25 12 2020

Gëzuar Krishtlindjet!

Sot, Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti bashkë me ish Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, ish Ministren e Ekonomisë Rozeta Hajdari, Kryetarin e Qendrës së Vitisë, Nijazi Isaku, e bashkëaktivistë shënuan Krishtlindjen në Kishën e Shën Jozefit me besimtarët e Stubllës së Epërme e bashkëatdhetarët që kanë ardhur këto ditë në familjet e tyre.

Pas Meshës, u mikpritën në ceremoninë e organizuar nga Famullia e drejtuar prej Dom Jeton Thaqit dhe më pas vizituan muzeun në Shkollën e parë shqipe.

Kryetari Kurti ia uroi Krishtlindjen gjithë besimtarëve katolikë dhe familjeve të tyre duke veçuar se solidariteti e dashuria për tjetrin ndihmoi kudo në vend për ta përballuar pandeminë.

Ndërsa Dom Jeton Thaqi fjalën e tij përshëndetëse bashkë me urimet e festës kumtoi për këtë rast se tejkalimi i vetvetes, ndihmesa për të tjerët, komunitetin e atdheun janë shërbesa për të mirën sikundër fides as ratio, besimi e arsyeja, mund e duhet të shkojnë bashkë.

Vizitën në Stubëll të Epërme e përmbyllën me mikpritjen e familjes së Mëhill Martinit (Gjergji) ku përzemërsisht u takuan me djalin Robertin e bashkëshorten Suzana bashkë me tre djemtë e tyre Nikollën, Gazmendin e Samuelin.Familja Martini u përballë e para në Kosovë me pasojat e pandemisë por falë urtësisë e kthjelltësisë së tyre dhe gjithë asaj zone shumë shpejt gjithçka u rikuperua në Stubëll.

Me mbresat më të veçanta e me mikpritjen bujare të secilit e të gjithëve që na mirëpritën sot, u shprehim të gjithë shqiptarëve të krishterë urimet më të mira për Krishtlindjen e këtij viti të vështirë.

Kontribo

24 12 2020

Takim me përfaqësuesit e Partisë Egjiptase të Kosovës të prirë nga deputeti Elbert Krasniqi.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti priti në takim përfaqësuesit e Partisë Egjiptase të Kosovës të prirë nga deputeti Elbert Krasniqi.

Në takim u bisedua për situatën aktuale politike sidomos pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli të paligjshme e jokushtetuese qeverinë aktuale. Partia IRDK përveçse ka mbështetur ndryshimin ajo nuk i është bashkuar regjimit të vjetër politik në planet e tyre për të penguar e rrëzuar qeverisjen e mirë e të mbështetur nga qytetarët e Kosovës në pranverën 2020.

Në takim po ashtu u diskutuan prioritetet që ky subjekt i ka në programin e tij me theks të veçantë nga luftimi i paragjykimeve, edukimi, strehimi e deri te punësimi, infrastruktura e biznesi gjithnjë në funksion të mirëqenies së qytetarëve të komunitetit egjiptas.

Kontribo

23 12 2020

Takim me Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Çağrı Sakar

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, së bashku me tre deputetet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që janë anëtare në Grupin e Miqësisë Kosovë-Turqi, znj. Labinotë Demi Murtezi, znj. Yllza Hoti, dhe znj. Fjolla Ujkani, priti në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Çağrı Sakar, dhe Sekretaren e Tretë në ambasadën turke, znj. Dilara Köseoğlu.

Gjatë takimit u diskutua rreth bashkëpunimit të deritanishëm mes Kosovës e Turqisë dhe gatishmërisë së dyanshme për vazhdimin e një bashkëpunimi të tillë. Z. Sakar përmendi rëndësinë e solidaritetit shoqëror, shtetëror e ndërshtetëror në këto kohë të rënda të përballjes me pandeminë, duke theksuar njëkohësisht situatën e vështirë politike në Kosovë.

Kryetari Kurti shprehu falënderimin për përkrahjen dhe ndihmën e Republikës së Turqisë ndaj Republikës së Kosovës gjatë sfidës së vazhdueshme të ballafaqimit me pandeminë. Në këtë takim, u fol edhe për situatën politike në Kosovë pas Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese e në prag të zgjedhjeve të reja.Të dy palët u shprehën të gatshëm të vazhdojnë bashkëpunimin dhe takimet.

Kontribo

21 12 2020

Takim lamtumirës me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin z. Jan Braathu

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, së bashku me ish u.d. të ministrit të MPBAP, njëherit anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes, Xhelal Sveçla, priti sot në takim lamtumirës Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin z. Jan Braathu, dhe udhëheqësin për çështje politike dhe të komunikimit në OSBE, z. Jeff Bieley.

Ambasadori, z. Braathu, për 10 vite ka ndihmuar dhe mbështetur ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë, njëherë si Ambasador i Norvegjisë e pastaj si kreu i OSBE-së në Kosovë. Ai ka shtyrë përpara shumë projekte që kanë mbrojtur të drejtat e njeriut e të komuniteteve pakicë, barazinë gjinore, lirinë e shprehjes dhe projekte të tjera që lidhen me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

Ambasadori, z. Braathu shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, për çka e falënderoi edhe Kryetari Kurti, i cili i uroi z. Braathu sukses në angazhimet e mëtutjeshme duke ndarë bindjen se bashkëpunimi me OSBE-në do të vazhdojë me ardhjen e Shefit të ri të këtij misioni.

