28 01 2020

Takimi LVV dhe LDK

Sot pasdite, në Kuvendin e Kosovës u mbajt edhe një takim ndërmjet LVV dhe LDK. Nuk u arrit marrëveshja. Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së.

Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës

Kontribo

27 01 2020

Telegram ngushëllimi për viktimat e tërmetit në Turqi

Lëvizja VETËVENDOSJE! pranoi me shqetësim lajmin tragjik për tërmetin e mbrëmshëm që goditi provincën Elazig, të Turqisë. Ne shprehim ngushëllimet tona për familjet e viktimave dhe të lënduarve u urojmë shërim sa më të shpejtë.

Në këto momente, jemi në solidaritet me ekipet e shpëtimit në Turqi, të cilat janë duke bërë punë të palodhshme për shpëtimin e të ngujuarve nën rrënojat e shkaktuara na ky tërmet.

Kontribo

24 01 2020

Takim njoftues me ambasadorin e ri Italian, z. Nicola Orlando

Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, së bashku me deputeten Albulena Haxhiu priti sot në një takim njoftues ambasadorin e ri Italian, z. Nicola Orlando

Me ambasadorin z. Orlando bashkëbiseduam për situatën aktuale politike në vend, me ç’ rast e njoftuam edhe për përpjekjet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për formimin e institucioneve të reja të Republikës.

Me bindjen që qeveria e re do të formohet së shpejti dhe duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në drejtim të forcimit të institucioneve vendore, z. Orlando i uruam shërbim të mbarë gjatë punës në Kosovë.

Kontribo

23 01 2020

Takim me ambasadorët R. Grenell dhe P. Kosnett

Sot kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën dhe deputeten Fitore Pacolli pritën në selinë e Lëvizjes ambasadorët R. Grenell dhe P. Kosnett. Takimi u zhvillua në atmosferë të përzemërt. Palët diskutuan rëndësinë prioritare për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës, dhe atë të bashkëpunimit mes vendeve tona.

Kontribo

23 01 2020

Takim me një delegacion nga Misioni i Vëzhguesve të Zgjedhjeve të BE-se në Kosovë, të përfaqësuar nga znj. Viola von Cramon – Taubadel

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, deputetet Saranda Bogujevci dhe Fitore Pacolli, si dhe me përfaqësuesin e Lëvizjes në KQZ-së, Adnan Rrustemi, takuan një delegacion nga Misioni i Vëzhguesve të Zgjedhjeve të BE-se në Kosovë, të përfaqësuar nga znj. Viola von Cramon – Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian dhe Kryesuese e Vëzhguesve të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të BE-së, z. Marian Gabriel, zëvendës shef i Misionit, znj. Elissavet Karagiannidou, analiste e financave të fushatës, znj. Kerstin Dokter, koordinatore, si dhe Marek Mracka, zyrtar për media.

Kryetari Kurti vlerësoi rolin dhe kontributin e vëzhguesve të Misionit të BE-së në zgjedhjet e 6 tetorit, si dhe mirëpriti rekomandimet e këtij misioni në raportin përfundimtar të vëzhgimit të zgjedhjeve. Delegacioni i Misionit të BE-së u interesua për procesin e krijimit të institucioneve, ku u njoftuan me përpjekjet e Lëvizjes për të arritur marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës për krijimin e Qeverisë.

Në këtë takim, u diskutua për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, procesin e qetë dhe të rregullt në ditën e zgjedhjeve, por edhe për sfidat pas ditës së zgjedhjeve me numërime e rinumërime të shumta deri në certifikimin e rezultateve përfundimtare.

Delegacioni i misionit të vëzhguesve të BE-së, prezantoi raportin përfundimtarë, gjetjet dhe rekomandimet e tyre përkitazi me zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, të cilat do të shërbejnë si bazë e mirë për të përmirësuar infrastrukturën ligjore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për administrimin e zgjedhjeve në Kosovë.

