12 06 2020

Ditën e djeshme Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, ka vizituar tendat për nënshkrimin e peticionit për zgjedhje të reja në qytetet Gjakovë, Deçan dhe Malishevë.

Edhe në këto komuna nuk mungon entuziasmi për zgjedhje të reja, për qeveri me legjitimitet popullor dhe për një shtet demokratik. Qeveria Kurti i ka bindur qytetarët se një qeverisje e mirë dhe që e trajton me dinjitet qytetarin është e mundur. Rrëzimi i saj i ka bindur se asgjë nuk mund ta garantojë demokracinë nëse mungon angazhimi dhe pjesmarrja qytetare në skenën politike. Peticioni është vetëm fillimi i një pjesmarrjeje popullore në skenën politike e cila do të kulmojë me votimin masiv në zgjedhjet e reja. Lëvizja e sheh qeverisjen me popullin, ndërsa qeveria Koti fshihet pas qeverisjes ilegjitime vetëm për të mos u përballur me popullin.

Kontribo

11 06 2020

Deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi

Më 3 qershor në seancën e Kuvendit të Republikës në të cilën u votua Qeveria ilegale dhe kundër vullnetit të votuesve, mori pjesë edhe deputeti i dënuar me aktgjykim të formës së prerë për vepër penale me një vit e tre muaj burg.

Pjesëmarrja e z. Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj Qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë. Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg.

Qeveria Koti është e diskredituar në të gjitha drejtimet. Pa bazë kushtetuese dhe pa vullnetin e votuesve, e varur plotësisht nga Lista Serbe dhe madje me vota të deputetëve përkundër vullnetit të tyre, ajo është e pavlefshme edhe ligjërisht prej votimit të z. Etem Arifi si i dënuar me vendim përfundimtar gjyqësor për vepër penale.

Përveç Qeverisë që nuk gjen mbështetje as në Kushtetutë dhe as në rezultatin e zgjedhjeve, por është imponim nga Presidenti e për vetë atë dhe planet e tij, ka humbur integritetin dhe besueshmërinë çdo mekanizëm kushtetues për mbrojtjen e ligjshmërisë e të kushtetutshmërisë së veprimeve e vendimeve institucionale.

Me provat që dëshmojnë qartazi se z. Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit, sot, disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës.

Kjo kërkesë është rasti i radhës që ose do të shpërfaqë edhe më shumë rënien e shtetit të së drejtës në justifikimin e çdo paligjshmërie, ose do të konstatojë atë që e thotë Kushtetuta se një deputet i dënuar me mbi një vit burg humb mandatin dhe se vendimi që merr për bazë votimin e tij është në kundërshtim me Kushtetutën.

Kontribo

11 06 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE! dorëzoi nismën ligjore për peticione

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! dorëzoi në Kuvendin e Kosovës nismën ligjore për peticione. Vullneti kolektiv dhe kërkesat e qytetarëve të shprehura përmes peticionit janë një e drejtë politike dhe kushtetuese që i japin kuptim demokracisë dhe e mbrojnë atë nga shpërdoruesit dhe mohuesit e saj.

Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje është element esencial për demokracitë kudo dhe sidomos në Kosovë. Projektligji i proceduar nga deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! përcakton ligjërisht për herë të parë në Kosovë rolin dhe rëndësinë e peticioneve, mënyrën, përmbajtjen dhe efektet e tyre.

Një ligj i tillë i ka munguar Kosovës kaherë. Në një kohë kur vullneti i shprehur edhe përmes zgjedhjeve zhvleftësohet, kur demokracia përkeqësohet, kur hendeku midis institucioneve dhe qytetarëve thellohet, bëhet edhe më i domosdoshëm krijimi i mundësive ligjore për qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre dhe që të bëhen pjesë e marrjes së vendimeve në jetën politike e institucionale.

Kontribo

11 06 2020

Homazhe në nder të Arbënor Deharit.

Ditën e sotme Kryetari Albin Kurti së bashku me aktivistët e Lëvizjes mbajtën homazhe në 6 vjetorin e ndarjes nga jeta të aktivistit Arbënor Dehari.

