22 04 2020

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurtit:

Pas thirrjes për moszbatim të vendimeve të qeverisë, kjo e sotmja është përpjekja më e egër e Presidentit për të shthurur rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Vullnetin e shprehur me votë nga qytetarët po përpiqet që ta mbyllë në një dekret antikushtetues ku do të përjashtojë partinë e parë fituese të zgjedhjeve. Nga roli unifikues dhe nga kompetencat që ia përcakton kushtetuta Presidenti sot doli në ilegalitet. Andaj formalizimi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese pa dyshim.

Është e qartë që këtë mundësi Presidentit ilegalist, ia dhanë krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilët paraprakisht me vullnet braktisën çdo fjalë të thënë e të dhënë ndaj qytetarëve dhe ndaj nesh.

Me këso veprimesh e taktikash shpaloset përpjekja për të blerë ilegalisht kohën që ua shkurtoi vullneti i votuesve me 6 tetor.

Kështu, në mes të pandemisë u organizuan dhe komplotuan kundër sigurisë së shëndetit publik e kundër qeverisë legjitime duke e orkestruar mocionin e mosbesimit në Kuvend.

Presidenti Thaçi vazhdon të thirret në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO 103/14, por veprimet e tij, të cilat qartazi janë në kundërshtim me nenet e Kushtetutës të cilëve ai ju referohet dhe Aktgjykimin të cilin e përmend, tregojnë se ai dhe stafi i tij nuk i kanë lexuar mjaftueshëm dhe me kujdes të njëjtat. Ose, mbase edhe s’i kanë kuptuar, ku i dihet.

Presidenti sot ka zhvilluar takime konsultative me përfaqësuesit e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend me qëllim të vlerësimit të interesit të partive politike për zgjedhje të reja apo formim të Qeverisë së re. Por, nuk është në kompetencën e Presidentit të Republikës së Kosovës vlerësimi i interesave të partive politike, por mbrojtja e interesit shtetëror. Çfarë rendi kushtetues paskeshim ne që me i mbledh partitë dhe me i pyt’ se si dëshirojnë të procedojnë? Kjo çka ka ndodhur sot është e paparë më herët dhe rrezikon seriozisht rendin tonë kushtetues e bazën mbi të cilën kemi formuar rendin parlamentar.

Pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, përmes të cilit është shkarkuar Qeveria e Republikës së Kosovës, Presidentit nuk i krijohet hapësirë që të luaj rolin e një akteri politik duke tentuar të imponojë vullnetin e tij në jetën politike. Presidentit të Republikës së Kosovës, si organ kushtetues, një mocion mosbesimi i jep të drejtën që të përmbushë vetëm një veprim të përcaktuar nga kushtetutëdhënësi. Pra, shpërndarjen e Kuvendit në përputhje me nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Se kjo është procedura e vetme të cilën e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vënë asnjëherë në dyshim as në praktikën e deritanishme kushtetuese. Se nuk ka pasur asnjëherë takime konsultative me partinë politike që ka fituar shumicën në Kuvend është fakt notor. Se presidenca shpërfill rastet e vitit 2010 dhe 2017 kur është shpërndarë Kuvendi dhe janë shpallur zgjedhjet në po të njëjtën ditë kur mocioni i mosbesimit është votuar në Kuvend, po ashtu është fakt i mirë njohur.

Në fakt, se zgjedhjet janë opsioni i vetëm pas një mocioni të suksesshëm të mosbesimit është theksuar edhe nga vet Presidenti në vitin 2010, kur në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të datës 02.11.2010 kur kane kërkuar votat pro mocionit të mosbesimit ai ka theksuar se “Sot besoj se do të votoni drejt duke i vënë fund krizës institucionale e politike e pastaj të dilni para qytetarëve në zgjedhje të reja për të rimarrë besimin e tyre. Duke e bërë një veprim të tillë, i cili është plotësisht në përputhje me kushtetutën tonë, ju i hapni rrugë krijimit të institucioneve të reja më të fuqishme të shtetit tonë me një legjitimitet të ri.

Është krejtësisht e pakuptueshme për mua se mbi çfarë po ndërtohet ky standard i dyfishtë i cili jo që nuk po ndihmon në menaxhimin e krizës aktuale, por përkundrazi, po e thellon vendin në një krize tjetër të panevojshme. Krizë pasigurie dhe frustrimi.

Situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve, dhe kjo është diçka që ne nuk kemi kërkuar të bëhet tani, por sapo të krijohen kushtet pas kalimit të pandemisë. Ajo që nuk e kam të qartë, është standardi i dyfishtë që Presidenti dhe partitë politike po tentojnë ta imponojnë në rrugë jokushtetuese, pas atij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme. Edhe pse dy herë kam kërkuar përgjigje me shkrim në lidhje me këtë, akoma s’kam marrë asnjë përgjigje dhe e kam të vështirë të kuptoj logjikën me të cilën ky President po navigon.

Nuk ka asgjë kushtetuese e legjitime në këso veprimesh e deklarimesh të presidentit. Nuk i ka ato kompetenca për të përcaktuar ai vet a refuzuam a jo, apo si duhet të duket qeveria e vendit tonë. Duke u mundur të na rrëzojë ne është duke e rrëzuar veten, edhe atë pakthyeshëm.

Sot njëzëri, një klub i stërvjetëruar politikisht kumtoi se nuk janë për zgjedhje. Duke thënë kështu të vërtetën e tyre të madhe: frikën nga përballja me vullnetin qytetar.

