29 03 2020

Konstitucionalizëm integral, jo voluntarizëm presidencial

Neni më i rëndësishëm i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për ecjen përpara është ai 82.2: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”. Këtu, folja jokalimtare ‘mund’ nuk është ajo e një mundësie subjektive të zgjedhjes, por e lejes për të proceduar nga një autoritet. Nuk është e rastësishme që në verzionin në anglisht të Kushtetutës sonë, fjala ‘mund’ nuk është ‘can’ por ‘may’. Sëkëndejmi, neni 82.2 është dispozitë e lejimit dhe jo e përzgjedhjes.

Presidenti i Republikës së Kosovës, në vend se të hutohet me nenin 95 te Kapitulli VI i Kushtetutës (Qeveria e Republikës së Kosovës), duhet të fokusohet në nenin 82 te Kapitulli IV (Kuvendi i Republikës së Kosovës). Njëherazi, togfjalëshat e tij kundërkushtetues të deklaruar publikisht si “qeveri e re” apo “kritere mbizotëruese” nuk ndriçojnë rrugën përpara. Përkundrazi.

Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, nuk kemi garuar se kush do të bëhet kryetar komisioni parlamentar, shef grupi apo kryetar Kuvendi. Partitë kanë garuar me programe qeverisëse dhe me kandidatë për kryeministra. Kontrata legjitimuese me popullin është ndërprerë dhe duhet të rikthehemi tek ai. Porsa të mbarojë pandemia Covid-19 – të cilën duhet ta luftojmë të gjithë bashkë duke mbështetur dhe ndihmuar e jo duke penguar a sabotuar qeverinë në detyrë – ne duhet të zbresim te populli si burim sovraniteti, për zgjedhje të reja, të lira e demokratike.

Ka dallim thelbësor ndërmjet situatës kur kryeministri dorëhiqet nga posti i tij dhe asaj kur Kuvendi voton mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Në rastin e parë kemi mungesë vullneti ose aftësie të vetëdeklaruar nga kryeministri i cili largohet. Në rastin e dytë qeveria dhe kryeministri janë në detyrë, nuk ka vakuum deri në zgjedhjet e reja, andaj edhe stabiliteti e funksionimi shtetëror nuk cënohen. Pra, në rastin e dytë e që është ky yni tani, nevojitet Kuvend i ri për qeveri të re.

Kjo do të jetë hera e tretë e situatës së njëjtë në Kosovën e pavarur: kishim mocione të suksesshme të mosbesimit edhe në vitet 2010 e 2017, pas të cilave Presidenti shpërndante Kuvendin dhe shpalleshin zgjedhjet e parakohshme. Për më tepër, në vitin 2017 ishte po ky President që është tani, dhe, në atë kohë, ai nuk kishte dilemë se cila ishte rruga e duhur pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit.

Kushtetutëdhënësi e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër, me faktin se nuk ka paraparë asnjë procedim tjetër në Kushtetutë, për dallim nga dorëheqja, pas së cilës Kushtetuta ka paraparë që Presidenti fillon konsultimet me partinë apo koalicionin fitues.

Mocioni i mosbesimit i 25 marsit 2020 ishte i llojit destruktiv: synonte rrëzimin e qeverisë. Kaq. Nuk ishte mosbesim konstruktiv me ç’rast Kuvendit do t’i paraqitej njëkohësisht edhe një ofertë e re për qeveri të ardhshme. Vota PËR me 25 mars 2020 ishte asgjë më shumë sesa votë KUNDËR. Si e tillë ajo shkëputi lidhjen pushtet-popull. E vuri qeverinë në pyetje në mënyrën ku populli (dhe jo Kuvendi) jep përgjigje. Kuvendi e rrëzoi qeverinë në Kuvend. Qeveria në detyrë qeveris.

Përfundimisht, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë. Sepse ai duhet ta zbatojë Kushtetutën e jo ta interpretojë atë.

Kryeministri Albin KURTI 29 MARS 2020

Kontribo

25 03 2020

Fjalimi i drejtuesit të Grupit Parlamentar Rexhep Selimi në seancën për mocionin ndaj Qeverisë.

“Krejt kjo seancë është thirrur me sponsorizim përtej jush për të shkuar drejt një marrëveshje të keqe që po e pret Kosovën – e kjo marrëveshje në asnjë mënyrë as nuk lejohet as nuk do të pranohej e as nuk do të lejohej nga qeverisja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Dhe po ashtu, pasaktësi tjetër është që, LDK-ja nuk vazhdon ta ketë problem Thaçin siç ju e paraqitët, as si protagonizëm e as si president – përkundrazi, ashtu siç e keni zgjedhur ashtu po tentoni ta mbani në lojë edhe në raport me marrëveshjet me Serbinë.

Pra, ne e kemi ndarë mendjen. Më mirë të tradhtuar sesa të tradhtojmë. Më mirë të mashtruar sesa të mashtrojmë. Më mirë me Kosovën sesa në koalicion me ju. Shihemi në përballje tjera.”

Kontribo

24 03 2020

Dje Kryeministri Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kancelaren gjermane Angela Merkel. Më poshtë gjeni pikat kryesore nga biseda e djeshme.

