23 12 2019

Takim me përfaqësuesit e shoqërisë civile që merren me mbrojtjen dhe avancimin e interesave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë

Sot, në zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Albin Kurti, së bashku me nënkryetaren Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe anëtarët e kryesisë Xhelal Sveçla dhe Sami Kurteshi, pritën në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile që merren me mbrojtjen dhe avancimin e interesave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë, z. Isak Skenderi dhe znj. Vesa Batalli nga “VoRAE”, znj. Shpresa Agushi nga “RROGRAEK”, znj. Vlora Latifi nga “Syri i Vizionit” dhe z. Muhamet Arifi nga “BSFK”.

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas e vuajnë dyfish varfërinë dhe papunësinë në Republikën tonë, kjo për shkak të paragjykimeve dhe diskriminimeve shtesë që atyre u bëhen. Për 20 vite me radhë, ata kanë qenë të neglizhuar nga qeverisja dhe përveçse nuk u janë garantuar të drejtat dhe liritë, u ka munguar edhe qasja në punësim, shëndetësi, edukim, mbrojtje sociale dhe kujdes.

Kjo nuk mund të vazhdojë edhe me qeverisjen e re, andaj, pas konsultimit me përfaqësuesit politik e institucional të këtyre komuniteteve, Kryetari Kurti priti sot në takim edhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që mbrojnë interesat e romëve, ashkalive dhe egjiptasve në Kosovë, me të cilët bashkëbisedoi për koordinatat e një qeverisje të re që nuk përjashton askë por që interesohet, mbron dhe mundëson përparimin e aktiviteteve dhe politikave në të mirë të këtyre komuniteteve dhe shoqërisë në përgjithësi.

Përfaqësuesit e këtyre organizatave kanë listuar çështjet më të rëndësishme për përmirësimin e mirëqenies së këtyre tri komuniteteve ku prinë edukimi dhe arsimimi, punësimi, banimi, buxheti i përgjithshëm dhe anti-gjipsizmi.

Kryetari Kurti shprehu vlerësimin e tij për punën e bërë nga këto organizata dhe i njoftoi përfaqësuesit e tyre me prioritetet e qeverisë së re, ku shtetndërtimi demokratik dhe sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik e krijimi i vendeve të punës nuk do të përjashtojë e diskriminojë më askë. Me qeverinë e re aty ku ka nevojë më së shumti do të ndihmojmë më së pari dhe ne e dimë që komunitetet e romëve, ashkalive dhe egjiptasve e ka një barrë të dyfishtë ngase janë të diskriminuar në një mënyrë të veçantë brenda të diskriminuarve në përgjithësi, tha ai, duke potencuar që kjo do të ndryshojë. Qeveria e re do e orientojë energjinë drejt projekteve që prekin dhe zhvillojnë drejtpërdrejt jetën e këtyre komuniteteve dhe këtu do të përfshijmë sidomos përkrahjen e organizimeve dhe aktiviteteve që mbrojnë dhe avancojnë interesat e tyre.

Për këtë, tashmë kemi edhe dakordim me përfaqësuesit institucional, por edhe me organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të këtyre komuniteteve.

Kontribo

23 12 2019

Takim me Ambasadorin Britanik, z. Nicholas Abbott.

Në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Ambasadorin Britanik, z. Nicholas Abbott.

Aty u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, si dhe për mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të tyre me qeverisjen tonë të re. U bisedua edhe për procesin e formimit të koalicionit qeverisës dhe sfidat e mbetura drejt seancës konstituive të Kuvendit më 26 dhjetor 2019. Kryetari Kurti, si kryeministër i ardhshëm, shprehu interesimin për të bashkëpunuar me qeverinë e re britanike të dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit e që do të udhëhiqet nga kryeministri i ri z.Boris Johnson.

Me këtë rast, z. Kurti përkujtoi një pjesë domethënëse të fjalimit të z. Boris Johnson, asokohe Ministër i Punëve të Jashtme, mbajtur në Kuvendin e Kosovës, më 10 nëntor 2016: “Duhet të jetë e pakundërshtueshme të thuash që të gjithë ata që janë fajtorë për krime lufte, nga të gjitha anët, duhet të burgosen. Unë do të them të njëjtën gjë në Beograd, dhe në të gjithë Ballkanin. (…) Dua të shfrytëzoj këtë rast për të ngushëlluar familjen dhe miqtë e Astrit Deharit, i cili së fundi vdiq në paraburgim. Unë miratoj thirrjet e bëra nga të gjitha palët për një hetim transparent mbi vdekjen e tij.”

