23 11 2020

Fillon fushata zgjedhore në komunën e Besianës – Ndryshimi dhe fitorja drejt ndryshimit e ka numrin 12

Në hapje të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme në komunën e Besianës, Lëvizja VETËVENDOSJE! sot mbajti një konferencë për medie më kryetarin e saj, Albin Kurti dhe kandidatin e saj për kryetar në këtë komunë, profesorin dhe deputetin Shpejtim Bulliqi.

Llapi gjithmonë ka qenë në ballë të qëndresës e të çlirimit, kurse tani e tutje është koha që të jetë edhe në ballë të zhvillimit. Fitorja e jonë dhe juaja përmes Lëvizjes VETËVENDSOSJE! do të jetë pikërisht hapi i parë në atë drejtim, tha profesori Bulliqi. Ai foli për nevojat e komunës së Besianës dhe qytetarëve të saj. Për projektet infrastrukturore të cilat asnjëherë nuk u realizuan sado që shpesh herë janë premtuar nga qeverisja keqe e deritanishme. Për bibliotekën e qytetit, për hapësira kulturore, sportive e rekreative për të rinj, për mungesën e një spitali të qytetit, për gjendjen e dobët në shkolla, për rrugët e punuara keq dhe pa trotuar për shkak të cilave aksidentet rrugore janë të shpeshta e madje edhe tragjike. Me qeverisjes e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë dhe me kryetar profesorin Shpejtim Bulliqi punësimet do të bëhen në baza profesionale, e jo në baza partiake e familjare siç janë bërë deri sot. Për këtë, profesori Bulliqi tha se do të kujdeset që procesi i aplikimit e konkurrimit të jetë sa më transparent, duke i publikuar konkurset për punësime në komunë edhe në faqën e tij. Si kryetari i ardhshëm i komunës së Besianës, profesori Bulliqi do të jetë kryetar i të gjithëve, i hapur e i qasshëm për të gjithë qytetarët e komunës dhe më bashkëpunuesi nga të gjithë kryetarët që ka pasur ndonjëherë Podujeva. “Unë e di se partitë e vjetra bëhen shpejtë bashkë e janë bërë bashkë”, tha profesori Bulliqi, “por ata janë më pak se sa qytetarët që e duan ndryshimin”. E ndryshimi dhe fitorja drejt ndryshimit e ka numrin 12, përfundoi profesori Bulliqi.

“Këto zgjedhje të jashtëzakonshme, kërkojnë një subjekt të jashtëzakonshëm si Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe një kandidat të jashtëzakonshëm si profesori Shpejtim Bulliqi”, nënvizoi kryetari i Lëvizjes Albin Kurti. Ai tregoi se më profesorin Bulliqi është lidhur shumë gjatë kohës së kundërshtimit të përbashkët të marrëveshjes për kufirin ndërshtetëror më Malin e Zi. Gjatë asaj kohe, profesori Bulliqi me integritetin e tij personal e profesional nuk ka lejuar që as ofertat e mira e trusnitë e këqija ta lëkundin atë nga pozicioni i tij, duke i qëndruar besnik interesit shtetëror dhe të vërtetës shkencore. “Ky vyrtyt e kjo qëndresë e profesorit Bulliqi, më bën të jem ballëhapur ndaj çdokujt që e takoj këtu në Llap”, tha kryetari Kurti. Qeverisja e Lëvizjes VETËVENDSOSJE! në Podujevë dhe kryetari i ardhshëm Bulliqi do të përkushtohen për një administratë publike profesionale, të paanshme e të përgjegjshme, për arsim cilësor sepse në shërbim të zhvillimit, rekrutim të personelit civil mbi baza profesionale, për zhvillim bujqësor përmes mbështetjes së fermerëve, për planifikim urban, për politika ambientale dhe zgjerim të hapësirave të gjelbra, dhe për infrastrukturë të domosdoshme. Këto zgjedhje të parakohshme janë shancë për ndryshime edhe në Llap me qëllim që të arrijmë të dalim nga kriza e shumëfisht, jo vetëm shëndetësore por edhe socio-ekonomike, tha në fund kryetari Kurti.

Kontribo

23 11 2020

Të shkarkohet zv. kryeministri Selmanaj!

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot një konferencë për media në oborrin e Kuvendit të Kosovës, ku ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Grupit Parlamentar të saj, Liburn Aliu, kërkoi shkarkimin e zv. kryeministrit, Driton Selmanaj. Arsyeja për kërkesën për shkarkim të Selmanajt deputeti Liburn Aliu tha se janë deklaratat e fundit të Driton Selmanajt në interpelancën për të pagjeturit të cilat u zgjeruan më pas në televizionet e Kosovës.

“Një qëndrim i tillë është i papranueshëm. Së pari nga pikëpamja morale, së dyti sepse është në mungesë të thellë respekti ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre, së treti sepse dëmton në mënyrë të pakorrigjueshme pozicionin shtetëror të Kosovës kudo”, tha Aliu. Duke kujtuar që kjo qeveri e paligjshme vazhdon të jetë e kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, Aliu tha se qëndrimet e Driton Selmanajt janë përtej çdo çështje që kemi në raport me formimin e qeverisë pa zgjedhje.

“Çështja e personave të pagjetur nuk është çështje subjekti politik apo individi, por është çeshtje dhe dhimbje që prek të gjithë qytetarët e kësaj Republike. Bashkë me dëshmorët,  dhe të gjithë kontribuesit për lirinë e vendit, çështja e personave të pagjetur, përbën shtyllë identitare të shtetit të Kosovës dhe vlerë të paprekshme. Andaj dhe në këtë pikë nuk mund të ketë tolerancë”, tha ai. Duke iu referuar reagimit qytetarë, indinjatës së madhe në shoqëri për shkak të qëndrimeve të shprehura nga Selmanaj, Liburn Aliu tha se ai nuk është më i mirëseardhur në Kuvendin e Kosovës dhe kërkoi shkarkimin e tij. “Çdo ditë që kalon pa marrë masa për largimin e Driton Selmanajt nga pozicioni i zëvendëskryeministrit nga Qeveria e Republikës së Kosovës është dëmtim përveçse dhe fyerje për viktimat e krimeve të Serbisë në Kosovë. Ndaj, i apostrofuari këtu në Kuvend nuk është i mirëseardhur, ky dhe është qëndrimi ynë, në solidarizim me indinjatën e thellë të qytetarëve dhe familjeve të viktimave. Presim që sa më parë, të njëjtin të largojnë pra shkarkojnë nga pozita zyrtare që mban.”

Kontribo

15 11 2020

Fjala e plotë e Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, në konferencën për medie të mbajtur sot me datë 15 nëntor 2020

Në javën që lamë pas, në Hagë, në atë që po e quajmë Gjykatë Speciale, u paraqitën dhe thanë fjalët e tyre hyrëse ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ish Drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, ish Drejtuesi i Shërbimit Inteligjent të UÇK-së, Kadri Veseli dhe ish Inspektori i Përgjithshëm i UÇK-së, Rexhep Selimi.

Ne kemi folur gjerë e gjatë për Gjykatën Speciale në këto shtatë vjetët e fundit dhe nuk ka nevojë të përsëritemi këtu. Kosova ka pasur vazhdimisht gjykata speciale, njëherë UNMIK-un e Tribunalin e Hagës, pastaj EULEX-in, edhe prokuroria e gjykatat në Kosovë përgjithësisht kanë qenë bukur speciale me pasivitetin e tyre, por kjo gjykata e fundit tash, sërish në Hagë, sigurisht se është më specialja.

Jo çmimin e lirisë, por çmimin e gabimeve politike jemi duke e paguar tani. Në njërën anë, UÇK-ja është lënë jashtë Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Republikës, ndërkaq, në anën tjetër, kjo Gjykatë e cila ju sipërvendos shtetit, me votat e 82 deputetëve u pranua të bëhet pjesë përbërëse e Kosovës përmes amendamentimit të kushtetutës më 3 gusht të vitit 2015.

