07 09 2020

Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Arbërie Nagavci ka kërkuar thirrjen në raportim të Avdullah Hotit lidhur me zotimet e bëra si koncesione ndaj Serbisë.

Më 4 shtator, Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe delegacioni që shoqëronte atë bëri zotime për koncesione ndaj Serbisë për çështje dhe tema që prekin drejtpërdrejt sovranitetin shtetëror dhe bien në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës. Këto zotime si vullnet personal, i konfirmoi me nënshkrimin e tij në fund.

Përkundër deklarimeve të vazhdueshme në Kuvend e jashtë tij të vetë z. Hoti, se platformë e dialogut me Serbinë është vetëm Kushtetuta e Republikës së Kosovës, andaj dhe nuk kemi nevojë për platformë tjetër, kurse mini-shengenin e konsideronte të dëmshëm për Kosovën dhe që i shërben vetëm Serbisë, ajo çfarë pamë më 4 shtator, ishin zotime e koncesione krejtësisht të kundërta me deklarimet e mëparshme e në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës e dëm të interesave të Kosovës.

Ajo çfarë u quajt normalizim ekonomik, më shumë është normalizim i Serbisë brenda Kosovës. Nga përfshirja e Serbisë në shfrytëzimin e përbashkët të resurseve shtetërore të Kosovës, devijimi i linjës hekurudhore nga veriu i Mitrovicës në drejtim të Merdares sipas kërkesës së Serbisë, njohja e të drejtave të Serbisë mbi liqenin e Ujmanit e nxitja e ndërhyrjes në sovranitetin energjetik të Kosovës, prodhimin, tregun dhe sigurinë. Ndërsa, mini-shengeni mundëson hegjemonin ekonomike e tregtare të Serbisë si një ide dhe synim i saj, në një kohë që as nuk e njeh shtetin e Kosovës, e deri tek zotimi antikushtetues për heqjen dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare që në fakt është heqje dorë nga shtetësia dhe nga kërkesa për njohje kolektive të shtetit të Kosovës. Për më tepër mundësimi i daljes në detin Adriatik, duke i vënë infrastrukturën shtetërore të Kosovës në dispozicion të Serbisë dhe kushtëzimi i turpshëm i çështjes së personave të zhdukur e bëjnë këtë marrëveshje të dëmshme për Kosovën dhe interesat e saj si dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjithashtu vazhdimi i dialogut sot në Bruksel me hapjen e temave të reja, siç është asociacioni i komunave me shumicë serbe, janë goditje të shumanshme që po i bëhen rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror sa në njërin takim, sa në tjetrin, gjithnjë sipas kërkesave të Serbisë.

Kontribo

04 09 2020

Rruga e njëjtë çon në dështime të njëjta

Dy marrëveshje porsa u nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë në Washington D.C. Duhet të sqarohet, pse pati nevojë për dy marrëveshje? Kush me kë ka lidhur marrëveshje, kush ka nënshkruar, sepse këto nuk janë marrëveshje mes Kosovës e Serbisë. A janë këto veç një hapje e rrugës për Serbinë në Washington?

Ajo çfarë u quajt sot normalizim ekonomik, më shumë ngjan si një ekonomizim i dështimit të shkëmbimit territorial. Mbi të gjitha, qeveria koti edhe një herë gënjeu, sepse njohja reciproke nuk u arrit, ndërkohë që çështjet e brendshme të Kosovës edhe një herë u trajtuan me Serbinë, gjë e cila është e papranueshme.

Në pikën 7 të marrëveshjes thuhet se dy palët, pra Kosova e Serbia, do të punojnë me SHBA-të për studim fizibiliteti për ndarjen e liqenit të Ujmanit, si burim uji e energjie. Kjo pikë konsiston në rikthimin e Serbisë në Kosovë, pra duhet konsideruar si tradhti. Kosova është e pavarur prej Serbisë, Liqeni i Ujmanit është burimi më i rëndësishëm ujor i Kosovës, dhe është pronë e Republikës së Kosovës, tërësisht. Njohja e të drejtave të Serbisë mbi liqenin e Ujmanit, e bën këtë marrëveshje të papranueshme për Kosovën.

Po në atë pikë përmendet diversifikimi i furnizimit me energji. Kjo do të thotë se sërish po lejohet dhe nxitet ndërhyrja e Serbisë në sovranitetit energjitik të Kosovës, prodhimin, tregun dhe sigurinë. Kjo e dëmton rëndë inkuadrimin e Kosovës në arritjen e fundit të Kosovës në marrëveshje me ENTSO-E duke u shkëputur nga blloku energjitik me Serbinë.

Në pikën 5 të marrëveshjes deklarohet se Kosova do të bëhet pjesë e iniciativës së quajtur «minischengen». Kjo iniciativë është kritikuar me kohë, nga shumë palë. Kosova nuk ka asnjë arsye që të bëhet palë në ndonjë marrëveshje me një vend që nuk e njeh atë, siç është Serbia. Për më tepër që ky “minishengen” është nje hapësirë që do të hegjemonizohej lehtë nga Serbia, për shkak të pabarazisë ushtarake, demografike e ekonomike mes saj dhe vendeve të tjera. Projekti i “minischengenit” është kritikuar me të drejtë nga shumica e subjekteve politike në Kosovë, ndaj nënshkrimi në këtë marrëveshje tregon se ajo nuk reflekton aspak pikëpamjet e palës së Kosovës.

Në pikën e parafundit të marrëveshjes deklarohet se Kosova për një vit angazhohet të mos kërkojë më anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Kjo është kërkesë që Kosova për një vit të heqë dorë prej sjelljes së saj si një shtet normal e sovran. Pse t´i kërkohet Kosovës që të heqë dorë nga sovraniteti i saj, qoftë dhe përkohësisht? Ç´lidhje ka kjo me zhvillimin ekonomik të Kosovës? Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare i ndihmon ekonomisë, nuk e pengon atë.

Në marrëveshje thuhet se Kosova e Izraeli do të njihen në mënyrë reciproke, e kjo është një lajm shumë i mirë. Por pse duhet që kjo njohje reciproke të lidhet me këtë marrëveshje të keqe, e cila e sjell Serbinë në Kosovë?

Po ashtu, marrëveshja tregon se Kosova do të lejojë korridoret hekurudhore e rrugore që Serbia të dalë në detin Adriatik. Nëse as me këtë lëshim Kosova nuk e mori njohjen prej Serbisë, çka tjetër do të duhet të lëshojë? Devijimi i rrugëve prej Mitrovicës në Merdare, dhe përfshirja në një marrëveshje ndërshtetërore i rrugëve të brendshme të Kosovës, krijojnë terren për një projekt të rrezikshëm, siç është ai i ndarjes territoriale të pjesës veriore të vendit. Për më tepër, në marrëveshje merren zotime për rrugë që dalin në Durrës e Shëngjin, mirëpo Shqipëria nuk ka qenë palë në takim e as në marrëveshje.

Sa i përket pikave ekonomike, një pjesë e tyre do të duhet të ishin tashmë të kryera, për shkak të marrëveshjeve të lidhura më parë gjatë dialogut teknik. Megjithatë ato nuk janë zbatuar nga pala serbe, sepse ka munguar afatizimi, si dhe mekanizmat ndëshkues në rast moszbatimi. Edhe në këtë rast, shohim se mungon afatizimi për investimet, por edhe mekanizmat për të ndëshkuar palët që nuk i zbatojnë zotimet.

Mënyra e trajtimit të çështjes së personave të zhdukur është e turpshme dhe ofenduese ndaj të gjitha viktimave të luftës. Me këtë pikë Kosova dhe Serbia trajtohen si të barabarta, duke anashkaluar në tërësi faktin që akoma kemi 1641 persona të zhdukur si rezultat direkt i krimeve të kryera nga Serbia.