Kontribo

23 12 2019

Takim me përfaqësuesit e Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës

Dje, anëtarët e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albulena Haxhiu dhe Kreshnik Ahmeti, pritën në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës, kryetarin e Sindikatës z. Etrit Hoti dhe kryetarin e degës në Prishtinë, z. Faton Morina.

Përfaqësuesit e Sindikatës njoftuan mbi problemet me të cilat përballet Posta e Kosovës dhe punëtorët e saj. Ata u shprehën që ka mungesë të mbështetjes së ndërmarrjeve publike nga aksionari i saj, që ua pamundëson dhënien e shërbimeve të tjera Postës së Kosovës, nga të cilat ajo do të gjeneronte të hyra dhe fitim. Për shembull, nëpërmjet udhëzimeve administrative, qeveritë e kaluara ia kanë pamundësuar Postës së Kosovës shpërndarjen e pagesave publike. Posta e Kosovës e bën vetëm shpërndarjen e asistencës sociale, dhe atë e realizon nëpërmjet një banke private, me ç’rast qytetarët që marrin asistencë sociale rëndohen me tarifa të dyfishta. Po t’i merrte përsipër Posta e Kosovës shpërndarjen e të gjitha të ardhurave, buxhetet familjare të qytetarëve të Kosovës do të lehtësoheshin dukshëm.

Zyrtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! njoftuan përfaqësuesit e sindikatës me qëndrimet dhe programin që ka ajo në raport me ndërmarrjet publike. Përgjatë tërë historisë së saj, Lëvizja është angazhuar për mbrojtjen e ndërmarrjeve publike nga korrupsioni dhe privatizimi, dy duart nëpërmjet të cilave u shtri sistemi neoliberal në vendin tonë.

Në fund, të dyja palët u pajtuan që ta vazhdojnë bashkëpunimin e tyre në të mirë të punëtorëve dhe për ta ngritur ndërmarrjen e Postës së Kosovës në një ndërmarrje që ofron shumëllojshmëri të shërbimeve për qytetarët, e nëpërmjet të cilave ngritë përformancën e saj dhe gjeneron të hyra financiare.

Kontribo

23 12 2019

Takim lamtumirës me ambasadorin e Italisë, z. Piero Cristoforo Sardi.

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Italisë, z. Piero Cristoforo Sardi.

Në këtë takim të përzemërt u fol për rëndësinë e avansimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve tona, për përvojat e Italisë në forcimin e saj ligjor e demokratik dhe ndihmën e mbështetjen që mund ta jap ky vend për shtetndërtimin e Kosovës. Gjithashtu u diskutua edhe për situatën aktuale në Kosovë, me theks te arritjet dhe sfidat drejt koalicionit qeverisës midis LVV dhe LDK.

Kryetari Kurti e falënderoi Ambasadorin Sardi për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve duke i dëshiruar punë të mbarë në angazhimet e tjera të tij. Me ambasadorin e ardhshëm, urojmë që të vazhdojë puna dhe takimet e përbashkëta me qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Kontribo

17 12 2019

Prokuroria nis punën për kallëzimin penal kundër Thaçit e Veselit

Me 25 prill të këtij viti Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes, dhe Glauk Konjufca, asokohe drejtues i Grupit Parlamentar, në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë bënë kallëzim penal kundër z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, për lajmërim apo kallëzim të rremë (sipas kuptimit të Nenit 382, par. 1, 2 dhe 4), dhe deklaratë të rreme nën betim (sipas kuptimit të Nenit 383, par. 1 dhe 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) Nr. 06/L-074.)

Më në fund një lajm i mirë, pas shtatë muajsh prokuroria ka nisur ta trajtojë këtë rast, dhe kanë ardhur fletëthirrjet që përfaqësuesit e Lëvizjes, Albin Kurti e Glauk Konjufca të paraqiten në prokurori nesër e të japin dëshmitë e tyre lidhur me këtë rast dhe me kallëzimin penal që e kemi ngritur.

Dëshirojmë të rikujtojmë për opinionin publik se Hashim Thaçi, president i Republikës dhe Kadri Veseli, asokohe kryetar i Kuvendit, kanë deklaruar rrejshëm nën betim më datën 28 dhjetor të vitit 2018, në procesin gjyqësor ndaj të ashtuquajturës “Organizata Syri i Popullit”, dhe para gjyqtarëve kanë thënë se Kryetari Kurti dhe deputeti Konjufca janë pjesë e kësaj organizate të quajtur terroriste.

