28 05 2020

Test i suksesshëm për mbrojtjen e demokracisë.

Sot mbi 5 mijë pjesëmarrës, një pjesë e vogël e qytetarëve që mbështesin ndryshimin, treguan se protesta është e mundshme të organizohet edhe në këtë kohë, duke respektuar masat e rekomanduara nga Institucionet e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Pjesëmarrja masive, e organizuar në formën e një performance, dëshmoi edhe njëherë se vullneti i shumicës së qytetarëve është që kriza politike të zgjidhet pa e shkelur kushtetutën, dhe e vetmja mënyrë për këtë është që të organizohen zgjedhjet sa më parë.

Asnjë zhvillim politik nuk mund të jetë i shëndetshëm nëse shmang mundësinë e protestës qytetare. Në vendin tonë, edhe pse shumë ish-pushtetarë nga e kaluara do ta dëshironin mungesën e saj, prova e sotshme na dha edhe përvojën edhe dijen se mund të organizohemi në numër edhe më të madh nëse është nevoja, gjithmonë duke respektuar masat e Institucioneve të Shëndetësisë.

Nuk na mungon vullneti për ta mbrojtur rendin demokratik. Nuk na mungon vendosmëria për të refuzuar nënshtrimin ndaj regjimit të vjetër. Janë këto provat e fundit për llojin e rendit dhe shoqërisë që e aspirojmë. Duam zgjedhje sa më parë!

Kontribo

24 05 2020

URIME FITËR BAJRAMI!

Lëvizja VETËVENDOSJE! uron të gjithë besimtarët myslimanë dhe shqiptarët kudo që ndodhen, për festën e Fitër Bajramit.

Pas mësimeve që na jep muaji i shenjtë i Ramazanit për dëlirësi e solidaritet, qëndrueshmëri e vetëpërmbajtje ndaj sprovave të përditshme, sot besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin.

Si përherë, festa e Fitër Bajramit shënon fundin e rrugëtimit njëmujor të prirë nga mishërimi me gjendjen e përditshme të tjetrit, me shtimin e ndjeshmërisë për nevojtarët e të varfërit dhe domosdoshmërinë për t’iu ardhur në ndihmë.

Skamja dhe begatia janë dy anë të së njëjtës medalje, të cilat i përbashkon porosia që kjo festë përçon, shtrirja e dorës së solidaritetit dhe ngritja e kësaj shtrese drejt mirëqenies së përbashkët dhe për gjithë.

Sivjet, Fitër Bajramin do ta festojmë më ndryshe se herët tjera. Përballja me pandeminë kudo në botë e ka bërë të pazakontë jetën. Por edhe kjo përmbajtje për hir të mirëqenies kolektive kuptimëson akoma më shumë këtë festë dhe lartëson edhe më shumë çdo besimtar.

Gëzuar Fitër Bajramin të gjithë qytetarëve të Kosovës të besimit islam, duke iu dëshiruar festë të qetë e mbarësi, duke shpresuar që Bajrami i ardhshëm të na gjejë në rrethana tjera festimi, shumë më të mira për vendin e qytetarët, të zakonshme për festën e Bajramit.

Kontribo

24 05 2020

Si të votohet në kushtet e pandemisë?

Votimi në një kohë pandemie nuk ndryshon edhe aq prej atij pa të. Përveç kujdesit të shtuar, gjithçka tjetër është e ngjashme.

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të frymëzuar nga forma e organizimit të zgjedhjeve në Korenë e Jugut, të mbajtura me 15 prill 2020, kanë inskenuar një proces të ngjashëm zgjedhor.