Sot Arbënori do të kishte qenë 35 vjeçar me plot angazhim e përkushtim, mendim dhe entuziazëm për vetëvendosjen e popullit tonë, për barazi shoqërore dhe për zhvillim ekonomik. Arbënori mishëronte modelin e aktivistit që veprimin politik nuk e shihte si një akt spontan të izoluar, por si rezultat dhe kulmim të një pune organizative. Veprimi politik për të ishte shpallja publike e ekzistencës së mrekullueshme të një kolektivi politik barazitar që e mundëson veprimin. Kjo e mbante Arbënorin jo në akte politike të izoluara dhe individualiste, por në një lëvizje permanente kolektive. Aktivisti është i tillë vetëm për sa është me të tjerë aktivistë. Kjo bindje e Arbënorit është bindja jonë dhe kjo e mban atë të pandashëm prej nesh dhe kujtimi i tij na mban edhe ne po ashtu.

Kontribo

10 06 2020

Dita e Lidhjes

Java e Lëvizjes u hap sot me shënimin e Ditës së Lidhjes. Përveç interesimit të madh të qytetarëve për ta nënshkruar peticionin për zgjedhje të reja, pati edhe interesim të madh për të marrë pjesë në bashkëbisedimin e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Platonë e Lidhjes, për rëndësinë historike dhe politike të Lidhjes së Prizrenit. Të ftuar për të folur në këtë 142 vjetor, ishin Glauk Konjufca dhe historianja Mrika Limani Myrtaj.

Glauk Konjufca në fjalën hapëse tregoi sesi kemi nevojë jo vetëm ta kujtojmë e festojmë por edhe ta shqyrtojmë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Më së shumti theksoi faktin se përballë projekteve ekspansioniste të fqinjëve në mesin e shek. XIX, intelektualët shqiptarë punuan mbi projektin e gjuhës shqipe si një gjuhë e veçantë e që shënjonte mëvetësinë e një identiteti kulturor të shqiptarëve, ndërsa organizimi politik përgjatë kësaj periudhe bëhej në fshehtësi ku vlen të kujtohet Komiteti i Stambollit, i cili i paraprin organizimit të Lidhjes së Prizrenit.

Studiuesja e historisë, Mrika Limani Myrtaj, parashtroi sesi shqiptarëve u binte të pësonin barrën e degradimit të Perandorisë Osmane në shek. XIX, kjo edhe për faktin se shqiptarët nuk kishin projekte ekspansioniste si fqinjët serb, grek dhe malazez. Në mesin e kësaj gjendjeje dhe pas traktatit të Shën Stefanit shqiptarët u vetëdijesuan se ata dhe trojet e tyre nuk do të mbroheshin prej tjetërkujt nëse nuk do të mbroheshin më së pari prej vetë atyre.

Në këtë bashkëbisedim mori pjesë edhe Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, i cili ndau me të pranishmit mendimin se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është kulmi i organizimit politik dhe ushtarak të kombit tonë dhe se prej këtij organizimi mund të mësojmë ende ngase kemi nevojë të bashkohemi si shqiptarë në mënyrë që të krijohet një paqe afatgjate, një siguri për të gjithë dhe një stabilitet i cili nuk është i një rendi të padrejtë.

“Pra ka nevojë për forcim të shqiptarëve, për fuqizim të tyre, jo për inat të ndokujt tjetër, por për hirë të vetes së tyre duke i kontribuar kështu edhe mbarë rajonit”, tha ai.

Në diskutim u rikujtua edhe se Lidhja e Prizrenit përveç se ishte organizim mbarëkombëtarë, ishte edhe mbifetar, duke u bërë kështu simboli i bashkimit të shqiptarëve pavarësisht ndarjeve nga jashtë dhe dallimeve fetare të brendshme. Mbyllja e tij u shoqërua me ndezjen e 142 flakadanëve në muret e kalasë ne nderin e këtij përvjetori. Lidhja është ende gjallë dhe vazhdon të na thërras drejt bashkimit si shqiptarë, për një të ardhme më të mirë, me më shumë paqe, siguri e mirëqenie dhe barazi.

