10 10 2020

Grupi Parlamentar i LV ka dorëzuar tri kërkesa për interpelancë me Avdullah Hotin.

E para ka të bëjë me zotimin e Avdullah Hotit në Uashington për ta ndarë Liqenin e Ujmanit me Serbinë. Kjo është e paprecedentë dhe e rrezikshme ngase e përparon interesin e Serbisë për ta minuar sovranitetin e Republikës tonë, duke i dhënë asaj qasje në resurse tona ekonomike e strategjike. As Hoti, po as delegacioni i tij nuk kanë legjitimitetin për ta bërë këtë.

Ndërkaq, e dyta ka të bëjë me zotimin tjetër të tij në Uashington që kushtëzon zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit me ata që janë zhvendosur. Kjo përveç se është e dëmshme është edhe çnjerëzore.

Interpelanca e tretë ka të bëjë me deklaratat e Avdullah Hotit pas takimit me presidentin e Parlamentit Evropian dhe Komisionin e Politikës së Jashtme ku tha se “do ta respektojë plotësisht marrëveshjen për ‘Zajednicën’.” Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë këtë plan të Serbisë, duke gjykuar se ajo shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës në gjithsej 23 pika. Në fund të interpelancës Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do t’i propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimin e një Rezolute që mes tjerash ia ndalon çdo zyrtari publik e shtetëror kompetencën dhe autorizimin për të biseduar për rikthimin e kësaj çështje.

Kontribo

08 10 2020

GP i LV-së ka dorëzuar kërkesën për interpelancë të Avdullah Hotit lidhur me zotimin e tij për t’u bashkuar në nismën e Novi Sadit

Sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka dorëzuar kërkesën për interpelancë të Avdullah Hotit lidhur me zotimin e tij për t’u bashkuar në nismën e Novi Sadit

Është fakt i ditur botërisht se i ashtuquajturi “mini-Shengen ballkanik” është ide dhe projekt i Serbisë. Jashtë ambalazhimit dhe justifikimit kinse të bashkëpunimit rajonal, e vërteta e kësaj nisme, është marrëveshja e Novi Sadit. Deklarata e Novi Sadit e futur nën petkun e “mini-Shengenit ballkanik” për t’u shitur më lehtë, u prezantua për herë të parë më 10 tetor 2019 nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Për rrjedhojë, projekti i Novi Sadit i shërben Serbisë, zgjeron dhe fuqizon dominimin e saj ekonomik në Kosovë dhe rajon. Kjo nismë duhet të shihet e lidhur edhe me projektet tjera të dhëna si zotime të njëanshme më 4 shtator. Në njërën anë hekurudha dhe autostrada në drejtim të Merdares që mundësojnë daljen e Serbisë në Detin Adriatik, kurse në anën tjetër tregu i përbashkët. Këto kompletojnë skemën e interesave të Serbisë në rajon. Serbisë nuk i mjafton vetëm tregu, i duhet edhe infrastruktura.

Përveç interesave politike për të relativizuar kufijtë me Kosovën, në aspektin ekonomik, Serbia përmes të ashtuquajturit “mini-Shengen ballkanik” zgjeron mundësitë për dominim, përderisa Kosova do të dëmtojë edhe më shumë ekonominë e saj prodhuese dhe do të thellojë bilancin negativ tregtarë.

Në Kosovë, kur u bë i ditur fillimisht projekti i “mini-Shengenin”, atë e dënuan njëzëri të gjithë përfaqësuesit politikë e institucionalë, përfshirë ekspertë të ekonomisë dhe Akademinë e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Madje e kundërshtuan edhe vetë ata që sot e kanë nënshkruar dhe po e mbrojnë atë. Kundërshtimet thek­sonin rre­ziqet politike dhe ekonomike që nisma e Novi Sadit paraqiste për vendin tonë. Kjo nismë mohon ekzis­tencën e Republikës së Kosovës si shtet, mohon kufijtë e saj shtetërorë, përjashton të drej­tën e saj sovrane për të kontrolluar terri­torin e vet dhe i jep Serbisë kontroll mbi tregun rajonal, ndërsa formalizon rolin asimetrik të Kosovës.

Këto rreziqe janë objektive dhe të njohura. Ato nuk janë shuar; është shuar vetëm kundërshtimi i zotit Hoti pasi zuri paligjshëm karrigen e kryeministrit. Më 4 shtator 2020, në Uashington, z. Hoti u zotua se Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Shengenit”, ashtu siç është shpallur në tetor 2019, në Novi Sad, paçka s’e ruan bindjet e njëjta se kjo nismë është në dëm të Kosovës, si ekonomikisht edhe politikisht.

Interesat e Kosovës janë të qarta. Ekonomia dhe prodhuesit vendorë kanë nevojë për mbështetje e jo për vërshim të vendit nga produktet e Serbisë. Ndërsa, marrëdhëniet tregtare si çdo relacion tjetër me Serbinë duhet të bazohet në parimin e reciprocitetit, e nisma e Novi Sadit e pamundëson zbatimin e reciprociteti si të tillë. Tregu i Kosovës nuk mund dhe nuk duhet t’i vihet në shërbim ekonomisë së Serbisë, të cilën e përdorë kundër shtetësisë së Kosovës. Në anën tjetër, rruga e integrimit euro-atlantik të Kosovës nuk mund të devijohet e as të zëvendësohet me nisma të tilla. Kosova synon anë­tarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Çdo nismë që cenon shtetësinë tonë dhe shtrembëron rrugën e integrimit euro-atlantik është kundër interesave të shtetit të Kosovës dhe kundër aspiratave të qytetarëve të saj.

Kontribo

08 10 2020

Takim me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Olivér Várhelyi

Sot në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetari Albin Kurti i shoqëruar nga nënkryetari dhe ish ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, anëtari i kryesisë dhe ish ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca dhe anëtarja e kryesisë dhe deputetja, Fitore Pacolli Dalipi, priti në takim z. Olivér Várhelyi, Komisioner i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, bashkë me Shefin e Zyres së Bashkimit Evropian (BE)/Përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog, Drejtoren e Balkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz Calavera, Shefin e Kabinetit dhe këshilltarin e komisionerit Várhelyi, Laszlo Kristoffy, përkatësisht Syabolcs Horvath.

Fillimisht, kryetari Kurti e falendëroi komisionerin Várhelyi për vizitën. E informoi për menaxhimin e suksesshëm të pandemisë gjatë qeverisjes Kurti, shkarkimin e bordeve në përputhje me rekomandimet e auditorit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ashtu siç edhe është potencuar në Raportin për Vendin nga Komisioni Evropian, si dhe për situatën politike në vend. Kryetari Kurti foli edhe për rëndësinë e tregtisë dhe integrimit të Kosovës dhe rajonit në ekonominë globale. Megjithëkëtë, sipas sipërmarrësve kosovarë, tre pengesat kryesore që pamundësojnë zhvillimin e tyre janë kërkesa e ulët agregate për shkak të nivelit të lartë të varfërisë, mungesa dhe vështërsitë në qasje në financa, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Andaj, këto duhet ta kenë vëmendjen tonë të pakompromis. Në anën tjetër, Kurti shtoi se Kosova ka një diasporë që është aset i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, dhe ngjashëm siç ka bërë Polonia e Estonia, duhet të punojë në krijimin kushteve të favorshme që diaspora jonë të investojë këtu e të fillojë kthimi i trurit.

