29 08 2020

Për pjesëmarrje masive të shqiptarëve në zgjedhje në Mal të Zi

Të dielën e 30 gushtit në Mal të Zi mbahen zgjedhjet në nivel qendror dhe në nivel lokal në disa nga komunat. Në zgjedhjet qendrore, shqiptarët garojnë në dy lista: Lista Shqiptare dhe Koalicioni Shqiptar “Bashkë nji za”.

Në mbledhjen e sotme të kryesisë së saj, Lëvizja VETËVENDOSJE! trajtoi këtë çështje. Këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme për Malin e Zi dhe për rajonin, dhe jo vetëm për shqiptarët që jetojnë atje. Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! u bën thirrje shqiptarëve që me votën e tyre të kontribuojnë në rritjen e numrit të përfaqësuesve shqiptarë nëpër institucione shtetërore të Malit të Zi.

Natyrisht mbetemi me shpresë se përfaqësimi të jetë sa më i denjë e cilësor, që të mund të konstatojmë progres në legjislaturën e ardhshme.

Me këtë rast, Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh keqardhjen e saj për mosunifikimin e shqiptarëve në një listë zgjedhore. Duket që elementet problematike të ndarjes e përçarjes nga viti 2012 kur ne provuam të krijojmë një listë të përbashkët janë po aty edhe sot e kësaj dite. Tani jemi ku jemi, dhe kjo nuk do të thotë që këto zgjedhje nuk mund të prodhojnë një rezultat të favorshëm nëse pjesëmarrja e shqiptarëve është masive. Dy listat shqiptare nuk forcohen duke e dobësuar njëra-tjetrën, por duke i kthyer votuesit shqiptarë që votojnë partitë joshqiptare.

Megjithëkëtë, kurrsesi s’bën të harrojmë, që çështja themelore është ligji diskriminues i zgjedhjeve në Mal të Zi dhe jo thjesht mungesa e unifikimit të shqiptarëve në një listë. Edhe sikur subjektet shqiptare të ishin të bashkuara në një listë të vetme, ligji ekzistues nuk u jep mundësi për më shumë se tre deputetë.

Sidoqoftë, dalja masive e shqiptarëve në zgjedhje dhe dhënia e votës kandidatëve të tyre, do të shprehet në rezultat më të mirë për shqiptarët.

Kontribo

26 08 2020

Marrëveshja që i dha territor Malit të Zi, parapërgatitje për ndarje

Duke marrë për shkak 5 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi sot një konferencë për media ku foli anëtari i Kryesisë dhe deputeti i saj, Liburn Aliu dhe profesori e deputeti, Shpejtim Bulliqi.

Profesor Bulliqi foli për aspektin profesional e shkencor të vendosjes së kufijve ku përmendi humbjet në rastin e vendosjes së kufirit me Maqedoninë dhe me Malin e Zi duke paralajmëruar rrezikun në rast se një ndarje kufitare e përpjekjeve të ngjashme synohet të bëhet edhe me Serbinë.

Me Malin e Zi, sipas tij nuk është bërë demarkim i kufirit por delimitim i tij, vendosje e një kufiri të ri që i jep 83 km katror ose 8200 hektar tokë Malit të Zi bazuar vetëm në kriterin e kadastrit, të cilin nuk e posedon as Kosova por as edhe Mali i Zi. Bulliqi foli edhe për komisionin të shtetëror të cilin e udhëheqi ai, raportin e përpiluar me të gjeturat që kanë evidentuar lëshimet e bëra nga komisioni shtetëror i Mehës dhe shkarkimin e këtij komisioni këtë vit për shkak se nuk i pranoi rezultatet e komisionit Meha.

Liburn Aliu u ndal te aspekti politik i dy marrëveshjeve të gushtit, 25 gusht, të ‘Zajednicës’ dhe 26 gusht të ‘demarkacionit’ ku tha se klubi i stërvjetruar politik me në krye Thaçin përmes këtyre dy marrëveshjeve ka provuar të na vëjë përballë dy mundësive: ndarjes dhe bosnjëzimit të brendshëm të cilin do ta përdorte Thaçi për të na kërcënuar, dhe marrëveshjes me Malin e Zi që do e testonte cenimin e territorit të vendit për të parë se a jemi të gatshëm të japim territor.

“Pra nënshkrimi i marrëveshjes së 26 gushtit, 2015 dhe ratifikimi i saj me 21 mars, 2018 e sjell ndër mend 25 gushtin, 2018 ku në konferencën e Alpbach të Vjenës moderatori e pyet Thaçin se a është i gatshëm të jap territor për marrëveshje?, dhe ku ky përgjigjet se po, është i gatshëm”, tha ai.

Sipas deputetit Aliu, vënia e opinionit publik para dy të këqijave, mes bosnjëzimit dhe ndarjes dhe ofrimi i precedentit të ndryshimit të kufirit është përgatitje e terrenit për të ndodhur ndarja.

Marrëveshja me Malin e Zi dhe ratifikimi i saj vetëm sa ishin shenjë inkurajuese për fqinjët që pashmangshëm do të pasohen nga ana e Serbisë, tha Aliu, i cili përmendi edhe përpjekjet e reja të klubit politik për të bërë marrëveshje me Serbinë.

“Me mungesë të plotë legjitimiteti, me një të shkuar të errët të marrëveshjeve të dëmshme, të papërgatitur dhe të pa koordinuar dhe pa platformë nuk ka se si të jetë ndryshe pos një rrezik i radhës për të ardhmen e vendit. “

“Vendi duhet të shkoj në zgjedhje, para Serbisë duhet legjitimitet, platformë dhe unitet”, theksoi ai në fund të fjalës së tij.

