07 07 2020

Nuk duan zgjedhje sepse bashkë janë pakicë karshi Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Qytetarët e vlerësojnë qeverisjen e mirë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Albin Kurtin si kryeministër si asnjë qeveri e kryeministër të mëhershëm. Këtë e dëshmon hulumtimi i fundit i opinionin publik ku krahas vlerësimit të lartë për punën, vendimet dhe masat që ka ndërmarrë qeveria Kurti, qytetarët e shohin VETËVENDOSJE!-n si subjektin e parë në vend dhe Albin Kurtin si personin më të duhur për kryeministër të vendit.

Mbështetja është e lartë te shtresat e varfra me 72. Te rinia me 69.7% dhe te gratë me 55%. Lëvizja VETËVENDOSJE! me qeverisjen e saj ka dwshmuar se shteti social është i mundur dhe se barazia e drejtësia janë vlerat kah duhet të shkojmë si shtet e si shoqëri.

Të dhënat e këtij hulumtimi i prezantoi sot në konferencë për media nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Besnik Bislimi, i cili fillimisht shprehu ngushëllime për të gjithë qytetarët që kanë humbur më të dashurit e tyre si pasojë e COVID-19. Ai njëherit bëri thirrje për kujdes të shtuar dhe kritikoi qeverinë Koti dhe juristët e saj që nuk po bëjnë punën më të mirë në menaxhimin e kësaj pandemie. 

“Kanë mjaftuar vetëm 120  ditë të qeverisë Kurti për ta përmbysur komplet skenën politike në vend. Qytetarët e vendit kanë dëshmuar mbështetjen e fuqishme për qeverinë Kurti dhe vendimet e saj, kanë vlerësuar si shumë të dëmshëm aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kanë vlerësuar me notë shumë negative secilin politikan që aktivisht ka kontribuar në përmbysjen e së mirës dhe riinstalimin e zhvatjes dhe keqpërdorimit.”, tha Bislimi, para se t’i prezantonte të dhënat e hulumtimit të cilat i gjeni të radhitura më poshtë.  

Në pyetjen se a mendojnë qytetarët se gjërat në Kosovë po shkojnë në drejtimin e duhur, në qershor me Qeverinë Hoti vetëm 9.6% e respodentëve menduan se po, kurse për muajin mars me qeverinë Kurti pak ditë pas ardhjes në pushtet ishte 31%. 

Në pyetjen si e vlerësoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin e dekretit të presidentit Thaçi për mandatimin e z. Hoti për kryeministër, 53.4% e qytetarëve e shohin si të padrejtë vendimin, kundrejt vetëm 28.4% që e shohin si vendim të drejtë.

Në pyetjen se a është heqja e reciprocitetit dhe përdorimit të emrit Republika e Kosovës në dokumentet e mallrave që vijnë nga Serbia veprim i drejtë i qeverisë Hoti, 59% e shohin si të dëmshëm, kurse 27.2% e shohin si jo të dëmshëm.

Sa i përket qeverisjes Kurti, kënaqshmëria me punën e tij është me larta që është arritur ndonjëherë në Kosovë pas pavarësisë, tha Bislimi. 

Të rinjtë prijnë me 69.7% ndërkaq te personat me të ardhura minimale kënaqëshmëria është edhe më e lartë me 72.1%. Në total, si mesatare përqindja e kënaqëshmërisë së qytetarëve është 65.8% kundrejt vetëm 28.6% që nuk janë të kënaqur. 

Tri vendimet e qeverisë Kurti me mbështetjen më të madhe nga qytetarët janë:

 1) Ulja e pagave të kabinetit qeveritar

2) Pakoja emergjente fiskale dhe

3) Pakoja për rimëkëmbjen ekonomike.

Në lidhje me suksesin e qeverisë Kurti në parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, 76.3% e qytetarëve mendojnë se qeveria Kurti ka qenë e suksesshme në parandalimin e shpërndarjes së pandemisë, kundrejt vetëm 12% të qytetarëve që mbrëmë në një debat televiziv menduan se qeveria Hoti po tregohet e suksesshme në këtë drejtim. 

Për Pakon Emergjente Fiskale të Qeverisë Kurti mbi 82% janë shprehur të kënaqur, kurse për disa masa të tjera përqindja është edhe më e lartë. Te qytetarët që kanë të ardhura nën 100 euro mbështetja për këtë pako është mbi 90%. Pra, nuk ka pasur kurrë ndonjë vendim apo masë të ndonjë qeverie që ka gëzuar mbështetje kaq të madhe nga ana e qytetarëve, tha Bislimi. 

Në pyetjen se a duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, 58.6% e qytetarëve mendojnë se zgjidhja qëndron te zgjedhjet e parakohshme ngjashëm me atë që ka deklaruar Lëvizja VETËVENDOSJE!, kurse vetëm 28.2% mendojnë se jo.

Në rast se zgjedhjet do të mbaheshin në qershor Lëvizja VETËVENDOSJE! pa e marrë parasysh edhe diasporën del e para me 56 ulëse, kurse në vendin e dytë PDK 18 ulëse para LDK-së po ashtu ka 18 ulëse dhe në fund AAK-ja me 8 ulëse. 


Për kryeministër të vendit, pavarësisht subjektit politik që votojnë qytetarët, 47.8% e shohin Albin Kurtin si personin më të duhur për pozitën e kryeministrit. Të gjithë liderët tjerë politik në Kosovë së bashku i kanë 35%. 

Kjo tregon se përse ata i tmerrohen idesë së shkuarjes në zgjedhje, tha në fund të prezantimit të tij, nënkryetari Bislimi.  

Kontribo

05 07 2020

Mbahet mbledhja e XL e Këshillit të Përgjithshëm

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot mbledhjen e XL të organit të saj më të lartë, Këshillit të Përgjithshëm, ku u diskutuan shumë çështje, u miratuan raportet vjetore dhe u morën disa vendime të rëndësishme.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari Albin Kurti shprehu ngushëllime për familjarët të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre nga virusi COVID-19, duke uruar shërim të shpejtë për të prekurit dhe falënderuar punonjësit shëndetësorë që po bëjnë më të mirën e tyre për të shpëtuar jetët e qytetarëve. Ai po ashtu bëri thirrje për kujdes të shtuar dhe respektim të masave mbrojtëse.