Kontribo

20 01 2020

Prezantim para 120 studentëve ndërkombëtarë nga Universiteti i Vjenës dhe ai i Venedikut

Gjatë javës, Kryetari Albin Kurti mbajti një prezantim para 120 studentëve ndërkombëtarë nga Universiteti i Vjenës dhe ai i Venedikut, të cilët ishin të shoqëruar nga profesoresha Marijana Gradits.

Kryetari Kurti foli për situatën aktuale politike në vend, duke sqaruar rëndësinë e zgjedhjeve të 6 tetorit, arsyet e vonesës për formimin e institucioneve të reja dhe përpjekjet që po bëhen për formimin e tyre. Ai paraqiti para studentëve programin zhvillimor te Lëvizjes që në qendër ka krijimin e vendeve të reja të punës dhe shtetndërtimin demokratik ku ka sundim të ligjit. Prioritet i qeverisë së re se do të jetë forcimin i shtetit dhe zvogëlimi i pushtetit, theksoi ai në fjalën e tij.

Pas prezantimit të shkurtër, studentët parashtruan pyetjet që zgjeruan diskutimin mbi pikat programore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që lidhen me ekonominë dhe investimet, drejtësinë dhe procesin e vetingut si dhe edukimin dhe sistemin dual të arsimit. Studentët mes tjerash u interesuan edhe për qëndrimet e Lëvizjes për çështje të caktuara ndër vite, për hapat konkret të Lëvizjes si udhëheqëse e qeverisë së ardhshme, si dhe për marrëdhëniet dhe politikat që bashkojnë komunitetet e ndryshme në Kosovë.

Studentët falënderuan Kryetarin Albin Kurti për prezantimin e bërë para tyre dhe përgjigjet në pyetjet dhe çështjet e ngritura nga ta. Kryetari Kurti njashtu i falënderoi ata për ftesën e tyre për pjesëmarrje në këtë diskutim dhe për interesimin e treguar.

Kontribo

17 01 2020

38 vjetori i rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Sot, në 38 vjetorin e rënies së tre dëshmorëve të kombit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, Lëvizja VETËVENDOSJE! në dy delegacione të veçanta bëri homazhe te kompleksi memorial i vëllezërve Gërvalla në Dubovik të Deçanit dhe te varri i Kadri Zekës te kompleksi i varrezave të dëshmorëve në Gjilan.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla, dhe Kadri Zeka si veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare u vranë nga shërbimi sekret jugosllav 38 vite më parë në Shtutgart të Gjermanisë. Vrasja e tyre, për të cilën ende nuk është hetuar apo dënuar dikush, kishte për qëllim goditjen e përpjekjes së popullit shqiptar për t’u organizuar e dalë nga robëria. Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu asokohe po bashkonin shqiptarët, organizatat e tyre, dhe po frymëzonin jetën politike e kulturore duke ndërtuar një bazë të shëndoshë për një vetëdije më të lartë shoqërore e politike të shqiptarëve, andaj edhe u vranë nga regjimi jugosllav i dominuar nga Serbia në atë kohë.

Jusufi, Bardhoshi e Kadriu ende vazhdojnë të na frymëzojnë mendjen e të na ngrohin zemrën me krijimtarinë që na e lanë. I përjetshëm do të jetë kujtimi për ta.

Kontribo

17 01 2020

Letra dërguar Kryetarit të LDK-së, Mustafa

Letra dërguar Kryetarit të LDK-së, Mustafa, të cilit Kryetari i LVV-së, Kurti, i bën thirrje të heq dorë nga largimi i z. Konjufca nga kreu i Kuvendit dhe e fton të rikthehet në tryezën e bisedimeve për marrëveshje për qeverinë e përbashkët.

Kontribo

16 01 2020

Takim lamtumirës me Drejtorin rezident të NDI-së, në Kosovë, z. Alexander Chavarria

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me deputetët Hekuran Murati, Arbëreshë Kryeziu dhe Drejtuesen e Sekretariatit për Gruan Aktiviste, Nazlie Bala, priti në takim lamtumirës Drejtorin rezident të NDI-së, në Kosovë, z. Alexander Chavarria, i cili ishte i shoqëruar nga Drejtori i Programit te NDI-së, z. Valon Kurhasani, Menaxherja e Lartë e Programit në NDI, znj. Pranvera Lipovica dhe Menaxheri i Programit, z. Pajtim Gashi.