Kontribo

25 08 2020

Me një kryeministër “kukull” si Hoti nuk duhet të zhvillohen negociatat me Serbinë

Me rastin e 5 vjetorit të nënshkrimit të ‘Zajednicës’, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi një konferencë për media. Aty, anëtari i kryesisë Glauk Konjufca foli për rrezikun e asaj që po quhet ‘fazë finale’ e dialogut me Serbinë. Janë dy lloje të politikanëve, ata të LDK-së që janë që janë pro ‘Zajednicës’ dhe ata të PAN-it, që janë pro shkëmbimit territorial që përmes një kryeministri “kukull” po ja mësyjnë tavolinës së negociatave, tha Konjufca, i cili tutje theksoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! i kundërshton të dyja këto projekte pasi ato të dyja kanë për rezultat përfundimtar ndarjen e Kosovës, ndarjen e shtetit tonë. Lëvizja VETËVENDOSJE! është po ashtu kundër arritjes të çfarëdolloj marrëveshje që quhet ‘finale’ me Serbinë pa u organizuar zgjedhjet e reja që e japin edhe një qeveri me legjitimitet të plotë për të qeverisur me vendin.

Më poshtë e gjeni fjalën e plotë të Glauk Konjufcës

Të nderuar gazetare e gazetar mirë se keni ardhë në Lëvizjen VETËVENDOSJE! për ta përcjellë këtë konferencë që ka marr shkas nga dita e 5 vjetorit të ‘Zajednicës’, pra u bënë 5 vjet prej kur u nënshkrua kjo marrëveshje në vitin 2015 dhe në të cilën nënshkrimin e pat hedhur kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa.

Fatmirësisht marrëveshja për ‘Zajednicën’ u hodh poshtë prej Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës meqë në 23 pika të saj u shpall antikushtetuese. Pra, në disharmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës por për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, për popullin tonë ka qenë shumë tronditëse, se deri në cilën pikë janë të gatshëm të shkojnë kryeministri i atëhershëm dhe politikanët e Kosovës që e përfaqësonin Kosovën në atë kohë.

Pra, për ta nuk ishte kurrfarë problemi sovraniteti i Kosovës, integriteti, shtetësia jonë, pavarësia e shpallur dhe e nënshkruan këtë marrëveshje të dëmshme.

Pse po ja kushtojmë këtë konferencë shtypi pikërisht këtij projekti të rrezikshëm për Kosovën është fakti që në vend që të shpallej e vdekur ‘Zajednica’ menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ajo më duket që është më aktuale se kurrë tash kur jemi në prag të asaj që po quhet faza finale e dialogut me Serbinë. Meqenëse fatkeqësisht në LDK dhe partitë e PAN-it janë vetëm dy lloj të politikanëve, politikanë të cilët janë pro ‘Zajednicës’ dhe politikanë që janë pro shkëmbimit të territoreve, pra vetëm këto dy projekte janë në tavolinën e negociatave. Prandaj duhet të ngrisim këtë çështje meqenëse është vetëm Lëvizja VETËVENDOSJE! ajo e cila i refuzon dhe i kundërshton të dyja.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mendon që edhe ‘Zajednica’, edhe projekti i ‘Zajednicës’ edhe projekti i shkëmbimit të territoreve duhet të kundërshtoheshin prej Qeverisë së Kosovës, prej institucioneve të Kosovës, prej çdo përfaqësuesi i cili shkon dhe në dialog me Serbinë e përfaqëson Kosovën.

Po mendojmë kështu meqenëse edhe shkëmbimi i territoreve edhe ‘Zajednica’ janë sinonime të ndarjes së Kosovës, të dyja, pra rezultatin përfundimtar e kanë ndarjen e shtetit tonë.

Shkëmbimi i territoreve është njëfarë lloj eufemizmi për prerjen kirurgjike të pjesës së veriut të Kosovës deri te Lumi Ibër, kurse ‘Zajednica’ është sinonim i krijimit të një entiteti territorial të Serbisë, i cili do të kontrollohej prej Serbisë, do të financohej prej Serbisë, dhe i cili për disa vite kështu do të shkëputej dalëngadalë nga Kosova, pra ‘Zajednica’ është njëfarë lloj bosnjëzimi i Kosovës.

Serbia duhet të kundërshtohet përmes vendosjes së një konsensusi të brendshëm, brenda forcave politike në Kosovë, i cili konsensus konsideron që edhe ‘Zajednica’ si projekt edhe shkëmbimi i territoreve janë shkelje e vijave të kuqe të interesit kombëtar dhe të interesit shtetëror të Republikës së Kosovës.

Vizioni jonë është që serbët e Kosovës duhet të jetojnë nëpër komunat e tyre, të cilat janë krijuar dhe çdo përpjekje që të shkohet përtej kësaj dhe që në Kosovë të krijohet një lloj pushteti i ri, një lloj pushteti të tretë i cili pra është pushtet i mesëm mes atij qendror i cili ushtrohet nga qeveria dhe nga ministritë, dhe atij lokal i cili ushtrohet nga komunat do të ishte fatal për integritetin e Republikës së Kosovës.

Siç e dini ju, projekti për ndarjen e Kosovës nuk është i djeshëm, është i moçëm, Serbia ka pas plan për ta nda Kosovën edhe sa ishte në okupim gjatë viteve të 90-ta, p.sh akademiku serb Dobrica Cosiqi ia kishte propozuar një plan Millosheviqit që ta ndajë Kosovën edhe gjatë viteve të 90-ta, por në vitin 2004 ndarja na erdhi përmes një emri tjetër i cili ishte “decentralizimi i Kosovës” dhe këtë plan e kishte shty përpara sidomos Lutfi Haziri në vitin 2004, atëherë “quhej pilot projekt” për krijimin e komunave të reja me shumicë serbe dhe të banuar nga serbët, dhe ky projekt erdhi pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004. Mirëpo ky prezantohej si një plan autentik i Kosovës, si një plan vendor, ky decentralizimi etnik, por gjithçka u bë e qartë që është plan i Serbisë, kur këtë kërkesë e parashtrojë Serbia në negociatat e Vjenës në vitin 2006, pra kërkonte decentralizim etnik për serbët e Kosovës. Pra nuk kishte të bënte fare me planet e Kosovës, ishte pikërisht siç thoshte Lëvizja VETËVENDOSJE!, që kjo ishte kërkesë e Serbisë që fillimisht të ndahen serbët nga shqiptarët, të krijohet hapësirë e veçantë politike përbrenda Kosovës e pastaj Serbia dalëngadalë të kalojë në fazën e dytë, pasi e arriti fazën e parë e që ishte krijimi i gjashtë komunave të reja serbe me negociatat e Vjenës të vitit 2006-2007. Tash Serbia ka kaluar në fazën tjetër, në fazën e dytë të ekzekutimit të këtij plani e që është bashkimi i këtyre komunave në ‘Zajednicë’, në projektin e’ Zajednicës’ i cili natyrisht që do të ishte krijimi i një lloj Republikë Serbe siç është në Bosnje dhe të cilin e kontrollojnë dhe natyrisht përmes kësaj do ta kontrollonin Kosovën, do ta destabilizonin Kosovën e kështu me radhë.