Unë sonte dëshiroj të ritheksoj se prioriteti im i parë si kryeministër, si dhe prioriteti i parë i gjithë Qeverisë të cilën e udhëheq, është parandalimi i përhapjes së mëtejshme të virusit COVID-19, çdo çështje tjetër partiake apo politike nuk ka asnjë rëndësi, duke përfshirë në veçanti ndërhyrjet e vazhdueshme, të cilat po e pengojnë punën e Qeverisë në mes të një gjendjeje emergjente të shëndetit publik.

Kontribo

13 04 2020

Numri i parafundit i numrit PERSONAL në letërnjoftim përcakton kohën kur ju mund të qarkulloni. (Si në fotografinë poshtë) Qarkullimi: Pa shoqërim 1:30min gjatë ditës.

Kontribo

11 04 2020

Të nderuar anëtarë dhe përkrahës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Si çdo herë kërkohet nga ju vetëdije e lartë për të ndihmuar vendin në këtë situatë të vështirë krijuar nga pandemia.

Përveç që secila e secili prej jush duhet të ndjekë me përpikmëri rregullat dhe protokollin e mbrojtjes së shëndetit për vete dhe familjen, ju lutemi që po ashtu të bëheni pjesë aktive për të ndërgjegjësuar dhe ndihmuar komunitetin ku jetoni e veproni.

Shpërndani e informoni nga distanca sa më shumë miqtë tuaj me rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, Qeverisë dhe veçanërisht shtabeve emergjente lokale.

Raportoni e ndihmoni sa më shumë për familjet në nevojë në komunitetin tuaj.

Solidarizohuni e në rast nevoje paraqituni vullnetarë pranë autoriteteve në rastet kur keni përgatitjen e duhur profesionale për të ndihmuar, gjithnjë duke zbatuar masat mbrojtëse.

Telefononi e njoftoni të afërmit e miqtë tuaj për mënyrat e mbrojtjes sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Veçanërisht ata që kanë të moshuar, ata që janë të detyruar të shkojnë në punë si punëtorët e pastrimit, të subjekteve tregtare, etj.

Solidariteti e informimi në këto momente është jetik. Ndaj mos u ndalni nga kujdesi për veten, komunitetin dhe familjen tuaj të gjerë e të ngushtë.

Për çdo hollësi kontaktoni autoritetet në numrat e paraqitur publikisht nga Qeveria e Komuna juaj si dhe lajmëroni kryetarët e fshatrave dhe lagjeve, respektivisht bashkësitë lokale.

Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë ka dhënë udhëzimet tek drejtuesit e qendrave të saj që në mënyrë aktive të ndihmojnë me gjithçka nevojitet në këto momente. Dhe do të vijoj ta bëjë të njëjtën.

Solidaritet, vetdisiplinë e shumë ndihmë e kujdes për më të rrezikuarit.

Kontribo

11 04 2020

Të nderuar anëtarë dhe përkrahës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Si çdo herë kërkohet nga ju vetëdije e lartë për të ndihmuar vendin në këtë situatë të vështirë krijuar nga pandemia.

Përveç që secila e secili prej jush duhet të ndjekë me përpikmëri rregullat dhe protokollin e mbrojtjes së shëndetit për vete dhe familjen, ju lutemi që po ashtu të bëheni pjesë aktive për të ndërgjegjësuar dhe ndihmuar komunitetin ku jetoni e veproni.

Shpërndani e informoni nga distanca sa më shumë miqtë tuaj me rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, Qeverisë dhe veçanërisht shtabeve emergjente lokale.

Raportoni e ndihmoni sa më shumë për familjet në nevojë në komunitetin tuaj.

Solidarizohuni e në rast nevoje paraqituni vullnetarë pranë autoriteteve në rastet kur keni përgatitjen e duhur profesionale për të ndihmuar, gjithnjë duke zbatuar masat mbrojtëse.

Telefononi e njoftoni të afërmit e miqtë tuaj për mënyrat e mbrojtjes sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Veçanërisht ata që kanë të moshuar, ata që janë të detyruar të shkojnë në punë si punëtorët e pastrimit, të subjekteve tregtare, etj.

Solidariteti e informimi në këto momente është jetik. Ndaj mos u ndalni nga kujdesi për veten, komunitetin dhe familjen tuaj të gjerë e të ngushtë.

Për çdo hollësi kontaktoni autoritetet në numrat e paraqitur publikisht nga Qeveria e Komuna juaj si dhe lajmëroni kryetarët e fshatrave dhe lagjeve, respektivisht bashkësitë lokale.

Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë ka dhënë udhëzimet tek drejtuesit e qendrave të saj që në mënyrë aktive të ndihmojnë me gjithçka nevojitet në këto momente. Dhe do të vijoj ta bëjë të njëjtën.

Solidaritet, vetdisiplinë e shumë ndihmë e kujdes për më të rrezikuarit.

Kontribo

07 04 2020

Mbështetje e respekt për infermieret dhe mamitë në Ditën Botërore të Shëndetit

Sot është dita botërore e shëndetit. Kjo ditë këtë vit i kushtohet infermiereve, infermierëve dhe mamive.

Kudo në botë e edhe në vendin tonë punonjësit shëndetësorë janë duke u përballuar me një nga betejat më të mëdha në dekadat e fundit. Emri dhe puna e tyre si kurrë më parë janë emri i sakrificës dhe solidaritetit të pashembullt. Nuk ka fjalë falënderimi që e përmbush plotësisht respektin e përgjithshëm shoqëror ndaj punës së tyre të përditshme, prej Ambulancave e Qendrave mjekësore, në Spitalet rajonale në Qendrën klinike universitare, në Klinikën infektive, në Institutin e shëndetit publik.