Kontribo

10 06 2020

Kryetari Kurti vizitoi qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Therandë, Mushnikovë dhe Prizren

“Jemi të bindur që ekziston dalja nga kjo krizë, ekziston zgjidhja për problemet në Kosovë, dhe ajo zgjidhje janë zgjedhjet e reja, në mënyrë që në njërën anë qytetarët ta shprehin vullnetin në ato zgjedhje dhe në anën tjetër ta rifreskojmë legjitimitetin e institucioneve të Kosovës. Asnjëherë nuk ka pasur hendek më të madh të legjitimitetit midis ekzekutivit që teknikisht ekziston edhe popullit i cili politikisht dëshiron diçka tjetër. Prandaj, ky peticion, është duke u bërë peticioni më i madh në Kosovën e pasluftës”, tha Kryetari Kurti sot në Prizren, ku pas vizitës në Therandë dhe Mushnikovë, takimeve me struktura e qytetarë që po punojnë dhe nënshkruajnë peticionin atje, qëndroi në Prizren në hapjen e Javës së Lëvizjes që fillon me Ditën e Lidhjes.

Afër tendës së peticionit në Prizren, ku vetëm sot 8 mijë qytetarë nënshkruan për zgjedhje, Kryetari Kurti tha se Qeveria Koti që nuk varet thjeshtë prej Listës Serbe, por prej secilit deputet të kësaj liste, nuk ka as kredibilitet e as legjitimitet për të qëndruar, dhe se Lëvizja VETËVENDOSJE! që e bënë më së miri edhe qeverisjen edhe opozitën është e interesuar dhe po punon që Qeveria Koti të jetë e kotë, por jo edhe qeveri më.

Kontribo

09 06 2020

Prej nesër fillon Java e Lëvizjes.

Prej nesër fillon Java e Lëvizjes. Hapjen e saj e shënojmë me Ditën e Lidhjes në Prizren, për të vazhduar ditën e premte me kremtimin e 15 vjetorit të Lëvizjes tonë në sheshin ‘Skënderbeu’, dhe për ta përmbyllur me ditëlindjen e veprimtarit dhe aktivistit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti.

Ndërkohë që nënshkrimi i peticionit do të vazhdojë pa ndërprerje, ditën e dytë të kësaj jave të Lëvizjes, të enjten, do t’ia dedikojmë pikërisht atij, duke e shtuar punën dhe numrin e nënshkrimeve për zgjedhje të reja. Ditët e tjera, do të jenë për Mërgatën, Gruan dhe Rininë, qeverisjen lokale dhe qendrore, ku edhe do t’i prezantojmë të arriturat e qeverisjes tonë.

Ju mirëpresim në aktivitetet tona.

Kontribo

09 06 2020

Interpelancë mbi heqjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë – kërkojmë rivendosjen e tyre sa më parë

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për interpelancë mbi heqjen e masave të reciprocitetit të Republikës së Kosovës ndaj Serbisë.

Reciprociteti është parim ndërkombëtar që bazohet në barazinë midis shteteve. Republika e Kosovës me shpalljen e pavarësisë ka subjektivitet ndërkombëtar dhe dokumentacioni apo çdo formë tjetër ndërveprimi në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mund të jetë ndryshe përpos se reciproke.

Barazia është parakusht, kurse reciprociteti definon shtetësinë e Kosovës në raportet me të tjerët, e sidomos me Serbinë. Është obligim shtetëror e kushtetues, përveçse në interes të shtetit që qytetarët, ndërmarrësit dhe profesionistët të trajtohen barabarësisht e pa paragjykime.

Heqja e masave të reciprocitetit, është heqje dorë nga subjektiviteti shtetëror, kurse lejimi nga Qeveria e paligjshme dhe jolegjitime i emërtimeve jo kushtetuese në kohën përkundër se kishte filluar të respektohej emërtimi kushtetues Republika e Kosovës, është zmbrapsje e dëmshme politike dhe tregtare për shtetin e Kosovës.

Kontribo

09 06 2020

Kryetari Kurti vizitoi qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, Kastriot dhe Fushë Kosovë.