Kontribo

18 12 2020

Selmanaj Jashtë!

Seanca e Kuvendit u ndërpre sot për shkak të protestës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për praninë e zv. Kryeministrit Selmanaj në sallën e Kuvendit. Ne e kemi shprehur më herët qëndrimin tonë që Driton Selmanaj është i padëshirueshëm në sallën e Kuvendit për shkak të deklaratave të tij për të pagjeturit. Selmanaj konsideron që çështja e të pagjeturve është ezauruar. LDK dhe Grupi Parlamentar i saj, por edhe kjo qeveri e dinë qëndrimin tonë për këtë çështje, andaj prezenca e tij sot është provokim me vetëdije.

Ardhja e Selmanajt është bërë për ta evituar ballafaqimin e qeverisë me krizën e krijuar. Ju e patë që e ashtuquajtura shumicë i ka vetëm 34 vota sot, dhe ishim shumë më pak se 80 deputet prezent, ndërsa qeveria pothuajse asnjëherë nuk është prezente në Kuvend. Ata po dështojnë me numra në Kuvend. Po dështojnë me ligje. Ata po dështojnë dhe po e dëmtojnë për çdo ditë vendin me qeverisjen e dobët dhe moskokëçarëse ndaj çështjeve të rëndësishme të vendit tonë. Me këto dështime e kanë krijuar këtë gjendje të rëndë të krizës të cilën tani po duan ta fshehin.

Sot, është interpelanca për Ujmanin. Sot, pritet që Hoti të ballafaqohet me shpërfaqjen e dëmit që i ka bërë vendit duke pranuar Serbinë si hisedare të ndërmarrjeve të Kosovës, respektivisht Ujmanit. Ata duan të shmangen nga ballafaqimi dhe po e përdorin qëndrimin tonë parimor për Selmanajn. Selmanaj nuk duhet të jetë në Kuvend. Nuk duhet të jetë dhe nuk do të mundet. Reagimi ynë në kuvend është paqësor dhe brenda mjeteve që kemi. Kuvendi duhet ta vazhdojë punën, Hoti duhet të vijë dhe të ballafaqohet për Ujmanit e të mos fshihet pas Selmanajt.

Kontribo

17 12 2020

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzuan kallëzim penal në Prokurorinë Speciale

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Labinotë Demi-Murtezi, Fitim Uka dhe Fitim Haziri, të shoqëruar nga këshilltari Getoar Mjeku, i dorëzuan Prokurorisë Speciale kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve të lartë, Armend Zemaj dhe Valbon Krasniqi, përgjegjës për mungesën e oksigjenit mjekësor në spitalet e Kosovës. Kallëzimi përmbledh faktet e zbuluara nga hulumtimet e publikuara në media dhe nga puna e deputetëve për veprimet dhe mosveprimet e të dyshuarve në cilësitë e ministrit të Shëndetësisë përkatësisht drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së.

Zemaj dhe Krasniqi dyshohen me arsye se kanë kryer vepra penale të keqpërdorimit të detyrës dhe të ushtrimit të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore-farmaceutike kur kanë dështuar të furnizojnë rregullisht spitalet tona me oksigjen mjekësor për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe kur më pas kanë urdhëruar furnizimin me oksigjen nga kompani të palicencuara. Kallëzimi i tre deputetëve vë në dijeni prokurorinë për faktet kryesore, të cilat prokuroria duhet t’i hetojë në hollësi dhe t’i ndjekë sipas detyrës zyrtare.

Keqmenaxhimi i pandemisë po rrezikon jetët e qytetarëve. Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar ndaj parandalimit dhe luftimit të pandemisë COVID-19, ashtu siç angazhohet për sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës.

Kontribo

14 12 2020

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Dr. József Bencze, viziton VETËVENDOSJE!-n

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, së bashku me deputetët z. Hekuran Murati dhe znj. Yllza Hoti, priti në takim Ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Dr. József Bencze, dhe sekretarin e dytë të Ambasadës Hungareze në Prishtinë, z. Márton Nikowitz-Holló.

Gjatë takimit u diskutua rreth bashkëpunimit mes Kosovës dhe Hungarisë, projekteve nga e kaluara e ato të planifikuara nga Ambasada Hungareze, dhe historisë së përbashkët të dy popujve tanë qysh nga mesjeta. Ambasadori Bencze tregoi për përvojën e tij të deritanishme në Kosovë, duke potencuar disa projekte të rëndësishme siç është funksionalizimi i Komisionit për Bashkëpunim Ekonomik dhe fuqizimi i bashkëpunimit të universiteteve të dy shteteve tona. Z. Bencze shfaqi  gatishmërinë e tij për të forcuar marrëdhëniet mes Hungarisë e Kosovës përmes projekteve ekonomike, arsimore, kulturore e infrastrukturore.

Kryetari Kurti shprehu falenderimin për përkrahjen e vazhdueshme të Republikës së Hungarisë për Republikën e Kosovës, pëfshirë këtu ndihmën gjatë luftimit të pandemisë, përmes donacionit të 50 mijë maskave dhe 5 mijë uniformave mbrojtëse për personelin shëndetësor. Gjithashtu, u bisedua edhe rreth suksesit të programit të bursave Stipendium Hungaricum, i cili u mundëson studentëve nga Kosova të studiojnë me financim të plotë në universitete të Hungarisë.

