23 07 2020

Deputetja Arbërie Nagavci propozon rezolutën për Telekomin në emër të grupit parlamentar të LV-së.

REZOLUTË

1. Qeveria të zbatojë në përpikmëri Vendimin Nr. 02/39 të 3 qershorit 2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbi masat për parandalimin e keqpërdorimeve në ndërmarrjet publike. Qeveria të mbikëqyrë vazhdimin, zbatimin dhe përshtatshmërinë e masave, si dhe të shqyrtojë mundësinë e plotësimit të tyre.

2. Aksionari, ndërmarrjet dhe organet kompetente shtetërore të kërkojnë vërtetimin e nulitetit të marrëveshjeve, që cenojnë rendin publik, dispozitat urdhëruese dhe moralin e shoqërisë. Nuliteti të kërkohet edhe në procedura civile, pa marrë parasysh epilogun e rasteve penale.

3. Të nisen procedurat për ndryshimin e Ligjit 04/L-220 për Investime të Huaja për të tërhequr pajtimin e pakufizuar të Republikës së Kosovës për arbitrazh ndërkombëtar me cilëndo palë që pretendon se është investitor i huaj dhe që nuk i ka të deklaruar aksionarët e vërtetë.

4. Qeveria të ndërmarrë masa konkrete për të mbrojtur Telekomin nga kreditorët e pandërgjegjshëm, me qëllim të stabilitetit financiar të Telekomit dhe të punëtorëve të kësaj ndërmarrje.

5. Qeveria brenda 60 ditëve të hartojë një plan strategjik për rimëkëmbjen financiare të Telekomit, gjithashtu Qeveria brenda këtij plani të ketë prioritet rritjen e kapitalit me qëllim të rritjes së vlerës së ndërmarrjes.

6. Aksionari nëpërmjet të zgjedhurve në Bordin e Drejtoreve të shqyrtojë të gjitha kontratat komerciale që janë lidhur paraprakisht, në kundërshtim me masat e përcaktuara në Vendimin Nr. 02/3

Kontribo

23 07 2020

Rezoluta për menaxhimin e Covid-19 nuk mbështetet nga ata që e rrëzuan qeverinë në kohë pandemie

Situata me COVID-19 ka shkuar duke u keqësuar në Kosovë. Kjo gjendje është shqetësuese për shëndetin publik. Si pasojë e menaxhimit katastrofal nga kjo qeveri numri i infektuarve vazhdon të rritet, kurse i atyre që nuk arrijnë ta përballojnë infeksionin mbetet i lartë. Me kapacitete të kufizuara në sistemin e shëndetësisë, e punonjës shëndetësor të dërmuar nga fluksi i të prekurve, është e domosdoshme që institucionet të veprojnë në mbrojtje të shëndetit e të jetës së qytetarëve.

Nisur nga kjo, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, pas diskutimit në Kuvend ka propozuar miratimin e Rezolutës që parasheh procedimin e përshpejtuar të Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, që institucionet shtetërore të marrin përsipër mbrojtjen dhe kompensimin e nevojave elementare shëndetësore e sociale për të infektuarit, të dyshuarit për infeksion dhe familjarët e tyre për periudhën e vetizolimit. Po ashtu, që të merren masat urgjente për trajnimin, edukimin, mbrojtjen dhe mbështetjen e personelit shëndetësor, përfshirë rekrutimin e stafit shtesë në të gjitha nivelet në raport me rekomandimet nga IKShP, OBSh dhe ECDC.

Megjithatë, kjo Qeveri ilegale dhe jolegjitime ngelet e shurdhët dhe e verbër përballë rrezikut me të cilin po përballen qytetarët. Këta kanë humbur sensin e veprimit dhe të përgjegjësisë që kanë për jetën e qytetarëve. Në vazhdën e kësaj shpërfillja, deputetët e partive në pushtet dhe të PDK-së nuk mbështetën as sot këtë projektrezolutë që do të ndihmonte qytetarët në përballje me COVID-19.

Kontribo

20 07 2020

Kryetari Kurti takon kryetarin e Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha

Sot, kryetari i Lëvizjes VETËVENDSOJE!, z. Albini Kurti, bashkë me anëtaren e kryesisë dhe ish ministren e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, kryetarin e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Rexhep Selimi, dhe deputetin z. Liburn Aliu priti në vizitë, për drekë pune, kryetarin e Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, të shoqëruar nga nënkryetari, z. Edi Paloka, ish-ministri i Jashtëm dhe kryetari i Këshillit të ambasadorëve shqiptarë, z. Besnik Mustafaj dhe anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, z.Kreshnik Çollaku.

Gjatë takimit, delegacionet diskutuan për situatën politike dhe socio-ekonomike në të dy vendet, integrimin evropian, gjeopolitikën ndërkombëtare, e për situatën shëndetësore dhe menaxhimin e pandemisë COVID-19. Pos tjerash, u fol edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Në këtë drejtim, kryetari Kurti tha se nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë pa legjitimet të ri përmes zgjedhjeve të reja, dhe se dialogu duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me parime për dallim nga ky i sotmi.

Kryetari Kurti e falenderoi z. Basha për vizitën dhe për mbështetjen e tij, derisa të dy u zotuan të mirëmbajnë komunikimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm me qëllim që kjo të përkthehet në intensifikim dhe konkretizim të bashkëpunimit në mes dy vendeve tona, për më shumë demokraci, zhvillim e bashkim.

Kontribo

19 07 2020

Lëvizjes VETËVENDOSJE! vazhdojnë t’i bashkangjiten qytetarët anembanë komunave të Republikës.

Një qeverisje që dëshmoi drejtim ndryshe dhe që në fokus kishte interesin publik solli shpresën se vendi mund të udhëhiqet me duar të pastra, me transparencë e pa luks qeveritar. Vetëm në muajin qershor në qendrat tona nëpër Kosovë na janë bashkuar 1375 anëtarë të rinj në mesin e tyre gra e burra, të rinj e studentë, punëtorë e profesionistë të lëmive të ndryshme.

Lëvizja i falenderon të gjithë qytetarët që jo vetëm mbështesin VETËVENDOSJE!-n, por duan edhe të përfshihen aktivisht në ndryshimet e nevojshme për vendin. Lëvizja është e të gjithëve.

Kontribo

17 07 2020

Në normalitetin e ri nuk mund të hyjmë me ad-hoc qeverisje

Në këto rrethana pandemie e gjithë bota i është nënshtruar një stili tjetër të jetës. COVID-19 ka ndryshuar mënyrën e funksionimit të secilës fushë të shoqërisë. Teksa e të gjithë vendet normale po i përshaten një realitetit të ri qeverisja e vendit përveçse ka kolapsuar në menaxhimin ndaj pandemisë nuk ka as planin më të vogël për këtë normalitet të ri të jetës në rrethana të reja.

Vendimet e marrura dhe konsekuencat që kanë prodhuar përmes atyre vendimeve ka bërë që për të infektuarit me virus, të dyshuarit apo edhe familjarët e tyre të mos ketë farë përkujdesje shtetërore. Gjithçka është lënë në mëshirën e askujt. Në lidhje me këtë problematikë, Lëvizja VETËVENDOSJE!, deputetët e saj, Fitore Pacolli e Artan Abrashi, ngriti shqetësimet që në fakt janë hallet e secilës familje në Kosovë.

Deputetja Fitore Pacolli foli për politikat e reja e kreativite që janë të domosdoshme për t’u përshtatur në normalitetin e ri i cili po transformon mënyrën se si punojmë, udhëtojnë, socializohemi, kujdesemi për veten dhe të. Për këtë gjë duhet përgatitje, koordinim, planifikim e mbi të gjitha bashkëpunim dhe mirëbesim ndërmjet shtetit dhe qytetarëve. Kërkon qeveri të përgjegjshme që aplikon politikat sociale të cilat ofrojnë siguri dhe mbështetje tek qytetarët e politika të mira që nxisin ndjenjën e përgjegjësinë shoqërore e individuale ndaj kujdesit për veten dhe të tjerët.

