29 11 2019

Homazhe për Monin dhe Arbenin, Arbënorin dhe Astritin.

Arbenin, Monin, Astritin e Arbënorin i kemi patur shokë dhe aktivistë të zemrës, por me humbjen e tyre ata janë bërë pjesë edhe më e madhe e jona. Për ta jeta e humbet kuptimin pa drejtësi e barazi. E kemi detyrë e dëshirë të vazhdojmë të mendojmë e veprojmë njëjtë derisa sa drejtësia dhe barazia të jenë pjesë e jetës për shqiptarët, kështu vazhdojmë t’i mbajmë në mesin tonë e të mbahemi në ta.

Kontribo

29 11 2019

Homazhe në Prekaz.

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i prirë nga Kryetari Albin Kurti, deputetët dhe aktivistët e Lëvizjes, kryen homazhe sot në Prekaz tek varrezat e familjes Jashari në nderim të veprës dhe sakrificës së kësaj familje dhe luftës së UÇK-së për liri të Kosovës.

Pas homazheve, Kryetari Albin Kurti tha se 28 Nëntori është festa që na bashkon e që kësaj radhe na bashkoi edhe kundrejt një fatkeqësie tragjike si kjo në zonën e Durrësit që na tronditi të gjithëve, e të cilën po e përballojmë duke u solidarizuar e qëndruar bashkë.

Kontribo

29 11 2019

28 Nëntor – Homazhe te busti i Ismail Qemalit.

Sot, në shënimin e datës që na kujton ndjenjën e përbashkët të krenarisë dhe përgjegjësisë, ditën e flamurit dhe të shpalljes së pavarësisë, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, së bashku me deputetët, anëtarët e kryesisë dhe aktivistët e Lëvizjes bëri homazhe te busti i Ismail Qemalit në Prishtinë.

Kontribo

29 11 2019

Pas certifikimit, populli i Kosovës po pret që t’ia nisim punës.

U bë certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019. Komisioni Qendror Zgjedhor shpalli Lëvizjen VETËVENDOSJE! subjektin fitues, subjektin e parë, me 221.001 vota, dhe, grupin më të madh parlamentar në Kuvend në legjislaturën e shtatë.

Falënderojmë të gjithë votuesit për besimin te ne, shprehur në 6 tetor. Mirënjohje edhe për komisionerët e vëzhguesit e angazhuar në këtë proces zgjedhjesh, numërimesh e rinumërimesh që zgjati kaq shumë, po ashtu edhe për aktivistët e vullnetarët që ndihmuan gjatë gjithë fushatës e më pas.

Grupi ynë parlamentar do të jetë më i madhi, me 30 deputetë. 29 prej tyre vijnë nga lista e Lëvizjes, 1 nga IRDK që na u bashkua rishtas.

Në grupin tonë parlamentar do të jenë 10 deputete, të cilat e kanë fituar që të gjitha mandatin e tyre pa ndihmën e kuotave gjinore, dhe kjo është hera e parë që ndodh kësisoj me një grup parlamentar në Kosovë.

Këto zgjedhje janë karakterizuar nga gara e kandidatëve për kryeministra, si kurrë më parë. Këtë garë e ka fituar Albin Kurti. Madje për herë të dytë. Në vitin 2017 Albin Kurti ka marrë 143.621 vota, ndërsa kësaj radhe është votuar nga 183.952 persona, duke u bërë përfaqësuesi politik më i votuar në Kosovë qysh prej kur ka filluar aplikimi i sistemit zgjedhor me lista të hapura.

Qeveria e ardhshme e LVV dhe e LDK tashmë e ka shumicën e nevojshme në parlamentin e Kosovës. Mëngjesi i të hënës duhet të na gjejë me marrëveshje të koalicionit qeverisës.

Populli i Kosovës po pret që t’ia nisim punës.

Kontribo

28 11 2019

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, mori pjesë në varrimin e vëllezërve Shemsedin dhe Isah Abazi

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, sot qëndroi në fshatin Livoç të Epërm të Gjilanit, ku mori pjesë në varrimin e vëllezërve Shemsedin dhe Isah Abazi, të cilët humbën jetën tragjikisht në Durrës ku ishin duke punuar, nga tërmeti shkatërrues i cili e goditi këtë zonë.

Me këtë rast Kryetari, Albin Kurti, mbajti një fjalë rasti ku tha:

“Jemi mbledhur këtu sot, për t’ia thënë lamtumirën e fundit Shemsedinit dhe Isahut, këtyre dy punëtorëve të mëdhenj, këtyre dy njerëzve të ndershëm, këtyre dy qytetarëve të Gjilanit e banorëve të Livoçit të Epërm, të cilët udhëtuan larg për të siguruar ekzistencën për familjen e tyre. Ishin përplot gjallëri, por ja që një ditë nuk na u kthyen të gjallë.

Shemsedini ka lënë katër fëmijë, e Isahu dy, këtu me neve është edhe djali i Shemsedinit, Besimi, që mban emrin e axhës së tij, që po ashtu prehet këtu i vrarë para katërmbëdhjetë vitesh. E ne si shoqëri, si institucione e si shtet, ne si qeveri kemi për obligim që t’i ndihmojmë e ta përkrahim këtë familje që përjetoi këtë fatkeqësi tragjike që duhet ta ndajmë bashkë të gjithë ne.

Në traditën e në kulturën tonë shqiptare e kemi bashkësinë, edhe në gëzim edhe në hidhërim, i kemi edhe dasmat i kemi edhe vdekjet e të pamet. Në dasma duke e ndarë gëzimin e rrisim gëzimin, në vdekje e të pame duke e ndarë hidhërimin e zvogëlojmë atë.

Le t’i qëndrojmë pranë kësaj familje, që i humbi dy më të dashurit e saj, dhe le të bëhemi ne anëtarë të kësaj familje duke u solidarizuar me ta dhe duke iu shprehur njëherazi ngushëllim edhe për këta dy djem por edhe për gjithë të tjerët rreth 40 sosh që deri në këto momente u konstatuan se vdiqën nën gërmadhat e tërmetit tronditës në zonën e Durrësit.

Besimi është në klasë të gjashtë, por ndonëse fëmijë i vogël ky do të bëhet një burrë i madh. Ne do të jemi këtu që ta mbështesim, edhe për Besimin e për fëmijët tjerë të Kosovës që janë të varfër. Mërzinë e kemi të pashmangshme por edhe duke u mërzitur nuk mund të ndryshojmë diçka, andaj, ju faleminderit shumë që keni ardhur në numër kaq të madh dhe keni treguar që ata që kanë nevoja më të mëdha do të jemi pranë tyre për t’iu ndihmuar më së pari. Shemsedini dhe Isahu u prehshin të qetë, dhe i lehtë u qoftë dheu i Kosovës.”

Kontribo

27 11 2019

Thirrje për krijim të shtabeve emergjente

Gjatë këtyre dy ditëve kemi parë një mobilizim të madh të shoqërisë për të ndihmuar bashkëkombasit tanë të prekur nga termeti në Shqipëri.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka nisur një konvoj mbrëmë, kurse sot do të niset dhe i dyti.

