26 02 2021

Astrit Dehari e Adem Demaçi kanë sot Ditëlindjen

Kosova mes Luftës së Dytë botërore dhe pavarësisë nuk mund të kuptohet pa Demaçin, ndërsa Kosova e pas pavarësisë dhe deri në ardhmëri nuk mund të kuptohen pa Astritin. Njëri e kuptimëson më shumë tjetrin, i pari të ardhmen në histori dhe i dyti historinë në ardhmëri. Sot, i gëzojmë ditëlindjet e tyre, ashtu siç presim t’i gëzojmë përplot ditë në Kosovën tonë përmes punës e angazhimit që motivohet nga këto dy figura.

Në nderë të tyre, një delegacion i prirë nga kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherit, kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bëri sot homazhe duke vendosur lule të freskëta te varret e tyre.

Kontribo

22 02 2021

Fillon niveli teorik i shkollës politike

Drejtuesja e Sekretariatit për Emancipim Politik, Mrika Limani Myrtaj, bashkë me koordinatoren e këtij sekretariati, Liridona Kelani, dhe anëtarin e kryesisë së Lëvizjes, Elvis Hoxhën, dje mirëpritën aktivistët e rinj që do t’i ndjekin mësimet në nivelin teorik të shkollës tonë politike. Me ta, Mrika e Liridona kaluan nëpër kalendarin e shkollës, kurse Elvisi mbajti një fjalë të shkurtër për rëndësinë e nivelit teorik në përgatitjen e mëtejmë të aktivistit.

Peshën e fitores e ndjejmë edhe si besim të dhënë nga qytetarët për një qasje të re jo vetëm praktike, por edhe teorike mbi politikën. Aktivistët tanë angazhohen në njohuri teorike për të zgjeruar imagjinatën politike, dhe për të mos mbetur në një ligjërim vetë-legjitimues, por në një ligjërim që ia zgjeron horizontin veprimtarisë së Lëvizjes si në institucione ashtu edhe në shoqëri. Reflektimi kritik që ushtrohet në shkollën tonë është i domosdoshëm për të mos përfunduar në vetë-kënaqësi, por për të qenë vigjilentë edhe ndaj limiteve tona. Kush i njeh limitet e tij/saj nënkupton se i ka tejkaluar ato tashmë. Teoria na ndihmon ta bëjmë këtë kalim.

Kontribo

19 02 2021

Takim me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde, na vizitoi sot, për t’ia uruar kryetarit Kurti fitoren në këto zgjedhje, dhe për të diskutuar për prioritetet e qeverisë së re. Një mandat kaq i fuqishëm për ndryshim na obligon që pa humbur kohë të punojmë në formimin e qeverisë së re. Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar janë fusha ku do të përqendrohemi krahas zhvillimit ekonomik për krijimin e vendeve të reja të punës, tha kryetari Kurti, i cili në këtë takim ishte i shoqëruar nga asistentja ekzekutive, Valë Gjonbalaj. Bashkë me z. Rhode u dakorduam t’i mirëmbajmë e thellojmë marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin midis dy shteteve tona.

Kontribo

19 02 2021

Takim me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomáš Szunyog

Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomáš Szunyog dhe zëvendësin e tij, z. Riccardo Serri, i priti sot në zyre kryetari i Lëvizjes, njëherazi kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për deputete, Fitore Pacolli dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

Z. Szynyog e uroi kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhje dhe shprehu dëshirën që institucionet e reja të formohen pa ndonjë vonesë e të fillojë bashkëpunimi me qeverinë e re. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin, dhe e njoftoi atë me prioritetet e qeverisë së re, ku krahas punësimit dhe drejtësisë në qendër është luftimi i krimit dhe korrupsionit, bashkë me ligjin për konfiskimin e pasurisë. Këto të fundit janë të rëndësishme për të aplikuar për fondet nga IPA III, kujtuan ata, por edhe shtyjnë përpara reformat integruese drejt BE-së. Në këtë takim Kurti kërkoi ndihmë në përshpejtimin e procesit të furnizimit me vaksina kundër koronavirusit nga BE, për të cilën z. Szynyog na siguroi se jemi në plan për t’i marrë ato. Në fund, ata ndanë bindjen se shpejt do të bashkëpunojmë edhe më shumë rreth projekteve konkrete që ndihmojnë shtetndërtimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik në Kosovë.

