07 03 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet marshin protestues “MARShojmë, S’festojmë”

ëvizja VETËVENDOSJE! mbështet marshin protestues të organizuar nga Kolektivi “MARShojmë, S’festojmë” që do të mbahet të dielën më 8 mars në orën 12:00 me fillim në sheshin “Zahir Pajaziti”, dhe çdo marsh tjetër ku bëhet thirrje për drejtësi e barazi për gratë.

Problemet e grave janë problem i gjithë shoqërisë, pavarësisht se a i sheh e a i pranon dikush ato. Nga këndvështrimi i shtetit është detyrim që të krijohen e zbatohen politika të cilat u sigurojnë sa më shumë grave qëndrueshmëri ekonomike, si dhe dinjitet në punë, në shkollë, në familje e në shoqëri dhe garantim i të drejtave.

Tetorin e vitit të kaluar votuesit, një pjesë e madhe e të cilëve gra, hapën një kapitull i ri në Republikën tonë. Qytetarët u përcaktuan për shtetndërtimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik duke mundësuar kështu pas një kohe të gjatë një ndryshim substancial në vend. Punësimi dhe Drejtësia ishin dy fjalët kyçe që e përmblodhën angazhimin e përbashkët drejt synimeve tona, andaj edhe puna e institucioneve të reja kuptohet si detyrë e asaj që kishim në mendje për të ardhmen e qytetarëve tanë.

Dita Ndërkombëtare e Gruas është rast i mirë për ta risjellë në vëmendje shpresën e 6 tetorit, sepse ishin edhe gratë ato që përmes organizimit nëpër shtëpi, fshatra, lagje e qytete bartën peshën e mesazhin e këtij ndryshimi. Institucionet e reja, qeveria Kurti, e patjetër edhe Lëvizja VETËVENDOSJE! njohin dhe vlerësojnë angazhimin dhe kontributin e grave për drejtësi dhe barazi në vend përgjatë periudhave të ndryshme historike, por janë në dijeni edhe të problemeve të shumta me të cilat ato përballen sot e kësaj dite. Ligjet që mbrojnë gratë nuk do të pluhnosen përgjatë qeverisjes tonë, puna e grave nuk do të mbetet në harresë si diçka e panjohur. Bashkarisht, por edhe si institucione do të angazhohemi për më shumë drejtësi e punësim sidomos për gratë dhe të rinjtë. Shteti i Kosovës duhet dhe do të jetë aleat aktiv për gratë që përballen me shfrytëzimin, shtypjen, e ngacmimin në punë, por edhe për gratë amvisa, që me punën e tyre kanë mundësuar edukimin dhe shkollimin e brezave të tërë të Republikës.

Kontribo

06 03 2020

Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë ju bashkua anëtari më i ri Kujtim Thaçi

Sot, Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë ju bashkua edhe anëtari më i ri Kujtim Thaçi. Kujtimi ka studiuar Farmaci në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ndërkohë studimet postdiplomike i ka përfunduar në Universitetin e Zagrebit. Me temën “Glikozilimi i imunoglobulinës G te pacientët me karcinomë kolorektale” ai mori titullin Doktor i Shkencës.

Aktualisht është profesor asistent në Kolegjin e Shkencave Mjekësore në Kolegjin “Rezonanca”, ndërkaq ka marr pjesë dhe në projekte ndërkombëtare të hulumtimit dhe është i kyçur në projektin e madh botëror për hulumtimin shkencor të karbohidrateve “Glycom Project” si përfaqësues i Republikës së Kosovës.

Kujtimi është vlerë e shtuar për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, dija dhe profesionalizmi i tij do të ndihmoj zhvillimin e politkave tona.

Kujtimi vjen nga Besiana, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Kontribo

05 03 2020

Përfaqësues të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzuan në gjykatë edhe një parashtresë në kontestin me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë

Sot, si përfaqësues të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sami Kurteshi dhe Getoar Mjeku dorëzuan në gjykatë edhe një parashtresë në kontestin me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në kuadër të kërkesës sonë të vazhdueshme për mosshtrenjtim të energjisë elektrike.

Si duket, përpëlitjet e praktikave korruptive, keqpërdorimit të pozitës publike dhe ndërlidhjet kriminale të biznesit me organet dhe autoritetet rregullative po vazhdojnë edhe më tej nga mbetjet e regjimit të parapolitikës. Sistemi i drejtësisë duhet të veproj dhe ta mbroj të drejtën dhe interesin e qytetarëve të Republikës. Nëse dikush ka detyrime ndaj DEVOLLËVE, ata nuk janë qytetarët që shtyhen të paguajnë tarifa marramendëse të energjisë elektrike për 12 vitet e ardhshme.

1. Pas disa tentimeve të dështuara të mëparshme gjatë vitit 2019, të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për ti aprovuar tarifat nxitëse (feed-in-tariffs) për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet solare — tërësisht të panevojshme, të padrejta dhe kundër çdo logjike të tregut — më datën 27 nëntor 2019, Bordi i ZRrE-s, i ka aprovuar tarifat nxitëse në lartësi prej 85.5 EUR /MWh për grupin DEVOLLI për 12 vitet e ardhshme.