Në adresimin e tij para delegatëve, Kryetari Kurti foli për rëndësinë e 6 tetorit dhe ngjarjet që pasuan, qeverisjen e mirë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe për vendimmarrjen që tashmë na pret si subjekti i parë në vend.

Në frymën e rezultateve zgjedhore, ai tha se kemi dëshmuar që mund të qeveriset ndershëm e me parime duke respektuar kontratën me qytetarët, që nuk ka vendime të vështira kur ka qëllime të mira dhe që një shtet më i barabartë dhe më i drejtë që kujdeset për të gjithë e sidomos për të varfrit dhe punëtorët është i mundshëm.

“Është e mundur të shpëtohen e rimëkëmbën ndërmarrjet publike. Është i mundur të luftohet korrupsioni e krimi, nepotizmi e shpërdorimi. Është e mundur të anulohen kontratat e dëmshme e të ndalohet gjakderdhja financiare e asfaltit të shtrenjtë në toka bujqësore. Është e mundur që edhe të vendoset reciprociteti tregtar me Serbinë edhe të ndihmohet financiarisht me gjysmë milioni euro Lugina e Preshevës. Është e mundur të fillojmë me vetingun në drejtësi, me institutin për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës, me konceptin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, dhe me buxhet për strehimoret që ofrojnë mbrojtje nga dhuna në familje.”

Nga e gjithë ajo dëshmi e qeverisjes tonë të mirë, është e vështirë të kthehemi prapa ngase qytetarët e kanë provuar, ju nevojitet dhe e meritojnë, tha ai.

Kurti foli edhe procesin e zgjedhjeve të brendshme në organizatë, për të cilat delegatët e Këshillit të Përgjithshëm votuan që ato të fillojnë me datë 1 shtator.

Ai tha se postet dhe pozitat, rendi dhe hierarkia si në shtet ashtu edhe në organizatë duhet t’i nënshtrohen vullnetit të përgjithshëm qytetarë përmes zgjedhjeve demokratike dhe jo arbitraritetit individual, duke theksuar se Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë e ka dhënë këtë provë.

“Ne në Lëvizje kemi rregulla dhe procedura demokratike të hapura dhe të verifikuara e me pjesëmarrje të gjerë e të barabartë ku secilit që dëshiron angazhim politik, mbi bazën e vlerave që ne përqafojmë e përfaqësojmë, i garantohet jo vetëm anëtarësimi por edhe hapësira e veprimit dhe e drejta për të zgjedhë e për t’u zgjedhur”, tha ai.

Kryetari Kurti përmendi edhe punën e mirë të deputetëve të Lëvizjes, të Qendrave të saj brenda dhe jashtë vendit që pavarësisht vështirësive në kohë pandemie kanë punuar në peticionin që tashmë ka mbledhur një çerek milioni nënshkrime për zgjedhje të reja, si dhe për shumë anëtarë të rinj që janë anëtarësuar dhe mirëpritur në organizatën tonë.

Kurti foli edhe për matjet e fundit të opinionit publik që e nxjerrin Lëvizjen VETËVENDOSJE! mbi trefishin e mbështetjes krahasuar me vendin e dyte, dhe atë si kryeministër mbi katërfishin e kandidatëve të tjerë.

“Një gjë është tejet interesante në këto sondazhe: mbështetja që kemi te gratë është mbi 55% (krahasuar me burrat 42%), ndërkaq te rinia i afrohemi 2/3 të përkrahjes popullore. Kjo e fundit konfirmon se e kujt është e ardhmja, por e para tregon se çka pritet prej nesh: barazi gjinore, mundësi e drejtësi e pjesëmarrjes për gratë dhe vajzat, në punësim, në pronësi, në pasuri, në udhëheqje.”

Në fund të fjalës së tij, ai tha se me 6 tetor ka ndodhur ndryshimi dhe se nuk ka makinë kohore që na kthen pas.

Qeveria “koti” duhet të shkoj sa më parë e zgjedhjet janë zgjidhja si për shëndetin e qytetarëve ashtu edhe për shëndetin e demokracisë dhe shtetit.

Në këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm Delegatët morën këto vendime:

– U shpallën zgjedhjet e brendshme të përgjithshme të cilat do të fillojnë me 1 shtator.

– U plotësua KZP-ja me dy anëtarë të ri.

– U votua themelimi i 7 Qendrave të reja prej tyre 6 në mërgatë, dhe Qendra në Maqedoninë e Veriut.

– U miratua anëtarësimi në Rrjetin Politik Rinor.

Në këtë mbledhje të XL, u sollën në diskutim këto raporte:

– Raporti vjetor i shpenzimeve për vitin 2019.

– Raporti vjetor për vitin 2019 i Sekretariatit të Përgjithshëm.

– Raporti vjetor për vitin 2019 i Sekretarit për Marrëdhënie me Jashtë.

– Raporti vjetor për vitin 2019 i Grupit Parlamentar.

– Raporti vjetor për vitin 2019 nga pesë komunat ku jemi në bashkëqeverisje.

Kontribo

03 07 2020

Qeveria ilegale dhe ilegjitime e paaftë e me dëme shumë

Për një muaj qeveria e paligjshme dhe pa legjitimitet ktheu shumë procese e zhvillime në pikën zero. Qytetarët e Republikës tonë në këtë kohë të vështirësive që lidhen me shëndetin dhe ekonominë nuk e meritojnë këtë qeveri, të cilës edhe nuk ia dhanë votën. Duke marrë këtë për shkas, sot në konferencë për media, Lëvizja VETËVENDOSJE!, përmes Nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci dhe deputetit Hajrulla Çeku, kërkuan që sa më parë vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Nënkryetarja Arbërie Nagavci tha se kjo qeveri me 59 vota (pasi dy sosh janë të kontestuara në Gjykatën Kushtetuese) u votua për t’i shërbyer Thaçit në negoaciatat e tij me Serbinë. Ajo përmendi heqjen dorë nga reciprociteti, barazia dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare si dëm të kushtueshëm në planin e jashtëm dhe duke hequr dorë nga shtetësia. Në anën tjetër, shfuqizimet e vendimeve të mira nga qeveria e kaluar, përfshirë rikthimin e njerëzve të korruptuar e shkarkuar nga pozitat i cilësoi si rrënim të mëtutjem në planin e brendshëm.