Shëndeti është pasuria më e madhe. Dita dedikuar shëndetit, e veçanërisht infermiereve, infermierëve dhe mamive, e gjen botën mbarë në një situatë të vështirë, në luftë me virusin korona e kthyer tanimë në pandemi. Në këtë çast në botë janë rreth 1.360.000 njerëz të prekur prej virusit, ndërsa në vendin tonë 170. Në nivel global mbi 76.000 persona kanë humbur jetën, ndërsa në Kosovë 4 qytetarë fatkeqësisht kanë pësuar me jetë prej kësaj sëmundjeje. Pandemia e ka dimensionin e saj tragjik. Është një prej ngjarjeve që sigurisht do të lerë gjurmë në jetët tona edhe më tej.

Një prej dimensioneve që e shtojnë vuajtjen, madje edhe tek ata që nuk janë prekur nga virusi, është ankthi. Frika prej së panjohurës, pyetjet për të cilat ende nuk ka përgjigje, gjendja e pasigurisë për shëndetin dhe për ekonominë individuale e kolektive, të gjithë këta shqetësime rëndojnë mbi secilin qytetar. E duke qenë thelbësisht qenie sociale, izolimi në shtëpitë e banesat prodhon stres të shtuar, ashtu siç pamundësia për t´u vetëizoluar, për shumë punëtorë që duhet të vazhdojnë punën, prodhon ekspozim e rrezik të shtuar ndaj virusit.

Në këtë situatë, jemi me fat që të paktën qeverisja po udhëhiqet nga njerëz me besueshmëri e mbështetje të lartë publike. Do të ishte tragjike nëse vuajtjeve tona do t´i shtohej edhe dyshimi në aftësitë, vullnetin apo në ndershmërinë e ministrave. Kur masat e marra nënkuptojnë disiplinim dhe stres të shtuar, është shumë e rëndësishme që të kemi bindje e bashkëpunim nga qytetarët, dhe kjo ndihmohet prej besueshmërisë e reputacionit të mirë të qeverisë. Do të ishte vështirë të mendohej bashkëpunimi qytetar me qeveritarë të njohur për korrupsion, shkelje të ligjit e abuzivizëm, si ata që kemi pasur në të shkuarën.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është duke i zbatuar udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë, duke e pezulluar aktivitetin në zyra, dhe duke vazhduar punën prej banesave apo shtëpive. Ne vazhdojmë të jemi të vëmendshëm e aktivë, duke komunikuar me qytetarët e duke i mbështetur për zgjidhjen apo adresimin e problemeve të tyre.

Sot ndryshe nga vitet e tjera kur e kemi shënuar me aktivitete e diskutime publike, në ditën botërorë të shëndetit, ne si aktivistë solidarizohemi me gjithë bashkëqytetarët tanë, dhe u urojmë atyre shëndet, e që sa më parë ta tejkalojmë këtë krizë, me sa më pak dëme.

Mendimet tona shkojnë sidomos për të moshuarit, për personat me probleme të tjera shëndetësore, për personat në gjendje të vështirë ekonomike, apo ata që janë të pastrehë, për ata që kanë mbetur pa punë për shkak të kufizimit të qarkullimit, për ata që jetojnë vetëm në izolim, apo për ata që janë të detyruar të izolohen brenda familjeve disfunksionale, ku ka dhunë psikologjike, verbale apo fizike. Për të gjitha këto raste ne do të përpiqemi të ndihmojmë me çdo mundësi që kemi, duke informuar e bashkëvepruar me institucionet, duke vetëdijësuar shoqërinë e individët, apo përmes ndihmës vullnetare – gjithnjë duke zbatuar rregullat e mbrojtjes së shëndetit.

Falënderojmë mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë për punën e lavdërueshme që po e bëjnë, dhe shprehim mirënjohjen tonë për punonjësit e rendit e të policisë, punonjësit e sektorëve privatë që vazhdojnë punën, punonjësit e pastrimit, ata të shitjes, transportit e tregtisë, si dhe punonjësit e administratës publike, të cilët po mundësojnë që jeta të vazhdojë, edhe në kushte të tilla.

Zbatojini masat e udhëzimet, ruani jetën e të tjerëve dhe tuajën!

Lëvizja VETËVENDOSJE!

7 prill 2020

Kontribo

06 04 2020

6 muajt e dyfishimit të Lëvizjes në 6 foto

1. Fitorja

Më 6 tetor filloi ngadhënjimi i të Resë mbi të Vjetrën. Shpresa tashmë kishte lindur. Populli kishte zgjedhur Lëvizjen VETËVENDOSJE! fituese të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 2019.

2. Vështirësitë në negociata

Shpenzuam shumë kohë e mund për të arritur koalicionin qeverisës, atë që e kishim premtuar në fushatë e para saj. Lëvizja jonë ishte konstruktive. Ajo nuk punoi poshtë tavolinës dhe nuk projektonte diçka tjetër. Me tërë seriozitetin dhe kapacitetin e saj u angazhua për ta formuar qeverinë. Lëshuam ‘pe’ anipse ishim fitues.

3. Formimi i Qeverisë

6 tetori jetësohet me 3 shkurt. Në Kuvend u votua Qeveria jonë. Gëzimi i ditës së votimit e shpresa e venitur gjatë negociatave, u rikthye sërish. Tash, populli i Kosovës kishte qeverinë, e që e kishte zgjedhur.