Sot, Kryetari Kurti vizitoi qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, Kastriot dhe Fushë Kosovë, të cilat edhe kanë vënë pikat për nënshkrimin e peticionit. Gjatë vizitës në Besianë, së bashku me deputetët Saranda Bogujevci dhe Shpejtim Bulliqi, ata takuan qytetarë që po nënshkruanin për zgjedhje të reja, me të cilët bashkëbiseduan edhe për rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në atë qytet, të shtyra për shkak të pandemisë, që pritet të mbahen së shpejti.

Mijëra qytetarë po nënshkruajnë çdo ditë peticionin, të vetëdijshëm që zgjedhjet janë burim i legjitimitetit për një shtet demokratik dhe jo një procedurë lehtësisht e mënjanueshme apo e zëvendësueshme. Zgjedhjet nuk janë e gjithë demokracia, por nuk mund të ketë demokraci pa zgjedhje.

Kontribo

09 06 2020

Bashkëbisedim mbi Lidhjen

Javën e Lëvizjes e fillojmë nesër me Ditën e Lidhjes. Këtë 142 vjetor, te Platoja e Lidhjes së Prizrenit, duke filluar nga ora 19:00, Glauk Konjufca dhe historianja Mrika Limani Myrtaj do të mbajnë një bashkëbisedim për rëndësinë historike dhe politike të Lidhjes së Prizrenit. Ndërsa, në ora 21:00 do të bëhet ndezja e flakadanëve në kalanë e qytetit, pa marshim kësaj radhe. Ju ftojmë të merrni pjesë.

Kontribo

09 06 2020

Me 12 qershor, në ditën e çlirimit të Kosovës, festojmë edhe ditëlindjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Në 21 vjetorin e çlirimit dhe 15 vjetorin e themelimit të Lëvizjes do të mblidhemi së bashku në Prishtinë, në Sheshin “Skënderbeu”, në orën 17:00, gjithnjë në përputhje me rekomandimet duke ruajtur distancën fizike.

Shihemi të premten në Prishtinë.

Kontribo

08 06 2020

Kryetari Albin Kurti vizitoi disa prej pikave ku po nënshkruhet peticioni në Prishtinë

Sot, Kryetari Albin Kurti vizitoi disa prej pikave ku po nënshkruhet peticioni në Prishtinë. Së bashku me disa aktivistë, ai fillimisht vizitoi pikën në lagjen Kodra e Trimave, ku përherë numri i nënshkruesve është i madh, për të vazhduar në Tauk Bahçen e freskët ku takoi disa qytetarët që po e nënshkruanin peticionin, e më pas edhe në lagjen Mati, te rrethi i qytetit dhe sheshi qendror.

Nënshkrimi i peticionit po vazhdon nëpër të gjitha qytetet. Mbrëmë kaloi numrin 150 mijë, dhe besojmë se këtë javë do ta kaloj numrin 200 mijë. Qytetarët janë të bindur se e vetmja mënyrë për ta rikthyer një qeverisje legjitime në vend është përmes zgjedhjeve të lira që duhet të organizohen sa më parë.

Ditëve në vijim, Kryetari Kurti do t’i vizitojë edhe qytetet tjera ku po nënshkruhet peticioni.

Kontribo

08 06 2020

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzuan nismë ligjore për votimin e mërgatës në ambasada dhe konsullata.

Sot, një grup i deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka proceduar nismën ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, përmes të cilit iu mundësohet bashkatdhetarëve që të përmbushin të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës.

Mërgata përbën më shumë se 1/3 e popullsisë së tërësishme në Kosovë. Roli dhe kontributi i bashkatdhetarëve ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm në jetën ekonomike dhe sociale e politike në Kosovë. Rreth 700 milionë euro në vit, vijnë nga mërgata. Fatkeqësisht dhe jo për fajin e saj, roli politik i mërgatës është reduktuar shumë kur bëhet fjalë përfshirjen e tyre në vendimmarrje.

Megjithëse, formalisht mundësia e pjesëmarrjes në zgjedhje ju njihej, praktikisht atyre ju është pamundësuar përmes burokracisë e pengesave teknike e administrative. Mospërputhja e numrit të madh të bashkatdhetarëve, kontributit politik, kombëtar dhe ekonomik të tyre dhe përfshirjes në zgjedhje, duhet të marrë fund, duke ju ofruar mundësi që të votojnë aty ku jetojnë, në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës.