Për më tepër, ZRrE e mori këtë vendim përkundër rekomandimeve të Sekretariatit të Komunitetit Europian të Energjisë, Ambasadës Gjermane, USAID dhe eksperteve përbrenda ZRrE-s.

2. Në vend të tarifave nxitëse, të gjitha palët kanë rekomanduar procedurat e ankandeve pasi që teknologjia e prodhimit të energjisë elektrike nga panelet solare është bërë shumë më e lirë se më parë, dhe me trend të rënies së vazhdueshme. Sa për ilustrim, në vitin 2018 përmes këtij procesi (ANKANDEVE) në Kazakstan, çmimi mesatar i prodhimit të energjisë elektrike me panele diellore për 20MW kapacitet kishte zbritur në 45 EUR/MWh (shih linkun: https://mercomindia.com/kazakhstan-auction-solar-202-mw/). Pas 12 viteve, nuk do ishte çudi që çmimi të binte edhe në 4 EUR/MWh përderisa ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, ende do t’ia paguajmë grupit Devolli plot 85.5 EUR/MWh!

3. Me datë 24 Dhjetor, 2019, z. Sami Kurteshi si palë e dëmtuar, pasi që këto tarifa nxitëse e dëmtojnë interesin e qytetarit duke ndikuar në shtrenjtimin e padrejte të çmimit të energjisë elektrike, ka bërë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër këtij vendimi të pashembullt të ZRrE-s, duke kërkuar edhe masën e përkohshme të pezullimit të vendimit të ZRrE deri në aktgjykimin përfundimtar.

4. Me datë 27 Dhjetor, 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, me të drejtë mori vendim për pezullim të vendimit të ZRrE. Kjo jepte shpresë se gjyqësia do të rivendos drejtësinë aty ku ZRrE kishte shkelur rolin e saj primar për mbrojtjen e interesit publik duke dalë në anën e interesit të një kompanie private si Devolli group.

5. Por, praktikat kundërligjore nuk zhbëhen lehtë. Pas një ankese të një kompanie private (pas skadimit të afatit të rregullt për ankesa!) Gjykata e Apelit me datën 20 shkurt, 2020 e riktheu çështjen e pezullimit të vendimit për rigjykim në Gjykatën Themelore, me pretendimin se Themelorja nuk ka arsyetuar vendimin dhe se nuk ka ofruar prova për atë vendim. Për fat të keq kjo e jep shëmbëlltyrën e trekëndëshit ZRrE – DEVOLLI – SISTEMI I DREJTËSISË (njerëz të caktuar brenda tij).

Ne iu bëjmë thirrje mekanizmave shtetëror, mediave, shoqërisë civile, palëve të ndryshme të interesit, si dhe qytetarëve të Republikës, që t’i përdorin të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore për të pamundësuar vazhdimin e sistemit të krimit dhe regjimit të vjetër të parapolitikës.

Kontribo

05 03 2020

Jasharajt janë UÇK-ja para UÇK-së

Familja Jashari ishte bërthama e ushtrisë tonë. Vendimin që e mori kjo familje dhe grupi i Drenicës që asnjëherë të mos dorëzoheshin dhe asnjëherë të mos e lëshonin Kosovën, ishte vendimi më i rëndësishëm jo vetëm për ata por edhe për ne. Ata qëndruan dhe nuk u nënshtruan, kështu shtrinë rrjetin e rezistencës gjithandej në vend dhe me veprimet e lëvizjet u bënë shpresa e lirisë së Kosovës. Ne, për gjithçka që kemi i detyrohemi atyre, dëshmorëve dhe martirëve, falë tyre kemi institucione dhe shtet, liri dhe pavarësi. Ata e kanë kryer pjesën më të madhe e kryesore të progresit tonë kombëtar e shoqëror në histori, neve na ka mbetur pjesa më e lehtë. Jasharajt nuk na lënë të harrojmë por as të gabojmë. Kujtimi për ta na udhëzon për punë të mira, ecje drejtë dhe na e përkujton që rruga jonë ende nuk ka mbaruar.

Kontribo

02 03 2020

Marsi, sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit mblodhi qindra gra në Besianë.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, gratë u organizuan nëpër shtëpi, lagje, fshatra e qytete për ta vulosur fitoren e Lëvizjes. Qeveria e re dha sinjalet e para që ka prioritet barazinë gjinore filimisht duke përfshirë në pozita drejtuese shtetërore gratë, por ky është vetëm fillimi.

Sot, muajin mars e filluam në Besianë, aty ku pranvera do të fillojë më herët se zakonisht. Deputetet Fitore Pacolli dhe Arbëreshë Kryeziu Hyseni folën për problemet e grave dhe vajzave duke kujtuar se zgjidhja e tyre do të synohet bashkarisht me to nga qeveria Kurti, por nga 15 marsi edhe me Komunën e Besianës që do të na bashkohet me kryetarin e ri të saj, Shpejtim Bulliqin. Kandidati ynë shpalosi disa nga politikat që kanë të bëjnë me barazinë gjinore e që do ta ndihmojnë dhe shtyjnë përpara pozitën e grave dhe vajzave në Besianë. Treguam se për këtë kemi gadishmërinë e duhur si Lëvizje edhe përmes kandidimit të Shpejtimt Bulliqit që do të jetë Kryetari i ardhshëm i komunës. Treguam se bashkë, jemi edhe më të vendosur sesa më pranverën e kaluar dhe se do të fitojmë bindshëm.

