28 10 2019

Drejtësi për Astritin

Sot, në Prishtinë, pranë objektit të “Kinemasë ABC”, ku gjendet edhe murali i aktivistit Astrit Dehari, u mbajt një aktivitet përkujtues për Astritit, ku u kërkua drejtësi për vrasjen makabre të tij në rrethana të panjohura në burgun e Prizrenit. Qindra qytetarë ndër të cilët edhe Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti ndezën qirinj dhe vendosën kurora lulesh në përkujtim të Astritit.

Në fjalën e saj të rastit aktivistja e shoqërisë civile dhe anëtarja e trupës koordinuese “Unë jam Astriti”, Jeta Berisha, duke kërkuar drejtësi për Astritin njoftoi për marshin protestues të 5 nëntorit që do të mbahet prej orës 12:00 te Sheshi “Skenderbeu” në kërkim të zbardhjes së kësaj vrasje.

Pasi falenderoi qytetarët që ju bashkuan këtij aktiviteti përkujtues, babai i Astritit, Avni Dehari, theksoi se me raportin e ekpertizës zvicerane është tejkaluar beteja e parë e përmbysjes së tentativës së institucioneve vrastare për ta nxjerr vdekjen e Astritit si vetvrasje. Tash është koha për betejën e dytë për t’i zbuluar kryerësit e kësaj vrasje dhe për ta ndriquar rastin deri në fund.

Drejtësi për Astritin.

Kontribo

28 10 2019

Takim me Kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) z. Mahir Yağcılar

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë z. Xhelal Sveçla priti në takim Kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) z. Mahir Yağcılar që njëherazi është edhe ministër në detyrë i Administratës Publike.

Nga z. Yagcilar pranuam urimet për fitoren e Lëvizjes në zgjedhjet e fundit dhe bashkëbiseduam për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë me theks të veçantë për reformat e brendshme që duhen bërë në administratën publike. Kryetari Kurti e njoftoi z.Yagcilar me prioritetet e qeverisë së re, për bashkëpunim dhe shtetndërtim demokratik që siguron si punësimin e drejtësinë ashtu edhe mirëqenien e integrimin për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Me z. Yağcılar folëm edhe për rolin e komunitetit turk në Kosovë dhe përfaqësimin e këtij komuniteti. Kryetari Kurti theksoi se zhvillimi ekonomik që krijon vende pune është çelës për përparimin si të individëve ashtu edhe të komuniteteve që jetojnë në Republikën tonë.

Në fund të këtij takimi, shprehëm gatishmërinë për ta vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin në të ardhmen.

Kontribo

28 10 2019

Do ta apelojmë në Gjykatë Supreme vendimin për mosnumërimin e votave të bashkatdhetarëve

Sot pranuam nga Paneli zgjedhor për ankesa dhe parashtresa vendimin e marrë nga gjyqtarët Fejzullah Rexhepi Kryesues, Nenad Llazic, Afjete Sada – Gllogjani, Kymete Kimete, Zyhdi Haziri, Rrustem Thaqi, Ferki Xhaferi, Faton Ademi dhe Adnan Konushevci, anëtarë, ku refuzohet si i pabazuar apeli i paraqitur nga Lëvizja VETËVENDOSJE! për numërimin e zarfeve me fletëvotime nga bashkatdhetarët tanë.

Ndonëse Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës i kërkonte PZAP ta merrte parasysh këtë të drejtë, sërish sot ky panel në mënyrë artificiale dhe në interpretim të ngushtë ia mohoi të drejtën për numërimin e votës qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta dërgojë në Gjykatën Supreme apelin sërish, duke pritur që kjo çështje të zgjidhet e të numërohen këto fletëvotime.

Bashkatdhetarët tanë nuk ia kanë borxh askujt këtë cenim të së drejtës së tyre bazike që buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe të drejtat ndërkombëtare në këtë sferë.