Pasi që dorëzuan kallëzimin penal deputeti Konjufca i cilësoi dëshmitë e rrejshme të Thaçit e Veselit kundër Lëvizjes si “përpjekje për eliminim politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, meqë padrejtësisht dhe me shpifje, prej Presidentit të Shtetit dhe Kryetarit të Kuvendit jemi lidhur me një organizatë, e cila pretendohet se është terroriste, që është Syri i Popullit”.

Edhe pse e kemi pritur më shpejt veprimin e prokurorisë, qysh prej fillimit ne kemi shprehur bindjen dhe nuk kemi reshtur kurrë së besuari se brenda sistemit të drejtësisë ka prokurorë të guximshëm të cilët do të guxojnë ta çojnë përpara këtë rast, edhe pse sistemi është ende i kapur.

Kontribo

16 12 2019

Takim me Kryetarin e Lëvizjes BESA, z. Bilall Kasami

Dje, Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, së bashku me deputetët Albulena Haxhiu dhe Liburn Aliu pritën në takim Kryetarin e Lëvizjes BESA, z. Bilall Kasami, i cili ishte i shoqëruar nga Nënkryetari i këtij subjekti, njëkohësisht deputeti, z. Fadil Zendeli, deputetja znj. Teuta Bilalli dhe Sekretari i Përgjithshëm, z. Arjanit Hoxha.

Z. Kasami ia uroi Kryetarit Kurti fitoren në zgjedhjet e fundit duke shprehë bindjen që ky vullnet për ndryshim ka dhënë sinjale pozitive në rajon e sidomos te shqiptarët në Maqedoni të Veriut. Ai shprehu dëshirën që qeveria e re të formohet sa më parë dhe kryeministri i ri ta ketë një sy më aktiv për problemet dhe hallet e shqiptarëve në Maqedoni.

Kryetari Kurti i falënderoi për urimin dhe i njoftoi ata për prioritetet e qeverisë së re që lidhen me zhvillimin ekonomik që krijon vende të reja pune, politikat që zbusin varfërinë dhe pabarazinë në shoqëri si dhe sjellin drejtësinë në vend. Kurti po ashtu foli edhe për shqiptarët në Maqedoni dhe domosdoshmërinë që atyre përveç se t’iu respektohen të drejtat dhe liritë t’iu zgjerohen edhe mundësitë drejt progresit dhe mirëqenies.

Në fund, palët u dakorduam ta shtojnë komunikimin.

Kontribo

16 12 2019

Takim me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Faik Nika dhe Nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, z. Genc Nimanbegu.

Sot, Kryetari Kurti, së bashku me Nënkryetaren znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku, anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes, z. Martin Berishaj dhe aktivisten, znj. Valë Gjonbalaj, pritën në takim Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Faik Nika dhe Nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, z. Genc Nimanbegu.

Z. Nika dhe z. Nimanbegu uruan Kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhjet e fundit dhe shprehën dëshirën që qeveria e re e Republikës së Kosovës të formohet sa më parë. Ata ndanë edhe shqetësimin e tyre në lidhje me shqiptarët në Mal të Zi, emigrimin në rritje, asimilimin dhe natalitetin e ulët, duke shprehë bindjen se qeveria e re e Kosovës do të ketë një vëmendje të shtuar për shqiptarët që jetojnë atje.

Kryetari Kurti i falënderoi për urimin e vizitën dhe i njoftoi me prioritetet e qeverisë së re të Kosovës që do të formohet së shpejti, e që janë punësimi dhe drejtësia. Në lidhje me shqiptarët jashtë kufirit dhe ata në Mal të Zi, ai tha se është e rëndësishme që ata të bashkohen por që edhe më e rëndësishme është t’iu zgjerohet korniza e mundësive në ato vende ku ata jetojnë e këtu një rol më aktiv pa dyshim se duhet ta kenë Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

Në përfundim të takimit, u shpreh gatishmëria për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.

Kontribo

12 12 2019

Takim me përfaqësuesit e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, të drejtuar nga kryetari Muharrem Beka.

Dje, anëtarët e kryesisë z. Xhelal Sveçla, z. Kreshnik Ahmeti dhe deputeti z. Hekuran Murati, pritën në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, të drejtuar nga kryetari Muharrem Beka.

Përfaqësuesit e sindikatës njoftuan zyrtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me gjendjen e tyre të vështirë të punës, e cila shkaktohet nga paqartësia e statusit të tyre juridik, mungesa e investimeve në pajisje, numri i pamjaftueshëm i zjarrfikësve në vend, pagat e ulëta dhe shumë probleme të tjera të cilat vështirësojnë punën dhe jetën e zjarrfikësve.

