05 12 2019

Kryetari i Grupit të EPP-së, z. Manfred Weber pritet në vizitë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! z. Albin Kurti, së bashku me deputetët z. Glauk Konjufca dhe znj. Fitore Pacolli, priti në takim një delegacion nga BE-ja, të kryesuar nga Kryetari i Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, z. Manfred Weber, i cili ishte i shoqëruar nga nënkryetari i tij dhe deputeti i PE-së, z. Andrey Kovatchev, asistentja e tij, Nina Tavcar, Shefja e Misionit të BE-së në Kosovë, znj. Natalia Apostolova dhe Zëvendës Shefi i kësaj zyre, z. Riccardo Serri.

Z. Weber e uroi Kryetarin Kurti për fitoren e zgjedhjeve të fundit. Ai u interesua për rezultatin e bisedimeve me Lidhjen Demokratike, dhe theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga zhvillimet e fundit ku disa shtete shprehën qëndrime të caktuara për hapjen e negociatave është rajon me prioritet të lartë për BE-në.

Kryetari Kurti u pajtua me Z. Weber sa i përket integrimit të këtij rajoni në BE, dhe e përsëriti qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për nevojën e integrimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në të njëjtën kohë dhe sa më parë që të jetë e mundur. Tutje, Kurti e njoftoi atë edhe me prioritetet e qeverisë së re, ku rol qendror ka luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë dhe krijimi i vendeve te reja të punës. Me mbështetjen e biznesit të vogël dhe të mesëm dhe me investime nga jashtë e sidomos nga diaspora, me sistemin dual të arsimit që e zvogëlon hendekun e shkathtësive, edhe do ta përparojmë Kosovën përbrenda, edhe do të avansojmë drejt BE-së, tha Kurti.

Në fund të takimit, palët u dakorduan ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin në të ardhmen.

Kontribo

05 12 2019

Takim me Presidentin e Federatës për Paqe Universale, Dr. Katsumi Otsuka.

Sot, Kryetari Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes, z. Hydajet Hyseni, anëtaren e Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë, znj. Tropikë Agaj dhe z. Ismail Kurteshi, pritën në takim Presidentin e Federatës për Paqe Universale, Dr. Katsumi Otsuka, i cili ishte i shoqëruar nga Gani Roshi dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Në këtë takim miqësor, z. Otsuka e uroi Kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe shprehu dëshirën e tij që bisedimet rreth formimit të qeverisë së re të përfundojnë sa më parë, në mënyrë që edhe ndryshimi të ndodhë sa më shpejtë. Ai tha se organizata e tij me kënaqësi do ta mbështes kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij, si në aspektin e politikës së jashtme me mundësi për të siguruar njohje të reja, po ashtu edhe në zhvillimin ekonomik përmes kontakteve me investitorët e huaj.

Kryetari Kurti e falënderoi z. Otsuka për urimin dhe mbështetjen. Ai e njoftoi atë se prioritet i qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional si dhe zbutja e pabarazisë e varfërisë në shoqëri përmes politikave sociale. Kryetari Kurti foli edhe për marrëdhëniet e shteteve në Ballkan dhe rëndësinë e integrimeve evropiane dhe të sigurisë euro-atlantike.

Kontribo

05 12 2019

Lëvizja më e fortë se kurrë në mërgatë.

Këtë fundjavë, më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, patëm takimin e përbashkët vjetor me Qendrat tona në mërgatë, dhe ku ishin pjesëmarrës delegatë nga 9 prej Qendrave tona. Takimin e parë e mbajtëm në Koln të Gjermanisë, me nikoqirë aktivistët tanë në Qendrën tonë atje, udhëhequr nga kryetari Salih Abazi dhe sekretarja Sabile Aliu. Ndërsa, të deleguar nga Kryesia e Lëvizjes ishin Sekretarja Organizative Vlora Haxhimehmedi dhe anëtarët e Kryesisë, Fitore Pacolli dhe Xhelal Sveçla dhe aktivisti Edison Jakurti.