Gratë kudo në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida që duke rënduar mbi to rëndojnë edhe gjithë shoqërinë, por tashmë ato po bashkohen me Lëvizjen VETËVENDOSJE! ku bashkarisht po e përparojmë synimin tonë të drejtësisë e barazisë. Me vajzat dhe gratë e Besianës që do të kenë rol kyç në fitoren tonë do ta bëjmë Besianën shembull të drejtësisë dhe barazisë edhe në nivelin lokal.

Kontribo

02 03 2020

Përse mos të kalojmë në ofensivë?

Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij tha se qasja ose krejt – ose hiç, ose tash – ose kurrë, nuk është qasje as e mirë dhe as e mençur por dobësi. Shtet i fuqishëm është shteti i sofistikuar. Ne ballafaqohemi me shumë barriera për të eksportuar në Serbi, le t’i problematizojmë ato e të kalojmë në ofensivë, mos të mbesim duke arsyetuar tarifën, tha ai.

“Unë besoj se nuk është qasje e mirë dhe as e mençur: ose krejt – ose hiç, ose tash – ose kurrë. Pra, unë besoj se qëndrimi im, është qëndrimi i duhur për të ecur përpara. Pra, qasja jonë është ajo që praktikisht na ka vendosur në ofensivë. Masat të cilat të vendosin në defensivë ku t’i duhet të shndërrohesh në një kështjellë që mbrohesh ndaj një rrethimi që të vjen rrotull është gabim. Është gabim nga pikëpamja e shtetit. Ka versione shumë më të mençura se si mund t’i arrijmë qëllimet që dëshirojmë – edhe më shumë sesa kjo që është bërë deri më tani. Ju të gjithë e dini që ka shumë probleme për të eksportuar në Serbi, unë jam për t’i problematizuar këto – të kalojmë në ofensivë ku ne problematizojmë pengesat e Serbisë e jo të detyrohemi ta arsyetojmë tarifën tonë. Këtë mund ta bëjmë bashkë, propozuesi i seancës kërkoi unitet, dakord jam. […]Edhe njëherë, ose krejt – ose hiç, ose tash – ose kurrë, është dobësi. Shteti i fuqishëm është shteti i sofistikuar, nuk është i thjeshtë. Gjërat e pabarabarta nuk i trajton në mënyrë të barabartë dhe ne nuk e trajtojmë njësoj si lëndën e parë që mund të na vij nga Serbia për prodhuesit tanë – sikur produktet e gatshme finale që i sjell prodhuesi serb e të cilat hapin vende pune në Serbi. Është padrejtësi nëse këto dy kategori trajtohen njësoj.[…]Unë kam ardhur për qëndrimin e duhur përpara sa i përket tarifës 100%, e ky është që, qeveria e Kosovës e ka shprehë si gjest të vullnetit të mirë ndaj faktorëve ndërkombëtarë pikërisht atë që po na kërkojnë prodhuesit vendor: t’i heqim tarifat për lëndën e parë që iu duhet prodhuesve tanë. Unë po e bëjë një hap të vullnetit të mirë, mandej i takon Serbisë të dëshmohet.[…]Ne jemi duke u përgatitur për sukses, dhe jemi në të drejtën tonë.

Kontribo

28 02 2020

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në konferencën e sotme për media:

Pas takimeve me odat dhe shoqatat e ndryshme të ndërmarrësve vendorë, e sidomos me prodhuesit tanë, dhe pas leximit të analizës mbi reciprocitetin e munguar me Serbinë, punuar nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, kam ardhur te ky qëndrim sa i përket rrugës përpara lidhur me tarifën 100%:

1. Si Qeveri e Kosovës, gjatë javës së ardhshme, do të marrim vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kjo si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.

2. Ftojmë Serbinë që si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nis me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës. Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh.

3. Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.

4. Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e mëpastaj edhe në atë ekonomike e politike.

5. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit.

6. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dalin që në fillim me instrumente të detajizuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike; mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët; dhe, po ashtu, edhe listimin e konsekuencave për palën jobashkëpunuese në proces.

7. Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet qe ai prodhon në arritjen e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik instalohet pas 15 qershorit.

Kontribo

28 02 2020

Marrëveshja sekrete që shkel kushtetutën dhe cënon territorin e sovranitetin e vendit

Kryeministri Albin Kurti përmes një konference për shtyp ka denoncuar shkeljen e interesit kombëtar, shtetëror dhe të Kushtetutës së Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi, përmes një marrëveshjeje sekrete të kërkuar nga ai në 19 prill 2013, kur ishte kryeministër.

Kjo marrëveshje ka formën e një letre të dërguar nga Hashim Thaçi. Sipas Konventës së Vjenës për të drejtën e traktateve, ky letërkëmbim nga pozita e kryeministrit të atëhershëm, konsiderohet marrëveshje ndërkombëtare. Shkelja e parë është pikërisht kjo, që Thaçi ka ndërmarrë një veprim që e obligon Kosovën në vazhdimësi, pa u konsultuar me asnjë institucion e as me parlamentin. Ai ka vepruar si diktator apo si monark.