4. Qeverisja e mirë

Përgjysmuam pagat tona, aprovuam programin qeverisës dhe votuam buxhetin. Shkarkuam borde, konsuj e ambasadorë të Kosovës. Themeluam Grupin e Vettingut dhe bëmë draftin e parë të dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Po rregullonim infrastrukturën, me plane e projekte për arsimin e kulturën, bujqësinë dhe ekonominë. Ndaluam “gjakderdhjet financiare” dhe vumë reciprocitetin me Serbinë.

5. Mocioni i mosbesimit

Në atë seancë, ata donin të na veshnin akuza të cilat nuk na binin tamam, për t’i justifikuar duart e tyre kur i ngritën për rrëzimin tonë. U bashkuan me plan, të gjithë, sërish. Në imagjinatat e tyre krijuan fantazi të cilat as vet nuk i besojnë.

6. Luftimi i COVID-19

I kemi 165 raste të konfirmuara me virusin Corona ku 23 prej tyre janë shëruar. Si qeveri, i kemi ndërmarr masat e nevojshme për luftimin e këtij virusi. Mjekët e infermierët, policët e zjarrfikësit, janë heronjtë të cilët po triumfojnë ballë kësaj pandemie. Jemi afër fitores, prandaj: Qëndroni të pastër. Qëndroni në distancë. Qëndroni në shtëpi.

Kontribo

06 04 2020

Qëndroni të pastër. Qëndroni në distancë. Qëndroni në shtëpi.

“Vetëm kaq na duhet që të fitojmë. Më lehtë e më thjesht nuk ka qenë asnjëherë. Me pak disiplinë do t’ia dalim. I kemi 23 të shëruar e 145 raste të konfirmuara. E, nga profesionistët mësojmë se është pritur që numri i të prekurve me virusin të jetë shumë më i madh. Mirëpo, kjo nuk duhet të na relaksojë. Përkundrazi. Po hyjmë në javët kritike të virusit, dhe, ta bëjmë këtë për veten tonë, për më të dashurit tanë e, mbi të gjitha, për heronjtë në vijën e parë të frontit. Duhet ta vonojmë në kohë dhe ulim në përmasë sa më shumë ngritjen e lakores së shpërndarjes së COVID-19”, Kryeministri Kurti.

Kontribo

31 03 2020

Fjala e plotë e Nënkryetares së Kuvendit Arbërie Nagavci pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatë Kushtetuese

Sapo dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, të datës 23 mars 2020, të shprehur përmes konferencës për media. Presidenti bëri thirrje për mosrespektim dhe moszbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Presidenti i vendit vazhdimisht ka promovuar dhe ka shkaktuar shkelje të ndryshme ligjore dhe kushtetuese. Jo rrallë herë nga pozita të ndryshme në institucionet e vendit ai ka qenë autor dhe nxitës i veprimeve antikushtetuese, uzurpimit të kompetencave dhe shpërfilljes së legjislacionit e madje dhe ndarjes së pushteteve.

Nuk është hera e parë pra që Presidenti nxit dhe vepron në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe normat ligjore. Këtë herë ai kreu shkelje serioze të aktit më të lartë, Kushtetutës së vendit duke bërë thirrje për moszbatim të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Është detyra jonë si deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të adresojmë shkeljet e Presidentit të Republikës veçanërisht në këtë kohë të vështirë të përballjes me pandeminë dhe kur Qeveria e vendit është duke bërë çmos që të parandalojë përhapjen e COVID-19.

Ndaj sot dorëzuam në Gjykatën kushtetuese këtë kërkesë, pra për shkeljen serioze të Kushtetutës nga ana e Presidentit në thirrjen e paprecedentë për rezistencë, duke kërkuar moszbatimin e vendimit të qeverisë nga organet ligjzbatuese dhe nga qytetarët e vendit.

Kontribo

29 03 2020

Organizatë në rritje, mbështetje e madhe popullore, tejkalim i sfidave

Organizatë në rritje, mbështetje e madhe popullore, tejkalim i sfidave

Sot u mbajt mbledhja e Qendrave të organizatës sonë, në të cilën mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, njëherit Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, Sekretarja Organizative, Vlora Haxhimehmedi dhe Koordinatori i Qendrave, Valon Hoti.

Në këtë mbledhje të drejtuar nga Vlora Haxhimehmedi, Kryetari Kurti njoftoi përfaqësuesit e qendrave të Lëvizjes me vendimet që ka marrë qeveria për ta luftuar koronavirusin dhe për masat e ndërmarra dhe ato që parashihen të ndermirën për të ndihmuar bizneset, punëtorët dhe ata që kanë më së shumti nevojë. Kryetari po ashtu foli edhe për shkarkimet e bordeve dhe zyrtarëve institucional që janë bërë muajt e kaluar, për mocionin e votëbesimit javës që shkoi, dhe për hapat e ardhshëm që ne si organizatë e si struktura duhet t’i ndërmarrim si në aspektin shoqërorë të kujdesit e solidaritetit gjatë konfrontimit të pandemisë ashtu edhe në aspektin politik të situatës së krijuar pas mocionit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! gëzon mbështetjen më të madhe që e ka pasur ndonjëherë. Në adresat e saja kanë mbërritur kërkesa e interesime si dhe janë bërë anëtarësime ‘online’ si asnjëherë më parë. Qytetarët e vetizoluar nga virusi COVID-19 po vazhdojnë të jenë aktiv. Nuk ka sfidë më të rëndësishme se fitorja përballë këtij virusi, punë për të cilën u përgëzua Kryeministri nga e gjithë organizata jonë. Pas kësaj përballje do të bëhemi gati për zgjedhje. Vota e deputetëve me 25 mars kundër Qeverisë në Kuvendin e Republikës është votë që na drejton drejt kutive të votimit. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të paevitueshme. Orvatjet e Presidentit për të bërë Qeveri të “unitetit” janë të rrezikshme sepse e shkelin Kushtetutën, gjegjësisht nenin 82 pikën 2 të saj.

