të institucioneve të reja. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin, dhe duke ndarë bindjen se qeveria e re do të konsolidohet shpejt, e njoftoi atë me disa prej prioriteteve të saj. Punësimi, drejtësia, pandemia me të cilën po përballemi dhe sigurimi i vaksinës për qytetarët tanë janë çështje kyçe tha Kurti. Ai foli edhe për një bashkëpunimin më të përgjegjshëm e cilësor mes qeverisë së re dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës, si dhe për dialogun me Serbinë për të cilin përsëriti që nuk duhet të ngutemi duke premtuar me afate kohore dhe se dialogu duhet të jetë i përgatitur mirë e marrëveshja e qëndrueshme. Në fund, të dy u dakorduan për bashkëpunim në projekte konkrete që do të ndihmonin si shtetndërtimin demokratik e zhvillimin ekonomik të vendit tonë, ashtu edhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve tona në të ardhmen.

Kontribo

26 02 2021

Takim me znj. Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillim e Agjencive të Kombeve të Bashkuara

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me kandidatin për deputet, Hajrulla Çeku dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj, sot në zyret e Lëvizjes pritën znj. Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillim e Agjencive të Kombeve të Bashkuara, dhe z. Lorik Pustina, udhëheqës i ekipit të Zyrës së Koordinatores. Znj. Richardson fillimisht uroi kryetarin Kurti për rezultatin e zgjedhjeve, duke shprehur edhe gatishmërinë për bashkëpunim në realizimin e reformave ekonomike dhe sociale. Kryetari Kurti e falënderoi për vizitën e urimin dhe konfirmoi vullnetin që si qeveri në ardhje të punojë ngushtë me institucionet e asistencës zhvillimore.

Pjesëmarrësit në takim u dakorduan që lufta kundër korrupsionit për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë dhe zhvillimi ekonomik që ka në bazë kohezionin social janë veprime të domosdoshme drejt një shoqërie demokratike ku mbizotëron mirëqenia dhe prosperiteti. Ndër temat me interes të veçantë ishte edhe reforma në fushën e arsimit, si njëra ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të vendit. Marrë parasysh situatën pandemike, pjesëmarrësit konfirmuan bindjen që prioritet me rëndësi të veçantë gjatë këtij viti është beteja kundër Covid-19 dhe mbrojtja e shëndetit publik në Kosovë.

Kontribo

26 02 2021

Astrit Dehari e Adem Demaçi kanë sot Ditëlindjen

Kosova mes Luftës së Dytë botërore dhe pavarësisë nuk mund të kuptohet pa Demaçin, ndërsa Kosova e pas pavarësisë dhe deri në ardhmëri nuk mund të kuptohen pa Astritin. Njëri e kuptimëson më shumë tjetrin, i pari të ardhmen në histori dhe i dyti historinë në ardhmëri. Sot, i gëzojmë ditëlindjet e tyre, ashtu siç presim t’i gëzojmë përplot ditë në Kosovën tonë përmes punës e angazhimit që motivohet nga këto dy figura.

Në nderë të tyre, një delegacion i prirë nga kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherit, kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bëri sot homazhe duke vendosur lule të freskëta te varret e tyre.

Kontribo

22 02 2021

Fillon niveli teorik i shkollës politike

Drejtuesja e Sekretariatit për Emancipim Politik, Mrika Limani Myrtaj, bashkë me koordinatoren e këtij sekretariati, Liridona Kelani, dhe anëtarin e kryesisë së Lëvizjes, Elvis Hoxhën, dje mirëpritën aktivistët e rinj që do t’i ndjekin mësimet në nivelin teorik të shkollës tonë politike. Me ta, Mrika e Liridona kaluan nëpër kalendarin e shkollës, kurse Elvisi mbajti një fjalë të shkurtër për rëndësinë e nivelit teorik në përgatitjen e mëtejmë të aktivistit.

Peshën e fitores e ndjejmë edhe si besim të dhënë nga qytetarët për një qasje të re jo vetëm praktike, por edhe teorike mbi politikën. Aktivistët tanë angazhohen në njohuri teorike për të zgjeruar imagjinatën politike, dhe për të mos mbetur në një ligjërim vetë-legjitimues, por në një ligjërim që ia zgjeron horizontin veprimtarisë së Lëvizjes si në institucione ashtu edhe në shoqëri. Reflektimi kritik që ushtrohet në shkollën tonë është i domosdoshëm për të mos përfunduar në vetë-kënaqësi, por për të qenë vigjilentë edhe ndaj limiteve tona. Kush i njeh limitet e tij/saj nënkupton se i ka tejkaluar ato tashmë. Teoria na ndihmon ta bëjmë këtë kalim.