Kërkim falja për krimet e kryera dhe dëmshpërblimi për dëmet e shkaktuara gjatë luftës në Kosovë nuk përmendet askund.

Çka është skandaloze është se në këtë marrëveshje që pretendon të rregullojë ekonominë, nuk përmenden fare dëmet e luftës, e as reparacionet për to. Por varfëria e thellë në Kosovë vjen edhe si pasojë e shkatërrimit masiv të pronave private e publike në Kosovë, gjatë regjimit të Milosheviqi dhe sidomos gjatë fushatës gjenocidale që Serbia ushtroi në Kosovë në vitet 1998-1999.

Është po ashtu e papranueshme që Kosova të pasqyrohet si një vend islamik, arab apo i Lindjes së Mesme. Kosova është vend evropian, demokraci shekullare, dhe nuk është pranë Lindjes së Mesme as gjeografikisht as historikisht. Pasqyrime të tilla e dëmtojnë Kosovën, nëse lejohen të zënë vend.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mban qëndrimin se kjo marrëveshje e lidhur prej një qeverie pa legjitimitet, është një tjetër dështim dhe përfaqësim i padenjë përballë Serbisë, duke qenë se u shkua në takim pa strategji, pa plan, pa objektiva. Kjo marrëveshje duhet të kundërshtohet në Kuvendin e Kosovës, përndryshe do të çojë drejt lëshimeve të tjera, edhe më të rrezikshme. Marrëveshja afron Serbinë brenda në Kosovë, ndërkohë që njohja prej Serbisë nuk po afrohet.

Kontribo

03 09 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot organizoi konferencë për medie në të cilën foli kryetari, Albin Kurti.

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot organizoi konferencë për medie në të cilën foli kryetari, Albin Kurti. Theksi ishte takimi i paralajmëruar për 4 shtator në Washington në mes delegacionit të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë.

Për këtë takim, që na u tha se do të flitet për çështje ekonomike dhe do të arrihen marrëveshje të karakterit të tillë, kryetari Kurti, gjatë fjalës së tij tha se nuk mund të ketë marrëveshje ekonomike me Serbinë e e cila marrëveshje nuk është edhe politike. Karakteri politik i çfarëdo marrëveshje është i pashmangshëm, që nga statusi i palëve që nënshkruajnë ato, te përmbajtja e deri te efektet e tyre.

Negociatat e paralajmëruar për takimin e 4 shtatorit dhe të tjerat që i paraprijnë e pasojnë ato, nuk kanë fare transparencë, nuk i dihet angjenda, formati, përmbajtja e as qëllimi. Kryetari Kurti përsëriti se “pala kosovare nuk ka legjitimitet, kredibilitet, autoritet dhe as përgatitje”, derisa tërhoqi paralelen shqetësuese se këto takime për marrëveshje, njësoj sikurse ato për marrëveshjet e dëmshme për ‘Zajednicën’ dhe ‘Demarkacionin’ me Malin e Zi, po mbahen pikërisht kur Kuvendi i Kosovës është në pushim. Përkundër qw Kuvendi ka rol kyç kushtetues për mbikqyrjen e punës së Qeverisë dhe të pazëvendësueshëm e të paanashkalueshëm për zbatueshmërinë e marrëveshjeve.

Kosova, në këto negociata po shkon e çorientuar dhe e çakorduar. Anëtarët e delegacionit qeveritar paralelisht deklarojnë gjëra të ndryshmë në mos kontradiktore. Thonë së po bisedojnë për njohje reciproke, por ata tashmë e kanë njohur Serbinë; njëherë insistojnë se do të flasin vetëm për njohje reciproke, e pastaj permendin projekte infrastrukturore; pastaj thonë se do të flitet veçanërisht për çështje ekonomike, por me vete nuk e kanë as ministrin e Ekonomisë, as të Financave e as ekspertë; nuk janë në dijeni për agjendën, por thonë të jenë të përgatitur mirë, paçka se nuk e dijnë se për çka do të flasin.

Urgjenca dhe emergjenca e Kosovës është dhe duhet të jetë menaxhimi i krizës shëndetësore dhe ekonomike, e cila po vazhdoi kështu, do të përkeqësohet në vjeshtë e dimër. Sipas matjeve të opinonit publik, dialogu me Serbinë është vetëm çështja e pestë për të cilën shqetësohen qytetarët e vendit tonë. “Qytetarët duan shëndet, punësim e drejtësi” tha kryetari Kurti. Për këtë, “ne po përgatisim Qeverisjen Alternative, për rikthimin tonë, për zhvillimin e demokratizimin e Kosovës”, shtoi në fund të fjalës së tij, Kryetari Kurti.

Kontribo

03 09 2020

30 vjetori i grevës së përgjithshme të 3 shtatorit të vitit 1990

Në 30 vjetorin e grevës së përgjithshme të 3 shtatorit të vitit 1990, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetja Fitore Pacolli dhe zëdhënësi i Lëvizjes, Përparim Kryeziu vizitoi Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Aty u mirëpritën nga kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, nënkryetari, Atdhe Hykolli dhe zyrtarja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Dafina Mehaj.

Greva e përgjithshme e 3 shtatorit 1990 shënoi një ditë të rëndësishme për historinë e Kosovës. Ajo ndodhi teksa po bëhej largimi sistematik i më shumë se 120 mijë punëtorëve nga puna të cilët refuzuan të nënshkruanin deklaratën që pranonte rregullat dhe ligjet e reja që vinin pas ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht suprimimit të autonomisë në mars 1989. Greva e udhëhequr nga Prof. Hajrullah Gorani ishte manifestim i kërkesave të punëtoreve për mbrojtjen e të drejtave sindikale në Kosovë, shprehje e protestës ndaj politikave represive që bazoheshin në diskriminim brutal në baza etnike, por edhe një lloj i referendumit për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Kryetari i BSKP-së, z. Ajdini, falënderoi z. Kurti për vizitën e tij në shënimin e 30 vjetorit të kësaj dite historike. Për kryetarin Ajdini, ndonëse ka kaluar shumë kohë nga ajo grevë, dhe ndërmjet kanë ndryshuar shumë rrethana, trajtimi i punëtorëve në vend vazhdon të përcjellë një trend jo të mirë. Kosova mbetet i vetmi vend në rajon pa kontrata kolektive, punëtorëve vazhdimisht u cenohet siguria dhe shëndeti në punë, derisa ata nuk mbrohen sipas konventave ndërkombëtare.

Rëndësia politike dhe historike e kësaj greve fillon nga fakti se ajo u respektua nga të gjithë punëtorët e Republikës të sapo shpallur të 2 Korrikut 1990, tha kryetari Kurti. Ajo, bashkë me demonstratat masive dhe tubimet për faljen e gjaqeve, përbën një nga momentet e rëndësishme të fillim viteve të ’90-ta ku solidariteti te populli ynë kishte arritur kulmin e tij. Përmasa të tilla të solidaritet duhet të jenë synim i shoqërisë sonë edhe sot. Solidariteti nënkupton vetëdije shoqërore. Për këtë të fundit kryetari Kurti tha se duhet të nxitet përmes hartimit dhe zbatimit të politikave që garantojnë të drejtat e punëtorëve, ofrojnë ambient të përshtatshëm për zhvillim ekonomik, e që në fund parandalon migrimin jashtë vendit dhe inkurajon kthimin e trurit brenda tij. Në këtë pikë, deputetja Pacolli përmendi shembuj suksesi të vendeve tjera, sikurse Polonia dhe Estonia, të cilat falë politikave të duhura kanë arritur që për një kohë të shkurtër të shënojnë përmirësim të zbatimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik e që si rezultat kanë nxitur kthimin trurit dhe parandalimin e migrimit e popullatës së re.

Zbatimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, parandalimi i migrimit dhe kthimi i trurit do të jenë boshti i Qeverisë Kurti 2, programi dhe plani qeverisës i së cilës tashmë veçse po hartohet në kuadër të Qeverisjes Alternative dhe pesë shtyllave të saj.

Kontribo

02 09 2020

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, priti në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, znj. Pia Stjernvall

Në këtë takim u fol për situatën politike, përhapjen e shpejtë të Covid-19 që ka mbushur spitalet dhe po rrezikon si shëndetin ashtu edhe ekonominë në vend, për situatën në rajon pas zgjedhjeve në Malin e Zi dhe para bisedimeve të paralajmëruara në Uashington, dhe për përshtypjet e idetë që ka Lëvizja VETËVENDOSJE! karshi këtyre zhvillimeve.

Kryetari Kurti e njoftoi ambasadoren finlandeze znj. Stjernvall për Qeverisjen Alternative të Lëvizjes që përbëhet nga pesë shtylla: Ekonomi dhe Financa, Drejtësi dhe Siguri, Shëndetësi, Mirëqenie Sociale dhe Sport, Arsim, Kulturë dhe Rini si dhe Politikë e Jashtme, Integrime Evropiane dhe Diasporë. Nga këto shtylla do të dalin idetë dhe propozimet konkrete mbi atë se si të dilet nga problemet e shumëfishta me të cilat po ballafaqohet vendi.

Në fund Kryetari Kurti dhe znj. Sjternvall u dakorduan për angazhim të mëtutjeshëm në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve të mira bilaterale.

Kontribo

02 09 2020

Hovi i hegjemonizmit serb

Me flamuj të Serbisë, me thirrje raciste antishqiptare, me parulla kundër Kosovës e për Rusinë, me liturgji politike të Amfilohije Radoviqit në funksion të shovinizmit, Mali i Zi ndodhet para ndryshimeve të mëdha si pasojë e zgjedhjeve të së dielës, fushata për të cilat ishte shumë më e gjatë sesa ajo zyrtare dhe shumë më e gjerë sesa vetëm në Mal të Zi.

Tri parti opozitare pritet të formojnë koalicionin e ri qeverisës me kabinet ekspertësh. Partia më e madhe aty “Fronti Demokratik” dhe ajo e dyta “Paqja është kombi ynë” janë pro-serbe. Kreu i “Frontit Demokratik” as vetë nuk e kishte pritur rezultatin e lartë prej 32,5%, duke konfirmuar kështu se kjo fitore nuk ishte njëmend e tyre, dhe se në fakt, janë Kisha Ortodokse Serbe dhe Beogradi ato që u përfshinë në garë.

Në Ballkan tashmë ndodhet Kaliningradi rus, në Republikën Serbe të Bosnje Hercegovinës. Nuk kemi nevojë për Kaliningradë të rinj. Nëse arrijnë ta formojnë qeverinë këto tri parti, atëherë bashkëjetesa ndëretnike në Mal të Zi, edhe ashtu e brishtë, do të pamundësohet dhe shqiptarët duhet të mendojnë për orientime të reja.

Që nga zgjedhjet e fundit të mbajtura para dy muajve, 3/4 e Kuvendit të Serbisë është në duart e Vuçiqit. Presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit atje janë nga e njëjta parti politike. Serbia nuk është shtet demokratik. Homogjenizimi nacional i elektoratit serb është fort i ngjashëm me atë nga fundi i viteve ’80. Ky homogjenizim me pushtet autoritar, frymë religjioze dhe përmbajtje ultra-konservatore po përkthehet në hegjemonizëm rajonal.

Federata Ruse është përcaktuar për serbët si satelit të saj në Ballkan, andaj situata politike ngjan më shumë si ajo në prag të Luftës së Parë Ballkanike sesa si ajo pas Paqes së Shën Stefanit. NATO-ja dhe BE-ja nuk bën t’i ngjajnë Perandorisë Osmane në dekadën e saj të fundit. Ato nuk guxojnë të mjaftohen me paqen dhe sigurinë në Maqedoninë e Veriut, duke e reduktuar aty krejt paqen dhe sigurinë rajonale.

Shqiptarët duhet të faktorizohen për ta balancuar Serbinë. Nuk mund të ecim në shekullin XXI me këto shtetet tona të dobëta që udhëhiqen nga politikanë karagjozë e të korruptuar. Ata nuk gëzojnë autoritet dhe besim te shqiptarët, andaj ishte e kotë, në mos kundër-produktive, thirrja e tyre e përsëritur për të votuar në Mal të Zi njërin koalicion shqiptar. Kosova e Shqipëria duhet ta bëjnë bashkimin ekonomik dhe ta unifikojnë politikën e jashtme e të sigurisë, dhe jo të vrapojnë pas Vuçiqit për Mini-Schengen Ballkanik apo për njohje me ‘Zajednicë’.

Në fillim të shekullit XX, Rusia cariste synonte një Aleancë Ballkanike kundër perandorive Austro-hungareze dhe Osmane. Këto dy perandori nuk ekzistojnë më. Shqiptarët atëbotë bënë më së shumti rezistencë dhe organizuan më së shumti kryengritje por ngelën me një shtet që nuk përthekonte as një të tretën e trojeve të cilat asokohe banoheshin prej kombit tonë. Një shekull më vonë, e në prag të dekadës së tretë të shekullit XXI, na nevojitet një Aleancë Ballkanike, por kësaj radhe përballë hegjemonizmit të Serbisë dhe imperializmit të Rusisë.

Ne shqiptarët jemi në qendër. Në njërin krah kemi kroatët e në tjetrin bullgarët. Bashkë me ta, por edhe me Sarajevën, Podgoricën dhe Shkupin zyrtar, mund e duhet ta krijojmë Aleancën 3+3, që të ruajmë paqen, të fitojmë Evropën e të forcojmë NATO-n, që të mos e harrojmë shekullin e kaluar e që të mos gabojmë në këtë shekull, pa inat ndaj të tjerëve e për hir të vetes tonë.

Kontribo

01 09 2020

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, priti sot në takim ambasadorin italian në Kosovë, z. Nicola Orlando.

Në këtë takim miqësor me ambasadorin z. Orlando u fol për situatën politike në vend, rëndimin e mëtejmë të sistemit shëndetësor me përhapjen e virusit Covid-19 që tashmë e ka listuar Kosovën si të parën në botë për nga numri i të vdekurve për një milion banorë, si dhe për mundësitë që parasheh Lëvizja VETËVENDOSJE! për të dalë nga kjo situatë që ka rënduar shoqërinë tonë edhe në aspektin ekonomik.

Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin Italian me Qeverisjen Alternative të Lëvizjes, idetë mbi atë se si të dilet nga kjo krizë e shumëfishtë që ka kapluar vendin. U diskutua edhe për situatën në rajon e bisedimet e paralajmëruara në Washington DC. Kryetari Kurti tha se vendi ka nevojë për menaxhim të mirë e profesional dhe për një qeveri tjetër me kredibilitet e autoritet. Prandaj ai ritheksoi nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja që do nxjerrnin një qeveri të re, që ka si legjitimitetin ashtu edhe besueshmërinë qytetare për të qeverisur me vendin.