Përveç kësaj ne i bëjmë thirrje Agjensisë për Menaxhimin e Krizave, por edhe komunave të Kosovës, në veçanti drejtoritë për mirëqenie sociale, të vendosen në shërbim të ndihmës për krizën në Shqipëri, permes krijimit të shtabeve emergjente, me fokus të veçantë krijimin dhe organizimin e hapësirave për pranimin e njerëzve të prekur nga termetet dhe identifikimin e nevojave tjera.

Po ashtu, i bëjmë thirrje shtetit shqiptar që të pezullojë traun dhe taksën në “Rrugën e Kombit” në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i njerëzve dhe transporti i ndihmave.

27 nëntor 2019
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

27 11 2019

Procesi i dërgimit të ndihmave “Dhimbjet i përballojmë bashkë”

Sot, në orën 02:00 në mëngjes, konvoji prej 17 makinave të ndryshme, përfshirë edhe një autoambulancë, me 51 ton ndihma ka arritur në Durrës. Shpërndarja e ketyre ndihmave po vazhdon edhe në këto momente.

Ky ishte konvoji i parë i këtij lloji, ndërkaq që ndihmat tjera të cilat janë mbledhur gjatë natës dhe po vazhdojnë të sillen nga qytetarë të shumtë gjatë gjithë kohës në të gjitha Qendrat Lëvizjes VETËVENDOSJE!, do të transportohen sot. Nisja do të bëhet në ora 15:00, nga Prizreni, ku do të jetë pika e takimit e konvojeve me ndihma nga Qendrat tjera.

Kontribo

27 11 2019

Mbledhja e ndihmave për familjet e prekura nga tërmetet në Shqipëri

Mbledhja e ndihmave për familjet e prekura nga tërmetet në Shqipëri

Tërmetet e mbrëmshme në Shqipëri kanë tronditur vendin. Me ngushëllimet për të gjithë familjet e viktimave dhe në mbështetje të të lënduarve e familjeve të mbetura pa strehë, po mobilizohemi për të ndihmuar.

Lëvizja VETËVENDOSJE! organizon tri pika grumbullimi, në zyrat tona në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë, për grumbullimin e ndihmave siç janë ushqimi i paketuar, rrobat të ngrohta për çfarëdo moshe, batanije e shtroje, shatorë, dyshekë, barna (paracetamol dhe vitamina).

Pas grumbullimit do të transportohen në Shqipëri në koordinimet me Emergjencat Civile.

Ju jemi shumë mirënjohës për të gjitha ndihmat dhe prej këtij çasti mund të lajmëroheni për t’i dorëzuar ndihmat tuaja.

Pikat grumbulluese: Në të gjitha zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpër Kosovë.

Kontribo

27 11 2019

Emërimet antikushtetuese në AKI – pazar i PAN-it të vjetër

Emërimet antikushtetuese në AKI – pazar i PAN-it të vjetër

Sot u njoftuam nga mediet për pazarin e ri të Thaçit e Haradinajt në kurriz të shtetit.

Sa më shumë afrohet dita e largimit të PAN-it nga pushteti, aq më shumë po dalin në pah fijet që i mbajnë lidhur. Thaçi e mori drejtorin e AKI-së e Haradinaj e mori kryeinspektorin.

Propozimi nga Haradinaj dhe dekretimi nga Thaçi për të dy këto pozicione është përveç të tjerave dhe antikushtetues. Në dy drejtime, sepse ish-kryeministri s’mund ta ushtrojë këtë kompetencë e Presidenti s’mund të dekretojë propozime nga një ish-kryeministër.

Propozimet janë po ashtu emërime politike. I pari, ish-vartës i Hashim Thaçit në MPJ, u emërua si drejtor i AKI-së pasi që dështoi t’i mbrojë numrat e Z-mobile nga pozitat e drejtorit të bordit të ARKEP-it. I dyti u emërua kryeinspektor pasi dështoi të bëhej deputet i AAK-së, i cili mbahet mend për ankesat e tij rreth vjedhjes së votave që iu bënë nga brenda subjektit të tij. Duket se ky emërim ishte dhe rehatimi i tij.

Sigurisht që me t’u konstituuar institucionet ky vendim antikushtetues do të adresohet për këtë shkelje të rëndë e paprecedent.

Ditët e abuzimeve të PAN-it kanë mbaruar, po ashtu edhe mundësitë e tyre për ta rrënuar më tej rendin kushtetues.

Kontribo

27 11 2019

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vizituan Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë

Sot, në ditën ndërkombëtare për luftën kundër dhunës ndaj grave, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga deputetët Albulena Haxhiu dhe Arben Vitia dhe aktivistja Albesa Avdijaj vizituan Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, në të cilën ofrohet strehim për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës. Delegacioni i Lëvizjes gjatë vizitës u njoftua për problemet që ka kjo strehimore, e cila mungesë të vëmendjes nga qeveritë e deritanishme ballafaqohet me telashe të mëdha, që nga buxheti i pamjaftushëm e deri te mungesa e infrastrukturës.

Sot, në ditën ndërkombëtare për eleminimin e dhunës ndaj gruas, sikur edhe çdo ditë tjetër, ne duhet denoncuar pakompromis dhunën, shfrytëzimin e shtypjen sistematike që bëhet kundrejt grave e fëmijëve. Veçanërisht ndaj atyre kategorive më të margjinalizuara si pasojë e statusit të tyre ekonomik e social. Lëvizja VETËVENDOSJE! në vazhdimësi është angazhuar me problemin e dhunës ndaj grave e fëmijëve, posaçërisht është angazhuar për ndarje të buxhetit e insuticionalizim të strehimoreve gjithandej nëpër Kosovë.

Duke e njohur burimin e dhunës dhe format e manifestimit të saj, qeveria e ardhëshme do të ndërhyjë shpejtë dhe drejtë, në parandalim, trajtim dhe integrim të viktimave të dhunës në shoqëri. Bashkë me qeverinë e re do të sjellim edhe një mendësi e qasje të re në trajtimin e këtyre problemeve, me ç’rast angazhimi për eleminimin e të gjitha formave të dhunës do të jetë prioriteti ynë.

Kontribo

27 11 2019

Gjykata Supreme të vendos për numërimin e pakove me vota nga diaspora

Për sa kohë që vazhdonte rinumërimi dhe ende pa u shpallur rezultatet, kemi kuptuar që në adresë të KQZ-së kanë arritur edhe 392 pako me fletëvotime të bashkatdhetarëve me të drejtë vote.

Gjykata Supreme, në frymë dhe përmbajtje në dy raste të mëparshme ka konfirmuar të drejtën e votuesve nga mërgata që fletëvotimet e tyre të dërguara me kohë dhe para datës së zgjedhjeve, të numërohen dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar.

Aktgjykimet e Gjykatës Supreme do të duhej të shërbenin si bazë e mjaftueshme që KQZ të bëjë edhe numërimin e këtyre 392 pakove, por pas refuzimit për t’i numëruar dhe refuzimit nga ana e PZAP-së për të urdhëruar KQZ-në, çështjen e kemi adresuar në Gjykatën Supreme.

E drejta e votës si e drejtë kushtetuese dhe universale, duhet të mbrohet dhe të respektohet. Ndërsa çdo votë e ardhur në adresë të KQZ-së dhe e nisur nga votues të regjistruar dhe brenda afatit, duhet të numërohet dhe të përfshihet në rezultatin përfundimtar.