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Várhelyi, e njoftoi kryetarin Kurtin për vizitën e tij në Kosovë dhe rajon, dhe e informoi për planin e investimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Ai tha se projektet për investime janë disenjuar së bashku me qeveritë e Ballkanit Perëndimor dhe fokusohen në transport, energji të pastër e të ripërtërishme, digjitalizim dhe projekte në sistemin arsimor. Vlera totale e këtij plani arrinë në 28 miliardë euro investime në tërë Ballkanin Perëndimor. Ai shtoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar në vend mbetet shqetësues dhe për të ndryshuar situatë duhen rezultate çdo ditë.

Kryetari Kurti në fund theksoi se Kosova nuk ka dhe nuk dëshiron alternativë tjetër përveç Bashkimit Evropian, prandaj është e rëndësishme që vendi të ketë një qeveri me legjitimitet qytetar që është e vendosur të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Kontribo

08 10 2020

RAPORTI I BASHKIMIT EVROPIAN PËR KOSOVËN

Pas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, edhe Raporti për Vendin i BE-së evidenton luftën ndaj krimit dhe korrupsionit të Qeverisë Kurti

Raporti i Vendit për vitin 2020 bën dallim thelbësor të Qeverisë Kurti dhe të gjitha qeverive tjera pararendëse. Ai thekson luftën ndaj krimit dhe korrupsionit që kishte ndërmarrë Qeveria Kurti dhe fokusin në zhvillimin ekonomik. Një konstatim i tillë nuk është nxjerrë në asnjë raport tjetër të Bashkimit Evropian për asnjë qeveri që nga paslufta

Kontribo

07 10 2020

Takim me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, József Bencze

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Rexhep Selimi, bashkë me deputetët, Fitore Pacolli, Hekuran Murati, dhe asistenten e Grupit Parlamentar, Valëza Mjeku, mirëpritën ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, József Bencze, të shoqëruar nga sekretari i dytë i Ambasadës hungareze në Kosovë, Nikowitz-Holló Márton dhe atashenë për Ekonomi dhe Tregti, Krisztina Szabó.

Selimi e falënderoi për vizitën dhe për mbështetjen e pa rezervë e të vazhdueshme që Hungaria i ka dhënë Kosovës. Ai nënvizoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! do të përkrahë marrëveshjet ndërkombëtare me shtetin e Hungarisë, derisa shtoi se është tejet e rëndësishme që Hungaria të japë ndihmën e saj në përkrahje të ushtrisë dhe policisë së Kosovës me qëllim ngritjen e kapaciteteve të tyre. Ambasadori hungarez, Bencze, shprehu mirënjohje për mirëpritjen. Ai i njoftoi anëtarët e Grupit tonë Parlametar për projektet që do të financohen përmes marrëveshjes financiare mes Hungarisë dhe Kosovës për shkëmbimin e ekspertizës. Tutje, ai shtoi se nga viti i ardhshëm Hungaria do të ndajë 75 bursa studimi për studentët nga Kosova. Hungaria e ka përkrahur dhe do të vazhdojë ta përkrahë shtetin e Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe liberalizimin e vizave, dhe është e interesuar të thellojë bashkëpunimin biletaral, përfundoi ambasadori Bencze.

Në anë tjetër, deputetja Pacolli vuri theksin te rëndësia e thellimit të bashkëpunimit bilateral në fushën e zhvillimit, edukimit, dhe diplomacisë sidomos atë kulturore dhe mes qyteteve. Ndërsa deputeti Murati, tha se rritja e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë në fushën e zhvillimit ekonomik do t’i përgjigjej nevojave të të dy vendeve derisa ritheksoi se në funksion të kësaj procedurat e aplikimit për viza për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të lehtësohen.

Kontribo

07 10 2020

Raporti i BE-së bën dallimin substancial mes Qeverisë Kurti dhe qeverisë koti

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi konferencë për media ku për procesin e integrimit evropian dhe raportin e fundit të BE-së për Kosovën, folën ish-zv. ministri i Ministrisë së Integrimit Evropian, Taulant Kryeziu dhe deputetja Fitore Pacolli.

Taulant Kryeziu tha se Kosova mbetet vendi i fundit në ballkanin perëndimor sa i përket procesit të integrimit evorpian dhe po ashtu i fundit sa i përket zhvillimit sipas raportit të fundit të BE-së.

“Serbia ka hapur 18 kapituj drejt integrimit evropian dhe ka mbyllur 2, Mali i Zi 33 kapituj dhe ka mbyllur 3, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut pritet që nga dhjetori të fillojnë takimet e para ndërqeveritare që shënojnë momentin e fillimit të negociatave, kurse Bosnja i ka 14 kritere për ta marrë statusin e vendit kandidat. Kosova në këtë mes qëndron edhe prapa Bosnjës, pra është vendi i fundit sa i përket rrugës drejtë BE-së.”

Rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian kryefjalë ka sundimin e ligjit. Ne jemi të kënaqur për gjuhën që ka përdorur raporti i BE-së sa i përket Qeverisë Kurti, tha Kryeziu, i cili e citoj një pjesë nga raporti:“Qeveria Kurti ka fokusuar programin e saj në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në zhvillimin ekonomik.

Qeveria Kurti ka anuluar vendimet kontraverse të Qeverisë Haradinaj si dhe ka shkarkuar bordet e ndërmarrjeve publike si rezultat i parregullsive dhe mungesës së transparencës sipas raporteve të auditorit.”

Ky raport, sipas Kryeziut, bënë një dallim substancial mes Qeverisë Kurti dhe qeverisë së paligjshme Hoti. Kur flet për qeverinë Kurti flet për zhvillim ekonomik, përkushtim në reforma evropiane, për luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, për çlirim të bordeve. Ndërsa kur i adresohet qeverisë së paligjshme Hoti kryesisht përfundon dhe fillon tek dialogu me Serbinë.

Duhet ta kuptojmë një gjë substanciale, procesi i integrimit evropian nuk është dialogu me Serbinë. Dialogu me Serbinë nuk është as prej kërkesave të para të qytetarëve të vendit. Procesi i integrimit për kryefjalë ka sundimin e ligjit. Vizat, procesi i integrimit varen nga kjo pra, se sa e kemi gjyqësorin të pavarur nga politika, tha Kryeziu, i cili kujtoi që raporti vit pas viti i thekson të njëjtat gjëra.

Kjo qeveri e paligjshme ka shuar Ministrinë e Integrimit Evropian dhe për 4 muaj nuk ka mbledhur asnjëherë strukturat e brendshme sa i përket integrimit evropian. Pra, asnjë takim të Këshillit Ministror, asnjë takim të Komitetit Punues dhe asnjë takim të Këshilleve Ekzekutive që merren me procesin e integrimeve. Mungesa e kësaj dinamike institucionale është reflektim i mungesës së vullnetit politik për procesin integrues, theksoi Kryeziu.

Deputetja Fitore Pacolli tha se zgjedhjet e fundit krijuan mundësinë që për herë të parë raporti i BE-së për Kosovën të kishte përmbajtje më të mirë, më pozitive e më shpresëdhënëse. Këtë bindje ajo e shprehu duke iu referuar raportit të BE-së, prej të cilit edhe citoi një pjesë që shënon arsyet e rrëzimit të Qeverisë Kurti:

“Qeveria jetëshkurtër, e udhëhequr nga Kryeminstri Kurti, kishte një program të përqendruar në luftimin e korrupsionit dhe krimit te organizuar dhe në zhvillim ekonomik.”

“Një program që e vuri në rrezik klubin e stërvjetëruar politik. Pra, kjo është arsyeja prapa gjithë makinerisë që u ngrit kundër Qeverisë Kurti. Një konstatim të tillë për cilëndo qeveri të pasluftës në Kosovë nuk mund ta gjeni në asnjë raport të progresit të Bashkimit Evropian e as në raportet tjera ndërkombëtare”, tha deputetja Pacolli.