Kontribo

31 08 2020

Nga vizita në Prizren

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, sot vizitoi Prizrenin i shoqëruar nga ish zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu, dhe këshilltari i tij nga qeverisja e mirë, Tienmu Ma. Aty u prit nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, deputeti dhe anëtari i Kryesisë së VETËVENDOSJE!-s, Arbër Rexhaj, nënkryetari i Komunës, Visar Shehu, drejtorja e Kulturës në Komunën e Prizrenit, Emilja Redzepi, drejtori i Shërbimeve Publike, Osman Krasniqi, drejtori i Administrates Komunale, Osman Hajdari dhe drejtori i Inspekcionit, z. Edon Muçaj. Bashkarisht vizituan panairin vjetor të librit në këtë komunë. Edhepse me më pak shtëpi botuese se zakonisht, përshkak të përhapjes jashtë kontrolli të pandemisë COVID-19, panairi ofronte llojllojshmëri titujsh për të ushqyer mendjen e sfiduar kuriozitetin e lexuesit. Kryetari Kurti falenderoi të gjithë shitësit për kontributin e tyre, derisa foli për rëndësinë e librit në edukim, kulturë dhe shtetndërtim.

Nga aty, nën shoqërimin e kryetarit Haskuka, nënkryetarës Memnuna Ajdini, dhe drejtorëve Redzepi, Krasniqi e Hajdari, z. Kurti mori pjesë edhe në përurimin e Zyrës së Gjendjes Civile në Reçan të Prizrenit. Sipas kryetarit Haskuka, gurthemeli i vitit të kaluar, tanimë është shndërruar në një zyre të re të gjendjes civile që ofron mbi 700 shërbime në ditë për banorët e shtatë fshatrave. Kurse në fjalën e tij, kryetari i Lëvizjes, Kurti, tha se hapja e kësaj zyre është në kuadër të zotimit të qeverisjes sonë në Prizren për decentralizimin e shërbimeve në mënyrë që ato të jenë sa më afër qytetarëve ashtu që t’ua kursejmë atyre sa kohën edhe mjetet. Ai i falenderoi kryetarin e Komunës së Prizrenit, Haskuka dhe nënkryetaren Ajdini, sikurse edhe drejtorët komunalë, Redzepi, Krasniqi dhe Hajdari, për angazhimin dhe kontributin e tyre deri në kremtimin e këtij suksesi.

Kontribo

29 08 2020

Pavarësisht ligjit, Ministria e Shëndetësisë dhe ARBK nuk i ofrojnë deputetëve dokumentet e kërkuara

Më 11 dhe 12 gusht, deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të nisur nga interesi publik dhe e drejta ligjore, kishin kërkuar nga Ministra e Shëndetësisë dhe nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve që të na ofrojnë në dispozicion dosjet dhe të dhënat, respektivisht informacionet se kush janë aksionarët themelues dhe aksionarët e ndryshuar për të 29 operatorët, institucionet shëndetësore private të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë për kryerjen e testimeve për SARS Cov-2.

Janë bërë mbi dy javë dhe as Ministria e Shëndetësisë dhe as ARBK nuk i kanë ofruar dokumentet e kërkuara nga deputetët, edhepse janë të detyruara ligjërisht që brenda shtatë ditëve t’u përgjigjen deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nga të dhënat e raportuara, Kosova vazhdon të qëndrojë në krye të listave botërore për nga numri i të prekurve dhe atyre që humbin jetën nga COVID-19. Keq menaxhimit me situatën dhe paaftësisë së tyre, kjo Qeveri sikur për t’ia rënduar edhe më shumë gjendjen qytetarëve, ia shtoi edhe testimet me pagesë nga institucionet private.

Ne ndodhemi në gjendje emergjente. Pandemia ka goditur rëndë si shëndetin edhe mirëqenien sociale. Në këto rrethana, do të duhej të ishte shteti ai që garanton mbrojtje e përkujdesje për qytetarët e vet, e kurrsesi t’u ikë përgjegjësive e detyrimeve ligjore e kushtetuese që ka ndaj tyre. Është obligim i shtetit që të sigurojë teste dhe të mbulojë shpenzimet për të gjithë qytetarët me simptoma.

Pandemia ka plandosur njerëzit pa dallim, por testimet private dhe barnat me pagesë janë veprime për t’i lënë njerëzit në rrugë. Për më tepër, në këto kohë të vështira e kushte të rënda të qytetarëve këta qeveritarë po shohin mundësinë për biznes e përfitime.

Çfarë po fsheh Ministria e Shëndetësisë kur bëhet fjalë për licencimin e institucioneve private për kryerjen e testimeve për SARS Cov-2? Pse nuk po i bënë publike dhe pse nuk ju ka ofruar deputetëve dosjen dhe dokumentet e kërkuara për të gjitha operatorët e licencuar? Ndërsa ARBK pse nuk bënë publike dhe nuk ju ofron deputetëve informacionet se kush janë aksionarët themelues dhe aksionarët e ndryshuar të këtyre institucioneve private? Apo, si Ministria e Shëndetësisë edhe ARBK duanë të mbajnë larg opinionit publik të vërtetën se përfitues nga vendimi për licencim janë persona të lidhur me pushtetin dhe që fushëveprimi i tyre nuk ka fare të bëjë me aspekte të tilla të shëndetit publik. Ata kanë parë mundësinë e përftimit në fatkeqësinë kolektive siç është pandemia, kurse Qeveria në vend se të mbrojë shëndetin publik dhe mirëqenien e qytetarëve pa dallim, ajo është vënë në funksion të përfituesve të lidhur me zyrtarë qeveritarë.

Kontribo

29 08 2020

Për pjesëmarrje masive të shqiptarëve në zgjedhje në Mal të Zi

Të dielën e 30 gushtit në Mal të Zi mbahen zgjedhjet në nivel qendror dhe në nivel lokal në disa nga komunat. Në zgjedhjet qendrore, shqiptarët garojnë në dy lista: Lista Shqiptare dhe Koalicioni Shqiptar “Bashkë nji za”.

Në mbledhjen e sotme të kryesisë së saj, Lëvizja VETËVENDOSJE! trajtoi këtë çështje. Këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme për Malin e Zi dhe për rajonin, dhe jo vetëm për shqiptarët që jetojnë atje. Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! u bën thirrje shqiptarëve që me votën e tyre të kontribuojnë në rritjen e numrit të përfaqësuesve shqiptarë nëpër institucione shtetërore të Malit të Zi.

Natyrisht mbetemi me shpresë se përfaqësimi të jetë sa më i denjë e cilësor, që të mund të konstatojmë progres në legjislaturën e ardhshme.

Me këtë rast, Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh keqardhjen e saj për mosunifikimin e shqiptarëve në një listë zgjedhore. Duket që elementet problematike të ndarjes e përçarjes nga viti 2012 kur ne provuam të krijojmë një listë të përbashkët janë po aty edhe sot e kësaj dite. Tani jemi ku jemi, dhe kjo nuk do të thotë që këto zgjedhje nuk mund të prodhojnë një rezultat të favorshëm nëse pjesëmarrja e shqiptarëve është masive. Dy listat shqiptare nuk forcohen duke e dobësuar njëra-tjetrën, por duke i kthyer votuesit shqiptarë që votojnë partitë joshqiptare.

Megjithëkëtë, kurrsesi s’bën të harrojmë, që çështja themelore është ligji diskriminues i zgjedhjeve në Mal të Zi dhe jo thjesht mungesa e unifikimit të shqiptarëve në një listë. Edhe sikur subjektet shqiptare të ishin të bashkuara në një listë të vetme, ligji ekzistues nuk u jep mundësi për më shumë se tre deputetë.

Sidoqoftë, dalja masive e shqiptarëve në zgjedhje dhe dhënia e votës kandidatëve të tyre, do të shprehet në rezultat më të mirë për shqiptarët.

Kontribo

26 08 2020

Marrëveshja që i dha territor Malit të Zi, parapërgatitje për ndarje

Duke marrë për shkak 5 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi sot një konferencë për media ku foli anëtari i Kryesisë dhe deputeti i saj, Liburn Aliu dhe profesori e deputeti, Shpejtim Bulliqi.