Nagavci theksoi se kjo qeveri që varet nga secili deputet i Listës Serbe duhet të shkojë sa më parë, pasi qytetarët nuk votuan për t’iu nënshtruar Serbisë e as për ta parë një qeverisje të njëzet viteve të kaluara.

Deputeti Hajrulla Çeku tha se për një muaj kjo qeveri koti po e zhbën progresin e bërë nga Qeveria Kurti duke e rikthyer numrin e lartë të zëvendësministrave, këshilltarëve, koordinatorëve dhe rikthimin e zyrtarëve nëpër ministri, të cilët ishin të njohur për korrupsion. Përveç kësaj, ajo po e zhbën edhe sakrificën e qytetarëve gjatë fillimit të pandemisë, duke mos bërë asgjë për ta menaxhuar më mirë situatën. Çeku u ndal edhe te ekonomia dhe kritikat e shumta që asokohe ka bërë opozita, duke theksuar se tani përveçse nuk ka ide dhe alternativë për dalje nga kriza ka thellim të mëtejmë të saj duke kthyer lejet për hidrocentrale e degradim të mëtutjeshëm të pasurive natyrore. Ai përmendi edhe arsimin si gjënë më shqetësuese tani, për çka përpos fjalëve përgjithësuese si për çdo fushë tjetër, nuk kemi dëgjuar se si do të vazhdojë tutje.

Në këtë situatë, edhe pse duhen pritur ndoshta 100 ditë për ta ushtruar një kritikë çfarë po e bëjmë tani, kemi parë që klubi i stërvjetruar politik e ka efektin shkatërrues aq të madh sa nuk guxojmë të presim tutje. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më parë, tha ai për fund.  

Kontribo

02 07 2020

Vizitë nga udhëheqësit e koalicionit të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës

Sot në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë pritëm një vizitë prej udhëheqësve nga koalicioni i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, subjekte që do të garojnë në zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si një faktor i rëndësishëm e shpresëdhënës shqiptar.


Delegacioni i përbërë nga kryetari i ASH Zijadin Sela, kryetari i AA Afrim Gashi, kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari, anëtari i kryesisë së AA, Zeqirja Ibrahimi dhe veprimtari Bekim Qoku u prit përzemërsisht nga kryetari Albin Kurti, anëtarët e kryesisë Glauk Konjufca e Arbër Zaimi, ish zv.kryeministri Haki Abazi dhe asistentja ekzekutive Valë Gjonbalaj.


Në takim u shkëmbyen përvoja e ide të rëndësishme për shqiptarët e për rajonin. Kryetari i ASH, Zijadin Sela shprehu optimizmin e tij për rezultatin zgjedhor duke vënë në pah organizimin dhe vendosmërinë e votuesve shqiptarë në RMV për ndryshim, pas 18 vitesh me subjektet e vjetra. Kryetari i AA, Afrim Gashi shprehu nevojën për një përfaqësim cilësor të shqiptarëve, të cilët nuk duhet të reduktohen në numra e poste, por duhet të çojnë përpara edhe programin ekonomik, social, arsimor e kulturor në të mirën e shqiptarëve. Kryetari Albin Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij shprehën vlerësim për programin e për qëndrimet e koalicionit ASH-AA, dhe uruan mbarëvajtje e përfaqësim të suksesshëm në zgjedhjet të cilat do të mbahen në 15 korrik.

Kontribo

29 06 2020

Takim pune me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemajl Minxhozi.

Sot në zyrën e tij, Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, bashkë me zëdhënësin e Lëvizjes, Përparim Kryeziu, priti në takim pune ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemajl Minxhozi.

Në këtë takim u fol për situatën politike dhe gjendjen e përkeqësuar të shëndetit publik si rezultat i përhapjes eksponenciale të COVID-19 në javët e fundit. Kosova, nga një histori suksesi në menaxhimin e pandemisë shpejt ka rrëshqitur në grupin e vendeve të cilat po përjetojnë përkeqësim të përshpejtuar të situatës. Kjo kërkon vëmendje prioritare, planifikim dhe guxim për ndërhyrje që sigurojnë menaxhim dhe luftim efikas të pandemisë. Në këtë drejtim, u fol për rëndësinë dhe nevojën për bashkëpunim mes dy vendeve përballë kësaj sfide.

Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë ka rëndësi historike të pazëvendësueshme. Ai duhet të shtrihet në shumë rrafshe, duke filluar nga ai bilateral ekonomik, me qëllim rritjen e qarkullimit të mallrave dhe prodhimeve. Pas goditjes që pandemia i ka dhënë ekonomive tona, nevoja për ta shtuar bashkëpunimin është bërë e domosdoshme, ishte përshtypja që ndanë Kryetari Kurti dhe ambasadori Minxhozi në këtë takim.

Kontribo

24 06 2020

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti mori pjesë sot në tryezën “Integrim apo gjithëpërfshirje?!” organizuar nga Partia Egjiptiane – IRDK, me rastin e Ditës së Egjiptianëve të Ballkanit.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari Kurti tha se problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës pësohen të përshkallëzuara nga ata që janë të varfër dhe rëndojnë edhe më shumë mbi komunitetet jo shumicë, dhe në këtë rast edhe mbi atë egjiptian. Problemet e përditshme duhet të na bashkojnë dhe jo të na ndajnë, sepse fundja askush për nga natyra nuk është përcaktuar të jetë fatalisht i varfër, por bëhet i tillë për shkak se dikush tjetër është pasuruar. Askush nuk ka zgjedhur të lind grua apo burrë, shqiptar apo diçka tjetër, në Kosovë apo gjetiu, prandaj duhet që bashkarisht të kërkojmë zgjidhje.