Tutje, ajo theksoi se nëpër shumë pika raporti përsëritë fjalët e thëna në vitet e mëhershme.

“Raporti vë në pah mungesën e vullnetit politik për të përmirësuar situatën e rëndë politike, ekonomike e sociale në vend. Ai flet për progres të mangët e të limituar, për stagnim në reforma politike dhe ekonomike, për mungesën e përafrimit të kornizës ligjore me atë të BE-së dhe për mungesë të theksuar të zbatimit të kornizave ligjore të përafruara.”

“Njëjtë sikurse në vitet e kaluara Kosova nuk është shënuar ndonjë progres në zbatimin e reformës administratës publike dhe kjo si pasojë e mungesës së vullnetit politik dhe mungesës së koordinimit qendror dhe ndërministror. Praktika e rekrutimeve në kundërshtim me parimin e meritokracisë mbetet çështje shqetësuese.”

“Njëjtë sikurse në vitetet e kaluara, sistemi gjyqësor i Kosovës mbetet në një fazë të hershme. Gjyqësori mbetet i cenueshëm nga ndikimet politike me administratë të ngadalshme dhe jo-efikase. Kosova nuk ka mekanizëm për koordinim institucional dhe nuk ka një strategji gjithë përfshirëse për sektorin e sundimit të ligjit.”

Pacolli para se t’i përmend stagnimet gati në secilën fushë, theksoi se nuk ka progres në 34 fusha dhe nën-fusha që prekin mjedisin, sigurinë e ushqimit, krimin e organizuar, drejtësi, mbrojtjen e konsumatorit etj.

Për fund, ajo tha se gjendja në të cilën jemi sot na obligon ta marrim seriozisht dhe ta trajtojmë çdo ngecje të përmendur në raport.

Kontribo

07 10 2020

Dorëzimi i interpelancës për pezullimin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare

Sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka dorëzuar kërkesën për interpelancë të Avdullah Hotit për pezullimin njëvjeçar të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, rajonale e globale ndërqeveritare e ndërshtetërore, të specializuara apo të përgjithshme, pos avancim i interesave të ndryshme të institucioneve të saja në raporte multilaterale, para së gjithash është shprehje e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Zotimi i njëanshëm i Avdullah Hotit për pezullim të kërkimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare përveçse është pushim njëvjeçar i shtetësisë së Kosovës në sferën dhe sistemin ndërkombëtar, është edhe bllokim i shumë nismave, projekteve e proceseve të ndryshme të shtetit të Kosovës dhe institucioneve të saj në nivel ndërkombëtar multilateral. Shumë prej këtyre proceseve kanë pasur edhe ashtu sfida të shumta për të kapërcyer në rrugën e tyre drejt bashkëpunimit ndërkombëtar, e të cilat tanimë bllokohen nga vetë Qeveria e Kosovës. Rikthimi i tyre nuk është aspak i lehtë. Moratoriumi njëvjeçar në planin e tyre të veprimit shumëfishohet në vite të tëra përpjekje për të arritur agjenda të caktuara të bashkëpunimit ndërshtetëror e ndërinstitucional.

Siç është bërë zakon tashmë kur bëhet fjalë për dorëzimin para kushteve të Serbisë e të cilat pastaj shndërrohen në koncesione për këtë të fundit, deklarimi i 15 qershorit për të pezulluar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, u materializua më 4 shtator në Uashington në formë të zotimit të njëanshëm për Serbinë. Padyshim se kjo është kërkesë që Kosova për një vit të heqë dorë prej sjelljes së saj si një shtet normal e sovran. Pse t´i kërkohet Kosovës që të heqë dorë nga sovraniteti i saj, qoftë dhe përkohësisht? Ç’lidhje ka kjo me zhvillimin ekonomik të Kosovës? Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare i ndihmon ekonomisë, nuk e pengon atë.

Përveç dëmeve diplomatike nga ky veprim i Qeverisë, heqja dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare kinse me arsyetimin që Serbia të pezullojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, është pozicion me pasoja të parikuperueshme në raport me dialogun me Serbinë. Nuk mund të ketë marrëveshje për njohje e që përfundon me njohje reciproke në mes të dy shteteve, duke hyrë në proces të dialogut me pozicion neutral ndaj pavarësisë së Kosovës nga vetë Qeveria e saj. Asimetria e shumanshme e Kosovës me Serbinë po merr trajtë zyrtare të asimetrisë edhe nominalisht, duke vënë në tavolinën e dialogut statusit të Kosovës për negociim.

Ky zotim i njëanshëm individual për pezullimin e kërkimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare bie në kundërshtim me Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Republikës. Avdullah Hoti dhe kushdo qoftë nuk mund të shfuqizojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nuk mund t’i imponojë shtetit të Kosovës kurrfarë zotimi individual.

Kontribo

07 10 2020

Avdullah Hoti dhe Meliza Haradinaj anulojnë raportimin për të pagjeturit në Komisionin parlamentar

Pas trajtimit të padinjitetshëm e të turpshëm të çështjes së personave të pagjetur dhe kushtëzimin e kësaj çështje me “personat e zhvendosur”, si dhe pas refuzimit të mëhershëm të Driton Selmanajt me arsyetimin e cilësimin si temë e konsumuar dhe e ezauruar, sot, në mëngjes, Avdullah Hoti dhe Meliza Haradinaj Stublla kanë anuluar raportimin e tyre për këtë çështje të rëndësishme e të ndjeshme para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Zbardhja dhe kthimi i të pagjeturve është domosdoshmëri dhe duhet të jetë detyrim për Serbinë. Familjet e personave të pagjetur meritojnë të kenë përgjigjen për fatin e të dashurve të tyre dhe kthimin e trupave në tokën e Kosovës. Gjetja dhe kthimi i trupave do të duhej të ishte kusht për fillimin e dialogut e kurrsesi njëra nga temat që konsiderohen si të ezauruara për të mbetur e mbyllur pa zgjidhje. Qëndrimi i këtij delegacioni ishte fyes dhe ofendues për të gjitha viktimat dhe popullin e Kosovës. Fyes dhe shpërfillës mbetet edhe sjellja e kësaj Qeverie. Çështja e të pagjeturve dhe viktimave të dhunimeve do të duhej të ishte prioriteti themelor i institucioneve si kërkesë e padiskutueshme dhe e pakushtëzuar. Serbia ka ndjekur politika shtetërore gjenocidale dhe për këtë çështje nuk mund të ketë kurrfarë justifikimi e kushtëzimi.

Shteti i Serbisë i ka të gjitha informacionet për varrezat masive dhe për fatin e të pagjeturve. Po ashtu dhe mbi përgjegjësit dhe urdhërdhënësit e dhunimeve seksuale gjatë luftës. Refuzimi për të zbardhur këtë çështje dhe për të kthyer trupat është vazhdim i lojës me vuajtjet e familjeve që kërkojnë trupat e më të dashurve të tyre dhe dinjitetin e Kosovës si shtet. Ndërsa, fshehja dhe heshtja për dhunimet seksuale si aparat i luftës është edhe më e rëndë. Për më tepër vënja e paraleleve me të zhvendosurit, duke i konsideruar si të zhvendosur brenda vendit të larguarit nga Kosova për në Serbi prejudikon Kosovën si pjesë të Serbisë. Përkufizimi ndërkombëtar i nocionit “Persona të zhvendosur brenda vendit”, ka kuptimin e largimit të personave për arsye të ndryshme nga vendi i zakonshëm i banimit…, por që nuk kanë kaluar një kufi shtetëror të njohur ndërkombëtarisht.