Prandaj, meqenëse zgjedhjet janë afër është detyrë e secilit prej nesh të punoj që të rritet organizata jonë. Legjitimiteti buron nga zgjedhjet. Zgjedhjet e fundit i ka fituar Lëvizja jonë e jo partitë e tjera. Nuk mund e nuk do ta lejojmë të vidhet vota për ndryshim. Deri atëherë, kujdes të shtuar e qëndrim të mbarë nëpër shtëpi.

Kontribo

29 03 2020

Konstitucionalizëm integral, jo voluntarizëm presidencial

Neni më i rëndësishëm i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për ecjen përpara është ai 82.2: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”. Këtu, folja jokalimtare ‘mund’ nuk është ajo e një mundësie subjektive të zgjedhjes, por e lejes për të proceduar nga një autoritet. Nuk është e rastësishme që në verzionin në anglisht të Kushtetutës sonë, fjala ‘mund’ nuk është ‘can’ por ‘may’. Sëkëndejmi, neni 82.2 është dispozitë e lejimit dhe jo e përzgjedhjes.

Presidenti i Republikës së Kosovës, në vend se të hutohet me nenin 95 te Kapitulli VI i Kushtetutës (Qeveria e Republikës së Kosovës), duhet të fokusohet në nenin 82 te Kapitulli IV (Kuvendi i Republikës së Kosovës). Njëherazi, togfjalëshat e tij kundërkushtetues të deklaruar publikisht si “qeveri e re” apo “kritere mbizotëruese” nuk ndriçojnë rrugën përpara. Përkundrazi.

Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, nuk kemi garuar se kush do të bëhet kryetar komisioni parlamentar, shef grupi apo kryetar Kuvendi. Partitë kanë garuar me programe qeverisëse dhe me kandidatë për kryeministra. Kontrata legjitimuese me popullin është ndërprerë dhe duhet të rikthehemi tek ai. Porsa të mbarojë pandemia Covid-19 – të cilën duhet ta luftojmë të gjithë bashkë duke mbështetur dhe ndihmuar e jo duke penguar a sabotuar qeverinë në detyrë – ne duhet të zbresim te populli si burim sovraniteti, për zgjedhje të reja, të lira e demokratike.

Ka dallim thelbësor ndërmjet situatës kur kryeministri dorëhiqet nga posti i tij dhe asaj kur Kuvendi voton mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Në rastin e parë kemi mungesë vullneti ose aftësie të vetëdeklaruar nga kryeministri i cili largohet. Në rastin e dytë qeveria dhe kryeministri janë në detyrë, nuk ka vakuum deri në zgjedhjet e reja, andaj edhe stabiliteti e funksionimi shtetëror nuk cënohen. Pra, në rastin e dytë e që është ky yni tani, nevojitet Kuvend i ri për qeveri të re.

Kjo do të jetë hera e tretë e situatës së njëjtë në Kosovën e pavarur: kishim mocione të suksesshme të mosbesimit edhe në vitet 2010 e 2017, pas të cilave Presidenti shpërndante Kuvendin dhe shpalleshin zgjedhjet e parakohshme. Për më tepër, në vitin 2017 ishte po ky President që është tani, dhe, në atë kohë, ai nuk kishte dilemë se cila ishte rruga e duhur pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit.

Kushtetutëdhënësi e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër, me faktin se nuk ka paraparë asnjë procedim tjetër në Kushtetutë, për dallim nga dorëheqja, pas së cilës Kushtetuta ka paraparë që Presidenti fillon konsultimet me partinë apo koalicionin fitues.

Mocioni i mosbesimit i 25 marsit 2020 ishte i llojit destruktiv: synonte rrëzimin e qeverisë. Kaq. Nuk ishte mosbesim konstruktiv me ç’rast Kuvendit do t’i paraqitej njëkohësisht edhe një ofertë e re për qeveri të ardhshme. Vota PËR me 25 mars 2020 ishte asgjë më shumë sesa votë KUNDËR. Si e tillë ajo shkëputi lidhjen pushtet-popull. E vuri qeverinë në pyetje në mënyrën ku populli (dhe jo Kuvendi) jep përgjigje. Kuvendi e rrëzoi qeverinë në Kuvend. Qeveria në detyrë qeveris.

Përfundimisht, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë. Sepse ai duhet ta zbatojë Kushtetutën e jo ta interpretojë atë.

Kryeministri Albin KURTI 29 MARS 2020

Kontribo

25 03 2020

Fjalimi i drejtuesit të Grupit Parlamentar Rexhep Selimi në seancën për mocionin ndaj Qeverisë.

“Krejt kjo seancë është thirrur me sponsorizim përtej jush për të shkuar drejt një marrëveshje të keqe që po e pret Kosovën – e kjo marrëveshje në asnjë mënyrë as nuk lejohet as nuk do të pranohej e as nuk do të lejohej nga qeverisja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Dhe po ashtu, pasaktësi tjetër është që, LDK-ja nuk vazhdon ta ketë problem Thaçin siç ju e paraqitët, as si protagonizëm e as si president – përkundrazi, ashtu siç e keni zgjedhur ashtu po tentoni ta mbani në lojë edhe në raport me marrëveshjet me Serbinë.

Pra, ne e kemi ndarë mendjen. Më mirë të tradhtuar sesa të tradhtojmë. Më mirë të mashtruar sesa të mashtrojmë. Më mirë me Kosovën sesa në koalicion me ju. Shihemi në përballje tjera.”