Tash kur të gjithë po thonë do të ndodhë, është shumë afër të ndodhë faza finale e procesit të dialogut me Serbinë, është shumë shqetësuese që politikanët e Kosovës i kanë në gojë vetëm dy projekte, ose ‘Zajednicë’ ose shkëmbim i territoreve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mendon që kjo është një gjendje shume e pa favorshme për pozicionin politik të Kosovës.

Ne mendojmë që së pari faza finale e dialogut me Serbinë nuk është fare mirë të ndodhë në këto kushte në të cilën ndodhet tash Kosova, pra nuk është mirë të ndodhë me një qeveri e cila nuk ka fare legjitimitet, e ka shumicën shumë të brishtë në Kuvendin e Kosovës, bile duke mos e ditur a e ka apo nuk e ka pas asaj që ndodhi me Haxhi Shalën dhe me deputetin Arifi i cili le të themi u dënua nga Gjykata, numrat e kësaj qeverie në Kuvendin e Kosovës janë shumë të dyshimtë. Më kujtohet kur ishim kolegë me z. Avdullah Hoti si shefa të grupeve parlamentare ne i shkruanim letra ndërkombëtarëve dhe përfaqësuesve të Brukselit dhe Ëashingtonit se si të mos e hapin fazën finale të dialogut me Serbinë me kryeministrin e atëhershëm Haradinaj i cili i kishte po kështu numrat, siç i ka Avdullah Hoti tash në Kuvend të Kosovës. Kështu që kjo hipokrizi nuk i bënë fare mirë Kosovës, përkundrazi ne mendojmë që një kryeministër kukull siç është Avdullah Hoti fare nuk duhet të kemi negociata me Serbinë për marrëveshjen përfundimtare me këtë shtet armiqësor, i cili është kundër Kosovës dhe me atë që po e shohim, pra përmes kësaj metode të anashkalimit total të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kur e patëm shkruar programin e qeverisë Kurti së bashku me LDK-në, ata u patën pajtuar që të mos ketë ecje përpara për dialogun me Serbinë dhe fazën finale të dialogut pa i arritur dy gjëra shumë të rëndësishme, platformën, e cila do të duhej shkruar dhe ekipin – të dyja këto të votuara me 2/3 në Kuvendin e Kosovës. Tash çka po shohim është një qeveri e cila jo vetëm që është pa legjitimitet politik, por e cila ka ardhë deri në pikën ku dëshiron ta përmbyllë këtë fazë pa Kuvendin, ku vetëm kryeministri shkon atje, pra ne nuk e dimë çka përfaqëson ai, ne nuk e dimë se çka e obligon atë se çka duhet të mbrojë e çka mos të mbrojë, mbi çka nuk duhet të bëjë fare kompromis, e mbi cilat vija ka të drejtë të bëjë kompromis sepse nuk ka asnjë dokument të votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nuk ka as ekip të votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, as me 61 vota e lëre më me 2/3 siç mendonim ne në qeverinë e themeluar në muajin shkurt.

Pra, kemi të bëjmë me një qeveri e cila përveç kësaj që e thashë nuk e ka as minimumin e koordinimit dhe unitetit të brendshëm dhe kjo është fatale për Kosovën nëse përfaqësohemi kështu.

Pra e kemi një kryeministër i cili shkon atje, bisedon me homologun e tij serb dhe del e revoltuar ministrja e punëve të jashtme e thotë se nuk e di fare se çka është fole në atë takim. Pra kemi një situatë në të cilën kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme janë totalisht të çakorduar sa i përket asaj çka flitet, çka mbrohet atje, çka përfaqësohet atje prej anës tonë dhe çka pranohet dhe nuk pranohet në fund të fundit.

Kjo na shtynë të bëjmë thirrje që në këtë fazë në të cilën ndodhen edhe ShBA-të si partneri më i fuqishëm, si shteti që e ka ndihmuar më së shumti pavarësinë e Kosovën, pra pak para zgjedhjeve në ShBA, në anën tjetër prej disa zgjedhjeve ku ka dal pushteti i Vuqiçit por zgjedhje shumë të kontestuara në Serbi sa i përket legjitimitetit të mospjesëmarrjes të opozitës atje e kështu me radhë.

Me një president i cili faktikisht ne Kosovë po përballet me aktakuza nga Gjykata Speciale, por në anën tjetër ka qenë proponent i idesë së shkëmbimit të territoreve, në anën tjetër me një qeveri e cila faktikisht ja vodhi pushtetin fituesit të zgjedhjeve, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ne besojmë që nuk është mirë që të shkohet në një fazë të përmbylljes, me një marrëveshje finale me Serbinë sepse është vendim shumë i rëndësishëm, i cili nuk mund të arrihet pa një konsensus dhe pa një qeveri të fuqishme, e cila del drejtpërdrejt nga populli.

Kështu që, ne konsiderojmë që pa u mbajt zgjedhjet e reja në Kosovë, të cilat do të ja jepnin legjitimitetin e vërtet përfaqësuesve të popullit të cilët në Kuvend e zgjedhin qeverinë e re, të plotfuqishme dhe plotësisht legjitime të Republikës së Kosovës, këto të gjitha mund të jenë jo vetëm eksperimente që po bëhen shumë shpejt, por mund të jenë edhe me pasoja fatale, të parikuperueshme për shtetin e Kosovës në të ardhmen.

Kontribo

20 08 2020

Të aktivizohet prokuroria speciale

Fjala e plotë e Albulena Haxhiut në konferencën e sotme për media.