Hapat janë shumë të thjeshtë se si do të duhet të votohet, madje janë vetëm dy të tillë:

1. Votuesit duhet të kenë maska dhe të qëndrojnë 1.5 metra larg njëri-tjetrit gjatë kohës së pritjes në radhë,

2. Votuesve do të u matet temperatura në hyrje të klasës:

2.1. Nëse temperaturën e ka deri në 37.5 gradë celsius, votuesi mund të votoj në atë klasë me procedura sikur nga e kaluara vetëm me disa masa shtesë të sigurisë,

2.2. Nëse temperaturën e ka më shumë se 37.5 gradë celsius, atëherë votuesi do të ndahet në një klasë tjetër ku i gjithë stafi i KQZ-së do të jetë i pajisur me veshje kundër pandemisë COVID-19. Pas votimit ai/ajo shoqërohet për t’i bërë analizat.

Këtu e 28 vite më parë po mbaheshin zgjedhjet e para në Kosovën e okupuar. Ndonëse nën shtetrrethim nga Serbia e pa institucione, populli i Kosovës arriti t’i organizoj zgjedhjet e para në vend. Tani mundësitë janë edhe më të mëdha dhe se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje.

Kontribo

21 05 2020

21 vjetori i Masakrës së Dubravës

21 vite më parë, në hapësirat e burgut të Dubravës, nën organizimin shtetëror të Serbisë, u vranë 160 të burgosur politikë shqiptarë dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, në njërën prej masakrave më të tmerrshme të luftës së fundit. Nga data 19 maj, deri më 24 maj, të burgosurit shqiptarë që ishin sjellë aty nga të gjitha burgjet e Kosovës, dhe po përjetonin ditët më të rënda të tyre duke u përballur me një forcë që ishte mposhtur tashmë dhe që po hakmerrej mbi ta duke i masakruar. Në ato ditë plot me tortura, dhunime e vrasje pati të burgosur që arritën të shpëtonin dhe të arratiseshin përmes, siç shpjegojnë edhe vetë ata, përpjekjeve gati mbinjerëzore.

Sot, kur shënohet 21 vjetori i kësaj masakre kujtojmë që përmes fakteve dhe dëshmive të ndryshme është bërë një kallëzim penal nga shoqata e të burgosurve politik të Kosovës, por asgjë më tepër nga qeveritë e kaluara. Qeveria e tanishme, ka ndërmarrë nismën për themelimin e Institutit për Hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim që të bëjë një adresim serioz e profesional të këtyre krimeve. 21 vite pas, ndonëse shumë vonë, krimet e luftës duhet t’i trajtojmë seriozisht. Vënia e drejtësisë për këtë masakër, si dhe për masakrat tjera të kryera nga shteti serb në Kosovë duhet të ndodhë dhe pa asnjë vonesë të mëtutjeme.

Kontribo

20 05 2020

Qeveria merr 2 vendime të rëndësishme për Trepçën

Sot, Kryeministri Kurti së bashku me Ministren e Ekonomisë, Rozeta Hajdari dhe Ministrin e Financave, Besnik Bislimi, vizituan Trepçën, ku takuan Bordin e Përkohshëm dhe Ushtruesin e Detyrës së Kryeshefit të kësaj Ndërmarrje për t’i njoftuar për dy nismat e qeverisë që kanë të bëjnë me injeksionin financiar, subvencionimin prej 3.5 milionë euro nga qeveria për pagat e punëtoreve dhe obligimet e kësaj ndërmarrje, dhe për iniciativën e rihapjes së Terminalit Doganor në Trepçë.

“Qëllimi i këtij takimi ishte që në njërën anë t’i njoftojmë që Qeveria në Detyrë e Republikës së Kosovës tashmë ka ndarë një subvencion prej mbi 3.5 milionë euro për Trepçën, në mënyrë që Trepça të mund t’i paguaj edhe obligimet por edhe pagat e punëtorëve të saj. Në anën tjetër, po i bëjmë përgatitjet në mënyrë që terminali doganor i cili ka qenë këtu në Trepçë nga viti 2002 deri në vitin 2013 të kthehet, dhe asisoj të siguroj të hyra për Trepçën. Padrejtësisht Trepçës i është marrë Terminali Doganor në vitin 2013 dhe ne duam që kjo të korrigjohet.”