Takimi filloi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit në Shqipëri duke u zotuar se Lëvizja në vazhdimësi do t’i qëndrojë pranë Shqipërisë dhe popullit atje.

Pas prezentimit të sukseseve dhe angazhimeve të 9 delegacioneve nga Qendrat dhe 4 Grupeve Punuese të shteteve tjera, u vazhdua me planet për organizimin sa më të mirë dhe shtrirjen e Lëvizjes në mërgatë. Marrë parasysh edhe mbështetjen masive të mërgatës në zgjedhjet e fundit, u konkludua se potenciali i angazhimit të mërgatës në zhvillimet në Kosovë është jashtëzakonisht i madh.

Gjatë takimit patëm po ashtu punëtori për organizimin e mërgatës dhe shtrirjen në mërgatë, planifikimin e aktiviteteve për vitin 2020, si dhe diskutime për programin tonë për mërgatën, në veçanti Projektligjin për Diasporën, për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë dhe për investimet e mërgatës në Kosovë.

Mërgata, si pjesë integrale e atdheut, do të jetë e domosdoshme për shtetndërtimin në Kosovë në mandatet e ardhshme të Qeverisë Kurti. Qendrat tona në mërgatë do të shërbejnë si urë lidhëse mes mërgimtarëve profesionistë dhe qeverisë Kurti.

Ashtu siç i bashkoi ky takim shqiptarët e të gjitha trojeve tona, ashtu të bashkuar do të vazhdojmë të veprojmë në të mirën e kombit.

Kontribo

05 12 2019

Vizitë në Forumin Kosovar të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Dje, në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga kryetari z. Albin Kurti, nënkryetarja znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku, deputetët e Lëvizjes znj. Fitore Pacolli dhe z. Arben Vitia bashkë me nënkryetaren e Qendrës së Prishtinës znj. Hatixhe Hoxha dhe asamblisten e Kuvendit Komunal të Prishtinës znj. Leonora Shabani Bajraktari takoi Forumin Kosovar të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Kryetari i Forumit, z. Bujar Kadriu e falenderoi Kryetarin Kurti për vizitën dhe e njoftoi atë me punën dhe shqetësimet me të cilat ballafaqohet Forumi Kosovar për Persona me Aftësi të Kufizuara. Ai tha se ligji për persona me aftësi të kufizuara ka kohë që ka ngecur dhe nuk po zbatohet, dhe se pret nga qeveria e re të jetë më aktive në mbikëqyrjen e zbatimit të tij. Z. Kadriu shprehu bindjen se me qeverinë Kurti do të tejkalohen sfidat me të cilat përballet ky komunitet.

Anëtarët e këtij Forumi, shoqatat dhe organizatat që janë pjesë e tij, na njoftuan me kërkesat që ata kanë për qeverinë e re, e që janë: Fuqizimi i Këshillit Nacional për PAK, i cili në qeverisjen e kaluar nuk është mbledhur asnjëherë, e që do të duhej të mblidhej të paktën dy ose tre herë në vit dhe procedimin e draft ligjit për PAK. Tutje, ata na kujtuan se ligji për punësimin e PAK zbatohet pak dhe që dy urdhëresa administrative nuk zbatohen dhe që nuk ndahet asnjë gjobë për këto shkelje.

Kryetari Kurti tha se qeveria e re do të ndihmojë në krijimin e kushteve të përshtatshme që PAK të organizohet sa më mirë dhe të ketë sa më shumë aktivitete. Ai tha se ligjet që sigurojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara duhet të zbatohen në praktikë e jo të mbesin në letër. Transporti publik, rrugët e ndërtesat duhet të ofrojnë qarkullim dhe qasje të lehtë e të papengueshme për persona me aftësi të kufizuara. Punët infrastrukturore publike duhet t’i plotësojnë këto standarde, tha ai. Po ashtu qasja në arsim, në shërbime shëndetësore dhe në punësim duhet të t’iu ofrohet në formën më të lehtësuar. Pa diskriminim e pa dallim do ta rrisim barazinë dhe do ta lehtësojmë integrimin e secilit në shoqëri.