Po bëhen katër vite dhe ende nuk ka drejtësi për Astritin, aktivistin politik i cili u burgos sikurse edhe aktivistët tjerë me urdhra të pushtetit të asaj kohe.

Gjatë këtyre ditëve, qytetarët sikurse edhe familja Dehari por edhe ne si Lëvizje ishim të shqetësuar që dëshmitarët kryesorë pavarësisht veprave të rënda për të cilat ishin dënuar, ose janë liruar, ose janë falur, ose s’janë më gjallë dhe ne jemi të bindur që pas këtyre fshihen skenare të errëta.

Adonis Gashi është në arrati, i cili në muajin shkurt të këtij viti, nga arratia kishte thënë, po citoj:

“Nuk do të deklarohem për rastin Dehari përderisa nuk rishikohet dosja ime. Unë jam i pafajshëm dhe dua që kjo gjë të dëshmohet. Pas kësaj mund edhe të dëshmoj”

Adonis Gashi vazhdon të jetë në arrati dhe institucionet nuk kanë asnjë informacion se ku gjendet.

Naser Makolli na thanë që vdiq nga një sëmundje.

Frrok Laski në vitin 2019, në fund të këtij viti pra viti 2019 u lirua nga paneli për lirim me kusht.

Ndërsa rasti i fundit i paprecedent ishte kur presidenti në fund të muajit korrik i fali 3 vite e gjysmë Luz Allakaj, një personi që ishte dënuar për vrasje të dyfishtë, madje të një fëmije 13 vjeç.

Para disa ditëve, me kërkesë të deputetëve të grupit tonë parlamentar, i kemi kërkuar presidentit qasje në dokumentacionin që ka quar te zbutja e dënimit të Luz Allakaj dhe ende dosja e faljes me arsyetimin përkatës nuk na është ofruar.

Në anën tjetër, në vend se prokuroria të jetë e vëmendshme dhe aktive, ne nuk kemi asnjë informacion se edhe sa kohë i duhet prokurorisë për ta zbardhur të vërtetën dhe për ti quar para drejtësisë përgjegjësitë?

Në kohën kur u bë publik raporti i institutit zviceran ne kërkuam që rasti nga prokuroria themelore në Prizren të kalojë në kompetencë të prokurorisë speciale por qëllimi ishte që të bëhet hetim i plotë e i pavarur

dhe jo prokuroria special ta mbajë në sirtar këtë rast.
Meqë u bë kohë që nuk ka asnjë njoftim për këtë, ne i kërkojmë sqarime prokurorisë speciale.

Deri ku kanë mbërrit hetimet për rastin Dehari?

Pse kjo lëndë nuk është prioritet për prokurorinë?

Pse prokuroria special nuk është aktive?

Pse nuk janë marrë në pyetje të gjitha panelet e komisionet e individët që kanë mundësuar lirimet e dëshmitarëve kryesorë?

Sepse prokuroria për ta zbardhur të vërtetën duhet të hetoj secilën rrethanë. Këtë e ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore!

Prokuroria duhet të guxojë të veproj është mandat i saj kushtetues pavarësisht presioneve e tendencave për ndërhyrjet që mund t’i bëhen.

Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka ky rast, Prokuroria nuk duhet të heshtë, duhet të flas, duhet ta njoftoj opinionin për veprimet që ka ndërmarrë deri tani.

Në kohën sa isha Ministre e Drejtësisë, nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, kam marr konfirmimin që Instituti zviceran i cili kishte përjashtuar vetëvrasjen, do të vinte në Kosovë në muajin qershor, për ta arsyetuar raportin e tyre dhe për t’i ndihmuar institucionet për zbardhjen e së vërtetës.

Sot jemi në muajin gusht dhe nuk kemi asnjë informacion, a kanë qenë ekspertët e institutit zviceran në Kosovë?

Nëse po, çfarë ka ndodhur, nëse jo pse apo kur do të vijnë ata?

Siç jeni në dijeni, kryetari Kurti me anë të një reagimi dje ka përmendur nevojën e zbardhjes të së vërtetës për rastin Dehari dhe për nevojën e bërjes publike të proceseve të faljes së presidentit sepse për falje nga presidenti bëhen me qindra kërkesa nga të burgosurit, këtë informacion mund ta keni edhe nga vetë zyra e presidencës.

Shtrohet pyetja se pse bash dëshmitarit në rastin Dehari ju falën tre vite e gjysmë nga dënimi.

Është e rëndësisë jetike të bëhet publike procesi dhe arsyetimi i faljes së rastit në fjalë që mbase edhe do të ndihmonte në sqarimin e rrethanave të vrasjes së Astritit.

Është njësoj e rëndësishme që ky rast të jetë fillimi i një procesi të gjatë e të detajuar të analizës se si janë arsyetuar faljet e bëra nga ky president.

Kontribo

18 08 2020

Prokuroria të jetë aktive dhe e vëmendshme dhe të mos lejojë fshehjen e gjurmëve për rastin e vrasjes së Astrit Deharit

Po bëhen katër vite dhe ende nuk ka drejtësi për Astritin. Vrasësit dhe nxitësit ende nuk kanë dalur para drejtësisë. Dëshmitarët kryesorë të rastit ose janë falur e liruar nga burgu pavarësisht veprave të rënda për të cilat kanë qenë të dënuar, ose nuk janë më gjallë, si rasti i të ndjerit Naser Makolli. Ndërkohë këto ditë presidenti i ka lehtësuar dënimin për tre vite e gjysmë Luz Allakajt, të dënuar për vrasje të një fëmije, por që i njëjti është edhe dëshmitar në rastin e Astrit Deharit.

Prokuroria Speciale po heshtë për rastin. Nuk ka asnjë informacion. Çfarë po ndodhë me rastin, deri ku kanë shkuar hetimet? A janë marrë në pyetje të gjithë ata që kanë mundësuar lirimet e dyshimta nga burgu të dëshmitarëve për të hetuar edhe rrethanat tjera që qojnë në zbardhjen e së vërtetës?