Në tekstin e asaj letre që ka fuqinë e një marrëveshjeje, Thaçi përdor termin “Kosova Veriore” për veriun e vendit, duke i dhënë legjitimitet një koncepti përmes së cilit Serbia përpiqet të destabilizojë Kosovën e të cënojë integritetin e saj territorial. Vetë përdorimi i këtij termi nga kryeministri i Kosovës, përbën skandal.

Në atë letër Thaçi zotohet njëanshëm se në veri të vendit FSK-ja nuk do të shkojë kurrë pa miratimin e KFOR-it. Ky zotim nuk u kërkua nga NATO. Arsyet se pse Thaçi vendosi të heqë dorë nga një pjesë të rëndësishme e sovranitetit, mbeten sekrete njësoj si marrëveshja që ai lidhi. Dy ditë më vonë, në mediat e Serbisë Vuçiqi u deklarua se “çizmja e shqiptarëve kurrë nuk do të shkelë në veri.

Kryeministri Kurti u shpreh se “për ne është shumë e rëndësishme të kuptojmë se kush e ka kërkuar nënshkrimin e një marrëveshje të tillë? Ne nuk besojmë se Brukseli e ka kërkuar një zotim të tillë të ish kryeministrit, mund ta ketë kërkuar Serbia. Kjo është një gjë që duhet të shqyrtohet.”

Duke qenë se kjo letër-marrëveshje sekrete është lidhur në po atë ditë me Marrëveshjen e Brukselit (Marrëveshja e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve), ajo vë në pikëpyetje ligjshmërinë e ratifikimit të kësaj të fundit, meqenëse kur deputetët votuan ratifikimin e saj në 27 qershor 2013 me 84 vota, ata nuk ishin të informuar për marrëveshjen sekrete që e shoqëronte. Prej Marrëveshjes së Brukselit rrjedhin shumë marrëveshje e pasoja ligjore, të cilat tashmë krejt marrin kuptimësi të re ligjore e politike.

Letra-marrëveshje sekrete e Hashim Thaçit duhet të shqyrtohet urgjentisht nga organet e drejtësisë. Prej saj ne kuptojmë se Zajednica (bosnjëzimi i Kosovës) dhe shkëmbimi i territoreve (copëtimi i Kosovës) nuk janë projekte alternative, por faza të të njëjtit projekt, i cili nisjen zyrtare e ka pikërisht te kjo letër-marrëveshje sekrete.

Qeveria Kurti dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! mbeten të përkushtuar për bashkëpunimin e mirë me NATO-n, SHBA-të dhe partnerët perëndimorë. Po ashtu, edhe për respektimin e marrëveshjeve dhe ligjeve ndërkombëtare. Kjo letër-marrëveshje sekrete iu dorëzua kryeministrit nga zyrtarë të NATO-s. Kushtetutshmëria dhe respektimi i ligjit nga institucionet në Kosovë është interes vendor, por edhe i miqve tanë ndërkombëtarë.

Kontribo

26 02 2020

Avni Fetahu i bashkohet Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot, Lëvizjes VETËVENDOSJE! i është bashkuar, Avni Fetahu, asamblist në Kuvendin Komunal të Podujevës dhe Kryesues i Këshilltarëve Komunal të LDK-së në këtë komunë. Avniu është magjistër në drejtimin Menaxhment dhe Informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Përvoja, dija e tij dhe profesionalizmi i Avni Fetahut do t’i shërbejë shumë Lëvizjes sonë, si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qëndror. Avni Fetahu ka pervojë të gjatë menaxheriale duke qenë drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik si dhe drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Podujevës. Ka marrë pjesë në shumë vizita studimore dhe në konferenca ndërkombëtare.

Avniu është mësimdhënës në Shkollën Ekonomike “Isa Boletini”. Është i martuar dhe prind i 5 fëmijëve.

Kontribo

20 02 2020

Shfuqizohet vendimi për përfitimet e ish-zyrtarëve pas përfundimit të mandatit

Qeveria e Kosovës sot mori vendim që të shfuqizohet vendimi i qeverisjes së kaluar për përfitimet e ish-zyrtarëve pas përfundimit të mandatit të tyre. Në një vend të varfër si Kosova ky luks qeveritar është krejtësisht absurd dhe privilegj i panevojshëm. Paraja publike duhet të ruhet dhe kjo fillon me zyrtarët qeveritar.

Kontribo

20 02 2020

Zvogëlohen pagat e kabinetit qeveritar

Zvogëlimi i pagave është vetëm hapi i parë që të rikthehet besimi se në qeveri e në administratë punojnë për vendin e jo për veten.

Kontribo

10 02 2020

13 vjetori i protestës së 10 shkurtit.