Kësisoj, refuzimi i mëhershëm i Driton Selmanajt dhe refuzimi i sotëm i Avdullah Hotit dhe Meliza Haradninaj Stubllas, janë dëshmi e shpërfilljes së tyre dhe të kësaj Qeverie të fatit të personave të pagjetur. Të pagjeturit po përdoren si monedhë për kusuritje dhe kushtëzim kinse me kthimin e personave të zhvendosur.

Kontribo

06 10 2020

Një vjetori i fitores së qytetarëve mbi politikën e vjetër qeverisëse

Sot, kur është bërë një vit nga revolucioni demokratik në republikën tonë, që largoi partitë e PAN-it nga pushteti dhe i dha shans opozitës të bëjë qeveri.  Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes ish ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtmedhe Diasporës, Glauk Konjufcës, mbajti një konferencë për ta kujtuar këtë ngjarje, qeverisjen e mirë të VETËVENDOSJE!-s dhe përmbysjen e vullnetit qytetarë nga ish partneri qeverisës LDK që iu bashkua klubit të vjetër politik. Haxhiu dhe Konjufca shprehën bindjen se dyfishimi i VETËVENDOSJE!-s ka ndodhur për shkak se qytetarët tashmë kanë humbur iluzionet edhe për LDK-në që për një karrige i shkeli ata dhe të gjitha reformat e mira për shtetin. Ata theksuan se Avdullah Hoti ka një shans të shkëlqyer për t’i ndihmuar vendit, të jap dorëheqje e t’ia lëshoj rrugën popullit të Kosovës që në mënyrë të ligjshme dhe demokratike të vendosin për qeverinë e re.



Albulena Haxhiu tha se zgjedhjet i dhanë goditje të madhe keqqeverisjes dhe koalicioneve të pazareve të vjetra. Me gjithë pengesat që na u vunë përpara, Lëvizja VETËVENDOSJE! bëri gjithçka që ta jetësojmë vullnetin e qytetarëve.

“Gjatë katër muajve qeverisje dëshmuam që në Kosovë është e mundur të qeveriset ndershëm dhe pa hajni e korrupsion, me një përgjegjësi të lartë ndaj parasë publike. Dëshmuam se shteti mund të çlirohet nga kapësit, se ndërmarrjet mund të jenë të pavarura, se institucionet publike mund të jenë në shërbim të qytetarëve. Mbi të gjitha dëshmuam se një qeveri me legjitimitet e me besim nga qytetarët menaxhon suksesshëm një pandemi që doli para nesh papritmas. Ishte Qeveria Kurti ajo që në fokus kishte të mirën e përbashkët dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë, si dhe interesin ekskluziv të Republikës së Kosovës.”

Ky vullnet i shprehur për qeverinë e shpresës dhe ndryshimit u përmbys dhe u shkel për qeverinë e pazarit dhe nënshtrimit, tha Haxhiu, e cila me bindje të plotë u shpreh se punët e mira e të lëna përgjysmë, do t’i vazhdojmë shumë shpejtë ngase kjo qeveri do të bie.


Konjufca i dha tre shembuj se përse qytetarët nuk i besojnë kësaj qeverie të paligjshme.

Rasti i parë që e dëshmon mosbesimin qytetarë ndaj kësaj qeverie ka të bëjë me menaxhimin e pandemisë. Konjufca përmendi zbritjen e rasteve në 0 gjatë qeverisë Kurti dhe rritjen e vazhdueshme të numrave gjatë qeverisë së paligjshme.

Së dyti, sipas Konjufcës qytetarët kanë parë se kjo qeveri e paligjshme i ka zhbërë shumë vendime të mira dhe pozitive që u ndërmorën kur Albin Kurti ishte kryeministër.

“Duke filluar nga përbërja e Bordeve të Ndërmarrjeve Publike, tash po vazhdojnë kompromiset e njëpasnjëshme të Avdullah Hotit me PDK-në, AAK-në dhe NISMA-n. Prej komandat “Fytyrës” deri te zyrtari i zënë me 113 kg drogë, këso njerëz që kanë probleme serioze me ligjin janë vënë nëpër institucione. Ky është dallim shume i madh me qeverinë Kurti”, theksoi Konjufca.  

Së treti, ai potencoi se në dialogun me Serbinë kjo qeveri është nënshtruar totalisht, dhe se nuk ka kurrfarë koncepti për mbrojtjen e interesit nacional të Kosovës.

“Kosova ka hequr dorë nga njohjet dhe ka bërë lëshime tejet të rënda në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Ngrirja e procesit të anëtarësimit të Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare është e paprecedentë, sidomos kur bëhet edhe si zotim ndaj Serbisë së Vuçiqit”, u shpreh ai.

Konjufca tha se klubit të vjetër politik i janë harxhuar të gjitha letrat e mashtrimit, përfshirë këtu dhe LDK-në si letra e fundit që për një karrige i shkeli ata dhe të gjitha reformat e mira për shtetin. Qytetarët sipas tij nuk kanë më iluzione të besojnë tek ata, andaj janë bërë me VETËVENDOSJE!-n, siç dëshmojnë hulumtimet e opinionit publik ku ne jemi dyfishuar.

Për fund, Konjufca tha se Avdullah Hoti e ka një shans të shkëlqyer për t’i ndihmuar Kosovës, e ky shans është të jap dorëheqje. Kjo dorëheqje do të ishte për t’ia lëshu rrugën popullit të Kosovës që ata në mënyrë të ligjshme të vendosin për veten e tyre, përfaqësimin dhe qeverinë, sepse vullneti demokratik nuk mund të vidhet.

Kontribo

05 10 2020

Takim me përfaqësuesit e organizatës joqeveritare Sustainability Leadership Kosova

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti bashkë me deputeten dhe anëtaren e Kryesisë, Fitore Pacolli, sot takuan përfaqësuesit e organizatës joqeveritare Sustainability Leadership Kosova znj. Indira Kartallozi, drejtore ekzekutive, e cila jeton dhe vepron në Britani të Madhe, dhe znj. Rina Fetahaj, menaxhere.

Në takim u diskutua për zhvillimin dhe mundësinë e fuqizimit të sektorit privat dhe bizneseve sociale në Kosovë dhe për qëndrueshmërinë e tyre karshi sfidave dhe problemeve aktuale. Znj. Kartallozi e informoi Kryetarin Kurti për përvojat e saj dhe trendet botërore që kanë influencuar zhvillimet e bizneseve me misione sociale dhe qëndrueshmërinë e tyre ekonomike në një kohë kur ndryshimet klimatike determinojnë politikat e tyre të funksionimit.

Kryetari Kurti e falenderoi znj. Kartallozi për vizitën e saj si dhe përkushtimin e saj për të ndihmuar ne zhvillimin e reformave biznesore në Kosovë në përpuethshmëri me trendet e reja ekonomike si: ekonima qarkore, gjithëpërfshirese dhe regjenreative. Kurti i informoi se ndërlidhja e zhvillimit ekonomik me çështjet sociale dhe mjedisore janë tejet të rëndësishme dhe të domosdoshme për progresin në vend. Ai shtoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë e hapur për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave në të ardhmen. 

Kontribo

03 10 2020

Takim virtual me ekipin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga z. Gabriel Di Bella dhe znj. Stephanie Eble

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti bashkë me nënkryetarin, Besnik Bislimi dje u takuan virtualisht me ekipin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga z. Gabriel Di Bella dhe znj. Stephanie Eble. Takimi është pjesë e takimeve të rregullta të misionit të FMN-së.