Ambasadori Bencze përmendi disa nga barrierat e deritanishme për implementimin e projekteve në Kosovë, dhe gatishmërinë e tij për të punuar në tejkalimin e tyre përmes përpjekjeve të dyanshme. Kryetari Kurti nënvizoi gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, me theks të veçantë në eliminimin e ngecjeve të deritanishme.

Kontribo

14 12 2020

Homazhe në kujtim të rënies së lavdishme të Komandant Mujë Krasniqit dhe 41 ushtarëve të UÇK-së

Sot, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga kryetari Albin Kurti bëri homazhe në kujtim të rënies së lavdishme të Komandant Mujë Krasniqit dhe 41 ushtarëve të UÇK-së, të cilët 22 vjet më parë po bartnin armë e municion nga Shqipëria për në Kosovë në mbështetje të luftës çlirimtare.

Në mëngjesin e acartë të 13 dhjetorit,1998, nga fshati malor Cahan në Shqipëri u nisën drejt Kosovës 143 ushtarë që po bartnin armatim të rëndë për ta mbështetur luftën çlirimtare në Kosovë. Nëpër bjeshkët e larta të Pashtrikut, e dëborën e madhe, atyre po u printe Mujë Krasniqi, apo siç e quanin bashkëluftëtarët Komandant ‘Kapuçi”. Edhe pse kishte fjalë që forcat serbe kishin zënë pozicione, Muja dhe bashkëluftëtarët tashmë kishin vendosur ta luftojnë okupatorin serb kudo që e hasin. Kjo ndodhi në mëngjesin e hershëm të datës 14 dhjetor, ku në relacionin Lkenet e Hasit-Gorozhup filloi ajo që tani quhet Beteja e Lavdishme e Pashtrikut. Pas luftimeve të gjata heroikisht ranë Mujë Krasniqi dhe 41 luftëtarë të tjerë të lirisë.

Komandant Mujë Krasniqi me bashkëluftëtarë na mësuan që vendosmëria për ta fituar lirinë nuk njeh rrugë të vështirë apo të rrezikshme. Sot, përkulemi para jetës dhe veprës së dëshmorëve tanë.

Kontribo

10 12 2020

Gratë t’i fuqizojmë e burrat t’i sfidojmë!

Sot, aktivistet dhe aktivistët e VETËVENDOSJE-s zhvilluan një aktivitet në përkujtim të grave dhe vajzave të vrara duke shprehur njëherit edhe indinjatën për femicidin në Kosovë. Ky krim ka marrë përmasa alarmante dhe institucionet po vazhdojnë të jenë neglizhente e pasive karshi këtij fenomeni. Në shenjë revolte dhe në përkujtim të 59 vajzave dhe grave të vrara nga burrat, ne sot para objektit të qeverisë ndezëm nga një qiri për secilën.

59 grave u është mohuar e drejta e jetës nga burrat që nga paslufta. Shumë gra të tjera rrezikojnë të vriten nga dhuna në familje. Institucionet me mosndërhyrjen e tyre të vazhdueshme po e nxisin dhe legjitimojnë dhunën dhe vrasjet ndaj grave. Ka shumë raste kur gratë kanë kërkuar paraprakisht ndihmë nga policia e kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh. Për më tepër, institucionet e drejtësisë, ku supozohet që këto veprime si dhuna e vrasja të ndëshkohen, janë treguar të njëanshme. Pra, lëre që policia nuk i dëgjon thirrjet në drejtim të saj, por edhe gjykatat që do të duhej të ishin të prera sa u përket krimeve, po bëjnë dallime gjinore në vendimet e tyre duke gjykuar kështu që jeta e grave peshon më pak se ajo e burrave në peshoren e drejtësisë. Me të tilla veprime e mosveprime, institucionet shtetërore janë bërë edhe vetë bashkëfajtore në këto krime.

Trajtimi që u bëhet rasteve të vrasjes së grave nga institucionet përveç se është plotësisht i padrejtë, me raste është edhe tejet i frikshëm. Ndonëse kjo dhunë ushtrohet direkt ndaj grave, disi gjendet gjithnjë një arsye për t’i bërë ato të duken fajtore. Kjo ndodhë për shkak se institucionet tona janë të kapura nga patriarkalizmi dhe funksionojnë si familje patriarkale. Kësisoj, çfarëdo veprimi i një gruaje, jashta asaj që konsiderohet si ‘normale’ për t’u bërë nga to, për ta është e dënueshme. Po flasim për jetë njerëzish. Pavarësisht gjinisë, vrasja duhet të ndëshkohet. Ne duam një polici që na del në ndihmë e na mbron, kur mendësia çnjerëzore na trajton më pak se njerëz. Ne duam gjykatës e prokurorë që vendimin nuk e bazojnë në atë çka kemi veshur. Ne duam drejtësi për gratë e përndjekura nga dhuna e vrasja, por edhe për gratë të cilat padrejtësia në procese gjyqësore po i mbanë padrejtësisht nëpër burgje.

Kontribo

08 12 2020

Qëndrueshmëri financiare për strehimoret e viktimave të dhunës në familje

Në kuadër të fushatës “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore” Sekretariati i Gruas Aktiviste zhvilloi sot një bashkëbisedim me përfaqësueset e strehimoreve të viktimave të dhunës në familje.