Shumë shpesh disa palë të përfshira në proces kanë pretenduar se ankesat po e vonojnë çertifikimin. Ju kujtojmë se faktori kryesor që ka shkaktuar këtë stërzgjatje të kalendarit të aktiviteteve të KQZ-së është Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ka një numër të konsiderueshëm të vendimeve arbitrare të këtij institucioni, të rinumërimeve, ndërhyrjes në rezultat. Dhe ajo çfarë është më arbitrare, është mosrespektimi i aktgjykimeve të Gjykatës Supreme lidhur me votat e mërgatës. Në kushte normale, do të kishte mjaftuar vetëm një vendim i Gjykatës Supreme, që për të gjitha rastet e njëjta të vendosjes në analogji nga ana e KQZ-së dhe PZAP-së.

Presim, që Gjykata Supreme të rikonfirmojë edhe njëherë këtë të drejtë dhe të urdhërojë numërimin e tyre pa humbur kohë.

Kontribo

25 11 2019

Takim me Kryetarin e Partisë së Aksionit Demokratik të Sanxhakut (SDA Sanxhak), Dr. Sylejman Uglaninin

Sot, në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Kurti, së bashku me Nënkryetaren znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku, anëtarët e kryesisë së Lëvizjes, z. Xhelal Sveçla dhe Hydajet Hyseni, priti në takim Kryetarin e Partisë së Aksionit Demokratik të Sanxhakut (SDA Sanxhak), Dr. Sylejman Uglaninin, i cili ishte i shoqëruar nga Nënkryetari i kësaj partie z. Salih Hoti, Sekretari i Përgjithshëm z. Ahmedin Shkrijel, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Nacional të Boshnjakëve z. Mirza Hajdinoviq dhe Kryetari i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, z. Ismet Azizi.

Në këtë takim miqësor, z. Uglanin e uroi kryetarin Kurti për zgjedhjet demokratike dhe fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ai shprehu dëshirën e tij që institucionet, qeveria e re të formohet sa më shpejtë në mënyrë që edhe ndryshimi për të cilin kanë votuar qytetarët e Republikës së Kosovës të vihet në jetë sa më parë.

Z. Kurti e falënderoi kryetarin z. Uglanin për urimin dhe vizitën dhe e njoftoi atë me situatën politike në Kosovë, në prag të formimit të institucioneve të reja si dhe me prioritetet e qeverisë së re. Punësimi dhe drejtësia për të gjithë dhe pa dallime janë dy synimet kryesore që i lidhin njerëzit dhe e përparojnë vendin, tha kryetari Kurti.

Z. Uglanin e njoftoi kryetarin Kurti për kërkesën për status special për Sanxhakun. Mes tjerash, në këtë takim u diskutua edhe për gjendjen në Sanxhak, për pozitën e shqiptarëve dhe boshnjakëve atje, si dhe për aspiratat e tyre për punë e zhvillim drejt një jete të dinjitetshme e pa diskriminim nga Beogradi. Kryetari Kurti dhe z. Uglanin u pajtuan që dëbimi dhe krimet ndaj komuniteteve joserbe në Sanxhak duhet të grumbullohen e të paraqitën botërisht në mënyrë që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën por edhe të detyrohet ta ndalë diskriminimin.

Në fund të takimit, shprehëm dëshirën për kontakte dhe takime në të ardhmen.

Kontribo

25 11 2019

Nga tryeza: “Mbështetja dhe fuqizimi i organizimit sindikal”

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit dhe fitores së VETËVENDOSJE!-s, do e kemi në qeverisje subjektin e parë socialdemokrat në Republikën e Kosovës që edhe si pjesë të programit të saj e ka mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të punëtorëve, tha drejtuesi i SMJ-së në Lëvizje, z. Kreshnik Ahmeti, i cili edhe ndihmoi në organizimin e këtij bashkëbisedimi të parë mes kryeministrit të ardhshëm, z. Albin Kurti dhe përfaqësuesve të sindikatave të punëtorëve, ku u shpalosen problematikat, shkeljet dhe propozimet konkrete për t’i kaluar ato e mbrojtur punëtorët.

Kryetari Kurti tha se qeveria e ardhshme do të punoj në forcimin e sindikatave për shkak se ashtu mbrohen më së miri të drejtat e punëtorëve nga arbitrariteti i punëdhënësit. Ndër veprimet e para të qeverisë së ardhshme ai tha se do të jetë sundimi dhe respektimi i ligjit, rritja e inspektorëve të punës dhe krijimi i Gjykatës së Punës që trajton si shkeljet e mëdha po ashtu edhe ato të vogla që duhet të gjykohen e dënohen.

Kurti foli edhe për Kontratën Kolektive dhe Pagën Minimale.

Ai tha se qeveria e re do ta mbështes kontratën kolektive, por theksoi se duhet synuar që ato kontrata të jenë sektoriale dhe pjesë përbërëse e kontratave të punës. Negocimi i tyre nga sindikatat duhet të jetë shkallor dhe sektorial në mënyrë që të jetë i drejtë dhe fer.

Për pagën minimale, ai kujtoi se është e domosdoshme që shteti të mos rrijë si spektator por të ndërhyjë dhe të rregullojë tregun e punës. Paga minimale është tejet e rëndësishme dhe ajo duhet të përcaktohet pas një studimi të tregut që do të mundësonte edhe një kategorizim më të lehtë të nivelit dhe konsultim të të gjitha palëve.

“Paga minimale duhet të përcaktohet për numrin e orëve, duhet të jetë në harmoni me kontratën kolektive dhe me ligjin e punës dhe duhet të mbrojë edhe dinjitetin e punëtorit por edhe produktivitetin në punë.”

“Vendimi i ri duhet të jetë i qartë, i detajuar dhe i saktë. Ai duhet të definojë saktë se çka është paga minimale, si kalkulohet dhe si do të ndryshojë. Ne besojmë se vendimi duhet të marrë për bazë orët në punë e jo ditët e muajt dhe duhet të synohet që paga minimale të rregullohet për sektorë të ndryshëm.”

Qeveria duhet që para vendimit të ofrojë një studim të qëndrueshëm me përfshirje të Këshillit Ekonomiko Social, sindikatat, shoqërinë civile, studiuesit dhe grupet e interesit. Pra një dialog social duhet të i paraprijë vendimit dhe ky dialog duhet të jetë shkencor dhe shterues, tha kryetari në fund të fjalës së tij, për ta hapur më pas diskutimin.

Përfaqësuesit e sindikatave që morën fjalën në këtë bashkëbisedim shtruan problemet që lidhen me mungesën e ligjeve, moszbatimin e ligjit të punës, mungesën e kontratave, orët e punës pa pagesë, mungesën e pushimeve, dallimet në paga, mosrespektim e marrëveshjeve me punëtorët dhe sindikatat, problemet në sektorin privat, kërcënimet e shantazhet nga pushtetit si dhe vdekjen e punëtorëve në vendin e punës. Për këto dhe shumë çështje të tjera, ata shtruan edhe propozimet konkrete duke shprehur njëherazi edhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me qeverinë e re në drejtim të përmirësimit dhe përparimit të të drejtave të punëtorëve.

Para se t’i lexoj përfundimet nga ky dialog i parë shoqëror me sindikatat – për të cilin një pjesëmarrës tha se është i pari në Kosovën e pasluftës, kryetari Kurti tha se me 6 tetor është hapur mundësia për mundësitë e reja për ndryshime në të gjitha fushat e jetës, dhe që kjo duhet e do të shfrytëzohet në mënyrë aktive për të mirë.