“Pandemia ka vënë në pah rëndësinë e sistemit social të mbrojtjes për të plotësuar nevojat esenciale të njerzëve. Sot, një pjesë e madhe e qytetarëve, të zhytur në kredi e pa kursime, ndjehen të pasigurt dhe pa mbështetje. Në anën tjetër,gratë dhe familjet pa të ardhura apo me të ardhura të ulëta janë ndikuar më së shumti. Mungesa e sigurimit të të ardhurave e mosofrimi i ushqimit për familjet gjatë periudhës së izolimit apo pushimit mjekësor ka përkeqësuar mirëqenien emocionale e shëndetësore të shumë famijleve”, tha Fitore Pacolli.

Mungesa e mbrojtjes së familjeve me gjendje të rëndë sociale, të papunësuarve dhe mungesa e përkrahjes së e atyre që humbin punën gjatë pandemisë ka për thelluar varfërinë dhe pabarazinë sociale. Po ashtu edhe mungesa e përkrahjes së bizneseve të vogla e të mesme që të mbahen në këmbë dhe të zhvillohen tutje e të mbajnë në punë punëtorët e angzhuar ka rrezikuar mirëqenien e tyre.

Deputetja Pacolli foli edhe mbrojtjen e të moshuarve dhe atyre me sëmundje përcjellëse që është e domosdoshme dhe urgjente, të cilët kanë nevojë qasje të sigurt në shërbimet eseciale shëndetësore e sociale pa rrezikuar shëndetin e tyre.

Një qeverisje e duhur në fazën që jemi do të duhej të mendonte në detaje jo se si do të mbyllen institucionet pasi ka shpërthyer virusi por se si shteti, institucionet e tij do të mësohen të jetojnë e të zhvillojnë jetën në realitetin e ri pranë rrezikut të pandemisë.

Në fjalën e tij Artan Abrashi  foli për numrin alarmant të të infektuarve, numrin çdo ditë e në rritje të personave që vdesin që po vjen si rezultat direk i masave aktuale të paplanifikuara, pa studiuara dhe të ndërmarruara në mënyrë ad-hoc.

Vendimet e marra nga qeveria në shumë raste kanë ndikuar jo në zvogëlimin e rasteve, përkundrazi. Vetëm vendimi për mbylljen e çerdheve pa masat përcjellëse për pasojat që prodhon, si përkujdesja nga njëri prind, pamundësia që vet ata të mos mund të lirohen nga puna e të kenë punësim të garantuar, pastaj ekspozimi i familjarve të tjerë në rrezik të shpërndarjes së virusit në mënyrë që të përkujdesën për fëmijën, janë vetëm disa nga çështjet që qeveria aktuale nuk i ka menduar fare, tha ndër të tjera deputeti Abrashi.

Logjika e të menduarit se kjo pandemi do të zhduket brenda pak muajsh ka bërë që kjo qeverisje të mos jetë fare e përgatitur të mundësojë funksionimin e vet shtetit me institucionet përkatëse. Si do të funksionojnë shërbyesit civil, si do të jepen shërbimet për qytetarët, si do të nis në shtator mësimi fillor, i mesëm dhe ai i lartë? Kur dhe si do të rikthehen shërbimet normale shëndetësore që janë pezulluar në këto kohë? Për të gjitha këto pyetje duhet një qeverisje adekuate e me planifikim afatgjatë, që ka nivel të lartë të legjitimitetit e që për bazë ka të mirën e përgjithshme. Këta që e kanë sjellur këtë kaos nuk do të mund të sjellin plan e zbatim për një normalitet të ri për të funksionuar ashtu siç duhet.

Kontribo

16 07 2020

Shqiptarët e RMV fitojnë rekord mandatesh parlamentare

Të mërkurën, më 15 korrik u mbajtën zgjedhjet në Republikën e Maqedonisë të Veriut. Lëvizja VETËVENDOSJE! i përcolli me interes të madh këto zgjedhje, për shkak se zhvillohen në një vend fqinj e partner të mirë të Kosovës, por sidomos për shkak se në atë vend jeton si autokton një komunitet shqiptar i madh në numër e në shtrirje gjeografike.

Angazhimi dhe konkurrenca mes subjekteve shqiptare ka qenë e fortë, dhe kjo ka angazhuar votuesit për të marrë pjesë në zgjedhje. Ndërkohë që ende po presim rezultatet përfundimtare, lajmi i mirë është se sipas rezultateve paraprake që transmetohen prej KQZ-sw, në Parlamentin e Maqedonisë do të ulen 32-34 deputetë shqiptarë. Ky është një rikuperim i madh prej zgjedhjeve te kaluara, ku morën mandat vetëm 23 shqiptarë. Por është edhe një rekord më vete, duke qenë se numri i mëparshëm më i madh i deputetëve shqiptarë ka qenë 29. Ka qenë ndër të tjera edhe angazhimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! që ka nxitur pjesëmarrjen e madhe të shqiptarëve në këto zgjedhje.

Një lajm tjetër i mirë është se në nivel vendi deri më tash është përpara subjekti socialdemokrat LSDM. Kohët e fundit ky subjekt me veprimet e tij ka treguar se është bërë një faktor i paqes dhe i marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajonin tonë, e njëkohësisht është më i hapur për shqiptarët, të cilëve ende nuk u janë plotësuar kërkesat e drejta politike për trajtim të barabartë prej shtetit e prej ligjit, në të gjitha sferat e sidomos në ato ekonomike, kulturore e politike.

Shqiptarët do të jenë element përcaktues i fituesit të zgjedhjeve, por edhe i krijimit të qeverisë. Kjo krijon kushtet që, me ndershmëri e mençuri, të çohet përpara një agjendë e zhvillimit shoqëror, ekonomik e institucional për ta. Tema kryesore programore gjatë fushatës ka qenë kërkesa që shteti i Maqedonisë Veriore të jetë shtet për të gjithë, që punësimet, investimet infrastrukturore e ato ekonomike, shkollat e spitalet, të jenë të shtrira kudo, e jo duke favorizuar njërën etni. Ky është momenti që kjo kërkesë për barazi të shndërrohet në plan-program qeverisës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! dëshiron më të mirën për institucionet e reja që do të krijohen pas certifikimit të zgjedhjeve, për një fqinjësi sa më bashkëpunuese drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimeve në Bashkimin Evropian e NATO. E popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut i premtojmë se do të ketë vëmendje më të madhe dhe impenjim konkret prej Lëvizjes, e cila së shpejti do të hapë Qendrën e saj në Maqedoni. Së bashku do të angazhohemi e do të organizohemi, të hapur për miqësi me secilin mik të sinqertë, që proceset pozitive e progresive të përshpejtohen, e ato negative, diskriminuese e prapambetëse të kundërshtohen. 

Kontribo

15 07 2020

Bllokohen llogaritë e Telekomit

Sot morëm njoftimin se llogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar ashtu që Dardafone net/Devolli të zhvasë një borxh fiktiv të sajuar nëpër procese të orkestruara. Pra 24. 6 milionë euro i pretendon pala që sot duhet të ishte e paditur dhe e gjykuar bashkë me nënshkruesit menaxherial e politikë për kontratë me elementë të krimit të organizuar.

Telekomi i Kosovës ato pak të ardhura që i ka në këto momente i ka për pagat e punëtorëve dhe operimin shërbimeve bazike, që me shumë kujdes e kursim po i përdorë menaxhmenti i ri.

Çdo veprim që po bëhet mbi Telekomin është i orkestruar dhe i toleruar në bashkëpunim me drejtuesit politikë që gjenden në Qeverinë e Kosovës dhe partnerët e tyre politikë të klubit PLAN me të cilët po i kryejnë pazaret e të gjitha niveleve.