Në këtë bashkëbisedim ku morën pjesë ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetja, Saranda Bogujevci dhe drejtuesja e SGA-së, Nazlie Bala, përfaqësueset e strehimoreve adresuan problemet dhe kërkesat e tyre.

Fatkeqësisht strehimoret e grave dhe fëmijëve që përjetojnë dhunë në familje kanë probleme të shumëfishta e shumëvjeçare. Mungesa e financimit ka bërë që vit pas viti disa nga strehimoret t’i ndërprejnë shërbimet për viktimat. Kësisoj, shpeshherë është mbyllur dera ku gratë e fëmijët kanë mundësi të strehohen. Ndonëse situata me pandeminë ka bërë që dhuna ndaj grave të rritet, interesimi i qeverisë për të punuar në këtë aspekt ka shkuar duke u zvogëluar. Të gjendura në një situatë të dobët financiare, shumë prej strehimoreve rajonale në Kosovë po rrezikojnë të mbyllen. Kjo do të sjellë një situatë ku shumë gra e fëmijë do të përfundojnë në rrugë.

Në Qeverinë Kurti strehimoreve u është siguruar qëndrueshmëri financiare përmes rritjes së buxhetit dhe krijimit të linjës së veçantë buxhetore për to. Kurse me qeverinë Hoti pa mjete për strehimore ato e kanë të siguruar mbylljen.

Kërkesa e përfaqësueseve të strehimoreve është që për muajt janar dhe shkurt, qeveria të ndajë një fond emergjent, në mënyrë që strehimoret të kenë kapacitete të mjaftueshme për të mbrojtur, strehuar e trajtuar gratë dhe fëmijët që janë viktima të dhunës.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, veçanërisht Sekretariati i Gruas Aktiviste ka qenë aktiv në zhvillimin e kontakteve dhe diskutimeve me strehimoret, si dhe ka ngritur e adresuar problemet me të cilat ato përballen në vazhdimësi. Kërkesa e strehimoreve për financim të qëndrueshëm është kërkesë e drejtë dhe urgjente për shoqërinë tonë që duhet siguruar sa më parë nga shteti.

Kontribo

08 12 2020

Një betejë e fituar për Lumbardhin!

Pas padisë që ka ushtruar aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Deçan, Faton Selmanaj ndaj dy hidrocentraleve që po e shkatërrojnë Lumbardhin e Deçanit dhe po i lënë banorët pa ujë, Gjykata Themelore ka marrë vendim që ta pezullojë punën e dy hidrocentraleve.

Gjykata ka vendosur ta shtyjë ekzekutimit e lejeve dhe licencave që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë i patën dhënë kompanisë private «Kelkos Energy» për hidrocentralet.

Aktvendimi i sotëm pezullon aktet e kontestuara deri në shqyrtimin e padisë së aktivistit tonë Selmanaj. Përfundimisht, presim që gjykata ta miratojë padinë, duke anuluar lejet dhe licencat që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Organet e paditura dhe palët e interesuara kanë 15 ditë afat të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit.

Kjo padyshim që është një fitore e shënuar kundër degradimit të natyrës dhe jetës së banorëve në atë pjesë, që njëherit inkurajon angazhimin individual e kolektiv për beteja të tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.

Aktivistët dhe deputetët e Lëvizjes po angazhohen për ta mbrojtur mjedisin si përmes Kuvendit të Republikës ashtu edhe përmes nismave të tjera vendore e ndërkombëtare.

Kontribo

07 12 2020

Interpelancë me z. Zemaj për oksigjenin nga kompani të palicencuara

Mungesa e oksigjenit medicinal nëpër institucionet publike shëndetësore Qendrore dhe Regjionale si dhe furnizimi me oksigjen nga kompani të palicencuara e kanë shtruar urgjencën e interpelancës me Armend Zemajn, ku edhe duhet të jap llogari në Kuvend para qytetarëve të Republikës.

Interpelanca është thirrur në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga deputeti Fitim Uka.

Kontribo

05 12 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE! merr pjesë në Konferencën e 32-të të Partive të Gjelbra Evropiane

Gjatë tërë ditës së sotme u mbajtë Konferenca e 32-të e Partive të Gjelbra Evropiane. Kjo është hera e tretë që përfaqësues të Lëvizjes VETËVENDOSJE! marrin pjesë në punimet e këshillit të përgjithshëm. Kësaj radhe Lëvizja VETËVENDOSJE! u përfaqësua nga deputetja, Fitore Pacolli, dhe sekretari për marrëdhënie me jashtë, Kreshnik Ahmeti. Siç është bërë rregull tashmë në normalen e re, edhe kjo Konferencë u organizua në distancë. 

Diskutimet filluan me krizën e pandemisë COVID-19 dhe efektet e dëmshme të cilat kanë ardhur nga ajo, edhe si rezultat i privatizimit të sistemeve shëndetësore dhe mungesës së investimeve në sistemet shëndetësore publike. Kjo krizë gjithashtu ka rritur tendencat autoritare në shumë vende, duke rrezikuar liritë e shoqërive evropiane. Kriza e pandemisë COVID-19, po shihet si një prelud i krizave të ardhshme edhe më të mëdha, e veçanërisht të atyre ekologjike, për të cilat nevojitet përgatitje më e madhe e bashkëpunim shumë më i thellë. 