Sigurisht se është Gjykatë e padrejtë dhe e njëanshme në raport me UÇK-në si palë dhe me etninë tonë shqiptare si përkatësi. Ngrehina e kësaj gjykate shkon kundër kujtesës sonë individuale e kolektive, kundër përvojës sonë njerëzore e politike.

Në veçanti, sot, po ndalem në dy elemente të rëndësishme të aktakuzës kundër Krasniqit, Thaçit, Veselit e Selimit.

Ajo çfarë pretendon prokuroria në aktakuzë është se në UÇK ka ekzistuar një grup kriminal përbrenda, me shprehjen që ia përcakton kjo prokurori si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale. Pra, njëfarë strukture paralele kriminale brenda UÇK-së, thua se kemi pasur edhe UÇK edhe NPK! Edhe Ushtri Çlirimtare të Kosovës edhe njëlloj Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale aty. Prokuroria e ka gabim. Nuk ka pasur strukturë të tillë paralele kriminale. UÇK-ja kishte Shtabin e Përgjithshëm dhe Drejtoritë përkatëse, Zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik, Adem Demaçi, Zonat Operative, brigadat e batalionet e njësitë etj. që i dimë të gjithë, e jo aty tash një strukturë paralele siç pretendon prokuroria. Ky lajmi më i ri në Kosovë, për njëfarë NPK-je brenda UÇK-së, nuk është i vërtetë.

Më tej, për ta vërtetuar kjo prokurori që paska ekzistuar kjo strukturë paralele të cilën e quan ndërmarrje e përbashkët kriminale, ajo natyrisht se është dashur të thotë se ka pasur një qëllim paralel. Insinuata për strukturën paralele nuk është e mundshme pa shpikjen e një qëllimi paralel. Prandaj, sipas prokurorisë, qëllimi nuk ishte më ai i UÇK-së e që është çlirimi i Kosovës, por qëllimi i kësaj ndërmarrjeje, i atij grupi, e i asaj strukture, na paska qenë të fitojë dhe ushtrojë kontroll gjithandej në Kosovë. Dhe, madje, kjo qysh nga marsi 1998. Po të thuhej që ndokush prej këtyre ka pasur për qëllim kontrollin në mars të vitit 2008 apo në mars të vitit 2018 edhe mund të besohet, por kurrsesi në mars të vitit 1998 siç pretendon prokuroria. Çlirimi ishte qëllimi, dhe jo fitimi e ushtrimi i kontrollit.

Në Hagë, nuk janë duke u përndjekur vetëm individët, por as nuk mund të mbrohen të pandehurit vetëm si individë. Shteti i Kosovës duhet ta organizojë e ta koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata e pamë se i kanë avokatët e tyre secili, mirëpo nevojitet bashkërendimi nga shteti. UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe që të gjithë duhet ta mbrojmë atë. Me fjalë të tjera, kjo është edhe punë qeverie, kjo është sidomos punë qeverie. Është qeveria e Kosovës ajo që duhet të angazhohet për sintezën e përfaqësimit dhe mbrojtjes në këtë proces. Mbrojtja dhe përfaqësimi duhet të bashkërendohen e të sintetizohen. Për fat të keq në këtë kohë të vështirë, Kosova nuk ka një qeveri që mund ta bëjë këtë. Kjo qeveri e paligjshme e cila që nga fillimi varej prej secilit deputet të Listës Serbe e që tash është veçse qeveri e pakicës që po tkurret përditë, nuk mund ta mbrojë e shpëtojë as vetveten, se lëre më ndokënd tjetër. E keni parë se si preokupimi i saj në këtë muaj ishte eliminimi i Task Forcës kundër korrupsionit, e jo mbrojtja e UÇK-së në arenën ndërkombëtare e në Gjykatën Speciale.

Ne duhet të jemi bashkë për luftën tonë çlirimtare dhe kundër Serbisë e cila nuk na njeh sepse është e papenduar për krimet e kryera. Janë bërë shumë gabime në të kaluarën në Kosovë. Nuk kemi pse të bëjmë gabime të reja.

* * *

Pyetjet nga gazetarët:

G: A ju ka ftuar kryeministri Hoti për të biseduar rreth postit të presidentit për shkak se të premten e kaluar në Argument Plus ka paralajmëruar se do t’i ftojë partitë? Edhe një pyetje nëse ka mundësi, a keni biseduar me Ramushin ose me PDK-në për postin e presidentit?


AK: Ne konsiderojmë që nuk mund të ketë unitet pa legjitimitet. Presidenti ose Presidentja e re duhet të përfaqësojë unitetin e popullit. Dhe kjo nuk mund të bëhet në kushtet kur kemi një qeveri të paligjshme. Unë nuk kam pasur takime për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Kosova ka Ushtrues Detyre të Presidentit, pra, nuk është e zbrazët ajo karrige edhe për së paku 6 muaj teorikisht në bazë të Kushtetutës tonë. Por, pas zgjedhjeve të reja mund të kemi president të ri, dhe, qeveria e vjetër nuk e ka as legjitimitetin, as autoritetin, as kredibilitetin për iniciativa të tilla.

G: A pritet që zgjedhjet të jenë opsioni i vetëm dhe kur eventualisht mund të mbahen ato zgjedhje?

AK: Ne besojmë se zgjedhjet duhet të mbahen sa më parë meqenëse çdo ditë vonesë është ditë e fituar për të korruptuarit dhe një ditë më pak për qytetarët e vendit tonë. Jemi të interesuar që këto zgjedhje të jenë një orë e më parë, apo, siç thotë populli ynë: qysh dje. Por ju e dini që kjo nuk varet vetëm prej Lëvizjes VETËVENDOSJE! e cila ka si grup parlamentar 31 deputetë që janë të pamjaftueshëm pa të tjerë për ta shkaktuar zgjedhjet e reja nëpërmjet rrëzimit të kësaj qeverie.

G: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para disa ditësh në një emision televiziv ju ka akuzuar juve dhe z. Haradinaj, po e citoj: “e kanë dëmtuar Kosovën në luftën diplomatike qoftë njëri, qoftë tjetri, janë treguar sylesh dhe të paaftë në atë luftë”. Cili është komenti juaj për këtë?

AK: Është e qartë, ka kohë që me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Ramën, ne nuk kemi të njëjtin qëndrim sa i përket presidentit të Serbisë. Pra, kjo është një pikë e rëndësishme në të cilën ne dallojmë fort. Fatkeqësisht kryeministri i Shqipërisë nuk guxon ta thotë të vërtetën për presidentin e Serbisë, për çfarë motivesh e arsyesh unë nuk jam në gjendje ta them. Ne duhet të bashkohemi për luftën çlirimtare, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe kundër Serbisë e cila është kundër nesh. Nuk do të mund të bashkohemi si komb, nuk do të mund të bashkëpunojmë si shtete me qëndrime të ndryshme karshi Serbisë. Kosova dhe Shqipëria, nuk e kanë jo vetëm luksin, por as të drejtën që të dallojnë sa i përket Beogradit. Unë besoj që mospajtimet tona vijnë nga ky dallim. Dallimi thelbësor është te qëndrimet e ndryshme që i kam unë dhe kryeministri i Shqipërisë për presidentin e Serbisë. Ai po përpiqet që krimet e Serbisë t’i lokalizojë në figurën e Milosheviqit. Kjo është e padrejtë ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar. Prandaj, edhe kryeministrit të Shqipërisë, por sidomos Kuvendit të Shqipërisë i bëjë thirrje që ashtu siç e ka miratuar Kuvendi i Republikës së Kosovës rezolutën për dënimin e gjenocidit në Kosovë, ta bëjë edhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

* * *

Njoftim nga Kryetari Albin Kurti:

Tash e tutje Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do ta ketë si Ushtrues Detyre deputetin Liburn Aliu i cili do ta zëvendësojë Kryetarin tonë të Grupit Parlamentar, Rexhep Selimi. Ne nuk do të zgjedhim kryetar të ri, nuk kemi pse nxitohemi, ne e kemi kryetarin, Rexhep Selimin, por funksionalisht detyrën e tij do ta kryej tash e tutje Liburn Aliu. Këtë e kemi diskutuar dhe vendosur në Kryesi e në Grupin tonë Parlamentar. Përndryshe, unë dy herë në këto ditët e fundit kam biseduar me kryetarin e Grupit tonë Parlamentar, Rexhep Selimin, dhe ai të gjithë qytetarët, aktivistët e juve gazetarë ju përshëndet e ju bën të fala. 