Kontribo

19 02 2021

Takim me Ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, znj. Shpresa Jusufi

Ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, znj. Shpresa Jusufi, të shoqëruar nga sekretari i tretë, z. Rexhep Limani, i priti sot në takim, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me kandidatin për deputet, Avni Dehari dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

Znj. Jusufi e uroi kryetarin Kurti për procesin dhe rezultatin zgjedhor duke i dëshiruar sukses në punën e mëtejme në formimin e institucioneve të reja të Republikës të Kosovës. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin dhe ndau bindjen që qeveria e re do të formohet shpejt. Ai foli për punësimin dhe drejtësinë si prioritetet kyçe të qeverisjes tonë, dhe për dy projektet që kanë të bëjnë me ndërlidhjen zhvillimore të vendeve tona: autostradën Shkup-Bllacë, dhe korridorin Prizren-Tetovë. Ambasadorja, znj. Jusufi, konfirmoi mbështetjen dhe gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të bashkëpunuar në projekte që i kontribuojnë zhvillimit dhe progresit të dy shteteve tona.

Kontribo

18 02 2021

Takim me Ambasadorin e Italisë në Kosovë, z. Nicola Orlando

Ambasadorin e Italisë në Kosovë, z. Nicola Orlando, të shoqëruar nga zyrtarja për media, znj. Arjeta Halilaj, i priti sot në takim kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherit kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me kandidatin për deputet, Glauk Konjufca dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

Ambasadori, z. Orlando e uroi kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhje, dhe shprehu dëshirën e tij që institucionet e reja të formohen pa ndonjë vonesë. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin, dhe ndau bindjen që qeveria e re do të formohet shpejt. Ai po ashtu e njoftoi ambasadorin italian për prioritetet e qeverisë së re që lidhen me drejtësinë, punësimin dhe sigurisht pandeminë. Z. Orlando ofroi gatishmërinë për të ndihmuar në këto fusha, dhe bashkë me z. Kurti u dakorduan t’i qëndrojnë mundësisë së bashkëpunimit në projekte konkrete që kanë të bëjnë me shtetndërtimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik në vend.

Kontribo

18 02 2021

Takim me Ambasadorin e Shqipërisë, z. Qemal Minxhozi

Pas Ambasadorit Amerikan dje, Ambasadori Shqiptar Qemal Minxhozi dhe sekretarja e parë e ambasadës, znj. Klodiana Karaj sot u pritën në takim nga kryetari i LVV-së, z. Albin Kurti, dhe asistentja e tij, Valë Gjonbalaj.

Ambasadori e përgëzoi z. Kurti për fushatën e qetë zgjedhore, procesin e lirë dhe demokratik zgjedhor, pa incidente, si dhe fitoren e arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e rritjes dhe thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të punojnë së bashku për të kapërcyer çdo barrierë e burokraci e për ndërtuar marrëdhënie model të bashkëpunimit në rajon, veçanërisht në fushën e ekonomisë, u shpreh z. Kurti, dhe për këtë ai shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e tij të plotë në funksion të realizimit të këtij qëllimi.

Kontribo

17 02 2021

Vizitë në Shtëpinë Shkollë të familjes Hertica

Në Shtëpinë Shkollë të familjes Hertica, sot në 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ishin për vizitë kryeministri në ardhje, Albin Kurti, dhe presidentja, Vjosa Osmani. Bashkë me kandidatët tanë për deputetë, Arbërie Nagavci, Arben Vitia, Fitore Pacolli, Saranda Bogujevci, Shenaj Shala, Albana Xharra, dhe Faton Peci, ata u mirëpritën nga Baca Mehmet Aliu dhe ish Drejtori Avdyl Gashi.