Pesë përfundimet nga bashkëbisedimi

1. Punëtori duhet të mbrohet përmes bashkimit dhe organizimit të fortë sindikal, përfshirë këtu rishikimin e ligjit mbi organizimin sindikal. Përmes Gjykatës së Punës, përmes zbatimit të vendimeve të gjykatave dhe përmes respektimit dhe zbatimit të ligjeve, posaçërisht të ligjit të punës.

2. Studim shkencor dhe dialog social për rritjen e pagës minimale, përkatësisht shkallëve dhe llojeve të rritjes.

3. Është konstatuar nevoja për ligje të reja. Për transmetuesin publik, për shërbimin korrektues, për pensionet, për organizimin sindikal etj., pa u kufizuar në këto. Pra, duhet të fillojmë të shkruajmë ligje të reja, bashkë me sindikatat.

4. Njoftim e vetëdijesim i punëtorëve për të drejtat e tyre dhe kontratat e tyre të punës. Sepse, ka punëtorë që nuk e kanë parë fare kontratën e tyre të punës dhe që nuk i dinë të drejtat e tyre. Kur e njoftojmë dhe e vetëdisojmë punëtorin për të drejtat që i ka – e aktivizojmë atë, dhe një punëtorë aktiv i ndihmon edhe sindikatat.

5. Studim e trajtim mbi mangësitë dhe pasojat e ligjit të ri të pagave që ka lënë shumë të pakënaqur me pabarazitë e ndryshme. Pra, natyrisht që në Kosovë ka inflacion, natyrisht që nevojat e shoqërisë vijnë duke u shtuar, natyrisht që pagat duhet të rriten, por kjo duhet të balancohet në njërën anë me mundësitë dhe në anën tjetër me kujdesin që mos të krijojmë pabarazi shtesë siç është bërë më herët ku për punën e njëjtë ka pasur pagesa të ndryshme.

“Tek ne do e keni partnerin dhe aleatin për probleme që janë të përbashkëta”, tha në fund, kryeministri i ardhshëm z. Kurti.

Kontribo

22 11 2019

Takim me bashkëpunëtorin e programit për Politikë të Jashtme në Institutin Brookings, njëherit anëtarin e Bordit Këshillimor të Nivelit të Lartë për Ndërmjetësim pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Jean-Marie Guéhenno

Kryetari i Lëvizjes z. Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë, znj. Fitore Pacolli, priti sot në takim bashkëpunëtorin e programit për Politikë të Jashtme në Institutin Brookings, njëherit anëtarin e Bordit Këshillimor të Nivelit të Lartë për Ndërmjetësim pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Jean-Marie Guéhenno, të shoqëruar nga z. Mark Baskin dhe z. Cristian Bobocea nga Qendra Humanitare për Dialog (HD).

Z. Guéhenno e uroi kryetarin Kurti për procesin dhe rezultatin zgjedhor. Ai shprehu interesimin për ecurinë e bisedimeve rreth formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, dhe për prioritetet e qeverisë së re, pjesën që ka të bëjë me dialogun me Serbinë për të cilën edhe tha se do ta ofroj mbështetjen përbrenda qasjes që do e ndërtoj qeveria e re e vendit.

Kryetari e falënderoi z. Guéhenno për vizitën dhe urimin. Ai e njoftoi atë se rreth 80 për qind e programit qeverisës tashmë është harmonizuar me Lidhjen Demokratike dhe që tani ka mbetur vetëm ndarja e përgjegjësive, funksioneve e pozitave që pritet të ndodhë shumë shpejtë. Ai tha se prioritet i qeverisë do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës dhe drejtësia ku aktivisht luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivele të larta shtetërore. Kurti foli për krijimin e Gjykatës Komerciale, Bankën Zhvillimore dhe Fondit Sovran që së bashku me investimet nga jashtë, e para së gjithash nga diaspora do e shtrojnë rrugën e zhvillimit që sjellë punësim e mirëqenie për qytetarët e vendit. Sa i përket dialogut, Kryetari përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë marrëveshje pa dialog, as dialog me harta dhe as marrëveshje ku presidentët qëndrojnë sipër hartave në tryezë. Vetëm një dialog i përgatitur mirë dhe parimor ku qytetarët dhe shoqëria janë përfituesit kryesorë sjell një marrëveshje të qëndrueshme, tha ai.

Në fund të këtij takimi, palët shprehen gatishmërinë dhe interesimin e tyre për ta vazhduar komunikimin në të ardhmen.

Kontribo

22 11 2019

Vizitë në SOS fshatin në lagjen Velania në Prishtinë.

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga deputetët Saranda Bogujevci dhe Arben Vitia, asambleistja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Leonora Bajraktari, si dhe aktivistja Shkurte Aliu, sot, me rastin e ditës ndërkombëtare të fëmijëve, vizituan SOS fshatin në lagjen Velania në Prishtinë. Me këtë rast ata u interesuan dhe panë kushtet e punës dhe ambientet ku jetojnë fëmijët në këtë institucion për përkujdesjen e tyre.

Nga ana e tyre, drejtoria dhe punëtorët e këtij institucioni kërkuan mbështetje si nga institucionet qendrore ashtu edhe nga ato lokale, që kjo qendër të ketë qëndrueshmëri më të madhe.

Posaçërisht u përmend nevoja për rregullim të infrastrukturës ligjore në mënyrë që të lehtësohet puna dhe të rritet kujdesi për këtë kategori të fëmijëve.

20 nëntor 2019
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

22 11 2019

Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, së bashku me anëtarët e Kryesisë sonë, znj. Albulena Haxhiu dhe z. Xhelal Sveçla u pritën nga Ministri i Mbrojtjes së Italisë, z. Lorenzo Guerini

Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, së bashku me anëtarët e Kryesisë sonë, znj. Albulena Haxhiu dhe z. Xhelal Sveçla u pritën nga Ministri i Mbrojtjes së Italisë, z. Lorenzo Guerini dhe ambasadori i Italisë në Kosovë Piero Cristoforo Sardi.

Në një atmsoferë miqësore z. Guerini e uroi Lëvizjen VETËVENDOSJE! për rezultatin dhe fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit. Njëherit z. Kurti e njoftoi ministrin mbi prioritetet e Qeverisë në ardhje për ndërtimin e një shteti të së drejtës, të barabartë në mirëqenie e të qëndrueshëm financiarisht. Sepse, populli vendosi që mbaroi pritja e gjatë për një qeveri të pakorruptuar dhe punëtore.

Shprehëm falenderimin dhe mirënjohjen tonë për përkrahjen dhe ndihmën e Italisë për Kosovën për paqe, zhvillim, demokratizim e siguri. Italia është edhe fqinji më i madh i Ballkanit perëndimor.

Bashkëpunimi ynë do të jetë i afërt dhe i sinqertë, si bilateral ashtu edhe për BE e NATO. Prandaj edhe takimet tona do të jenë sa më të shpeshta e sa më konstruktive.

Kontribo

21 11 2019

Fjala e Kryetarit Albin Kurti në tryezën: “Mbështetja dhe fuqizimi i organizimit sindikal”.