Në takim u shkëmbyen informata mbi zhvillimet e deritanishme me menaxhimin e pandemisë në Kosovë si dhe implikimet e saj si për ekonominë e vendit ashtu edhe për shëndetin e financave publike ne Kosovë. Z. Kurti e njoftoi misionin e FMN-së me qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për disa momente me rëndësi të ndërlidhura me mënyrën se si po menaxhohet ekonomia dhe shëndetësia e vendit në kohën e pandemisë. U fol edhe për problemet që sipas Lëvizjes sonë përcjellin pakon e rimëkëmbjes ekonomike të përgatitur nga Qeveria jolegjitime, të cilat edhe po e pamundësojnë kalimin e saj në kuvend. Sidomos u veçuan parregullsitë e shumta që e shoqërojnë trajtimin që i bën qeveria jolegjitime trustit pensional të vendit si dhe të hyrave të grumbulluara nga procesi i privatizimit.

Kontribo

01 10 2020

Është e padrejtë të barazohen të pagjeturit dhe të zhvendosurit

Në konferencën e sotme për media, ish-ministrja e drejtësisë, Ablulena Haxhiu dhe deputetja Saranda Bogujevci folën për pikën 12 të zotimeve të Hotit në Uashington, ku tekstualisht barazohen të pagjeturit me të zhvendosurit. Për Haxhiun dhe Bogujevcin në vend se të bëhen zotime që nuk përkojnë me realitetin e asaj që ka ngjarë këtu, qeveria e Kosovës duhet t’i bëjë kërkesa specifike Serbisë që lidhen me të pagjeturit.

Albulena Haxhiu tha se kërkesat për të pagjeturit janë kërkesa që duhet të plotësohen pa kushte, para çfarëdo teme tjetër. “Serbia e ka obligim ndaj Kosovës. Serbia e ka obligim ndërkombëtar që  të  jep informacione për personat e zhdukur, që  i ka marrë  me  dhunë. Serbia duhet t’i kthejë  ata, pa asnjë kusht, pas asnjë barazim.”

Për Haxhiun përveç se është e padrejtë të barazohen të pagjeturit me të zhvendosurit, Kosova asnjëherë  nuk ka injoruar ose refuzuar kthimin e qytetarëve që  kanë  jetuar në  Kosovë  për shkak të  etnisë. “Gjithë  këto vite s’ka pasur asnjë  rast që  është  rrezikuar ose nuk është  lejuar të  jetojë  në  Kosovë. Po të  kishim bërë  diçka të  tillë, kjo do të  evidentohej në  raporte të  shumta ndërkombëtare që  bëhen për Kosovën, por jo për këtë  s’ka pasur kritika asnjëherë  për Kosovën”, tha ajo.

Deputetja Saranda Bogujevci ritheksoi se çështja e të pagjeturve nuk është një çështje që mund të negociohet me Serbinë, por çështje për të cilën shteti i Kosovës duhet të ketë kërkesa specifike për shtetin e Serbisë.

Bogujevci përmendi të drejtën për të ditur, që nënkupton dije për atë se çfarë ka ndodhur me personin e zhdukur dhe kush e ka kryer krimin. “Kjo nuk përmendet fare, as atëherë kur flitet për të pagjeturit. Kemi rastin e Ukshin Hotit për të cilin nuk dimë asgjë, rastin e civilëve të vrarë dhe të zhdukur, të zonjës Ferdonije, dhe rastet tjera si ai i Fehmi Aganit, Bajram Kelmendit e shumë të tjerëve.”  

Ajo foli edhe për nevojën e dokumentimit dhe digjitalizimit të të dhënave. Për rëndësinë e aplikimit të testimit ADN në identifikimin e kufomave, dhe për ngritjen e stafit në komisionit qeveritarë për të pagjeturit, në mënyrë që të shtohet e lehtësohet puna e tyre.

Bogujevci kujtoi rezolutën e kaluar në Kuvendin e Kosovës ku njëra pikë ka të bëjë me shkëmbimin e të dhënave. Ajo tha se duhet t’i bëhet presion ndërkombëtarë Serbisë që ta nënshkruaj një marrëveshje të tillë edhe me ne.

Në fund të fjalës së saj, ajo ndau shqetësimin me përgjigjen e zv. kryeministrit Selmanaj ndaj kërkesës që deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga komisioni për të drejta të njeriut, ku ai refuzoi të raportojë duke thënë se tema e të pagjeturve është konsumuar dhe ezauruar.  

“Një përgjigje e tillë, një refuzim duke u shërbyer me fjalë si e konsumuar dhe ezauruar, tregon se sa të rëndësishme e kanë këta çështjen e të pagjeturve”, tha ajo

Kontribo

01 10 2020

Homazhe te profesori i ndjerë, akademiku, Ejup Statovci

Këtë përvjetor të protestës së 1 tetorit 1997, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në përbërje me anëtarë të kryesisë, deputetë dhe aktivistë, bënë homazhe te profesori i ndjerë, akademiku, Ejup Statovci. Profesori Statovci si rektor i Universitetit të Prishtinës qëndroi në ballë të protestave që kërkonin lirimin e pakusht të objekteve dhe hapësirave të okupuara universitare. Vendosmëria e treguar nga ai, kolegët e tij akademikë, dhe prej mijëra studentëve tjerë që po ndiqnin mësimet dhe rrugën e tyre i dhanë krenari e dinjitet popullit për t’u çliruar nga një regjim kriminal e shovinist por edhe shpresë për ditë më të mira lirie. Prej profesor Statovcit mësuam se edhe dija ka nevojë për çlirim por edhe çlirim ka nevojë për dije.

Kontribo

30 09 2020

Zgjedhja e jashtëligjshme e Kryeshefit të SKQZ-së, rrezikon zgjedhjet e lira, fer dhe demokratike

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi një konferencë për media ku dy përfaqësuesit e saj në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Sami Kurteshi dhe Alim Rama, folën për shkeljet e bëra gjatë procesit të përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të Sekretariatit të KQZ-së. Për asye e qëllime politike, udhëzimi administrativ që ka të bëjë me caktimin e panelit që bënë përzgjedhjen dhe propozimin e të përzgjedhurit për këtë pozitë është ndryshuar pasi është shpallur konkursi, kandidatët kanë dorëzuar dokumentet dhe konkursi është mbyllur. Kjo përbën një shkelje ligjore ngase është thyer parimi ligjor i sigurisë juridike. Nuk mund të ndryshohen rregullat pasi të fillojë loja. Partitë e koalicionit të kësaj qeverisje të paligjshme së bashku me PDK-në u bënë bashkë për ta vënë të preferuarin e tyre në krye të këtij institucioni dhe kjo cenon jo vetëm institucionin në fjalë, por edhe proceset zgjedhore në të ardhmen, theksuan Kurteshi e Rama në këtë konferencë.


Sami Kurteshi shpjegoi se procesi i përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të Sekretariatit të KQZ-së ka filluar në qershor, por për shkak të pandemisë është zvarritur me arsye. Ai tha se në procesin e përzgjedhjes, pas shpalljes së konkursit dhe pas dorëzimit të dokumenteve nga kandidatët, e më pas edhe mbylljes së konkursit nga KQZ, për arsye politike është ndryshuar udhëzimi administrativ që ka të bëjë pikërisht me caktimin e panelit që bënë propozimin e të përzgjedhurit për këtë pozitë.