Kontribo

05 12 2019

Mbledhja e parë e Grupit të ri Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Nën kryesimin e kryetarit, Albin Kurti, sot u mbajt mbledhja e parë e Grupit të ri Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Me këtë rast u shpreh urimi i fitores të gjithë deputetëve si grupi më i madh parlamentar në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.

Pjesë e diskutimit të mbledhjes ishte edhe procesi negociator për krijimin e qeverisë, me ç’rast kryetari Kurti i njoftoi deputetët me arritjet dhe sfidat për krijimin e koalicionit të ri qeverisës.

3 dhjetor 2019
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

02 12 2019

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, vizituan Kampin ku po qëndrojnë 440 familje të prekura nga tërmeti.

Lajmet nga zona e Durrësit nuk po bëhen më të mira. Fatkeqësisht lëkundjet nuk po pushojnë megjithëse në shkallë më të ulët. Trishtimin po përpiqemi ta përballojmë në bashkësi, ndërkohë që solidariteti pa kursim na ka dhënë një forcë të madhe se bashkë mund t’ja dalim. Dikush dhuron veshmbathje, dikush bën punë vullnetare, disa sjellin ushqim falas e shumë të tjerë i kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për strehim. Kjo është vlera e bashkësisë, këto janë vlerat tona.

Sot një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i prirë nga Kryetari Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, deputetët Artan Abrashi, Yllza Hoti, Arbër Rexhaj, Salih Zyba e aktivistët Drita Millaku, Faruk Dakaj e Karanfil Haxhillari vizituan Kampin ku po qëndrojnë 440 familje të prekura nga tërmeti. Vendosëm të mos bëjmë fotografi në këtë aktivitet, për të ruajtur privatësinë e të strehuarve në kamp. Por, ne pamë që gjithçka po funksiononte në përpikëri: mjekët po bënin kontrollat sistematike për trajtimin e infeksioneve të lehta, atyre kronike e deri te sëmundjet akute; psikologët të gatshëm për trajtimin e të traumatizuarve; vullnetarët ishin duke i seleksionuar të gjitha ndihmat, nga ato higjenike te veshmbathjet, nga dyshekët te batanijet. Të gjitha nevojat elementare janë duke u plotësuar. Ndonëse çdo ditë ushqimi është duke u shtruar nga humanitarë zemërgjerë, në hapësirat e Kampit shpejt do të hapet edhe kuzhina ku do të gatuhet ushqim i freskët për refugjatët. Ish-hapësira e KFOR-it gjerman, sot Park Inovativ, edhe pse nuk mund ta ketë ngrohtësinë e shtëpisë, po ia del mbanë që mërzinë ta zbus. Në emër të organizatës sonë, i falënderojmë të gjithë për punën që po e bëjnë.

Shteti i Kosovës, Qeveria jonë, i tërë populli ynë kurrë nuk e lë vetëm Shqipërinë. Çfarë ndodhi nuk mund të zhbëhet, por jeta duhet të triumfojë. Këto ditë pikëllimin po e kthejmë në forcë. Ne jemi një komb dhe nuk jemi mysafir te njëri-tjetri, Kosova është shtëpia e juaj sepse kombi shqiptar është streha jonë.

Kontribo

02 12 2019

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vizitoi Policinë e Kosovës, përkatësisht sektorin që merret me dhunën në familje.

Në kuadër të fushatës “16 ditë aktivizëm kundër dhunës në baza gjinore”, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE vizitoi Policinë e Kosovës, përkatësisht sektorin që merret me dhunën në familje.

Anëtarët e Kryesisë Albulena Haxhiu dhe Kreshnik Ahmeti, drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste Nazlie Bala dhe aktivistja Rinë Zhitia diskutuan nga afër në lidhje me përkushtimin e institucioneve tona të sigurisë në zbatimin e ligjit dhe parandalimin e dhunës mbi baza gjinore.