Mirëdita të gjithëve dhe ju falemnderit shumë që i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës sonë për këtë tryezë shumë të rëndësishme. Roli dhe rëndësia e sindikatave në Kosovë duhet të rritet, ky është qëndrim i yni themelor.

Organizimi sindikal

Në një shtet të mirëqenies sociale sindikatat dhe shteti janë partnerë për të rritur mirëqenien dhe standardin jetësor të punëtorit dhe jo konkurrente me njëra-tjetrën.

Negociatat e sindikatave duhet të ndodhin për bindjen tonë në nivel industrial e sektorial jo vetëm me shtetin dhe përmes shtetit sepse kjo edhe ngapak i ka pasivizuar sindikatat.

Ne duam që sindikatat të forcohen sepse të drejtat e punëtorëve mbrohen më së miri kur sindikatat janë të fuqishme e sindikatat e fuqishme i mbrojnë punëtoret nga arbitrariteti i punëdhënësit, duke përfshirë edhe shtetin si punëdhënës.

Kontratat në vendin e punës, respektimi i orarit, paga minimale, pushimi dhe të drejtat tjera duhet të garantohen nga shteti por duhet të mbrohen së bashku me sindikatat. Punëtorët janë më të fortë kur sindikatat janë më të organizuara.

Ka disa veprime që do të ndërmarrin në këtë drejtim e që do të lehtësojnë dhe fuqizojnë punën e sindikatave.

Ekonomia formale që synon të sjellë punëdhënësit dhe punëtorët brenda ligjit, rritja e inspektorëve të punës dhe krijimi i Gjykatës së Punës do jenë hapa që do të mbrojnë punëtorët dhe fuqizojnë sindikatat.

Kontrata kolektive

Ne mbështesim kontratën kolektive si kontratë mes punëdhënësve dhe punëtorëve që rregullon të drejtat dhe obligimet. Në kontratën e tanishme kolektive, pjesëmarrës dhe garantues i saj është edhe qeveria e Kosovës dhe ky është model i mirë, por prezenca e shtetit nuk duhet të dobësojë rolin dhe fuqinë e sindikatave, pra, një model ku sindikatat dhe punëdhënësit rregullojnë të drejtat dhe obligimet pa prezencën e shtetit si ndërmjetësues është po ashtu e favorshme.

Duhet synuar që kontratat kolektive të jenë sektoriale gjithashtu dhe të jenë pjesë përbërëse e kontratave të punës. Negocimi nga sindikatat duhet të jetë shkallor dhe sektorial në mënyrë që të jetë i drejtë dhe fer. Shembuj për këtë organizim janë vendet nordike të cilat kanë edhe një nivel të lartë të mirëqenies.

Tregu i punës, duke përfshirë ligjin e punës duhet të jetë i rregulluar ashtu që promovon kurdo dhe kudo të drejtat e punëtorëve dhe fuqizon sindikatat.

Gjykata e punës

Do të themelojmë Gjykatën e Punës për trajtim të kontesteve punëdhënës-punëmarrës sepse shkeljet e mëdha meritojnë gjykim e dënim por edhe shkeljet e vogla nuk duhet neglizhuar dhe duhet trajtuar. Kur kemi reagim të duhur për shkeljet e vogla, parandalohen edhe të mëdhatë.

Paga minimale

Progresi jonë shoqëror matet jo me rrogën dhe jetën që bëjnë biznesmenët dhe qeveritarët, por me jetën dhe standardin jetësor që bënë qytetari jonë më i varfër.

Vendimi për pagën minimale është vendim që merret për të mbrojtur pjesën më të ndjeshme të shoqërisë që jetojnë në minimum të të ardhurave.

Do të ishte e dëshirueshme që punëdhënësit së bashku me sindikatat të negocionin dhe të vendosnin për pagën minimale bazuar në produktivitetin e sektorit, në kërkesat e punëtorëve për të siguruar një jetë normale dhe në dijen, njohuritë dhe përvojën e punëtorëve.

Por kjo është larg realitetit. Nëse dilni dhe pyesni qytetarët se si paguhen dhe si punojnë ata sot, të shumtë janë ata që tregojnë që punojnë pa kontrata, pa sigurim shëndetësor pa kujdes nga shteti dhe pa dinjitet.

Në mungesë të një roli më vendimtar të sindikatave dhe në mungesë të një vullneti të punëdhënësve për të trajtuar me dinjitet punëtorët, është e domosdoshme që shteti të mos rrijë si spektator por të ndërhyjë dhe të rregullojë tregun e punës.

I tillë është edhe vendimi për pagën minimale i cili qëllim ka të garantoj një minimum të të ardhurave për punëtorët në mënyrë që të sigurohet një standard më i mirë jetësor.

Por sado i rëndësishëm të jetë ky vendim, e që është shumë i rëndësishëm, nuk mundet të merret me lehtësi pa një studim të mirë të tregut për të caktuar nivelin e kësaj page dhe pa një kategorizim që mundëson konsultimin e të gjitha grupeve të interesuara.

Së bashku me vendimin duhet të analizohet edhe zbatimi i tij i deritashëm sepse kur shteti nuk funksionon, ligjet dhe vendimet janë të kota. Sot, në shumë kantiere ndërtimi punëtorët kanë paga të ulëta, orë të gjata të punës dhe u mungon siguria minimale sepse mekanizmat zbatues nuk funksionojnë.

Me 60 inspektorë të punës nuk mund të mbikëqyren e inspektohen ndërtimet e punimet në 38 komuna, ky numër i inspektorëve është i vogël edhe për Prishtinën se lëre më për Kosovën.

Prandaj edhe vendimi për pagën minimale duhet të jetë i tërësishëm dhe nuk mund të merret pa një proces të shqyrtimit të gjendjes në teren, konsultimit të grupeve shoqërore që preken direkt nga ky vendim dhe pa analizimin e mekanizmave për zbatimin e këtij vendimi.

Vendimi duhet të ulë nivelin e varfërisë dhe të ngushtojë hendekun në të ardhura, sidomos për ata që jetojnë me minimum të të ardhurave.

Në vitin 2011 paga minimale u pat vendosur pa një proces konsultues dhe pa një studim të mirëfilltë e në formë të fushatës elektorale.

Sot nuk mund të bëhet prapë gabimi i njëjtë dhe askush nuk duhet të shënojë poena politik duke luajtur me dinjitetin e punëtorëve.

Së pari, vendimi i atëhershëm ishte dhe mbetet diskriminues në bazë të moshës e që ka lejuar eksploatimin e forcës së re punëtore. Pastaj, është vendim që nuk përcakton se si është kalkuluar saktë paga mujore. A janë përdorur ditët, orët apo thjeshtë muaji, sepse paga minimale mujore nuk mund të jetë e njëjtë nëse punëtori punon 10 e deri 13 orë në ditë e çdo ditë sikurse kur punon 8 orë në ditë dhe 5 ditë në javë.

Edhe vendimi që tash propozohet nuk ka një qartësi të tillë. Paga minimale duhet të përcaktohet për numrin e orëve, duhet të jetë në harmoni me kontratën kolektive dhe me ligjin e punës dhe duhet të mbrojë edhe dinjitetin e punëtorit por edhe produktivitetin në punë.

Prandaj vendimi, në dukje i thjeshtë, është më kompleks nëse vërtetë duam që ai të jetë i drejtë.