Kurti foli edhe për qeverisjen e mirë të VETËVENDOSJE!-s, që i ka ndarë 593 bursa për fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. U përmend Pakoja Emergjente, ku 2 milionë euro u ndanë për komunitetet jo shumicë, dhe Pakoja e Rimëkëmbjes që parashihte punën sezonale ku paga e fituar do të shtohej mbi asistencën sociale.

“Në qeverisjen tonë, qeverisjen më të mirë që kishte vendi, për aq sa patëm mundësi u fokusuam në ndihmesë konkrete për komunitetet pakicë në vend. Përderisa shumica e fëmijëve egjiptian, ndonëse vijojnë mësimet në gjuhën shqipe ata kanë tendenca për ta lënë shkollimin më herët për këto arsye: Statusi i ulët socio-ekonomik, mungesa e shkollave të cilësisë së lartë, infrastruktura e dobët arsimore dhe herë pas here mungesa e transportit. Kësisoj, Qeveria jonë mori vendim që të ndajë 593 bursa për fëmijët e komunitetit rom, ashkali e egjiptian. Nuk është e mjaftueshme, por duhej të fillonim nga diku.”

Ai bëri thirrje që komunitetet jo shumicë, në këtë rast ai egjiptian, të organizohet e ta imponojë vetën sa më shumë në jetën publike e politike, si duke shtruar kërkesa ashtu edhe duke propozuar zgjidhje e duke treguar vendosmëri për t’i zgjidhur problemet me të cilat ballafaqohet.

Koha e qeverive që varfërojnë popullin dhe jo vetëm komunitete të caktuara po ikën. Kanë provuar të ndërtojnë dinasti prej kartoni, por ja që rrebeshi i ndryshimit po ua rrëzon ato, tha ai në fund të fjalës së tij.

Kontribo

22 06 2020

Përparim Kryeziu merr detyrën e zëdhënësit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Përparim Kryeziu është i diplomuar me nderime të larta nga Universiteti i Ri i Lisbonës (Universidade NOVA de Lisboa), ku ka studiuar Sociologji Ekonomike dhe e Organizatës. Ai ishte bursist i programit SIGMA Agile. Studimet bachelor në Sociologji i përfundoi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, prej të cilave vitin e fundit të tyre e ka ndjekur në Universitetin e Antwerp-it (Universitetit Antwerpen) në Belgjikë duke qenë përfitues i bursës JoinEU-SEE. Të dy këto bursa të financuara nga Komisioni i Bashkimit Evropian.

Përparim Kryeziu gjithashtu ka qenë bursist pionier i programit të shkëmbimit YES (Youth Exchange and Study) të financuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, nëpërmjet të cilit vitin ka ndjekur një vit të shkollës së mesme në Vermont të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për gati tre vjet ka qenë anëtar i shoqërisë civile. Në dy vitet e fundit ka qenë pjesëmarrës aktiv në diskutime publike mbi Dialogun Kosovë-Serbi nëpërmjet punimeve dhe analizave të shkruara dhe kontributit në debate televizive.

Së fundmi, Përparimi ishte zëdhënës i Qeverisë Kurti, ndërsa tani do e ushtrojë detyrën e zëdhënësit në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. I urojmë Përparimit punë të palodhshme në rrugëtimin e tij, bashkë me ne, në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Kontribo

22 06 2020

Takim lamtumirës me ambasadorin e Hungarisë, László Márkusz

Ditën e sotme, Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, së bashku me zëdhënësin e Lëvizjes, Përparim Kryeziun, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Hungarisë, László Márkusz, tri javë para përfundimit të mandatit të tij pesë vjeçar. Në takim, Kryetari Kurti e falënderoi ambasadorin për punën e tij në Kosovë dhe për bashkëpunimet bilaterale mes Kosovës dhe Hungarisë.

Ndër organizimet ku ambasada Hungareze ka dhënë kontribut të vlefshëm për shkëmbimin kulturor, ekonomik dhe institucional mes dy vendeve janë rritja e dyfishuar në pesë vite e bashkëpunimit tregtar, tanimë në 66 milionë euro dhe organizimet kulturore si Java e Kulturës Hungareze. Vlen të përmendet edhe programi i bursave të financuar nga qeveria hungareze. Së fundi, ky program e ka rritur kuotën e bursave në 70 sosh për studentët e Kosovës dhe ka një rëndësi të madhe për krijimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në takim u fol edhe për rëndësinë e avancimit të procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në përhapjen e vlerave të BE-së. Hungaria e ka përkrahur Kosovën në këtë proces.

Në fund të takimit, Kryetari Kurti i uroi kthim të mbarë në vendin e tij ambasadorit Márkusz dhe të dy shprehën interesimin për t’i mirëmbajtur kontaktet.

Kontribo

22 06 2020

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, doërzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e vendimeve antikushtetuese të Presidentit

Sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve antikushtetuese të Presidentit të Republikës së Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Besianës dhe të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Nga gjashtë shkurti i këtij i viti, qytetarët e Komunës së Besianës vazhdojnë të privohen nga e drejta e tyre e përcaktuar me Kushtetutë për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre si Kryetar të Komunës, si dhe për të pasur qeverisjen lokale që e kanë zgjedhur përmes zgjedhjeve të lira, me justifikimin se ato rrezikojnë shëndetin publik. Dje u organizuan zgjedhjet e Serbisë në Kosovë dhe me këtë rast ky justifikim ka rënë poshtë plotësisht. Sepse si mund të shpjegohet që zgjedhjet e Serbisë mund të organizohen kurse ato të vetë komunave të Kosovës jo.

Cila është porosia? Që ne kemi më pak të drejta? Që minoriteti serb nuk është përgjegjësi e qeverisë tonë sa i takon shëndetit publik? Cilado qoftë arsyeja është skandaloze dhe e papranueshme.