Kontribo

15 03 2020

Rezoluta e propozuar nga GP i LV-së dhe GP i LDK-së

Në Kuvendin e Kosovës u aprovua Rezoluta e propozuar nga GP i LV-së dhe GP i LDK-së, që në bisedimet me Serbinë për rezultat parasheh njohjen reciproke, thekson pacenueshmërinë e sovranitetit, integritetit territorial dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës, dhe ia njeh Qeverisë mandatin për t’i udhëhequr bisedimet drejt një marrëveshje të mundshme përfundimtare brenda vijave të rendit kushtetues të Republikës tonë.

Kontribo

13 03 2020

Kujdes, vetëdisiplinim dhe solidaritet

Pas evidentimit të prezencës në Kosovë të virusit CoVid-19 është e domosdoshme që të gjithë ne të ndjekim këshillat e specialistëve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Po ashtu, të gjithë qytetarët, duhet të zbatojmë me disiplinë të plotë masat e komunikuara nga qeveria e Kosovës.

Të prekurve nga virusi u urojmë shërim të shpejtë. Me sa dimë edhe nga vendet e tjera ku ka pasur shumë të infektuar, pjesa shumë e madhe e tyre e tejkalojnë pa problem. Por, duhet vetëdisiplinim, ruajtje e higjienës personale dhe publike, dhe kufizim i lëvizjeve të panevojshme.

Në kuadër të këtyre masave, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të mbyllë zyrat e saj qendrore dhe ato nëpër qytete e fshatra. Punën do ta vazhdojmë nga shtëpia, përmes mjeteve të komunikimit elektronik. Kjo nuk do të thotë se izolimi do të jetë total, pasi do të vazhdojmë të dalim për blerje të ushqimeve, si gjithmonë, por me kujdes më të madh për higjienën. Në shtëpi do të mund të kujdesemi edhe për të moshuarit, por edhe për fëmijët tani që shkolla është ndërprerë.

Me vetekufizimin tonë, i ndihmojmë personave që duhet të vazhdojnë punën, e ata janë mjeket dhe punonjësit e shëndetësisë, policet e punonjësit e rendit e sigurisë, bizneset që prodhojnë e tregtojnë ushqimin e gjësendet jetike, si dhe disa shërbime të tjera të domosdoshme. Por, çdo punë, udhëtim dhe zbavitje e cila nuk është e domosdoshme, duhet të ndërpritet, që ta ngadalësojmë shpërndarjen e virusit deri sa ta mundim atë.

Ftojmë aktivistët tanë të shpërndajnë njoftimet zyrtare dhe të njoftojnë çdo qytetar për rregullat e nevojshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit CoVid-19.

Me kujdes, pa panik!

Kontribo

11 03 2020

GP i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe GP i Lidhjes Demokratike të Kosovës propozojnë: DRAFTREZOLUTË

DRAFTREZOLUTË

1. Republika e Kosovës është e përkushtuar për bisedime politike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që do të rezultojnë me njohje reciproke.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Askush, nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës.

3. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nr. K043/19, të datës 27 qershor 2019, është Qeveria e Republikës së Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedimet dhe/ose dialogun me Serbinë si dhe të bëjë përgatitjet për negociata e të negociojë lidhur me një marrëveshje të mundshme përfundimtare e cila do të rezultojë me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, brenda vijave të patejkalueshme të rendit kushtetues të Republikës sonë.

Kontribo

11 03 2020

Ka kohë që nuk ka dialog, por negociatat nuk janë ndalur!

Unë jam i bindur që ka një qëndrim normal e ky është zëvendësimi i tarifës 100% me reciprocitetin. Dhe ka një qëndrim sublim normal, e ky është zëvendësimi gradual i tarifës 100% me reciprocitetin. Përgjatë këtij zëvendësimi gradual do të krijoheshin edhe masat e mirëbesimit për dialogun e ardhshëm.

Ne në fushatë kemi garuar me reciprocitetin. Të gjithë ne që në fushatë kemi garuar me reciprocitetin dhe kemi marrë votat e qytetarëve është e domosdoshme që për ndryshim të qëndrimit të kthehemi të qytetarët dhe minimumi i korrektësisë demokratike e thotë që ata që kanë ndryshuar qëndrim duhet të kërkojnë referendum.