Qeverisja e re do të ketë fokus jo vetëm zbatimin e ligjit, por edhe zhdukjen e pabarazisë dhe dhunën sistemike që gratë përjetojnë në shoqëri. Ne do të fokusohemi që të zhdukim shkaqet e dhunës në mënyrë që të mos përballemi më si shoqëri me raste të tilla.

Kontribo

02 12 2019

Takohen kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Sot në orën 13:00, në Kuvendin e Kosovës, u takuan kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Në këtë takim u përmbyll 100% harmonizimi i programit qeverisës duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura. Nga dy modalitetet e ndryshme për kabinetin qeverisës me 12 ministri, që i kishin ofruar ekipet punuese të dy subjekteve tona, Kurti dhe Mustafa u përcaktuan për verzionin e parë. Në vijim do të përzgjedhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët, për çfarë u sqaruan pozicionet dhe kërkesat. Pra, u hap tema dhe u saktësua principi i zgjidhjes, e që përfundimisht do të përmbyllet të hënën me marrëveshje.

Kontribo

29 11 2019

Lëvizja ka qenë dhe do të jetë gjithnjë e gatshme për shqiptarët! Procesi i dërgimit të ndihmave “Dhimbjet i përballojmë bashkë”

Një tjetër varg automjetesh me ndihma të mbledhura e dërguara nga Lëvizja VETËVENDOSJE! sapo ka kaluar kufirin e Morinës dhe ka hyrë në Shqipëri. Dy maune, një kamion, tre furgona dhe një autoveturë, ngarkuar me 44 ton ushqime, veshmbathje, artikuj higjienikë, shtretër, ndërresa për foshnje, e batanije. Bashkë me konvojin, njësoj si në herët e tjera, janë edhe një skuadër aktivistësh të cilët do të kryejnë edhe shkarkimin e ndihmave, që të lehtësojnë punën e atyre që po merren me koordinimin e pranimit të ndihmave në Shqipëri.

Aktivistët gjatë këtyre ditëve janë vendosur në shërbim të ndihmës për bashkëkombasit tanë. Lëvizja ka qenë dhe do të jetë gjithnjë e gatshme për shqiptarët!

Kontribo

29 11 2019

Homazhe për Monin dhe Arbenin, Arbënorin dhe Astritin.

Arbenin, Monin, Astritin e Arbënorin i kemi patur shokë dhe aktivistë të zemrës, por me humbjen e tyre ata janë bërë pjesë edhe më e madhe e jona. Për ta jeta e humbet kuptimin pa drejtësi e barazi. E kemi detyrë e dëshirë të vazhdojmë të mendojmë e veprojmë njëjtë derisa sa drejtësia dhe barazia të jenë pjesë e jetës për shqiptarët, kështu vazhdojmë t’i mbajmë në mesin tonë e të mbahemi në ta.

Kontribo

29 11 2019

Homazhe në Prekaz.

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i prirë nga Kryetari Albin Kurti, deputetët dhe aktivistët e Lëvizjes, kryen homazhe sot në Prekaz tek varrezat e familjes Jashari në nderim të veprës dhe sakrificës së kësaj familje dhe luftës së UÇK-së për liri të Kosovës.

Pas homazheve, Kryetari Albin Kurti tha se 28 Nëntori është festa që na bashkon e që kësaj radhe na bashkoi edhe kundrejt një fatkeqësie tragjike si kjo në zonën e Durrësit që na tronditi të gjithëve, e të cilën po e përballojmë duke u solidarizuar e qëndruar bashkë.

Kontribo

29 11 2019

28 Nëntor – Homazhe te busti i Ismail Qemalit.

Sot, në shënimin e datës që na kujton ndjenjën e përbashkët të krenarisë dhe përgjegjësisë, ditën e flamurit dhe të shpalljes së pavarësisë, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, së bashku me deputetët, anëtarët e kryesisë dhe aktivistët e Lëvizjes bëri homazhe te busti i Ismail Qemalit në Prishtinë.

Kontribo

29 11 2019

Pas certifikimit, populli i Kosovës po pret që t’ia nisim punës.