Për t’u theksuar është zelli i gjyqtares në Gjykatën Themelore, që mes mijëra lëndëve që presin me vite, në kohë rekorde, në më pak se 2 javë ka nxjerrë një vendim me peshën e rrënimit të Telekomit e në favor të Dardafone.net e Devollëve. Padrejtësinë dhe turpin e Gjykatës Themelore nuk duhet ta tolerojë Gjykata e Apelit në të cilën tashmë është kontestuar ai vendim i padrejtë dhe që i shkakton dëme të mëdha Telekomit. Ky rast e dëshmon nevojën edhe më të madhe të procesit të vettingut në mënyrë që vendi ynë përfundimisht të ketë gjyqtarë të pavarur dhe të pakorruptuar që nuk i nënshtrohen politikës dhe nuk shkatërrojnë ekonominë.

Edhe njëherë theksojmë se Telekomi i Kosovës është çështje e sigurisë shtetërore, e sigurisë së 2350 punëtorëve të Republikës së Kosovës dhe e gjithë sektorit të komunikimeve elektronike e shumë ndërmarrjeve tjera publike e private të lidhura me Telekomin.

Kjo duhet të ndalet sa më parë dhe heshtja e Prokurorisë e Qeverisë është e patolerueshme.

Grupi ynë parlamentar e shtroi këtë çështje ditën e hënën 13 korrik, para Kuvendit, si çështje urgjente, por deputetët e kapur pas pushtetit korruptiv nuk pranuan ta fusnin në rend të ditës.

Edhe Kuvendi duhet sa më parë ta trajtojë këtë çështje dhe të marrë qendrim për ta ndalur këtë kanosje të rendit e sigurisë në vend.

Kontribo

12 07 2020

Fjalimi i kryetarit Kurti për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.

Të dashur miq,
Zonja e zotërinj, bashkëkombasit e mi shqiptarë, që jetoni si autoktonë në tokën tuaj, në Republikën e Maqedonisë së Veriut,

Po ju drejtohem me këtë video, sepse nuk munda t´ju vizitoj në Shkup, siç e pata në plan, për shkak të masave kufizuese që e vështirësojnë kalimin e kufirit gjatë pandemisë.

Nuk mund të takohemi fizikisht, por megjithatë mund të komunikojmë, e të vazhdojmë të jemi pranë njëri-tjetrit, ashtu siç duam, ashtu siç duhet.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ndonjëri që nuk e di mirë historinë e shqiptarëve, mund edhe të mendojë se janë periferi, provincë e shqiptarisë.

Por, ata kanë qenë në ballë të të gjitha proceseve tona kombëtare. Për lirinë e Kosovës kanë dhënë jetën shumë të rinj nga Maqedonia e Veriut, e pastaj shumë të tjerë luftuan edhe në Maqedoni, bashkë me të rinj nga Kosova e nga vise të tjera shqiptare, për një ëndërr e cila sot duket sikur është harruar. Mirëpo, ne nuk i harrojmë dëshmorët tanë. As idealet e tyre. Idealet nuk plaken kurrë, idealeve nuk u ikën koha.

Ne që këndojmë këngën e Hajredin Pashës, e dimë historinë e Dervish Carës e të kryengritjes së tij të 1844, e cila i priu me më shumë se tre dekada Lidhjes së Prizrenit. Ata kërkonin autonominë e shqiptarëve në perandori, njësoj siç u ishte dhënë autonomia serbëve dikur. E pra, ky pararendës i pavarësisë, dhe lëvizja e tij, nisi nga rrethinat e Tetovës dhe Dibrës, dhe organizoi anembanë shqiptarët, nga Shkupi e deri në Shkodër.

Mandej erdh Lidhja e Prizrenit. E drejtues i mbledhjes në 18 qershor 1878, ishte Iljaz pashë Çoku, apo Iljaz pashë Dibra. Pastaj, mes shumë pjesëmarrësve në Lidhjen e Prizrenit që ishin nga Maqedonia e sotme veriore, ishin aty edhe sheh Mustafë Tetova e Jashar bej Shkupi e Hasan pashë Tetova. Pikërisht djali i këtij të fundit, Mehmet pashë Deralla, u angazhua si ndihmës dhe këshilltar i Sylejman Vokshit, dhe luftoi në të gjitha betejat e Lidhjes së Prizrenit e të Besëlidhjes së Pejës. Mehmet Deralla më pas u bë edhe ministri i parë i mbrojtjes, në qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë.

Mandej kemi rilindasit e arsimtarët e parë të shqipes, Said Najdeni, apo hoxhë Voka, siç e njohin, që punoi me rilindasit e mërgatës dhe përhapi me shkolla e me shkrime mësimin e shqipes. Po ashtu Jashar Erebara, nga Shkupi, Ibrahim Temo nga Struga, që ndihmoi botimet shqip në Stamboll, Dervish Hima nga Struga, dhe poeti shqiptar ortodoks i Rilindjes Kombëtare nga Reka e Epërme, Josif Bagëri. Të mos harrojmë edhe kontributin e shquar të familjes Qiriazi nga Manastiri, Gjerasimi e Gjergji, mësues pionierë të shqipes, por sidomos motrat e tyre, ndoshta gratë më të shquara të Rilindjes sonë: Parashqevi Qiriazi, veprimtare, mësuese e popullit, pjesëmarrëse në Kongresin e Alfabetit në Manastir, themeluese e shoqatës së parë të grave shqiptare, autore e programit arsimor të qeverisë së Ismail Qemalit, dhe diçka e rrallë, e vetmja delegate grua, nga të gjitha vendet pjesëmarrëse, që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Njashtu edhe motra e saj, Sevasti Qiriazi, ndër nismëtaret e para të arsimit të grave, pjesëmarrëse në kongreset e Manastirit e të Elbasanit, bashkëpunëtore e Ismail Qemalit, e patriote deri në fund.

Shumë prej nënshkruesve të pavarësisë së Shqipërisë, që në fakt ishte projekti për pavarësinë e të gjithë shqiptarëve kudo, vinin nga Maqedonia e Veriut. Mustafa Baruti, Nuri Sojliu, Myrteza Ali Struga, Dervish Hima, që e përmendëm, Zyhdi Ohri, e shumë të tjerë iu bashkangjitën më vonë, për shkak se nuk arritën dot në kohë në 28 nëntor.

Ja edhe një kuriozitet tjetër, kryetari i parë i bashkësisë islame të Shqipërisë, menjëherë pas Pavarësisë, ishte Haxhi Vehbi Dibra. Në Vlorë ai ka thënë se «kristianët dhe myslimanët janë vëllezër shqiptarë të pandarë», duke i vënë vulën realitetit tonë kombëtar, të bashkëpunimit mes besimtarëve të feve të ndryshme, vlerë që e duam aq shumë e që mburremi me të.

Alfabetin me të cilin shkruajmë sot shqipen, e kemi nxënë në Manastirin tuaj, në Manastirin tonë.

Prej shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut vijnë shumë shkrimtarë me vlerë për letërsinë shqipe, historikë e bashkëkohorë. Po e përmend për shembull Haki Stërmillin, që me librin «Sikur të isha djalë» çel temën e rëndësishme të vuajtjes e të diskriminimit të gruas, temë për të cilën politika edhe sot ka për detyrë të bëjë shumë.

Mandej edhe piktorë, i madhi Abdurrahim Buza, apo Sabri Fetahu e Omer Kaleshi. E shumë këngëtarë e poetë, profesorë e kritikë, shkencëtarë.

Po edhe sportistë. Gjithë bota e di se shqiptari i parë që ka marrë medalje ari në lojëra olimpike, ka qenë Shaban Tërstena, mundësi nga Shkupi. E dyta, Majlinda jonë e artë nga Peja.

E dy nobelistët me të cilët mburret krejt shqiptaria, humanistja, Nënë Tereza, dhe mjeku, Ferid Murati, vijnë prej anëve tuaja.