Në takim pati pajtueshmëri që këto problematika të zjarrfikësve nuk janë trajtuar në mënyrë serioze dhe nuk janë synuar zgjidhje afatgjata nga qeveritë e kaluara. Zjarrfikësit kanë mbetur pa status juridik të qartë dhe pa mbështetje institucionale për më shumë se një dekadë dhe nuk është investuar në kapacitete të tyre operative sipas nevojave të cilat i ka ky institucion i rëndësishëm i Republikës.

Takimi përfundoi me dakordim për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt dhe të mirë, siç ka qenë deri më tani, dhe që së bashku me sindikatën dhe njohësit e fushës, qeveria e re të gjejë zgjidhje përmbajtësore dhe afatgjata për problemet me të cilat zjarrfikësit po përballen në secilën minutë të punës së tyre, e cila është bërë edhe më e rrezikshme për shkak të neglizhencës institucionale.

Kontribo

12 12 2019

Takim me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Sot, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me anëtarë të kryesisë dhe komiteteve profesionale, pritën në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Fillimisht, përfaqësuesit e sindikatave shprehën falënderimet e tyre për gatishmërinë e përhershme të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për t’i takuar dhe trajtuar problemet e punëtorëve, për dallim nga Kryeministri në ikje dhe Presidenti aktual, nga të cilët nuk kanë marrë përgjigje në ftesat për takim. Ata njoftuan Kurtin dhe të pranishmit e tjerë me qëndrimet e tyre mbi Ligjin mbi Pagat, i cili aktualisht po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Ata shprehën shqetësimet e tyre me zhvillimet e fundit në raport me këtë ligj dhe njoftuan se janë në kontakt me Këshillet Drejtuese të secilës nga këto tri sindikata, me të cilat do t’i shqyrtojnë veprimet e ardhshme.

Të dyja palët u pajtuan se në raport me këtë çështje, çfarëdo hapi i mëtutjeshëm është i kushtëzuar nga dy procese të rëndësishme për vendin: formimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin mbi Pagat. Gjithashtu, ato u pajtuan që, si asnjëherë më parë, për të gjitha çështjet të vazhdojë bashkëpunimi i afërt mes Qeverisë së ardhshme dhe të gjitha sindikatave.

Kontribo

11 12 2019

Takim me një grup studentësh bashkë me profesorët e tyre nga Universiteti i Yorkut

Sot, anëtarët e Kryesisë, znj. Fitore Pacolli dhe z. Kreshnik Ahmeti dhe aktivistja, znj. Arta Berisha mirëpritën në takim një grup studentësh bashkë me profesorët e tyre nga Universiteti i Yorkut, Departamenti i Politikës në kuadër të vizitës së tyre studimore në Kosovë.

Ata ishin të interesuar që të kuptojnë më gjerësisht historikun e themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qëndrimet e saj për çështje të ndryshme socio-ekonomike. Ata u njoftuan për etapat e zhvillimit dhe angazhimit të Lëvizjes, konceptin e saj politik dhe ndikimit që kishte në popull, duke prezantuar punën që është bërë nëpërmjet aktivizmit në tubime e protesta dhe punës në Kuvend. Veçanërisht u diskutua për aktivizmin politik në Kosovë të viteve të 90-ta dhe të pas luftës dhe mbi çështjet specifike, si integrimi i të gjitha komuniteteve në shoqërinë dhe institucionet e vendit. U shpjegua domosdoshmëria e angazhimit politik të qytetarit si bazë për të sjellë ndryshimin e kërkuar.

Ata po ashtu u njoftuan për situatën e tanishme politike, për prioritetet e qeverisjes së ardhshme që kalojnë nga luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë deri te zhvillimi ekonomik që sjell punësim e mirëqenie për ata që kanë më së shumti nevojë. Studentët u inkurajuan të zhvillojnë punë kërkimore mbi këto tema në Kosovë pa u ndalur vetëm te Lëvizja VETËVENDOSJE!, drejt paraqitjes së një shembulli të mirë për transformimin e shoqërisë drejt të mirës së përgjithshme.