Z. Chavarria shprehu falënderimin e tij për Lëvizjen VETËVENDOSJE! që përherë i është përgjigjur pozitivisht kërkesave dhe ftesave të NDI-së për bashkëpunim në fusha të ndryshme dhe trajnime, ku në veçanti përmendi pjesëmarrjen në Javën e Gruas që e organizon NDI. Ai konfirmoi që kjo organizatë do të vazhdoj mbështetjen dhe përkrahjen në lidhje me funksionimin sa më efikas të institucioneve të vendit, ku mes tjerash tha se pret që Kuvendi i Kosovës ta filloj punën sa më parë ngase e sheh këtë organ shtetëror si çelës kryesor për funksionimin e shtetit.

Kryetari Kurti e falënderoi z. Chavarria për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve duke i dëshiruar punë të mbarë në angazhimet e tjera të tij. Ai u zotua se bashkëpunimi i deritanishëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! me NDI do të vazhdoj e do të thellohet tutje për programe e trajnime të tjera në të ardhmen që ndihmojnë dhe avancojnë shtetndërtimin demokratik në vend. Kryetari Kurti po ashtu shprehu bindjen se funksionimi normal i institucioneve të vendit e në veçanti Kuvendit është kyç për jetën shoqërore dhe politike në vend, duke e njoftuar njëherit z. Chavarria që Lëvizja VETËVENDOSJE! në vazhdimësi po punon për ta krijuar qeverinë e re të cilën po e presin qytetarët e Republikës.

Në fund të këtij takimi lamtumirës, z. Chavarria tha se e merr përsipër ta njoftoj Kryetarin Kurti me Drejtorin e ri të NDI, dhe ritheksoi se NDI do t’i ketë përherë zyrat e hapura për Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Kryetari Kurti e falënderoi për punën dhe angazhimin e bërë dhe tha se bashkëpunimi do të jetë i dyanshëm.

Kontribo

16 01 2020

Gjykata pezulloi vendimin e bordit të ZRRE-së

Anëtari i Kryesisë Sami Kurteshi dhe aktivisti Getoar Mjeku, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor, dorëzuan me 24 dhjetor padi ndaj vendimit të ZRRE-së për shtimin e kapaciteteve me tarifa nxitëse për sistemet solare fotovoltaike.

Me 14 janar u njoftuam nga Gjykata Themelore me Aktvendimin ku aprovohet kërkesa jonë për pezullimin e këtij vendimi deri sa kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata.

Rikujtojmë se ky vendim u morë më 27 nëntor 2019, teksa në Kosovë ishte shpallur ditë zie për viktimat e tërmetit në Shqipëri. Në atë mbledhje Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë pasi që e shtoi si pikë të rendit të ditës aty për aty dhe pa arsyetim valid, mori vendim për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut. Të njëjtin vendim e patën marrë edhe në 2016 me një çmim edhe më të lartë se tash, 136.4 euro për MWh që u paguhet për 10 vite dhe mbi 50% të tyre një grupi financiar, Devollit. Por nuk u mjaftoi kjo, e përsëritën duke e zgjeruar në 20 MW dhe me tarifën nxitëse 85.5 euro për MWh, për 12 vite, tash mbi 60% të njëjtit grup financiar.

Vendimi i paditur nga ne nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe cenon interesin publik në favor të interesave private të cilat në rastin konkret nuk shërbejnë për asgjë tjetër në sektorin energjetik e as obligimeve ndërkombetarë të Kosovës, përveçse nga faturat tona të energjisë do të paguhen Devolli e të tjerë për çmimin e energjisë.

Kontribo

15 01 2020

Homazhe në Reçak

Me rastin e 21 vjetorit të masakrës së Reçakut, ku u vranë 45 civilë shqiptarë dhe 11 ushtarë të UÇK-së të cilët po i mbronin kufomat që të mos rrëmbeheshin nga forcat serbe, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga Kryetari Albin Kurti mëngjesin e sotëm bëri homazhe te kompleksi memorial në Reçak, me ç’ rast Kryetari Kurti mbajti edhe një fjalë rasti ku tha se masakra e tronditi dhe e tmerroi Kosovën por edhe e ndërgjegjësoi dhe alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare çfarë ishte vendimtare që NATO-ja ta bombardonte Jugosllavinë e Millosheviqit.