Pra ka shumë potencial te ju. Ju nuk jeni provincë e shqipes, ju, njësoj si shqiptarët e Malit të Zi, Luginës së Preshevës, Çamërisë, Kosovës, diasporës, e padyshim edhe Shqipërisë, pa harruar arbëreshët, jeni zemra e kulturës dhe e kombit tonë.

Por, që potenciali i vajzës e i djalit shqiptar të mund të shprehet, ai ka nevojë për disa kushte themelore. Këto kushte nuk realizohen dot aty ku ka diskriminim e pabarazi. Pikërisht duke parë programin e përbashkët të Aleancës për Shqiptarët dhe të Alternativës, si pikë të parë të programit dhe si temë tejet të rëndësishme e kanë shtetin për të gjithë dhe barazinë e plotë. Shqiptarët duhet të jenë prezentë kudo, aq sa u takon. Këtë të drejtë ua japin ligjet, nuk duhet lejuar që t´ua mohojë politika e vjetër, apo ajo e korruptuar.

Ne jemi popull paqësor. Por kjo nuk do të thotë se duhet të durojmë, pa drejtësi e nën korrupsion, pa arsim e në injorancë, pa shëndetësi e në ligështi, pa punë e në skamje. Pabarazia duhet luftuar në të gjitha format e saj, tërë kohën, nga të gjithë ne, kudo që jemi e që bëhemi.

Prandaj, po më pëlqen që të gjithë po përshëndesni, bashkë me miqtë e mi, Zijadin Selën e Afrim Gashin, duke zgjatur pesë gishtat e dorës. E di se e bëni këtë që t´ua kujtoni votuesve numrin pesë, që është numri juaj për zgjedhjet. Le të shpresojmë që kjo dora juaj përshëndetëse të jetë dora e mbarë, të jetë koha për një dorë shqiptare, që punon, që i zgjatet miqësisht kujtdo që dëshiron bashkëpunim me drejtësi, e që i ndal padrejtësitë.

Ju uroj suksese në zgjedhjet e 15 korrikut. Le t´i lëmë pas të vjetrat, le të kthehemi kah e reja, se na duhen ndryshime, zhvillim e demokraci. Mbështeteni ndryshimin, dhe më lini t´ua kujtoj edhe një herë, si Albin e si Vetëvendosje: nuk jeni vetëm; jemi bashkë; kurrë nuk do të jeni vetëm.

Kontribo

09 07 2020

10 Pyetjet e Shefit të GP, të Lëvizjes, Rexhep Selimi, për secilën pikë brenda rezolutës së propozuar “Për unitetin politik e qytetar në mbrojtje të vlerave të popullit të Kosovës”.

Për pikën e parë, a nuk e keni ditur edhe atëherë, pra në 2015 që shteti serb ka kryer spastrim etnik?

Për pikën dy, a nuk e keni ditur edhe atëherë që ka ende të pagjetur siç ka edhe sot?

Për pikën tre, a vetëm tani ju ra ndër mend që t’ia rikujtoni bashkësisë ndërkombëtare mungesën e drejtësisë ndaj veprimeve të shtetit serb në Kosovë? E në ndërkohë, çfarë përpjekjesh ka bërë Kosova kundër krimeve serbe deri këtu? Madje as premtimet publike nuk u mbajtën – sepse ka pasur premtime publike që do ta padisim Serbinë për gjenocid.

Për pikën katër, a vetëm tash po ju bie ndër mend rasti “Panda”? Pse nuk ju kujtua ky rast edhe në vitin 2015 kur ne e kundërshtonim themelimin e kësaj gjykate?

Për pikën pesë, pse nuk ishit kaq të gatshëm ta mbroni pastërtinë e luftës së UÇK-së edhe atëherë kur ne kërkonim ta bëni një gjë të tillë?

Për pikën gjashtë, përse nuk po ju bie ndërmend vendimi i GjND-së, që këtu ju paska ra ndërmend, edhe kur po bisedoni me Serbinë sepse vendimi i GjND-së kishte të bënte më shumë për statusin e Kosovës – e këtë status të Kosovës ju po e kontestoni në bisedimet me Serbinë.

Për pikën shtatë, a nuk e keni kuptuar edhe më herët që Serbia nuk është bashkëpunuese kur bëhet fjalë për t’i dënuar krimet që i ka bërë në Kosovë, dhe ishte shumë bashkëpunuese me sponsorisuesit e Gjykatës Speciale në vitin 2015.

Për pikën tetë, pse tash e jo më herët po kërkoni që dhomat e specializuara të jenë ‘fer’ dhe të paanshme?

Për pikën nëntë, a vërtetë nuk po e dini se përse është bërë publikimi i aktakuzës vërtetë? Ata madje na treguan me paragrafët e fundit të komunikatës së tyre në momentin kur e publikuan këtë aktakuzë.

Dhe për pikën dhjetë, pse nuk kërkuat unitet në vitin 2015 për ta mbrojtur pastërtinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por kërkonit unitet pikërisht për ta bërë të kundërtën për ta votuar Gjykatën Speciale? A nuk ishte UÇK-ja e pastër edhe atëherë kur ju kërkonit që kjo gjykatë do ta pastroj luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nuk do të duhej të kishte standarde të dyfishta askush kur bëhet fjalë për diçka kaq të rëndësishme e sidomos për luftën e drejtë të popullit shqiptar në Kosovë.

Kontribo

09 07 2020

Shefi i GP, Rexhep Selimi shpalosi në Kuvendin e Kosovës projekt rezolutën e propozuar nga LV për dialogun me Serbinë.

Shefi i GP, Rexhep Selimi shpalosi sot në Kuvendin e Kosovës projekt rezolutën e propozuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! për dialogun me Serbinë. Ajo ka katër pika, të cilat mund t’i lexoni më poshtë. Në replikën e tij me deputetët e pozitës, ai tha se Kuvendi nuk duhet të zëvendësohet me ide të tilla si ajo e ‘forumit të liderëve’ dhe se nëse nuk pajtohen këta deputet për tri pikat e para, atëherë le të shkojmë drejt te pika 4 që hapë rrugë për procesin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Pika 1: Kuvendi i Kosovës rithekson se karakteri unitar i Republikës së Kosovës është i paprekshëm dhe i pacenueshëm;

Pika 2: Duke marrë parasysh faktet e konfirmuara lidhur me temën e trajtuar gjatë dialogimit të deritanishëm, atë të shkëmbimit të territoreve që janë në kundërshtim me obligimin Kushtetues për ruajtjen e Integritetit dhe Sovranitetit të Kosovës, Kuvendi i Kosovës kërkon nga institucionet përgjegjëse që në temën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në asnjë rrethanë e as nivel e format nuk mund të jenë çështje që lidhen me sovranitetin e vendit apo integritetin territorial, apo që synojnë krijimin e ndonjë pushtetit të tretë administrative;

Pika 3: Kuvendi i Kosovës para çdo takimi në kuadër të dialogut me Serbinë duhet të miratojë platformën për dialog, që do të përfshijë parimet bazë në bazë të të cilave e do të zhvillohet dialogu dhe do të votohet me 2/3 e votave të deputetëve;

Pika 4: Kuvendi i Kosovës kërkon hapjen e rrugës për një proces zgjedhor të lirë e demokratik nga i cili do të dilte qeveri legjitime e do të kishte legjitimitetin e përfaqësimit të vendit në dialog me Serbinë”.

Kontribo

09 07 2020

Qeveria zhbën vetingun në sistemin e drejtësisë; shpik ‘reformën pa veting’

Qeveria e paligjshme po vazhdon me planin për ruajtjen e status quo-së në sistemin e drejtësisë. Ajo po provon ta ruaj klientelën brenda këtij sistemi sa për t’i mbrojtur politikanët e korruptuar dhe ata që kanë kapur shtetin.