U bë certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019. Komisioni Qendror Zgjedhor shpalli Lëvizjen VETËVENDOSJE! subjektin fitues, subjektin e parë, me 221.001 vota, dhe, grupin më të madh parlamentar në Kuvend në legjislaturën e shtatë.

Falënderojmë të gjithë votuesit për besimin te ne, shprehur në 6 tetor. Mirënjohje edhe për komisionerët e vëzhguesit e angazhuar në këtë proces zgjedhjesh, numërimesh e rinumërimesh që zgjati kaq shumë, po ashtu edhe për aktivistët e vullnetarët që ndihmuan gjatë gjithë fushatës e më pas.

Grupi ynë parlamentar do të jetë më i madhi, me 30 deputetë. 29 prej tyre vijnë nga lista e Lëvizjes, 1 nga IRDK që na u bashkua rishtas.

Në grupin tonë parlamentar do të jenë 10 deputete, të cilat e kanë fituar që të gjitha mandatin e tyre pa ndihmën e kuotave gjinore, dhe kjo është hera e parë që ndodh kësisoj me një grup parlamentar në Kosovë.

Këto zgjedhje janë karakterizuar nga gara e kandidatëve për kryeministra, si kurrë më parë. Këtë garë e ka fituar Albin Kurti. Madje për herë të dytë. Në vitin 2017 Albin Kurti ka marrë 143.621 vota, ndërsa kësaj radhe është votuar nga 183.952 persona, duke u bërë përfaqësuesi politik më i votuar në Kosovë qysh prej kur ka filluar aplikimi i sistemit zgjedhor me lista të hapura.

Qeveria e ardhshme e LVV dhe e LDK tashmë e ka shumicën e nevojshme në parlamentin e Kosovës. Mëngjesi i të hënës duhet të na gjejë me marrëveshje të koalicionit qeverisës.

Populli i Kosovës po pret që t’ia nisim punës.

Kontribo

28 11 2019

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, mori pjesë në varrimin e vëllezërve Shemsedin dhe Isah Abazi

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, sot qëndroi në fshatin Livoç të Epërm të Gjilanit, ku mori pjesë në varrimin e vëllezërve Shemsedin dhe Isah Abazi, të cilët humbën jetën tragjikisht në Durrës ku ishin duke punuar, nga tërmeti shkatërrues i cili e goditi këtë zonë.

Me këtë rast Kryetari, Albin Kurti, mbajti një fjalë rasti ku tha:

“Jemi mbledhur këtu sot, për t’ia thënë lamtumirën e fundit Shemsedinit dhe Isahut, këtyre dy punëtorëve të mëdhenj, këtyre dy njerëzve të ndershëm, këtyre dy qytetarëve të Gjilanit e banorëve të Livoçit të Epërm, të cilët udhëtuan larg për të siguruar ekzistencën për familjen e tyre. Ishin përplot gjallëri, por ja që një ditë nuk na u kthyen të gjallë.

Shemsedini ka lënë katër fëmijë, e Isahu dy, këtu me neve është edhe djali i Shemsedinit, Besimi, që mban emrin e axhës së tij, që po ashtu prehet këtu i vrarë para katërmbëdhjetë vitesh. E ne si shoqëri, si institucione e si shtet, ne si qeveri kemi për obligim që t’i ndihmojmë e ta përkrahim këtë familje që përjetoi këtë fatkeqësi tragjike që duhet ta ndajmë bashkë të gjithë ne.

Në traditën e në kulturën tonë shqiptare e kemi bashkësinë, edhe në gëzim edhe në hidhërim, i kemi edhe dasmat i kemi edhe vdekjet e të pamet. Në dasma duke e ndarë gëzimin e rrisim gëzimin, në vdekje e të pame duke e ndarë hidhërimin e zvogëlojmë atë.

Le t’i qëndrojmë pranë kësaj familje, që i humbi dy më të dashurit e saj, dhe le të bëhemi ne anëtarë të kësaj familje duke u solidarizuar me ta dhe duke iu shprehur njëherazi ngushëllim edhe për këta dy djem por edhe për gjithë të tjerët rreth 40 sosh që deri në këto momente u konstatuan se vdiqën nën gërmadhat e tërmetit tronditës në zonën e Durrësit.