Profesor Bulliqi foli për aspektin profesional e shkencor të vendosjes së kufijve ku përmendi humbjet në rastin e vendosjes së kufirit me Maqedoninë dhe me Malin e Zi duke paralajmëruar rrezikun në rast se një ndarje kufitare e përpjekjeve të ngjashme synohet të bëhet edhe me Serbinë.

Me Malin e Zi, sipas tij nuk është bërë demarkim i kufirit por delimitim i tij, vendosje e një kufiri të ri që i jep 83 km katror ose 8200 hektar tokë Malit të Zi bazuar vetëm në kriterin e kadastrit, të cilin nuk e posedon as Kosova por as edhe Mali i Zi. Bulliqi foli edhe për komisionin të shtetëror të cilin e udhëheqi ai, raportin e përpiluar me të gjeturat që kanë evidentuar lëshimet e bëra nga komisioni shtetëror i Mehës dhe shkarkimin e këtij komisioni këtë vit për shkak se nuk i pranoi rezultatet e komisionit Meha.

Liburn Aliu u ndal te aspekti politik i dy marrëveshjeve të gushtit, 25 gusht, të ‘Zajednicës’ dhe 26 gusht të ‘demarkacionit’ ku tha se klubi i stërvjetruar politik me në krye Thaçin përmes këtyre dy marrëveshjeve ka provuar të na vëjë përballë dy mundësive: ndarjes dhe bosnjëzimit të brendshëm të cilin do ta përdorte Thaçi për të na kërcënuar, dhe marrëveshjes me Malin e Zi që do e testonte cenimin e territorit të vendit për të parë se a jemi të gatshëm të japim territor.

“Pra nënshkrimi i marrëveshjes së 26 gushtit, 2015 dhe ratifikimi i saj me 21 mars, 2018 e sjell ndër mend 25 gushtin, 2018 ku në konferencën e Alpbach të Vjenës moderatori e pyet Thaçin se a është i gatshëm të jap territor për marrëveshje?, dhe ku ky përgjigjet se po, është i gatshëm”, tha ai.

Sipas deputetit Aliu, vënia e opinionit publik para dy të këqijave, mes bosnjëzimit dhe ndarjes dhe ofrimi i precedentit të ndryshimit të kufirit është përgatitje e terrenit për të ndodhur ndarja.

Marrëveshja me Malin e Zi dhe ratifikimi i saj vetëm sa ishin shenjë inkurajuese për fqinjët që pashmangshëm do të pasohen nga ana e Serbisë, tha Aliu, i cili përmendi edhe përpjekjet e reja të klubit politik për të bërë marrëveshje me Serbinë.

“Me mungesë të plotë legjitimiteti, me një të shkuar të errët të marrëveshjeve të dëmshme, të papërgatitur dhe të pa koordinuar dhe pa platformë nuk ka se si të jetë ndryshe pos një rrezik i radhës për të ardhmen e vendit. “

“Vendi duhet të shkoj në zgjedhje, para Serbisë duhet legjitimitet, platformë dhe unitet”, theksoi ai në fund të fjalës së tij.

Kontribo

25 08 2020

Me një kryeministër “kukull” si Hoti nuk duhet të zhvillohen negociatat me Serbinë

Me rastin e 5 vjetorit të nënshkrimit të ‘Zajednicës’, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi një konferencë për media. Aty, anëtari i kryesisë Glauk Konjufca foli për rrezikun e asaj që po quhet ‘fazë finale’ e dialogut me Serbinë. Janë dy lloje të politikanëve, ata të LDK-së që janë që janë pro ‘Zajednicës’ dhe ata të PAN-it, që janë pro shkëmbimit territorial që përmes një kryeministri “kukull” po ja mësyjnë tavolinës së negociatave, tha Konjufca, i cili tutje theksoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! i kundërshton të dyja këto projekte pasi ato të dyja kanë për rezultat përfundimtar ndarjen e Kosovës, ndarjen e shtetit tonë. Lëvizja VETËVENDOSJE! është po ashtu kundër arritjes të çfarëdolloj marrëveshje që quhet ‘finale’ me Serbinë pa u organizuar zgjedhjet e reja që e japin edhe një qeveri me legjitimitet të plotë për të qeverisur me vendin.

Më poshtë e gjeni fjalën e plotë të Glauk Konjufcës

Të nderuar gazetare e gazetar mirë se keni ardhë në Lëvizjen VETËVENDOSJE! për ta përcjellë këtë konferencë që ka marr shkas nga dita e 5 vjetorit të ‘Zajednicës’, pra u bënë 5 vjet prej kur u nënshkrua kjo marrëveshje në vitin 2015 dhe në të cilën nënshkrimin e pat hedhur kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa.

Fatmirësisht marrëveshja për ‘Zajednicën’ u hodh poshtë prej Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës meqë në 23 pika të saj u shpall antikushtetuese. Pra, në disharmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës por për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, për popullin tonë ka qenë shumë tronditëse, se deri në cilën pikë janë të gatshëm të shkojnë kryeministri i atëhershëm dhe politikanët e Kosovës që e përfaqësonin Kosovën në atë kohë.

Pra, për ta nuk ishte kurrfarë problemi sovraniteti i Kosovës, integriteti, shtetësia jonë, pavarësia e shpallur dhe e nënshkruan këtë marrëveshje të dëmshme.

Pse po ja kushtojmë këtë konferencë shtypi pikërisht këtij projekti të rrezikshëm për Kosovën është fakti që në vend që të shpallej e vdekur ‘Zajednica’ menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ajo më duket që është më aktuale se kurrë tash kur jemi në prag të asaj që po quhet faza finale e dialogut me Serbinë. Meqenëse fatkeqësisht në LDK dhe partitë e PAN-it janë vetëm dy lloj të politikanëve, politikanë të cilët janë pro ‘Zajednicës’ dhe politikanë që janë pro shkëmbimit të territoreve, pra vetëm këto dy projekte janë në tavolinën e negociatave. Prandaj duhet të ngrisim këtë çështje meqenëse është vetëm Lëvizja VETËVENDOSJE! ajo e cila i refuzon dhe i kundërshton të dyja.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mendon që edhe ‘Zajednica’, edhe projekti i ‘Zajednicës’ edhe projekti i shkëmbimit të territoreve duhet të kundërshtoheshin prej Qeverisë së Kosovës, prej institucioneve të Kosovës, prej çdo përfaqësuesi i cili shkon dhe në dialog me Serbinë e përfaqëson Kosovën.

Po mendojmë kështu meqenëse edhe shkëmbimi i territoreve edhe ‘Zajednica’ janë sinonime të ndarjes së Kosovës, të dyja, pra rezultatin përfundimtar e kanë ndarjen e shtetit tonë.

Shkëmbimi i territoreve është njëfarë lloj eufemizmi për prerjen kirurgjike të pjesës së veriut të Kosovës deri te Lumi Ibër, kurse ‘Zajednica’ është sinonim i krijimit të një entiteti territorial të Serbisë, i cili do të kontrollohej prej Serbisë, do të financohej prej Serbisë, dhe i cili për disa vite kështu do të shkëputej dalëngadalë nga Kosova, pra ‘Zajednica’ është njëfarë lloj bosnjëzimi i Kosovës.

Serbia duhet të kundërshtohet përmes vendosjes së një konsensusi të brendshëm, brenda forcave politike në Kosovë, i cili konsensus konsideron që edhe ‘Zajednica’ si projekt edhe shkëmbimi i territoreve janë shkelje e vijave të kuqe të interesit kombëtar dhe të interesit shtetëror të Republikës së Kosovës.

Vizioni jonë është që serbët e Kosovës duhet të jetojnë nëpër komunat e tyre, të cilat janë krijuar dhe çdo përpjekje që të shkohet përtej kësaj dhe që në Kosovë të krijohet një lloj pushteti i ri, një lloj pushteti të tretë i cili pra është pushtet i mesëm mes atij qendror i cili ushtrohet nga qeveria dhe nga ministritë, dhe atij lokal i cili ushtrohet nga komunat do të ishte fatal për integritetin e Republikës së Kosovës.