Kjo u pa edhe me dorëheqjen e djeshme të grupit të ekspertëve që përgjatë qeverisjes Kurti vullnetarisht, pa kompensim, pa librezë partiake dhe me një profesionalizëm e përvojë të lartë e të provuar, grupi i ekspertëve, kishte marrë përsipër t’i dizajnonte parimet udhëheqëse për reformën e vetingut në sistemin e drejtësisë.

Në lidhje me tendecën e hapur të kësaj qeverie Hoti për ta mbrojtur veten dhe shtetin e kapur, foli sot në një konferencë për media, ish-Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Albulena Haxhiu përgëzoi punën e grupit të ekspertëve të pavarur në lidhje me procesin e vetingut dhe iu kundërpërgjigj ministrit të tanishëm të drejtësisë i cili e kishte parë me dyshime pavarësinë e grupit të ekspertëve.

“Si Ministre e Drejtësisë, asnjëherë nuk kam tentuar në asnjë formë të ndikoj në punën e tyre madje në këtë grup qëllimisht nuk ka pasur përfaqësim të kabinetit tim dhe as të Ministrisë apo qeverisë sepse ne kishim nisur një proces shumë me rëndësi për vendin dhe qytetarët dhe gjithçka që mund të dukej ndërhyrje në pavarësinë e tyre do të përcjellë me mungesë mosbesimi ndaj të njëjtit dhe do të dëmtonte këtë proces,” tha Haxhiu.

Ajo shprehu keqardhjen për dorëheqjen e anëtarëve të pavarur por tha se e ka parë si të detyrueshme ngase në vend të përkushtimit të ministrit të tanishëm për t’i takuar, ai vendosi t’ua shtoj edhe rreth 20 anëtarë të tjerë në grup, ku shumica prej tyre janë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.

Haxhiu theksoi se kësaj qeverie i përshtatet një sistem i drejtësisë i cili është i pafuqishëm përballë veprimeve kriminale.

Ajo, po ashtu vëri në dukje ndryshimin e mandatit të grupit të ri të ekspertëve, që sipas saj nga një mandat për vetingun po kalon në një ‘reformë’ pa përmbajtje në sistemin e drejtësisë.

“Është e qartë që ministria dhe qeveria aktuale e shohin sanimin e gjendjes në sistemin e drejtësisë përmes kinse mbrojtës së pavarësisë së saj, dhe besimit në mekanizmat disiplinor që veçse ekzistojnë.”

Një fakt i tillë është plotësisht i paqëndrueshëm dhe banal në pretendimin që ka, tha ajo duke shtruar disa pyetje:

“Si mund t’i besosh verbërisht pavarësisë gjyqësore e prokuroriale kur ajo po dështon seriozisht, sistematikisht e shpesh herë qëllimisht në gjykimin dhe dënimin e figurave qendrore të klaneve kriminale. Si mund të besosh që mekanizmat aktual të disiplinimit do të funksionojnë në sanimin e kësaj gjendje, kur kemi dhjetëra lëndë disiplinore me pretendime serioze që përfundojnë me vendime qesharake; Si mund t’i besosh reformën dikujt që duhet të jetë subjekt i saj; pra që reforma të zbatohet mbi ta. Kjo është qartazi e papërshtatshme dhe me mungesë serioze të logjikës reformuese.”

“Kjo është praktikisht që dikush të bëj reforma për veten e tij; pra, qeveria me këtë plan po ia beson reformën e sistemit të drejtësisë vet bartësve të saj; ata të cilët do të duhej të ishin përgjegjës për defektet që e motivojnë ekzistencën e nevojës për reformë,” tha ajo në fund, duke shprehë bindjen se afër janë zgjedhjet e lira dhe demokratike dhe kjo qeveri do të shkojë shpejtë.

Kontribo

07 07 2020

Ftohen në raportim Hoti e Zemaj. Në seancë e komision parlametar.

Nisur nga gjendja e rëndë e krijuar për shkak të menaxhimit katastrofal me Pandeminë COVID-19, pas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit Arbërie Nagavci të miratuar në kryesi të Kuvendit, kryetarja Vjosa Osmani ka dërguar kërkesën që pa humbur kohë Avdullah Hoti duhet të vije për raportim në Kuvendin e Kosovës në lidhje me menaxhimin e pandemisë.

Në anën tjetër, deputetët tanë në Komisionin për shëndetësi, kanë kërkuar zyrtarisht nga komisioni që Armend Zemaj duhet të raportojë në Komisionin parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Njëjtë dhe Drejtuesit e SHSKUK-së.

Situata pandemike me COVID-19 është përkeqësuar shumë dhe vazhdon të zgjerohet me shpjetësi. Numri i të infektuarëve dhe i të vdekurve nga virusi brenda një ditë është i lartë dhe tejet shqetësues.

Nga të dhënat e publikuara të Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike, vetëm nga 1 korriku e deri më sot, brenda një jave janë infektuar 828 persona me COVID-19, kurse 28 pacientë kanë vdekur si pasojë e këtij virusi. Kjo gjendje është alarmante dhe për fat të keq po vazhdon të thellohet. Nga dita në ditë, po shtohet numri si i të prekurve edhe i atyre humbin jetën.

Në kohën kur qytetarët po përballën me një rrezik të tillë, klinikat e stërmbushura e me kapacitete të kufizuara e rëndojnë edhe më shumë gjendjen. Në anën tjetër, ata që e kanë përgjegjësi menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e shëndetit publik janë përhumbur në paaftësinë e tyre e në tezat për imunizim kolektiv natyror.

Shëndeti publik është përgjegjësi e drejtpërdrejt e bartësve të institucioneve të Kosovës. Kërcënimi me të cilin janë duke u ballafaquar qytetarët këto ditë kërkon reagim të shpejtë dhe efikas për të mbrojtur shëndetin e tyre.

Qytetarët janë braktisur në ditët më vështira nga ata që e kanë detyrë për t’u dalur në ndihmë e në mbrojtje. Ecja e kësaj Qeverie pa strategji e plan, po i kushton qytetarëve me humbje jetësh. Prandaj edhe kemi kërkuar raportim para deputetëve e Kuvendit me qëllim të kthimit të vëmendjes kah shëndeti i qytetarëve.

Kontribo

07 07 2020

Nuk duan zgjedhje sepse bashkë janë pakicë karshi Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Qytetarët e vlerësojnë qeverisjen e mirë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Albin Kurtin si kryeministër si asnjë qeveri e kryeministër të mëhershëm. Këtë e dëshmon hulumtimi i fundit i opinionin publik ku krahas vlerësimit të lartë për punën, vendimet dhe masat që ka ndërmarrë qeveria Kurti, qytetarët e shohin VETËVENDOSJE!-n si subjektin e parë në vend dhe Albin Kurtin si personin më të duhur për kryeministër të vendit.

Mbështetja është e lartë te shtresat e varfra me 72. Te rinia me 69.7% dhe te gratë me 55%. Lëvizja VETËVENDOSJE! me qeverisjen e saj ka dwshmuar se shteti social është i mundur dhe se barazia e drejtësia janë vlerat kah duhet të shkojmë si shtet e si shoqëri.

Të dhënat e këtij hulumtimi i prezantoi sot në konferencë për media nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Besnik Bislimi, i cili fillimisht shprehu ngushëllime për të gjithë qytetarët që kanë humbur më të dashurit e tyre si pasojë e COVID-19. Ai njëherit bëri thirrje për kujdes të shtuar dhe kritikoi qeverinë Koti dhe juristët e saj që nuk po bëjnë punën më të mirë në menaxhimin e kësaj pandemie. 

“Kanë mjaftuar vetëm 120  ditë të qeverisë Kurti për ta përmbysur komplet skenën politike në vend. Qytetarët e vendit kanë dëshmuar mbështetjen e fuqishme për qeverinë Kurti dhe vendimet e saj, kanë vlerësuar si shumë të dëmshëm aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kanë vlerësuar me notë shumë negative secilin politikan që aktivisht ka kontribuar në përmbysjen e së mirës dhe riinstalimin e zhvatjes dhe keqpërdorimit.”, tha Bislimi, para se t’i prezantonte të dhënat e hulumtimit të cilat i gjeni të radhitura më poshtë.  