Zgjidhjet për krizat e tilla vijnë nga organizimet në nivele lokale e deri tek bashkëpunimet ndërshtetërore e rajonale. Beteja për ta miratuar deklaratën e urgjencës ekologjike dhe për t’i realizuar masat e saj në nivel lokal; investimet në shëndetësinë publike; mbrojtja dhe përparimi i të drejtave të grupeve të margjinalizuara; zhvillimi i qendrueshëm ekonomik dhe urban; bashkëpunimi lokal e kombëtar dhe solidariteti ndërpartiak e ndërkombëtar, janë parakushte drejt një tranzicioni të drejtë për shoqëri të qendrueshme e të barabarta, të cilat mund t’i bëjnë ballë krizave të së ardhmes.

Kontribo

04 12 2020

Aktivistët e Lëvizjes ngrenë padi për hidrocentralet në Deçan

Koordinatori i qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Deçan, Faton Selmanaj, i shoqëruar nga avokati e aktivisti Getoar Mjeku dhe deputetët Fitore Pacolli e Salih Zyba, dorëzoi sot në gjykatë padi kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë — dy institucionet përgjegjëse për hidrocentralet që po shkatërrojnë Lumbardhin e Deçanit.

Selmanaj po i kërkon Gjykatës Themelore të Prishtinës të pezullojë prodhimin e energjisë që po e shtjerrë lumin, po lë banorët e Deçanit pa ujë për pije dhe ujitje dhe po kanos pasoja të pariparueshme për mjedisin.

Për të mundësuar operimin e hidrocentraleve, Ministria dhe ZRRE kanë dhënë leje dhe licensa në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet për ujërat, mjedisin dhe procedurën administrative. Me kërkesën e aktivistëve, Gjykata pritet të vendosë brenda tri ditëve nëse do të shtyjë ekzekutimin e akteve të ministrisë dhe ZRRE-së deri në vendimin përfundimtar për anulimin e tyre.

Vitin e kaluar, aktivistët e Lëvizjes patën paditur me sukses ZRRE-në lidhur me vendimin për të subvencionuar oligarkët me para të konsumatorëve.

Kontribo

04 12 2020

Projektligji për Rimëkëmbje ndihmon oligarkët dhe varfëron qytetarët

Si VETËVENDOSJE! kemi kërkuar që qytetarët të ndihmohen nga buxheti i shtetit e jo të detyrohen t’i prekin kursimet e tyre në Trustin Pensional në këtë kohë krize. Sot, kjo qeveri e paligjshme bashkë me PDK-në e kaloi projektligjin që me para të taksapaguesve ndihmon bizneset që edhe ashtu kanë qenë të favorizuara kurse qytetarët i varfëron duke i shërbyer ata me kursimet e tyre edhe ashtu të mangëta. Madje me këto kursime e përmes tyre kjo qeveri po mundohet të zëvendësojë një detyrim të saj në kuptimin e ngritjes së kërkesës agregate. Kjo është shkelje e kushtetutës pasi shteti duhet t’i ndihmoj qytetarët në kohë krize dhe jo e kundërta. Tutje ky projektligj vetëm sa e rritë pabarazisë sociale e i favorizon milionerët dhe bizneset e tyre, thanë Hekuran Murati dhe Mimoza Kusari Lila, dy deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në konferencën për media të mbajtur pas përfundimit të seancës.

Hekuran Murati tha se përmes këtij projektligji qeveria po synon t’i ndihmojë oligarkët dhe bizneset e afërta me ta.

“E kemi parë në të kaluarën, 60 milionëshi që është shpërndarë, kryesisht shumicën e mjeteve e kanë përfituar kompanitë, korporatat e mëdha të cilat jo domosdoshmërisht kanë qenë të mbyllura gjatë pandemisë por përkundrazi kanë pasur fitime rekorde siç janë supermarketet. Edhe tash, këto amendamentet e fundit e pamë që janë të dizajnuara për t’iu dedikuar një oligarku, një kompanie e cila operon në Kosovë, e që për më tepër kanë kërkuar amendamente që të lirohen nga tantiema apo renta minerare, që është shumë milionëshe dhe po ashtu të lirohen edhe nga pagesa e energjisë së ripërtrishme.”

Këto dy kosto, por edhe shumën e nxjerrë të 10%-shit do t’i bartë taksapaguesi i varfër i Kosovës andaj kjo assesi nuk mund të quhet rimëkëmbje ekonomike tha ai, duke theksuar se ky ligj merr para nga të varfrit dhe i orienton ato drejtë të pasurve e oligarkëve në vend.

Deputetja Kusari-Lila tha se ky ligj është gjithçka përveçse ligj për rimëkëmbjen ekonomike dhe e bëri një krahasim të tij me Pakon Emergjente të Qeverisë Kurti.

“Ligji për rimëkëmbje është gjithçka përveçse ligj për rimëkëmbje. Për dallim nga Pakoja Emergjente e Qeverisë Kurti e cila e ka shpërndarë ndihmën për të gjitha kategoritë, kjo pako së pari nuk e ka transparencën, nuk e ka formën që përshkruan se sa mjete shkojnë në secilin sektor as në aspektin e industrisë dhe as në aspektin e shërbimeve. Nuk e inkurajon sektorin prodhues e as ndonjë sektorë në veçanti. Ka shumë sektorë ekonomik në Kosovë të cilët gjatë kohës së pandemisë kanë ardhur me forma kreative të të bërit biznes po nuk ka stimulim të tyre. Nuk ka stimulim as të kompanive shërbyese e as të Startup-ave por ka vetëm pako të përgjithësuara në shuma milionëshe që nuk barazohen mes vete. As nga propozuesit dhe as nga kjo qeveri e paligjshme nuk mund të thuhet se cilat biznese do të përfitojnë nga vlera e përgjithshme e kësaj pakoje.”