Kontribo

24 03 2020

Dje Kryeministri Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kancelaren gjermane Angela Merkel. Më poshtë gjeni pikat kryesore nga biseda e djeshme.

Kontribo

15 03 2020

Rezoluta e propozuar nga GP i LV-së dhe GP i LDK-së

Në Kuvendin e Kosovës u aprovua Rezoluta e propozuar nga GP i LV-së dhe GP i LDK-së, që në bisedimet me Serbinë për rezultat parasheh njohjen reciproke, thekson pacenueshmërinë e sovranitetit, integritetit territorial dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës, dhe ia njeh Qeverisë mandatin për t’i udhëhequr bisedimet drejt një marrëveshje të mundshme përfundimtare brenda vijave të rendit kushtetues të Republikës tonë.

Kontribo

13 03 2020

Kujdes, vetëdisiplinim dhe solidaritet

Pas evidentimit të prezencës në Kosovë të virusit CoVid-19 është e domosdoshme që të gjithë ne të ndjekim këshillat e specialistëve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Po ashtu, të gjithë qytetarët, duhet të zbatojmë me disiplinë të plotë masat e komunikuara nga qeveria e Kosovës.

Të prekurve nga virusi u urojmë shërim të shpejtë. Me sa dimë edhe nga vendet e tjera ku ka pasur shumë të infektuar, pjesa shumë e madhe e tyre e tejkalojnë pa problem. Por, duhet vetëdisiplinim, ruajtje e higjienës personale dhe publike, dhe kufizim i lëvizjeve të panevojshme.

Në kuadër të këtyre masave, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të mbyllë zyrat e saj qendrore dhe ato nëpër qytete e fshatra. Punën do ta vazhdojmë nga shtëpia, përmes mjeteve të komunikimit elektronik. Kjo nuk do të thotë se izolimi do të jetë total, pasi do të vazhdojmë të dalim për blerje të ushqimeve, si gjithmonë, por me kujdes më të madh për higjienën. Në shtëpi do të mund të kujdesemi edhe për të moshuarit, por edhe për fëmijët tani që shkolla është ndërprerë.

Me vetekufizimin tonë, i ndihmojmë personave që duhet të vazhdojnë punën, e ata janë mjeket dhe punonjësit e shëndetësisë, policet e punonjësit e rendit e sigurisë, bizneset që prodhojnë e tregtojnë ushqimin e gjësendet jetike, si dhe disa shërbime të tjera të domosdoshme. Por, çdo punë, udhëtim dhe zbavitje e cila nuk është e domosdoshme, duhet të ndërpritet, që ta ngadalësojmë shpërndarjen e virusit deri sa ta mundim atë.

Ftojmë aktivistët tanë të shpërndajnë njoftimet zyrtare dhe të njoftojnë çdo qytetar për rregullat e nevojshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit CoVid-19.

Me kujdes, pa panik!

Kontribo

11 03 2020

GP i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe GP i Lidhjes Demokratike të Kosovës propozojnë: DRAFTREZOLUTË

DRAFTREZOLUTË

1. Republika e Kosovës është e përkushtuar për bisedime politike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që do të rezultojnë me njohje reciproke.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Askush, nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës.

3. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nr. K043/19, të datës 27 qershor 2019, është Qeveria e Republikës së Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedimet dhe/ose dialogun me Serbinë si dhe të bëjë përgatitjet për negociata e të negociojë lidhur me një marrëveshje të mundshme përfundimtare e cila do të rezultojë me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, brenda vijave të patejkalueshme të rendit kushtetues të Republikës sonë.

Kontribo

11 03 2020

Ka kohë që nuk ka dialog, por negociatat nuk janë ndalur!

Unë jam i bindur që ka një qëndrim normal e ky është zëvendësimi i tarifës 100% me reciprocitetin. Dhe ka një qëndrim sublim normal, e ky është zëvendësimi gradual i tarifës 100% me reciprocitetin. Përgjatë këtij zëvendësimi gradual do të krijoheshin edhe masat e mirëbesimit për dialogun e ardhshëm.

Ne në fushatë kemi garuar me reciprocitetin. Të gjithë ne që në fushatë kemi garuar me reciprocitetin dhe kemi marrë votat e qytetarëve është e domosdoshme që për ndryshim të qëndrimit të kthehemi të qytetarët dhe minimumi i korrektësisë demokratike e thotë që ata që kanë ndryshuar qëndrim duhet të kërkojnë referendum.

Nuk bëhet fjalë për heqje të tarifës e fillim të dialogut. Kjo është gënjeshtër. Bëhet fjalë për heqje të tarifës e për mbyllje të dialogut me një marrëveshje të gatshme. Midis dy presidentëve, unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme. Dhe ajo që po kërkohet është të thyhet qeveria e Kosovës, të thyhem unë si Kryeministër, në mënyrë që të marr fuqi ai që në emër të Kosovës në negociata sekrete ka bërë marrëveshje që tash të gatshme do ta servoj jo për të filluar dialog por për të mbyllur çfarëdo mundësie për dialog. Edhe vetëm 10% po të jenë gjasat se ka marrëveshje të gatshme ne duhet të jemi të kujdesshëm. E unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme. Ky është problemi. Ky është ‘’elefanti’’ në dhomë. Nga shoqërimi për dy vite e gjysmë në sofrën e shkëmbimit territorial, ka dalë një ujdi aty. Por, e keni vërejtur se çfarë po thotë presidenti i Serbisë: me kë të negocioj unë, me Kurtin në Bruksel apo me Thaçin në Washington? Me fjalë të tjera, ai po iu thotë edhe faktorëve ndërkombëtarë, por edhe Kosovës: përcaktojeni cili. E për t’u përcaktuar ky i dyti në Washington, kërkohet që paraprakisht të thyhet ky i pari në Prishtinë. Kjo është e thjeshtë, nuk është e komplikuar. Pra, duhet të thyhet kurrizi i kësaj qeverie, unë si Kryeministër i ri, dhe më pastaj të thuhet në rregull, presidenti fitoi, marrëveshja në tavolinë, dhe shampanja prapa. Mirëpo unë them jo. Është gabim pozicioni ekstremist. As heqje tarife pa reciprocitet dhe as insistim në tarifë duke mos u angazhuar për reciprocitet.