Nuk bëhet fjalë për heqje të tarifës e fillim të dialogut. Kjo është gënjeshtër. Bëhet fjalë për heqje të tarifës e për mbyllje të dialogut me një marrëveshje të gatshme. Midis dy presidentëve, unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme. Dhe ajo që po kërkohet është të thyhet qeveria e Kosovës, të thyhem unë si Kryeministër, në mënyrë që të marr fuqi ai që në emër të Kosovës në negociata sekrete ka bërë marrëveshje që tash të gatshme do ta servoj jo për të filluar dialog por për të mbyllur çfarëdo mundësie për dialog. Edhe vetëm 10% po të jenë gjasat se ka marrëveshje të gatshme ne duhet të jemi të kujdesshëm. E unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme. Ky është problemi. Ky është ‘’elefanti’’ në dhomë. Nga shoqërimi për dy vite e gjysmë në sofrën e shkëmbimit territorial, ka dalë një ujdi aty. Por, e keni vërejtur se çfarë po thotë presidenti i Serbisë: me kë të negocioj unë, me Kurtin në Bruksel apo me Thaçin në Washington? Me fjalë të tjera, ai po iu thotë edhe faktorëve ndërkombëtarë, por edhe Kosovës: përcaktojeni cili. E për t’u përcaktuar ky i dyti në Washington, kërkohet që paraprakisht të thyhet ky i pari në Prishtinë. Kjo është e thjeshtë, nuk është e komplikuar. Pra, duhet të thyhet kurrizi i kësaj qeverie, unë si Kryeministër i ri, dhe më pastaj të thuhet në rregull, presidenti fitoi, marrëveshja në tavolinë, dhe shampanja prapa. Mirëpo unë them jo. Është gabim pozicioni ekstremist. As heqje tarife pa reciprocitet dhe as insistim në tarifë duke mos u angazhuar për reciprocitet.

Mua nuk më pëlqen se çfarë po ndodhë, por ajo që mund të ndodhë po u hoq tarifa pa reciprocitet është pakrahasimisht më e dëmshme. Ai do të ishte një gabim i pafalshëm historik.

Unë nuk jam antiamerikan, unë jam kundër antiamerikanëve. Por më duhet ta them një gjë, presidenti është antievropian. Pikërisht në kohën kur presidenti aktual deklarohet hapur si antievropian, disa më akuzojnë mua padrejtësisht si antiamerikan. Ai vetë tha jam antievropian. Unë jam edhe pro Amerikan edhe pro Evropian. Unë besoj në lidhjen Trans Atlantike. Ai u deklarua si antievropian dhe filluan sulmet e akuzat, shpifjet për mua si antiamerikan. Unë i dua edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe Bashkimin Evropian, na duhen të dyja. Pa ShBA nuk ka NATO, pa NATO nuk ka siguri as në Evropë se lëre më në Ballkanin tonë. Ndërkohë që Kosova është në Ballkan, në territorin Evropian dhe jo në kufi me Meksikën. Presidenti i Kosovës po sillet shumë më keq me Bashkimin Evropian sesa me Serbinë. Unë si Kryeministër i vendit nuk jam dakord me qasjen ku Presidenti flet për Borrellin, Lajçakun, Brukselin më keq sesa për Daqiqin, Vuqiqin e Beogradin. Kjo është gabim. Borrelli, Lajçaku, Brukseli nuk kanë kryer gjenocid në Kosovë, mos të ngatërrohen këto gjëra.

Unë jam i gatshëm të shkoj në Washington DC të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si Kryeministër me ekipin tim, bashkë edhe me Kryeparlamentaren tonë, znj. Vjosa Osmani dhe t’i diskutojmë të gjitha çështjet. Kemi nevojë për një proces drejt një marrëveshje të pranueshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe rajonin.

Kontribo

09 03 2020

Sekretariati i Gruas Aktiviste po vazhdon takimet e tubimet me gra në të gjitha komunat e Kosovës.

Në këto takime po flasim për problemet dhe sfidat me të cilat përballen gratë, për mundësitë e reja institucionale për t’iu kundërvënë rendit patriarkal në shoqëri, por mbi të gjitha për angazhimin e grave në kuptimin e solidaritetit dhe organizimit prej poshtë.

Shteti ka detyrim të krijoj e zbatoj politika të cilat u sigurojnë grave më shumë qëndrueshmëri ekonomike, dinjitet në punë, në shkollë, familje e shoqëri, por ky detyrim nuk garanton ndryshim substancial pa angazhimin e gruas punëtore në shtëpi, nxënëses në shkollë, studentes në Universitet, punëtores në hipermarket.

Organizimi e artikulimi i kërkesave tona nga poshtë është rruga më e sigurtë ku gjinia rresht së qeni kategori mbi të cilën sendërtohet shtypja e shfrytëzimi. Nuk mund të kemi rehati përderisa gratë nuk marrin pjesë në tregun e punës për shkak të punëve të pambarimta në shtëpi. Organizimi në çdo fshat e qytet, takimet dhe diskutimet me gra e vajza për t’i artikuluar si kërkesat ashtu edhe veprimet tona është domosdoshmëri për përmbysjen e rendit patriarkal.

Sekretariati i Gruas Aktiviste do të vazhdojë me organizime të tilla, që në të kaluarën prodhuan veprime konkrete dhe mundësuan shtyrjen e shumë çështjeve të rëndësishme në Alternativën qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

 

Kontribo

09 03 2020

Në një datë historike si 7 marsi, Lëvizja VETËVENDOSJE! uron të gjithë mësimdhënësit

Historia e shkollës shqipe ishte e lidhur me fatin e kombit, dhe anasjelltas. Përkundër kohërave të vështira, rreziqeve e përndjekjeve, këtu e 133 vjet më parë, nisi krijimi i mësonjëtoreve të para shqipe, për t’u zgjeruar kudo me mësues të cilët vetëmohimin e kishin tiparin dallues, e ndërgjegjësimin kombëtar motiv parësor.