“Këtu kemi hapur një shkelje ligjore sepse është thyer parimi ligjor i sigurisë juridike, askund nuk ndryshohen rregullat e lojës pas fillimit të saj. Por duket se sot në Kosovë, nëpër të gjitha institucionet publike, ky koalicion qeverisës së bashku me një pjesë të ‘opozitës’ po provon t’i zaptojë të gjitha pozitat shtetërore. Të gjithë po bëhen bashkë për ta ndarë kulaçin”, tha Kurteshi.

Përfaqësuesi tjetër i Lëvizjes në KQZ, Alim Rama, foli për kronologjinë e shkeljeve që kanë ndodhur gjatë këtij procesi.

“Shkelja e parë ka qenë ndryshimi i udhëzimit administrativ. Kjo nuk u bë thjeshtë sa për ta siguruar kandidatin e tyre. Nëse e shikojmë rolin e Kryeshefit Ekzekutiv të Sekretariatit të KQZ-së, shohim se ky rol bartë përgjegjësinë kryesore për organizimin e zgjedhjeve. Nëse të duhet dikush e patjetër edhe jashtëligjshëm synon ta vësh në këtë pozicion atëherë kjo normalisht që ngritë shqetësimin  për manipulimin e zgjedhjeve”, tha Rama.

Ai tha procesi ka qenë i rregullt deri me datë 12 gusht kur brenda KQZ-së nuk ka pasur dakordësi për atë se çfarë përbërje duhet të ketë paneli. “Ka ekzistuar rregulli, ku në përbërjen prej pesë anëtarëve të panelit, dy janë përfaqësues të pozitës, dy prej opozitës dhe një nga minoritetet. Kjo nuk u ka pëlqyer disa anëtarëve pasi e kanë parë që me atë përbërje nuk mund ta shtyjnë përpara përzgjedhjen e kandidatit të tyre.”

Rama listoi edhe shkeljet tjera që kanë të bëjnë me vlerësimin e kandidatëve. Kandidati i koalicionit qeverisës është votuar njëherë për të parë se ku qëndron me vota, e më pas kur është parë që nuk qëndron mirë, në fazën e intervistimit është vlerësuar me më shumë pikë për ta krijuar distancën mes tij dhe kandidatëve të tjerë.

Shkeljet tjera lidhen me afatet kohore, ku shkelja më e rëndë është ajo e përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të SKQZ-së pa përfunduar afati i ankesave nga kandidatët tjerë që morën pjesë në konkursin e shpallur. Pra, kryeshefi ende pa përfunduar afati ligjor për ankesa ka filluar punën.

“E kanë ftuar zyrtarin ligjor të SKQZ-së, i cili është në pushim mjekësor nga data 14 shtator, dhe vazhdon të jetë, për ta thënë se nuk është bërë asnjë shkelje dhe se mund të procedojnë tutje me emërimin e Kryeshefit Ekzekutiv të SKQZ-së. Për të njëjtin rast, ky zyrtar ligjor pati thënë të kundërtën, pra që duhet pritur shqyrtimin e të gjitha ankesave, përfshirë edhe ato që janë nëpër gjykata”, tha Rama.

Në fund, Rama tha se dakordimi i partive të koalicionit qeverisës dhe PDK-së që ta shtyjnë qoftë edhe jashtëligjshëm kandidatin e tyre në krye të një detyre kaq të rëndësishme që merret me organizimin e zgjedhjeve, është tendencë e hapur t’i manipuluar zgjedhjet e lira dhe demokratike në të ardhmen.

Kontribo

27 09 2020

Mbahet mbledhja e XLI e Këshillit të Përgjithshëm

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot mbledhjen e XLI të organit të saj më të lartë, Këshillit të Përgjithshëm, ku u diskutuan shumë çështje politike dhe organizative.

Këshilli i Përgjithshëm, diskutoi mbi situatën politike në vend, për procesin e zgjedhjeve të brendshme të përgjithshme që ka filluar tashmë, si dhe trajtoi propozimet për reformë organizative e statutore.

Në pjesën e parë të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, anëtarëve të Këshillit ju drejtua Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari Albin Kurti vlerësoi lart dhe si të rëndësishëm procesin e zgjedhjeve të brendshme që ka filluar nëpër qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku nëpër fshatrat e lagjet e Kosovës po votohen strukturat e reja të Lëvizjes. Kjo po dëshmon edhe se mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë është e mundshme po aq sa është edhe e nevojshme.

Lidhur me situatën politike, Kryetari Kurti, ndër të tjera theksoi se ajo është e konfiguruar në formën e një rreziku të trefishtë. Rreziku i parë është pandemia, me rikthimet e saj të furishme, me efektin e saj rrënues për ekonominë dhe për shëndetin. Rreziku i dytë, është procesi i zotimeve me Serbinë, ku Avdullah Koti po shpejton të nënshkruajë gjithçka, të hapë çdo temë, duke e degraduar pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe statusin e vendit tonë, si shtet i pavarur e sovran dhe rreziku i tretë që ka të bëjë me Gjykatën Speciale.

Siç kemi thënë publikisht në Parlament, po të jetë në qeveri VETËVENDOSJE!, ne do t´i mbronim luftëtarët e UÇK-së. Por Thaçi, bashkë me LDK-në e rrëzoi qeverinë tonë të mirë sepse ishte qeveri e mirë. Kush po i mbron tash ushtarët e UÇK-së? Është për të ardhur keq se si askush nga qeveria e nga presidenca, pra nga institucionet tona, nuk po e çel gojën. Edhe një herë po vërtetohet se, ata që janë korruptuar, e që janë shantazhuar, nuk mund ta mbrojnë e as nuk mund ta përfaqësojnë luftën.

Në pjesën tjetër, Këshilli i Përgjithshëm diskutoi edhe për organizimin e zgjedhjeve të brendshme të nisura javë më parë. Ky proces i rëndësishëm organizativ në një kohë kur është dyfishuar mbështetja qytetare për Lëvizjen VETËVENDOSJE! do të na fuqizojë edhe më shumë nëpër pika dhe qendra. Këshilli miratoi vendimin që autorizon ndërmarrjen e operacioneve të nevojshme zgjedhore për të mundësuar zgjedhje gjithëpërfshirëse, të drejtpërdrejta, të lira e të ndershme.

Po ashtu në këtë mbledhje u prezantuan propozimet e Grupit për reformë organizative që adresojnë ndryshime e plotësime të rëndësishme e të nevojshme organizative, të cilat do ta fuqizojnë edhe më shumë Organizatën.

Pas përfundimit të diskutimeve të vlefshme për çështje organizative, Këshilli i Përgjithshëm vazhdoi diskutimin për situatën politike në vend e për domosdoshmërinë e zgjedhjeve parlamentare si zgjidhja e vetme e gjendjes së rëndë në të cilën e kanë katandisur vendin si në planin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Kontribo

25 09 2020

Takim me asamblistin nga Medvegja, z. Muharrem Salihu.

Sot, nënkryetari i LV-së dhe ish-ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi së bashku me ish ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëherit anëtarin e kryesisë së Lëvizjes, Glauk Konjufca, pritën në takim asamblistin nga Medvegja, z. Muharrem Salihu.

Në këtë takim u fol për problemet me të cilat ballafaqohen banorët e Medvegjës, e që janë si të natyrës ekonomike ashtu edhe politike. Serbia ka ç’regjistruar një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë të kësaj komune me qëllim të qartë për ta deformuar zyrtarisht strukturën demografike të kësaj komune shqiptare. Ajo po ashtu po synon t’i tjetërsojë pronat tokësore që janë mbi 50% në pronësi të shqiptarëve, dhe përmes implementimit të planeve urbanistike po pamundëson aktivitetet ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve.