Kontribo

27 10 2019

Turneu memorial i futbollit “Astrit Dehari”

Me aktivistë e mbështetës nga të gjitha qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! organizuam për të dytin vit radhazi turneun e futbollit në nder të aktivistit tonë Astrit Dehari.

55 ekipe nga e gjithë Kosova dhe një ekip nga Shqipëria morën pjesë, ndërkaq fitues doli skuadra nga Qendra e Lipjanit.

Futbolli të kalitë së bashku me të barabartit e tu. Astriti e ka dashur futbollin dhe loja barazitare në skuadër e ngazëllente. Le të bëhemi gjithnjë e më të bashkuar, më të fortë dhe më të mirë me njëri-tjetrin, siç do të donte Astriti.

Kontribo

26 10 2019

Vizitë në panairin ndërkombëtar të Agrobiznesit dhe Ushqimit “AGROKOS” që po mbahet në Prishtinë.

Dje, Kryetari Kurti së bashku me një delegacion nga Lëvizja,VETËVENDOSJE!, z. Ismail Ferati, z. Namik Durmishi, z. Mergim Mestani, znj. Magbule Hyseni, z. Tahir Tahiri, z. Mufail Salihaj, z. Bashkim Demolli, z. Arsim Ademi dhe z. Fadil Sadikaj, vizituan panairin ndërkombëtar të Agrobiznesit dhe Ushqimit “AGROKOS” që po mbahet në Prishtinë.

Në këtë panair ku po marrin pjesë kompani dhe biznese nga bota, rajoni, dhe vendi, Kryetari Kurti së bashku me ekipin profesional nga Lëvizja u njoftuan për së afërmi me cilësinë e produkteve, kushtet e punës, si dhe me kërkesat që prodhuesit vendor dhe bizneset kanë për qeverinë e re.

Kompanitë vendore kërkuan lehtësira për të bërit biznes në Kosovë dhe shprehën nevojën që qeveria e ardhshme të angazhohet më shumë në aftësimin e fuqisë punëtore në vend, dhe në krijimin e kushteve më të përshtatshme për importimin e lëndës së parë për prodhim.

Kryetari Kurti i siguroi ata se me qeverinë e re dora e shtetit nuk do të jetë për ta penguar prodhimin vendor por për ta ndihmuar e mbrojtur atë, sepse vetëm kështu zhvillohet e përparon procesi i prodhimit, rritet ekonomia e punësimi si dhe zëvendësohet importi. Ai theksoi se me qeverinë e re do t’i kushtohet rëndësia e duhur bujqësisë, tokës, prodhimit, dhe lidhjes midis tyre në fabrikë, ashtu sikurse edhe lidhjes midis arsimit dhe ekonomisë, që do e largoj barrën e aftësimit të punëtorëve nga bizneset.

Kontribo

25 10 2019

Gjykata Supreme konfirmon të drejtën e mërgatës

Mijëra dërgesa me fletëvotime të bashkatdhetarëve të nisura brenda afatit dhe para datës së zgjedhjeve, e të cilat padrejtësisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i kishte shqyrtuar dhe numëruar, me vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme ato do të numërohen dhe do të bëhen pjesë e rezultatit të zgjedhjeve.

E drejta e votës si e drejtë kushtetuese, është e garantuar dhe nuk mund të mohohet me justifikime teknike që bien ndeshë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës. Andaj, Gjykata Supreme shmangi një padrejtësi të madhe, e konfirmoi një të drejtë kushtetuese të mijëra votuesve nga mërgata.

Kërkojmë që pa humbur kohë të fillojë shqyrtimi dhe numërimi i këtyre fletëvotimeve, që vullneti i votuesve nga mërgata të përfshihet në rezultatin përfundimtar.

Kontribo

25 10 2019

Takim me anëtarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) z. Fikrim Damka.

Kryetari Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes, z. Xhelal Sveçla, priti sot anëtarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) z. Fikrim Damka.