Kështu, më 7 mars 1887, në Korçë u hap shkolla e parë shqipe, me Pandeli Sotirin mësues dhe drejtues, si një paralajmërim, po aq sa edhe domosdoshmëri për krijimin e shtetit dhe përparimin shoqëror e kombëtar.

Nga mësimdhënës e shkolla për të ruajtur gjuhën dhe qenien shqiptare përballë sfidave e goditjeve të shumta, 7 marsi sot simbolizon misionin fisnik të mësimdhënësve në përpjekjen tonë për liri e pavarësi, por edhe rëndësinë që ka shkolla si institucion e dija si vlerë në përparimin e vendit tonë.

Shkolla, aq sa është bazament i shtetit, është edhe vet mundësia jonë për të ecur përpara drejt një shteti të zhvilluar, të mirëqenies e të qëndrueshëm. Nxënësit dhe studentët kanë të drejtë e nevojë për dije e shkencë, mësimdhënësit kanë të drejtë për kushte e dinjitet, kurse shteti ka nevojë për edukim cilësor që përkon me resurset e Republikës dhe zgjeron ato. Sot, shkolla në Kosovë duhet të marrë vëmendjen e duhur për të arritur aty ku presin qytetarët dhe meriton sistemi i arsimit, të prodhimit të shkencës e dijes në funksion në zhvillimit e përparimit shoqëror e shtetëror.

Në një datë historike si 7 marsi, Lëvizja VETËVENDOSJE! uron të gjithë mësimdhënësit, duke vlerësuar lart kontributin e tyre dhe rolin që ata kanë.

Kontribo

09 03 2020

Anulohet vendimi që i jepte Bechtel-Enka 50 milionë euro

Qeveria Kurti është e vendosur në ndalimin e “gjakderdhjeve financiare” të shkaktuara nga qeverisja e kaluar. Në këtë drejtim sot u anulua vendimi që do t’i jepte kompanisë Bechtel-Enka edhe 50 milionë euro të tjera nga paraja publike.

Kontribo

09 03 2020

Njohja e vuajtjeve të vajzave, grave, burrave e djemve të cilët ishin të dhunuar brutalisht gjatë luftës së fundit ka qenë një betejë e gjatë.

Njohja e vuajtjeve të vajzave, grave, burrave e djemve të cilët ishin të dhunuar brutalisht gjatë luftës së fundit ka qenë një betejë e gjatë. Gjatë rrugëtimit nga përfundimi i luftës për këto kategori u bëmë edhe ne si institucion njëfarë armiku i tyre. Kjo për arsye se nuk u bëmë zëri i tyre për tërë këto vite. Falë shoqatave të grave, shoqërisë civile dhe iniciativës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për plotësim ndryshim të ligjit, nga 2012 kjo temë u hap dhe sot kjo kategori e dalë nga lufta arrin ta ketë njëfarë forme të barazisë me kategoritë e tjera edhe pse jo të plotë.

Kemi ende shumë punë për të bërë. Për të përkrahur Komisionin që ta kryej punën e tij ashtu siç duhet, për të përkrahur organizata që kanë punuar me këto gra tash e 20 vite, dhe më e rëndësishmja në qendër të vëmendjes ta kemi ndihmën dhe përkrahjen ndaj të mbijetuarave dhe të mbijetuarave.

Dalja publike e Vasfijes përveç se ishte e guximshme ka qenë një moment shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Jo vetëm se po adresohej publikisht kjo çështje me emër dhe mbiemër, por gjithashtu filluan të dalin në pah mospërkrahja dhe mospuna e drejtësisë ndaj këtyre të mbijetuarave dhe familjeve të tyre. Mospërkrahja për nevojat e tyre elementare qoftë për shëndetin e tyre ose për mbijetesën e përditshmërisë.

Kam një kërkesë, që ka ardhë në Kuvend nga Qendra për Rehabilitimin e të mbijetuarve të Torturës, që data 14 prill, që është dita kur është dhunuar Vasfije Krasniqi, të jetë datë që i kujtojmë të gjitha viktimat e dhunës seksuale në Kosovë. Propozimi ynë është që kjo të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Kryesisë së Kuvendit dhe në një kohë sa më të afërt të vij edhe në Kuvend të Kosovës për t’u diskutuar dhe votuar.

Kontribo

09 03 2020

Kriminelët e luftës duhet të dënohen për krimet e shkaktuara në të gjitha frontet

Ne nuk mundemi as të imagjinojmë dhimbjet dhe tmerrin që viktimat seksuale të luftës kanë përjetuar, por edhe vuajtjet e vazhdueshme pas luftës duke jetuar të heshtur, të izoluar e të harruar.

Si qytetar, aktivist dhe deputet i Kuvendit të Republikës e kam pasur për detyrë të flas e të kërkoj veprim shtetëror, sot si kryeministër e kam për detyrë të veproj.

Kriminelët e luftës duhet të dënohen për krimet e shkaktuara në të gjitha frontet

Gjykatat dhe prokuroritë tona duhet t’i trajtojnë me seriozitetin maksimal rastet e dhunës seksuale në Kosovë. Legjislatura e kaluar e Kuvendit ka miratuar ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që lejon gjykimin në mungesë për krime lufte, çka do të thotë se institucionet e Kosovës kanë të drejtë të nisin hetimet edhe nëse i dyshuari nuk është prezent në seancë gjatë gjykimit. Qeveria është e gatshme të plotësojë çdo kërkesë të prokurorisë për të rritur kapacitetet e nevojshme në këtë drejtim.