Vendimi i ri duhet të jetë i qartë, i detajuar dhe i saktë. Ai duhet të definojë saktë se çka është paga minimale, si kalkulohet dhe si do të ndryshojë. Ne besojmë se vendimi duhet të marrë për bazë orët në punë e jo ditët e muajt dhe duhet të synohet që paga minimale të rregullohet për sektorë të ndryshëm.

Kriteret për ndryshimin e saj nuk duhet në asnjë variant të varen nga një vendim politik por nga ndryshimi i faktorëve të përcaktimit të pagës minimale.

Paga minimale nuk duhet të mbysë produktivitetin në sektorin privat, andaj ngritja e saj duhet të jetë e ndërlidhur me rritjen e pagës mesatare në sektorin privat dhe me lëvizjen e kostos të shportës familjare.

Duhet synuar paga minimale sektoriale. Nuk mundet që paga minimale për një inxhinier ndërtimi të jetë ekuivalente me pagën e një punëtori të ndërtimit, apo paga minimale për infermierin të jetë e njëjtë me kirurgun. Pastaj paga minimale duhet të marrë parasysh edhe shkallën e produktivitetit të sektorit. Një sektor që është shumë produktiv dhe ku punëdhënësit fitojnë shumë nga fuqia punëtore nuk mund të jetë i njëjtë me sektorin që është më pak produktiv që po ashtu varet nga fuqia punëtore. Pra, në dukje vendim i thjeshtë, caktimi i drejtë i pagës minimale është më shumë kompleks.

Në secilin rast, paga minimale nuk duhet të jetë shkaktar për rritjen e papunësisë në vend, prandaj një studim i tillë është i nevojshëm para se të marrim vendime. Studimet, analizat duhet t’i paraprinë vendimeve.

Procesi i përcaktimit të pagës minimale nuk duhet të jetë një proces ku ne ngutemi të shënojmë poena politik, por një proces ku rregullojmë dhe mbrojmë punëtorin, dinjitetin dhe mundin e tij, por edhe punëdhënësit dhe incentivat e tij për prodhim dhe sigurojmë një standard minimum të jetesës.

Qeveria duhet që para vendimit të ofrojë një studim të qëndrueshëm me përfshirje të Këshillit Ekonomiko Social, sindikatat, shoqërinë civile, studiuesit dhe grupet e interesit.

Pra, ne si qeveri e re duke u bazuar në këtë besim tonin do të fillojmë një dialog social duhet t’i paraprijë vendimit dhe ky dialog duhet të jetë shkencor dhe shterrues.��Unë ju falënderoj shumë për durimin duke theksuar edhe një herë se tek unë, tek qeveria jonë do të gjeni partnerin që nuk e keni pasur asnjëherë me asnjë qeveri në këto vitet e pasluftës, e jo vetëm të pas shpalljes së pavarësisë.

Ju faleminderit

Kontribo

20 11 2019

Fjalimi i Kryetarit Albin Kurti në Konferencën e UBT-së, në panelin mbi “ Edukimin dhe Inovacionin”.

Thank you very much.

Let me start by a bit of my history with Finland. When I was a child, the Finnish man I knew was ski jumper Matti Nykänen, who unfortunately passed away this year. Then, later on in my adolescence, it was Mika Häkkinen, the driver of Formula One. And, in this century, I analyzed the case of Finland when we were about to form VETËVENDOSJE!, because of the principle of self-determination and self-determination which was granted to Finland in 1917. And, then there were two other Finnish men, one was Martti Ahtisaari, President Ahtisaari, as mediator in status talks, and the other one was one of my favorite film directors, Aki Kaurismäki. And, recently now, I got to know Dr. Taipale when I got his book on 100 social innovations by Ambassador Stjernvall, and I must say that this was greatest present I got this year and Christmas is not going to change this.

Let me continue in Albanian now about the topic.

I nderuari Rektor i Universitetit UBT, Edomond Hajrizi,

Zonja dhe zotërinjë,

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar panelistë e organizatorë, Ambasadore, znj. Pia Stjernvall,

Unë jam i nderuar dhe shumë i gëzuar që ndodhem sot këtu në mesin tuaj për një temë kaq të rëndësishme.

Kur fëmija hyn në klasë të parë për herë të parë nuk ka rëndësi kush janë prindërit e tij dhe sa para kanë, rajoni prej nga vjen apo ku është rritur, por cili është mësuesi apo mësuesja i tij.

Mësuesi është gjithçka për nxënësin, për të ardhmen e fëmijëve tanë e për pasojë për të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë tonë.

Unë kam qenë me fat që kam pasur mësuese të mirë. Në kohën time vërtetë mund të mos ketë pasur shkolla e infrastrukturë moderne, por kishim mësuese që inspironin e motivonin dhe nxisnin urinë e etjen tek ne për dije.

Prandaj një ndër sfidat por edhe qëllimet kryesore të mija është investimi në edukim cilësor në mandatin tonë qeveritar.

E para, si pyetje që duhet të ja shtrojmë vetës është që si të krijojmë vende të punës?
E dyta, si të sigurohemi që punëtorët tanë posedojnë edukimin dhe shkathtësitë e duhura për këto vende të punës?
Dhe, e treta, si të sigurohemi që këto vende pune garantojnë një standard të mirë të jetesës?

S’kam dyshim që të tria pyetjet kërkojnë përgjigje nga shteti, por shteti nuk duhet të jetë i vetëm pasi që këto janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

Nuk mund të kemi standard të mirë të jetesës pa vende të mira të punës dhe nuk do të kemi vende të mira të punës pa një edukim cilësor dhe shkathtësi që kërkohen nga tregu i punës.

Kjo është sfida e çdo qeverie dhe e çdo shoqërie sot në botë.

Prandaj unë jam sot këtu sepse dua që të adresojmë pyetjen e dytë. Pra, si të sigurohemi që punëtorët tanë posedojnë edukimin dhe shkathtësitë e duhura për vendet e punës që ekzistojnë dhe ato që hapen?

Shpejtësia e zhvillimit të teknologjisë dhe shpejtësia e globalizimit paraqesin sfidë për secilën shoqëri kudo në botë sot.

Fëmijët që hyjnë në shkollë në vitin 2019 do të jenë gati për treg të punës në vitin 2030. Shkollat tona do të duhet të i përgatisin për vende të punës që ende nuk janë krijuar, për teknologji që ende nuk është shpikur dhe për të zgjidhur probleme që ende nuk kanë ndodhur.

A janë shkollat tona të pajisura me mësues, kushte dhe teknologjinë që duhet për të fituar këtë betejë, apo thënë ndryshe, a jemi ne si shoqëri dhe si shtet te përgatitur për ketë të ardhme?

Unë mendoj se jo.

Beteja me të ardhmen është e humbur qysh në start, ditën kur fëmija hyn në shkollë për shkak të kushteve dhe sistemit jo cilësor të edukimit.

Për të fituar këtë të ardhme, fëmijët tanë duhet të edukohen me një ambient që nxitë kureshtjen, imagjinatën dhe vetëbesimin. Pra, kurreshtje, imagjinatë dhe vetëbesim.

Do të ju duhet të rriten e zhvillohen me një ambient që respekton idetë dhe mendimin ndryshe. Duhet të rriten me garën dhe presionin e refuzimit dhe dështimit në jetë që të kaliten për sfidat që i presin.