Kontribo

11 12 2019

Takim me një delegacion nga OSBE, të udhëhequr nga përfaqësuesi i Komisionarit të Lartë për Pakicat Kombëtare, z. Alessandro Rotta

Sot, nënkryetarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe anëtarët e Kryesisë z. Arben Vitia dhe z. Kreshnik Ahmeti, pritën në takim delegacionin nga OSBE, të udhëhequr nga përfaqësuesi i Komisionarit të Lartë për Pakicat Kombëtare, z. Alessandro Rotta, i cili ishte i shoqëruar nga zyrtarja politike kombëtare, znj. Drita Gjeli dhe asistenti z. Miquel Vidal Bover.

Z. Rotta njoftoi zyrtarët e Lëvizjes mbi misionin e Komisionarit të Lartë për Pakica Kombëtare dhe projektet të cilat ka për Republikën e Kosovës. Misioni i përmirësimit të raporteve mes komuniteteve në Kosovë synohet të arrihet nëpërmjet projekteve të edukimit dhe mësimit të gjuhëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Tutje, z. Rotta u interesua për programin e Qeverisë së re të drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, në raport me komunitetet pakicë në vend.

Znj. Mulhaxha-Kollçaku e njoftoi delegacionin mbi dialogun e brendshëm të cilin do ta realizojë Qeveria e re, e që do të fillojë që nga java e parë e qeverisjes. Synimi i këtij dialogu do të jetë që të dialogohet mbi çështjet socio-ekonomike të komuniteteve në vend dhe të gjindet zgjidhje për to drejt integrimit të të gjitha komuniteteve. Për mundësitë e këtij dialogu, z. Vitia tregoi përvojën e tij si drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies në Komunën e Prishtinës, ku shumë çështje socio-ekonomike të komuniteteve nuk ishin zgjidhur deri atëherë, për shkak të mungesës së komunikimit dhe mirëbesimit. Z. Ahmeti njoftoi zyrtarët e OSCE se si qeveria e ardhshme do t’i vlerësoj të gjitha marrëveshjet e deritanishme të qeverive të kaluara me Serbinë para se ta fillojë dialogun e ri, i cili për dallim nga e kaluara, do të bazohet mbi parime të qarta dhe raporte reciproke.

Në fund, palët u pajtuan që të mbesin në kontakt edhe më tutje, për t’u njoftuar me zhvillimet e reja dhe për të ndërtuar bashkëpunim të frytshëm drejtë integrimit të të gjitha komuniteteve në vend.

Kontribo

05 12 2019

Takim me një delegacion nga Republika e Shqipërisë të prirë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! z. Albin Kurti, së bashku me anëtarët e Kryesisë z. Glauk Konjufca, znj. Albulena Haxhiu, z. Rexhep Selimi dhe z. Xhelal Sveçla, priti në takim delegacionin nga Republika e Shqipërisë të prirë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta të shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Qemal Minxhozi, këshilltarët z. Ilir Kulla dhe z. Flamur Gashi, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Presidenti Ilir Meta duke njoftuar mbi gjendjen dhe dëmet në Republikën e Shqipërisë pas serisë së tërmeteve që e goditën vendin falenderoi për solidaritetin e popullit të Kosovës dhe organizimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila ishte e mobilizuar për disa ditë radhazi në mbledhjen e ndihmave të cilat u nisën drejt zonave të prekura.

Udhëheqësi i shtabit të emergjencës në kuadër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Xhelal Sveçla e njoftoi nga afër Presidentin Meta në lidhje me mobilizimin e Lëvizjes dhe qendrave të saj gjithandej nëpër Kosovë për të nisur ndihmat për qytetarët e prekur nga tërmetet në Shqipëri. Sveçla njoftoi se përmes tre konvojeve janë dërguar në zonat e goditura afro 400 tonë ndihma përfshirë ushqim, veshmbathje e gjëra të nevojshme për strehim.

Ndërkaq, Kryetari Kurti njoftoi Presidentin Meta për ecurinë e bisedimeve që po zhvillohen me LDK-në drejt krijimit të koalicionit të ardhshëm qeverisës si dhe prioritetet dhe detyrat që presin qeverinë në ardhje.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë theksoi nevojën e krijimit të qeverisë dhe institucioneve të reja sa më shpejtë.

Kontribo

05 12 2019

Kryetari i Grupit të EPP-së, z. Manfred Weber pritet në vizitë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! z. Albin Kurti, së bashku me deputetët z. Glauk Konjufca dhe znj. Fitore Pacolli, priti në takim një delegacion nga BE-ja, të kryesuar nga Kryetari i Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, z. Manfred Weber, i cili ishte i shoqëruar nga nënkryetari i tij dhe deputeti i PE-së, z. Andrey Kovatchev, asistentja e tij, Nina Tavcar, Shefja e Misionit të BE-së në Kosovë, znj. Natalia Apostolova dhe Zëvendës Shefi i kësaj zyre, z. Riccardo Serri.