“Ne bashkëndjejmë me Kryeshefin, me udhëheqjen e Trepçës, me inxhinierët e punëtorët e saj, meqenëse në bursën ndërkombëtare kanë rënë çmimet e metaleve, për shkak të pandemisë COVID-19. Sido që të jetë prodhimi në Trepçë ka një ngritje të lehtë dhe ne dëshirojmë që në të ardhmen edhe të shtohet prodhimi por edhe të shtohet produktiviteti. Prandaj do të na duhet të hulumtojmë për teknologji të reja në mënyrë që të hapen edhe horizonte të reja dhe ky produktivitet i Trepçës të na nxjerrë nga Trepça si një barrë sociale tek një kapacitet zhvillimor çfarë e njohim prej ngaherë. Pra, t’ia kthejmë Trepçës si krenari kombëtare shkëlqimin ekonomik edhe zhvillimor ashtu që të mos varet Trepça nga qeveria por e gjithë Kosova të varet nga Trepça e cila do të përparoj duke e rritur edhe prodhimin edhe produktivitetin”, tha Kryeministri Kurti.

Kontribo

20 05 2020

Lironi mbrojtësit e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë

Edhe sot po vazhdojnë të mbahen të burgosur disa nga protestuesit që kundërshtuan rrënimin e Teatrit Kombëtar nga Qeveria dhe Bashkia në Tiranë, mes tyre dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri Boiken Abazi.

Boiken Abazi përveç kontributit të tij si aktivist i rëndësishëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE! shquhet edhe si qytetar i kulturuar e intelektual i angazhuar. Ndalimi i tij shpresojmë të mos jetë hakmarrje e ndonjë idhnaku që mban inat për prishjen e pazareve me Vuçiqin. Vuçiqi mund të jetë mik individual i dikujt, por ai nuk mund të jetë kurrë mik i shqiptarëve, për shkak të historisë e politikës që ai përfaqëson.

Ndërtesa e Teatrit ishte vlerë e dashur për qytetarët, shkatërrimi i saj ishte barbari e paqytetëruar. Protestuesit ishin paqësorë, prishja e Teatrit ishte brutale. Ata po mbahen pa arsyetim dhe me urdhër të prerë politik. Përgjegjësit politikë atje duket qartazi se po dëshirojnë ta bllokojnë shprehjen qytetare në formë proteste dhe pjesëmarrjen publike me argumente në kundërshtimin e rrënimit të Teatrit Kombëtar. Mirëpo çdo përpjekje për ta ndaluar protestën qytetare me burgosje është e dëshmuar që vetëm e rrit protestën dhe rezistencën.

Kërkojmë nga organet e drejtësisë së Republikës së Shqipërisë që të ruajnë integritetin duke mos e vijuar më tej këtë burgim politik të protestuesve si dhe të nisin hetimet për rrënuesit e Teatrit Kombëtar dhe ata që ushtruan dhunë mbi protestuesit, për shkelësit e vërtetë të Kushtetutës të ligjeve në fuqi, e të procedurave demokratike dhe transparencës, sa i përket vendimmarrjes.

Duket sikur demokracia mezi po mbahet në Shqipëri. Por demokracia është aftësia e qytetarëve për t’i befasuar pushtetarët, e nuk është spektakli i propagandës së pushtetit, që ua ledhaton mjekrat atyre. Ata që kanë besuar se pushteti i tyre është i pakufishëm, dhe se mund të shkelin e të përjashtojnë grupet shoqërore duke i etiketuar si pakica, përfundojnë të zhgënjyer. Duhet liruar Boiken Abazi, duhen liruar protestuesit dhe të mbahen përgjegjës rrënuesit, që të mos rrënohet e gjitha.

Prishtinë, 20 maj, 2020
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

19 05 2020

Hapja e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren.

