Takim me Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, znj. Gerrie Willems
Dje, Kryetari Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë, znj. Arbërie Nagavci dhe Kryetarin e Komunës së Mitrovicës, njëherit anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, z. Agim Bahtiri, priti në takim Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, znj. Gerrie Willems, e cila ishte e shoqëruar nga Zëvendës Shefi i Misionit, z. Peter van der Bloemen dhe Zyrtarja e Lartë për Sundimin e Ligjit në këtë ambasadë, znj. Venera Ramaj.
Ambasadorja znj. Willems e uroi Kryetarin Kurti për procesin dhe rezultatin zgjedhor të deritanishëm dhe ndau shpresën që pas çertifikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së institucionet shtetërore të formohen sa më parë. Ajo u interesua për prioritetet e qeverisë së re, duke thënë që Holanda është e gatshme të ofroj mbështetjen për Republikën e Kosovës në rrugën e integrimit Evropian.
Kryetari Kurti e njoftoi znj. Willems se prioritet i qeverisë së re do të jetë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional, zhvillimi ekonomik që sjell vende pune, dhe politikat që zbusin pabarazinë. Kurti përmendi rëndësinë e përfshirjes së diasporës në zhvillimin ekonomik, dijen profesionale dhe kapitalin e tyre në formë investimi në vend, dhe theksoi nevojën e sistemit të arsimit profesional që do t’ua lehtësonte fushëveprimin bizneseve në vend.
Znj. Willems tha se këto prioritete përputhen në masë të madhe me ato të BE-së, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe me Agjendën për Reforma Evropiane (ARE). Nga ana e saj u ndanë edhe shembujt ekzistues të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Holandës në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin e bujqësisë dhe të biznesit, duke deklaruar se ka hapësirë për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit.
Në fund të takimit, u shpreh gatishmëria për ta vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin për projekte konkrete në të ardhmen.