Me z. Damka biseduam për mbarëvajtjen dhe rezultatin e zgjedhjeve, planet e qeverisë së re dhe për mundësitë e një bashkëpunimi për shtetndërtim demokratik me progres shoqëror dhe ekonomik për vendin.

Kryetari Kurti e njoftoi z. Damka se prioritetet i qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i korrupsionit të lartë dhe politikat që zbusin pabarazinë në shoqëri. Kurti e siguroi se qeveria e re do t’i trajtojë të gjithë qytetarët e Republikës si të barabartë dhe do të punoj për zhvillimin dhe integrimin e të gjitha pakicave kombëtare në vend, pa bërë dallime.

Në fund të takimit, u shpreh gatishmëria për ta shtuar komunikimin dhe bashkëpunimin mes nesh në të ardhmen.

Kontribo

21 10 2019

Takim me ambasadorin italian z. Piero Cristoforo Sardi.

Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, priti sot në takim, ambasadorin italian z. Piero Cristoforo Sardi.

Z. Sardi përshëndeti mbarëvajtjen e rregullt të procesit zgjedhor duke vlerësuar pjesëmarrjen aq të madhe të qytetarëve në zgjedhjet demokratike në vend. Ai tha se, pas çertifikimit të rezultateve, është e rëndësishme të formohen institucionet dhe qeveria e re.

Z. Kurti e falënderoi ambasadorin Sardi për përkrahjen e deritanishme të Italisë ndaj Republikës së Kosovës dhe shprehu bindjen se me qeverinë e re bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të ndërtohet e avancohet tutje. Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin se prioritet i qeverisë së re do të jetë zvogëlimi i pushtetit për forcim të shtetit, drejtësia institucionale e ligjore dhe zhvillimi ekonomik e punësimi. Në këtë drejtim, tha ai, janë duke u zhvilluar bisedimet nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Lidhja Demokratike, që do t’i japin qeverinë e re Republikës. Për fund, z. Kurti foli edhe për parregullsitë dhe shkeljet gjatë procesit zgjedhor në komunat me shumicë serbe ku mungojnë sundimi i ligjit, pluralizmi politik e demokracia.

Në mbyllje të takimit, u shpreh interesimi për kontakte të vazhdueshme dhe takime bashkëpunuese në të ardhmen.

Kontribo

20 10 2019

Vizitë në Zyrën për Punë të Jashtme të Qeverisë Britanike.

Sot pasdite kryetari Albin Kurti i shoqëruar nga deputetet Fitore Pacolli dhe Saranda Bogujevci vizituan Zyrën për Punë Jashtme të Qeverisë Britanike.

Kryetari Kurti u prit nga z. Andrew Page, kryesuesi i Departamentit për Ballkanin Perëndimor, znj. Lamce Domm, nënkryetare e departamentit për Ballkanin Perëndimor, znj. Catherine Barnes, kryesuese e sektorit për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, znj. Helen Walker, kryesuese e sektorit për Serbi dhe Mal të Zi, znj. Lisa Farrington zyrtare përgjegjëse për Serbi, znj. Elise Nelson zyrtare përgjegjëse për Kosovë, znj. Rachel Chetham, kryesuese e zyrës për Siguri dhe Luftimin e Krimit të Organizuar, znj. Gemma Warren, kryesuese e sektorit për marrëdhenie të jashtme dhe shumëpalëshe.

Z. Page shprehu interesim të kuptojë prioritetet e qeverisë së ardhshme dhe për mënyrat e bashkëpunimit dhe përkrahjes që mund të na ofroj Britania e Madhe në realizimin e tyre. Kryetari Kurti prezantoi zotimet dhe hapat e menjëhershëm që do të ndërmarrë qeveria e re duke veçuar reformën në sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në sistemin e edukimit dhe ndërlidhjen e arsimit me ekonominë, kthimin e trurit, dhe themelimin e fondit sovran e të bankës për zhvillimore në vend.