Kryeministri Kurti, së bashku me Kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ambasadorin gjerman, Christian Heldt, sot bënë hapjen e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren.

Nga sot, të gjitha bizneset mund të aplikojnë për hapësirën 40 hektarëshe që ka infrastrukturë të gatshme, nëpërmjet faqes itp-prizren.com/ . Ky park do të jetë në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe zgjerimit të perspektivës për të rinjtë ndërmarrës.

Në këtë hapësirë do të vendoset edhe Qendra e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, si dhe Muzeu Oldtimer dhe Muzeu i Artit Modern, që do të hapen nga Komuna e Prizrenit.

Kontribo

16 05 2020

21 vjetori i rrëmbimit të Ukshin Hotit.

Në 21 vjetorin e rrëmbimit të Ukshin Hotit, teoricienit dhe aktivistit më të shkëlqyer politik të çështjes kombëtare, Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, së bashku me deputetët Salih Zyba, Arbër Rexhaj dhe aktivistë të tjerë vizituan sot shtëpinë muze të Ukshin Hotit për të rikujtuar si veprën e sakrificën e tij për liri, ashtu edhe nevojën për drejtësi dhe zbardhje të fatit të tij e të shumë të rrëmbyerve të tjerëve që sot na mungojnë.

Profesori Ukshin Hoti, ose baca Ukë, ndërtoi bazën teorike të filozofisë politike të shqiptarëve dhe bashkoi njerëzit e thjeshtë drejtë një detyre aspak të lehtë për çlirim, barazi e pavarësi kombëtare.

Kontribo

15 05 2020

Reagim për të pavërtetat e Presidentit deklaruar sot në konferencë për media

Presidenti edhe njëherë sot gjatë konferencës për media tha një mori të pavërtetash dhe nxiti sërish përçarje. Këto të pavërteta të formuluara kësilloj janë padyshim të qëllimshme dhe marrë parasysh institucionin që përfaqëson janë edhe të papranueshme.

Për tre të pavërtetat më të fundit ne po konsiderojmë që t’i drejtohemi organeve të drejtësisë, sepse gjithë sa Presidenti tha është shpifje, fyen rëndë integritetin tonë politik, por edhe njerëzor dhe nxit përçarje e mosdurim.

Të tre këto deklarime që Presidenti tha janë larg të vërtetës ngase as nuk ka pasur vendime selektive mbi baza politike në Qendrën e Studentëve për karantim, as nuk ka pasur sinjale nga organet kompetente për rrezik ndaj deputetit Pacolli dhe nuk ka asnjë dëshmi të bazuar që dikush të marrë guximin të thotë që kemi të bëjmë me ‘shtyrje në vetëvrasje’. Përpjekja e Presidentit për të manipuluar politikisht vdekjen tragjike të një të riut tonë, pa i pritur as rezultatet e hetimeve zyrtare, është e patolerueshme në një shoqëri të civilizuar. I ndjeri dhe familja e tij nuk meritojnë një trajtim të tillë nga askush, lëre më nga një zyrtar i lartë shtetëror që, sipas Kushtetutës, do të duhej të përfaqësonte unitetin e popullit.

Akuza të tilla janë të rënda, dhe për to duhet marrë përgjegjësi. Është tej mase e trishtueshme të shihet se si Presidenti mundohet të përdorë dhimbjen dhe fatkeqësinë e dikujt tjetër, për të hedhur baltë mbi institucionet e vendit.

Presidenti, është duke mbuluar me turp postin që e mban, duke zvetënuar integritetin moral e shtetëror të figurës së Presidentit duke u kthyer në një zëdhënës të insinuatave të fabrikuara nga vet ai dhe rrjeti i ndikimit të tij ilegal. Ndjehet e dëshmohet se qytetarët në shumicë janë të distancuar nga një frymë e tillë përçarëse dhe jorrallë edhe në mungesë të humanitetit.