Kushtetuta e Republikës, si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat civile dhe politike garantojnë të drejtën e patjetërsueshme për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Komuna është njësi themelore e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës, e cila gëzon shkallë të lartë të vetëqeverisjes lokale dhe inkurajon e siguron pjesëmarrje aktive të të gjithë qytetarëve në procesin e vendimmarrjes së organeve komunale.

Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë në qeverisjen e vendit të vet, drejtpërdrejt ose me anë të përfaqësuesve të zgjedhur lirisht. Këto të drejta kushtetuese të qytetarëve mundësohen përmes shpalljes dhe organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejtpërdrejta. Askush nuk ka të drejtë e autorizime, e aq më pak Presidenti që arbitrarisht dhe jashtë kompetencave të tij të pamundësojë ushtrimin dhe përmbushjen e këtyre të drejtave përmes shtyrjes pa afat të mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të komunës.

Përkundrazi, përgjegjësia kushtetuese dhe ligjore e Presidentit, është caktimi i datës së zgjedhjeve në afatet e përcaktuara me ligj. Pas dorëheqjes së Kryetarit të Komunës zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës. Zgjedhjet e parakohshme shpallen jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas dorëheqjes, të cilat nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes.

Me vendimet e Presidentit për të shtyrë pa afat të caktuar mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Besianës, por së fundi edhe për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Presidenti ka privuar qytetarët nga e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, siç përcaktohet me nenin 45 të Kushtetutës. Vendimi i Presidentit për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve në Besianë dhe Mitrovicë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, si dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të integruara në Kushtetutë si dhe me praktikat e mira dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.

Kontribo

20 06 2020

Homazhe për Moikom Zeqon.

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! me Kryetarin Albin Kurti dhe drejtuesin e grupit parlamentar Rexhep Selimin, së bashku me Haki Abazin, Arben Vitinë, Mimoza Kusari-Lilën, Hydajet Hysenin, Dejona Mihalin, Gani Krasniqin, dhe përfaqësues nga Qendra e Lëvizjes në Shqipëri, Enis Sulstarovën, Boiken Abazin, Elvis Hoxhën, Arbër Zaimin, Hysamendin Ferajn dhe shumë aktivistë të tjerë si dhe themeluesin e Shtëpisë Botuese ZENIT Krenar Zejnon, mori pjesë sot në homazhet për përcjelljen e fundit të figurës së shquar të letrave shqipe, Moikom Zeqos.

Moikom Zeqo ishte një monument kulture që ecte mes shqiptarësh. Në veten e tij ripërtëriheshin dhe shpluroseshin arkeologjia dhe historia e shqiptarëve, letërsia dhe filozofia, mendimi politik dhe virtyti njerëzor. Ndër të paktët intelektualë i cili gjithnjë donte të dinte më shumë për shqiptarinë dhe njerëzimin, i cili gjithë çka dinte nuk mund të mos e ndante me të tjerët. Veprat e tij janë dhuratat që Moikomi na i bënte vazhdimisht pa ia kërkuar. Janë shenja e vitalitetit të kulturës tonë. Moikomin do të mbetet shoqëruesi që nuk na braktis kurrë në krijimtaritë tona.

Kontribo

20 06 2020

Qeveria ilegale dhe ilegjitime po heq dorë nga sovraniteti dhe integriteti

Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë duke e trajtuar Kosovën edhe efektivisht si pjesë të saj, është cenim i integritetit dhe sovranitetit shtetëror. Serbët e Kosovës me 21 qershor nuk do të votojnë si votues jashtë vendit me shtetësi të dyfishtë duke votuar përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, por si shtetas brenda Serbisë dhe në qendra të votimit të hapura nga autoritet serbe nëpër komunat e Republikës së Kosovës.

Qeveria e paligjshme dhe jolegjitime është strukur përballë ndërhyrjeve të Serbisë. Me lejimin e këtyre zgjedhjeve, po përligjen dhe legjitimohen pretendimet e Serbisë.

Pas heqjes së masave të reciprocitetit dhe heqjes dorë nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, kjo Qeveri brenda pak ditësh ka dorëzuar gjithçka që ka të bëjë me mbrojtjen e interesave shtetërore dhe integritetin e shtetit të Kosovës.

Kjo mënyrë e votimit, kur një shtet hapë vendvotime në territorin e një shteti tjetër është e pashembullt. Votues serbë ka edhe në vende tjera të rajonit, por Serbia askund tjetër nuk mund të hapë qendra të votimit, madje as në “ Republika Srpska”.

Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë shumë më shumë se sa për votën e serbëve janë ushtrim efektiv i sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën, nën një kohë kur Kosova ka marrë tatëpjetën me mohimin e subjektivitetit të saj sidomos para takimit të paralajmëruar më 27 qershor në Uashington.

Është përpjekje tinëzare e Qeverisë së përmbytur në varësinë nga Lista Serbe, se kinse nuk po votohet në Kosovë, por vetëm po grumbullohen votat nga OSBE. Qeveria e demaskuar tashmë po përpiqet të maskojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, që do të mbahen sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Serbisë, të organizuara nga autoritetet e saj në mes të ditës dhe në kundërshtim të hapur me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Rruga e nisur nga Qeveria e dalur nga vullneti i qytetarëve më 6 tetor të vitit të kaluar, duke vënë palëkundur barazinë dhe reciprocitetin, po shembët e po i vihet kundër shtetit të Kosovës nga kjo Qeveri ilegale dhe pa mbështetje popullore. Serbët e Kosovës, shtetas të saj, do të duhej të votonin si votues jashtë shtetit, ashtu siç votohet kudo në botë, qoftë përmes postës, qoftë në hapësirat e misioneve diplomatike. Edhe Kosova nuk do të duhej të përbënte përjashtim nga si sillen dhe veprojnë shtetet e pavarura kudo, madje edhe vendet e rajonit. Kjo pabarazi e Kosovës përballë Serbisë mbi çkado tjetër është heqje dorë nga vetja si shtet i pavarur.