Besimi është në klasë të gjashtë, por ndonëse fëmijë i vogël ky do të bëhet një burrë i madh. Ne do të jemi këtu që ta mbështesim, edhe për Besimin e për fëmijët tjerë të Kosovës që janë të varfër. Mërzinë e kemi të pashmangshme por edhe duke u mërzitur nuk mund të ndryshojmë diçka, andaj, ju faleminderit shumë që keni ardhur në numër kaq të madh dhe keni treguar që ata që kanë nevoja më të mëdha do të jemi pranë tyre për t’iu ndihmuar më së pari. Shemsedini dhe Isahu u prehshin të qetë, dhe i lehtë u qoftë dheu i Kosovës.”

Kontribo

27 11 2019

Thirrje për krijim të shtabeve emergjente

Gjatë këtyre dy ditëve kemi parë një mobilizim të madh të shoqërisë për të ndihmuar bashkëkombasit tanë të prekur nga termeti në Shqipëri.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka nisur një konvoj mbrëmë, kurse sot do të niset dhe i dyti.

Përveç kësaj ne i bëjmë thirrje Agjensisë për Menaxhimin e Krizave, por edhe komunave të Kosovës, në veçanti drejtoritë për mirëqenie sociale, të vendosen në shërbim të ndihmës për krizën në Shqipëri, permes krijimit të shtabeve emergjente, me fokus të veçantë krijimin dhe organizimin e hapësirave për pranimin e njerëzve të prekur nga termetet dhe identifikimin e nevojave tjera.

Po ashtu, i bëjmë thirrje shtetit shqiptar që të pezullojë traun dhe taksën në “Rrugën e Kombit” në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i njerëzve dhe transporti i ndihmave.

27 nëntor 2019
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

27 11 2019

Procesi i dërgimit të ndihmave “Dhimbjet i përballojmë bashkë”

Sot, në orën 02:00 në mëngjes, konvoji prej 17 makinave të ndryshme, përfshirë edhe një autoambulancë, me 51 ton ndihma ka arritur në Durrës. Shpërndarja e ketyre ndihmave po vazhdon edhe në këto momente.

Ky ishte konvoji i parë i këtij lloji, ndërkaq që ndihmat tjera të cilat janë mbledhur gjatë natës dhe po vazhdojnë të sillen nga qytetarë të shumtë gjatë gjithë kohës në të gjitha Qendrat Lëvizjes VETËVENDOSJE!, do të transportohen sot. Nisja do të bëhet në ora 15:00, nga Prizreni, ku do të jetë pika e takimit e konvojeve me ndihma nga Qendrat tjera.

Kontribo

27 11 2019

Mbledhja e ndihmave për familjet e prekura nga tërmetet në Shqipëri

Mbledhja e ndihmave për familjet e prekura nga tërmetet në Shqipëri

Tërmetet e mbrëmshme në Shqipëri kanë tronditur vendin. Me ngushëllimet për të gjithë familjet e viktimave dhe në mbështetje të të lënduarve e familjeve të mbetura pa strehë, po mobilizohemi për të ndihmuar.

Lëvizja VETËVENDOSJE! organizon tri pika grumbullimi, në zyrat tona në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë, për grumbullimin e ndihmave siç janë ushqimi i paketuar, rrobat të ngrohta për çfarëdo moshe, batanije e shtroje, shatorë, dyshekë, barna (paracetamol dhe vitamina).

Pas grumbullimit do të transportohen në Shqipëri në koordinimet me Emergjencat Civile.

Ju jemi shumë mirënjohës për të gjitha ndihmat dhe prej këtij çasti mund të lajmëroheni për t’i dorëzuar ndihmat tuaja.

Pikat grumbulluese: Në të gjitha zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpër Kosovë.