Kontribo

08 05 2020

Për një muaj e pak ditë, u regjistruan 10.597 punëtorë të cilët nuk figuronin më parë në regjistrin shtetëror. Ky numër mund të rritet në ditët e ardhshme, pasi përmes regjistrimit bizneset dhe punëtorët përfitojnë nga masat e pakos emergjente që qeveria ka miratuar për t’i bërë ballë pandemisë COVID-19.

Kontribo

06 05 2020

Dorëzohen në Gjykatën Kushtetuese përgjigjet për shkeljet e rënda të Presidentit

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka dorëzuar me 5 maj, në Gjykatën Kushtetuese komentet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ato janë përgjigje ndaj komenteve të Presidentit Thaçi për shkeljen e rëndë, rrjedhimisht veprimet e tij antikushtetuese të datës 23 mars 2020.

Presidenti jashtë mandatit e funksionit të tij kishte bërë thirrje për mosrespektim dhe moszbatim të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Duke kërcënuar organet ligj zbatuese me sanksionime penale, e drejtë kjo vetëm e sistemit gjyqësor të vendit tonë.

Vendimet e Qeverisë kishin të bëjnë me mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga pandemia Covid-19, ndërsa sjellja e presidentit për të shpallur publikisht vendime të Qeverisë pa efekt juridik dhe thirrjet për moszbatim e mosbindje civile përveç rrezikim të shëndetit publik, ishin shkelje serioze e Kushtetutës nga ana e tij, ndërhyrje brutale, cenim të pavarësisë së pushteteve, si dhe rrezikim i lirive dhe të drejtave të njeriut.

Me këtë rast, Presidenti ka bërë shkelje serioze të trefishtë të Kushtetutës dhe me paramendim. Këtë e rikonfirmon edhe vetë ai në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke u përpjekur ta arsyetojë veprimin e tij dhe shkeljen e rëndë kushtetuese. Përmes këtyre komenteve, Presidenti pranon veprimet e tij antikushtetuese, ndonëse përpiqet të fshihet prapa imunitetit funksional të pozicionit të Presidentit. Por, këto shkelje serioze nuk mund të justifikohen e as të tejkalohen në emër të imunitetit funksional. Për rrjedhojë presim që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë dhe të konstatoj antikushtetutshmërinë e veprimeve të Presidentit të datës 23 mars 2020.

Kontribo

04 05 2020

Mblidhet Kryesia e Lëvizjes.

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti mbledhjen e Kryesisë, të parën pas një kohe të gjatë për shkak të pandemisë Covid19. Mbledhja që u mbajt duke respektuar rregullat e kërkuara nga IKSHP dhe Ministria e Shëndetësisë pati disa pika të rendit të ditës ndër të cilat edhe zhvillimet e fundit në vend.

Mbledhja natyrshëm u hap me rastin e vdekjes së të riut Agon Musliu nga Livoçi i Gjilani, i cili vdiq dje në Qendrën e Karantimit në Prishtinë. Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon edhe njëherë që kjo ngjarje e rëndë të trajtohet me prioritet nga organet e drejtësisë dhe të zhvillohen hetime të pavarura e transparente të cilat do ta zbardhnin rastin deri në hollësi.

Ndër pikat tjera të sa i përketë aspektit politiko-organizativ u diskuta edhe për masën e përkohëshme që Gjykata Kushtetuese ndërmori ndaj dekretit jokushtetues dhe përpjekja e partive të PLAN-it me Presidentin për të formuar një qeverisje sa jokushtetuese aq edhe ilegale e jolegjitime. Po ashtu në mbledhje u theksua edhe përkrahja gjithnjë e në rritje nga qytetarët për Lëvizjen që vjen si rezultat i shumë punëve të mira në qeveri, menaxhim të mirë me situatën pandemike dhe konsistencën e saj karshi zotimeve për të cilat ka marrë besimin e qytetarëve.