Kontribo

11 11 2020

Kërkesë për sqarime me shkrim lidhur me çështjen e fshirjes së dokumenteve të prokurimit nga sistemi elektronik i Policisë së Kosovës.

Sot, deputetja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Kryetarja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, znj. Fatmire Mullhaxha – Kollçaku, ka dërguar kërkesë për sqarime me shkrim lidhur me çështjen e fshirjes së dokumenteve të prokurimit nga sistemi elektronik i Policisë së Kosovës.

Në media është raportuar se janë fshirë dokumente të rëndësishme të prokurimit nga sistemi i brendshëm elektronik i Policisë së Kosovës, PRIMS. Për shkak të fshirjes së këtyre dokumenteve raportohet se kanë filluar hetimet, kurse drejtoresha e Prokurimit në Polici ka dhënë dorëheqje.

Marrë parasysh faktin që një gjë e tillë ka ndodhur brenda Policisë së Kosovës, një institucioni detyrë e së cilit është pikërisht luftimi i keqpërdorimeve dhe veprimeve të jashtëligjshme, e bën një veprim të tillë shumëfish më shqetësues.

Nisur nga përgjegjësia që ka Ministria e Punëve të Brendshme, kemi kërkuar sqarime lidhur me këtë rast. Përkatësisht, a janë fshirë dokumente të prokurimit nga Sistemi i brendshëm elektronik i Policisë së Kosovës, PRIMS? Për çfarë dokumente konkretisht bëhet fjalë dhe me çfarë kontrata kanë të bëjnë këto dokumente të fshira? Poashtu, informacione të detajuara lidhur me funksionimin e Departamentit të Prokurimit në kuadër të Policisë së Kosovës, respektivisht sfidat dhe problemet me të cilat është përballur ky departament.

Kontribo

08 11 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE! uron popullin amerikan për zgjedhjen e presidentit të ri, Joe Biden

Lëvizja VETËVENDOSJE!, si subjekti më i madh politik në Kosovë, e uron popullin amerikan për zgjedhjen e presidentit të ri, Joe Biden, dhe zv. presidentes, Kamala Harris. Qysh gjatë fushatës ne e kemi dhënë mesazhin tonë mbështetës për z. Biden, sepse e kemi dëshiruar vërtet fitoren e tij. Joe Biden është një politikan me përvojë të angazhimit në Ballkan, ku vazhdimisht ka mbajtur qëndrime të drejta në raport me agresionet e agresorët, por edhe në ndihmë të viktimave e të lirisë së tyre. Si mik i dëshmuar i shqiptarëve, ne besojmë se ardhja e tij në detyrë është arsye për shpresë për kombin tonë, nëse ne shqiptarët punojmë siç duhet e ndershmërisht, e nëse i largojmë prej qeverive të korruptuarit e të gjitha ngjyrave.

Presidenti i ri, Biden, pritet të jetë një përforcues i aleancave e jo një dobësues i tyre. Ai është një politikan që e njeh mirë kontekstin e fuqive, para dhe pas Luftës së Ftohtë, për pasojë besojmë se do të jetë fuqizues i NATO-s e do të ndihmojë për vendosjen e kufijve ndaj ndikimit të fuqive si Rusia e Kina në rajonin tonë. Prirja programore e Partisë Demokratike të ShBA, për politika sociale, gjithëpërfshirje, luftim kundër diskriminimit dhe rritje të mirëqenies, përputhet me kahjen e përpjekjen e politikave tona, prandaj përkrahja për ta ka qenë e natyrshme. Zhvillimi i përgjegjshëm ekonomik, duke ruajtur e shëruar natyrën, duke përparuar njerëzoren e duke mos e cënuar assesi lirinë, këto janë çështje për të cilat mezi presim të bashkëpunojmë.

Ndryshimi në ShBA duhet të reflektohet edhe me ndryshim në Kosovë, ku tash disa muaj kemi një qeveri të paaftë dhe jolegjitime. Kjo qeveri u ndërtua me detyrën e vetme: dobësimin ndërkombëtar të Kosovës, dhe servilizmin ndaj emisarit të presidentit Trump, Richard Grenell, i cili pati si synim zhbërjen e trashëgimisë demokratizuese e lirisjellëse të presidentëve Clinton e Bush në Ballkan. Fatkeqësisht, përpjekje të tilla destabilizuese gjetën mbështetje edhe te disa shqiptarë, të gatshëm të shkojnë kundër historisë sonë, vetëm për pushtet. Kosova ka nevojë urgjentisht për zgjedhje të reja dhe qeveri e institucione legjitime, të cilat do të kenë mundësinë të zhvillojnë raporte të drejta me fqinjët, e të thellojnë aleancën me ShBA e me presidentin e ri z. Biden.

Kontribo

05 11 2020

Homazhe në përkujtim të 4 vjetorit të rënies së Astrit Deharit.

Sot, në katërvjetorin e vdekjes së Astritit, një delegacion i VETËVENDOSJE!-s, i prirë nga kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes, Rexhep Selimi, bashkë me prindërit dhe familjarët e Astritit, deputetët e tjerë dhe shokët e shoqet aktiviste, bënë homazhe në kujtim të tij. Po bëhen katër vjet prej vrasjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, në duar të shtetit e nga vetë shteti.

Drejtësia për Astritin nuk është vënë në vend ende. Vrasja e Astritit filloi që kur u arrestua me akuza të fabrikuara e të montuara dhe teksa po mbahej padrejtësisht në burg, në duar të një shteti të kapur e të korruptuar, i cili po vazhdon pengimin e zbardhjes së këtij akti.

Sikundër kemi bërë deri tani, edhe në këtë katërvjetor të mungesës fizike, Astritin do ta kujtojmë si aktivistin e zellshëm e të pashembullt, punëtor e fjalëpak, i cili nuk qe asnjëherë rehat me degradimin e vazhdueshëm që po i bëhej vendit.

Ai do të duhej të ishte në krye të aktiviteteve si aktivist, e në krye të detyrës si mjek, pranë familjes si familjar. E, megjithatë, për secilin aktivist të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e për secilin qytetar që do drejtësinë e barazinë në këtë vend, Astriti mbetet personifikim i përpjekjes së përditshme që Republikës t’ia kthejmë dinjitetin e qytetarëve shpresën.

Astriti, shihte më larg e më gjerë se të gjithë ne. Herët e kishte kuptuar që fati individual fiton rëndësinë vetëm në një shoqëri të mirëqenë, të lirë, të drejtë, të barabartë e të dinjitetshme. Ashtu siç ishte shembull i përkushtimit për të mirën e përgjithshme, është bërë simbol i gjithmonshëm i përpjekjeve për drejtësi e barazi, përherë frymëzues për ne dhe të tjerët që do të vijnë.

Ai na ndriçon rrugën përpara me dëshminë e tij, e ne do të ecim palëkundur drejt idealeve të Astritit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe populli shqiptar, gjithmonë do ta kujtojmë e do ta nderojmë Astrit Deharin dhe asnjëherë nuk do të pushojmë së kërkuari Drejtësi për Astritin.

Kontribo

05 11 2020

Drejtësi për Astritin: 5 vjetori të mos na gjejë me kërkesën për Drejtësi!