Z. Weber e uroi Kryetarin Kurti për fitoren e zgjedhjeve të fundit. Ai u interesua për rezultatin e bisedimeve me Lidhjen Demokratike, dhe theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga zhvillimet e fundit ku disa shtete shprehën qëndrime të caktuara për hapjen e negociatave është rajon me prioritet të lartë për BE-në.

Kryetari Kurti u pajtua me Z. Weber sa i përket integrimit të këtij rajoni në BE, dhe e përsëriti qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për nevojën e integrimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në të njëjtën kohë dhe sa më parë që të jetë e mundur. Tutje, Kurti e njoftoi atë edhe me prioritetet e qeverisë së re, ku rol qendror ka luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë dhe krijimi i vendeve te reja të punës. Me mbështetjen e biznesit të vogël dhe të mesëm dhe me investime nga jashtë e sidomos nga diaspora, me sistemin dual të arsimit që e zvogëlon hendekun e shkathtësive, edhe do ta përparojmë Kosovën përbrenda, edhe do të avansojmë drejt BE-së, tha Kurti.

Në fund të takimit, palët u dakorduan ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin në të ardhmen.

Kontribo

05 12 2019

Takim me Presidentin e Federatës për Paqe Universale, Dr. Katsumi Otsuka.

Sot, Kryetari Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes, z. Hydajet Hyseni, anëtaren e Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë, znj. Tropikë Agaj dhe z. Ismail Kurteshi, pritën në takim Presidentin e Federatës për Paqe Universale, Dr. Katsumi Otsuka, i cili ishte i shoqëruar nga Gani Roshi dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Në këtë takim miqësor, z. Otsuka e uroi Kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe shprehu dëshirën e tij që bisedimet rreth formimit të qeverisë së re të përfundojnë sa më parë, në mënyrë që edhe ndryshimi të ndodhë sa më shpejtë. Ai tha se organizata e tij me kënaqësi do ta mbështes kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij, si në aspektin e politikës së jashtme me mundësi për të siguruar njohje të reja, po ashtu edhe në zhvillimin ekonomik përmes kontakteve me investitorët e huaj.

Kryetari Kurti e falënderoi z. Otsuka për urimin dhe mbështetjen. Ai e njoftoi atë se prioritet i qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional si dhe zbutja e pabarazisë e varfërisë në shoqëri përmes politikave sociale. Kryetari Kurti foli edhe për marrëdhëniet e shteteve në Ballkan dhe rëndësinë e integrimeve evropiane dhe të sigurisë euro-atlantike.

Kontribo

05 12 2019

Lëvizja më e fortë se kurrë në mërgatë.

Këtë fundjavë, më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, patëm takimin e përbashkët vjetor me Qendrat tona në mërgatë, dhe ku ishin pjesëmarrës delegatë nga 9 prej Qendrave tona. Takimin e parë e mbajtëm në Koln të Gjermanisë, me nikoqirë aktivistët tanë në Qendrën tonë atje, udhëhequr nga kryetari Salih Abazi dhe sekretarja Sabile Aliu. Ndërsa, të deleguar nga Kryesia e Lëvizjes ishin Sekretarja Organizative Vlora Haxhimehmedi dhe anëtarët e Kryesisë, Fitore Pacolli dhe Xhelal Sveçla dhe aktivisti Edison Jakurti.

Takimi filloi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit në Shqipëri duke u zotuar se Lëvizja në vazhdimësi do t’i qëndrojë pranë Shqipërisë dhe popullit atje.

Pas prezentimit të sukseseve dhe angazhimeve të 9 delegacioneve nga Qendrat dhe 4 Grupeve Punuese të shteteve tjera, u vazhdua me planet për organizimin sa më të mirë dhe shtrirjen e Lëvizjes në mërgatë. Marrë parasysh edhe mbështetjen masive të mërgatës në zgjedhjet e fundit, u konkludua se potenciali i angazhimit të mërgatës në zhvillimet në Kosovë është jashtëzakonisht i madh.

Gjatë takimit patëm po ashtu punëtori për organizimin e mërgatës dhe shtrirjen në mërgatë, planifikimin e aktiviteteve për vitin 2020, si dhe diskutime për programin tonë për mërgatën, në veçanti Projektligjin për Diasporën, për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë dhe për investimet e mërgatës në Kosovë.