Ndërkohë, mundësitë për hetimin e vërtetë të rastit po pluhurosen e fshihen edhe qëllimisht nga dita në ditë. Së fundi, pas lirimit me kusht të njërit dëshmitar të rastit, presidenti i vendit ia fali edhe 3 vite e gjysmë dëshmitarit tjetër të rastit Luz Allakaj i cili ishte i dënuar për vrasje të dyfshitë, ku njëra prej vrasjeve ishte e një të mituri 13 vjeçar.

Dje deputetët tanë kërkuan nga zyra e presidencës dosjen e kërkesës, raportin dhe arsyetimin për faljen e dënimin në këtë rast, jemi në pritje të tij. Ndërkohë i bëjmë thirrje prokurorisë që të jetë aktive dhe e vëmendshme për këto veprime të secilës instancë që po provon t’i fsheh gjurmët për rastin e vrasjes së Astrit Deharit, përfshirë edhe presidentin që rastin e Astrit Deharit e ka deklaruar si vrasje.

Po të merrej prokuroria me provat e rastit, dëshmitarët dhe palët ndërhyrëse në këtë proces me zellin e njëjtë që merrej ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj do të përafrohej drejtësia më herët dhe rasti do të zgjidhej.

Drejtësia për Astritin është drejtësia për gjithë shoqërinë.

Kontribo

17 08 2020

LV kërkon dosjen e kërkesës, raportin dhe arsyetimin për faljen e dënimit në rastin e Luz Allakaj nga ana e presidentit.

Sot, deputetët e LV, Dimal Basha, Artan Abrashi dhe Alban Hyseni, që njëherit janë edhe anëtarë të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitet, Rregullore e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, bënë kërkesë në presidencë për ofrimin e dosjes së kërkesës, raportin dhe arsyetimin për faljen e dënimit në rastin e Luz Allakaj nga ana e presidentit.

Kontribo

17 08 2020

Kërkesën për shpjegime në lidhje me ndërprerjen e punimeve në rrugën Deçan-Plavë

Vendimi për të ndërprerë punimet në ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë është jashtëzakonisht i dëmshëm, jo vetëm në aspektin ekonomik e infrastrukturor, por edhe në atë politik e shtetëror. Qeveria e Kosovës e ka përgjegjësi mbrojtjen dhe afirmimin e interesave të shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Nisur nga kjo deputetë të GP të LV-së, sot, kanë dorëzuar kërkesën për shpjegime në lidhje me ndërprerjen e punimeve në realizimin e këtij projekti.

Kontribo

16 08 2020

Vuçiq bën kërkesa, Hoti me partnerët, i zbatojnë.

Vuçiq bën kërkesa, Hoti me partnerët, i zbatojnë. Kështu ndodhi edhe me rastin e ndërprerjes së punimeve në aksin rrugor Deçan-Plavë.

Tashmë është bërë e zakonshme për këtë qeveri të zbatojë kërkesat e Serbisë, gjë që në kontrast të plotë me indiferencën e saj ndaj kërkesave të popullit të Kosovës. Më parë u hoq reciprociteti, pastaj u ndal fushata diplomatike për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, e tani po ndalen edhe projektet rrugore. A është kjo qeveri vartëse e Vuçiqit apo çfarë? Cili është qëndrimi i atyre që mburren për patriotizëm brenda në qeveri, kur as premtimin e tyre elektoral, rrugën Deçan-Plavë nuk e ndërtojnë dot pa lejen e Serbisë? Sigurisht që s’kanë qëndrim, sepse dëshira për pushtet dhe frika nga zgjedhjet ua ka mbyllur gojën.

Banorët e Deçanit kanë nevojë për investime dhe infrastrukturë, e lidhja e Plavës me Kosovën është projekt me rëndësi kombëtare. Ndërsa Manastiri i Deçanit është po ashtu një institucion i rëndësishëm fetar, që mbrohet nga ligji e shteti i Kosovës. Konfliktet e tilla nuk kanë arsye fare pse të bëhen çështje ndërshtetërore, institucionet e Kosovës duhet të gjejnë kompromisin e pranueshëm për palët, dhe të vazhdojnë punimet. Por një qeveri e varur nga Lista Serbe dhe nga Beogradi, e cila shquhet për paaftësinë e saj, në çdo rast po krijon mundësinë që Serbia të ndërhyjë në Kosovë. Kjo qeveri duhet të lëshojë udhë, edhe për të mirën e banorëve të Deçanit e Plavës, edhe për të mirën e Kosovës. Çdo ditë që kalon, bëhet shumë vonë.

Nuk kemi kohë për të humbur me politikanët dhe politikat e 20 viteve të fundit. Duhet të rikthehemi te qeverisja e mirë dhe përfaqësimi dinjitoz.

Kontribo

13 08 2020

Bashkëbisedim me delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të LVV nga Maqedoninë e Veriut.

Sot, më 13 gusht, kur shënojmë 108 vjetorin e Hasan Prishtinës në Shkup dhe 19 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! (LVV), Albin Kurti, së bashku me anëtarin e kryesisë dhe ish Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, bashkëbiseduan në platformën Zoom me delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të LVV nga Maqedoninë e Veriut.

Kurti e Konjufca njoftuan për zhvillimet në Kosovë, e pastaj u diskutua për situatën aktuale politike në Maqedoni të Veriut, dhe mundësitë e sfidat e iniciativës së LVV për Qendrën e re të VETËVENDOSJE!-s atje. Në këtë kohë pandemie kur lëvizjet fizike janë të kufizuara e tubimet publike të pamundësuara, përmes komunikimit dhe bashkëpunimit online po e tretim distancën.

Kontribo

13 08 2020

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! fton në interpelancë Agim Veliun

Vetëpërjashtimi që po bënë Qeveria e Kosovës nga përgjegjësia kushtetuese dhe ligjore për të kontrolluar kufijtë dhe integritetin territorial dhe për të mbrojtur qytetarët, është i papranueshëm dhe dëmton edhe më shumë pozitën e Kosovës. Kjo sjellje e papërgjegjshme sikur ajo pjesë nuk është brenda territorit të Republikës së Kosovës vetëm sa nxitë ndërhyrjet e Serbisë.