“Me datë 10 shkurt, 2007, protestuam me të drejtë ato vendime që atëherë u pranuan kollaj nga politikanët dritëshkurtër e që sot po i kushtojnë shumë Kosovës e ia kanë gjymtuar shtetit sovranitetin e demokracinë. Ne po përpiqemi ta ndreqim, por korrigjimi e rregullimi marrin shumë më tepër kohë sesa dëmtimi e rrënimi”, tha kryeministri Kurti, i cili kujtoi se ky është përkujtimi i parë i 10 shkurtit pa mësuesen e dashur Resmije Kadri Xheladinin – nënën e Arbenit, dhe pa aktivistin i cili humbi një sy përgjatë asaj proteste, e që u nda javë më parë nga jeta, Hysni Hyseni – Doda.

Kryeministri Kurti tha se ende mungon drejtësia për Monin dhe Arbenin, andaj UNMIK-u duhet të kthejë përgjigje në opinionin e Panelit Këshillues për të drejta të njeriut të UNMIK-ut, sipas të cilit policia ka pasur faj sa i përket vrasjes së demonstruesve paqësorë.

“Ne kurrë nuk i harrojmë, dhe do t’i kultivojmë idealet e Monit dhe Arbenit, idealet tona të përbashkëta. Lavdi Monit, Arbenit dhe gjithë dëshmorëve të kombit”, tha ai në fund të fjalës së tij, para shtatores që përkujton vendin e rënies së tyre në sheshin e Republikës.

Paradite, Kryeministri së bashku me ministra, deputetë, anëtarë të kryesisë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka bërë homazhe te varri i Arben Xheladinit në Prishtinë, dhe te ai i Mon Balaj në Besianë.

Kontribo

02 02 2020

MIRATOHET ME SHUMICË DËRRMUESE KOALICIONI LVV-LDK

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura sot sipas parimit “një anëtar-një votë”, baza e Lëvizjes VETËVENDOSJE! votoi me demokraci direkte për koalicionin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me Lidhjen Demokratike të Kosovës, si në vijim:

PËR: 95.99%

KUNDËR: 3.64%

Të pavlefshme: 0.37%

Ky rezultat dëshmon për vullnetin e madh e të palëkundur drejt ndryshimeve të domosdoshme në qeverisjen e vendit, në përputhje me besimin e dhënë nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit.

Prishtinë, 02.02.2020
Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

02 02 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE! mban referendum për marrëveshje me LDK-në për Qeverinë

Lëvizja VETËVENDOSJE! mban referendum për marrëveshje me LDK-në për Qeverinë

Komisioni i Përgjithshëm Zgjedhor i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, konform statutit të saj, sot organizon referendumin për marrëveshjen me LDK-në, për formimin e Qeverisë.

Marrëveshjet Qeveritare sipas nenit 28 të Statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! parashihen që të vendosen me anë të demokracisë së drejtpërdejtë, me parimin një aktivist një votë.

Ky referendum do të përfshijë të gjithë aktivistët, të organizuar në të gjitha Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Ju bëjmë ftesë të gjithë aktivistëve që të dalin dhe të shprehin vullnetin e tyre!

2 shkurt 2020
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

01 02 2020

30 vjetori i rënies së Ylfete Humollit.

Sot, në 30 vjetorin e rënies së dëshmores Ylfete Humolli, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! bëri homazhe në përkujtim të jetës dhe veprës së saj.

Luftës çlirimtare të Kosovës i kanë paraprirë qindra protesta e demonstrata. E tillë ishte edhe protesta e 1 shkurtit 1990 në Lupç të Poshtëm ku ra heroikisht aktivistja 17 vjeçare Ylfete Humolli.

Gjithmonë do të nderojmë të gjithë ata që përballë pushtuesit vendosën trupat e tyre duke kërkuar liri e pavarësi.

Kontribo

31 01 2020

Homazhe në Drenas

Ecja jonë në bërjen e republikës është bërë nëpër sakrifica, nga dëshmorë dhe heronj, me njerëz që e deshën vendin, popullin dhe lirinë më shumë se veten. Ata nuk janë më mes nesh, por jetojnë më shumë se secili nga ne. Rruga në të cilën ata ecën është rrëfimi i asaj që ne sot e gëzojmë. Shumë mund e jetë janë dhënë për këtë vend, pa të cilat sot nuk do të mund të kishim as ëndrra e shpresa për ndërtimin e një jete të cilës i dhanë hov të gjithë pjesëmarrësit e në veçanti dëshmorët e Demonstratës së Janarit të 1990.

Sahit Shala, Enver Morina e Shani Morina janë dëshmorët ku frymojnë edhe pas 30 viteve. Të lënduarit në këtë Demonstratë ishin nga 17 vjeç e deri në 40. U jemi mirënjohës e falënderues tërë jetën tonë, por edhe betohemi e zotohemi që amanetin e idealet e tyre t’i realizojmë me përgjegjësinë më të lartë. Lavdi dëshmorëve të Demonstratës së 31 janarit 1990.

Sahit Shala u lind në 1965 në fshatin Krajkovë, nga i ati Ibishi dhe e ëma Fetia. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Drenas. Ishte i martuar me Gjyle Berishën nga Gllanasela dhe la pas vetes katër fëmijë: djemtë Albanin, Besnikun, Ibishin dhe vajzën Arlindën. Punonte si automekanik.

Enver Morina u lind në vitin 1967 në fshatin Çikatovë e Vjetër, nga i ati Hajrizi dhe e ëma Fazilja. Shkollën fillore e kreu në Çikatovë të Vjetër dhe Dobroshec, kurse atë të mesmen në “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Drenas. Ishte i fejuar por i pamartuar.