Kontribo

03 05 2020

Në javën që shkoi, 27 prill, 2020, u transferuan 500 mijë euro ndihmë financiare nga Republika e Kosovës për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, për të menaxhuar krizën me COVID-19.

Kontribo

02 05 2020

02 05 2020

Mbledhja me qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot u mbajt mbledhja me qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në të cilën morën pjesë kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, njëherit edhe kryeministër, sekretarja organizative, znj. Vlora Haxhimehmedi dhe koordinatori i qendrave, z. Valon Hoti.

Kryeministri Kurti nga zyret e Lëvizjes foli mbi prioritetin e punës së tij gjatë kësaj kohe, që është ai i menaxhimit me pandeminë COVID-19. Masat e reja të ndërmarra kanë pasur efektin e tyre çka ka ndikuar në uljen e trendit të të infektuarve e rritjen e numrit të të shëruarve. Me masat e qeverisë e këshillat e profesionistëve shëndetësor, por edhe me më të rëndësishmen displinën e bashkëpunimin qytetar shumë shpejt do ta mposhtim virusin.

Në mbledhje u theksuan edhe punët të tjera duke filluar nga çlirimi i bordeve e menaxhmenteve të ndërmarrjeve publike deri te denoncimi i gjetjeve të shumta që kanë ngulfatur këto ndërmarrje nga njerëz të pushtetit të vjetër.

Duke folur mbi zhvillimet e fundit, sa i përket përpjekjeve antikushtetuese, jolegjitime dhe ilegale të Klubit të Stërvjetëruar Politik, kryeministri Kurti potencoi:

“Pas LVV, tash edhe PDK u shpreh për zgjedhje të reja në Kosovë. Dihet se qeverinë e re të synuar nga Presidenti nuk e përkrah as Kryeparlamentarja si dhe disa deputetë të tjerë. Ky është një argument shtesë që veçse në zgjedhje duhet të shkojmë. Ndërkohë, masat ndaj pandemisë COVID-19 po zbuten ca. Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje, sepse tubimin e madh përmbyllës do ta mbanim të premten me 12 qershor, pra duke e festuar njëkohësisht 15 vjetorin e themelimit të VETËVENDOSJE!-s”.

Pas pikës politike, mbledhja vazhdoi me çështjet organizative dhe formën se si do të kryej veprimin e saj organizata jonë në këtë kohë pandemie. Zyret tona janë hapur sërish, puna dhe aktivitetet intensifikohen.

Kontribo

29 04 2020

28 04 2020

13 Gjetjet bazë që rezultuan me shkarkimin e Bordit të KEK-ut.

Më poshtë i gjeni më të plota se në infografikë.

Gjetjet kryesore lidhen me bonuset në kundërshtim me vendimin e ministrit, shpenzimet e paplanifikuara, shkeljet në punësim, keqmenanxhimi i pronës dhe shkelje të tjera.

Bonuset në kundërshtim me vendimin e Ministrit: Më 2017, ministri i Zhvillimit Ekonomik ka ndaluar dhënien e bonuseve për bordet e ndërmarrjeve publike. Por bordi i KEK-ut ka vendosur t’i ndajë vetes bonuse. Për më tepër, në vitin 2019 ka përcaktuar kriteret për t’ia vlerësuar vetes punën që ka bërë më 2018. Vendimet e bordit pra janë jo vetëm të paligjshme, por të turpshme.

Shpenzime të paplanifikuara, problemet në prokurim: Në vazhdimësi ka probleme me tenderët. Një nga shembujt më të fundit është kontrata mbi 1 milionëshe e skanimit: Në dhjetor të vitit të kaluar, KEK-u ka lidhur kontratë me vlerë mbi 1 milion euro për të digjitalizuar dokumente. Kontrata s’ka qenë fare e paraparë në planin e biznesit.

Shkeljet në punësim.

Nepotizmi: Listat e të punësuarve në ndërmarrje dëftojnë për parregullsi dhe nepo­ti­zëm në procedura të rekrutimit. Anëtarët e bordit kanë arritur të punësojnë të afër­mit e tyre në pozita të rën­dë­sishme në menaxhment.