Sot, Nënkryetarja e Lëvizjes, njëherit deputetja Fatmire Mulhaxha Kollçaku, në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka paraqitur lëndën që thërret në interpelancë Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun, për çështjen e patrullimit të pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, respektivisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës

Kontribo

13 08 2020

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Qemal Minxhozi vizitoi sot selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Qemal Minxhozi vizitoi sot selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku u prit nga Kryetari Albin Kurti dhe asistentja e tij ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

Në këtë takim u fol për situatën politike dhe ekonomike në vend, e në veçanti për përhapjen e shpejtë të virusit Covid-19 që ka prekur tashmë themelet e sistemit tonë shëndetësor. Renditja e Kosovës në vendin e parë në botë me më së shumti vdekje nga Covid-19 për 1 milion banorë është tashmë një alarm shtesë, edhe ndërkombëtar. Kryetari Kurti theksoi nevojën e menaxhimit të mirë e profesional si dhe të vendimeve të guximshme për daljen nga kjo krizë e shumëfishtë që ka pllakosur Kosovën. Gjendja e shëndetit publik dhe problemet e institucioneve shëndetësore nuk bën të politizohen, por zgjidhja është politike dhe institucionale, me ç’rast legjitimiteti e besueshmëria shkojnë bashkë.

Ambasadori Minxhozi dhe Kryetari Kurti do të vazhdojnë kontaktet e rregullta dhe bashkëpunimin e ngushtë.

Kontribo

12 08 2020

Takim virtual me znj. Nancy Soderberg

Sot, kryetari i LV-së, Albin Kurti së bashku me Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, takuan virtualisht znj. Nancy Soderberg, e cila së fundmi është caktuar si drejtore e degës së National Democratic Institute (NDI), në Republikën e Kosovës, dhe drejtorin e programeve të këtij Instituti, z. Valon Kurhasani.

Lidhja e znj. Soderberg me çështjen e Kosovës nuk fillon me këtë detyrë të re të saj. Si anëtare e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, në kuadër të Administratës së Presidentit Bill Clinton, përgjatë viteve 1993-1997 dhe si përfaqësuese e Presidentit në Kombet e Bashkuara gjatë viteve 1997-2001, ajo u angazhua për të krijuar një qasje aktive të vendeve demokratike për ta ndihmuar përpjekjen e popujve të shtypur në Ballkan. Përpjekja e saj për ta ndihmuar lirinë e Kosovës, tash po vazhdon me angazhimin e saj të ri për demokratizimin e mëtutjeshëm të institucioneve tona.

Në këtë takim njoftues me znj. Soderberg u diskutua mbi situatën politike, ekonomike dhe sociale në vend. Rrethanat e jashtëzakonshme të krijuar nga pandemia COVID-19, të cilat e kanë pamundësuar edhe ardhjen e znj. Soderberg në Kosovë, kanë rënduar edhe më shumë gjendjen tashmë të rëndë socio-ekonomike të qytetarëve të Kosovës. Në diskutim u shqyrtuan mundësitë e tejkalimit të kësaj krize të trefishtë që ka kapluar vendin tonë.

Në fund, znj. Soderberg Kryetari Kurt i uroi për detyrën e re dhe e falenderoi atë dhe z. Kurhasanin për bashkëpunimin e deritanishëm me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, duke shprehur gjithashtu gatishmërinë për ta zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin tonë në të ardhmen.

Kontribo

11 08 2020

LV parashtroi kërkesën për qasje në dokumente publike brenda Ministrisë së Shëndetësisë

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përmes Nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci, parashtroi kërkesën për qasje në dokumente publike brenda Ministrisë së Shëndetësisë, për materialet dhe dosjet e dorëzuara nga të gjitha institucionet private shëndetësore të cilat kanë bërë kërkesë për licencim, respektivisht për lejimin e shërbimit të testimit SARS-Cov-2.

Kontribo

10 08 2020

GP i Lëvizjes VETËVENDOSJE! inicoi interpelancë për ministrin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në lidhje me fillimin e vitit shkollor

Sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka dorëzuar kërkesën për interpelancë ndaj ministrit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në lidhje me gjendjen në sistemin e arsimit, planet dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

Përkundër se vetëm edhe tri javë na ndajnë nga kur do të fillojë viti shkollor dhe akademik, kjo ministri nuk ka ndërmarrë thuajse asgjë për fillimin e vitit shkollor. Jemi tashmë shumë vonë me planifikim për fillimin e vitit shkollor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka paraqitur ndonjë plan dhe strategji për të garantuar realizimin e procesit mësimor, përfshirjen e të gjithë nxënësve në proces, si dhe mënyrën e zhvillimit të procesit mësimor në situatën në të cilën ndodhet vendi me COVID-19.

Gjatë gjithë pushimit veror, Qeveria nuk është parë të ketë bërë përgatitje për një proces arsimor në rrethana emergjente. Sfidat e ndryshme të organizimit të procesit online të arsimimit do të duhej të trajtoheshin për t’u shmangur me fillimin e vitit të ri shkollor. Nga adaptimi psiko-social i nxënësve me mënyrën online të vijimit të mësimit, trajnimi i mësimdhënësve për mësimdhënie nga distanca, mënyra e dorëzimit të detyrave, leximit dhe angazhimit të nxënësve, zbatimi i mundësisë së shkollimit nga shtëpia, por edhe monitorimi dhe vlerësimi i këtij procesi.

Kontribo

09 08 2020

Pa reciprocitet e me huti, kjo është qeveria Koti

Kjo fundjavë u mbyll me lajmin se në rrugën kryesore të fshatit Karaçevë kanë kaluar 8 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe, të uniformuar, me helmeta dhe armë të gjata. Dëshmitarë ishin banorët të cilët edhe i fotografuan ata, por edhe ish kryetari i komunës së Dardanës, Shaip Surdulli, i cili tregoi se policia e Kosovës më vonë ia ka konfirmuar se ata janë pjesëtarë të xhandarmërisë serbe.