Shani Morina u lind në vitin 1967 në fshatin Çikatovë e Vjetër, nga i ati Aliu dhe e ëma Hyra. Shkollën fillore e kreu në Çikatovë të Vjetër dhe Drenas, kurse atë të mesmen në “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Drenas. Ishte i pamartuar.

Në Demonstratat e vitit 1990, me 31.01.1990, që të tre vriten nga forcat policore serbe afër hekurudhës në Drenas. Trupat e tyre u varrosën me nderime në vendlindje. 

Atë ditë në Demonstrata, me 31 Janar 1990 u vranë:
Sahit Shala – Krajkovë, Enver e Shani Morina – Çikatovë e Vjetër. 

Të plagosur që u detyruan të shtriheshin në spital ishin:

Avni Shefqet Dvorani (17) nga Tërsteniku,

Hysen Shefqet Abazi (17) nga Tërsteniku,

Bejtë Pajazit Rexhepi (18) nga Korrotica e poshtme,

Avni Sylë Dobërrdolani (19) Korreticë e Epërme,

Milazim Selim Karaxha (24) Çikatovë e Vjetër,

Qazim Bislim Sejdiu (25), Korreticë e Poshtme, i lënduar rendë, në shok dhomë,

Kadri Veli Shala (26) nga Kojkova,

Alush Lah Muqolli (31) nga Pakleu,

Xhavit Hamit Lladrovci (34) nga Gllanasella dhe

Abdyl Xhevat Hysenaj (34) nga Abria,

Sokol Rexhep Elshani (40) nga Krojkova, në gjendje të rendë në shok dhomë,

Florin Shaban Koliqi nga Abria, në gjendje të rendë në shok dhomë.

Kontribo

31 01 2020

Homazhe te busti i Zahir Pajazitit.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti së bashku me deputetë të Kuvendit dhe zyrtarë e aktivistë të Lëvizjes bënë homazhe pranë bustit të dëshmorit të kombit Zahir Pajaziti.

Zahir Pajaziti ishte njeri i vullnetit dhe i aksionit, patriot i paepur e i pashoq, fliste pak e bënte shumë. Komandantin Zahir Pajazitin, bashkëluftëtarët e tij Hakif Zejnullahun e Edmond Hoxhën i kujtojmë sot në 23 vjetorin e rënies për t’ia përkujtuar vetes si nisi çlirimi dhe cilët janë heronjtë tanë.

Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë!

Kontribo

31 01 2020

Vazhdon angazhimi për qeveri të re

Pak ditë mbeten deri në përfundimin e afatit, e mandatari për krijimin e qeverisë së re, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti po vazhdon angazhimin për të mundësuar realizimin e premtimit elektoral për ndryshimet e mëdha.

Siç ka lajmëruar në videomesazhin e datës 20 janar, Albin Kurti duke mos pasur ende një marrëveshje me partnerin kryesor, LDK-në, ka vazhduar me takimet me përfaqësuesit parlamentarë të minoriteteve. Me ta është biseduar për programin e qeverisë së re, dhe sidomos impaktin e saj në përmirësimin e jetës së minoriteteve dhe integrimin e tyre ekonomik e shoqëror në Kosovë. Po ashtu, me ta janë diskutuar emrat e mundshëm të ministrave që vijnë nga minoritetet, njëri prej të cilëve duhet të jetë prej serbëve të Kosovës. Sqarojmë opinionin publik se nuk ka patur diskutime për përfshirje të subjekteve të caktuara minoritare në koalicion qeverisës. Këto diskutime nuk mund të bëhen për sa kohë ende nuk ka një koalicion me LDK.

Po ashtu, para se të takoheshin përfaqësuesit e minoriteteve, sot është dërguar kërkesa në Kryesinë e Kuvendit, për të thirrur seancë të hënën në orën 11:00. Ne dëshirojmë që në atë seancë të shkojmë me marrëveshje të arritur. Prandaj i kemi bërë deri më tash 9 oferta, që do të thotë se jemi afruar 9 herë drejt LDK-së. Por për këtë duhet sadopak afrim edhe nga ana e LDK-së.

Kontribo

29 01 2020

Sot, me pikëllim të thellë, morëm lajmin që ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje aktivisti ynë Hysni Hyseni.

Sot, me pikëllim të thellë, morëm lajmin që ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje aktivisti ynë Hysni Hyseni.

Hysni Hyseni ka qenë i angazhuar në Qendrën e Lëvizjes në Prizren. I plagosur rëndë në demonstratën e 10 Shkurtit 2007, ku humbi njërin sy, Hysniu na mësoi se kurrë nuk duhet të ndalemi në rrugën e drejtë të perbashkët edhe kur rrezikohemi individualisht.

Atdhedashuria, vetëmohimi e gatishmëria për sakrificë e karakterizuan Hysniun gjatë gjithë veprimtarisë së tij.

Në këto momente pikëllimi i shprehim ngushëllime familjes Hyseni, të gjithë aktivistëve, shoqeve e shokëve te Hysniut.