Kontribo

17 06 2020

77 vjetori i lindjes së profesor Ukshin Hotit

Java e Lëvizjes u përmbyll sot më 17 qershor, në ditëlindjen e veprimtarit të madh të çështjes kombëtare, profesor Ukshin Hotit. Për shënimin e ditëlindjes së 77, Kryetari Albin Kurti, së bashku me një delegacion nga Lëvizja, vizitoi paradite shtëpinë muze të Ukshin Hotit, për t’u kyçur pasdite në bashkëbisedimin e organizuar publik e të drejtuar nga Glauk Konjufca për mësimet dhe rëndësinë e jetës dhe veprës së Ukshin Hotit.

Bashkëbisedimi kishte shumë zëra të ndryshëm mbi shumanësinë e mendimit dhe veprimit politik të Ukshin Hotit. Sa profesor aq edhe tribun, sa institucional aq edhe jashtëinstitucional, Ukshini është emri i një figure të cilën nuk e rehatojmë dot në korniza të paracaktuara, por që na krijon korniza të reja dhe na problematizon ato të tjerat. Kërkimi i fatit të Ukshin Hotit është kërkimi i fatit tonë. Vepra e tij është vetja jonë më e mirë, mundësitë e pamata të angazhimit tonë politik.

Lavdi jetës dhe veprës së Ukshin Hotit!

Kontribo

17 06 2020

Bashkëbisedim: Mësimet dhe Rëndësia e Ukshin Hotit

Në kuadrin e ‘Javës së Lëvizjes’ dhe në 77 vjetorin e ditëlindjes së Ukshin Hotit, sot, në orën 16.00, me moderimin e Glauk Konjufcës do të mbahet një bashkëbisedim me Kryetarin e Lëvizjes Albin Kurtin, Sabri Kiçmarin, Arbërie Nagavcin, Tinka Kurtin dhe Gent Carrabregun mbi mësimet dhe rëndësinë e jetës dhe veprës së kësaj figure kaq të rëndësishme për historinë e politikës dhe letrave shqipe, siç është ajo e Ukshin Hotit.

Bashkëbisedimin do të mund ta ndiqni përmes faqes se Lëvizjes në facebook.

Kontribo

17 06 2020

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti takoi Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, z. Mirosllav Lajçak

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, deputeten dhe anëtaren e kryesisë Fitore Pacolli Dalipi dhe anëtarin e kryesisë Glauk Konjufca, takoi Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, z. Mirosllav Lajçak, shefen e zyrës së BE-së znj. Natalia Apostolova, znj. Anna Maria Boura, kryesuese e COWEB, znj. Katharina Kandt, këshilltare e z. Lajçak dhe Umerr Al – Khatib, këshilltar politik në zyrën e BE-së.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë z. Lajçak gjatë takimit theksoi interesimin e Brukselit për dialog me parime e marrëveshje për normalizim midis dy vendeve. Por, z. Lajçak u shpreh se nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme pa përfshirjen e Kryetarit Albin Kurti dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!, kjo duke marrë parasysh përkrahjen gjithnjë në rritje dhe ndikimin e madh brenda vendit. Ai njoftoi që Brukseli po punon për rifillimin e dialogut i cili pritet të nis në muajin që vjen.

Ndërsa, Kurti nënvizoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm. Dialogu duhet të zhvillohet në mënyrë transparente, larg nga marrëveshjet sekrete për shkëmbim territorial dhe me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dialogu duhet të udhëhiqet nga përfaqësues legal dhe legjitim e jo nga këta që kanë kontrabanduar pushtetin duke rrëzuar qeverinë e mirë dhe demokratike të zgjedhur nga populli. Prandaj, zgjedhjet janë të domosdoshme dhe të pashmagmshme për një qeveri legjitime e kredibile të dialogoj dhe të arrij një marrëveshje të qëndrueshme e afatgjate.

Në fund, të dyja palët u dakorduan që të vazhdojnë komunikimin e rregullt dhe të sinqertë në mënyrë që të informojnë njëri tjetrin për zhvillimet e mundshme në skenën politike.

Kontribo

17 06 2020

Dita e qeverisjes lokale.

Në kuadër të Javës së Lëvizjes, dje shënuam edhe “Ditën e qeverisjes lokale” me ç’ rast organizuam një mbledhje virtuale me Kryetarët e Komunave, Drejtorët dhe Anëtarët e Kuvendeve Komunale nga radhët e Lëvizjes tonë, për të folur rreth alternativës që kemi paraqitur dhe programit që kemi implementuar në nivelin lokal. Në këtë takim mori pjesë edhe Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti.

Gjatë këtij viti, në disa Komuna të Kosovës kemi arritur të kalojmë propozime të rëndësishme si ai për buxhetimin gjinor, pastaj pagesën e shumës mbi 100 euro për fëmijët e sapo lindur, ndalimin e disa projekteve të dëmshme për ambientin, lirimin nga taksa për shfrytëzimin e hapësirës publike për bizneset e gastronomisë gjatë periudhës së pandemisë etj. punë, që edhe i diskutuam në këtë mbledhje, bashkarisht me raportin përmbledhës të çështjet kryesore të ngritura nga anëtarët tanë në Kuvendet Komunale.

Lëvizja VETËVENDOSJE! përherë është angazhuar dhe vazhdon me zellin e njëjtë të punoj në çdo Komunë për të transmetuar e ofruar zgjidhje si për nevojat ashtu edhe për kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve. Pushteti lokal është adresa e parë e qytetarit dhe është mekanizmi kyç për zgjidhjen e problemeve të përditshme me te cilat ballafaqohemi. Rruga, çerdhja, shkolla, Qendra e Mjekësisë Familjare, parku dhe urbanizimi i lagjeve e fshatrave tona varen nga politikat lokale të cilave ne iu kushtojmë shumë rëndësi. Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, do e shtojmë përpjekjen që alternativa jonë qeverisëse të vazhdojë të ndërthuret në kontakt me qytetarin dhe do ta shtojmë punën që ajo të jetësohet në secilën komunë të Republikës tonë.