Z. Page deklaroi se është i gatshëm të thellojë bashkëpunimin me qeverinë e re dhe të ndihmojë e të ofrojë ekspertizën e Britanisë në fushën e drejtësisë, në veçanti në fushën e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, në fushën e reformimit të kurikulave dhe përmirësimin e edukimit primar dhe sekondar.

Kontribo

19 10 2019

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vizitë dyditore në Britani të Madhe.

Dje në Parlamentin Britanik në Londër u shtrua një darkë nga ana e Grupit të Miqësisë me Kosovën, John Grogan, deputet i Partisë Laburiste dhe Martin Vickers, deputet i Partisë Konservatore, për nder të kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti dhe të deputeteve Fitore Pacolli dhe Saranda Bogujevci.

Në darkë morën pjesë edhe Alex Sobel, deputet i Partisë Laburiste, Nick Dakin, deputet i Partisë Laburiste, Earl of Sandwich John Montag dhe Lordi Dykes. Në një atmosferë të ngrohtë e miqësore u shkëmbyen mendime e ide rreth situatës socio-ekonomike, politike e rajonale, si dhe për prioritetet e qeverisë Kurti.

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vazhdon me vizitën dyditore në Britani të Madhe.

Kontribo

17 10 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE! ushtroi ankesë në PZAP

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! ushtroi ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me mosnumërimin në Qendrën e Numërimit të Rezultateve të 4639 të dërgesave postare me fletëvotime të ardhura nga mërgata.

Mbrëmë u numëruan 13 491 fletëvotime të votuesve nga mërgata. Presim që PZAP, të marrë vendim brenda afateve ligjore dhe të urdhëroj KQZ-në, shërbimin për votimin jashtë vendit, që pa vonesë të procedojë për numërim të gjitha fletëvotimet e ardhura nga mërgata jonë.

Arsyetimet procedurale që artificialisht po i mbivendosen vullnetit të lirë të zgjedhësve nga mërgata e cenojnë demokracinë. Andaj ato fletëvotime duhet të numërohen.

Kontribo

16 10 2019

Festa e fitores

Qindra aktivistë, anëtarë e simpatizantë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! u mblodhën mbrëmë në festën e fitores. Vullneti i fuqishëm, puna e përkushtimi i jashtëzakonshëm i të rejave dhe të rinjve, grave dhe burrave sollën ndryshimin për Republikën. Pa këtë lloj aktivizmi fitorja do të ishte e pamundur. Teksa një numër i madh i qyetarëve po festonin, një numër tjetër i konsiderueshëm dhe më ndërrime po mbronin votën e qyetarëve në Qendrën e Numërimit. Deri në çertifikimin e rezultateve në të cilën kohë po thellohet edhe më shumë diferenca e Lëvizjes me subjektet e tjera ne po bëjmë përgatitjet maksimale për një qeverisje ndryshe, me mendësi të re dhe për të gjithë.

Urime!

Kontribo

15 10 2019

Takim me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, z. Qemal Minxhozi.

Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, mirëpriti sot në zyrën e tij, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, z. Qemal Minxhozi.

Z. Minxhozi e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për organizimin e fushatës që arriti t’i adresojë me sukses brengat e qytetarëve të Republikës. Ai përshëndeti daljen e madhe të qytetarëve në këto zgjedhje që tregoi pjekuri e vendosmëri për ndryshime.

Z. Kurti e falënderoi ambasadorin Minxhozi për urimin dhe e njoftoi atë për nismat që do t’i ndërmarrë qeveria e re në funksion të sovranizimit, zhvillimit dhe bashkëpunimit të Kosovës e Shqipërisë. Ne do të angazhohemi, tha ai, që në të ardhmen të kemi komisione të përbashkëta qeveritare sa i përket politikës së jashtme, burimeve natyrore dhe mbrojtjes e sigurisë. E, po ashtu, edhe një regjistër të përbashkët të bizneseve e për një regjistër të përbashkët civil, për sistem unik doganor, për një sistem të integruar elektro-energjetik dhe për një treg të përbashkët. 50 marrëveshjet e nënshkruara mes shteteve tona nuk do të mbesin në letër por do të zbatohen.