Kontribo

19 02 2021

Takim me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde, na vizitoi sot, për t’ia uruar kryetarit Kurti fitoren në këto zgjedhje, dhe për të diskutuar për prioritetet e qeverisë së re. Një mandat kaq i fuqishëm për ndryshim na obligon që pa humbur kohë të punojmë në formimin e qeverisë së re. Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar janë fusha ku do të përqendrohemi krahas zhvillimit ekonomik për krijimin e vendeve të reja të punës, tha kryetari Kurti, i cili në këtë takim ishte i shoqëruar nga asistentja ekzekutive, Valë Gjonbalaj. Bashkë me z. Rhode u dakorduam t’i mirëmbajmë e thellojmë marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin midis dy shteteve tona.

Kontribo

19 02 2021

Takim me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomáš Szunyog

Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomáš Szunyog dhe zëvendësin e tij, z. Riccardo Serri, i priti sot në zyre kryetari i Lëvizjes, njëherazi kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për deputete, Fitore Pacolli dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

Z. Szynyog e uroi kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhje dhe shprehu dëshirën që institucionet e reja të formohen pa ndonjë vonesë e të fillojë bashkëpunimi me qeverinë e re. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin, dhe e njoftoi atë me prioritetet e qeverisë së re, ku krahas punësimit dhe drejtësisë në qendër është luftimi i krimit dhe korrupsionit, bashkë me ligjin për konfiskimin e pasurisë. Këto të fundit janë të rëndësishme për të aplikuar për fondet nga IPA III, kujtuan ata, por edhe shtyjnë përpara reformat integruese drejt BE-së. Në këtë takim Kurti kërkoi ndihmë në përshpejtimin e procesit të furnizimit me vaksina kundër koronavirusit nga BE, për të cilën z. Szynyog na siguroi se jemi në plan për t’i marrë ato. Në fund, ata ndanë bindjen se shpejt do të bashkëpunojmë edhe më shumë rreth projekteve konkrete që ndihmojnë shtetndërtimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik në Kosovë.

Kontribo

19 02 2021

Takim me Ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, znj. Shpresa Jusufi

Ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, znj. Shpresa Jusufi, të shoqëruar nga sekretari i tretë, z. Rexhep Limani, i priti sot në takim, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me kandidatin për deputet, Avni Dehari dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

Znj. Jusufi e uroi kryetarin Kurti për procesin dhe rezultatin zgjedhor duke i dëshiruar sukses në punën e mëtejme në formimin e institucioneve të reja të Republikës të Kosovës. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin dhe ndau bindjen që qeveria e re do të formohet shpejt. Ai foli për punësimin dhe drejtësinë si prioritetet kyçe të qeverisjes tonë, dhe për dy projektet që kanë të bëjnë me ndërlidhjen zhvillimore të vendeve tona: autostradën Shkup-Bllacë, dhe korridorin Prizren-Tetovë. Ambasadorja, znj. Jusufi, konfirmoi mbështetjen dhe gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të bashkëpunuar në projekte që i kontribuojnë zhvillimit dhe progresit të dy shteteve tona.

Kontribo

18 02 2021

Takim me Ambasadorin e Italisë në Kosovë, z. Nicola Orlando

Ambasadorin e Italisë në Kosovë, z. Nicola Orlando, të shoqëruar nga zyrtarja për media, znj. Arjeta Halilaj, i priti sot në takim kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherit kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me kandidatin për deputet, Glauk Konjufca dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

Ambasadori, z. Orlando e uroi kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhje, dhe shprehu dëshirën e tij që institucionet e reja të formohen pa ndonjë vonesë. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin, dhe ndau bindjen që qeveria e re do të formohet shpejt. Ai po ashtu e njoftoi ambasadorin italian për prioritetet e qeverisë së re që lidhen me drejtësinë, punësimin dhe sigurisht pandeminë. Z. Orlando ofroi gatishmërinë për të ndihmuar në këto fusha, dhe bashkë me z. Kurti u dakorduan t’i qëndrojnë mundësisë së bashkëpunimit në projekte konkrete që kanë të bëjnë me shtetndërtimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik në vend.

Kontribo

18 02 2021

Takim me Ambasadorin e Shqipërisë, z. Qemal Minxhozi

Pas Ambasadorit Amerikan dje, Ambasadori Shqiptar Qemal Minxhozi dhe sekretarja e parë e ambasadës, znj. Klodiana Karaj sot u pritën në takim nga kryetari i LVV-së, z. Albin Kurti, dhe asistentja e tij, Valë Gjonbalaj.