Nuk është hera e parë që shohim një patrullim të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës. Shpesh ka pasur incidente të tilla edhe në të kaluarën. Kujtojmë vrasjet dhe plagosjet në Dumnicë në vitin 2014 dhe dhjetëra raste kur është dëmtuar e vjedhur prona, e janë frikësuar e terrorizuar banorët shqiptarë të këtyre fshatrave në vijë kufitare.

Qeveria e Kosovës, institucionet vendore në vend se të kujdesen për rendin dhe ligjin, e të sigurojnë mbrojtje për qytetarët në këto pjesë, po vazhdojnë të jenë të ngathëta, neglizhente, ta bartin përgjegjësinë te KFOR-i, e madje edhe të shfaqin mosbesim ndaj banorëve e vetë institucioneve tona. Si u bë që KFOR-it, dhe askujt tjetër i takon ajo pjesë sipas marrëveshjes së Kumanovës, e ndërkohë shohim ecje të lirë e të rëndë të xhandarmërisë serbe aty, dhe askund ndonjë institucion vendor të sigurisë? Si u bë që policia e Kosovës nga vendi i ngjarjes e konfirmoi që ata janë pjesëtarë të xhandarmërisë, kurse më vonë kur pjesëtarë të policisë së Kosovës shkuan në Karaçevë nuk panë asgjë? Duhet hetim e raport i detajuar thotë kryeministri i hutuar përderisa nuk ka kurrfarë ndjeshmërie për cenimin e sovranitetit dhe jetën e sigurinë e banorëve të republikës në atë pjesë.

Ky kryeministër, që ka hequr dorë edhe nga reciprociteti me Serbinë, siç duket nuk sheh mundësi që aty ku shfaqet Serbia të ketë prani edhe Kosova. Sipas tij policia kur shkoi në vend të ngjarjes nuk pa asgjë, andaj po kërkon hetim thua se banorët e policia e Kosovës nuk kanë parë hyrje të forcave të Serbisë atje. Është koha e fundit që institucionet vendore të jenë në krye të detyrës për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Një ndërhyrje e tillë e xhandarmërisë është e papranueshme e po ashtu edhe indiferenca e institucioneve vendore.

Kontribo

06 08 2020

Fillon mocioni për rrëzimin e qeverisë ‘koti’

Nga sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! fillon mbledhjen e nënshkrimeve për procedimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë ilegale dhe ilegjitime që po e shtynë vendin drejt një katastrofe humanitare, thanë sot në konferencë për media, Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, dhe Shefi i GP, të Lëvizjes, Rexhep Selimi, të cilët njëherit ftuan grupet paralamentare dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës ta mbështesin këtë mocion.

Kjo qeveri, që erdhi si rezultat i përmbysjes së vullnetit qytetar, presionit të presidentit mbi deputetë dhe votës së një deputeti që tashmë është i dënuar dhe në arrati, duhet të rrëzohet sa më parë. Përveç se ilegale dhe ilegjitime, kjo qeveri është e treguar e paaftë për të qeverisur, për të menaxhuar me efektet dhe rrezikun e pandemisë mbi ekonominë dhe jetën e qytetarëve duke treguar vetëm gatishmërinë për ta rikapur shtetin dhe për t’iu nënshtruar Serbisë, andaj ajo duhet të shkojë sa më parë, në mënyrë që vendi ta ketë një qeveri çfarë ka nevojë dhe e meriton, thanë Nagavci e Selimi në këtë konferencë.

Në fund, ata potencuan se teksti i mocionit është ende draft, dhe mund të ndryshohet në varësi të bashkëpunimit me ata që e mbështesin këtë mocion.

Kontribo

05 08 2020

Takim njoftues me ambasadorin e sapo emëruar të Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde.

Sot, kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, mirëpriti në takim njoftues ambasadorin e sapo emëruar të Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde. Bashkë në takim ishin edhe nënkryetari dhe ish ministri i Financave dhe Transfereve, z. Besnik Bislimi, anëtari i kryesisë së Lëvizjes dhe ish minisitri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, dhe këshilltarja znj. Fëllanza Podrimja. Që në fillim të takimit, kryetari Kurti i uroi ambasadorin Rohde për pozitën e tij të re, dhe shprehu bindjen e palëkundur se bashkëpunimi bilateral mes Kosovës dhe Gjermanisë, jo vetëm se do të vazhdojë trajtën e deritanishme, por do të intensifikohet dhe fuqizohet.

Ambasadori Rohde ritheksoi se për Gjermaninë luftimi i krimit dhe korrupsionit në Kosovë vazhdon të jetë prioritet, derisa rikonfirmoi mbështetjen e saj në ndërtimin e shtetit ligjor në Kosovë. Në anën tjetër, kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin Rohde për prioritet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qeverisjes së tij të cilat krahas zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe sundimit të ligjit, përfshijnë ngritjen e cilësisë së arsimit dhe ndërlidhjen me tregun e punës përmes sistemit dual arsimor që për shembull ka pikërisht Gjermaninë. Në takim u folë edhe për situatën e përkeqësuar shëndetësore në Kosovë, ashtu sikurse edhe për qeverisjen aktuale.

Kryetari Kurti tha se Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar të bashkëpunojë ngushtë me shtetet demokratike që ndajnë vlera të përbashkëta teksa theksoi rëndësinë e partneritetit evropian dhe transatlantik.

Kontribo

30 07 2020

Me propozim të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! hiqet barriera për mërgatën përmes “Kartonit të Gjelbër”.

Qeveria Kurti kishte paraparë në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike që të eliminojë pengesën e vazhdueshme për bashkatdhetarët përmes “Kartonit të Gjelbër”, duke dëshmuar përkushtimin që të ndjehen dhe të jenë pjesë e atdheut. Bashkatdhetarët për një kohë të gjatë janë trajtuar si të huaj në vendin e tyre, duke u plaçkitur përmes “Kartonit të Gjelbër”.

Këtë planifikim të Qeverisë Kurti e kishte hequr Qeveria jolegjitime Hoti në rishikimin e buxhetit për vitin 2020. Megjithëkëtë, me propozim të deputetit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! z. Hekuran Murati, Kuvendi i Kosovës sot votoi amendamentin me të cilin përfshihen në buxhetin e këtij viti mjetet financiare që mundësojnë mbulimin e shpenzimeve nga “Kartoni i Gjelbër” pa ngarkuar bashkatdhetarët që vizitojnë Kosovën.