Përdhunimet gjatë luftës janë nga krimet më të tmerrshme që kanë ndodhur por ato asnjëherë nuk u trajtuan në bisedimet me Serbinë. Ne do të sigurohemi që kjo të ndryshojë, sepse nuk mund të arrijmë paqe pa pranuar të kaluarën.

Kërkim falja nga Serbia, reparacionet dhe qasja në drejtësi do të jenë pjesë e dialogut.

Një ndër prioritetet e Qeverisë tonë është padia e Kosovës për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo do të jetë rrugë e gjatë, sepse dëshirojmë që të sigurohemi që të jemi të suksesshëm në këtë proces, por ne veçse kemi filluar punën në këtë drejtim. Pa ndëshkimin e krimeve të luftës nuk mund të kemi qetësi.

Krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi për to.

Kontribo

07 03 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet marshin protestues “MARShojmë, S’festojmë”

ëvizja VETËVENDOSJE! mbështet marshin protestues të organizuar nga Kolektivi “MARShojmë, S’festojmë” që do të mbahet të dielën më 8 mars në orën 12:00 me fillim në sheshin “Zahir Pajaziti”, dhe çdo marsh tjetër ku bëhet thirrje për drejtësi e barazi për gratë.

Problemet e grave janë problem i gjithë shoqërisë, pavarësisht se a i sheh e a i pranon dikush ato. Nga këndvështrimi i shtetit është detyrim që të krijohen e zbatohen politika të cilat u sigurojnë sa më shumë grave qëndrueshmëri ekonomike, si dhe dinjitet në punë, në shkollë, në familje e në shoqëri dhe garantim i të drejtave.

Tetorin e vitit të kaluar votuesit, një pjesë e madhe e të cilëve gra, hapën një kapitull i ri në Republikën tonë. Qytetarët u përcaktuan për shtetndërtimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik duke mundësuar kështu pas një kohe të gjatë një ndryshim substancial në vend. Punësimi dhe Drejtësia ishin dy fjalët kyçe që e përmblodhën angazhimin e përbashkët drejt synimeve tona, andaj edhe puna e institucioneve të reja kuptohet si detyrë e asaj që kishim në mendje për të ardhmen e qytetarëve tanë.

Dita Ndërkombëtare e Gruas është rast i mirë për ta risjellë në vëmendje shpresën e 6 tetorit, sepse ishin edhe gratë ato që përmes organizimit nëpër shtëpi, fshatra, lagje e qytete bartën peshën e mesazhin e këtij ndryshimi. Institucionet e reja, qeveria Kurti, e patjetër edhe Lëvizja VETËVENDOSJE! njohin dhe vlerësojnë angazhimin dhe kontributin e grave për drejtësi dhe barazi në vend përgjatë periudhave të ndryshme historike, por janë në dijeni edhe të problemeve të shumta me të cilat ato përballen sot e kësaj dite. Ligjet që mbrojnë gratë nuk do të pluhnosen përgjatë qeverisjes tonë, puna e grave nuk do të mbetet në harresë si diçka e panjohur. Bashkarisht, por edhe si institucione do të angazhohemi për më shumë drejtësi e punësim sidomos për gratë dhe të rinjtë. Shteti i Kosovës duhet dhe do të jetë aleat aktiv për gratë që përballen me shfrytëzimin, shtypjen, e ngacmimin në punë, por edhe për gratë amvisa, që me punën e tyre kanë mundësuar edukimin dhe shkollimin e brezave të tërë të Republikës.

Kontribo

06 03 2020

Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë ju bashkua anëtari më i ri Kujtim Thaçi

Sot, Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë ju bashkua edhe anëtari më i ri Kujtim Thaçi. Kujtimi ka studiuar Farmaci në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ndërkohë studimet postdiplomike i ka përfunduar në Universitetin e Zagrebit. Me temën “Glikozilimi i imunoglobulinës G te pacientët me karcinomë kolorektale” ai mori titullin Doktor i Shkencës.

Aktualisht është profesor asistent në Kolegjin e Shkencave Mjekësore në Kolegjin “Rezonanca”, ndërkaq ka marr pjesë dhe në projekte ndërkombëtare të hulumtimit dhe është i kyçur në projektin e madh botëror për hulumtimin shkencor të karbohidrateve “Glycom Project” si përfaqësues i Republikës së Kosovës.

Kujtimi është vlerë e shtuar për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, dija dhe profesionalizmi i tij do të ndihmoj zhvillimin e politkave tona.

Kujtimi vjen nga Besiana, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Kontribo

05 03 2020

Përfaqësues të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzuan në gjykatë edhe një parashtresë në kontestin me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë

Sot, si përfaqësues të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sami Kurteshi dhe Getoar Mjeku dorëzuan në gjykatë edhe një parashtresë në kontestin me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në kuadër të kërkesës sonë të vazhdueshme për mosshtrenjtim të energjisë elektrike.