Shtëpia 3 katëshe me 10 dhoma mësimi e familjes Hertica ishte infrastrukturë për zhvillimin e arsimit që si e drejtë dhe mundësi iu mohohej shqiptarëve në Kosovë gjatë fundviteve të 80’ta e fillimviteve të 90’ta. Me 3 ndërrime, në këtë shtëpi ndoqën mësimin 30 klase, por edhe shumë grupe të tjera si ai i dramës, grupi letrar, grupi i gazetarëve, i korrit, i valleve, i muzikës etj. Kjo shkollë e ofruar nga z. Mehmet Aliu, u sulmua me datë 30 mars 1999 nga forcat serbe që hasën në rezistencë të armatosur e detyruan të tërhiqen. Ata e dogjën këtë shtëpi dhe disa përreth, por nuk e ndalën dot zellin e përkushtimin e lartë të mësimdhënësve dhe nxënësve që kishin këmbëngulur ta vazhdojnë mësimin.

Sot, i kujtojmë dhe nuk i harrojmë këto objekte që shërbyen si shkolla në kohë të okupimit. Është detyrë e jona që duke bartur kujtesën e një vështirësie të tillë dikur, t’iu shërbejmë shkollave, ngritjes së cilësisë në arsim, dhe të kujdesemi si për nderin e punën e mësimdhënësve ashtu edhe për dijen e nxënësve tanë.

Kontribo

17 02 2021

13 vjetori i pavarësisë së Kosovës

13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kryetari i VETËVENDOSJE!-s, njëherazi kryeministri në ardhje, Albin Kurti, dhe presidentja, Vjosa Osmani, e filluan me homazhe në Prishtinë, pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova, dhe pranë varrit të veprimtarit, Adem Demaçi, për të vazhduar më pas te memoriali Heroinat në qendër, dhe memoriali Adem Jashari në Prekaz.

Në një prononcim për media në Prekaz, kryeministri në ardhje, Albin Kurti, tha se ky është vendi i kushtrimit për çlirim që na e dëshmon çmimin e lartë të lirisë.

“Prekazi heroik është vendi i kushtrimit për çlirim dhe vendi që na e përkujton sesa i lartë është çmimi i lirisë dhe se sa të privilegjuar jemi ne që jetojmë dhe festojmë 13 vjetorin e pavarësisë, që i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë. Tre brezat e familjes Jashari luftuan dhe u sakrifikuan, gjysma e tyre burra e gjysma gra dhe fëmijë, dhe duke u rikthyer këtu ne e bëjmë më të fuqishëm shtetndërtimin demokratik, zhvillimin socio-ekonomik dhe drejtësinë institucionale. Sepse, i tillë është edhe amaneti i dëshmorëve dhe dëshirat e popullit tonë. Lavdi familjes Jashari, kryekomandantit Adem Jashari, bacës Shaban, Hamzës, të gjithë martirëve e dëshmorëve të kombit tonë”, tha Kurti.

Bashkë me Kurtin e Osmanin, ishin edhe Saranda Bogujevci, Arbërie Nagavci, Arben Vitia, Faton Peci, Shenaj Shala, Hysni Mehani. Me Bekim Jasharin u takuam te memoriali në Prekaz, kurse me ambasadorët e QUINT-it dhe atë të BE-së, te memoriali Heroinat në Prishtinë.