Me z. Salihu diskutuam mbi të gjitha këto dhe ndamë bindjen që Republika e Kosovës duhet të punojë edhe më shumë jo vetëm në dëgjimin e problemeve të shqiptarëve në atë komunë, por edhe në ngritjen e tyre në nivel ndërkombëtar. Gjithashtu u pajtuam që për të filluar një gjallërim ekonomik në atë pjesë, pikë kalimi në Mutivodë duhet të shndërrohet në pikë kufitare gjë që do t’i ndihmonte ndjeshëm prodhuesit në Medvegjë të cilët ende shfrytëzojnë rrugë të largëta për komunikim tregtarë me Republikën e Kosovës.

Kontribo

22 09 2020

Takim me drejtorin e selisë së fondacionit Friedrich-Ebert (FES) në Kosovë, z. René Schlee.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, priti sot në takim drejtorin e selisë së fondacionit Friedrich-Ebert (FES) në Kosovë, z. René Schlee.

Kryetari Kurti e falenderoi drejtorin Schlee për angazhimin rreth anëtarësimit të Lëvizjes sonë në Aleancën Progresive dhe për mbështetjen gjatë vizitës së fundit në Berlin.

Në takim u diskutua mbi pesë shtyllat e programit tonë të qeverisjes alternative dhe ndihmën të cilën mund të na e ofrojë FES-i. Përmirësimi i gjendjes socio-ekonomike, edukimi dual dhe punësimi i të rinjëve e i grave, si dhe rikthimi i trurit nga mërgata jonë, do të jenë në fokus të programit e planit tonë dhe prioritete të qeverisjes sonë të ardhshme e të mirë.

Kontribo

22 09 2020

100 ditëshi i dështimeve dhe dëmeve pafund të qeverisë së paligjshme

Këto 100 ditë qeverisje janë përcjellë nga vendime të dëmshme për interesat shtetërore të Kosovës, paaftësi për të qeverisur në interes të qytetarëve dhe koncesione të shumta për Serbinë. Asnjëherë më parë në një kohë kaq të shkurtër nuk i janë shkaktuar kaq shumë dëme e pasoja vendit. Pikërisht për këtë, Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Arbërie Nagavci, sot ka kërkuar që të thirret Avdullah Hoti për raportim në Kuvend.

Që në ditët e para, kjo qeveri jolegjitime mori vendim për heqjen e reciprocitetit me Serbinë, në kohën kur Serbia kishte filluar të pranonte dokumentet me mbishkrimin ‘Republika e Kosovës’.

Në planin e brendshëm, ajo dështoi për të menaxhuar situatën me pandeminë COVID-19. Nga pothuajse zero të infektuar në ditët kur mori detyrën e shndërroi vendin në një vatër të infeksionit në Evropë. Nga shembulli i menaxhimit të vlerësuar në nivel global, e nxori Kosovën në krye të listave të vendeve me gjendjen më të rëndë me COVID-19, e numrin më të madh të vdekjeve në botë.

Paaftësi dhe mungesë efikasiteti dëshmoi edhe në planin social dhe ekonomik. Me deklarata kontradiktore për pako të rimëkëmbjes prej 1.2 miliard eurosh, ajo dështoi të ekzekutojë për një kohë të gjatë edhe masat nga Pakoja Fiskale Emergjente të nisura nga Qeveria Kurti. Në drejtim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe shëndetit publik, kjo qeveri braktisi qytetarët e infektuar me COVID-19 duke hequr dorë nga përgjegjësia e shtetit për t’i testuar pa pagesë. Qytetarët, përkundër përkeqësimit të gjendjes ekonomike për shkak të pandemisë, u detyruan të testohen në laboratorët privatë me çmime astronomike.

Më tej, në planin ndërkombëtar kjo qeveri filloi me pezullimin antikushtetues të së drejtës së Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Kjo u bë sipas interesit dhe kërkesës së Serbisë. Për të vazhduar edhe më tutje shkaktimin e dëmeve për Republikën nga zotimet e njëanshme në takimin e 4 shtatorit për të ndarë shfrytëzimin e liqenit të Ujmanit, pronë e Kosovës, pranimin e marrëveshjes së Novi Sadit, të ashtuquajtur minishengen, devijimin e infrastrukturës hekurudhore, e deri tek qëndrimet se do të zbatohet marrëveshja antikushtetuese për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.E varur nga Lista Serbe, ajo lejoi organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë të cilat u mbajtën duke e konsideruar Kosovën pjesë të Serbisë; filloi rikthimin e kapjes së ndërmarrjeve dhe kompanive publike; ndërpreu procesin për vënien në binarë të ligjshmërisë dhe të integritetit në shërbimin e jashtëm dhe diplomaci; manifestoi mungesë strategjie dhe plani për fillimin e vitit të ri shkollor.

Po ashtu, gjatë këtyre 100 ditëve kjo qeveri ndërmori veprime të dëmshme për të penguar procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë të nisur nga Qeveria Kurti. Masat dhe veprimet për ndërtimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit dhe luftimin e ndërhyrjeve politike në administratën publike dhe sistemin e drejtësisë ishin vlerësuar lartë edhe nga Departamenti i Shtetit në raportin e vitit 2020.

Pa program të qartë dhe pa vizion, kjo qeveri e futi në kaos shtetin e Kosovës në planin e brendshëm dhe riktheu mendësinë keqqeverisëse të cilën e kishin ndëshkuar qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e fundit. Ajo vazhdon të rrezikojë përditë interesat shtetërore, qoftë duke vënë në dyshim sovranitetin dhe integritetin në planin e jashtëm, qoftë duke cenuar karakterin unitar të shtetit përmes planeve për themelimin e “Zajdenicës”.

Kontribo

21 09 2020

Takim me ambasadoren suedeze, znj. Karin Hernmarck Ahliny.

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, priti në takim ambasadoren suedeze, znj. Karin Hernmarck Ahliny.

Ambasadorja znj. Hernmarck Ahliny e uroi kryetarin Kurti për anëtarësimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Aleancën Progresive, duke i dëshiruar angazhim të suksesshëm përbrenda kësaj aleance. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin. Ai tha se ky anëtarësim i VETËVENDOSJE!-s është tejet i rëndësishëm edhe për faktin që shumë shtete që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës kanë votuar për anëtarësimin tonë. Kjo tregon se ka hapësirë bashkëpunimi politik e ekonomik, dhe përmes lobimit të suksesshmëm mund të ketë përmirësime të qëndrimeve të atyre shteteve që ende nuk e kanë njohur vendin tonë.

Në këtë takim miqësor, kryetari Kurti e njoftoi ambasadoren znj. Hernmarck Ahliny edhe me platformën e Qeverisjes Alternative të Lëvizjes që parasheh rrugëdalje nga problemet e shumëfishta me të cilat ballafaqohet vendi, duke u koncentruar rreth zhvillimit ekonomik që krijon vende të reja pune e drejtësisë si sociale ashtu edhe asaj gjyqësore në Kosovë. Ai po ashtu e njoftoi për ndryshimet që parashihen të bëhen në statutin e Lëvizjes e që mundësojnë krijimin e organizatës së grave dhe asaj të të rinjëve të VETËVENDOSJE!-s. Tutje, kryetari Kurti foli edhe për procesin e brendshëm zgjedhor e demokratik të organizatës që filloi dje me datë 20 shtator, e që do ta përkthejë anëtarësinë e shtuar, sidomos përgjatë viteve të fundit, në një strukturë edhe më të plotë, edhe më të përgatitur për t’u rikthyer në qeverisje e për t’u përballur me problemet socio-ekonomike dhe betejat politike në vend.