Si duket, përpëlitjet e praktikave korruptive, keqpërdorimit të pozitës publike dhe ndërlidhjet kriminale të biznesit me organet dhe autoritetet rregullative po vazhdojnë edhe më tej nga mbetjet e regjimit të parapolitikës. Sistemi i drejtësisë duhet të veproj dhe ta mbroj të drejtën dhe interesin e qytetarëve të Republikës. Nëse dikush ka detyrime ndaj DEVOLLËVE, ata nuk janë qytetarët që shtyhen të paguajnë tarifa marramendëse të energjisë elektrike për 12 vitet e ardhshme.

1. Pas disa tentimeve të dështuara të mëparshme gjatë vitit 2019, të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për ti aprovuar tarifat nxitëse (feed-in-tariffs) për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet solare — tërësisht të panevojshme, të padrejta dhe kundër çdo logjike të tregut — më datën 27 nëntor 2019, Bordi i ZRrE-s, i ka aprovuar tarifat nxitëse në lartësi prej 85.5 EUR /MWh për grupin DEVOLLI për 12 vitet e ardhshme.

Për më tepër, ZRrE e mori këtë vendim përkundër rekomandimeve të Sekretariatit të Komunitetit Europian të Energjisë, Ambasadës Gjermane, USAID dhe eksperteve përbrenda ZRrE-s.

2. Në vend të tarifave nxitëse, të gjitha palët kanë rekomanduar procedurat e ankandeve pasi që teknologjia e prodhimit të energjisë elektrike nga panelet solare është bërë shumë më e lirë se më parë, dhe me trend të rënies së vazhdueshme. Sa për ilustrim, në vitin 2018 përmes këtij procesi (ANKANDEVE) në Kazakstan, çmimi mesatar i prodhimit të energjisë elektrike me panele diellore për 20MW kapacitet kishte zbritur në 45 EUR/MWh (shih linkun: https://mercomindia.com/kazakhstan-auction-solar-202-mw/). Pas 12 viteve, nuk do ishte çudi që çmimi të binte edhe në 4 EUR/MWh përderisa ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, ende do t’ia paguajmë grupit Devolli plot 85.5 EUR/MWh!

3. Me datë 24 Dhjetor, 2019, z. Sami Kurteshi si palë e dëmtuar, pasi që këto tarifa nxitëse e dëmtojnë interesin e qytetarit duke ndikuar në shtrenjtimin e padrejte të çmimit të energjisë elektrike, ka bërë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër këtij vendimi të pashembullt të ZRrE-s, duke kërkuar edhe masën e përkohshme të pezullimit të vendimit të ZRrE deri në aktgjykimin përfundimtar.

4. Me datë 27 Dhjetor, 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, me të drejtë mori vendim për pezullim të vendimit të ZRrE. Kjo jepte shpresë se gjyqësia do të rivendos drejtësinë aty ku ZRrE kishte shkelur rolin e saj primar për mbrojtjen e interesit publik duke dalë në anën e interesit të një kompanie private si Devolli group.

5. Por, praktikat kundërligjore nuk zhbëhen lehtë. Pas një ankese të një kompanie private (pas skadimit të afatit të rregullt për ankesa!) Gjykata e Apelit me datën 20 shkurt, 2020 e riktheu çështjen e pezullimit të vendimit për rigjykim në Gjykatën Themelore, me pretendimin se Themelorja nuk ka arsyetuar vendimin dhe se nuk ka ofruar prova për atë vendim. Për fat të keq kjo e jep shëmbëlltyrën e trekëndëshit ZRrE – DEVOLLI – SISTEMI I DREJTËSISË (njerëz të caktuar brenda tij).

Ne iu bëjmë thirrje mekanizmave shtetëror, mediave, shoqërisë civile, palëve të ndryshme të interesit, si dhe qytetarëve të Republikës, që t’i përdorin të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore për të pamundësuar vazhdimin e sistemit të krimit dhe regjimit të vjetër të parapolitikës.

Kontribo

05 03 2020

Jasharajt janë UÇK-ja para UÇK-së

Familja Jashari ishte bërthama e ushtrisë tonë. Vendimin që e mori kjo familje dhe grupi i Drenicës që asnjëherë të mos dorëzoheshin dhe asnjëherë të mos e lëshonin Kosovën, ishte vendimi më i rëndësishëm jo vetëm për ata por edhe për ne. Ata qëndruan dhe nuk u nënshtruan, kështu shtrinë rrjetin e rezistencës gjithandej në vend dhe me veprimet e lëvizjet u bënë shpresa e lirisë së Kosovës. Ne, për gjithçka që kemi i detyrohemi atyre, dëshmorëve dhe martirëve, falë tyre kemi institucione dhe shtet, liri dhe pavarësi. Ata e kanë kryer pjesën më të madhe e kryesore të progresit tonë kombëtar e shoqëror në histori, neve na ka mbetur pjesa më e lehtë. Jasharajt nuk na lënë të harrojmë por as të gabojmë. Kujtimi për ta na udhëzon për punë të mira, ecje drejtë dhe na e përkujton që rruga jonë ende nuk ka mbaruar.