Në pyetjen se a mendojnë qytetarët se gjërat në Kosovë po shkojnë në drejtimin e duhur, në qershor me Qeverinë Hoti vetëm 9.6% e respodentëve menduan se po, kurse për muajin mars me qeverinë Kurti pak ditë pas ardhjes në pushtet ishte 31%. 

Në pyetjen si e vlerësoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin e dekretit të presidentit Thaçi për mandatimin e z. Hoti për kryeministër, 53.4% e qytetarëve e shohin si të padrejtë vendimin, kundrejt vetëm 28.4% që e shohin si vendim të drejtë.

Në pyetjen se a është heqja e reciprocitetit dhe përdorimit të emrit Republika e Kosovës në dokumentet e mallrave që vijnë nga Serbia veprim i drejtë i qeverisë Hoti, 59% e shohin si të dëmshëm, kurse 27.2% e shohin si jo të dëmshëm.

Sa i përket qeverisjes Kurti, kënaqshmëria me punën e tij është me larta që është arritur ndonjëherë në Kosovë pas pavarësisë, tha Bislimi. 

Të rinjtë prijnë me 69.7% ndërkaq te personat me të ardhura minimale kënaqëshmëria është edhe më e lartë me 72.1%. Në total, si mesatare përqindja e kënaqëshmërisë së qytetarëve është 65.8% kundrejt vetëm 28.6% që nuk janë të kënaqur. 

Tri vendimet e qeverisë Kurti me mbështetjen më të madhe nga qytetarët janë:

 1) Ulja e pagave të kabinetit qeveritar

2) Pakoja emergjente fiskale dhe

3) Pakoja për rimëkëmbjen ekonomike.

Në lidhje me suksesin e qeverisë Kurti në parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, 76.3% e qytetarëve mendojnë se qeveria Kurti ka qenë e suksesshme në parandalimin e shpërndarjes së pandemisë, kundrejt vetëm 12% të qytetarëve që mbrëmë në një debat televiziv menduan se qeveria Hoti po tregohet e suksesshme në këtë drejtim. 

Për Pakon Emergjente Fiskale të Qeverisë Kurti mbi 82% janë shprehur të kënaqur, kurse për disa masa të tjera përqindja është edhe më e lartë. Te qytetarët që kanë të ardhura nën 100 euro mbështetja për këtë pako është mbi 90%. Pra, nuk ka pasur kurrë ndonjë vendim apo masë të ndonjë qeverie që ka gëzuar mbështetje kaq të madhe nga ana e qytetarëve, tha Bislimi. 

Në pyetjen se a duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, 58.6% e qytetarëve mendojnë se zgjidhja qëndron te zgjedhjet e parakohshme ngjashëm me atë që ka deklaruar Lëvizja VETËVENDOSJE!, kurse vetëm 28.2% mendojnë se jo.

Në rast se zgjedhjet do të mbaheshin në qershor Lëvizja VETËVENDOSJE! pa e marrë parasysh edhe diasporën del e para me 56 ulëse, kurse në vendin e dytë PDK 18 ulëse para LDK-së po ashtu ka 18 ulëse dhe në fund AAK-ja me 8 ulëse. 


Për kryeministër të vendit, pavarësisht subjektit politik që votojnë qytetarët, 47.8% e shohin Albin Kurtin si personin më të duhur për pozitën e kryeministrit. Të gjithë liderët tjerë politik në Kosovë së bashku i kanë 35%. 

Kjo tregon se përse ata i tmerrohen idesë së shkuarjes në zgjedhje, tha në fund të prezantimit të tij, nënkryetari Bislimi.  

Kontribo

05 07 2020

Mbahet mbledhja e XL e Këshillit të Përgjithshëm

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot mbledhjen e XL të organit të saj më të lartë, Këshillit të Përgjithshëm, ku u diskutuan shumë çështje, u miratuan raportet vjetore dhe u morën disa vendime të rëndësishme.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari Albin Kurti shprehu ngushëllime për familjarët të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre nga virusi COVID-19, duke uruar shërim të shpejtë për të prekurit dhe falënderuar punonjësit shëndetësorë që po bëjnë më të mirën e tyre për të shpëtuar jetët e qytetarëve. Ai po ashtu bëri thirrje për kujdes të shtuar dhe respektim të masave mbrojtëse.

Në adresimin e tij para delegatëve, Kryetari Kurti foli për rëndësinë e 6 tetorit dhe ngjarjet që pasuan, qeverisjen e mirë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe për vendimmarrjen që tashmë na pret si subjekti i parë në vend.

Në frymën e rezultateve zgjedhore, ai tha se kemi dëshmuar që mund të qeveriset ndershëm e me parime duke respektuar kontratën me qytetarët, që nuk ka vendime të vështira kur ka qëllime të mira dhe që një shtet më i barabartë dhe më i drejtë që kujdeset për të gjithë e sidomos për të varfrit dhe punëtorët është i mundshëm.

“Është e mundur të shpëtohen e rimëkëmbën ndërmarrjet publike. Është i mundur të luftohet korrupsioni e krimi, nepotizmi e shpërdorimi. Është e mundur të anulohen kontratat e dëmshme e të ndalohet gjakderdhja financiare e asfaltit të shtrenjtë në toka bujqësore. Është e mundur që edhe të vendoset reciprociteti tregtar me Serbinë edhe të ndihmohet financiarisht me gjysmë milioni euro Lugina e Preshevës. Është e mundur të fillojmë me vetingun në drejtësi, me institutin për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës, me konceptin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, dhe me buxhet për strehimoret që ofrojnë mbrojtje nga dhuna në familje.”

Nga e gjithë ajo dëshmi e qeverisjes tonë të mirë, është e vështirë të kthehemi prapa ngase qytetarët e kanë provuar, ju nevojitet dhe e meritojnë, tha ai.

Kurti foli edhe procesin e zgjedhjeve të brendshme në organizatë, për të cilat delegatët e Këshillit të Përgjithshëm votuan që ato të fillojnë me datë 1 shtator.

Ai tha se postet dhe pozitat, rendi dhe hierarkia si në shtet ashtu edhe në organizatë duhet t’i nënshtrohen vullnetit të përgjithshëm qytetarë përmes zgjedhjeve demokratike dhe jo arbitraritetit individual, duke theksuar se Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë e ka dhënë këtë provë.

“Ne në Lëvizje kemi rregulla dhe procedura demokratike të hapura dhe të verifikuara e me pjesëmarrje të gjerë e të barabartë ku secilit që dëshiron angazhim politik, mbi bazën e vlerave që ne përqafojmë e përfaqësojmë, i garantohet jo vetëm anëtarësimi por edhe hapësira e veprimit dhe e drejta për të zgjedhë e për t’u zgjedhur”, tha ai.

Kryetari Kurti përmendi edhe punën e mirë të deputetëve të Lëvizjes, të Qendrave të saj brenda dhe jashtë vendit që pavarësisht vështirësive në kohë pandemie kanë punuar në peticionin që tashmë ka mbledhur një çerek milioni nënshkrime për zgjedhje të reja, si dhe për shumë anëtarë të rinj që janë anëtarësuar dhe mirëpritur në organizatën tonë.

Kurti foli edhe për matjet e fundit të opinionit publik që e nxjerrin Lëvizjen VETËVENDOSJE! mbi trefishin e mbështetjes krahasuar me vendin e dyte, dhe atë si kryeministër mbi katërfishin e kandidatëve të tjerë.

“Një gjë është tejet interesante në këto sondazhe: mbështetja që kemi te gratë është mbi 55% (krahasuar me burrat 42%), ndërkaq te rinia i afrohemi 2/3 të përkrahjes popullore. Kjo e fundit konfirmon se e kujt është e ardhmja, por e para tregon se çka pritet prej nesh: barazi gjinore, mundësi e drejtësi e pjesëmarrjes për gratë dhe vajzat, në punësim, në pronësi, në pasuri, në udhëheqje.”