Dyfishimi i pozitave: Për të mundësuar punësime të reja, ndërmarrja ka dy­fi­shuar pozitat dhe një­sitë administrative pa arsye e pa ecuri të ligjshme. Janë emë­ruar pa konkurs zyrtarë në sa e sa pozita të rëndësishme.

Emërimet e gradime të parregullta: P.sh., është emëruar zyrtari i auditi­mit të brend­shëm pa qenë fare kontabilist i certifikuar, siç kërkohet me ligj.

Punësimi i pensionistëve: KEK-u ka punësuar kundërligjshëm persona mbi moshën 65-vjeçare të pen­si­o­nimit dhe i ka mbajtur në punë për vite të tëra. Rrje­dhimisht, ka shkaktuar dëm që kalon vlerën 270 mijë euro. Bordi nuk ka ndër­marrë veprime konform ligjit për të trajtuar këtë çështje.

Diskriminimi në paga: Struktura e pagave është përpiluar sipas perso­nave, jo pozitave. Ka punonjës që paguhen dyfish sa eprori.

Keqpërdorimet me pagat jubilare: Ndërmarrja nuk u ka paguar puno­njës­ve të vet pagat jubilare që u takojnë, duke shkaktuar konteste të kush­tuesh­me në gjy­kata. Por në prag të zgjedh­je­ve, ndërmarrja u ka dhënë pagë jubi­la­re puno­njës­ve që nuk kanë pasur këtë të drejtë, dhe kështu ka shkak­tuar padi për diskriminim dhe shpenzime shtesë të pro­cedurave gjyqësore.

Keqmenaxhimi i pronës dhe shkelje të tjera.

Vonesat në shpronësime: Shkaku i mosveprimit dhe mosbashkëpunimit me komunën, ndërmarrja shpronëson ngastra pasi ato të jenë mbushur me ndërtesa spekulative, që s’kanë qëllim tjetër pos të përfitojnë nga kompen­simi për shpro­nësim. Kostoja e shpronësimit në dy projekte të fundit, për sipër­faqe prej rreth 170 hektarësh, pritet të tejkalojë 50 milionë euro.

Rreziku nga kërkesat ligjore: KEK-u përballet me rreth 20 milionë euro kër­kesa ligjore, si pasojë e keq­me­naxhimit. Një pjesë e këtyre kërkesave rrezikojnë arbitrazhin, që mund të përcillet me kosto dhe ndëshkime shtesë. Në një tjetër rast, ndërmarrja nuk ka filluar me kohë dhe nuk ka vazhduar arbit­ra­zhin për borxhin në lartësi 4,5 milionë euro që një ope­ra­tor privat i ka KEK-ut nga viti 2013.

Keqmenaxhimi i financave: Ndërmarrja i është detyruar rreth 11 mili­onë euro ndëshkime Administratës Tatimore të Kosovës. 6 milionë dyshohet se janë ndë­sh­ki­me e gjoba vetëm për shkak të moskomunikimit dhe shpër­filljes së rasteve prej për­fa­qësuesve të KEK-ut.

Shpenzime të tjera: Ndërmarrja ka blerë pa nevojë mbi 20 vetura, ka paguar për shërbime të kontraktuara pa procedura ligjore, dhe ka lidhur kontrata për shit­blerje të energjisë me operatorë që dyshohen të jenë rremë. Në fund, u janë dhënë bonuse menaxhmentit dhe auditorëve, si nxitje për të mos audituar menaxhmentin.

Aktakuza ndaj drejtorit: Në prill 2020, Prokuroria Speciale ka ngritur akt­akuzë ndaj anëtarit të bordit të shkarkuar dhe disa zyrta­rë­ve të lartë të KEK-ut për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyr­tare në lidhje me pro­nën e ndër­marrjes. Dëmi i shkaktuar sipas aktakuzës është rreth 12 milionë euro.