Kontribo

03 12 2020

OKSIGJEN PËR SPITALET RAJONALE – OKSIGJEN PËR TË SHPËTUAR JETËN

Spitaleve të mbingarkuara me pacientë me COVID-19, po u shtohet edhe mungesa e oksigjenit. Ditëve të fundit, sikurse muajve të fundit, janë raportuar raste të shumta të vështirësive deri në mbetje pa oksigjen medicinal të spitaleve rajonale.

Fshehtësia dhe papërgjegjësia e qeverisë, ministrit dhe SHSKUK e Agjencioneve përgjegjëse po i kushtojnë vendit me jetë të humbura. Oksigjeni medicinal është element i domosdoshëm në përballje me COVID-19 për pacientët e shtrirë nëpër klinika.

Gjendja është e rëndë dhe institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin veprimet për të garantuar furnizim të rregullt e mbi të gjithë të pandërprerë me oksigjen medicinal dhe nga kompani që i përmbushin të gjithë kriteret duke i mbikëqyrur pa ndërprerë.

Sot, disa nga deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në përgjigje të kërkesave të panumërta të qytetarëve nga gati të gjitha komunat e Kosovës, si dhe deputetët nga komisioni për shëndetësi, kanë ndërmarrë një protestë simbolike para Ministrisë së Shëndetësisë për t’i kujtuar se qytetarët po përballen me rrezik të dyfishtë, kurse punonjësit shëndetësor me vështirësi në punën e tyre, nga mungesa e oksigjenit.

Kontribo

28 11 2020

Homazhe dhe vizita në nderim të dëshmorëve dhe të figurave kombëtare, me rastin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit

Një delegacion nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, i kryesuar nga kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, sot në ditën e 28 Nëntorit, bënë homazhe tek memoriali i familjes Jashari, 59 anëtarët e së cilës ranë heroikisht duke i dhënë hovin vendimtar çlirimit të Kosovës.

Pas homazheve në Prekaz, kryetari Kurti tha se Skënderbeu në Krujë, Ismail Qemali në Vlorë dhe Adem Jashari në Prekaz, përbëjnë tre ngjarje historike që të përbashkët kanë 28 Nëntorin e që përkon me gurëthemelin e identitetit kombëtar shqiptar. Në mungesë të kryetarit të Grupit tonë Parlamentar, Rexhep Selimi, por në praninë e bashkëshortes së tij, Shqipe Selimi, pas homazheve në Prekaz, ky delegacion vizitoi edhe familjen e tij në Prishtinë. Nga aty, homazhe bënë edhe tek lapidari dhe varrezat e dëshmorëve në Llap, për të vazhduar tek shtatoret e heronjëve Edmond Hoxha, Hakif Zenjullahu, Zahir Pajaziti dhe Ilir Konushevci e Ali Ajetit në Besianë. 

Kurse në anën tjetër, një delegacion tjetër i përbërë nga anëtarë të kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! bënë homazhe e nderime te shtatorja e Ismail Qemalit dhe ajo e Zahir Pajazitit në Prishtinë, busti i Isa Kastratit e pllaka përkujtimore për Afrim Zhitinë e Sokol Sopin, varrezat e dëshmorëve në Prishtinë dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Dy delegacionet u takuan në Prishtinë për të bërë së bashku nderime tek lapidari i Demostratave për Republikë dhe Vetëvendosje për Kosovë dhe viset shqiptare të vitit 1968.

Ngjarje, personalitete, veprimtarë të kombit tonë në periudha të ndryshme, në beteja politike e ushtarake, në paqe e në luftë, në okupim e në lëvizje ilegale ose legale, të gjithë e kanë 28 Nëntorin pikë referuese dhe synim të përmbushjes së idealit që kjo datë përfaqëson. Kështu do të mbetet për shqiptarët kudo që janë.  

Kontribo

28 11 2020

Takim me fëmijë, prindër dhe përfaqësues të shoqatës “Autizmi”

Në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryetari i saj, Albin Kurti, bashkë me deputetin e Lëvizjes, Fitim Uka pritën fëmijë, prindër dhe përfaqësues të shoqatës “Autizmi” të themeluar në vitin 2011, si dhe një pjesë të ekipit multidisciplinar të përbërë nga psikologët, logopedët dhe ergoterapeutët që ofrojnë për çdo ditë terapi individuale dhe grupore për këta fëmijë.

Autizmi nuk mund ta definojë një person. Secili fëmijë është unik dhe ata i definon vetëm puna dhe angazhimi i tyre. Por, autizmi mund ta bëjë jetën e një personi të vështirë. Prandaj, duhet mbështetja e të gjithëve për të lehtësuar këtë rrugëtim dhe për ta bërë të veçantë secilin hap të jetës së tyre.