Ne na duhen shkolla që edukojnë gjeneratat e reja jo vetëm për rëndësinë e sigurimit të një vendi të punës dhe një rroge të mirë, por edhe për rëndësinë e kujdesit për njëri-tjetrin, kujdesit për shoqërinë dhe vlerat e saj, rëndësinë e të qenit qytetar aktiv, përgjegjës dhe pjesëmarrës, dhe që kujdeset për komunitetin edhe për planetin.

Për këtë botë që jemi e për atë që vjen në vitin 2030, të gjithë duhet të konsiderohemi nxënës. Pra jo vetëm nxënësit por edhe mësuesit, trajnerët, menaxherët e prindërit, që të gjithë. Sepse ajo që kemi përpara është më shumë e panjohur se sa e njohur, rrjedhimisht mësuesit tanë duhet të mësojnë vazhdimisht në mënyrë që fëmijët tanë të jenë në hap me kohën.

Edukimi duhet të jetë sa kolektiv po aq edhe personal. Ambienti i edukimit duhet të jetë i tillë që mundëson zhvillimin e aftësive individuale. Për botën ku jemi e atë që na pret, edukimi rreth digjitalizimit dhe të dhënave do të jetë qendror për zhvillimin e tyre.

Vendet e zhvilluara janë duke i orientuar shkollat drejt shkencës dhe matematikës sepse aty janë vendet e punës të se nesërmes dhe që paguhen lartë.

Një profesor i matematikës që kisha unë në studime atëherë, neve që e kishim qef fizikën na thoshte se fizika është një orvatje, për ta përkthyer natyrën në matematikë. Thoshte fizika është përkthim. Matematika është kryesorja.

Numër i madh i vendeve të punës tashmë gjenden në sektorin e shërbimeve të IT-së. Për të siguruar punë si zhvillues e mirëmbajtës i ëebsite, zhvillues i softverëve të ndryshëm apo i programeve për kompani të mëdha dhe për të shpikur e prodhuar kërkohet dije dhe shkathtësi që ne nuk i posedojmë, e për më keq nuk kemi shkolla dhe infrastrukturë që mundësojnë zhvillimin e këtyre aftësive.

Prandaj na duhet të ndryshojmë qasjen tonë rreth edukimit. Kemi nevojë asgjë më pak se revolucion në sistemin tonë arsimor e edukativ.

Unë në mandatin e parë do të filloj që të sigurojë që kurrikulat në shkollat fillore e të mesme e deri tek ato të lartat të dominohen nga shkenca dhe nga kërkesat e tregut. Për këtë duhet të rekrutojmë qindra mësues të rinj që inspirojnë dhe motivojnë gjeneratat e reja sepse aty është talenti, aty është dija, e ardhmja e vendeve të punës dhe e ardhmja e vendit tonë.

Si qeveri ne duhet të sigurohemi që nxënësit në secilin fshat e qytet kanë së pari mësuesit e mirë e pastaj edhe mjetet dhe teknologjinë që ju duhet për të shkëlqyer në mësime e studime por edhe për të kultivuar talentin e tyre.

E kemi për obligim që çdo të riu të i mundësojmë kushtet dhe mundësitë që të shkëlqejnë në çdo drejtim.

Prindërit duhet të kryejnë pjesën e tyre. Shkollat nuk mund të jenë një vend ku prindërit vetëm i lëshojnë fëmijët e tyre por ku ka një angazhim dhe përkushtim të përbashkët për zhvillimin e talentit dhe dijës edhe pas shkollës.

Shkollat duhet të jenë ambient i sigurt por edhe atraktiv. Hapësirat e shkollave nuk duhet të jenë beton e karrige, por hapësira atraktive të leximit dhe pushimit, me librari dhe me qasje në teknologji që frymëzojnë dhe nxisin dëshirën për mësim.

Çdo fëmijë në shkollë duhet të ketë qasje në internetin më të shpejtë që ekziston në Kosovë dhe në mjetet që ju duhen për të shkëlqyer në mësim. Shembull, qasja në tablet elektronik sot nuk është luks, por obligim dhe ne duhet të sigurohemi që fëmijët në shkolla dinë të përdorin jo vetëm për lojëra e për zbavitje por për mësim-nxënie, hulumtim dhe eksperimentim.

Duhet që secila klasë në shkollat publike të furnizohet me teknologjinë e nevojshme (jo pajisje vetëm në nivel shkolle, por në nivel klase), duhet që gradualisht të fillohet me digjitalizimin e materialeve mësimore (teksteve shkollore) në mënyrë që brenda një periudhe afatmesme të gjithë nxënësit të pajisen me pajisje teknologjike dhe të dalin nga përdorimi tekstet e printuara.

Duhet të krijojmë një Portal Shkollor për Arsimin Parauniversitar i cili duhet të jetë një platformë digjitale gjithëpërfshirëse dhe e integruar, e cila përmban në formë digjitale gjithçka për arsimin parauniversitar (ditarët digjitalë, materiali pedagogjik digjital, të dhënat dhe statistikat e shkollave, qasje të personalizuar për prindërit, nxënësit, personelin e shkollave, të DKA-së e MASHT-it, statistika të detajuara pa të dhëna personale për publikun dhe studiuesit, regjistri i trajnimeve të akreditura, databaza e Zhvillimit Profesional të Mësimdhënësve, databaza e licencimit të mësimdhënësve, materiale mësimore digjitale, kurrikulat, plan-programet, profilet e shkollave profesionale, etj

Pra, investimi në shkolla është parakusht për çfarëdo zhvillimi që synojmë të arrijmë në fusha të tjera.

Potenciali dhe talenti është në shkolla, sidomos në shkollat e mesme. Është e domosdoshme që shkollat e mesme t’i freskojmë në rang kombëtar në secilën komunë. Është mirë që në këtë aspekt sektori privat të krijoj hapësirë për zhvillim dhe absorbim të potencialit, por kjo nuk do të thotë që ai të zëvendësoj detyrën dhe obligimin e shtetit për të krijuar këtë hapësirë në sektorin publik.

Publiku e ka për obligim të sigurojë qasje dhe mundësi të barabarta për të gjithë, dhe sektori privat e plotëson duke e konkurruar në secilin hap.

Prandaj le t’i kthehemi shkollave, për dijen dhe idetë, për etikë edhe mësimi edhe pune. Le ta bëjmë qeverisjen tonë shkollë të mirë. Le të bëjmë qeverisjen e mirë shkollave. E ku ka më mirë se sa të zotohemi sot me 20 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, e ku ka më mirë se sa me Finlandën, liderën botërore të arsimit cilësor e shkencor, dhe të edukimit adekuat social.

Ju falemnderit.

Kontribo

20 11 2019

Takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF) dhe njëherit deputetin e Parlamentit Kombëtar të Francës, z. Jacques Krabal

Sot, Kryetari Kurti, së bashku me kandidaten për deputete, znj. Saranda Bogujevci, Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti dhe anëtaren e Kryesisë së Lëvizjes, znj. Fitore Pacolli priti në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF) dhe njëherit deputetin e Parlamentit Kombëtar të Francës, z. Jacques Krabal, të shoqëruar nga Drejtuesi i Misionit për Evropë në APF, deputeti Belg, z. Jean Charles Luperto, Sekretari i Përgjithshëm Administrativ i APF, z. Emmanuel Maury dhe këshilltari i APF për rajonin e Evropës, z. Fatmir Leci, Cécile Fisterberg dhe Fikrije Pllashniku nga Ambasada Franceze, si dhe Bardha Etemi nga MPJ.