Kontribo

15 10 2019

Takim me një delegacion nga Lugina

Dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, mirëpriti një delegacion nga Lugina të kryesuar nga Kryetari i Komunës së Preshevës, z. Shqiprim Arifi, Nënkryetari i kësaj komune, z. Armend Aliu, Kryetari i Degës së Alternativës për Ndryshim – Dega Bujanoc, z. Arbër Pajaziti dhe Shefi i Zyrës për të Rinj në Preshevë, z. Altin Boriçi.

Z. Shqiprim Arifi e uroi Kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e drejtë dhe të rregullt të gjithë procesit. Pjesëmarrja kaq e madhe e qytetarëve të Republikës së Kosovës në këto zgjedhje tregon se interesimi për politikën dhe besimi për ndryshime janë në rritje dhe se kjo është një gjë e mirë si për Kosovën ashtu edhe për gjithë shqiptarët.

Kryetari Kurti i falënderoi për vizitën dhe urimet. Ai tha se Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të angazhohen më shumë për shqiptarët, e bashkarisht të bëjnë më shumë për ta, sidomos në Luginë, me qëllim që të rritet punësimi e të bie emigrimi, të shtohet cilësia në arsim e të realizohen të drejtat kombëtare e njerëzore.

Fitorja e Lëvizjes i ka dhënë një kuptim përpjekjeve historike të shqiptarëve për një politikë barazimtare me dinjitet dhe kjo tashmë po ndihet gjithandej.

Kontribo

14 10 2019

Takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Nicholas Abbott dhe Kryesuesin e Departamentit Politik në Ambasadën Britanike, z. Samuel Paice.

Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë znj. Fitore Pacolli, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Nicholas Abbott dhe Kryesuesin e Departamentit Politik në Ambasadën Britanike, z. Samuel Paice.

Z. Nicholas Abbott e uroi Kryetarin Kurti për suksesin zgjedhor. Ai tha se Mbretëria e Bashkuar do ta vazhdojë përkrahjen për Republikën e Kosovës. Përveç luftimit të korrupsionit, nevojitet edhe përqendrimi i mëtejshëm edhe në krijimin e kushteve të reja për investime dhe mundësi për të rinjtë në vend.

Z. Kurti e falënderoi ambasadorin Abbott për përkrahjen e deritanishme të Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehu bindjen se me qeverinë e re bashkëpunimi mes dy vendeve tona vetëm sa do të thellohet. Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin se prioritet i qeverisë së re do të jetë zvogëlimi i pushtetit për forcim të shtetit, drejtësia institucionale e ligjore dhe zhvillimi ekonomik e punësimi. Sa i përket procesit zgjedhor, ai tha se nevojitet adresimi i parregullsive dhe shkeljeve që e përcollën atë në komunat me shumicë serbe si dhe fillimi i dialogut nga poshtë me serbët lokal që jetojnë në Kosovë.

Kontribo

14 10 2019

Takim me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Çağrı Sakar.

Sot, në zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë së Lëvizjes, znj. Arbërie Nagavci, pritën në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Çağrı Sakar.

Z. Çağrı Sakar e uroi Kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ai tha se mbështetja e Turqisë do të vazhdojë dhe se me rëndësi është të zhvillohet një partneritet mes dy vendeve tona sidomos në fushën e ekonomisë dhe shëndetësisë. Turqia po ashtu do ta ndihmojë dhe e përkrahë anëtarësimin e Republikës tonë në NATO dhe organizmat tjerë ndërkombëtarë.