Kontribo

16 06 2020

Qeveria Koti e Hashim Thaçit tashmë është në të njëjtën linjë me Serbinë

Pas sajimit të qeverisë së paligjshme, deklarata e parë e presidentit Thaçi ishte se duhet të largohen të gjitha pengesat karshi dialogut, dhe ashtu ndodhi: qeveria koti largoi masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke e zhveshur tërësisht Republikën e Kosovës nga sovraniteti e dinjiteti shtetëror. Ndërkaq sot emisari i presidentit Trump, Richard Grenell, na njoftoi për vendimin e radhës së kësaj qeverie: që të heqë dorë nga përpjekja për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Qeveria Koti e Hashim Thaçit tashmë është në të njëjtën linjë me përpjekjen e Serbisë, me zotimin e kryeministrit Koti dhe Hashim Thaçit, se Kosova nuk është e barabartë me Serbinë dhe se Kosova nuk do të angazhohet për subjektivitet ndërkombëtar. Ky është pozicioni me të cilin këta shkojnë në dialog me Serbinë. Ky vendim erdhi pak orë pas takimit Hoti-Thaçi.

Sot më shumë se kurrë kuptohet përpjekja e gjithë këtij Klubi të Stërvjetëruar Politik për ta larguar qeverisjen që filloi të sillet si shtet normal në arenën ndërkombëtare e të forcojë sovranitetin për së brendshmi. Qeveria Kurti i ka penguar pazaret me thika mbi harta që po i kanoseshin Republikës së Kosovës. Për tandemin Thaçi-Vuçiq ishte e nevojshme një qeverisje pa legjitimitet popullor, e diskredituar, marionetë, e cila ndjek aventurën e tyre të nisur tash e disa vite.

Lëvizja VETËVENDOSJE! thekson se asnjë marrëveshje që cënon integritetin territorial e funksional të Republikës së Kosovës nuk do të mund të implementohet në vendin tonë dhe se nuk mund të ketë dialog nga një qeveri ilegale dhe ilegjitime që është në diskrepancë totale me vullnetin e popullit. Konjukturat e kapura nuk mund të dëmtojnë vullnetin e shumicës. Lojërat me copëtime krijojnë parakushtet për destabilizim të rajonit, e vënë në rrezik një numër të madh njerëzish.

Kontribo

15 06 2020

Drenas, Dardanë e Gjilan, po nënshkruhet Peticioni

Në Drenas, por pastaj edhe në Dardanë e Gjilan, entuziazmi për zgjedhje të reja është i lartë në këto ditë të nxehta qershori dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e numrit të nënshkrimeve në peticion. Nëpër takimet tona, e sidomos në këto tri të fundit me qytetarë, hetohet dëshira e nevoja për një qeveri të mirë, e jo një qeveri koti. Për një qeverisje që jep ndjenjën e sigurisë dhe zhvillimit, e jo të shantazhit, e të presidentit. Kryetari Kurti vizitoi këto qytete, ku takoi aktivistët punëtorë nëpër tenda dhe qytetarët nënshkrues të peticionit më të madh ndonjëherë. Koha e zgjedhjeve po afron e puna jonë do të shtohet në ditët e radhës. Rikthimi ynë do të jetë edhe më i fuqishëm, sepse nuk do të jetë vetëm rikthim i yni, por edhe i vetë popullit në qeverisje.

Kontribo

14 06 2020

Java e Lëvizjes me rininë.

Sot, në kuadër të Javës së Lëvizjes, u mbajt edhe një takim me të rinjtë, me ç ‘rast Kryetari Albin Kurti dhe Drejtuesi i Lëvizjes Studentore për Barazi (SKV) Flamur Pireva bashkëbiseduan me studentë rreth rëndësisë së arsimit dhe ndërlidhjes së tij me ekonominë e prodhimin, si dhe për aktivizmin rinor.

Të rinjtë patën rastin të njoftohen më shumë edhe rreth situatës politike, zgjedhjeve që po afrojnë, për të cilat edhe shprehën bindjen që si në nivelin lokal ashtu edhe nacional do t’i fitoj Lëvizja VETËVENDOSJE!, që tashmë edhe e ka dëshmuar jo vetëm që e ka alternativën më të mirë qeverisëse, por që edhe është e vetmja alternativë për të qeverisur me vendin.

Pas diskutimit, u mbajt edhe një koktej që zgjati shkurt, ku të pranishmit patën rastin të bashkëbisedojnë me njëri-tjetrin për aktivitetet e ditëve në vijim.

Kontribo

14 06 2020

Java e Lëvizjes me gratë.

Gratë përherë kanë qenë të përfshira në Lëvizje, me punën e tyre ato përveç se e kanë shtrirë organizatën në të gjitha skajet e vendit dhe jashtë tij, edhe e kanë siguruar çdo fitore tonën. Sot, në kuadër të Javës së Lëvizjes, zhvilluam një bashkëbisedim online me gratë aktiviste për ecjen e organizatës tonë ndër vite, si dhe për angazhimet e shumta që na presin.

Sekretarja Organizative, Vlora Haxhimehmeti, foli për rritjen e numrit të anëtareve ndër vite dhe për forcimin e strukturave tona me pjesëmarrjen e grave aktiviste në to. Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmendi punën e bërë nga organizata, e sidomos gratë brenda organizatës tonë në adresimin e dhunës mbi baza gjinore, dhe për financimin e strehimoreve për viktima të dhunës që ka bërë qeveria Kurti. Ajo shprehu bindjen se kjo punë e mirë do të vazhdoj përmes një përfshirje edhe më të gjerë të grave në Lëvizje.

Kryetari, Albin Kurti, uroi aktivistet dhe anëtaret për 15 vjetorin e Lëvizjes, dhe mes të arriturave të qeverisjes së mirë, theksoi punën e rëndësishme që kanë bërë gratë që qeverisja të jetë e tillë. Duke iu referuar vullnetit qytetar të shprehur në peticionin që kërkon zgjedhje, ai tha se qeveria e punës dhe e drejtësisë, ajo e barazisë do të rikthehet shumë shpejtë.