“Ne sot përkulemi me nderim dhe respekt për martirët dhe dëshmorët e Reçakut dhe ndajmë dhimbjen dhe pikëllimin me familjarët të cilët i humbën më të dashurit e tyre që Kosova ta fitojë lirinë. 21 vjet më vonë nuk ka drejtësi për familjet dhe kjo drejtësi e mohuar paraqet krim të vazhdueshëm ndaj njerëzve tanë, ndaj popullit tonë, ndaj shtetit tonë. Është obligim i institucioneve vendore dhe i partnerëve tanë ndërkombëtar që të sjellin drejtësi, të shtojnë trysni mbi Serbinë, ashtu që të gjithë kriminelët që ekzekutuan dhe ata që urdhëruan masakrën e Reçakut të nxirren para proceseve gjyqësore dhe të dënohen”, tha Kryetari Kurti në fund të prononcimit të tij.

Kontribo

14 01 2020

Takim me ambasadorin e mirënjohur, mikun e Kosovës, z. William Walker.

Sot, Kryetari Albin Kurti së bashku me Nënkryetarin e Lëvizjes Besnik Bislimin priti në takim ambasadorin e mirënjohur, mikun e Kosovës, z. William Walker.

Në prag të përvjetorit të 21-të të masakrës së Reçakut, u diskutua për rëndësinë e historisë në politikë, për përpjekjet nga Serbia për të mohuar krimet dhe për domosdoshmërinë e drejtësisë dhe zhdëmtimi për viktimat.

Në këtë takim miqësor u diskutua edhe për situatën aktuale politike në vend, me theks të veçantë formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.


Të dyja palët shprehën interesim që qeveria duhet të formohet sa më shpejtë në mënyrë që edhe vullneti politik i qytetarëve për ndryshim, i shprehur me 6 tetor, të jetësohet sa më parë.

Kontribo

13 01 2020

13 01 2020

Mbledhja e parë me Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për vitin 2020.

Sot u mbajt mbledhja e parë me Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për vitin 2020, ku mori pjesë edhe Kryetari Albin Kurti. Përveç çështjeve të rëndësishme organizative u diskutua edhe situata politike.

Më poshtë e gjeni fjalën e plotë të Kryetarit Kurti:

Të nderuar kryetarë dhe përfaqësues të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë dhe jashtë saj

Po e nis duke adresuar menjëherë elefantin në dhomë. Ka shumë çështje të ndryshme politike në aktualitetin tonë, por ato janë veçse orenditë e vjetra të dhomës.

Pyetjen kryesore që keni në mendje, atë se kur do të krijohet qeveria e re, nuk ka fytyrë që nuk e thotë dhe nuk ka qëndrim që arrin ta fshehë.

Shpresa e madhe e fitores dhe entuziazmi i tretë pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë nuk po rezulton ende me një qeveri të re. Prandaj e kuptoj që ndjeheni të frustruar.

E vërteta është se ne nuk po presim.

Në frymën e fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit ku VETËVENDOSJE! kishte premtuar se nuk do të ketë një koalicion me partitë e PAN-it dhe duke u bazuar në fushatën e LDK-së ku ata kërkonin koalicion vetëm me VETËVENDOSJE!-n, unë kam filluar menjëherë jetësimin e këtyre premtimeve zgjedhore.
Ne kemi filluar kontaktet, komunikimin dhe takimet me 7 tetor me LDK-në, vetëm disa orë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve preliminare, pa u vonuar dhe pa hezituar që shpresën dhe fitoren e madhe ta kthejmë sa më parë në qeverisje, por ajo që dukej lehtë e arritshme doli të jetë e mundimshme.

Siç ju tashmë e dini:

• Në përputhje me rezultatin zgjedhor, ne ofruam gjysmën e programit qeverisës dhe gjysmën e qeverisë duke kërkuar që të ecim më hapa të shpejtë drejt jetësimit të qeverisë.