Në fund të fjalës së tij, ai tha se me 6 tetor ka ndodhur ndryshimi dhe se nuk ka makinë kohore që na kthen pas.

Qeveria “koti” duhet të shkoj sa më parë e zgjedhjet janë zgjidhja si për shëndetin e qytetarëve ashtu edhe për shëndetin e demokracisë dhe shtetit.

Në këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm Delegatët morën këto vendime:

– U shpallën zgjedhjet e brendshme të përgjithshme të cilat do të fillojnë me 1 shtator.

– U plotësua KZP-ja me dy anëtarë të ri.

– U votua themelimi i 7 Qendrave të reja prej tyre 6 në mërgatë, dhe Qendra në Maqedoninë e Veriut.

– U miratua anëtarësimi në Rrjetin Politik Rinor.

Në këtë mbledhje të XL, u sollën në diskutim këto raporte:

– Raporti vjetor i shpenzimeve për vitin 2019.

– Raporti vjetor për vitin 2019 i Sekretariatit të Përgjithshëm.

– Raporti vjetor për vitin 2019 i Sekretarit për Marrëdhënie me Jashtë.

– Raporti vjetor për vitin 2019 i Grupit Parlamentar.

– Raporti vjetor për vitin 2019 nga pesë komunat ku jemi në bashkëqeverisje.

Kontribo

03 07 2020

Qeveria ilegale dhe ilegjitime e paaftë e me dëme shumë

Për një muaj qeveria e paligjshme dhe pa legjitimitet ktheu shumë procese e zhvillime në pikën zero. Qytetarët e Republikës tonë në këtë kohë të vështirësive që lidhen me shëndetin dhe ekonominë nuk e meritojnë këtë qeveri, të cilës edhe nuk ia dhanë votën. Duke marrë këtë për shkas, sot në konferencë për media, Lëvizja VETËVENDOSJE!, përmes Nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci dhe deputetit Hajrulla Çeku, kërkuan që sa më parë vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Nënkryetarja Arbërie Nagavci tha se kjo qeveri me 59 vota (pasi dy sosh janë të kontestuara në Gjykatën Kushtetuese) u votua për t’i shërbyer Thaçit në negoaciatat e tij me Serbinë. Ajo përmendi heqjen dorë nga reciprociteti, barazia dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare si dëm të kushtueshëm në planin e jashtëm dhe duke hequr dorë nga shtetësia. Në anën tjetër, shfuqizimet e vendimeve të mira nga qeveria e kaluar, përfshirë rikthimin e njerëzve të korruptuar e shkarkuar nga pozitat i cilësoi si rrënim të mëtutjem në planin e brendshëm.

Nagavci theksoi se kjo qeveri që varet nga secili deputet i Listës Serbe duhet të shkojë sa më parë, pasi qytetarët nuk votuan për t’iu nënshtruar Serbisë e as për ta parë një qeverisje të njëzet viteve të kaluara.

Deputeti Hajrulla Çeku tha se për një muaj kjo qeveri koti po e zhbën progresin e bërë nga Qeveria Kurti duke e rikthyer numrin e lartë të zëvendësministrave, këshilltarëve, koordinatorëve dhe rikthimin e zyrtarëve nëpër ministri, të cilët ishin të njohur për korrupsion. Përveç kësaj, ajo po e zhbën edhe sakrificën e qytetarëve gjatë fillimit të pandemisë, duke mos bërë asgjë për ta menaxhuar më mirë situatën. Çeku u ndal edhe te ekonomia dhe kritikat e shumta që asokohe ka bërë opozita, duke theksuar se tani përveçse nuk ka ide dhe alternativë për dalje nga kriza ka thellim të mëtejmë të saj duke kthyer lejet për hidrocentrale e degradim të mëtutjeshëm të pasurive natyrore. Ai përmendi edhe arsimin si gjënë më shqetësuese tani, për çka përpos fjalëve përgjithësuese si për çdo fushë tjetër, nuk kemi dëgjuar se si do të vazhdojë tutje.

Në këtë situatë, edhe pse duhen pritur ndoshta 100 ditë për ta ushtruar një kritikë çfarë po e bëjmë tani, kemi parë që klubi i stërvjetruar politik e ka efektin shkatërrues aq të madh sa nuk guxojmë të presim tutje. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më parë, tha ai për fund.  

Kontribo

02 07 2020

Vizitë nga udhëheqësit e koalicionit të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës

Sot në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë pritëm një vizitë prej udhëheqësve nga koalicioni i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, subjekte që do të garojnë në zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si një faktor i rëndësishëm e shpresëdhënës shqiptar.


Delegacioni i përbërë nga kryetari i ASH Zijadin Sela, kryetari i AA Afrim Gashi, kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari, anëtari i kryesisë së AA, Zeqirja Ibrahimi dhe veprimtari Bekim Qoku u prit përzemërsisht nga kryetari Albin Kurti, anëtarët e kryesisë Glauk Konjufca e Arbër Zaimi, ish zv.kryeministri Haki Abazi dhe asistentja ekzekutive Valë Gjonbalaj.


Në takim u shkëmbyen përvoja e ide të rëndësishme për shqiptarët e për rajonin. Kryetari i ASH, Zijadin Sela shprehu optimizmin e tij për rezultatin zgjedhor duke vënë në pah organizimin dhe vendosmërinë e votuesve shqiptarë në RMV për ndryshim, pas 18 vitesh me subjektet e vjetra. Kryetari i AA, Afrim Gashi shprehu nevojën për një përfaqësim cilësor të shqiptarëve, të cilët nuk duhet të reduktohen në numra e poste, por duhet të çojnë përpara edhe programin ekonomik, social, arsimor e kulturor në të mirën e shqiptarëve. Kryetari Albin Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij shprehën vlerësim për programin e për qëndrimet e koalicionit ASH-AA, dhe uruan mbarëvajtje e përfaqësim të suksesshëm në zgjedhjet të cilat do të mbahen në 15 korrik.

Kontribo

29 06 2020

Takim pune me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemajl Minxhozi.

Sot në zyrën e tij, Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, bashkë me zëdhënësin e Lëvizjes, Përparim Kryeziu, priti në takim pune ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemajl Minxhozi.

Në këtë takim u fol për situatën politike dhe gjendjen e përkeqësuar të shëndetit publik si rezultat i përhapjes eksponenciale të COVID-19 në javët e fundit. Kosova, nga një histori suksesi në menaxhimin e pandemisë shpejt ka rrëshqitur në grupin e vendeve të cilat po përjetojnë përkeqësim të përshpejtuar të situatës. Kjo kërkon vëmendje prioritare, planifikim dhe guxim për ndërhyrje që sigurojnë menaxhim dhe luftim efikas të pandemisë. Në këtë drejtim, u fol për rëndësinë dhe nevojën për bashkëpunim mes dy vendeve përballë kësaj sfide.

Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë ka rëndësi historike të pazëvendësueshme. Ai duhet të shtrihet në shumë rrafshe, duke filluar nga ai bilateral ekonomik, me qëllim rritjen e qarkullimit të mallrave dhe prodhimeve. Pas goditjes që pandemia i ka dhënë ekonomive tona, nevoja për ta shtuar bashkëpunimin është bërë e domosdoshme, ishte përshtypja që ndanë Kryetari Kurti dhe ambasadori Minxhozi në këtë takim.