Me projektligjin e propozuar nga deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! votuesit nga mërgata do ta kenë mundësinë që të realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese që të votojnë në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës në vendet ku jetojnë.

Kontribo

08 06 2020

PETICION: Duam Zgjedhje

Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja sepse vetëm përmes tyre mund të ketë legjitimitet qeverisja e re. Për të dalë nga kjo krizë, si hap të parë po mbledhim nënshkrimet për peticionin që ka vetëm këtë kërkesë: zgjedhje të reja.

Jo qeveri pa zgjedhje e për vjedhje. Jo qeveri për ndarje e copëtim. Por zgjedhje, demokraci e zhvillim.

https://www.duamzgjedhje.org/

Kontribo

07 06 2020

Për një javë 150 mijë nënshkrime

Sot u bënë një javë prej kur filluam mbledhjen e nënshkrimeve në peticionin online për të vazhduar të nesërmen edhe atë fizik gjithandej nëpër Republikën e Kosovës. Kërkesa është një: “Duam Zgjedhje!”, ndërkaq përgjigja qytetare është e jashtëzakonshme në mbështetje të kësaj kërkese të drejtë dhe legjitime përkundër atyre që pasi tradhtuan vullnetin e shprehur me 6 tetor vazhduan edhe ta vjedhin atë. Me vullnet të vjedhur nuk do të mund as të qeverisin e as të përvjedhin ndonjë marrëveshje të dëmshme për vendin.

Deri sot janë mbledhur 150 mijë nënshkrime dhe peticioni ende po vazhdon. Ditëve në vijim do të fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve edhe në çdo fshat e lagje për të lehtësuar procesin e nëshkrimit të peticionit për të gjithë qytetarët që duan ta plotësojnë atë.

#duamzgjedhje

Kontribo

06 06 2020

Tradhtia s’ka brirë

Qeveria Hoti, në të cilën nuk bën pjesë asnjë udhëheqës politik, por e sponsorizuar në prapaskenë prej Aleksandar Vuçiqit e Hashim Thaçit dhe e mbështetur qyqarisht prej Isa Mustafës, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt, shfuqizoi sot reciprocitetin.

Tash e tutje Kosova e sunduar nga klika e mësipërme dhe nga qeveria kukull, ka hequr dorë prej emrit të saj “Republika e Kosovës”, dhe ka pranuar si të vlefshme dokumentacionet ku e quajnë “Kosovo i Metohija”. Ky skandal vetëdhunues u përshëndet menjëherë nga Vuçiqi. Veseli e të tjerët iu nënshtruan Hotit, shërbëtorit të radhës të çiftit Vuçiq-Thaçi. Arsyeja pse u përshëndet: sepse siç kishte deklaruar vetë Vuçiqi, reciprociteti po i kushtonte Serbisë miliona euro në ditë, para të cilat mbeteshin në Kosovë dhe ndihmonin biznesin tonë vendor.

Edhe pse Vuçiqi në bisedë me kancelaren Merkel ishte deklaruar i gatshëm ta vazhdonte dialogun edhe me reciprocitet, gjë e cila do të duhej të kapitalizohej menjëherë nga çdo politikan shqiptar, pushtetarët e vjetër e hoqën reciprocitetin. Edhe pse kamionat e ardhur nga Serbia nisën të respektonin rregullat e reciprocitetit dhe të përdornin dokumenta me emërtimin zyrtar “Republika e Kosovës”, humbësit e zgjedhjeve e hoqën reciprocitetin.

Kosova për ta është si një pasuri e gjetur, të cilën mund ta shpenzojnë e ta bëjnë rrush e kumbulla, për qejfet e tyre të pangopshme, apo për të paguar avokatët që i mbrojnë prej të shkuarës së errët. Ata nuk e shohin Kosovën as si toka e trashëguar gjysh-stërgjyshi, vaditur me gjakun, djersën e lotët e paraardhësve tanë, e as si hapësirën jetike ku do t’u mundësohet frymëmarrja fëmijëve, nipave e stërnipave tanë. Klika e udhëheqësve të LDK, PDK, AAK, Nisma-s dhe tarafeve të tyre, nuk njohin detyrë historike. Ata i ofrojnë si të ardhme njerëzve mërgimin, e si të tashme shkatërrimin e sovranitetit, dinjitetit, reciprocitetit, drejtësisë dhe zhvillimit.