Mua nuk më pëlqen se çfarë po ndodhë, por ajo që mund të ndodhë po u hoq tarifa pa reciprocitet është pakrahasimisht më e dëmshme. Ai do të ishte një gabim i pafalshëm historik.

Unë nuk jam antiamerikan, unë jam kundër antiamerikanëve. Por më duhet ta them një gjë, presidenti është antievropian. Pikërisht në kohën kur presidenti aktual deklarohet hapur si antievropian, disa më akuzojnë mua padrejtësisht si antiamerikan. Ai vetë tha jam antievropian. Unë jam edhe pro Amerikan edhe pro Evropian. Unë besoj në lidhjen Trans Atlantike. Ai u deklarua si antievropian dhe filluan sulmet e akuzat, shpifjet për mua si antiamerikan. Unë i dua edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe Bashkimin Evropian, na duhen të dyja. Pa ShBA nuk ka NATO, pa NATO nuk ka siguri as në Evropë se lëre më në Ballkanin tonë. Ndërkohë që Kosova është në Ballkan, në territorin Evropian dhe jo në kufi me Meksikën. Presidenti i Kosovës po sillet shumë më keq me Bashkimin Evropian sesa me Serbinë. Unë si Kryeministër i vendit nuk jam dakord me qasjen ku Presidenti flet për Borrellin, Lajçakun, Brukselin më keq sesa për Daqiqin, Vuqiqin e Beogradin. Kjo është gabim. Borrelli, Lajçaku, Brukseli nuk kanë kryer gjenocid në Kosovë, mos të ngatërrohen këto gjëra.

Unë jam i gatshëm të shkoj në Washington DC të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si Kryeministër me ekipin tim, bashkë edhe me Kryeparlamentaren tonë, znj. Vjosa Osmani dhe t’i diskutojmë të gjitha çështjet. Kemi nevojë për një proces drejt një marrëveshje të pranueshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe rajonin.

Kontribo

09 03 2020

Sekretariati i Gruas Aktiviste po vazhdon takimet e tubimet me gra në të gjitha komunat e Kosovës.

Në këto takime po flasim për problemet dhe sfidat me të cilat përballen gratë, për mundësitë e reja institucionale për t’iu kundërvënë rendit patriarkal në shoqëri, por mbi të gjitha për angazhimin e grave në kuptimin e solidaritetit dhe organizimit prej poshtë.

Shteti ka detyrim të krijoj e zbatoj politika të cilat u sigurojnë grave më shumë qëndrueshmëri ekonomike, dinjitet në punë, në shkollë, familje e shoqëri, por ky detyrim nuk garanton ndryshim substancial pa angazhimin e gruas punëtore në shtëpi, nxënëses në shkollë, studentes në Universitet, punëtores në hipermarket.

Organizimi e artikulimi i kërkesave tona nga poshtë është rruga më e sigurtë ku gjinia rresht së qeni kategori mbi të cilën sendërtohet shtypja e shfrytëzimi. Nuk mund të kemi rehati përderisa gratë nuk marrin pjesë në tregun e punës për shkak të punëve të pambarimta në shtëpi. Organizimi në çdo fshat e qytet, takimet dhe diskutimet me gra e vajza për t’i artikuluar si kërkesat ashtu edhe veprimet tona është domosdoshmëri për përmbysjen e rendit patriarkal.

Sekretariati i Gruas Aktiviste do të vazhdojë me organizime të tilla, që në të kaluarën prodhuan veprime konkrete dhe mundësuan shtyrjen e shumë çështjeve të rëndësishme në Alternativën qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

 

Kontribo

09 03 2020

Në një datë historike si 7 marsi, Lëvizja VETËVENDOSJE! uron të gjithë mësimdhënësit

Historia e shkollës shqipe ishte e lidhur me fatin e kombit, dhe anasjelltas. Përkundër kohërave të vështira, rreziqeve e përndjekjeve, këtu e 133 vjet më parë, nisi krijimi i mësonjëtoreve të para shqipe, për t’u zgjeruar kudo me mësues të cilët vetëmohimin e kishin tiparin dallues, e ndërgjegjësimin kombëtar motiv parësor.

Kështu, më 7 mars 1887, në Korçë u hap shkolla e parë shqipe, me Pandeli Sotirin mësues dhe drejtues, si një paralajmërim, po aq sa edhe domosdoshmëri për krijimin e shtetit dhe përparimin shoqëror e kombëtar.

Nga mësimdhënës e shkolla për të ruajtur gjuhën dhe qenien shqiptare përballë sfidave e goditjeve të shumta, 7 marsi sot simbolizon misionin fisnik të mësimdhënësve në përpjekjen tonë për liri e pavarësi, por edhe rëndësinë që ka shkolla si institucion e dija si vlerë në përparimin e vendit tonë.