Me rastin e katërvjetorit të vrasjes së aktivistit Astrit Dehari, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi një konferencë për media ku ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe Administatës Publike, Xhelal Sveçla dhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kujtuan kontekstin e arrestimit dhe vrasjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit. Haxhiu e Sveçla kërkuan që prokuroria speciale ta përshpejtojë hetimin e rastit, si dhe bënë thirrje për lirim nga aktakuza të aktivistëve që padrejtësisht akuzohen për për rastin e sulmit të inskenuar në Kuvend. Me bindje të plotë ata u shprehën se e vërteta do të zbulohet dhe jo vetëm vrasësit por edhe ideatorët, nxitësit, urdhërbartësit e urdhërdhënësit do të vihen para drejtësisë. Për sonte, ata ftuan të gjithë qytetarët që prej orës 20:00 në shtëpitë ose banesat e tyre ta ndezin qirinj në kujtim të jetës dhe veprës së Astrit Deharit.–Anëtari i Kryesisë, Xhelal Sveçla, fillimisht kujtoi ngjarjet e viteve 2015-2016 që rezultuan edhe me arrestimin e Astrit Deharit dhe pesë aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

“Ngjarjet e vitit 2015-2016 ishin ato të kundërshtimeve masive qytetare e opozitare të prira nga Lëvizja VETËVENDOSJE! ndaj ‘Zajednicës’ që e ndan Kosovën në vija etnike dhe Demarkacionit që na i humbi 8200 hektarë. Përball nesh, prej vjeshtës së vitit 2015 deri në gushtin e vitit 2016, qëndroi pushteti, i cili me gjithë makinerinë e represionit ushtroi dhunë të shfrenuar duke arrestuar e burgosur arbitrarisht aktivistët e Lëvizjes, në mesin e të cilëve edhe Astritin dhe pesë aktivistët e tjerë.”

Sveçla po ashtu kujtoi se Astrit Dehari u mbajt për 78 ditë në burg pa u marrë asnjëherë në pyetje nga organet e rendit që përbën shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe përpjekjen e pushtetit asokohe për t’i fshehur gjurmët e këtij krimi.

“Prej vrasjes së Astritit e pastaj edhe përpjekjeve për mbulimin e gjurmëve te vrasjes, deklaratave kontradiktore e zhdukjeve të dëshmive materialeve, dëshmive të dëshmitarëve si dhe të vet dëshmitarëve, pamë një mobilizim kriminal prej ish-ministres së Drejtësisë të asaj kohe, prokurorëve e krerëve të shërbimit korrektues dhe policisë. Kulmi ishte kërcënimi i ekspertëve të jashtëm me aktakuzë vetëm e vetëm se ata thanë një të vërtetë. Tash edhe tentativat për sabotimin e procesit të hetimeve në të cilin proces janë përfshirë ekspertë të institutit ligjor të Lozanës. Por nuk kanë për t’ia dalë. Dhe patjetër që ky proces do të shkojë deri në fund dhe jo vetëm vrasësit por edhe ideatorët, nxitësit, urdhërbartësit e urdhërdhënësit duhet të vihen para drejtësisë”, tha ai.

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes, Albulena Haxhiu tha se Astritit dhe pesë aktivistëve të VETËVENDOSEJE!-s padrejtësisht iu është mveshur vepra më e rëndë që njeh legjislacioni penal i Kosovës, ku si pasojë e kësaj ata u mbajtën në burg prej ku Astriti nuk doli i gjallë.

Duke shpjeguar kërkesën që me rastin të merret prokuroria speciale, Haxhiu theksoi se kanë kaluar katër vjet nga vrasja dhe një nga kalimi i rastit te prokuroria speciale dhe ende nuk ka drejtësi.

“Prej momentit kur është publikuar raporti i Institutit Zviceran, duke pasur parasysh që prokuroria e Prizrenit, konkretisht Sylë Hoxha, kishte paragjykuar rastin e Astritit dhe kishin dhënë deklarata që ka qenë vetëvrasje, pas raportit të Institutit zviceran, ne kemi kërkuar që rasti të transferohet në prokurorinë speciale por qëllimi i kërkesës tone ka qene që prokuroria speciale të trajtonte e hetonte në detaje rastin, pa ndikime, me seriozitet dhe profesionalizëm. Por ja ku jemi sot, katër vjet pas vrasjes së Astritit dhe një vit nga koha kur ky rast i ka kaluar Speciales, ende mungon drejtësia për Astrit Deharin.”

Tutje, Haxhiu tha se përmes kësaj konference i bëhet thirrje institucioneve të drejtësisë për trajtim të duhur e të pandikuar të rastit Dehari, si dhe ndërprerjes së përndjekjes ndaj aktivistëve që padrejtësisht akuzohen për rastin e inskenuar të Kuvendit. Ajo falënderoi shtetin Zviceran për mbështetjen, konkretisht Institutin Zviceran për ndihmën e ofruar në zbardhjen e rastit.

“5 vjetori i vrasjes së Astritit nuk do të duhej të na gjente me kërkesën për drejtësi. Në 5 vjetorin e vrasjes së Astritit, drejtësia do të duhej të shkonte në vend. Përgjegjësit për Astritin kanë emër e mbiemër. Prokuroria Speciale duhet ta bëj punën e saj,” tha ajo, duke kujtuar ftesën e bërë që sot nga ora 20:00 të ndizen qirinj nëpër shtëpitë/banesat e qytetarëve në kujtim të jetës dhe veprës së Astrit Deharit.

Kontribo

05 11 2020

Mbi akuzat e Gjykatës Speciale

Morëm vesh sot për thirrjen para Gjykatës Speciale edhe të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e të kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit. Akuzat ndaj tyre lidhen me luftën e UÇK-së, e cila për ne mbetet gjithnjë forcë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare. Si shqiptarë, natyrisht, shpresojmë që ata të kthehen të pafajshëm.

Fatkeqësisht Kosova sot nuk është në gjendje ta mbrojë UÇK-në me institucionet e saj, për shkak se keqqeverisja në dekadat e pasluftës ka rezultuar në institucione të brishta të drejtësise, të cilat nuk kanë fituar besimin e qytetarëve, e njëkohësisht i ka përkeqësuar marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

E vlerësojmë gjestin e dorëheqjes prej presidencës të Hashim Thaçit si të duhur, por të vonuar. Do të ishte mirë të vepronte qysh kur erdhi lajmi për akuzat, e jo të linte vend për të menduar se në prapaskenë po negocion për të shpëtuar veten prej atyre akuzave. Dhjetë vitet e fundit janë dëshmi se si kushdo që ka pretenduar ta mbrojë UÇK-në përmes pazareve të fshehta, ka dështuar, dhe vetëm sa e ka rritur dëmin. Vetë Gjykata Speciale është padrejtësi e prodhuar prej tyre, përderisa ne si Lëvizje, bashkë me shumë veteranë e qytetarë, protestuam kundër saj.

Tash Kosovës i duhen zgjedhje të reja e të lira, prej të cilave do të dalë një qeveri e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve, qeveri që ia kthen besueshmërinë vendore e ndërkombëtare Kosovës. Presidenti i ri nuk mund të dalë prej pazareve në Kuvendin e vjetër e të deformuar, por do të dalë me integritet e besueshmëri, nga Kuvendi i ri, pas zgjedhjeve të reja. E deri atëherë, në një tranzicion të shkurtër e transparent drejt zgjedhjeve të reja, znj. Vjosa Osmani si ud. e presidentes, do të kontribuojë për mirë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Vetëm një qeveri e pakorruptuar, e zgjedhur demokratikisht e jo produkt i pazareve, do të mund ta përparojë Kosovën e ta mbrojë UÇK-në dhe ta vlerësojë ashtu siç e meriton. Të gjithë duhet të bëhemi bashkë në respektim të ligjit, vullnetit të qytetarëve e demokracisë, e jo për t’iu mbivendosur asaj.

Kontribo

03 11 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE! fton Armend Zemaj për raportim para deputetëve për situatën me COVID-19 në Kosovë.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, përmes nënkryetares së Kuvendit, znj. Arbërie Nagavci i ka dërguar kërkesë Kryesisë së Kuvendit që të ftohet Armend Zemaj për raportim para deputetëve për situatën me COVID-19 në Kosovë.

Gjendja pandemike në vend është përkeqësuar në mënyrë drastike. Pavarësisht përpjekjes vetëmohuese dhe përkushtimit të punonjësve shëndetësorë, numri i madh i të infektuarve, spitalet e mbingarkuara dhe paaftësia e kësaj Qeverie po e bëjnë përballjen me COVID-19 trefishë më të rëndë për qytetarët e Kosovës.