Siç e dini ju, projekti për ndarjen e Kosovës nuk është i djeshëm, është i moçëm, Serbia ka pas plan për ta nda Kosovën edhe sa ishte në okupim gjatë viteve të 90-ta, p.sh akademiku serb Dobrica Cosiqi ia kishte propozuar një plan Millosheviqit që ta ndajë Kosovën edhe gjatë viteve të 90-ta, por në vitin 2004 ndarja na erdhi përmes një emri tjetër i cili ishte “decentralizimi i Kosovës” dhe këtë plan e kishte shty përpara sidomos Lutfi Haziri në vitin 2004, atëherë “quhej pilot projekt” për krijimin e komunave të reja me shumicë serbe dhe të banuar nga serbët, dhe ky projekt erdhi pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004. Mirëpo ky prezantohej si një plan autentik i Kosovës, si një plan vendor, ky decentralizimi etnik, por gjithçka u bë e qartë që është plan i Serbisë, kur këtë kërkesë e parashtrojë Serbia në negociatat e Vjenës në vitin 2006, pra kërkonte decentralizim etnik për serbët e Kosovës. Pra nuk kishte të bënte fare me planet e Kosovës, ishte pikërisht siç thoshte Lëvizja VETËVENDOSJE!, që kjo ishte kërkesë e Serbisë që fillimisht të ndahen serbët nga shqiptarët, të krijohet hapësirë e veçantë politike përbrenda Kosovës e pastaj Serbia dalëngadalë të kalojë në fazën e dytë, pasi e arriti fazën e parë e që ishte krijimi i gjashtë komunave të reja serbe me negociatat e Vjenës të vitit 2006-2007. Tash Serbia ka kaluar në fazën tjetër, në fazën e dytë të ekzekutimit të këtij plani e që është bashkimi i këtyre komunave në ‘Zajednicë’, në projektin e’ Zajednicës’ i cili natyrisht që do të ishte krijimi i një lloj Republikë Serbe siç është në Bosnje dhe të cilin e kontrollojnë dhe natyrisht përmes kësaj do ta kontrollonin Kosovën, do ta destabilizonin Kosovën e kështu me radhë.

Tash kur të gjithë po thonë do të ndodhë, është shumë afër të ndodhë faza finale e procesit të dialogut me Serbinë, është shumë shqetësuese që politikanët e Kosovës i kanë në gojë vetëm dy projekte, ose ‘Zajednicë’ ose shkëmbim i territoreve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mendon që kjo është një gjendje shume e pa favorshme për pozicionin politik të Kosovës.

Ne mendojmë që së pari faza finale e dialogut me Serbinë nuk është fare mirë të ndodhë në këto kushte në të cilën ndodhet tash Kosova, pra nuk është mirë të ndodhë me një qeveri e cila nuk ka fare legjitimitet, e ka shumicën shumë të brishtë në Kuvendin e Kosovës, bile duke mos e ditur a e ka apo nuk e ka pas asaj që ndodhi me Haxhi Shalën dhe me deputetin Arifi i cili le të themi u dënua nga Gjykata, numrat e kësaj qeverie në Kuvendin e Kosovës janë shumë të dyshimtë. Më kujtohet kur ishim kolegë me z. Avdullah Hoti si shefa të grupeve parlamentare ne i shkruanim letra ndërkombëtarëve dhe përfaqësuesve të Brukselit dhe Ëashingtonit se si të mos e hapin fazën finale të dialogut me Serbinë me kryeministrin e atëhershëm Haradinaj i cili i kishte po kështu numrat, siç i ka Avdullah Hoti tash në Kuvend të Kosovës. Kështu që kjo hipokrizi nuk i bënë fare mirë Kosovës, përkundrazi ne mendojmë që një kryeministër kukull siç është Avdullah Hoti fare nuk duhet të kemi negociata me Serbinë për marrëveshjen përfundimtare me këtë shtet armiqësor, i cili është kundër Kosovës dhe me atë që po e shohim, pra përmes kësaj metode të anashkalimit total të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kur e patëm shkruar programin e qeverisë Kurti së bashku me LDK-në, ata u patën pajtuar që të mos ketë ecje përpara për dialogun me Serbinë dhe fazën finale të dialogut pa i arritur dy gjëra shumë të rëndësishme, platformën, e cila do të duhej shkruar dhe ekipin – të dyja këto të votuara me 2/3 në Kuvendin e Kosovës. Tash çka po shohim është një qeveri e cila jo vetëm që është pa legjitimitet politik, por e cila ka ardhë deri në pikën ku dëshiron ta përmbyllë këtë fazë pa Kuvendin, ku vetëm kryeministri shkon atje, pra ne nuk e dimë çka përfaqëson ai, ne nuk e dimë se çka e obligon atë se çka duhet të mbrojë e çka mos të mbrojë, mbi çka nuk duhet të bëjë fare kompromis, e mbi cilat vija ka të drejtë të bëjë kompromis sepse nuk ka asnjë dokument të votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nuk ka as ekip të votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, as me 61 vota e lëre më me 2/3 siç mendonim ne në qeverinë e themeluar në muajin shkurt.

Pra, kemi të bëjmë me një qeveri e cila përveç kësaj që e thashë nuk e ka as minimumin e koordinimit dhe unitetit të brendshëm dhe kjo është fatale për Kosovën nëse përfaqësohemi kështu.

Pra e kemi një kryeministër i cili shkon atje, bisedon me homologun e tij serb dhe del e revoltuar ministrja e punëve të jashtme e thotë se nuk e di fare se çka është fole në atë takim. Pra kemi një situatë në të cilën kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme janë totalisht të çakorduar sa i përket asaj çka flitet, çka mbrohet atje, çka përfaqësohet atje prej anës tonë dhe çka pranohet dhe nuk pranohet në fund të fundit.

Kjo na shtynë të bëjmë thirrje që në këtë fazë në të cilën ndodhen edhe ShBA-të si partneri më i fuqishëm, si shteti që e ka ndihmuar më së shumti pavarësinë e Kosovën, pra pak para zgjedhjeve në ShBA, në anën tjetër prej disa zgjedhjeve ku ka dal pushteti i Vuqiçit por zgjedhje shumë të kontestuara në Serbi sa i përket legjitimitetit të mospjesëmarrjes të opozitës atje e kështu me radhë.

Me një president i cili faktikisht ne Kosovë po përballet me aktakuza nga Gjykata Speciale, por në anën tjetër ka qenë proponent i idesë së shkëmbimit të territoreve, në anën tjetër me një qeveri e cila faktikisht ja vodhi pushtetin fituesit të zgjedhjeve, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ne besojmë që nuk është mirë që të shkohet në një fazë të përmbylljes, me një marrëveshje finale me Serbinë sepse është vendim shumë i rëndësishëm, i cili nuk mund të arrihet pa një konsensus dhe pa një qeveri të fuqishme, e cila del drejtpërdrejt nga populli.

Kështu që, ne konsiderojmë që pa u mbajt zgjedhjet e reja në Kosovë, të cilat do të ja jepnin legjitimitetin e vërtet përfaqësuesve të popullit të cilët në Kuvend e zgjedhin qeverinë e re, të plotfuqishme dhe plotësisht legjitime të Republikës së Kosovës, këto të gjitha mund të jenë jo vetëm eksperimente që po bëhen shumë shpejt, por mund të jenë edhe me pasoja fatale, të parikuperueshme për shtetin e Kosovës në të ardhmen.

Kontribo

20 08 2020

Të aktivizohet prokuroria speciale

Fjala e plotë e Albulena Haxhiut në konferencën e sotme për media.