• Kemi qenë të hapur për publikun si kurrë më parë. Negociatat për koalicionin qeverisës i kemi mbajtur në ambiente publike sikurse zyrat e partive dhe në institucionin më të lartë të republikës, në parlament.

• Mediat, e përmes tyre qytetarët, e kanë ditur kur ne shkojmë në takim, ku mbahet takimi dhe kur dalim nga takimi. Natyrisht ajo çka nuk kemi mundur të ofrojmë është transmetim direkt të negociatave për koalicionin, kjo pasi do të ishte kundër-produktive.

• Kemi ofruar transparencë të veprimeve tona për qytetarët për secilin veprim që kemi ndërmarrë. Çdo përpjekje e çdo lëvizje është ndarë me qytetarët.

• Kam theksuar që takimet nuk mund të jenë lajm, se vetëm rezultatet janë lajm. Se për pyetjet e vjetra nuk mund të kem përgjigje të reja, përderisa nuk ka marrëveshje.

• Kam publikuar emrat e ministrave tanë, të ministrave nga radhët e VETËVENDOSJE!-s që publiku ta dijë e t’i njohë paraprakisht.
Si rezultat i kësaj transparence, sot çdo qytetar e din se ku jemi dhe çfarë po ndodhë, prandaj edhe nuk kam shumë sekrete për të treguar sepse kërkesat tona i kemi bërë publike dhe kemi trajtuar kërkesat e partnerit në negociata me konfidencialitetin e duhur e të kërkuar.

Duhet t’i ruajmë nervat. Të punojmë e të angazhohemi, por me durim. Këto bisedime nuk janë të lehta. Edhe më të rënda na presin bisedimet në të ardhmen si qeveri me faktorë të ndryshëm.

Sigurisht që kemi mundur e është dashur të arrijmë marrëveshje deri më tash. Pasnesër bëhen 100 ditë prej zgjedhjeve të 6 tetorit. Mirëpo, prej këtyre 98 ditëve, për përbërjen e qeverisë ne kemi biseduar vetëm pas certifikimit të rezultateve. 52 ditë ne i kemi humbur, duke pritur a po ia kalojnë pragun një partie ndonëse e kemi ditur që kjo nuk luan fare rol në renditjen e subjekteve tona, se kjo nuk mund ta ndryshojë fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Së fundmi, unë jam ekspozuar dy herë në mënyrë të rrezikshme: me 26 dhjetor jam ekspozuar para dy milionë qytetarëve dhe gjithë deputetëve të Kuvendit, pa pasur marrëveshje me LDK-në; dhe, mandej në takimin te Presidenti sërish u detyrova të shkoj pa marrëveshje me LDK-në, por së paku kisha gjysmën e kabinetit tim të bërë publik.

Mirëpo, unë e di se ajo që ju jeni të interesuar sot është të dini se ku ndodhemi tash dhe çfarë na pret në ditët në vazhdim.

Në takimin e mbajtur të mërkuren, të dyja palët kemi bërë nga një propozim. Pra, kishte lëvizje. Të enjten, ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi bërë edhe dy propozime të reja. Për propozimin tonë të fundit na është thënë që do të trajtojnë në organet e tyre, meqenëse ky propozim ishte risi. Derisa nuk mund të flas se cila është përmbajtja e tij dhe çfarë do të bëjmë ne, pasi që kjo është pjesë e negociatave, unë mund të flas për atë se çka nuk do të bëjmë.

Ajo që ne nuk do të bëjmë është të kthehemi në kohë dhe të pretendojmë sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Gjërat kanë ndodhur, takimet dhe përpjekjet tona kanë ndodhur, ofertat tona kanë ndodhur, afatet kushtetuese kanë ndodhur, seanca konstituive e Kuvendit ka ndodhur. Pra, nuk mund të shtiremi se këto ngjarje e këto afate nuk kanë ndodhur e nuk i ka parë i gjithë populli.

Prandaj tash duhet të fokusohemi në të tashmen dhe çka mund të ndodhë, sepse çka duhet të bëjmë.