Gjatë javës së fundit janë regjistuar rreth 2500 raste të reja, kurse betejën me këtë virus e kanë humbur mbi 30 qytetarë. Këto shifra janë alarmante. Kjo është indikative se Kosova po shkon drejtë thellimit të krizës. Ndonëse Ministri kishte premtuar spital të veçantë për COVID-19, realizimi i tij nuk duket gjëkundi, e Klinika Pulmologjike dhe spitalet rajonale nuk kanë kapacitet për trajtim të një vale të re të të prekurve. Qytetarët e Republikës ndodhën pa mbështetje dhe pa përkujdesje.

Shpërfillëse ndaj gjendjes së qytetarëve, kjo Qeveri është zënë e befasuar në paaftësinë e saj. Me riciklim masash pa efekt e jo të duhura, të vonshme e të pazbatuara, Ministria e Shëndetësisë është shndërruar në një departament të dobët të mbledhjes së statistikave. Shifrat tregojnë se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës janë të mangëta, pa analizë dhe pa vlerësim për efektet e tyre në terren.

Është e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të diskutojë për gjendjen pandemike në vend, dhe se ministri Zemaj të raportojë para deputetëve për situatën, masat që janë ndërmarrë dhe ato që duhet të ndërmerren për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe shëndetin publik në përgjithësi.

Kontribo

02 11 2020

Dëgjim publik lidhur me Draft Kodin Civil të Republikës së Kosovës

Sot, Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i asistuar nga Komiteti për Drejtësi i Lëvizjes, organizoi dëgjim publik lidhur me Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës. Për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19, dëgjimi publik u mbajt përmes platformës ZOOM.

Pos përfaqësuesve të Lëvizjes, përkatësisht znj. Albulena Haxhiu dhe deputetëve e njëherit anëtarëve të Komisonit Parlamentar për Legjislacion, Alban Hyseni dhe Dimal Basha, në këtë dëgjim morrën pjesë edhe profesorë, ekspertë, përfaqësues nga institucionet, përfaqësues nga shoqëria civile, noterë, avokatë si dhe disa studentë të Fakultetit Juridik.

Nga përfaqësuesit e Lëvizjes, u tha që Ministria nuk është dashur të ngutet me procedimin e draftit të Kodit prandaj edhe ata nuk do të japin mbështetjen për një dokument që është i mangët dhe se më shumë do rëndojë marrëdhëniet civile sesa t’i zgjidhë problemet.

Pjesëmarrësit në këtë dëgjim dhanë vlerësimet e tyre profesionale për këtë projektkod në të cilin është punuar mbi tre vjet. Megjithatë, problemet dhe kritikat për të janë mjaft të theksuara. Shumica e pjesëmarrësve vlerësojnë se ky draft në versionin aktual nuk duhet asesi të miratohet. Ai vlerësohet si një improvizim i dobët, përplot gabime logjike dhe praktike si dhe kundërdhënie në mes librave, pjesë të kodit. Po ashtu në këtë dëgjim publik u tha se mungojnë edhe përkufizime të koncepteve juridike. Prandaj, nevoja për përmirësime dhe intervenime është e pashmangshme. Por ato nuk mund të jenë thjesht amendamente në Kuvend por në nivelin fillestar të hartimit.

Disa prej çështjeve që u adresuan në këtë dëgjim publik ishin edhe se i njëjti ka përzierje të së paku dy apo tri shkollave filozofike juridike, i së paku tri kodeve të ndryshme pa ndonjë konsistencë konceptuale, filozofike a gjuhësore. U tha gjithashtu që ky kod përmban vetëm lidhje mekanike të ligjeve pozitive dhe në anën tjetër kurfarë lidhje normative e cila për një kod është e domosdoshme.

Tutje, u përmend edhe mungesa e memorandumit shpjegues, për institutet e gjithashtu u dhanë propozime për pasurinë e përbashkët, kontrata martesore e cila u konsiderua regres nga rregullimi aktual, alimentacionin si dhe nevoja për përfshirjen e kërkesave të komunitetit LGBT të cilat janë injoruar e shpërfilluar nga Ministria e Drejtësisë.

Pjesëmarrësit në përgjithësi theksuan që për institute të reja, për ndryshime të reja duhet analizë e detajuar e ekspertëve të fushës dhe jo eksperimentime, dhe se kodi nuk duhet të shtyej përpara intersa individuale apo grupeve por duhet t’i përshtatet rrethanave në Kosovë. Lidhur me këtë u adresua edhe nevoja e ndalimit të zhvatjes së qytetarëve nga bankat përmes kamatës së dyfishtë apo kamatës mbi kamatë.

Anëtarët e Grupit parlamentar të Lëvizjes dëgjuan me vëmendje të gjitha kritikat dhe sugjerimet e pjesëmarrëseve. Ato janë shumë të vlefshme, dhe në bazën e tyre, Lëvijza do të zhvillojë edhe takimet tjera me grupe të ndryshme të interesit, ekspertë e profesionist në mënyrë që ndryshimet t’i përgjigjen nevojave dhe shqetësimeve të ngritura nga të gjitha palët. Kjo me synimin që Kodi Civil të jetë në formën më të mirë të shërbimit për qyetarët e Republikës.

Kontribo

26 10 2020

Takim me Shefin e Zyres së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë/Përfaqësuesin e Posaçëm, ambasadorin Tomáš Szunyog.

Sot në zyre të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Republikës, Kryetari i Grupit tonë Parlametar, Rexhep Selimi, dhe kryetarja e Komisionit për Çështje të Sigurisë njëherit nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku bashkë me asistenten e Grupit Valëza Mjeku pritën në takim Shefin e Zyres së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë/Përfaqësuesin e Posaçëm, ambasadorin Tomáš Szunyog.

Takimi kishte karakter njoftues mbi punën e Komisioneve Parlementare dhe rolin e Grupit Parlamentar të LV në raport me to. Ambasadori Szunyog mes të tjerash vuri theks të veçantë tek projektligji për Financimin e Partive Politike dhe votimin për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtje të Dhënave Personale dhe Privatësi. Ai poashtu tha se agjenda evropiane duhet të jetë prioritet i të gjitha subjekteve dhe grupeve parlamentare.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit tanë e njoftuan ambasadorin për punën e Kuvendit, me theks tek interpelancat të cilat janë mbajtuar deri tani e tjerat që priten të mbahen në javët në vijim. Fatmire Mulhaxha Kollçaku tha se e sheh të dëmshëm vendimin e Qeverisë për shuarjen e Task-forcës së Anti Korrupsion dhe për këtë duhet kërkuar llogari. Në këtë drejtim, ajo tha se komisioni të cilin ajo e drejton do të bëjë çmos që kjo çështje ta merrë vëmëndjen dhe trajtimin e duhur. Kurse, Rexhep Selimi në lidhje me marrëveshjen e Asociacionit të Komunave serbe ripërsëriti qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila që nga fillimi e ka konsideruar të dëmshme atë dhe që tashmë e sheh edhe të vdekur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit të 201

Kontribo

23 10 2020

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, vizitë në shoqatat: “Thirrjet e Nënave”, “Shoqatën e Pensionistëve” dhe “Medica Gjakova” në Gjakovë.

Sot, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, bashkë me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, në kuadër të një vizite më të gjerë, kanë vizituar edhe shoqatat “Thirrjet e Nënave”, “Shoqatën e Pensionistëve” dhe “Medica Gjakova” në Gjakovë.

Çdo takim me nënat gjakovare, është takim prekës ku spikasin po aq sa plagët e familjarëve për më të dashurit e tyre të pagjetur nga lufta e fundit, edhe papërgjegjësia e vazhdueshme për çështjen e të pagjeturve nga ana e institucioneve.

Kujtimet e nënave janë të freskëta, e lotët ende të njomë. Familjarët e të pagjeturve përditë jetojnë me mallin për më të dashurit e tyre. 21 vjet nga lufta dhe Serbia vazhdon të fshehë të vërtetën e mbi 1600 të pagjeturve, kurse qeveritë e Kosovës kanë normalizuar atë.

Trajtimi jo i duhur i çështjes së të pagjeturve ka rënduar edhe më shumë familjet. Kthimi i mbetjeve mortore të pjesshme është lëndim shtesë.