Nga ana e tij, Kryetari Kurti e falënderoi ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë, duke shprehë besimin se partneriteti mes republikave tona do të përparojë me qeverinë e re të Kosovës. Shqiptarët në Turqi mund të jenë një urë e fuqishme për bashkëpunim ekonomik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë dhe me qeverinë e re do të shtrohet mundësia që kjo të ndodhë. Gjithashtu, në aspektin e shëndetësisë mund të bëhen përmirësime të ndjeshme, si dhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë që do e forconte aleancën mes dy shteteve tona.

Në mbyllje të takimit u shpreh gatishmëria për ta vazhduar si komunikimin ashtu edhe bashkëpunimin mes nesh.

Kontribo

14 10 2019

MBËSHTETJE PËR KANDIDATËT SHQIPTARË NË ZGJEDHJET E 20 TETORIT NË ZVICËR

Më 20 tetor 2019, në Zvicër do të mbahen zgjedhjet parlamentare në nivelin federal. Diaspora shqiptare atje është e madhe në numër, e suksesshme në angazhimet e saj dhe e fuqishme ekonomikisht. Interesat dhe të drejtat e shqiptarëve në Zvicër duhet të përfaqësohen sa më shumë edhe në nivelin institucional. Bashkatdhetarët tanë tanimë janë më të organizuar se më parë dhe po marrin pjesë në garë për këto zgjedhje.

Nëpërmjet kësaj letre publike, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet kandidatët shqiptarë në Zvicër, të cilët garojnë në zgjedhjet parlamentare në nivelin federal, të cilat mbahen më 20 tetor, 2019.

Disa nga këta kandidatë janë:

1. Shëndrit Sadiku, i cili garon në Kantonin Schaffhausen nëpërmjet Partisë Socialiste të Zvicrës

2. Ylfete Fanaj, e cila garon në Kantonin Luzern nëpërmjet Partisë Socialistë të Zvicrës

3. Arbër Bullakaj, i cili garon në Kantonin St.Gallen nëpërmjet Partisë Socialistë të Zvicrës

4. Islam Aliaj, i cili garon në Kantonin Zürich nëpërmjet Partisë Socialistë të Zvicrës

Gjithashtu, nëpërmjet kësaj letre, Lëivzja VETËVENDOSJE! mbështet të gjithë kandidatët shqiptarë, në të gjitha subjektet politike të cilat përpiqen për politika progresive dhe në të mirë të mërgatës shqiptare, dhe nxitë shqiptarët në Zvicër dhe veçanërisht strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! atje, që të angazhohen në fushatat zgjedhore të të gjithë kandidatëve shqiptarë.

Këto zgjedhje janë mundësia e diasporës tonë që të krijojë hapësirë për përparimin e të drejtave dhe interesave të kombit shqiptarë në Zvicër dhe më gjerë.

Kontribo

10 10 2019

Çmimi Nobel për Peter Handken është fyerje për viktimat e shovinizmit serb.

Akademia Suedeze vendosi që për vitin 2019 çmimi Nobel t’i shkojë shkrimtarit austriak Peter Handke. Justifikimi i vendimit që ka marrë akademia ka qenë tërësisht letrar, mirëpo letërsia ka një autor, të cilit i jepet çmimi. E ky autor, Peter Handke, ka qenë mbështetësi më i famshëm i spastruesit etnik, Millosheviqit, gjatë kohës kur elitat ndërkombëtare të kulturës, e më pas edhe ato të politikës, u distancuan dhe e dënuan politikën e tij gjenocidale.