Është e vërtetë se jemi afruar, dhe po u afruam edhe pak, do të bëjmë marrëveshje. Vullnet e interes kemi, por garancion nuk mund të jap sepse nuk varet nga unë. Jam i gatshëm të takohemi përditë, edhe të mbyllemi në ndonjë vend derisa të merremi vesh, por këtë mund ta them për veten, jo për palën tjetër.
Është e mundshme që përveç popullit të fitojnë të dyja palët, të dy subjektet tona, Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Përveç qytetarëve, edhe të gjithë faktorët ndërkombëtarë e preferojnë koalicionin LVV-LDK.

Ajo që unë dua ta ritheksoj është se qytetarët me 6 tetor kanë votuar për ndryshim, jo për vazhdimësi dhe përsëritje, por për ndryshim.
Ajo që ne duhet të themi, e që nuk po e themi sa duhet, është se ne duhet të bëjmë të qartë se për çka qëndrojmë. Jo vetëm si liderë e si udhëheqës por edhe si qytetarë duhet ta bëjmë të qartë se ne nuk mund të kthehemi prapa, se ne nuk mund të bëjmë kompromis me të ardhmen dhe se asnjëherë nuk lodhemi e nuk do të lodhemi duke mbrojtur qëndrimet dhe parimet tona.

Ndryshimi me 6 tetor nuk ishte thjesht një fitore e një subjekti politik.

Të nesërmen me 7 tetor, qytetarët nuk thoshin se ka fituar Albini apo se ka fituar VETËVENDOSJE!-a, ata thoshin se më në fund fituam ne, pra fituam NE.

Ne, qytetarët e thjeshtë, pa biznese të mëdha, pa dajë të fortë, pa oligarkë mbrapa, pa media private, pa kontroll të shtetit e pa para të pista.

Ne, qytetarët të cilët kemi dijen dhe guximin, dinjitetin dhe integritetin, idealet dhe vetëbesimin por nuk fitonim dot në një shtet të kapur.

Gjyqtarët, prokurorët e policia mbeten ende të kapur nga politika, e politikanët ende të lidhur me krimin e korrupsionin. Vetëm tre ditë më parë, u shpall i zhdukur shoku i dhomës i Astrit Deharit duke na u rikujtuar se çfarë sistemi të drejtësisë kemi. Kurse, vetëm një javë më parë ju bë një shpërlarje speciale Klanit Pronto në gjykatë.

Punësimet e familjarëve në administratën e shtetit pa dije e pa dinjitet, duke përfshirë edhe sistemin tonë diplomatik nuk kanë pushuar, kurdisja e vjedhja nga tenderët e nga paraja publike nuk ka mbaruar.

Pra, le të mos harrojmë se në çfarë momenti ndodhemi. Ky është moment historik dhe definues i cili do të përcaktojë se çfarë republike dhe çfarë të ardhme do të ndërtojmë jo vetëm për veten por edhe për fëmijët tanë e brezat që vijnë pas nesh.

Fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me 6 tetor është fitorja e qytetarëve ndaj shtetit të kapur.
Por ne nuk e marrim fitoren me 6 tetor si të mirëqenë dhe të garantuar. Në VETËVENDOSJE!, më shumë se cilindo subjekt tjetër, e kuptojmë se sa e vështirë është rruga drejt fitores dhe drejt ndryshimit.

Prandaj lodhjen nga pritja dhe frustrimin nga vonesat le t’i kthejmë në kërkesa, jo për marrëveshje të shpejtë dhe me çdo kusht, por për marrëveshjen e drejtë që na duhet për të bërë ndryshimin që duam.

Do të bëjmë shumëçka që të arrijmë marrëveshje. Por, gjithnjë përbrenda kornizave të kushtetutës dhe ligjit, të demokracisë dhe të rendit republikan, të vullnetit të popullit të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Ju falemnderit.

Kontribo

13 01 2020

Homazhe për Rexhep Malën e Nuhi Berishën

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga Kryetari Kurti bën homazhe te varrezat e dëshmorëve në Gjilan me rastin e përvjetorit të vrasjes së dy dëshmorëve të kombit, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha si dhe vizituan kazermën e FSK-së që mban emrin e këtyre dy heronjve.