Do ta kujtojmë me mall e do të marrim shembull nga puna e virtytet e tij.

Sot në orën 14:30 do të bëhet varrimi i të ndjerit në varrezat e qytetit në lagjen Tusuz të Prizrenit

Kontribo

29 01 2020

Përpjekjet ne nuk i ndalim, por afrimi duhet të jetë i dyanshëm

Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, pas takimit të sotmë me drejtuesit e LDK ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e Quint-it, dha një deklarim për disa nga gazetarët që ishin prezentë. Prononcimi i Albin Kurtit ishte ky:

Albin Kurti: Takimi ishte i gjatë meqenëse gjysma e takimit ishte përkthim për ambasadorët e QUINT-it dhe shefen e BE-së në Kosovë. Unë i falënderoj të gjithë ata për pjesëmarrje, që u janë përgjigjur ftesës sime, në mënyrë që për së afërmi të jenë të njoftuar me zhvillimet e fundit meqenëse interesimi i tyre është i madh. Në vend që të takohemi secili prej nesh ndaras, kishim një shancë të mirë që të takohemi të gjithë bashkë. Nuk ka përafërim të pozicioneve nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata insistojnë në propozimin e tyre të vjetër të datës 8 janar. Ne kemi bërë edhe dy propozime të tjera prej se e kemi dërguar emrin tim te Presidenti i Kosovës si person për Kryeministër të ri – janë propozimet e datës 24 janar dhe 27 janar. Mirëpo, për marrëveshje nevojitet përafrim i dyanshëm. Nuk mund të ketë përafrim të njëanshëm. Ne jemi afruar, mirëpo, nga ana tjetër, ka insistim vetëm në 8 janar, në stilin “merre ose lëre”. Me qasjen “merre ose lëre” nuk mund të arrijmë marrëveshje.

Gazetarja: Kanë mbetur edhe një javë deri në seancën ku duhet të paraqitet kabineti qeveritar, çka tash z. Kurti a do të ketë ende takime me LDK-në apo si do të përfundoj e gjithë kjo?

Albin Kurti: Unë përpjekjet nuk i ndali në shndërrimin e ndryshimit politik të 6 tetorit në ndryshim institucional në Republikën e Kosovës. Populli e ka thënë fjalën e vet, interesimi dhe gatishmëria ime kurrë s’ka qenë më e madhe për marrëveshje. Është e vërtetë që na kanë ngelur vetëm edhe një javë. Me vullnet të mirë dhe me punë të palodhshme, pa u kursyer, pa rezerva për asnjë gjë, kam qenë i hapur që të arrijmë marrëveshje, por, po them edhe njëherë, nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm. Afrimi i pozicioneve duhet të jetë i dyanshëm.

Ju falemnderit.

Kontribo

28 01 2020

Fjalimi i Kryetarit Albin Kurti dje në Prizren me rastin e Ditës Ndërkombëtare të kujtimit të viktimave të Holokaustit

I nderuari Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu,

E nderuara Shefe e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, znj. Natalia Apostolova,

I nderuari Kryetar i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës z. Haxhi Avdyli, z. Anton Quni,  znj. Emilija Redžepi, znj. Duda Balje, z. Hajrulla Çeku e z. Liburn Aliu,

I nderuari Zëvëndës Ambasador Amerikan, Ambasador Gjerman, Ambasador i Republikës së Shqipërisë,

Të nderuar udhëheqës të Bashkësisë Hebraike të Kosovës, znj. Ines dhe z. Votim Demiri,

Liderë fetarë,

Të dashur qytetarë të Prizrenit,

Zonja dhe zotërinj,

Sot kujtojmë një ndër tragjeditë më të mëdha njerëzore të shekullit të kaluar. Kujtojmë për të mos harruar dhe për të mos u përsëritur.

Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Viktimave të Holokaustit e shënuar më datën 27 janar, nga dita e çlirimit të kampit Auschëitz, u caktua nga OKB jo thjesht për të shënuar një datë e për të kujtuar një ngjarje, por për të freskuar kujtesën tonë kolektive se ajo që i ndodhi popullit Hebre nuk duhet përsëritur, se “kurrë nuk duhet harruar” e “kurrë më” nuk duhet të ndodhë.

Fatkeqësisht, në fund të shekullit të kaluar edhe ne në Kosovë e përjetuam një tjetër çmenduri në Evropë. Tendencën për shfarosje etnike, gjenocidin, masakrat e dëbimet masive kundër atyre që flasin ndryshe, duken ndryshe e luten ndryshe, njëherë në Bosnjë e pastaj në Kosovë.

Si popull shqiptar ne i kuptojmë vuajtjet e popullit Hebre. E kuptojmë çfarë do të thotë të mohohet ekzistenca, të përndjekesh në vendin tend – këto i kemi ndjerë në lëkurë e në eshtra e i ndjejmë sa herë i kujtojmë viktimat e masakrave në vendin tonë sikurse Reçaku që e përkujtuam ditë më parë.

Holokausti na kujton se ne duhet të njohim realitetin. Duhet të pranojmë e njohim njëri-tjetrin e jo të mohojmë ekzistencën e tjetrit. Mohimi i ekzistencës është hapi i parë dhe kryesor drejt gjenocidit.