Kontribo

16 02 2021

Takim me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, z. Philip S. Kosnett

Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, z. Philip S. Kosnett të shoqëruar nga këshilltarja e tij për çështje politike Amy Carnie, i priti sot në mëngjes në takim Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me anëtaren e kryesisë së Lëvizjes, Arbërie Nagavci, dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

Ambasadori, z. Kosnett uroi kryetarin Kurti për fitoren në këto zgjedhje duke i dëshiruar sukses të mëtejmë. Ai uroi që nga ky proces sa më parë të kemi një qeveri e parlament funksional. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin dhe vizitën, dhe ndau bindjen që shumë shpejt do ta kemi qeverinë e re, dhe mundësinë për të bashkëpunuar për projekte konkrete që ndihmojnë shtetndërtimin demokratik, zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve tona.

Kontribo

15 02 2021

Lëvizja ju shpreh mirënjohje e falënderim

Të dashur qytetarë

Ju na keni mbështetur, jo për interesa personale, por për parimet politike dhe qëndrueshmërinë. Mbështetja juaj për Lëvizjen, nuk ka patur ndonjë precedent në historinë e Kosovës, për asnjë subjekt tjetër.

Kjo mbështetje tregon mirësinë tuaj dhe dashurinë që keni për atdheun. Dëshira jonë më e madhe tash është që të dëshmojmë me punë dhe nder që ta sjellim ndryshimin që ju prisni, dhe ta meritojmë mbështetjen tuaj.Falënderojmë të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen dhe kulturën demokratike të treguar në këto zgjedhje.

Falënderojmë gjithë mbështetësit e Lëvizjes, që na e sollën këtë moment historik. I falemi nderit prej mërgatës që ka votuar me postë dhe masivisht ka ardhur në Kosovë. Dhe sigurisht, e pamundur është të mos e shprehim vlerësimin për punën e madhe e të palodhur të gjithë aktivistëve dhe vullnetarëve. Në veçanti falënderojmë vëzhguesit e komisionerët e ditës së zgjedhjeve, vëzhguesit e votave të mërgatës, si dhe vëzhguesit e Qendrës së Numërimit që nisin punën nga sot.

Jemi të prekur thellësisht nga bujaria e pamatë e familjeve anëkënd Kosovës që na hapët dyert e zemrën muajin e shkuar, duke na pritur. Ju jemi mirënjohës përjetë. Në çdo shtëpi që ishim u pritëm ngrohtë dhe nuk pati nevojë të thërrasim për më shumë mobilizim se atë punë tashmë e kishte kryer gjyshi a gjyshja deri te nipi e mbesa.

Bashkë do ta bëjmë më të mirën për vendin, shoqërinë dhe ekonominë tonë.

Kontribo

10 02 2021

14 vjet nga 10 shkurti

“Drejtësia për Monin dhe Arbenin dhe liria e vetëvendosja e popullit të Kosovës janë shumë të lidhura në këtë shekull dhe shënojnë një gurthemel të besnikërisë së organizatës së Lëvizjes tonë, e të secilit aktivistë të saj. Ne sot, edhe te varri i Monit, edhe te varri i Arbenit, te pllaka përkujtimore këtu në shesh, bëmë homazhe në nderim të tyre dhe vendosëm lule të freskëta duke mos harruar asnjëherë që brezat e shqiptarëve e bartin pishtarin e lirisë nga njëri në tjetrin dhe në këtë mënyrë mundësojnë ecjen përpara të popullit të Kosovës nga i cili vijmë dhe tek i cili gjithmonë rikthehemi. Lavdi Monit dhe Arbenit dhe gjithë martirëve e dëshmorëve të kombit”, tha kryeministri, Albin Kurti, sot te pllaka përkujtimore në sheshin e kryeqytetit, ku bashkë me familjarët e dy dëshmorëve, anëtarë të kryesisë së Lëvizjes, kandidatë për deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bëri homazhe në kujtim dhe nderim të veprës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit.

Kontribo

09 02 2021

09 02 2021

09 02 2021

09 02 2021

09 02 2021

09 02 2021

09 02 2021

09 02 2021

09 02 2021