Ishte bindje e përbashkët se nuk mund të ketë dialog me Serbinë pa zbardhjen e fatit të pagjeturve. Ndërsa, barazimi i të pagjeturve me të ashtuquajturit kthimin e të zhvendosurve është i papranueshëm dhe potencialisht siç u tha, barazim të viktimës me kriminelin e luftës.

Nënkryetarja Nagavci i njoftoi drejtueset e “Thirrjet e Nënave” për interpelancën që ka thirrur Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! pikërisht për këtë, duke e konsideruar se çështja e të pagjeturve nuk mund të ndërlidhet a kushtëzohet me asnjë çështje tjetër, por është vetë dialogu që duhet të kushtëzohet me zbardhjen e të pagjeturve nga ana e Serbisë. Po ashtu u diskutua për idenë që të ftohen në Kuvend familjarët e të pagjeturve, për të adresuar këtë çështje dhe kërkesat e tyre para deputetëve. “Thirrjet e Nënave” paraqiten edhe njëherë kërkesat e tyre që Serbia të ofrojë informacionet, të nxirren para drejtësisë autorët, të bëhen pjesë e bisedimeve dhe të mbështetën familjet e të pagjeturve.

Nënkryetarja Nagavci, vizitoi po ashtu edhe shoqatën e pensionistëve të Gjakovës, ku u njoftua me gjendjen dhe kërkesat e pensionistëve, si dhe nevojën e adresimit të drejtë të kthimit të fondit pensional të plaçkitur nga Serbia. Ndërsa, në takimin në Shoqatën “Medica Gjakova”, shoqatë e cila ka trajtuar e mbështetur rehabilitimin e grave të dhunuara gjatë luftës, u njoftua për punën e vlefshme që po bëjnë, por edhe me sfidat që përballen.

“Medica Gjakova” duke falenderuar krijimin e Komisionit për verifikimin dhe regjistrimin e rasteve të dhunimeve seksualisht gjatë luftës, e ngriti nevojën e zgjatjes së periudhës për verifikimin dhe regjistrimin e këtyre rasteve, për shkak se shumë gra nuk janë lajmëruar.

Kontribo

22 10 2020

Tryezë virtuale: Moratoriumi vs shtetësia e Kosovës

Lëvizja VETËVENDOSJE!, sot ka mbajtur një konferencë virtuale të ndarë në dy panele mbi moratoriumin një vjeçar të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, në kuadër të zotimeve të 4 shtatorit 2020.

Në panelin e parë të drejtuar nga ish-Ministrja e Drejtësisë dhe anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, znj. Albulena Haxhiu, morën pjesë njohës, ekspertë dhe përfaqësues të ndryshëm nga organizata të ndryshme joqeveritare vendore, për të diskutuar mbi sfidat e Kosovës mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, pas zotimeve të Uashingtonit për moratoriumin një vjeçar.

Folës në këtë panel ishin z. Glauk Konjufca, ish-Ministër i Punëve të Jashtme dhe anëtar i Kryesisë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Blerim Reka, profesor dhe ish-Ministër i Integrimeve Evropiane, znj. Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë dhe ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, z. Sabri Kiçmari, profesor dhe diplomat, z. Armend Muja, ligjërues në Riinvest, znj. Donika Emini, përfaqësuese nga CIVIKOS, znj. Arbreshë Loxha, përfaqësuese nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, znj. Jeta Krasniqi, përfaqësuese nga KDI, znj. Luljeta Aliunga, përfaqësuese nga INJECT, z. Taulant Kryeziu, ish-zëvendësministër dhe ekspert i integrimeve evropiane, z. Sami Kurteshi, ish-deputet, politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, z. TienMu Ma, ekspert i të drejtave të njeriut.

Në këtë panel, diskutimi ky moratorium u cilësua si privim dhe kontestim i shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Qeveria e Kosovës me zotimet e saj në Uashington, ka humbur në subjektivitetit shtetëror në raport me vetvetën dhe të tjerët në arenën ndërkombëtare. Këto zotime janë si pasojë e një rrugëtimi të gjatë të dialogut me Serbinë, i nisur që nga 2011, me mospërgatitjen adekuate dhe parashtrimit të kërkesave të Kosovës ndaj Serbisë në tavolinën e bisedimeve. U përmend që kjo Qeveri në mungesë të legjitimitetit dhe politikave hibride, vullnetarisht e ka dëmtuar Republikën e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Gjithashtu u theksua që ky zotim vjen si pasojë e plotësimit të një kërkese të kahmotshme të Serbisë, që Kosova të pezullojë anëtarësimin në organizma ndërkombëtarë. Askush nuk mund të na sigurojë që Serbia, me interferimet e saja diplomatike nuk do të provojë që të cenojë shtetësinë e Kosovës në vendet që ende nuk na kanë njohur. Nga folësit u theksua që duhet të ndryshojë narrativi për konsolidimin e shtetndërtimit në dialogun me Serbinë. Kosovës dhe instititucioneve të saj, i nevojitet një legjitimitet i ri dhe politika të reja në ruajtjen e sovranitetit shtetërorë dhe vullnetit qytetar.

Paneli i dytë u drejtua nga deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, znj. Fitore Pacolli, ku përveç profesorëve, ekspertëve e korrespodentëve të jashtëm, sikurse z. Florian Bieber, profesor në Universitetin e Graz-it, z. James Ker Lindsay, z. Adam Fagan dhe z. Gëzim Visoka, profesorë në universitete britaneze, z. Aidan Hehir, njohës i marrëdhënieve ndërkomëbtare dhe ligjërues në Universitetin eWestmister, z. Tim Judah, korrospodent në The Economist, z. Bodo Weber, Hulumtues i Lartë në Këshillin për Politika Demokratizuese, e znj. Dana Landau, studieuse e lartë në institutin Swisspeace, ishte edhe kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti.

Kryetari Kurti foli për zotimet e nënshkruar më 4 shtator në Uashington, duke thënë se më e dëmshme se vetë ato është mendimi prapa tyre. Ai potencoi se “marrëveshja” e nënshkruar kinse për shqiptarët në Kosovë e serbët në Serbi është më shumë dakordim për shqiptarët në Miçigen e serbët në Ohajo, pra dakordim në shërbim të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen së shpejti në ShBA

Kontribo

22 10 2020

GP i LV-së dorëzoi kërkesën për interpelancë për Avdullah Hotin, lidhur me vendimin e qeverisë për shuarjen e Task-forcës antikorrupsion.

Sot, Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzoi kërkesën për interpelancë për Avdullah Hotin, lidhur me vendimin e qeverisë për shuarjen e Task-forcës antikorrupsion.

Në kohën kur kërkohet ndërmarrja e veprimeve konkrete në luftimin e korrupsionit, krijimin e mekanizmave efikas dhe të pandikuar për të hetuar, gjykuar e konfiskuar pasurinë e përfituar në mënyrë të kundërligjshme, Qeveria e Kosovës e bënë të kundërtën, duke shpërbërë Task-forcën antikorrupsionn në Policinë e Kosovës.

Ky vendim është i dëmshëm dhe i shërben më shumë mirëmbajtjes së korrupsionit. Kësisoj pengon edhe ato pak mekanizma kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare e pasurisë publike.

Nuk ka asnjë dyshim se kjo Qeveri e korruptuar edhe për nga mënyra e zgjedhjes, nuk ka as vullnet, as aftësi e as integritet për të luftuar korrupsionin në Kosovë. Por, shfuqizimi i Task-forcës është mesazh inkurajues për zyrtarët e korruptuar e të përfshirë në keqpërdorime të ndryshme të detyrës zyrtare dhe parasë publike. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës është vënë në anën e keqpërdoruesve, e kundër luftimit të korrupsionit.

Nga deklaratat koti për zhdukjen e fjalës “korrupsion” nga fjalori, po përfundojmë me përligjjen e korrupsionit si dukuri, normalizimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të ndërhyrjes e presionit mbi sistemin e drejtësisë.

