Dëgjim publik lidhur me Draft Kodin Civil të Republikës së Kosovës
Sot, Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i asistuar nga Komiteti për Drejtësi i Lëvizjes, organizoi dëgjim publik lidhur me Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës. Për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19, dëgjimi publik u mbajt përmes platformës ZOOM.
Pos përfaqësuesve të Lëvizjes, përkatësisht znj. Albulena Haxhiu dhe deputetëve e njëherit anëtarëve të Komisonit Parlamentar për Legjislacion, Alban Hyseni dhe Dimal Basha, në këtë dëgjim morrën pjesë edhe profesorë, ekspertë, përfaqësues nga institucionet, përfaqësues nga shoqëria civile, noterë, avokatë si dhe disa studentë të Fakultetit Juridik.
Nga përfaqësuesit e Lëvizjes, u tha që Ministria nuk është dashur të ngutet me procedimin e draftit të Kodit prandaj edhe ata nuk do të japin mbështetjen për një dokument që është i mangët dhe se më shumë do rëndojë marrëdhëniet civile sesa t’i zgjidhë problemet.
Pjesëmarrësit në këtë dëgjim dhanë vlerësimet e tyre profesionale për këtë projektkod në të cilin është punuar mbi tre vjet. Megjithatë, problemet dhe kritikat për të janë mjaft të theksuara. Shumica e pjesëmarrësve vlerësojnë se ky draft në versionin aktual nuk duhet asesi të miratohet. Ai vlerësohet si një improvizim i dobët, përplot gabime logjike dhe praktike si dhe kundërdhënie në mes librave, pjesë të kodit. Po ashtu në këtë dëgjim publik u tha se mungojnë edhe përkufizime të koncepteve juridike. Prandaj, nevoja për përmirësime dhe intervenime është e pashmangshme. Por ato nuk mund të jenë thjesht amendamente në Kuvend por në nivelin fillestar të hartimit.
Disa prej çështjeve që u adresuan në këtë dëgjim publik ishin edhe se i njëjti ka përzierje të së paku dy apo tri shkollave filozofike juridike, i së paku tri kodeve të ndryshme pa ndonjë konsistencë konceptuale, filozofike a gjuhësore. U tha gjithashtu që ky kod përmban vetëm lidhje mekanike të ligjeve pozitive dhe në anën tjetër kurfarë lidhje normative e cila për një kod është e domosdoshme.
Tutje, u përmend edhe mungesa e memorandumit shpjegues, për institutet e gjithashtu u dhanë propozime për pasurinë e përbashkët, kontrata martesore e cila u konsiderua regres nga rregullimi aktual, alimentacionin si dhe nevoja për përfshirjen e kërkesave të komunitetit LGBT të cilat janë injoruar e shpërfilluar nga Ministria e Drejtësisë.
Pjesëmarrësit në përgjithësi theksuan që për institute të reja, për ndryshime të reja duhet analizë e detajuar e ekspertëve të fushës dhe jo eksperimentime, dhe se kodi nuk duhet të shtyej përpara intersa individuale apo grupeve por duhet t’i përshtatet rrethanave në Kosovë. Lidhur me këtë u adresua edhe nevoja e ndalimit të zhvatjes së qytetarëve nga bankat përmes kamatës së dyfishtë apo kamatës mbi kamatë.
Anëtarët e Grupit parlamentar të Lëvizjes dëgjuan me vëmendje të gjitha kritikat dhe sugjerimet e pjesëmarrëseve. Ato janë shumë të vlefshme, dhe në bazën e tyre, Lëvijza do të zhvillojë edhe takimet tjera me grupe të ndryshme të interesit, ekspertë e profesionist në mënyrë që ndryshimet t’i përgjigjen nevojave dhe shqetësimeve të ngritura nga të gjitha palët. Kjo me synimin që Kodi Civil të jetë në formën më të mirë të shërbimit për qyetarët e Republikës.