Por pakënaqësia e mospajtimi qytetar me këto vendime e me këtë qeveri, janë më të larta se kurrë. Thaçi mund të planifikojë që me një qeveri marionetash të bëhet president i fortë si Vuçiqi, por autokrati ynë, ndryshe nga autokrati serb, nuk gëzon asnjë grimë legjitimiteti demokratik. Thaçi dhe partitë e tij nuk i fitojnë zgjedhjet, populli u ka dalë kundër. Asnjë marrëveshje e asnjë vendim nuk do të mund të vihet në zbatim në këtë krizë legjitimiteti demokratik e politik, sepse shumica dërrmuese mbështet Vetëvendosjen, për reciprocitet e kundër copëtimit të vendit. Ata e hoqën reciprocitetin për të lidhur marrëveshjen e ligë, por kudo në botë, atyre që mendojnë se mund të merren vesh e të sundojnë pa popull, u del shpejt afati.

Kontribo

03 06 2020

Arroganca e pushtetit nuk ka të ndalur e në derë po troket diktatura

Truprojat e presidentit përçarës kanë goditur dhe e kanë rrahur deri në gjakosje aktivistin Veron Hasani vetëm pse ky i fundit ka guxuar të ngrejë zërin gjatë kohës kur Hashim Thaçi po mbante konferencë për media në shesh. Aktivisti Veron Hasani ka thirrur “o hajn!”, duke besuar se në Kosovë ende funksionon demokracia dhe liria e fjalës. Por kështu nuk mendon Thaçi dhe truprojat e tij.

Nga pamjet e videos bashkangjitur, xhiruar nga mediat, shihet qartë sjellja çnjerëzore dhe brutale e këtyre truprojave ndaj një qytetari që nuk ka bërë asgjë, përveçse ka folur. Me të mbaruar punë me qytetarin, truprojat i janë kthyer gazetarit, i cili po ashtu është sulmuar që t’i merret videoja. Mbulimi i gjurmëve, karakteristikë e bashkëpunëtorëve të këtij presidenti.

Një regjim që nuk e duron të vërtetën, kritikën, dhe drejtësinë mund të sillet vetëm në këtë mënyrë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! aktivistët dhe asnjë qytetar nuk ua ka frikën shkelmave të fundit të Pronto-Presidentit që ka humbur toruan. Së bashku me qytetarët ne do ta ndalim atë, dhe gjithë abuzuesit.

Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Veronit, si dhe kërkojmë nga organet e rendit arrestimin e këtyre personave të cilët godasin qytetarët vetëm pse flasin lirshëm në sheshet e Republikës. Ftojmë edhe organizatat që merren me monitorimin e të drejtave njerëzore e politike, me demokracinë e lirinë e fjalës, të reagojnë kundër kësaj arrogance diktatoriale që po tenton të imponohet nga ana e Thaçit në Kosovë.

Kontribo

03 06 2020

Për 2 ditë 25 mijë nënshkrime

Qytetarët janë të bindur se cili është lloji i qeverisjes që i duhet vendit. Me 6 tetor ata i dhanë fund mendësisë 20 vjeçare te qeverisjes me korrupsion, krim e cenuese të sovranitetit, ndërkohë gjatë kësaj kohe jemi dëshmitarë së në Kosovë ka shpresë dhe se mund të qeveriset me duar të pastra. Ndryshimi që ka ndodhur nuk mund të kthehet mbrapa, ndërkaq zgjedhjet janë zgjidhja e vetme përpara.

Përmes peticionit që kemi filluar dje gjithandej Republikës janë mbledhur mbi 25 mijë nënshkrime fizike. Interesimi i jashtëzakonshëm qytetar na jep vullnet edhe më shumë që të vazhdojmë punën për të cilën jemi zotuar dhe rrugën përpara që kemi nisur.