Mërgata, si pjesë integrale e atdheut, do të jetë e domosdoshme për shtetndërtimin në Kosovë në mandatet e ardhshme të Qeverisë Kurti. Qendrat tona në mërgatë do të shërbejnë si urë lidhëse mes mërgimtarëve profesionistë dhe qeverisë Kurti.

Ashtu siç i bashkoi ky takim shqiptarët e të gjitha trojeve tona, ashtu të bashkuar do të vazhdojmë të veprojmë në të mirën e kombit.

Kontribo

05 12 2019

Vizitë në Forumin Kosovar të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Dje, në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga kryetari z. Albin Kurti, nënkryetarja znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku, deputetët e Lëvizjes znj. Fitore Pacolli dhe z. Arben Vitia bashkë me nënkryetaren e Qendrës së Prishtinës znj. Hatixhe Hoxha dhe asamblisten e Kuvendit Komunal të Prishtinës znj. Leonora Shabani Bajraktari takoi Forumin Kosovar të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Kryetari i Forumit, z. Bujar Kadriu e falenderoi Kryetarin Kurti për vizitën dhe e njoftoi atë me punën dhe shqetësimet me të cilat ballafaqohet Forumi Kosovar për Persona me Aftësi të Kufizuara. Ai tha se ligji për persona me aftësi të kufizuara ka kohë që ka ngecur dhe nuk po zbatohet, dhe se pret nga qeveria e re të jetë më aktive në mbikëqyrjen e zbatimit të tij. Z. Kadriu shprehu bindjen se me qeverinë Kurti do të tejkalohen sfidat me të cilat përballet ky komunitet.

Anëtarët e këtij Forumi, shoqatat dhe organizatat që janë pjesë e tij, na njoftuan me kërkesat që ata kanë për qeverinë e re, e që janë: Fuqizimi i Këshillit Nacional për PAK, i cili në qeverisjen e kaluar nuk është mbledhur asnjëherë, e që do të duhej të mblidhej të paktën dy ose tre herë në vit dhe procedimin e draft ligjit për PAK. Tutje, ata na kujtuan se ligji për punësimin e PAK zbatohet pak dhe që dy urdhëresa administrative nuk zbatohen dhe që nuk ndahet asnjë gjobë për këto shkelje.

Kryetari Kurti tha se qeveria e re do të ndihmojë në krijimin e kushteve të përshtatshme që PAK të organizohet sa më mirë dhe të ketë sa më shumë aktivitete. Ai tha se ligjet që sigurojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara duhet të zbatohen në praktikë e jo të mbesin në letër. Transporti publik, rrugët e ndërtesat duhet të ofrojnë qarkullim dhe qasje të lehtë e të papengueshme për persona me aftësi të kufizuara. Punët infrastrukturore publike duhet t’i plotësojnë këto standarde, tha ai. Po ashtu qasja në arsim, në shërbime shëndetësore dhe në punësim duhet të t’iu ofrohet në formën më të lehtësuar. Pa diskriminim e pa dallim do ta rrisim barazinë dhe do ta lehtësojmë integrimin e secilit në shoqëri.

Kontribo

05 12 2019

Mbledhja e parë e Grupit të ri Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Nën kryesimin e kryetarit, Albin Kurti, sot u mbajt mbledhja e parë e Grupit të ri Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Me këtë rast u shpreh urimi i fitores të gjithë deputetëve si grupi më i madh parlamentar në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.

Pjesë e diskutimit të mbledhjes ishte edhe procesi negociator për krijimin e qeverisë, me ç’rast kryetari Kurti i njoftoi deputetët me arritjet dhe sfidat për krijimin e koalicionit të ri qeverisës.

3 dhjetor 2019
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

02 12 2019

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, vizituan Kampin ku po qëndrojnë 440 familje të prekura nga tërmeti.

Lajmet nga zona e Durrësit nuk po bëhen më të mira. Fatkeqësisht lëkundjet nuk po pushojnë megjithëse në shkallë më të ulët. Trishtimin po përpiqemi ta përballojmë në bashkësi, ndërkohë që solidariteti pa kursim na ka dhënë një forcë të madhe se bashkë mund t’ja dalim. Dikush dhuron veshmbathje, dikush bën punë vullnetare, disa sjellin ushqim falas e shumë të tjerë i kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për strehim. Kjo është vlera e bashkësisë, këto janë vlerat tona.