Ambasadori e përgëzoi z. Kurti për fushatën e qetë zgjedhore, procesin e lirë dhe demokratik zgjedhor, pa incidente, si dhe fitoren e arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e rritjes dhe thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të punojnë së bashku për të kapërcyer çdo barrierë e burokraci e për ndërtuar marrëdhënie model të bashkëpunimit në rajon, veçanërisht në fushën e ekonomisë, u shpreh z. Kurti, dhe për këtë ai shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e tij të plotë në funksion të realizimit të këtij qëllimi.

Kontribo

17 02 2021

Vizitë në Shtëpinë Shkollë të familjes Hertica

Në Shtëpinë Shkollë të familjes Hertica, sot në 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ishin për vizitë kryeministri në ardhje, Albin Kurti, dhe presidentja, Vjosa Osmani. Bashkë me kandidatët tanë për deputetë, Arbërie Nagavci, Arben Vitia, Fitore Pacolli, Saranda Bogujevci, Shenaj Shala, Albana Xharra, dhe Faton Peci, ata u mirëpritën nga Baca Mehmet Aliu dhe ish Drejtori Avdyl Gashi.

Shtëpia 3 katëshe me 10 dhoma mësimi e familjes Hertica ishte infrastrukturë për zhvillimin e arsimit që si e drejtë dhe mundësi iu mohohej shqiptarëve në Kosovë gjatë fundviteve të 80’ta e fillimviteve të 90’ta. Me 3 ndërrime, në këtë shtëpi ndoqën mësimin 30 klase, por edhe shumë grupe të tjera si ai i dramës, grupi letrar, grupi i gazetarëve, i korrit, i valleve, i muzikës etj. Kjo shkollë e ofruar nga z. Mehmet Aliu, u sulmua me datë 30 mars 1999 nga forcat serbe që hasën në rezistencë të armatosur e detyruan të tërhiqen. Ata e dogjën këtë shtëpi dhe disa përreth, por nuk e ndalën dot zellin e përkushtimin e lartë të mësimdhënësve dhe nxënësve që kishin këmbëngulur ta vazhdojnë mësimin.

Sot, i kujtojmë dhe nuk i harrojmë këto objekte që shërbyen si shkolla në kohë të okupimit. Është detyrë e jona që duke bartur kujtesën e një vështirësie të tillë dikur, t’iu shërbejmë shkollave, ngritjes së cilësisë në arsim, dhe të kujdesemi si për nderin e punën e mësimdhënësve ashtu edhe për dijen e nxënësve tanë.

Kontribo

17 02 2021

13 vjetori i pavarësisë së Kosovës

13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kryetari i VETËVENDOSJE!-s, njëherazi kryeministri në ardhje, Albin Kurti, dhe presidentja, Vjosa Osmani, e filluan me homazhe në Prishtinë, pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova, dhe pranë varrit të veprimtarit, Adem Demaçi, për të vazhduar më pas te memoriali Heroinat në qendër, dhe memoriali Adem Jashari në Prekaz.

Në një prononcim për media në Prekaz, kryeministri në ardhje, Albin Kurti, tha se ky është vendi i kushtrimit për çlirim që na e dëshmon çmimin e lartë të lirisë.

“Prekazi heroik është vendi i kushtrimit për çlirim dhe vendi që na e përkujton sesa i lartë është çmimi i lirisë dhe se sa të privilegjuar jemi ne që jetojmë dhe festojmë 13 vjetorin e pavarësisë, që i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë. Tre brezat e familjes Jashari luftuan dhe u sakrifikuan, gjysma e tyre burra e gjysma gra dhe fëmijë, dhe duke u rikthyer këtu ne e bëjmë më të fuqishëm shtetndërtimin demokratik, zhvillimin socio-ekonomik dhe drejtësinë institucionale. Sepse, i tillë është edhe amaneti i dëshmorëve dhe dëshirat e popullit tonë. Lavdi familjes Jashari, kryekomandantit Adem Jashari, bacës Shaban, Hamzës, të gjithë martirëve e dëshmorëve të kombit tonë”, tha Kurti.

Bashkë me Kurtin e Osmanin, ishin edhe Saranda Bogujevci, Arbërie Nagavci, Arben Vitia, Faton Peci, Shenaj Shala, Hysni Mehani. Me Bekim Jasharin u takuam te memoriali në Prekaz, kurse me ambasadorët e QUINT-it dhe atë të BE-së, te memoriali Heroinat në Prishtinë.

Kontribo