25 11 2019

Nga tryeza: “Mbështetja dhe fuqizimi i organizimit sindikal”

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit dhe fitores së VETËVENDOSJE!-s, do e kemi në qeverisje subjektin e parë socialdemokrat në Republikën e Kosovës që edhe si pjesë të programit të saj e ka mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të punëtorëve, tha drejtuesi i SMJ-së në Lëvizje, z. Kreshnik Ahmeti, i cili edhe ndihmoi në organizimin e këtij bashkëbisedimi të parë mes kryeministrit të ardhshëm, z. Albin Kurti dhe përfaqësuesve të sindikatave të punëtorëve, ku u shpalosen problematikat, shkeljet dhe propozimet konkrete për t’i kaluar ato e mbrojtur punëtorët.

Kryetari Kurti tha se qeveria e ardhshme do të punoj në forcimin e sindikatave për shkak se ashtu mbrohen më së miri të drejtat e punëtorëve nga arbitrariteti i punëdhënësit. Ndër veprimet e para të qeverisë së ardhshme ai tha se do të jetë sundimi dhe respektimi i ligjit, rritja e inspektorëve të punës dhe krijimi i Gjykatës së Punës që trajton si shkeljet e mëdha po ashtu edhe ato të vogla që duhet të gjykohen e dënohen.

Kurti foli edhe për Kontratën Kolektive dhe Pagën Minimale.

Ai tha se qeveria e re do ta mbështes kontratën kolektive, por theksoi se duhet synuar që ato kontrata të jenë sektoriale dhe pjesë përbërëse e kontratave të punës. Negocimi i tyre nga sindikatat duhet të jetë shkallor dhe sektorial në mënyrë që të jetë i drejtë dhe fer.

Për pagën minimale, ai kujtoi se është e domosdoshme që shteti të mos rrijë si spektator por të ndërhyjë dhe të rregullojë tregun e punës. Paga minimale është tejet e rëndësishme dhe ajo duhet të përcaktohet pas një studimi të tregut që do të mundësonte edhe një kategorizim më të lehtë të nivelit dhe konsultim të të gjitha palëve.

“Paga minimale duhet të përcaktohet për numrin e orëve, duhet të jetë në harmoni me kontratën kolektive dhe me ligjin e punës dhe duhet të mbrojë edhe dinjitetin e punëtorit por edhe produktivitetin në punë.”

“Vendimi i ri duhet të jetë i qartë, i detajuar dhe i saktë. Ai duhet të definojë saktë se çka është paga minimale, si kalkulohet dhe si do të ndryshojë. Ne besojmë se vendimi duhet të marrë për bazë orët në punë e jo ditët e muajt dhe duhet të synohet që paga minimale të rregullohet për sektorë të ndryshëm.”

Qeveria duhet që para vendimit të ofrojë një studim të qëndrueshëm me përfshirje të Këshillit Ekonomiko Social, sindikatat, shoqërinë civile, studiuesit dhe grupet e interesit. Pra një dialog social duhet të i paraprijë vendimit dhe ky dialog duhet të jetë shkencor dhe shterues, tha kryetari në fund të fjalës së tij, për ta hapur më pas diskutimin.

Përfaqësuesit e sindikatave që morën fjalën në këtë bashkëbisedim shtruan problemet që lidhen me mungesën e ligjeve, moszbatimin e ligjit të punës, mungesën e kontratave, orët e punës pa pagesë, mungesën e pushimeve, dallimet në paga, mosrespektim e marrëveshjeve me punëtorët dhe sindikatat, problemet në sektorin privat, kërcënimet e shantazhet nga pushtetit si dhe vdekjen e punëtorëve në vendin e punës. Për këto dhe shumë çështje të tjera, ata shtruan edhe propozimet konkrete duke shprehur njëherazi edhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me qeverinë e re në drejtim të përmirësimit dhe përparimit të të drejtave të punëtorëve.

Para se t’i lexoj përfundimet nga ky dialog i parë shoqëror me sindikatat – për të cilin një pjesëmarrës tha se është i pari në Kosovën e pasluftës, kryetari Kurti tha se me 6 tetor është hapur mundësia për mundësitë e reja për ndryshime në të gjitha fushat e jetës, dhe që kjo duhet e do të shfrytëzohet në mënyrë aktive për të mirë.

Pesë përfundimet nga bashkëbisedimi

1. Punëtori duhet të mbrohet përmes bashkimit dhe organizimit të fortë sindikal, përfshirë këtu rishikimin e ligjit mbi organizimin sindikal. Përmes Gjykatës së Punës, përmes zbatimit të vendimeve të gjykatave dhe përmes respektimit dhe zbatimit të ligjeve, posaçërisht të ligjit të punës.

2. Studim shkencor dhe dialog social për rritjen e pagës minimale, përkatësisht shkallëve dhe llojeve të rritjes.

3. Është konstatuar nevoja për ligje të reja. Për transmetuesin publik, për shërbimin korrektues, për pensionet, për organizimin sindikal etj., pa u kufizuar në këto. Pra, duhet të fillojmë të shkruajmë ligje të reja, bashkë me sindikatat.