Kontribo

24 06 2020

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti mori pjesë sot në tryezën “Integrim apo gjithëpërfshirje?!” organizuar nga Partia Egjiptiane – IRDK, me rastin e Ditës së Egjiptianëve të Ballkanit.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari Kurti tha se problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës pësohen të përshkallëzuara nga ata që janë të varfër dhe rëndojnë edhe më shumë mbi komunitetet jo shumicë, dhe në këtë rast edhe mbi atë egjiptian. Problemet e përditshme duhet të na bashkojnë dhe jo të na ndajnë, sepse fundja askush për nga natyra nuk është përcaktuar të jetë fatalisht i varfër, por bëhet i tillë për shkak se dikush tjetër është pasuruar. Askush nuk ka zgjedhur të lind grua apo burrë, shqiptar apo diçka tjetër, në Kosovë apo gjetiu, prandaj duhet që bashkarisht të kërkojmë zgjidhje.

Kurti foli edhe për qeverisjen e mirë të VETËVENDOSJE!-s, që i ka ndarë 593 bursa për fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. U përmend Pakoja Emergjente, ku 2 milionë euro u ndanë për komunitetet jo shumicë, dhe Pakoja e Rimëkëmbjes që parashihte punën sezonale ku paga e fituar do të shtohej mbi asistencën sociale.

“Në qeverisjen tonë, qeverisjen më të mirë që kishte vendi, për aq sa patëm mundësi u fokusuam në ndihmesë konkrete për komunitetet pakicë në vend. Përderisa shumica e fëmijëve egjiptian, ndonëse vijojnë mësimet në gjuhën shqipe ata kanë tendenca për ta lënë shkollimin më herët për këto arsye: Statusi i ulët socio-ekonomik, mungesa e shkollave të cilësisë së lartë, infrastruktura e dobët arsimore dhe herë pas here mungesa e transportit. Kësisoj, Qeveria jonë mori vendim që të ndajë 593 bursa për fëmijët e komunitetit rom, ashkali e egjiptian. Nuk është e mjaftueshme, por duhej të fillonim nga diku.”

Ai bëri thirrje që komunitetet jo shumicë, në këtë rast ai egjiptian, të organizohet e ta imponojë vetën sa më shumë në jetën publike e politike, si duke shtruar kërkesa ashtu edhe duke propozuar zgjidhje e duke treguar vendosmëri për t’i zgjidhur problemet me të cilat ballafaqohet.

Koha e qeverive që varfërojnë popullin dhe jo vetëm komunitete të caktuara po ikën. Kanë provuar të ndërtojnë dinasti prej kartoni, por ja që rrebeshi i ndryshimit po ua rrëzon ato, tha ai në fund të fjalës së tij.

Kontribo

22 06 2020

Përparim Kryeziu merr detyrën e zëdhënësit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Përparim Kryeziu është i diplomuar me nderime të larta nga Universiteti i Ri i Lisbonës (Universidade NOVA de Lisboa), ku ka studiuar Sociologji Ekonomike dhe e Organizatës. Ai ishte bursist i programit SIGMA Agile. Studimet bachelor në Sociologji i përfundoi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, prej të cilave vitin e fundit të tyre e ka ndjekur në Universitetin e Antwerp-it (Universitetit Antwerpen) në Belgjikë duke qenë përfitues i bursës JoinEU-SEE. Të dy këto bursa të financuara nga Komisioni i Bashkimit Evropian.

Përparim Kryeziu gjithashtu ka qenë bursist pionier i programit të shkëmbimit YES (Youth Exchange and Study) të financuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, nëpërmjet të cilit vitin ka ndjekur një vit të shkollës së mesme në Vermont të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për gati tre vjet ka qenë anëtar i shoqërisë civile. Në dy vitet e fundit ka qenë pjesëmarrës aktiv në diskutime publike mbi Dialogun Kosovë-Serbi nëpërmjet punimeve dhe analizave të shkruara dhe kontributit në debate televizive.

Së fundmi, Përparimi ishte zëdhënës i Qeverisë Kurti, ndërsa tani do e ushtrojë detyrën e zëdhënësit në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. I urojmë Përparimit punë të palodhshme në rrugëtimin e tij, bashkë me ne, në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Kontribo

22 06 2020

Takim lamtumirës me ambasadorin e Hungarisë, László Márkusz

Ditën e sotme, Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, së bashku me zëdhënësin e Lëvizjes, Përparim Kryeziun, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Hungarisë, László Márkusz, tri javë para përfundimit të mandatit të tij pesë vjeçar. Në takim, Kryetari Kurti e falënderoi ambasadorin për punën e tij në Kosovë dhe për bashkëpunimet bilaterale mes Kosovës dhe Hungarisë.

Ndër organizimet ku ambasada Hungareze ka dhënë kontribut të vlefshëm për shkëmbimin kulturor, ekonomik dhe institucional mes dy vendeve janë rritja e dyfishuar në pesë vite e bashkëpunimit tregtar, tanimë në 66 milionë euro dhe organizimet kulturore si Java e Kulturës Hungareze. Vlen të përmendet edhe programi i bursave të financuar nga qeveria hungareze. Së fundi, ky program e ka rritur kuotën e bursave në 70 sosh për studentët e Kosovës dhe ka një rëndësi të madhe për krijimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në takim u fol edhe për rëndësinë e avancimit të procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në përhapjen e vlerave të BE-së. Hungaria e ka përkrahur Kosovën në këtë proces.

Në fund të takimit, Kryetari Kurti i uroi kthim të mbarë në vendin e tij ambasadorit Márkusz dhe të dy shprehën interesimin për t’i mirëmbajtur kontaktet.

Kontribo

22 06 2020

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, doërzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e vendimeve antikushtetuese të Presidentit

Sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve antikushtetuese të Presidentit të Republikës së Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Besianës dhe të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Nga gjashtë shkurti i këtij i viti, qytetarët e Komunës së Besianës vazhdojnë të privohen nga e drejta e tyre e përcaktuar me Kushtetutë për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre si Kryetar të Komunës, si dhe për të pasur qeverisjen lokale që e kanë zgjedhur përmes zgjedhjeve të lira, me justifikimin se ato rrezikojnë shëndetin publik. Dje u organizuan zgjedhjet e Serbisë në Kosovë dhe me këtë rast ky justifikim ka rënë poshtë plotësisht. Sepse si mund të shpjegohet që zgjedhjet e Serbisë mund të organizohen kurse ato të vetë komunave të Kosovës jo.

Cila është porosia? Që ne kemi më pak të drejta? Që minoriteti serb nuk është përgjegjësi e qeverisë tonë sa i takon shëndetit publik? Cilado qoftë arsyeja është skandaloze dhe e papranueshme.

Kushtetuta e Republikës, si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat civile dhe politike garantojnë të drejtën e patjetërsueshme për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Komuna është njësi themelore e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës, e cila gëzon shkallë të lartë të vetëqeverisjes lokale dhe inkurajon e siguron pjesëmarrje aktive të të gjithë qytetarëve në procesin e vendimmarrjes së organeve komunale.

Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë në qeverisjen e vendit të vet, drejtpërdrejt ose me anë të përfaqësuesve të zgjedhur lirisht. Këto të drejta kushtetuese të qytetarëve mundësohen përmes shpalljes dhe organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejtpërdrejta. Askush nuk ka të drejtë e autorizime, e aq më pak Presidenti që arbitrarisht dhe jashtë kompetencave të tij të pamundësojë ushtrimin dhe përmbushjen e këtyre të drejtave përmes shtyrjes pa afat të mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të komunës.

Përkundrazi, përgjegjësia kushtetuese dhe ligjore e Presidentit, është caktimi i datës së zgjedhjeve në afatet e përcaktuara me ligj. Pas dorëheqjes së Kryetarit të Komunës zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës. Zgjedhjet e parakohshme shpallen jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas dorëheqjes, të cilat nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes.

Me vendimet e Presidentit për të shtyrë pa afat të caktuar mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Besianës, por së fundi edhe për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Presidenti ka privuar qytetarët nga e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, siç përcaktohet me nenin 45 të Kushtetutës. Vendimi i Presidentit për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve në Besianë dhe Mitrovicë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, si dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të integruara në Kushtetutë si dhe me praktikat e mira dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.

Kontribo