Ne do t’i rrëzojmë abuzuesit nga pushteti, sado të ndihen të fortë e arrogantë sot.

Kontribo

02 06 2020

Nga mbledhja e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Lëvizja VETËVENDOSJE! (LVV) ka mbajtur sot një mbledhje të përbashkët të Kryesisë me Grupin e saj Parlamentar. Aty u diskutua situata politike në Kosovë, sidomos zhvillimet e fundit.

U kritikua ashpër Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese që e vulosi këtë Gjykatë si të kapur, madje edhe më fort se shteti ynë në përgjithësi. Përjashtimi edhe i zgjedhjeve edhe i fituesit është i pashembullt dhe e bën këtë Aktgjykim të padrejtë e të papranueshëm.

U vlerësua mbështetja e madhe e qytetarëve, puna e mirë e Qeverisë në detyrë, dhe organizimi nga aktivistët i peticionit “Duam Zgjedhje!”. Duket qartë se ky peticion do t’i thyejë të gjitha rekordet duke u bërë peticioni më i madh në Kosovën e pasluftës.

U kundërshtua tentimi për qeveri të re pa zgjedhje të reja nga regjimi i vjetër. Kjo qeveri do të ishte qeveri e presidentit. Ajo nuk do të ngërthente as 1/3 e mbështetjes qytetare elektorale dhe do të varej komplet nga Lista Serbe. Asisoj, negociatat brenda-qeveritare të saj do të bëheshin negociata ndër-shtetërore me Serbinë.

Protestat po bëhen të pashmangshme. Megjithatë, LVV nuk do të organizojë protestë nesër. Për neve qeveria nuk është qëllim, por mjet për shtetin dhe shërbim për qytetarin. Natyrisht, nuk duam të dekurajojmë protesta të tjera të paralajmëruara nga grupe të ndryshme të qytetarëve.

Kontribo

02 06 2020

Telegram ngushëllimi

Me pikëllim morëm lajmin për vdekjen e dy punëtorëve, inxhinierit, Haki Arifit dhe xehetarit, Idriz Gërbeshi nga shembja e dheut në horizontin e katërt të minierës së Artanës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh ngushëllimet e sinqerta për familjet e dy punëtorëve. Vdekja në vendin e punës na ka shqetësuar përherë dhe përherë kemi reaguar. Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, i ka vizituar dhe i ka ngushëlluar minatorët dhe familjet e tyre. Qeveria ka ndarë edhe një shumë parash në ndihmë të familjeve, e bursa për fëmijët e tyre. Për punëtorët duhet të ketë kushte më të mira të punës, e sidomos siguri sa më të lartë në vendet ku ata punojnë. Do ta vazhdojmë përpjekjen në këtë drejtim derisa ngjarje si kjo sot të mos ndodhin më. Bashkëndjejmë me familjet e dy punëtorëve nga Artana.

Kontribo

01 06 2020

Kërkojmë pajisjen me procesverbalet dhe transkriptet e Gjykatës Kushtetuese

Marrë parasysh rëndësinë dhe ndikimin e madh për rendin kushtetues dhe demokracinë në vendin tonë, domosdoshmërinë për pasqyruar gjithë procesin e shqyrtimit dhe të vendosjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese për dekretin antikushtetues të presidentit, sot Kryetari i Grupit Parlamentar i Lëvizjes VETËVEDOSJE! Z. Rexhep Selimi ka kërkuar nga Gjykata që në përputhje me përgjegjësinë për të qenë e hapur dhe transparente për publikun, e veçanërisht për palët, që në afat sa më të shpejtë dhe në format autentik të na ofrojë të gjitha dokumentet, duke përfshirë edhe procesverbalet dhe transkriptet që pasqyrojnë procesin e shqyrtimit dhe të marrjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese për rastin KO72/20.

Dekreti antikushtetues i Presidentit nuk mund të justifikohet përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ashtu sikurse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është vënë mbi Kushtetutën për ta arsyetuar Presidentin. Andaj si palë në këtë rast, kërkojmë të njihemi me dokumentet që dëshmojnë se mbi çfarë baze është argumentuar ajo që nuk mund të argumentohej në dritën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kontribo