Sot një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i prirë nga Kryetari Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, deputetët Artan Abrashi, Yllza Hoti, Arbër Rexhaj, Salih Zyba e aktivistët Drita Millaku, Faruk Dakaj e Karanfil Haxhillari vizituan Kampin ku po qëndrojnë 440 familje të prekura nga tërmeti. Vendosëm të mos bëjmë fotografi në këtë aktivitet, për të ruajtur privatësinë e të strehuarve në kamp. Por, ne pamë që gjithçka po funksiononte në përpikëri: mjekët po bënin kontrollat sistematike për trajtimin e infeksioneve të lehta, atyre kronike e deri te sëmundjet akute; psikologët të gatshëm për trajtimin e të traumatizuarve; vullnetarët ishin duke i seleksionuar të gjitha ndihmat, nga ato higjenike te veshmbathjet, nga dyshekët te batanijet. Të gjitha nevojat elementare janë duke u plotësuar. Ndonëse çdo ditë ushqimi është duke u shtruar nga humanitarë zemërgjerë, në hapësirat e Kampit shpejt do të hapet edhe kuzhina ku do të gatuhet ushqim i freskët për refugjatët. Ish-hapësira e KFOR-it gjerman, sot Park Inovativ, edhe pse nuk mund ta ketë ngrohtësinë e shtëpisë, po ia del mbanë që mërzinë ta zbus. Në emër të organizatës sonë, i falënderojmë të gjithë për punën që po e bëjnë.

Shteti i Kosovës, Qeveria jonë, i tërë populli ynë kurrë nuk e lë vetëm Shqipërinë. Çfarë ndodhi nuk mund të zhbëhet, por jeta duhet të triumfojë. Këto ditë pikëllimin po e kthejmë në forcë. Ne jemi një komb dhe nuk jemi mysafir te njëri-tjetri, Kosova është shtëpia e juaj sepse kombi shqiptar është streha jonë.

Kontribo

02 12 2019

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vizitoi Policinë e Kosovës, përkatësisht sektorin që merret me dhunën në familje.

Në kuadër të fushatës “16 ditë aktivizëm kundër dhunës në baza gjinore”, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE vizitoi Policinë e Kosovës, përkatësisht sektorin që merret me dhunën në familje.

Anëtarët e Kryesisë Albulena Haxhiu dhe Kreshnik Ahmeti, drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste Nazlie Bala dhe aktivistja Rinë Zhitia diskutuan nga afër në lidhje me përkushtimin e institucioneve tona të sigurisë në zbatimin e ligjit dhe parandalimin e dhunës mbi baza gjinore.

Qeverisja e re do të ketë fokus jo vetëm zbatimin e ligjit, por edhe zhdukjen e pabarazisë dhe dhunën sistemike që gratë përjetojnë në shoqëri. Ne do të fokusohemi që të zhdukim shkaqet e dhunës në mënyrë që të mos përballemi më si shoqëri me raste të tilla.

Kontribo

02 12 2019

Takohen kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Sot në orën 13:00, në Kuvendin e Kosovës, u takuan kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Në këtë takim u përmbyll 100% harmonizimi i programit qeverisës duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura. Nga dy modalitetet e ndryshme për kabinetin qeverisës me 12 ministri, që i kishin ofruar ekipet punuese të dy subjekteve tona, Kurti dhe Mustafa u përcaktuan për verzionin e parë. Në vijim do të përzgjedhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët, për çfarë u sqaruan pozicionet dhe kërkesat. Pra, u hap tema dhe u saktësua principi i zgjidhjes, e që përfundimisht do të përmbyllet të hënën me marrëveshje.

Kontribo

29 11 2019

Lëvizja ka qenë dhe do të jetë gjithnjë e gatshme për shqiptarët! Procesi i dërgimit të ndihmave “Dhimbjet i përballojmë bashkë”

Një tjetër varg automjetesh me ndihma të mbledhura e dërguara nga Lëvizja VETËVENDOSJE! sapo ka kaluar kufirin e Morinës dhe ka hyrë në Shqipëri. Dy maune, një kamion, tre furgona dhe një autoveturë, ngarkuar me 44 ton ushqime, veshmbathje, artikuj higjienikë, shtretër, ndërresa për foshnje, e batanije. Bashkë me konvojin, njësoj si në herët e tjera, janë edhe një skuadër aktivistësh të cilët do të kryejnë edhe shkarkimin e ndihmave, që të lehtësojnë punën e atyre që po merren me koordinimin e pranimit të ndihmave në Shqipëri.

Aktivistët gjatë këtyre ditëve janë vendosur në shërbim të ndihmës për bashkëkombasit tanë. Lëvizja ka qenë dhe do të jetë gjithnjë e gatshme për shqiptarët!

Kontribo