Po ashtu, Kyetari Kurti së bashku me deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe zyrtarë e aktivistë të Qendrës sonë në Gjilan bën vizitë edhe te familjet Mala e Berisha.

Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të kombit

Kontribo

08 01 2020

Mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot u mbajt mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nenit 84 pika 14 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 103/14, subjekti ynë do të bëjë propozimin për mandatarin për Kryeministër. Këtë propozim do t’ia dërgojmë me shkresë zyrtare Presidentit të Republikës në ditët në vijim.

Pas pranimit të shkresës sonë zyrtare, në respekt të Kushtetutës, Nenit 95 pika 1, dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese presim që Presidenti t’ia drejtojë Dekretin me propozimin tonë Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë kanë rifilluar bisedimet me drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës.

8 janar 2020
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

08 01 2020

Të lirohet Nezir Mehmetaj, të ndalet përndjekja e qytetarëve të Kosovës!

Lëvizja VETËVENDOSJE! po e përcjell me shqetësim arrestimin e Nezir Mehmetajt nga autoritetet serbe, në kufirin Serbi-Kosovë kur Neziri po kthehej në vendin e vet. Nezir Mehmetaj kishte qenë në Serbi për të shoqëruar nënën e tij në spital në Nish, e veç kur po kthehej bashkë me nënën, e arrestuan.

Nezir Mehmetaj jeton e punon prej shumë vitesh në Zvicër, e është qytetar i Kosovës.

Arrestimi i Nezir Mehmetajt tregon se Serbia vazhdon qëndrimin agresiv ndaj Kosovës, sa herë që ka mundësi. E kjo sjellje duhet të na bëjë të reflektojmë për dy gabime tonat, së pari që përmes pjesëmarrjes në marrëdhënie joreciproke e josimetrike me Serbinë, ne si Kosovë kemi kontribuar në normalizimin e imazhit të një vendi anormal, e së dyti, për gjendjen e mjerueshme të shëndetësisë në vendin tonë, ku edhe 20 vite pas lufte njerëzit detyrohen të shkojnë për vizita të specializuara në Beograd e Nish, duke marrë përsipër rreziqet e një vendi që zyrtarisht i diskriminon shqiptarët e Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! u bën thirrje institucioneve të Kosovës të angazhohen maksimalisht për lirimin e Nezir Mehmetajt. Ne solidarizohemi plotësisht me shqetësimin dhe tronditjen e familjarëve të tij, nga kjo sjellje hakmarrëse nga ana e shtetit që dikur na mbante të pushtuar e që na përndoqi me metoda gjenocidale. Qeveria e re duhet krijuar sa më shpejt edhe për ta ndryshuar këtë raport asimetrik dhe këtë pasivitet diplomatik, që po i lë qytetarët tanë nën kërcënim të vazhdueshëm.

Kontribo

08 01 2020

Vendimi i sotëm i Gjykatës është goditje e drejtpërdrejtë ndaj nevojës së qytetarëve për drejtësi e për institucione ligjore të paanshme.

Sot Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli një aktgjykimin lirues për rastin më flagrant e më të mediatizuar kriminal e korruptiv në Kosovën e pasluftës, të njohur si ”Afera Pronto”. Ky rast përfshinte elementë të rëndësishëm të partive në pushtet, si dhe zyrtarë me pozita të larta në ekzekutiv, ndërmarrje publike, e prokurori. Vendimi i sotëm është skandaloz. Dëshmi se gjykatat janë kapur nga ekzekutivi, dhe ekzekutivi është kapur nga një rrjet korruptiv i ngjashëm me mafian.

Vendimi i sotëm i Gjykatës është goditje e drejtpërdrejtë ndaj nevojës së qytetarëve për drejtësi e për institucione ligjore të paanshme. Për më keq dhe si për ironi arsyetimi i Gjykatës ishte se nuk kishte prova të mjaftueshme çka çoi në lirimin e protagonistëve të “Aferës Pronto”, mirëpo vetëm bisedat telefonike të publikuara, emrat e atyre që flasin, dhe temat e bisedave, janë dëshmi të pakontestueshme e prova të qarta se krimi e klientela po qeveris, dhe janë aty përbrenda institucioneve të drejtësisë.