Gratë aktiviste nga Qendrat e Lëvizjes në Kosovë, nga Qendrat e Mërgatës dhe Qendra jonë në Shqipëri shtruan shumë ide se si duhet të ecet përpara me organizimin e grave shqiptare kudo që janë, ato e rikonfirmuan gatishmërinë për angazhim edhe më të përkushtuar e dinamik në të ardhmen.

Lëvizja VETËVENDOSJE! bashkë me Sekretariatin e Gruas Aktiviste, do ta rris angazhimin për të sfiduar çdo imponim e rëndesë mbi gratë. Kundër pabarazisë dhe diskriminimit dhe për sa më shumë solidaritet e barazi, e sidomos gjinore.

Kontribo

13 06 2020

Dita e mërgatës.

Përveçse jashtë vendlindjes e larg njëri-tjetrit, sivjet pandemia na e ka shtuar edhe më shumë largësinë, kjo ndikoi edhe në ditën tonë tradicionale që si Lëvizje tash për të tretin vit radhazi ja kushtojmë mërgatës sonë, ditën e mërgatës. Në pamundësi që të takohemi me ju këtë herë fizikisht, organizuam takim virtual për të diskutuar e festuar jo vetëm 21 vjetorin e çlirimit të vendit, por edhe 15 vjetorin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Në këtë takim morën pjesë Kryetari Albin Kurti, Sekretarja Organizative Vlora Haxhimehmedi dhe deputetja Fitore Pacolli, ndërsa takimi u moderua nga Lirika Komoni, Koordinatore e qendrave në mërgatë.

Vlora Haxhimehmedi duke folur për rritjen e mbështetjes ndaj Lëvizjes njoftoi ndër të tjera edhe shtrirjen më të madhe të LV-së në Kosovë dhe jashtë saj. Ajo po ashtu foli edhe për historikun e organizimit të Lëvizjes përgjatë 15 viteve të ekzistencës së saj.

Në anën tjetër, Fitore Pacolli u fokusua tek vendimet që Qeveria Kurti kishte ndërmarrë në lidhje me mërgatën, që nga vendimi për fillimin e proceduarave për pagesën e Kartonit të Gjelbërt për bashkatdhetarët që vijnë në vendlindje, te ligji i diasporës dhe për nismën ligjore për votimin e mërgatës nëpër ambasada dhe konsullata, që u propozua nga deputetet e Lëvizjes ditë më parë.

Në fund, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! informoi bashkëbiseduesit nga mërgata për situatën politike në vend, për 100 ditëshin e qeverisë së mirë, për rëndësinë dhe mbështetjen e madhe për peticionin ”Duam Zgjedhje!” si dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale e hapat e metutjeshëm të organizimit tonë në mërgatë dhe në Kosovë.

Me një interesim të jashtëzakonshëm, mes qindra kërkesash për pjesëmarrje në këtë takim virtual, këtë herë nuk arritëm që t’i përfshijmë të gjithë bashkatdhetarët në këtë bisedë për çka edhe ju kërkojmë ndjesë, ndërkaq ju njoftojmë që së shpejti Lëvizja do organizojë takime të ngjashme përsëri për të cilat do t’ju tregojmë me kohë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i është përherë falenderuese mërgatës për kontributin dhe rolin pashoq të saj që ka në raport me Kosovën, atdheun tonë të përbashkët.

Kontribo

12 06 2020

Shumë si shumica, Shpejt si Lëvizja, Mirë si Qeveria Kurti

Mijëra qytetarë, aktivistë dhe anëtarë u mblodhën në festimin e 21 vjetorit të çlirimit të vendit dhe 15 vjetorit të themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në mesin e tyre, folën deputetët Liburn Aliu dhe Saranda Bogujevci, aktivistja Aulonë Bytyçi dhe Drejtori i Qendrës së Lëvizjes në Shqipëri Boiken Abazi, ish-ministrat e Qeverisë Kurti, Albulena Haxhiu dhe Arben Vitia, dhe në fjalën e fundit Kryetari Albin Kurti.

Në tubimin festues nuk munguan fjalët që kujtojnë angazhimin dhe sakrificën e aktivistëve, aktivitetet dhe rezistencën e Lëvizjes dhe punët e mira të Qeverisë Kurti. Tashmë ekziston një dëshirë e zjarrtë dhe një entuziasëm i madh për ta parë Lëvizjen në Qeverisje, për ta parë forcë të parë përballë bashkimit të kotësisë dhe antidemokracisë kundër saj.

Në tubim nuk munguan as këngët e grupit Troja përmes anëtarit të bandës Bujar Berisha, këngët që kanë përshkuar ndër vite tubimet dhe protestat e Lëvizjes.

Rezistenca dhe përkushtimi i sinqertë dhe i pakompromis i Lëvizjes ndër vite i ka sjellur frytet e veta me besimin e madh të popullit për të. 100 ditët e Qeverisë Kurti kanë ngjisur entuziasmin se po, një qeverisje e mirë është e mundur. Këto janë të vërteta të pakthyeshme.

Në fjalën e tij, mes ngazëllimit të të pranishëmve me plot dashuri për vendin dhe Lëvizjen, Kryetari Kurti tha se, “këtë vit dhe vitin që vjen neve do të na ngelet i gjithë pushteti në duart tona, pushteti qendror këtu, por edhe ai lokal nëpër komuna. Kjo do të na gëzojë shumë, por duhet edhe të na brengosë për punët e shumta dhe përgjegjësinë e madhe që do ta kemi. Bëhuni gati për pushtetin. Do të ikë kjo Qeveria Koti, e ne nuk kemi kohë për të humbur, nuk kemi kohë koti”.

Aktivistët dhe qytetarët duan zgjedhje dhe janë gati për to, sepse aktivistët dhe qytetarët duan një tjetër Qeveri Kurti, një qeveri popullore të shumicës, një qeveri të shpejt të Lëvizjes dhe një qeveri të mirë siç e meriton Kosova.

Kontribo