Kryetari Kurti pranoi dhurata të veçanta të punuara nga fëmijët e shoqatës “Autizmi”. Ato që janë edhe dëshmia më e mirë se identifikimi i hershëm i autizmit dhe intervenimi profesional kulmojnë me punën e pavarur të fëmijëve dhe e nxjerrin në pah edhe kreativitetin e tyre unik. Përpos tyre, u shkëmbyen edhe urime për Ditën e Flamurit kombëtar e të Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntorin.

Sidoqoftë, përkundër punës së shkëlqyeshme që bëjnë shoqatat dhe organizatat që punojnë me fëmijët me autizëm, që të gjitha pa dallim ballafaqojnë sfida dhe vështirësi të ndryshme. Jo vetëm mungesa e financave të qëndrueshme, hapësirave të përshtatshme për punë, por edhe mungesa e kuadrove të trajnuara e specializuara janë nevoja urgjente që duhet të adresohen.

Ashtu siç kemi bërë në qeverisjen tonë do të vazhdojmë që të punojmë edhe në qeverinë e ardhshme dhe në Kuvend, që shoqatat dhe organizatat e personave me nevoja të veçanta të kenë gjithë përkrahjen e duhur institucionale.

Kontribo

26 11 2020

Takim me Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, ambasadorin Tomas Szunyog

Sot, kryetari Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes, z. Liburn Aliu, dhe deputetja, znj. Fitore Pacolli, priti në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, ambasadorin Tomas Szunyog, zëvendësin e tij, z. Riccardo Serri, dhe këshilltaren politike, znj. Blerta Bejtullahu.

Gjatë takimit u diskutua situata aktuale politike në Kosovë, dhe çështja e zgjedhjes së presidentit. Kryetari Kurti theksoi se është tejët e rëndësishme që presidenti i ri të zgjedhet pasi që të kenë folur qytetarët në një proces të ri demokratik zgjedhor. Kjo për arsye se qeveria e tanishme nuk ka legjitimitet dhe Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional. Kur nuk kemi keqqeverisje është mosqeverisje. Kjo qeveri nuk është në gjendje ta drejtojë vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në BE. Uniteti i korpusit politik vjen pas zgjedhjes së një qeverie me legjitimitet qytetar. Njëherë legjitimitet, pastaj unitet.

Ambassador Szunyog nënvizoi rëndësinë e funksionimit demokratik të institucioneve, një Kuvendi të aftë për të miratuar ligje, nevojën e vazhdimit të dialogut me Serbinë, dhe nevojën për avancimin dhe zbatimin e agjendës së MSA-së.


Kryetari Kurti bëri të ditur se agjenda evropiane e shtetit tonë është e rëndësishme për zhvillim dhe avancim të shtetit të Kosovës. Tani kur Kosova po përballet me pandeminë COVID-19 dhe ndikimi që ajo po ka në ekonomi, më së shumti kemi nevojë për politika zhvillimore dhe mbështetëse për qytetarët dhe bizneset në vend. Ndërsa, për dialogun Kosovë-Serbi është i domosdoshëm një fillim i ri që procesi të ketë kredibilitet. E për këtë, duhet të ndodh demokratizimi dhe evropianizimi i dialogut, zëvendësimi i qasjes transaksionale me atë transformuese dhe transatlantike.

Të dyja palët u pajtuan se është e nevojshme dhe e dobishme që të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin.

Kontribo

24 11 2020

Sondazhi e nxjerrë Shpejtim Bulliqin fitues në Podujevë!

Përmes një konference për media të mbajtur sot, nënkryetari Besnik Bislimi i shpalosi rezultatet e një sondazhi të mbajtur nga data 12 nëntor deri me datë 15 nëntor, 2020, që kanë të bëjnë me zgjedhjet në Podujevë. Sondazhi me marzhë të gabimit +- 5%, ku 1/3 e të anketuarve janë nga zona e qytetit, dhe 2/3 nga zonat rurale, duke marrë për bazë edhe strukturën gjinore të votuesve, e nxjerrë si fitues Shpejtim Bulliqin me 46.8%. Ky sondazh i bërë para intensifikimit të fushatës tregon që numri i pjesëmarrësve në votim do të jetë më i lartë se më herët, tregon një përkrahje të lartë të rinisë për kandidatin Bulliqi dhe një lëvizje të votuesve sidomos nga LDK-ja drejt VETËVENDOSJE!-s.

Nënkryetari Besnik Bislimi i prezantoi të dhënat e më poshtme që janë në interes të publikut, por pa hyrë në detajet që janë për përpunim të brendshëm.

Pyetja e parë ka të bëjë me atë se si e perceptojnë qytetarët kandidatin e Podujevës, ku të anketuarit kanë mundur të zgjedhin prej 1 deri në 5 dhe e kemi këtë rezultat: Shpejtim Bulliqi del të jetë kandidati më i preferuar i qytetarëve të Podujevës apo votuesve ku ata e kanë votuar me 3.5 që është jashtëzakonisht notë e mirë për një kandidat, kurse kandidati i dytë ikën bukur shumë poshtë kandidatit Bulliqi.

Pyetja tjetër ka të bëjë me gatishmërinë e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Nuk di të kem parë ndonjë sondazh ku vendosmëria e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje është kaq e madhe sa në zgjedhjet e 29 nëntorit. 88.8% janë të sigurte që do të marrin pjesë në zgjedhje dhe 8.8% që ndoshta do të votojnë, kurse numri i atyre që nuk do të dalin është shumë i vogël apo nën 3%. Kjo tregon se qytetarët e Podujevës e kanë kuptuar se sa i rëndësishëm është votimi i ditës së diel dhe sa e rëndësishme është vota e secilit prej për rezultatin final, tha Bislimi.