Kontribo

27 11 2019

Emërimet antikushtetuese në AKI – pazar i PAN-it të vjetër

Emërimet antikushtetuese në AKI – pazar i PAN-it të vjetër

Sot u njoftuam nga mediet për pazarin e ri të Thaçit e Haradinajt në kurriz të shtetit.

Sa më shumë afrohet dita e largimit të PAN-it nga pushteti, aq më shumë po dalin në pah fijet që i mbajnë lidhur. Thaçi e mori drejtorin e AKI-së e Haradinaj e mori kryeinspektorin.

Propozimi nga Haradinaj dhe dekretimi nga Thaçi për të dy këto pozicione është përveç të tjerave dhe antikushtetues. Në dy drejtime, sepse ish-kryeministri s’mund ta ushtrojë këtë kompetencë e Presidenti s’mund të dekretojë propozime nga një ish-kryeministër.

Propozimet janë po ashtu emërime politike. I pari, ish-vartës i Hashim Thaçit në MPJ, u emërua si drejtor i AKI-së pasi që dështoi t’i mbrojë numrat e Z-mobile nga pozitat e drejtorit të bordit të ARKEP-it. I dyti u emërua kryeinspektor pasi dështoi të bëhej deputet i AAK-së, i cili mbahet mend për ankesat e tij rreth vjedhjes së votave që iu bënë nga brenda subjektit të tij. Duket se ky emërim ishte dhe rehatimi i tij.

Sigurisht që me t’u konstituuar institucionet ky vendim antikushtetues do të adresohet për këtë shkelje të rëndë e paprecedent.

Ditët e abuzimeve të PAN-it kanë mbaruar, po ashtu edhe mundësitë e tyre për ta rrënuar më tej rendin kushtetues.

Kontribo

27 11 2019

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vizituan Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë

Sot, në ditën ndërkombëtare për luftën kundër dhunës ndaj grave, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga deputetët Albulena Haxhiu dhe Arben Vitia dhe aktivistja Albesa Avdijaj vizituan Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, në të cilën ofrohet strehim për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës. Delegacioni i Lëvizjes gjatë vizitës u njoftua për problemet që ka kjo strehimore, e cila mungesë të vëmendjes nga qeveritë e deritanishme ballafaqohet me telashe të mëdha, që nga buxheti i pamjaftushëm e deri te mungesa e infrastrukturës.

Sot, në ditën ndërkombëtare për eleminimin e dhunës ndaj gruas, sikur edhe çdo ditë tjetër, ne duhet denoncuar pakompromis dhunën, shfrytëzimin e shtypjen sistematike që bëhet kundrejt grave e fëmijëve. Veçanërisht ndaj atyre kategorive më të margjinalizuara si pasojë e statusit të tyre ekonomik e social. Lëvizja VETËVENDOSJE! në vazhdimësi është angazhuar me problemin e dhunës ndaj grave e fëmijëve, posaçërisht është angazhuar për ndarje të buxhetit e insuticionalizim të strehimoreve gjithandej nëpër Kosovë.

Duke e njohur burimin e dhunës dhe format e manifestimit të saj, qeveria e ardhëshme do të ndërhyjë shpejtë dhe drejtë, në parandalim, trajtim dhe integrim të viktimave të dhunës në shoqëri. Bashkë me qeverinë e re do të sjellim edhe një mendësi e qasje të re në trajtimin e këtyre problemeve, me ç’rast angazhimi për eleminimin e të gjitha formave të dhunës do të jetë prioriteti ynë.

Kontribo

27 11 2019

Gjykata Supreme të vendos për numërimin e pakove me vota nga diaspora

Për sa kohë që vazhdonte rinumërimi dhe ende pa u shpallur rezultatet, kemi kuptuar që në adresë të KQZ-së kanë arritur edhe 392 pako me fletëvotime të bashkatdhetarëve me të drejtë vote.

Gjykata Supreme, në frymë dhe përmbajtje në dy raste të mëparshme ka konfirmuar të drejtën e votuesve nga mërgata që fletëvotimet e tyre të dërguara me kohë dhe para datës së zgjedhjeve, të numërohen dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar.