Korrupsioni në Kosovë është endemik e i përqendruar në pozita të larta institucionale. Çfarëdo përpjekje kundër korrupsionit pashmangshëm duhet të fillojë e kalojë përmes zyrtarëve të lartë institucionalë. Luftimi i korrupsionit mund të bëhet vetëm nga një Qeveri e ligjshme, e ndershme, dhe që ka me vullnetin politik.

Kontribo

15 10 2020

Konferencë virtuale e organizuar nga grupi i Social-Demokratëve të Parlamentit Evropian.

Sot, sekretari për Marrëdhënie me Jashtë dhe anëtari i Kryesisë, z. Kreshnik Ahmeti, përfaqësoi Lëvizjen VETËVENDOSJE! në konferencën virtuale të organizuar nga grupi i Social-Demokratëve të Parlamentit Evropian.

Në këtë konferencë që për temë kishte Raportin e Vendit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Planin e Investimeve të Komisionit Evropian për Ballkanin, pjesëmarrës ishin deputetë të Parlamentit Evropian, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Ballkan dhe zyrtar të qeverive dhe subjekteve social-demokrate të rajonit.

Në fjalën e tij, z. Ahmeti shprehu pajtimin me përfundimet e Raportit të Progresit për Kosovën në lidhje me korrupsionin në institucionet e Republikës së Kosovës dhe mungesën e vullnetit dhe guximit të Qeverisë ilegjitime Hoti për ta luftuar atë. Ashtu sikurse theksohet në Raport, ai përmendi faktin që Kosova kishte Qeverinë Kurti e cila kishte program dhe vullnet për të luftuar korrupsionin dhe për të bërë reformat e nevojshme në institucionet e vendit. Në diskutim, ai gjithashtu përmendi edhe shqetësimin në lidhje me ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e brendshme të Kosovës, duke intimiduar qytetarët serb në mënyrë që ata të votojnë vetëm për Listën Serbe dhe shqetësimin në lidhje me diskursin shovinist të zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë në raport me shqiptarët.

Në lidhje me Planin e Komisionit Evropian për Investime në Ballkanin Perëndimor, z. Ahmeti theksoi se Republika e Kosovës ka nevojë për investime të mëdha në sistemin arsimor dhe që ai të lidhet me ekonominë; për investime në prodhim, si formë e uljes së papunësisë së lartë, e cila rëndon më së shumti te gratë dhe të rinjtë; dhe për investime në teknologji të re të prodhimit dhe shërbimeve, e cila është në purputhje me parimet e ruajtjes së ambientit.Pjesëmarrja në këtë konferencë vjen si rezultat i shtrirjes së bashkëpunimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! me subjektet simotra në Evropë dhe më gjerë, si rezultat i pranimit të saj në Aleancën Progresive.

Kontribo

14 10 2020

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti priti në takim ambasadorin e Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bílek

Ditën e sotme, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti së bashku me ish ministren e Drejtësisë dhe anëtaren e kryesisë, Albulena Haxhiu, priti në takim ambasadorin e Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bílek, i cili ishte i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Juraj Melioris.

Në takim u fol për situatën politike dhe ekonomike në vend, bashkëpunimin bilateral mes Çekisë dhe Kosovës, zhvillimet në rajon që kanë të bëjnë me dialogun dhe për nevojën e gjetjes së formulave më të përshtatshme për kapërcimin e vështirësive me të cilat po përballet Republika jonë.

Kryetari Kurti e njoftoi z. Bílek me Qeverisjen Alternative të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, pesë shtyllat e saj, dhe propozimet e vazhdueshme që si subjekt i parë në vend jemi duke i bërë jo vetëm për të dalë nga kriza e shumëfishtë, por edhe për të qeverisur në drejtim të zhvillimit ekonomik e luftimit të korrupsionit, përkatësisht shtimit të punësimit e sigurimit të drejtësisë në vend.

Kontribo

14 10 2020

Nga takimi me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák

Në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryetari i saj, Albin Kurti, i shoqëruar nga ish ministri i Shëndetësisë dhe anëtari i kryesisë, Arben Vitia, nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, dhe deputetja Fitore Pacolli Dalipi, mirëpriti Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák, tre këshilltarët e tij, Ana Maria Boura, Katharina Kandt dhe Umerr Al-Khatib, dhe Shefin e Zyres së BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog.

Takimi ishte në kuadër të vizitës së z. Lajčák në Kosovë dhe takimeve të tij me liderë politikë e institucionalë. Përgjatë tij, kryetari Kurti dhe Përfaqësuesi Special Lajčák ndanë qëndrimet dhe këndvështrime e tyre sa i përket procesit, qëllimeve dhe zhvillimeve në Dialog. Në fillim të fjalës, z. Kurti e falenderoi z. Lajčák për ftesën e tij për t’u takuar. Ai e njoftoi për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen VETËVENDOSJE! i cili tashmë ka përfunduar në rreth 10% të pikave tona, për Qeverisjen Alternative dhe pesë shtyllat e saj, si dhe anëtarësimin në Aleancën Progresive së fundmi. Kryetari Kurti gjithashtu foli edhe për katër rastet të cilat tashmë e sa kohë janë në trajtim të Gjykatës Kushtetuese e për të cilat ende nuk ka ndonjë verdikt nga ky institucion pavarësisht se ato do të duhej të trajtoheshin me prioritet marrë parasysh rëndësinë dhe ndjeshmërinë e tyre.

Në anën tjetër, z. Lajčák foli për rëndësinë dhe nevojën e vazhdimit të Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja paraqet nje proces serioz i cili ka dy qëllime bazë: normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe afrimin e dy vendeve pranë e në BE. Pra, dialogu mes tyre si proces dhe marrëveshja përfundimtare si produkt janë të lidhura ngusht me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë drejtim, nuk mund të ketë vakum, por ose përparim ose prapakthim, shtoi Miroslav Lajčák.

Në fund, kryetari Kurti u pajtua se dialogu është shumë i rëndësishëm. Duke qenë proces i një rëndësie të tillë ai duhet të jetë i përgatitur mirë, me parime e qëllime të qarta, me qeveri legjitime dhe kredibile, kornizë të dakorduar paraprakisht nga palët e përfshira, dhe përfshirje e aprovim të vazhdueshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të dy u pajtuan të mbesin në kontakt në funksion të mirëmbajtjes dhe avancimit të bashkëpunimit të deritanishëm.  

Kontribo

13 10 2020

Takim me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Kryeshenjtërinë e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimajn

Sot, Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Rexhep Selimi, së bashku me deputeten Fjolla Ujkani dhe këshilltarin e grupit parlamentar Salih Hoxha priti në takim Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Kryeshenjtërinë e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimajn, Kryetarin e Gjyshatës së Kosovës, Mumin Lamajn, dhe kreun e  Marrëdhënieve me Jashtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Arben Sylejmanin. 


Në këtë takim miqsorë u fol për ligjin që ka të bëjë me Liritë Fetare dhe sfidat për miratimin e tij, me ç’rast Selimi ia bëri të ditur Kryegjyshit, z. Brahimajn, qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që përkrahë njohjen e komunitetit Bektashi në Republikën tonë. Komuniteti Bektashi në Kosovë ekziston ndër shekuj, dhe ka bashkëvepruar e kontribuar në krijimin e një të ardhme më të mirë në vend. Si i tillë, ky komunitet duhet t’i gëzojë edhe të drejtat që i gëzojnë komunitetet tjera fetare të njohura sipas ligjit në Kosovë, gjithmonë në respektim të ligjit dhe Kushtetutës së vendit, tha Selimi, i cili e falënderoi Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve për vizitën.

Kontribo

12 10 2020

Rezoluta e propozuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes në interpelancën e sotme për çështjen e të pagjeturve:

REZOLUTË

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës thekson se çështja e personave të pagjetur nuk mund të ndërlidhet apo të kushtëzohet me asnjë çështje tjetër. Qeveria e Kosovës duhet të insistojë në adresimin e përgjegjësisë së Serbisë për zbardhjen e të pagjeturve në përputhje me mekanizmat ndërkombëtarë dhe si obligim ndërkombëtarë.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mos bisedojë me zyrtarë nga Serbia, pa ofrimin e menjëhershëm të informacioneve për vendndodhjen e të gjithë personave të pagjetur.