Gjatë këtyre viteve, shpesh është̈ premtuar zgjidhje për “Kartonin e Gjelbër”, por asnjëherë nuk kemi pasur hapa konkret në këtë drejtim. Por, pas vendimit të Qeverisë Kurti dhe sot pas amendamentit të propozuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! hiqet obligimi që mërgata të paguajë në kufi sa herë që hynë në Kosovë. Fatkeqësisht, deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së nuk e përkrahen këtë amendament, me pretendimin që të mbetet në fuqi praktika e mëparshme për detyrimin e bashkatdhetarëve që të paguajnë hyrjen në Kosovë.

Është përgjegjësi dhe obligim për Kosovën që të mirëpres bashkatdhetarët, duke hequr çfarëdo pengese. Mërgata ka dhënë dhe vazhdon të jap kontribut të jashtëzakonshëm për vendin. Ata janë dhe duhet të trajtohen si shtetas të Kosovës.

Kontribo

29 07 2020

Ripërsëritet kërkesa për raportim të Ministrit të Shëndetësisë dhe UD Drejtorit të SHSKUK-së

Marrë parasysh gjendjen e rëndë në vend me përhapjen e pandemisë, situatën ekstreme ku ndodhet personeli shëndetësor, pacientët me COVID-19 dhe familjarët e tyre si dhe pacientët më sëmundje të rënda e kronike, sot është ripërsëritur kërkesa për raportim të Ministrit të Shëndetëisë dhe UD Drejtorit të SHSKUK-së.

Prej datës 7 korrik deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Komisionin parlamentar për Shëndetësi kanë bërë kërkesën zyrtare për raportim të MInistrit të Shëndetësisë lidhur me situatën e pandemisë. Ende sot Ministri nuk i është përgjigjur kësaj kërkesë.

Në mbledhjen e sotme deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e ripërsëritën këtë kërkesë pas rifillimit të punës së këtij Komisioni duke qenë se më herët ka qenë e pamundur për shkak të shëndetëtit të anëtarëve dhe kryetares së Komisionit.

Kësaj kërkese deputetët nga Grupi i VETËVENDOSJE!-s i shtuan dhe kërkesën për raportim të UD Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së.

Kontribo

26 07 2020

2 vjet pa Bacën Adem

Te varri i Adem Demaçit, në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, para trupit e në nder të veprës madhështore të tij, u përkulën z. Glauk Konjufca, znj. Albulena Haxhiu, z. Arben Vitia, znj. Fitore Pacolli dhe z. Xhelal Sveçla.

Baca ra tre herë në burg e secilën herë dilte po aq i vendosur sa kur arrestohej. Herën e parë u mbajtë 3 vjet (1958-1961), të dytën herë 10 vjet (1964-1974) e të tretën herë 15 vjet (1975-1990). Herën e parë hov arrestimit të tij i dha romani “Gjarpijt e Gjakut”, dy herët e tjera nëpër gjykata e akuzuan sepse ka dashur të bëjë organizimin e shqiptarëve. Por, ai kishte vendosur të mos thyhej. Arrestimin e tij të fundit e sheh si mundësi që të hijeshohet puna e të bëhet më serioze sesa që është. Duke bërë kështu që shumë të rinj të motivohen nga kjo rezistencë e rrallë.

Por, ai nuk mendonte asnjëherë se ka bërë mjaft për çështjen shqiptare. Dalja e tij nga burgu është mundësi shtesë për të vazhduar punën në çlirimin e shqiptarëve. Shumëçka do të ndodhë brenda këtyre viteve. Shpallja e Deklaratës Kushtetuese; pajtimi i gjaqeve; shumë protesta; mësimet nëpër shtëpi; votimet në Referendumin për Pavarësi; zgjedhjet parlamentare e presidenciale; greva e punëtorëve të “Rilindjes”; krijimi i Partisë Parlamentare të Kosovës; Protesta e Studentëve; dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; sërish zgjedhjet parlamentare e presidenciale;… Në të gjitha këto figura e roli i Adem Demaçit është i shumë madh.

Kujtimi për Bacën është kujtim për atë se çfarë ka kaluar Kosova për një shekull. Kur na porosiste që “Mos e vendosni njeriun para idesë sepse kjo është punë e rrezikshme…Njeriu mund të mashtrohet, të burgoset, të vritet, kurse ideja jo”, nuk e ka menduar që një ditë ai dhe ideja do të bëhen një. Kur flasim për çlirim, pavarësi e liri flasim për Adem Demaçin. Ai ishte krah për krah të dobëtit, e ballë për ballë shtypësit. Nuk iu tremb syri e nuk iu shmang rrezikut. E mbyti vdekjen kur i hyri kësaj rruge.

Lavdi jetës dhe veprës së këtij vigani, disidentit Adem Demaçi.

Kontribo

24 07 2020

Takim lamtumirës me Shefen e Zyres së BE-së në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova

Sot, në hapësirën e Muzeut të Kosovës, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, bashkë me deputetën dhe anëtarën e Kryesisë, znj. Fitore Pacolli, u takuan me Shefen e Zyres së BE-së në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova, dhe me këshilltaren e saj, znj. Blerta Bejtullahu, për t’u përshëndetur para mbarimit të misionit të Ambasadores në Kosovë. 


Gjatë këtij takimi lamtumirës, Kryetari Kurti dhe Ambasadorja Apostolova e falënderuan njëri-tjetrin për komunikimin e rregullt dhe për bashkëpunimin e mirë që kishin për këto katër vite sa ishte në detyrë ajo. Gjithashtu, Kryetari i uroi shumë suksese dhe punë të mbarë në angazhimet e reja të saj, ndërsa Ambasadorja tha se do të vazhdojë t’i përcjellë me vëmendje zhvillimet në Kosovë. Të dyja palët shprehën dëshirë për të mbetur në kontakt të vazhdueshëm dhe z. Kurti shprehu gatishmëri për bashkëpunim mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Shefit të ardhshëm të Zyres së BE-së në Kosovë.

Kontribo