Kontribo

28 04 2020

26 04 2020

Nuk ka amnisti – por vetëm drejtësi.

Nuk ka amnisti – por vetëm drejtësi.

Sepse… të gjithëve na mungojnë!

“Nuk është e mundshme të ndërtohet e ardhmja, pa u mbyllur si duhet e kaluara. Kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi që t’i prejmë rrugën kësaj drejtësie të munguar, duke e bërë çështjen e të zhdukurve si çështje të parë në dialogun e ardhshëm Kosovë – Serbi.” – Kryeministri Albin Kurti.

Kontribo

24 04 2020

Të dashur myslimanë, Lëvizja VETËVENDOSJE! ju uron për fillimin e muajit të Ramazanit.

Agjëruesve u dëshirojmë forcë fizike e lumturi shpirtërore, gjatë këtij muaji kur ata i përkushtohen disiplinës së adhurimit.

Muaji më i shenjtë për besimtarët është koha kur fryma fiton prioritet ndaj trupit, kur besimi fiton betejën përballë mashtrimit, dhe e vërteta lartësohet mbi çdo huti.

Si në çdo kohë të shënuar, muaji i Ramazanit është edhe rast kur shqiptarët i tregojnë botës virtytin e tyre, respektimin e fesë së fqinjëve e bashkëkombasve të vet. Çdo gjest provokues e nxitës për përçarje, nuk e ka vendin mes nesh.

Sivjet agjërimit i shtohet edhe një sprovë tjetër, udhëzimi për të ruajtur distancën shoqërore. Pra heqjes dorë nga ushqimi i shtohet edhe heqja dorë prej shoqërimit me miq e të dashur jashtë familjes së ngushtë. Megjithatë, ne e dimë se besimtarët gjatë Ramazanit marrin energji e forcë shpirtërore, prandaj ata do t’i përballojnë me lehtësi këto sprova.

Urojmë që gjatë këtij muaji të mbretërojë harmonia e paqja, brenda familjeve e brenda shoqërisë, dhe shpresojmë që politika të marrë shembull nga besimtarët e nga populli i mirë që kemi, dhe të tregohet e përgjegjshme e mos ta vërë në rrezik vendin.

Kontribo

24 04 2020

Të dashur myslimanë, Lëvizja VETËVENDOSJE! ju uron për fillimin e muajit të Ramazanit.

Agjëruesve u dëshirojmë forcë fizike e lumturi shpirtërore, gjatë këtij muaji kur ata i përkushtohen disiplinës së adhurimit.

Muaji më i shenjtë për besimtarët është koha kur fryma fiton prioritet ndaj trupit, kur besimi fiton betejën përballë mashtrimit, dhe e vërteta lartësohet mbi çdo huti.

Si në çdo kohë të shënuar, muaji i Ramazanit është edhe rast kur shqiptarët i tregojnë botës virtytin e tyre, respektimin e fesë së fqinjëve e bashkëkombasve të vet. Çdo gjest provokues e nxitës për përçarje, nuk e ka vendin mes nesh.

Sivjet agjërimit i shtohet edhe një sprovë tjetër, udhëzimi për të ruajtur distancën shoqërore. Pra heqjes dorë nga ushqimi i shtohet edhe heqja dorë prej shoqërimit me miq e të dashur jashtë familjes së ngushtë. Megjithatë, ne e dimë se besimtarët gjatë Ramazanit marrin energji e forcë shpirtërore, prandaj ata do t’i përballojnë me lehtësi këto sprova.

Urojmë që gjatë këtij muaji të mbretërojë harmonia e paqja, brenda familjeve e brenda shoqërisë, dhe shpresojmë që politika të marrë shembull nga besimtarët e nga populli i mirë që kemi, dhe të tregohet e përgjegjshme e mos ta vërë në rrezik vendin.

Kontribo