Kontribo

21 09 2020

Mbi deklaratën e presidentit Trump për Kosovë-Serbi

Dje dëgjuam presidentin e ShBA-ve të flasë në një tubim elektoral për “ndalje të vrasjeve masive mes Kosovës dhe Serbisë”, që paskan bërë krime të tilla kundër njëra-tjetrës, “për shekuj me radhë”.

Besimi se lufta e Kosovës e ka themelin te urrejtjet e lashta etnike, e te mospërputhja esenciale mes popullit serb e shqiptar, është besim i gabueshëm, i cili injoron rolin kryesor të Milosheviqit dhe regjimit të tij në shkaktimin e luftës. Po ashtu, ky besim anashkalon faktin se lufta nuk u urdhërua e nuk u organizua “prej qytetarëve”, por prej ushtrive e policive, me hierarki e përgjegjësi të qartë komanduese. Këtë temë e shtjellon historiani Noel Malcolm, “Kosova – Një histori e shkurtër”, i cili tash e dy dekada është bërë lektyrë për ushtarakët e KFOR-it, pra edhe ata amerikanë, të stacionuar në Kosovë, dhe mendojmë se duhet të lexohet edhe prej diplomatëve e këshilltarëve të presidentit që merren me çështjen e Kosovës e atë të Serbisë. Nëse lufta në Kosovë do të kishte qenë e karakterit etnik, pra dallimi etnik na paska shkaktuar konfliktin, atëherë kurrë nuk do të intervenonte NATO dhe Milosheviqi nuk do të mund të konsiderohej përgjegjës prej vetë ShBA-ve, NATO-s, OKB-së, e vendeve kryesore demokratike të botës. E vërteta është që prapa krimeve e masakrave qëndronte një aparat shtetëror gjenocidal (i cili më herët kishte sulmuar në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë), kurse në anën tjetër populli shqiptar i pambrojtur në Kosovë, që u vetëmbrojt. NATO nuk mund të qëndronte duarkryq teksa Srebrenica po përsëritej në Kosovë.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Serbia ka ushtrinë më të armatosur dhe buxhetin më të madh ushtarak në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe blen armë prej Perëndimit, por ç’është më e keqja, vazhdimisht blen prej Rusisë, e së fundi u bë vendi i parë evropian që blen sisteme armatimi prej Kinës. Ndërsa Kosova, e cila ka partner të vetëm gjeopolitik perëndimin, ShBA e NATO, ka një ushtri minimale, nuk ka as armatim të rëndë e as buxhet të mjaftueshëm. Si mund ta rrezikojë Kosova e varfër dhe e çarmatosur Serbinë? Është Serbia ajo që ka pretendime në Kosovë, dhe armatimi i saj ofensiv nuk ka për synim vendet e largëta të botës, por pikërisht vendet fqinje e në radhë të parë Kosovën.

Me këtë qasje rehabilituese të kriminelëve të luftës, nuk po vendoset paqja mes Kosovës e Serbisë, por po zgjatet konflikti i ngrirë. Paqja vendoset kur dënohen e çarmatosen fajtorët e kur ShBA mbështet drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e Kosovës, siç ka bërë gjithnjë. Paqja vendoset kur Serbia e njeh Kosovën e pavarur dhe ballafaqohet me të kaluarën e saj. Jo kur rehabilitohen ish bashkëpunëtorët e Milosheviqit që bënë agresion e kryen gjenocid.

————————————————————————-

Yesterday we heard the President of the United States speak at an election campaign rally about “stopping mass killings between Kosova and Serbia,” who supposedly have been committing such crimes against each other “for hundreds of years.”

The claim that the Kosova war has its basis in ancient ethnic hatred, and in a fundamental enmity between the Serbian and Albanian peoples, is mistaken, as it ignores the central role of Milosevic and his regime in bringing about that war. Furthermore, this claim ignores the fact that the war was not ordered or organized “by the people,” but by armies and police, with a clear hierarchy and command responsibility. This topic is expounded clearly by the historian Noel Malcolm in his “Kosovo: A Short History,” which for two decades has been required reading for KFOR soldiers — including American soldiers — stationed in Kosova. We believe it should also be read by the President’s diplomats and advisors dealing with issues related to Kosova and Serbia. If the Kosova war had been of an ethnic character, if ethnic differences supposedly had been the cause of the conflict, then NATO would never have intervened, and Milosevic would never have been considered culpable by the United States, NATO, the UN, and the major democratic countries of the world. The truth is that behind the crimes and the massacres lay a genocidal state apparatus, which had previously attacked Slovenia, Croatia, and Bosnia and Hercegovina. And on the other side was the unprotected Kosova Albanian people, who had no choice but to fight in their own defense. And NATO could not stand idly by while the horrors of Srebrenica were being reenacted all over Kosova.

The President’s statement comes at a time when Serbia has the most well-armed military and the biggest military budget in the Western Balkans. Some of these weapons it has purchased from the West; but more troubling is that it continuously purchases weapons from Russia as well, and recently became the first European country to purchase weapons systems from China. Kosova, on the other hand, whose only geopolitical partners are in the West, including the United States and NATO, has a small army and does not possess heavy weaponry; nor does it have a sufficient budget. How can a poor, unarmed Kosova pose a danger to Serbia? After all, it has always been Serbia that has laid claim to Kosova, not the other way around. Serbia’s offensive weapons do not have as their target faraway lands, but rather its neighbors, with Kosova being first and foremost in its sights.

A rehabilitative attitude toward war criminals will not bring peace between Kosova and Serbia; it can only prolong our frozen conflict. Peace will come when the guilty are punished and disarmed, and when the United States supports international justice and Kosova’s independence, as it has always done. Peace will come when Serbia recognizes the independence of Kosova, and when it confronts its own past — not with the rehabilitation of Milosevic’s collaborators, guilty as they are of committing aggression and genocide.

Kontribo

20 09 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpall zgjedhjet e brendshme

Ashtu siç e parasheh statuti ynë e siç e kërkon demokracia e brendshme, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shpallur zgjedhjet e brendshme të përgjithshme. Nga 20 shtatori, secili anëtar i Lëvizjes, dhe kurdo që është anëtarësuar, do të ketë të drejtë për të votuar e për t’u kandiduar.

Zgjedhjet do të jenë të drejtpërdrejta, të lira e demokratike. Në fund të këtij procesi do të kemi struktura edhe më të fuqishme ashtu siç e kemi edhe mbështetjen e jashtëzakonshme të qytetarëve.

Në 30 qendra të Lëvizjes në Kosovë e 13 qendra në mërgatë, anëtarët e Lëvizjes do të kenë mundësi që përmes parimit “një anëtar, një votë” të zgjedhin kryesitë e kryetarët e pikave nëpër lagje e fshatra, të propozojnë kandidatët që vlerësojnë më së shumti apo edhe të vetpropozohen.

Të gjithë anëtarët do të kontaktohen për të marrë pjesë në zgjedhje, kurse ju që mbështetni Lëvizjen, por nuk jeni anëtarësuar ende, vizitoni zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE në komunën tuaj dhe anëtarësohuni që të bëheni pjesë e këtij procesi demokratik.

Lëvizja fton të gjithë anëtarët që të bashkohen në këtë proces zgjedhor.

Bashkë në organizim – bashkë në drejtim!

Kontribo