Aty ku padrejtësia shpallet publikisht, nevoja për ndryshim është më e madhe se kurrë. Aty ku krimi sundon i pashqetësuar, zemrat e viktimave të padrejtësisë vlojnë. Lirimi i këtyre personave është dëshmia më e lartë se institucionet tona janë të kapura dhe është nevojë urgjente që të çlirohen. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka prioritet të saj luftën kundër kapjes së shtetit, gjë që do të zbatohet e do të jetë angazhim kryesor gjatë qeverisjes Kurti. Çlirimi i shtetit dhe institucioneve, dënimi i fajtorëve të pushtetshëm, do të sjellin në Kosovë drejtësi, zhvillim ekonomik, barazi e besim tek shteti e tek e ardhmja.

Raste të tilla shumë të rënda për vendin dhe shoqërinë po tregojnë ngutjen e kapësve të shtetit për t’i mbyllur çështjet me gjykatat para se të krijohen institucionet e reja. Por njëkohësisht këto raste gjykime skandaloze bëjnë edhe më e ngutshme konstituimin e qeverisë në mënyrë që shteti i së drejtës të fillojë së funksionuari dhe gjyqësori të çkapet, e jo të mbetët vetëm legjitimues i kriminelëve të cilët po vazhdon t’i certifikojë me vulën e pafajësisë si njerëzit më të ndershëm.

Kontribo

08 01 2020

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! urojnë një mbrëmje të gëzuar të ndërrimit të viteve për këdo që e lexon këtë mesazh.

Viti që po shkon pati gëzimet e trishtimet e veta. E përjetuam të gjithë dhimbjen për viktimat e tërmetit në Shqipëri, e menjëherë u organizuam për të ndihmuar me çka patëm mundësi. Rreth 400 tonë ndihma janë dërguar në vendet e prekura nga tërmeti dhe në kampet e strehimit. Shumë prej të pastrehëve i ndihmuam të strehohen në shtëpitë tona e ato të qytetarëve vullnetmirë. Për t’u përmendur është dhe Komuna e Prizrenit, e cila nën drejtimin e aktivistit Mytaher Haskuka, së bashku me shumë aktivistë të tjerë, vuri në dispozicion një kamp me kushte optimale për strehimin e qindra të prekurve nga tërmeti.

E momenti më sfidues i vitit, për ne si aktivistë, ishin zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit dhe fushata që u parapriu. Një fushatë e karakterizuar nga kontributi i madh vullnetar dhe aktivizmi, një fushatë me të cilën e çuam mesazhin dhe programin tonë në secilën lagje e fshat, duke fituar përkundër parashikimeve të sondazheve, shpenzimeve të milionave, cinizmit e sulmeve të porositura mediale, dhe blerjes së votave e influencës korruptive të forcave të vjetra. Ishte puna e të gjithëve ne, bashkuar me nevojën urgjente të popullit për ndryshim, që e prodhoi rezultatin e shkëlqyer të 6 tetorit, ku Lëvizja VETËVENDOSJE! fitoi me mbi 15.000 vota diferencë nga subjekti i dytë, duke i dhënë njeriut më të votuar në Kosovë, aktivistit Albin Kurti, mandatin për të krijuar qeverinë e ndryshimit e të zhvillimit.

Në vitin e ardhshëm zotohemi se modestia dhe puna pa mburrje e pa zhurmë do të jetë synimi ynë, kudo e sido që të ketë nevojë Lëvizja, shoqëria e kombi ynë.

Urojmë që ky vit t’u sjellë shëndet të sëmurëve, mirëqenie atyre që janë në situatë të vështirë ekonomike, afërsi atyre që kanë pritur me mall të shohin të dashurit e tyre që janë në mërgim, si dhe drejtësi, punë, dashuri e gëzim për të gjithë njerëzit.

Gëzuar Vitin e Ri 2020

Kontribo

08 01 2020

08 01 2020