Po bëhen katër vite dhe ende nuk ka drejtësi për Astritin, aktivistin politik i cili u burgos sikurse edhe aktivistët tjerë me urdhra të pushtetit të asaj kohe.

Gjatë këtyre ditëve, qytetarët sikurse edhe familja Dehari por edhe ne si Lëvizje ishim të shqetësuar që dëshmitarët kryesorë pavarësisht veprave të rënda për të cilat ishin dënuar, ose janë liruar, ose janë falur, ose s’janë më gjallë dhe ne jemi të bindur që pas këtyre fshihen skenare të errëta.

Adonis Gashi është në arrati, i cili në muajin shkurt të këtij viti, nga arratia kishte thënë, po citoj:

“Nuk do të deklarohem për rastin Dehari përderisa nuk rishikohet dosja ime. Unë jam i pafajshëm dhe dua që kjo gjë të dëshmohet. Pas kësaj mund edhe të dëshmoj”

Adonis Gashi vazhdon të jetë në arrati dhe institucionet nuk kanë asnjë informacion se ku gjendet.

Naser Makolli na thanë që vdiq nga një sëmundje.

Frrok Laski në vitin 2019, në fund të këtij viti pra viti 2019 u lirua nga paneli për lirim me kusht.

Ndërsa rasti i fundit i paprecedent ishte kur presidenti në fund të muajit korrik i fali 3 vite e gjysmë Luz Allakaj, një personi që ishte dënuar për vrasje të dyfishtë, madje të një fëmije 13 vjeç.

Para disa ditëve, me kërkesë të deputetëve të grupit tonë parlamentar, i kemi kërkuar presidentit qasje në dokumentacionin që ka quar te zbutja e dënimit të Luz Allakaj dhe ende dosja e faljes me arsyetimin përkatës nuk na është ofruar.

Në anën tjetër, në vend se prokuroria të jetë e vëmendshme dhe aktive, ne nuk kemi asnjë informacion se edhe sa kohë i duhet prokurorisë për ta zbardhur të vërtetën dhe për ti quar para drejtësisë përgjegjësitë?

Në kohën kur u bë publik raporti i institutit zviceran ne kërkuam që rasti nga prokuroria themelore në Prizren të kalojë në kompetencë të prokurorisë speciale por qëllimi ishte që të bëhet hetim i plotë e i pavarur

dhe jo prokuroria special ta mbajë në sirtar këtë rast.
Meqë u bë kohë që nuk ka asnjë njoftim për këtë, ne i kërkojmë sqarime prokurorisë speciale.

Deri ku kanë mbërrit hetimet për rastin Dehari?

Pse kjo lëndë nuk është prioritet për prokurorinë?

Pse prokuroria special nuk është aktive?

Pse nuk janë marrë në pyetje të gjitha panelet e komisionet e individët që kanë mundësuar lirimet e dëshmitarëve kryesorë?

Sepse prokuroria për ta zbardhur të vërtetën duhet të hetoj secilën rrethanë. Këtë e ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore!

Prokuroria duhet të guxojë të veproj është mandat i saj kushtetues pavarësisht presioneve e tendencave për ndërhyrjet që mund t’i bëhen.

Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka ky rast, Prokuroria nuk duhet të heshtë, duhet të flas, duhet ta njoftoj opinionin për veprimet që ka ndërmarrë deri tani.

Në kohën sa isha Ministre e Drejtësisë, nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, kam marr konfirmimin që Instituti zviceran i cili kishte përjashtuar vetëvrasjen, do të vinte në Kosovë në muajin qershor, për ta arsyetuar raportin e tyre dhe për t’i ndihmuar institucionet për zbardhjen e së vërtetës.

Sot jemi në muajin gusht dhe nuk kemi asnjë informacion, a kanë qenë ekspertët e institutit zviceran në Kosovë?

Nëse po, çfarë ka ndodhur, nëse jo pse apo kur do të vijnë ata?

Siç jeni në dijeni, kryetari Kurti me anë të një reagimi dje ka përmendur nevojën e zbardhjes të së vërtetës për rastin Dehari dhe për nevojën e bërjes publike të proceseve të faljes së presidentit sepse për falje nga presidenti bëhen me qindra kërkesa nga të burgosurit, këtë informacion mund ta keni edhe nga vetë zyra e presidencës.

Shtrohet pyetja se pse bash dëshmitarit në rastin Dehari ju falën tre vite e gjysmë nga dënimi.

Është e rëndësisë jetike të bëhet publike procesi dhe arsyetimi i faljes së rastit në fjalë që mbase edhe do të ndihmonte në sqarimin e rrethanave të vrasjes së Astritit.

Është njësoj e rëndësishme që ky rast të jetë fillimi i një procesi të gjatë e të detajuar të analizës se si janë arsyetuar faljet e bëra nga ky president.

Kontribo

18 08 2020

Prokuroria të jetë aktive dhe e vëmendshme dhe të mos lejojë fshehjen e gjurmëve për rastin e vrasjes së Astrit Deharit

Po bëhen katër vite dhe ende nuk ka drejtësi për Astritin. Vrasësit dhe nxitësit ende nuk kanë dalur para drejtësisë. Dëshmitarët kryesorë të rastit ose janë falur e liruar nga burgu pavarësisht veprave të rënda për të cilat kanë qenë të dënuar, ose nuk janë më gjallë, si rasti i të ndjerit Naser Makolli. Ndërkohë këto ditë presidenti i ka lehtësuar dënimin për tre vite e gjysmë Luz Allakajt, të dënuar për vrasje të një fëmije, por që i njëjti është edhe dëshmitar në rastin e Astrit Deharit.

Prokuroria Speciale po heshtë për rastin. Nuk ka asnjë informacion. Çfarë po ndodhë me rastin, deri ku kanë shkuar hetimet? A janë marrë në pyetje të gjithë ata që kanë mundësuar lirimet e dyshimta nga burgu të dëshmitarëve për të hetuar edhe rrethanat tjera që qojnë në zbardhjen e së vërtetës?

Ndërkohë, mundësitë për hetimin e vërtetë të rastit po pluhurosen e fshihen edhe qëllimisht nga dita në ditë. Së fundi, pas lirimit me kusht të njërit dëshmitar të rastit, presidenti i vendit ia fali edhe 3 vite e gjysmë dëshmitarit tjetër të rastit Luz Allakaj i cili ishte i dënuar për vrasje të dyfshitë, ku njëra prej vrasjeve ishte e një të mituri 13 vjeçar.

Dje deputetët tanë kërkuan nga zyra e presidencës dosjen e kërkesës, raportin dhe arsyetimin për faljen e dënimin në këtë rast, jemi në pritje të tij. Ndërkohë i bëjmë thirrje prokurorisë që të jetë aktive dhe e vëmendshme për këto veprime të secilës instancë që po provon t’i fsheh gjurmët për rastin e vrasjes së Astrit Deharit, përfshirë edhe presidentin që rastin e Astrit Deharit e ka deklaruar si vrasje.

Po të merrej prokuroria me provat e rastit, dëshmitarët dhe palët ndërhyrëse në këtë proces me zellin e njëjtë që merrej ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj do të përafrohej drejtësia më herët dhe rasti do të zgjidhej.

Drejtësia për Astritin është drejtësia për gjithë shoqërinë.

Kontribo

17 08 2020

LV kërkon dosjen e kërkesës, raportin dhe arsyetimin për faljen e dënimit në rastin e Luz Allakaj nga ana e presidentit.

Sot, deputetët e LV, Dimal Basha, Artan Abrashi dhe Alban Hyseni, që njëherit janë edhe anëtarë të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitet, Rregullore e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, bënë kërkesë në presidencë për ofrimin e dosjes së kërkesës, raportin dhe arsyetimin për faljen e dënimit në rastin e Luz Allakaj nga ana e presidentit.