Holokausti na mëson gjithashtu se pajtimit të vërtetë i paraprin drejtësia e kërkim falja për viktimat, përgjegjësia shtetërore e shoqërore e dëmshpërblimi. Vetëm ashtu bëhet i mundur ndërtimi i paqes së qëndrueshme.

Kur nuk ndodh njohja e realitetit drejtësia vonohet e për më keq se kaq e kaluara tentohet të harrohet e të relativizohet. Agresori sillet si viktimë e në vend se të ofrohet dëmshpërblimi e kërkim falja për viktimat e të zgjatet dora e pajtimit kërkohet kthimi në të kaluarën, e madje bëhen edhe përgatitje për kthim në të kaluarën.

Holokausti na mëson se është pikërisht e kaluara që shërben për të kuptuar të tashmen e për të ndërtuar të ardhmen.

Padrejtësitë e sotme janë pasiguritë e nesërme, andaj nuk mundemi të ndërtojmë një të ardhme duke mohuar faktet.

Ky është mësimi i holokaustit. Që faktet të mos harrohen, që drejtësia të vendoset në mënyrë që historia të mos përsëritet.

Krimet kundër hebrenjëve përgjatë regjimit nazist gjerman kanë shënuar një rend të ri botëror në aspektin e krimeve sistematike të kryera nga shteti. Pikërisht si rezultat i këtyre krimeve bota ka parë gjykimet e Nurembergut – gjatë të cilave për të parën herë në histori individë të caktuar janë mbajtë përgjegjës mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare. Për të shkuar edhe një hap më tutje, janë pikërisht gjykimet e Nurembergut që kanë shërbyer si model për krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale që sot gjendet në Hagë, suksesi i së cilës për krimet në ish Jugosllavi ishte i mangët. 

 Përkundër këtij fakti, të gjithë e dimë që këto gjykime nuk kanë ndihmuar të mbyllen plagët e hapura të viktimave, prandaj krahas me këto gjykime, Gjermania ka bërë çmos që të vendos viktimën në qendër të vëmendjes dhe të adresojë krimet e ndodhura përmes formave të ndryshme. Së pari, duke dokumentuar ato që kanë ndodhur në bazë të dëshmive të marra nga të mbijetuarit dhe familjarët e tyre. Së dyti, duke ndërtuar qindra muze dhe memoriale të ndryshme, të bazuara mbi dëshmitë e marra. Dhe, së treti, duke ndërtuar një sistem masiv të reparacioneve për të mbijetuarit, viktimat direkte dhe viktimat indirekte (reparacione të cilat Gjermania vazhdon t’i paguajë akoma edhe sot).

 Kjo tregon se në një shoqëri në tranzicion – pas krimeve masive – nuk mjafton fokusi në vetëm një drejtim. Mbi të gjitha, ajo që është mbase më e rëndësishmja – Gjermania e ka njohur përgjegjësinë e saj mbi krimet e kryera, dhe ndër të tjera konsideron që e ka përgjegjësi të saj për të kujtuar atë që ka ndodhur sepse ajo pjesë e historisë është pjesë e identitetit të saj.

 Sot, jemi mbledhur këtu për të shënuar ditën ndërkombëtare të Holokaustit, dhe konsideroj që fokusi kryesor duhet të jetë në faktin se sa të rëndësishme janë mënyrat përmes të cilave ballafaqohemi me të kaluarën. Sa e rëndësishme është mënyra si e dokumentojmë të kaluarën dhe sa i kushtojmë rëndësi asaj. Paramendojeni për një moment sikur Gjermania të mos dokumentonte vit pas viti ato që kanë ndodhur, sot, pas 75 viteve kur shumë gjenerata janë shuar, a do të ishim këtu për të shënuar këtë ditë si Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit? A do të kishim ide se çka realisht ka ndodhur?

 Nuk ka dyshim që shembulli gjerman është shembull i mirë se si një popull e adreson të shkuarën dhe ballafaqohet më të. Kjo nuk mund të thuhet për rajonin tonë të Ballkanit, e posaçërisht për fqinjin tonë verior.

 Marrë parasysh që deri më sot ne kemi bërë fare pak në këtë drejtim, dhe kemi implementuar në vazhdimësi një qasje që nuk e ka viktimën në epiqendër, mbetem me shpresën që mbase në ditë si kjo, kur të mblidhemi për të kujtuar krimet më të tmerrshme të njerëzimit, t’ia kujtojmë vetes që është momenti i fundit që edhe ne të adresojmë ashtu siç duhet krimet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës, pra krimet e luftës por jo vetëm: edhe krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin kundër nesh.

 Është me rëndësi ta pranojmë që kujtesa kolektive është e fuqishme, por nëse qëndron e vetme, pa institucionet, pa drejtësi nuk është bazë mjaftueshëm e fortë mbi të cilën duhet ndërtuar historia. 

Një autor i njohur thoshte që historia prehet në institucione, pra historia pushon në institucione. Te ne historia nuk po arrin të pushojë e të qetësohet. Ne e kemi historinë të shqetësuar. Kujtesa kolektive duhet të institucionalizohet, kurse drejtësia ligjore të mos vonohet.  

Ju falemnderit.

Kontribo