Ç’prej 1996 Handke u angazhua me publicistikë në mbështetje të veprimeve kriminale të Serbisë në Bosnjë, duke u përpjekur të mohojë gjenocidin në Srebrenicë, ku humbën jetën mijëra të pafajshëm. E në 1999, kur miliona shqiptarë ishin përzënë nga shtëpitë e tyre dhe nga vendi i tyre, Handke doli në përkrahje të Millosheviqit. Në 2006, kur kryeshovinisti serb vdiq i padënuar kurrë, në burgun e Hagës, shkrimtari austriak mori pjesë në ceremoninë funerale, ku mbajti një fjalim lavdërues për Millosheviqin para dhjetëra mijëra adhuruesve të atij krimineli.

Për kujtesën e viktimave të dhunës serbe në Kosovë, për mbi 12.000 të vrarët gjatë luftës, për mbi 20.000 gra, burra e fëmijë të dhunuar seksualisht, për njerëzit të cilët vuajtën dhe ende vuajnë traumën e pësuar, për familjarët e mbi 1600 personave ende të pagjetur, ky çmim i dhënë nga Akademia Suedeze për Peter Handken është fyerje e rëndë. Plagët ende të pambyllura, dhembin e djegin. Nuk është letërsi e mirë, nuk është letrar i mirë, ai që i bashkohet dhunës së luftës, ai që poshtëron e fyen viktimat.

Lëvizja VETËVENDOSJE! zyrtarisht proteston ndaj dhënies së këtij çmimi për këtë autor.

Kontribo

10 10 2019

Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, priti sot në takim ambasadorin zviceran, z. Jean-Hubert Lebet.

Z. Jean Hubert Lebet e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për fushatën që adresoi me sukses shqetësimet e qytetarëve.

Kryetari Kurti e njoftoi se prioritet i qeverisë së re do të jetë shtetndërtimi demokratik me sundim të ligjit e luftim të korrupsionit, zhvillimi ekonomik për punësim dhe ndryshimet aq të nevojshme në shëndetësi, arsim, e kujdes për ata që kanë më së shumti nevojë.

Në mbyllje të takimit, u shpreh interesimi për kontakte dhe takime bashkëpunuese në të ardhmen.

Kontribo

08 10 2019

Takim me Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, z.Philip S. Kosnett

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, sot priti në takim Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, shkëlqesinë e tij, z.Philip S. Kosnett, shoqëruar nga këshilltarja politike, znj.Jessica Long dhe zyrtarja politike, znj.Mia Ter Har.

Në një takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve. Ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë, dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

Nga ana e tij, kryetari Kurti e siguroi z.Kosnett se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë.

Kryetari Albin Kurti tha se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me z.Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj.

Në fund të takimit, të dy palët shprehën interesimin për komunikim të vazhdueshëm e takime të mëtutjeshme.

Kontribo

04 10 2019

Mërgata arrin në Kosovë për ndryshimin e shumëpritur.

Sot pritëm shumë mërgimtarë entuziastë të sapoardhur në Kosovë nga ShBA-të, Anglia, Gjermania, Zvicra e Austria, për tubimin e fundit të madh sonte e për votimin, fitorën e festën e së dielës. Mijëra të tjerë në kufij, në ajër e në nisje drejt vendit i përshëndetëm dhe i uruam rrugë të mbarë për në atdhe.
Mërgata e ka mbështetur gjithmonë ndryshimin dhe Lëvizjen tonë. Madje edhe paqen sociale e mbijetesën në Kosovë e kemi vetëm falë remitancave të tyre.

Megjithatë, të dielën mërgata do të votojë për më shumë se paqe e mbijetesë, do të votojë për ardhjen e barazisë, drejtësisë e zhvillimit në Kosovë. Varfëria, papunësia e mungesa e të ardhmes i detyroi të fluturojnë nëpër botë, angazhimi i Lëvizjes po i ngazëllen të fluturojnë prapa në shtëpi për të mundësuar vendin që patën ëndërruar e e lëshuar.

Mërgata jonë është vula e fitorës sonë. Me mërgatën dhe me qeverinë Kurti e ardhmja do të jetë e ndritur e me plot mundësi për rikthimin e investimin e tyre.

Kontribo