Kontribo

17 08 2020

Kërkesën për shpjegime në lidhje me ndërprerjen e punimeve në rrugën Deçan-Plavë

Vendimi për të ndërprerë punimet në ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë është jashtëzakonisht i dëmshëm, jo vetëm në aspektin ekonomik e infrastrukturor, por edhe në atë politik e shtetëror. Qeveria e Kosovës e ka përgjegjësi mbrojtjen dhe afirmimin e interesave të shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Nisur nga kjo deputetë të GP të LV-së, sot, kanë dorëzuar kërkesën për shpjegime në lidhje me ndërprerjen e punimeve në realizimin e këtij projekti.

Kontribo

16 08 2020

Vuçiq bën kërkesa, Hoti me partnerët, i zbatojnë.

Vuçiq bën kërkesa, Hoti me partnerët, i zbatojnë. Kështu ndodhi edhe me rastin e ndërprerjes së punimeve në aksin rrugor Deçan-Plavë.

Tashmë është bërë e zakonshme për këtë qeveri të zbatojë kërkesat e Serbisë, gjë që në kontrast të plotë me indiferencën e saj ndaj kërkesave të popullit të Kosovës. Më parë u hoq reciprociteti, pastaj u ndal fushata diplomatike për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, e tani po ndalen edhe projektet rrugore. A është kjo qeveri vartëse e Vuçiqit apo çfarë? Cili është qëndrimi i atyre që mburren për patriotizëm brenda në qeveri, kur as premtimin e tyre elektoral, rrugën Deçan-Plavë nuk e ndërtojnë dot pa lejen e Serbisë? Sigurisht që s’kanë qëndrim, sepse dëshira për pushtet dhe frika nga zgjedhjet ua ka mbyllur gojën.

Banorët e Deçanit kanë nevojë për investime dhe infrastrukturë, e lidhja e Plavës me Kosovën është projekt me rëndësi kombëtare. Ndërsa Manastiri i Deçanit është po ashtu një institucion i rëndësishëm fetar, që mbrohet nga ligji e shteti i Kosovës. Konfliktet e tilla nuk kanë arsye fare pse të bëhen çështje ndërshtetërore, institucionet e Kosovës duhet të gjejnë kompromisin e pranueshëm për palët, dhe të vazhdojnë punimet. Por një qeveri e varur nga Lista Serbe dhe nga Beogradi, e cila shquhet për paaftësinë e saj, në çdo rast po krijon mundësinë që Serbia të ndërhyjë në Kosovë. Kjo qeveri duhet të lëshojë udhë, edhe për të mirën e banorëve të Deçanit e Plavës, edhe për të mirën e Kosovës. Çdo ditë që kalon, bëhet shumë vonë.

Nuk kemi kohë për të humbur me politikanët dhe politikat e 20 viteve të fundit. Duhet të rikthehemi te qeverisja e mirë dhe përfaqësimi dinjitoz.

Kontribo

13 08 2020

Bashkëbisedim me delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të LVV nga Maqedoninë e Veriut.

Sot, më 13 gusht, kur shënojmë 108 vjetorin e Hasan Prishtinës në Shkup dhe 19 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! (LVV), Albin Kurti, së bashku me anëtarin e kryesisë dhe ish Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, bashkëbiseduan në platformën Zoom me delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të LVV nga Maqedoninë e Veriut.

Kurti e Konjufca njoftuan për zhvillimet në Kosovë, e pastaj u diskutua për situatën aktuale politike në Maqedoni të Veriut, dhe mundësitë e sfidat e iniciativës së LVV për Qendrën e re të VETËVENDOSJE!-s atje. Në këtë kohë pandemie kur lëvizjet fizike janë të kufizuara e tubimet publike të pamundësuara, përmes komunikimit dhe bashkëpunimit online po e tretim distancën.

Kontribo

13 08 2020

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! fton në interpelancë Agim Veliun

Vetëpërjashtimi që po bënë Qeveria e Kosovës nga përgjegjësia kushtetuese dhe ligjore për të kontrolluar kufijtë dhe integritetin territorial dhe për të mbrojtur qytetarët, është i papranueshëm dhe dëmton edhe më shumë pozitën e Kosovës. Kjo sjellje e papërgjegjshme sikur ajo pjesë nuk është brenda territorit të Republikës së Kosovës vetëm sa nxitë ndërhyrjet e Serbisë.

Sot, Nënkryetarja e Lëvizjes, njëherit deputetja Fatmire Mulhaxha Kollçaku, në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka paraqitur lëndën që thërret në interpelancë Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun, për çështjen e patrullimit të pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, respektivisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës

Kontribo

13 08 2020

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Qemal Minxhozi vizitoi sot selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Qemal Minxhozi vizitoi sot selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku u prit nga Kryetari Albin Kurti dhe asistentja e tij ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

Në këtë takim u fol për situatën politike dhe ekonomike në vend, e në veçanti për përhapjen e shpejtë të virusit Covid-19 që ka prekur tashmë themelet e sistemit tonë shëndetësor. Renditja e Kosovës në vendin e parë në botë me më së shumti vdekje nga Covid-19 për 1 milion banorë është tashmë një alarm shtesë, edhe ndërkombëtar. Kryetari Kurti theksoi nevojën e menaxhimit të mirë e profesional si dhe të vendimeve të guximshme për daljen nga kjo krizë e shumëfishtë që ka pllakosur Kosovën. Gjendja e shëndetit publik dhe problemet e institucioneve shëndetësore nuk bën të politizohen, por zgjidhja është politike dhe institucionale, me ç’rast legjitimiteti e besueshmëria shkojnë bashkë.

Ambasadori Minxhozi dhe Kryetari Kurti do të vazhdojnë kontaktet e rregullta dhe bashkëpunimin e ngushtë.

Kontribo

12 08 2020

Takim virtual me znj. Nancy Soderberg

Sot, kryetari i LV-së, Albin Kurti së bashku me Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, takuan virtualisht znj. Nancy Soderberg, e cila së fundmi është caktuar si drejtore e degës së National Democratic Institute (NDI), në Republikën e Kosovës, dhe drejtorin e programeve të këtij Instituti, z. Valon Kurhasani.

Lidhja e znj. Soderberg me çështjen e Kosovës nuk fillon me këtë detyrë të re të saj. Si anëtare e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, në kuadër të Administratës së Presidentit Bill Clinton, përgjatë viteve 1993-1997 dhe si përfaqësuese e Presidentit në Kombet e Bashkuara gjatë viteve 1997-2001, ajo u angazhua për të krijuar një qasje aktive të vendeve demokratike për ta ndihmuar përpjekjen e popujve të shtypur në Ballkan. Përpjekja e saj për ta ndihmuar lirinë e Kosovës, tash po vazhdon me angazhimin e saj të ri për demokratizimin e mëtutjeshëm të institucioneve tona.

Në këtë takim njoftues me znj. Soderberg u diskutua mbi situatën politike, ekonomike dhe sociale në vend. Rrethanat e jashtëzakonshme të krijuar nga pandemia COVID-19, të cilat e kanë pamundësuar edhe ardhjen e znj. Soderberg në Kosovë, kanë rënduar edhe më shumë gjendjen tashmë të rëndë socio-ekonomike të qytetarëve të Kosovës. Në diskutim u shqyrtuan mundësitë e tejkalimit të kësaj krize të trefishtë që ka kapluar vendin tonë.

Në fund, znj. Soderberg Kryetari Kurt i uroi për detyrën e re dhe e falenderoi atë dhe z. Kurhasanin për bashkëpunimin e deritanishëm me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, duke shprehur gjithashtu gatishmërinë për ta zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin tonë në të ardhmen.

Kontribo