Kontribo

02 03 2020

Marsi, sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit mblodhi qindra gra në Besianë.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, gratë u organizuan nëpër shtëpi, lagje, fshatra e qytete për ta vulosur fitoren e Lëvizjes. Qeveria e re dha sinjalet e para që ka prioritet barazinë gjinore filimisht duke përfshirë në pozita drejtuese shtetërore gratë, por ky është vetëm fillimi.

Sot, muajin mars e filluam në Besianë, aty ku pranvera do të fillojë më herët se zakonisht. Deputetet Fitore Pacolli dhe Arbëreshë Kryeziu Hyseni folën për problemet e grave dhe vajzave duke kujtuar se zgjidhja e tyre do të synohet bashkarisht me to nga qeveria Kurti, por nga 15 marsi edhe me Komunën e Besianës që do të na bashkohet me kryetarin e ri të saj, Shpejtim Bulliqin. Kandidati ynë shpalosi disa nga politikat që kanë të bëjnë me barazinë gjinore e që do ta ndihmojnë dhe shtyjnë përpara pozitën e grave dhe vajzave në Besianë. Treguam se për këtë kemi gadishmërinë e duhur si Lëvizje edhe përmes kandidimit të Shpejtimt Bulliqit që do të jetë Kryetari i ardhshëm i komunës. Treguam se bashkë, jemi edhe më të vendosur sesa më pranverën e kaluar dhe se do të fitojmë bindshëm.

Gratë kudo në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida që duke rënduar mbi to rëndojnë edhe gjithë shoqërinë, por tashmë ato po bashkohen me Lëvizjen VETËVENDOSJE! ku bashkarisht po e përparojmë synimin tonë të drejtësisë e barazisë. Me vajzat dhe gratë e Besianës që do të kenë rol kyç në fitoren tonë do ta bëjmë Besianën shembull të drejtësisë dhe barazisë edhe në nivelin lokal.

Kontribo

02 03 2020

Përse mos të kalojmë në ofensivë?

Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij tha se qasja ose krejt – ose hiç, ose tash – ose kurrë, nuk është qasje as e mirë dhe as e mençur por dobësi. Shtet i fuqishëm është shteti i sofistikuar. Ne ballafaqohemi me shumë barriera për të eksportuar në Serbi, le t’i problematizojmë ato e të kalojmë në ofensivë, mos të mbesim duke arsyetuar tarifën, tha ai.

“Unë besoj se nuk është qasje e mirë dhe as e mençur: ose krejt – ose hiç, ose tash – ose kurrë. Pra, unë besoj se qëndrimi im, është qëndrimi i duhur për të ecur përpara. Pra, qasja jonë është ajo që praktikisht na ka vendosur në ofensivë. Masat të cilat të vendosin në defensivë ku t’i duhet të shndërrohesh në një kështjellë që mbrohesh ndaj një rrethimi që të vjen rrotull është gabim. Është gabim nga pikëpamja e shtetit. Ka versione shumë më të mençura se si mund t’i arrijmë qëllimet që dëshirojmë – edhe më shumë sesa kjo që është bërë deri më tani. Ju të gjithë e dini që ka shumë probleme për të eksportuar në Serbi, unë jam për t’i problematizuar këto – të kalojmë në ofensivë ku ne problematizojmë pengesat e Serbisë e jo të detyrohemi ta arsyetojmë tarifën tonë. Këtë mund ta bëjmë bashkë, propozuesi i seancës kërkoi unitet, dakord jam. […]Edhe njëherë, ose krejt – ose hiç, ose tash – ose kurrë, është dobësi. Shteti i fuqishëm është shteti i sofistikuar, nuk është i thjeshtë. Gjërat e pabarabarta nuk i trajton në mënyrë të barabartë dhe ne nuk e trajtojmë njësoj si lëndën e parë që mund të na vij nga Serbia për prodhuesit tanë – sikur produktet e gatshme finale që i sjell prodhuesi serb e të cilat hapin vende pune në Serbi. Është padrejtësi nëse këto dy kategori trajtohen njësoj.[…]Unë kam ardhur për qëndrimin e duhur përpara sa i përket tarifës 100%, e ky është që, qeveria e Kosovës e ka shprehë si gjest të vullnetit të mirë ndaj faktorëve ndërkombëtarë pikërisht atë që po na kërkojnë prodhuesit vendor: t’i heqim tarifat për lëndën e parë që iu duhet prodhuesve tanë. Unë po e bëjë një hap të vullnetit të mirë, mandej i takon Serbisë të dëshmohet.[…]Ne jemi duke u përgatitur për sukses, dhe jemi në të drejtën tonë.

Kontribo

28 02 2020

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në konferencën e sotme për media:

Pas takimeve me odat dhe shoqatat e ndryshme të ndërmarrësve vendorë, e sidomos me prodhuesit tanë, dhe pas leximit të analizës mbi reciprocitetin e munguar me Serbinë, punuar nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, kam ardhur te ky qëndrim sa i përket rrugës përpara lidhur me tarifën 100%:

1. Si Qeveri e Kosovës, gjatë javës së ardhshme, do të marrim vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kjo si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.

2. Ftojmë Serbinë që si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nis me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës. Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh.

3. Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.

4. Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e mëpastaj edhe në atë ekonomike e politike.

5. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit.

6. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dalin që në fillim me instrumente të detajizuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike; mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët; dhe, po ashtu, edhe listimin e konsekuencave për palën jobashkëpunuese në proces.

7. Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet qe ai prodhon në arritjen e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik instalohet pas 15 qershorit.

Kontribo

28 02 2020

Marrëveshja sekrete që shkel kushtetutën dhe cënon territorin e sovranitetin e vendit

Kryeministri Albin Kurti përmes një konference për shtyp ka denoncuar shkeljen e interesit kombëtar, shtetëror dhe të Kushtetutës së Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi, përmes një marrëveshjeje sekrete të kërkuar nga ai në 19 prill 2013, kur ishte kryeministër.

Kjo marrëveshje ka formën e një letre të dërguar nga Hashim Thaçi. Sipas Konventës së Vjenës për të drejtën e traktateve, ky letërkëmbim nga pozita e kryeministrit të atëhershëm, konsiderohet marrëveshje ndërkombëtare. Shkelja e parë është pikërisht kjo, që Thaçi ka ndërmarrë një veprim që e obligon Kosovën në vazhdimësi, pa u konsultuar me asnjë institucion e as me parlamentin. Ai ka vepruar si diktator apo si monark.

Në tekstin e asaj letre që ka fuqinë e një marrëveshjeje, Thaçi përdor termin “Kosova Veriore” për veriun e vendit, duke i dhënë legjitimitet një koncepti përmes së cilit Serbia përpiqet të destabilizojë Kosovën e të cënojë integritetin e saj territorial. Vetë përdorimi i këtij termi nga kryeministri i Kosovës, përbën skandal.

Në atë letër Thaçi zotohet njëanshëm se në veri të vendit FSK-ja nuk do të shkojë kurrë pa miratimin e KFOR-it. Ky zotim nuk u kërkua nga NATO. Arsyet se pse Thaçi vendosi të heqë dorë nga një pjesë të rëndësishme e sovranitetit, mbeten sekrete njësoj si marrëveshja që ai lidhi. Dy ditë më vonë, në mediat e Serbisë Vuçiqi u deklarua se “çizmja e shqiptarëve kurrë nuk do të shkelë në veri.

Kryeministri Kurti u shpreh se “për ne është shumë e rëndësishme të kuptojmë se kush e ka kërkuar nënshkrimin e një marrëveshje të tillë? Ne nuk besojmë se Brukseli e ka kërkuar një zotim të tillë të ish kryeministrit, mund ta ketë kërkuar Serbia. Kjo është një gjë që duhet të shqyrtohet.”

Duke qenë se kjo letër-marrëveshje sekrete është lidhur në po atë ditë me Marrëveshjen e Brukselit (Marrëveshja e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve), ajo vë në pikëpyetje ligjshmërinë e ratifikimit të kësaj të fundit, meqenëse kur deputetët votuan ratifikimin e saj në 27 qershor 2013 me 84 vota, ata nuk ishin të informuar për marrëveshjen sekrete që e shoqëronte. Prej Marrëveshjes së Brukselit rrjedhin shumë marrëveshje e pasoja ligjore, të cilat tashmë krejt marrin kuptimësi të re ligjore e politike.

Letra-marrëveshje sekrete e Hashim Thaçit duhet të shqyrtohet urgjentisht nga organet e drejtësisë. Prej saj ne kuptojmë se Zajednica (bosnjëzimi i Kosovës) dhe shkëmbimi i territoreve (copëtimi i Kosovës) nuk janë projekte alternative, por faza të të njëjtit projekt, i cili nisjen zyrtare e ka pikërisht te kjo letër-marrëveshje sekrete.

Qeveria Kurti dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! mbeten të përkushtuar për bashkëpunimin e mirë me NATO-n, SHBA-të dhe partnerët perëndimorë. Po ashtu, edhe për respektimin e marrëveshjeve dhe ligjeve ndërkombëtare. Kjo letër-marrëveshje sekrete iu dorëzua kryeministrit nga zyrtarë të NATO-s. Kushtetutshmëria dhe respektimi i ligjit nga institucionet në Kosovë është interes vendor, por edhe i miqve tanë ndërkombëtarë.

Kontribo

26 02 2020

Avni Fetahu i bashkohet Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot, Lëvizjes VETËVENDOSJE! i është bashkuar, Avni Fetahu, asamblist në Kuvendin Komunal të Podujevës dhe Kryesues i Këshilltarëve Komunal të LDK-së në këtë komunë. Avniu është magjistër në drejtimin Menaxhment dhe Informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Përvoja, dija e tij dhe profesionalizmi i Avni Fetahut do t’i shërbejë shumë Lëvizjes sonë, si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qëndror. Avni Fetahu ka pervojë të gjatë menaxheriale duke qenë drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik si dhe drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Podujevës. Ka marrë pjesë në shumë vizita studimore dhe në konferenca ndërkombëtare.

Avniu është mësimdhënës në Shkollën Ekonomike “Isa Boletini”. Është i martuar dhe prind i 5 fëmijëve.

Kontribo