Aktgjykimet e Gjykatës Supreme do të duhej të shërbenin si bazë e mjaftueshme që KQZ të bëjë edhe numërimin e këtyre 392 pakove, por pas refuzimit për t’i numëruar dhe refuzimit nga ana e PZAP-së për të urdhëruar KQZ-në, çështjen e kemi adresuar në Gjykatën Supreme.

E drejta e votës si e drejtë kushtetuese dhe universale, duhet të mbrohet dhe të respektohet. Ndërsa çdo votë e ardhur në adresë të KQZ-së dhe e nisur nga votues të regjistruar dhe brenda afatit, duhet të numërohet dhe të përfshihet në rezultatin përfundimtar.

Shumë shpesh disa palë të përfshira në proces kanë pretenduar se ankesat po e vonojnë çertifikimin. Ju kujtojmë se faktori kryesor që ka shkaktuar këtë stërzgjatje të kalendarit të aktiviteteve të KQZ-së është Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ka një numër të konsiderueshëm të vendimeve arbitrare të këtij institucioni, të rinumërimeve, ndërhyrjes në rezultat. Dhe ajo çfarë është më arbitrare, është mosrespektimi i aktgjykimeve të Gjykatës Supreme lidhur me votat e mërgatës. Në kushte normale, do të kishte mjaftuar vetëm një vendim i Gjykatës Supreme, që për të gjitha rastet e njëjta të vendosjes në analogji nga ana e KQZ-së dhe PZAP-së.

Presim, që Gjykata Supreme të rikonfirmojë edhe njëherë këtë të drejtë dhe të urdhërojë numërimin e tyre pa humbur kohë.

Kontribo

25 11 2019

Takim me Kryetarin e Partisë së Aksionit Demokratik të Sanxhakut (SDA Sanxhak), Dr. Sylejman Uglaninin

Sot, në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Kurti, së bashku me Nënkryetaren znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku, anëtarët e kryesisë së Lëvizjes, z. Xhelal Sveçla dhe Hydajet Hyseni, priti në takim Kryetarin e Partisë së Aksionit Demokratik të Sanxhakut (SDA Sanxhak), Dr. Sylejman Uglaninin, i cili ishte i shoqëruar nga Nënkryetari i kësaj partie z. Salih Hoti, Sekretari i Përgjithshëm z. Ahmedin Shkrijel, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Nacional të Boshnjakëve z. Mirza Hajdinoviq dhe Kryetari i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, z. Ismet Azizi.

Në këtë takim miqësor, z. Uglanin e uroi kryetarin Kurti për zgjedhjet demokratike dhe fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ai shprehu dëshirën e tij që institucionet, qeveria e re të formohet sa më shpejtë në mënyrë që edhe ndryshimi për të cilin kanë votuar qytetarët e Republikës së Kosovës të vihet në jetë sa më parë.

Z. Kurti e falënderoi kryetarin z. Uglanin për urimin dhe vizitën dhe e njoftoi atë me situatën politike në Kosovë, në prag të formimit të institucioneve të reja si dhe me prioritetet e qeverisë së re. Punësimi dhe drejtësia për të gjithë dhe pa dallime janë dy synimet kryesore që i lidhin njerëzit dhe e përparojnë vendin, tha kryetari Kurti.

Z. Uglanin e njoftoi kryetarin Kurti për kërkesën për status special për Sanxhakun. Mes tjerash, në këtë takim u diskutua edhe për gjendjen në Sanxhak, për pozitën e shqiptarëve dhe boshnjakëve atje, si dhe për aspiratat e tyre për punë e zhvillim drejt një jete të dinjitetshme e pa diskriminim nga Beogradi. Kryetari Kurti dhe z. Uglanin u pajtuan që dëbimi dhe krimet ndaj komuniteteve joserbe në Sanxhak duhet të grumbullohen e të paraqitën botërisht në mënyrë që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën por edhe të detyrohet ta ndalë diskriminimin.

Në fund të takimit, shprehëm dëshirën për kontakte dhe takime në të ardhmen.

Kontribo