Nëse e marrim vetëm votën e deklaruar dhe i largojmë ata që kanë deklaruar që nuk do të votojnë, bashkë me ata që nuk e kanë deklaruar votën, atëherë shpërndarja e rezultateve të anketës është si vijon: 46.8% të votave do të shkonin për profesorin Shpejtim Bulliqi kundrejt 42% për kandidatin e LDK-së dhe në fund është kandidati i PDK-së me 11.2%.

Këto janë rezultate të datës 15 nëntor, ne besojmë që situata është dukshëm më e mirë, falë angazhimit maksimal të kandidatit Bulliqi dhe të Kryesisë e Grupit Parlamentar, tha Bislmi, i cili edhe theksoi se kjo mes tjerash tregon që edhe brenda marzhës së gabimit është shumë e mundur që zgjedhja e kryetarit të Podujevës të përfundojë të dielën, do të thotë nuk do të ketë nevojë për balotazh. Ky është edhe mesazhi kryesorë që ne po ua përcjellim edhe votuesve, që me pak angazhim gjithçka të përfundojë me 28 nëntor, në mënyrë që mos t’i mundojmë qytetarët me balotazh e as arkën e shtetit me shpenzime shtesë, tha ai.

Një detaj tjetër që Bislimi e ndau ka të bëj me mbështetjen e madhe që kandidati Shpejtim Bulliqi ka te moshat e reja. Tek mosha nën 24 vjeç, 54.1% e votuesve deklarojnë se do ta votojnë Shpejtim Bulliqin kundrejt 37.8%. Po ta marrim pastaj këtë e ta shikojmë me përqindje relative i bie që tek të rinjtë nën 24 vjeç ka 43% më shumë përkrahje sesa kandidati i LDK-së. Njësoj është gjendja edhe tek moshat 25-34 vjeç ku Shpejtim Bulliqi ka mbi 50% të votave, me 51.5%. Kjo tregon që nëse themi se e ardhmja i takon rinisë atëherë rinia tashmë ka vendosë se si dëshiron të qeveriset në të ardhmen. Ndërkaq rezultati është pak a shumë i njëjtë si për gjininë mashkullore ashtu edhe për femërore, nuk ka ndonjë ndryshim të madh.

Informacioni tjetër është për lëvizjet e mëdha që kanë ndodhur te votuesit në Podujevë. Mendoj që Podujeva nga viti 2000 nuk ka pasur zhvendosje më të madhe të votuesit sesa tani. Sipas këtij sondazhi shumica e elektoratit është duke u zhvendosur në drejtim të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sidomos i madh është zhvendosja e votuesve nga LDK-ja, tha Bislimi. Kandidati i LDK-së e ka vetëm 70% të përkrahjes që e kishte kandidati paraprak i LDK-së në vitin 2017. Pjesa më e madhe e atyre që kanë ikur nga LDK-ja, apo mbi 80% kanë shkuar drejt Lëvizjes VETËVENDOSJE! Do të thotë 80% e elektoratit që e ka votuar LDK-në në vitin 2017 dhe ka vendosur që mos ta votoj më, ka shkuar te Lëvizja VETËVENDOSJE! Ngjashëm është situata edhe me subjektet tjera politike. E shihni p.sh., 21% e votuesve që kanë votuar PDK-në në vitin 2017, tani do ta votojnë LDK-në, 100% të AAK-së do ta votojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe e njëjta vlen për Fjalën edhe NISMA-n, ku më shumë se gjysma e tyre kanë deklaruar se do ta votojnë Shpejtim Bulliqin.

Ndërkaq është interesant të shihet që nga votuesit që kanë deklaruar se do ta votojnë VETËVENDOSJE!-n në vitin 2017, po thuajse të gjithë kanë qëndruar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! që do të thotë e kanë vlerësuar konsistencën, qëndrimet e përfaqësuesve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Në fund, nënkryetari Bislimi shprehu bindjen që situata do ta marr një epilog me datë 29 nëntor, për arsye se rezultati është brenda marzhës së gabimit dhe për shkak se janë rezultate para intensifikimit të fushatës. Përmes pyetjeve del se edhe nëse do të kishte balotazh mes dy kandidatëve, prapë do të fitonte Shpejtim Bulliqi. Nëse e marrim vetëm votën e deklaruar që është 93.9% atëherë del që 52.8% do të votonin për Shpejtim Bulliqin, e ne mendojmë se në balotazh kjo do të ishte më shumë se 55% në rast se ka nevojë të shkohet në balotazh, tha Bislimi.

Kontribo

23 11 2020

Bashkëbisedim virtual me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Philip Kosnett

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin, z. Besnik Bislimi, sot zhvilluan një bashkëbisedim virtual me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Philip Kosnett, dhe dy këshilltaret e tij, znj. Amy Carnie dhe znj. Mia Ter Haar.


Gjatë këtij takimi diskutuam rreth shumë temave, me fokus në situatën aktuale politike në Kosovë dhe marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve tona, si dhe gjendjen e rëndë me pandeminë dhe Gjykatën Speciale.


Të dyja palët u pajtuan që të vazhdojnë komunikimin.

Kontribo