3. Kuvendi i Republikës së Kosovës ndalon çfarëdo dialogu që përfshinë çështje të cilat prekin rendin kushtetues e juridik, si dhe karakterin unitar të shtetit të Kosovës.

4. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mbështet kurrfarë bisedime që rikthen si temë çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Asnjë zyrtar publik i Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca apo autorizime dhe nuk i lejohet që të bisedojë për këtë çështje.

5. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon shkarkimin e zëvendëskryeministrit, Driton Selmanaj për sjellje të papërgjegjshme dhe për dëmin që i ka shkaktuar çështjes së të pagjeturve përmes deklarimeve të tij.

Kontribo

12 10 2020

Takim me ambasadorin e Republikës së Sllovenisë, Bojan Bertoncelj

Sot, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti së bashku me deputetin e anëtarin e kryesisë Liburn Aliu dhe asistenten ekzekutive Valë Gjonbalaj priti në takim ambasadorin e Republikës së Sllovenisë, Bojan Bertoncelj dhe zv.ambasadoren e këshilltaren, Tina Lampelj.

Në këtë takim u fol për marrëdhëniet bilaterale, për situatën politike e atë socio-ekonomike në vend. Theks i veçantë iu kushtua gjendjes së rënduar ekonomike pas pandemisë, dhe nevojës për të shtyrë përpara politika zhvillimore që ndihmojnë bizneset dhe qytetarët në nevojë. Kryetari Kurti e njoftoi z. Bertoncelj, me Qeverisjen Alternative të Lëvizjes tonë, pesë shtyllat e saj: Ekonomi dhe Financa, Drejtësi dhe Siguri, Shëndetësi, Mirëqenie Sociale dhe Sport, Arsim, Kulturë dhe Rini si dhe Politikë e Jashtme, Integrime Evropiane dhe Diasporë. Në kuadër të këtyre pesë shtyllave po japim ide dhe propozime konkrete për atë se si të dilet nga problemet e shumëfishta me të cilat po ballafaqohet vendi, tha Kurti.

Gjithashtu, Lëvizja jonë është duke u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Përveç aktiviteteve të saj brenda e jashtë institucioneve, tani jemi edhe në zgjedhjet e brendshme dhe po punojmë që Lëvizja jonë t’i krijojë edhe organizatën e Rinisë dhe atë Gruas. Gjendja e tyre në vendin tonë është e rëndë prandaj edhe fokusi ynë do të jetë më i madh.

Rreth temave politike e të situatës me pandeminë në vend e rajon u fol tërë kohën në takim. Takime të tilla janë shumë dobi prurëse dhe do të vazhdojnë.

Kontribo

12 10 2020

KQZ ua mohon qytetarëve demokracinë!

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti një konferencë për media ku përfaqësuesit e saj në KQZ, Sami Kurteshi, Alim Rama dhe Sekretari Organizativ i VETËVENDOSJE!-s në Besianë, Bahri Selimi, folën për parregullsitë në KQZ, që lidhen me shtyrjen e zgjedhjeve në Besianë, bllokimin e publikimit të raporteve financiare të partive politike dhe bllokimin e aplikacioneve për regjistrimin e mërgimtarëve për votim në Kosovë.

Sami Kurteshi tha se ajo që është duke ngjarë në KQZ është e kundërta e asaj që sipas kushtetutës dhe ligjit duhet të ngjante në Kosovë. Institucioni i vetëm kushtetues dhe ligjor që merret me përgatitjen dhe zbatimin e ligjshmërisë për mbajtjen e zgjedhjeve, po ua mohon qytetarëve në pjesën veriore të vendit dhe në Besianë ushtrimin e vullnetit politik përmes zgjedhjeve.

“5 herë e kemi ngritur çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve në këto komuna dhe të pesë herët është votuar kundër nga përfaqësuesit e partive tjera, jo vetëm që është votuar kundër, por madje është votuar kundër edhe për ta futur në rend të ditës këtë çështje”, tha Kurteshi.

Ai kujtoi që javën e kaluar i është dërguar një letër z. Naser Ramadani të IKSHKP-së, për rivlerësimin e situatës epidemiologjike se a mund të mbahen zgjedhjet në Podujevë. Kurteshi po ashtu kujtoi që vendet e rajonit Maqedonia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, kanë mbajtur zgjedhje madje edhe në petkun e pandemisë dhe asnjë e dhënë shkencore nuk thotë që mbajtja e zgjedhjeve mund të ndikojë në rritjen e rasteve me COVID-19.  

Kurteshi tha se duke ua mohuar qytetarëve të drejtën qytetarëve për ta shprehur vullnetin demokratik përmes zgjedhjeve të lira, KQZ-ja e ka humbur kuptimin e vet si institucion.

Në lidhje me publikimin e raporteve financiare të partive politike dhe aplikacionin për regjistrim të mërgimtarëve për votim, Kurteshi theksoi se të dyja këto edhe pse ishin pjesë e planit vjetor të punës së KQZ-së, partitë e koalicionit po i mbajnë të bllokuara ato.

“Votuan kundër publikimit të raporteve financiare të partive politike nën arsyetimin banal që ato raporte nuk janë audituar nga Kuvendi e rrjedhimisht mund edhe përbëjnë shkelje ligjore. Më herët janë publikuar raportet financiare, kurse tani kjo çështje mund të zvarritet e të zgjas me vite të tëra”, potencoi Kurteshi.

“Ngjashëm absurd është edhe bllokimi i aplikacioneve të mërgimtarëve për votim. Edhe kjo ka qenë pjesë e planit vjetor, pra, krijimi i një aplikacioni që lehtëson procesin e regjistrimi të mërgimtarëve, kur vjen çështja te zhvillimi i këtij aplikacioni, votohet kundër nën arsyetimin se duhet ruajtur integriteti i votës. Kjo është absurde ngase ky aplikacion nuk ka të bëjë me votën por me regjistrimin”, tha Kurteshi.

Sekretari Organizativ i VETËVENDOSJE!-s, në Besianë, Bahri Selimi tha se të gjitha justifikimet për mosmbjajten e zgjedhjeve në Besianë kanë rënë poshtë. Kufizimet janë hequr, institucionet dhe bizneset kanë filluar punën dhe rastet kanë pësuar rënie. E vetmja gjë që ka mbetur është frika e pushtetit të LDK-së në këtë qytet, që kundërligjshëm përmes afërsisë me presidentin po mundohet ta mbajë pushtetin.

Sipas Selimit, kjo gjendje pa kryetar komune, ka krijuar mundësi që njerëz që asnjëherë nuk kanë marrë as edhe një votë, të jenë në krye të detyrës  për ta keqpërdorur pushtetin e vjedhur buxhetin. Ai përmendi tenderë që shpërndahen për familje të caktuara dhe punësimet të paligjshme të familjarëve dhe militantëve partiakë.

“Prej nënkryetarit Rudari që ka punësuar mbesën si mësimdhënëse e vëllain drejtor shkolle, deri te ish kryetari Veliu duke punësuar renë e vëllait si infermiere, kështu që me nguti dhe fare pa konkurse po punësojnë të afërm të tyre në administratën komunale.”

“Komuna e Podujevës po udhëhiqet nga një njeri që në zgjedhjet lokale nuk e ka asnjë votë, madje asnjë të vetme dhe nuk përfaqëson asgjë. Nënkryetari i komunës Ruadri është një marionetë që punon dhe përfaqëson vetëm interesat e ngushta të një grupi që ka uzurpuar dhe ngulfatur komunën tonë,” tha Selimi.

Për fund, Selimi theksoi se shtyrja e zgjedhjeve nuk ka më asnjë arsye valide, dhe se kjo gjendje e keqpërdorimit të pushtetit vetëm për disa familjarë, shto këtu mohimin e shprehjes së vullnetit demokratik, një lirie kaq bazike, e ka bërë Besianën vend të pajetueshëm.

Kërkojmë që zgjedhjet të mbahen sa më parë, për shkak se kërkojmë jetesë dhe qeverisje komunale më të mirë, tha Selimi.

Kontribo