Z. Krabal e uroi kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhjet e fundit dhe shprehu bindjen se një proces i tillë zgjedhor e demokratik mund të merret shembull nga 88 shtetet anëtare të APF. Ai tregoi se APF i ka dy misione: të ofroj mundësi për mësimin e gjuhës frënge dhe të ndihmoj në zhvillimin e demokracisë në vendet anëtare të APF-së, dhe vendet tjera duke respektuar sovranitetin e secilit shtet. Sipas tij, Kosova ka bërë punë shumë të mirë drejt zhvillimit dhe kulturës frankofone por ka nevojë që të përmirësohet cilësia e mësimdhënies së gjuhës frankofone në të gjitha nivelet shkollore dhe akademike. Ai shprehu bindjen se me qeverisjen e ardhshme dhe bashkëpunimin e ndërsjellë do të ketë më shumë suksese në këtë pikë.

Z. Luperto theksoi rëndësinë e mundësive që ofrojnë organizatat ndërkombëtare si APF për shtrirjen e ndikimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai tha se APF dhe Kosova si anëtare e saj janë që të dyja në situatë fituese kur bashkëpunojnë.

Kryetari Kurti i falënderoi për urimin dhe vizitën, dhe shprehu gatishmërinë për t’u angazhuar për përparimin e statusit të Kosovës përbrenda APF-së në të ardhmen. Ai tha se qeveria e ardhshme krahas prioriteteve që lidhen me sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, zhvillimin ekonomik që krijon vende të reja pune, do të angazhohet që studentët që studiojnë e punojnë jashtë vendit të kthehen në Kosovë dhe t’i vazhdojnë studimet nga këtu duke bërë praktikë në institucionet e ndryshme publike ku edhe do të mund ta shpërndanin njohurinë dhe kulturën e punës që e kanë përvetësuar prej vendet nga vijnë.

Në fund të këtij takimit, palët u pajtuan që ta vazhdojnë bashkëpunimin e tyre drejtë përparimit të statusit të Kosovës në APF dhe për zhvillimin e kulturës frankofone dhe demokracisë në Kosovë.

Kontribo

20 11 2019

Takim me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Tao Zhang

Dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, së bashku me kandidatin për deputet, z. Hekuran Murati dhe anëtaren e Kryesisë së Lëvizjes, znj. Arbërie Nagavci priti në takim zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Tao Zhang, i cili ishte i shoqëruar nga Këshilltari z. Steven Alan Barnett, Shefi i Misionit për Kosovë, z. Gabriel Di Bella dhe Përfaqësuesen e Lartë të FMN-së nga Zyra Regjionale në Vjenë, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, znj. Stephanie Eble.

Z. Zhang uroi Kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhjet e fundit, dhe u shpreh i bindur që bashkëpunimi me qeverinë e re do të jetë në nivelin e duhur, sidomos për sa i përket menaxhimit të financave publike dhe zhvillimit ekonomik.

Kryetari Kurti në anën tjetër shpalosi prioritetet e qeverisë së re, duke theksuar vendosjen e rendit dhe ligjit dhe luftimin e krimit e korrupsionit, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e fuqisë blerëse, si dhe ndërlidhjen e shkollimit me tregun e punës.

Në takim u diskutua edhe për Bankën Zhvillimore, funksioni së cilës u tha se është i domosdoshëm për të ndihmuar me financim ato biznese që duan të rrisin punësimin e të rrisin eksportin. Në lidhje me këtë, z. Zhang theksoi se FMN është e gatshme të ndihmojë qeverinë e re në gjetjen e modelit më të mirë të mundshëm për të realizuar këtë projekt, duke marrë për bazë modele që kanë funksionuar në shtetet tjera.

Në fund, z. Zhang falënderoi Kurtin për mikpritjen dhe shprehi gatishmërinë e stafit të FMN-së që të ofrojnë mbështetje për qeverinë në realizimin e objektivave për një menaxhim më të mirë të financave publike.

Kontribo

19 11 2019

Takim me deputetët e Parlamentit Gjerman z. Ervin Ruddle nga CDU dhe znj. Maria Klein-Schmeink nga partia e Gjelbër.

Dje, Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, i shoqëruar nga Nënkryetarja znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe anëtarët e kryesisë z. Arben Vitia dhe znj. Fitore Pacolli priti në takim deputetët e Parlamentit Gjerman z. Ervin Ruddle nga CDU dhe znj. Maria Klein-Schmeink nga partia e Gjelbër.

Fillimisht, Kryetari Kurti shprehu falënderimin për ndihmën që Gjermania i ka dhënë Republikës së Kosovës si për lirinë e pavarësinë ashtu edhe për zhvillimin dhe demokratizimin e vendit. Tutje, ai i njoftoi përfaqësuesit gjerman me prioritetet e qeverisë së re, shtetndërtimin demokratik me sundim të ligjit e luftim të korrupsionit, zhvillimin ekonomik për punësim përcjellur me një kujdes për ata që kanë më së shumti nevojë, dhe ndryshimet aq të nevojshme në arsim dhe shëndetësi ku përmendi sistemin dual të arsimit dhe sigurimet shëndetësore.

Në këtë takim u diskutua për format e mundshme të bashkëpunimit në mes dy shteteve tona në sfera konkrete si ajo e shëndetësisë. Deputetët z. Ervin Ruddle dhe znj. Maria Klein-Schmeink njoftuan për përvojat e shtetit Gjerman në atë fushë, arritjet, problemet dhe sfidat e tyre aktuale, si dhe shprehën gatishmërinë për ndihmë të ndërsjellët për të plotësuar nevojat e të dyja vendeve.

Nga ana jonë, Nënkryetarja Kollçaku foli për rëndësinë e bashkëpunimit sa i përket studimit, specializimit dhe edukimit të vazhdueshëm profesional në përgjithësi. Ajo shtoi se përveç bashkëpunimit në këtë drejtim ku profesionistët tanë pas studimeve do të ktheheshin me ekspertizën e fituar për të kontribuar në vend, një mundësi tjetër e mirë është edhe ardhja e profesionistëve shëndetësor nga Gjermania për të sjellë përvojën e tyre që është tejet e nevojshme në institucionet tona. U kërkua po ashtu edhe mbështetje konkrete për trajtimin e rasteve më të rënda me theks të veçantë për shërimin e fëmijëve me leukemi akute dhe pacientëve në hemodializë.

Z. Vitia theksoi nevojën për themelimin e sigurimeve shëndetësore si dhe e vlerësoi të rëndësishme përvojën e Gjermanisë sa i përket mbledhjes së të dhënave si parakusht për Sigurimet Shëndetësore. Jetësimi i Sistemit Informativ Shëndetësor është prioritet i qeverisë së ardhshme. Rëndësi e veçantë në këtë diskutim iu kushtua edhe shërbimit parësor shëndetësor si shërbim bazik dhe sistemit të referimit.

Në fund të takimit z. Ruddel premtoi se të gjitha çështjet e ngritura do të diskutohen në nivelin më të lartë institucional të shtetit Gjerman. Të dyja palët u dakorduan për rëndësinë e këtyre takimeve bilaterale dhe vazhdimin e tyre në të ardhmen.

Kontribo