Shkolla, aq sa është bazament i shtetit, është edhe vet mundësia jonë për të ecur përpara drejt një shteti të zhvilluar, të mirëqenies e të qëndrueshëm. Nxënësit dhe studentët kanë të drejtë e nevojë për dije e shkencë, mësimdhënësit kanë të drejtë për kushte e dinjitet, kurse shteti ka nevojë për edukim cilësor që përkon me resurset e Republikës dhe zgjeron ato. Sot, shkolla në Kosovë duhet të marrë vëmendjen e duhur për të arritur aty ku presin qytetarët dhe meriton sistemi i arsimit, të prodhimit të shkencës e dijes në funksion në zhvillimit e përparimit shoqëror e shtetëror.

Në një datë historike si 7 marsi, Lëvizja VETËVENDOSJE! uron të gjithë mësimdhënësit, duke vlerësuar lart kontributin e tyre dhe rolin që ata kanë.

Kontribo

09 03 2020

Anulohet vendimi që i jepte Bechtel-Enka 50 milionë euro

Qeveria Kurti është e vendosur në ndalimin e “gjakderdhjeve financiare” të shkaktuara nga qeverisja e kaluar. Në këtë drejtim sot u anulua vendimi që do t’i jepte kompanisë Bechtel-Enka edhe 50 milionë euro të tjera nga paraja publike.

Kontribo

09 03 2020

Njohja e vuajtjeve të vajzave, grave, burrave e djemve të cilët ishin të dhunuar brutalisht gjatë luftës së fundit ka qenë një betejë e gjatë.

Njohja e vuajtjeve të vajzave, grave, burrave e djemve të cilët ishin të dhunuar brutalisht gjatë luftës së fundit ka qenë një betejë e gjatë. Gjatë rrugëtimit nga përfundimi i luftës për këto kategori u bëmë edhe ne si institucion njëfarë armiku i tyre. Kjo për arsye se nuk u bëmë zëri i tyre për tërë këto vite. Falë shoqatave të grave, shoqërisë civile dhe iniciativës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për plotësim ndryshim të ligjit, nga 2012 kjo temë u hap dhe sot kjo kategori e dalë nga lufta arrin ta ketë njëfarë forme të barazisë me kategoritë e tjera edhe pse jo të plotë.

Kemi ende shumë punë për të bërë. Për të përkrahur Komisionin që ta kryej punën e tij ashtu siç duhet, për të përkrahur organizata që kanë punuar me këto gra tash e 20 vite, dhe më e rëndësishmja në qendër të vëmendjes ta kemi ndihmën dhe përkrahjen ndaj të mbijetuarave dhe të mbijetuarave.

Dalja publike e Vasfijes përveç se ishte e guximshme ka qenë një moment shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Jo vetëm se po adresohej publikisht kjo çështje me emër dhe mbiemër, por gjithashtu filluan të dalin në pah mospërkrahja dhe mospuna e drejtësisë ndaj këtyre të mbijetuarave dhe familjeve të tyre. Mospërkrahja për nevojat e tyre elementare qoftë për shëndetin e tyre ose për mbijetesën e përditshmërisë.

Kam një kërkesë, që ka ardhë në Kuvend nga Qendra për Rehabilitimin e të mbijetuarve të Torturës, që data 14 prill, që është dita kur është dhunuar Vasfije Krasniqi, të jetë datë që i kujtojmë të gjitha viktimat e dhunës seksuale në Kosovë. Propozimi ynë është që kjo të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Kryesisë së Kuvendit dhe në një kohë sa më të afërt të vij edhe në Kuvend të Kosovës për t’u diskutuar dhe votuar.

Kontribo

09 03 2020

Kriminelët e luftës duhet të dënohen për krimet e shkaktuara në të gjitha frontet

Ne nuk mundemi as të imagjinojmë dhimbjet dhe tmerrin që viktimat seksuale të luftës kanë përjetuar, por edhe vuajtjet e vazhdueshme pas luftës duke jetuar të heshtur, të izoluar e të harruar.

Si qytetar, aktivist dhe deputet i Kuvendit të Republikës e kam pasur për detyrë të flas e të kërkoj veprim shtetëror, sot si kryeministër e kam për detyrë të veproj.

Kriminelët e luftës duhet të dënohen për krimet e shkaktuara në të gjitha frontet

Gjykatat dhe prokuroritë tona duhet t’i trajtojnë me seriozitetin maksimal rastet e dhunës seksuale në Kosovë. Legjislatura e kaluar e Kuvendit ka miratuar ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që lejon gjykimin në mungesë për krime lufte, çka do të thotë se institucionet e Kosovës kanë të drejtë të nisin hetimet edhe nëse i dyshuari nuk është prezent në seancë gjatë gjykimit. Qeveria është e gatshme të plotësojë çdo kërkesë të prokurorisë për të rritur kapacitetet e nevojshme në këtë drejtim.

Përdhunimet gjatë luftës janë nga krimet më të tmerrshme që kanë ndodhur por ato asnjëherë nuk u trajtuan në bisedimet me Serbinë. Ne do të sigurohemi që kjo të ndryshojë, sepse nuk mund të arrijmë paqe pa pranuar të kaluarën.

Kërkim falja nga Serbia, reparacionet dhe qasja në drejtësi do të jenë pjesë e dialogut.

Një ndër prioritetet e Qeverisë tonë është padia e Kosovës për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo do të jetë rrugë e gjatë, sepse dëshirojmë që të sigurohemi që të jemi të suksesshëm në këtë proces, por ne veçse kemi filluar punën në këtë drejtim. Pa ndëshkimin e krimeve të luftës nuk mund të kemi qetësi.

Krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi për to.

Kontribo