4. Njoftim e vetëdijesim i punëtorëve për të drejtat e tyre dhe kontratat e tyre të punës. Sepse, ka punëtorë që nuk e kanë parë fare kontratën e tyre të punës dhe që nuk i dinë të drejtat e tyre. Kur e njoftojmë dhe e vetëdisojmë punëtorin për të drejtat që i ka – e aktivizojmë atë, dhe një punëtorë aktiv i ndihmon edhe sindikatat.

5. Studim e trajtim mbi mangësitë dhe pasojat e ligjit të ri të pagave që ka lënë shumë të pakënaqur me pabarazitë e ndryshme. Pra, natyrisht që në Kosovë ka inflacion, natyrisht që nevojat e shoqërisë vijnë duke u shtuar, natyrisht që pagat duhet të rriten, por kjo duhet të balancohet në njërën anë me mundësitë dhe në anën tjetër me kujdesin që mos të krijojmë pabarazi shtesë siç është bërë më herët ku për punën e njëjtë ka pasur pagesa të ndryshme.

“Tek ne do e keni partnerin dhe aleatin për probleme që janë të përbashkëta”, tha në fund, kryeministri i ardhshëm z. Kurti.

Kontribo

22 11 2019

Takim me bashkëpunëtorin e programit për Politikë të Jashtme në Institutin Brookings, njëherit anëtarin e Bordit Këshillimor të Nivelit të Lartë për Ndërmjetësim pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Jean-Marie Guéhenno

Kryetari i Lëvizjes z. Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë, znj. Fitore Pacolli, priti sot në takim bashkëpunëtorin e programit për Politikë të Jashtme në Institutin Brookings, njëherit anëtarin e Bordit Këshillimor të Nivelit të Lartë për Ndërmjetësim pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Jean-Marie Guéhenno, të shoqëruar nga z. Mark Baskin dhe z. Cristian Bobocea nga Qendra Humanitare për Dialog (HD).

Z. Guéhenno e uroi kryetarin Kurti për procesin dhe rezultatin zgjedhor. Ai shprehu interesimin për ecurinë e bisedimeve rreth formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, dhe për prioritetet e qeverisë së re, pjesën që ka të bëjë me dialogun me Serbinë për të cilën edhe tha se do ta ofroj mbështetjen përbrenda qasjes që do e ndërtoj qeveria e re e vendit.

Kryetari e falënderoi z. Guéhenno për vizitën dhe urimin. Ai e njoftoi atë se rreth 80 për qind e programit qeverisës tashmë është harmonizuar me Lidhjen Demokratike dhe që tani ka mbetur vetëm ndarja e përgjegjësive, funksioneve e pozitave që pritet të ndodhë shumë shpejtë. Ai tha se prioritet i qeverisë do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës dhe drejtësia ku aktivisht luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivele të larta shtetërore. Kurti foli për krijimin e Gjykatës Komerciale, Bankën Zhvillimore dhe Fondit Sovran që së bashku me investimet nga jashtë, e para së gjithash nga diaspora do e shtrojnë rrugën e zhvillimit që sjellë punësim e mirëqenie për qytetarët e vendit. Sa i përket dialogut, Kryetari përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë marrëveshje pa dialog, as dialog me harta dhe as marrëveshje ku presidentët qëndrojnë sipër hartave në tryezë. Vetëm një dialog i përgatitur mirë dhe parimor ku qytetarët dhe shoqëria janë përfituesit kryesorë sjell një marrëveshje të qëndrueshme, tha ai.

Në fund të këtij takimi, palët shprehen gatishmërinë dhe interesimin e tyre për ta vazhduar komunikimin në të ardhmen.

Kontribo

22 11 2019

Vizitë në SOS fshatin në lagjen Velania në Prishtinë.

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga deputetët Saranda Bogujevci dhe Arben Vitia, asambleistja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Leonora Bajraktari, si dhe aktivistja Shkurte Aliu, sot, me rastin e ditës ndërkombëtare të fëmijëve, vizituan SOS fshatin në lagjen Velania në Prishtinë. Me këtë rast ata u interesuan dhe panë kushtet e punës dhe ambientet ku jetojnë fëmijët në këtë institucion për përkujdesjen e tyre.

Nga ana e tyre, drejtoria dhe punëtorët e këtij institucioni kërkuan mbështetje si nga institucionet qendrore ashtu edhe nga ato lokale, që kjo qendër të ketë qëndrueshmëri më të madhe.

Posaçërisht u përmend nevoja për rregullim të infrastrukturës ligjore në mënyrë që të lehtësohet puna dhe të rritet kujdesi për këtë kategori të fëmijëve.

20 nëntor 2019
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

22 11 2019

Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, së bashku me anëtarët e Kryesisë sonë, znj. Albulena Haxhiu dhe z. Xhelal Sveçla u pritën nga Ministri i Mbrojtjes së Italisë, z. Lorenzo Guerini

Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, së bashku me anëtarët e Kryesisë sonë, znj. Albulena Haxhiu dhe z. Xhelal Sveçla u pritën nga Ministri i Mbrojtjes së Italisë, z. Lorenzo Guerini dhe ambasadori i Italisë në Kosovë Piero Cristoforo Sardi.

Në një atmsoferë miqësore z. Guerini e uroi Lëvizjen VETËVENDOSJE! për rezultatin dhe fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit. Njëherit z. Kurti e njoftoi ministrin mbi prioritetet e Qeverisë në ardhje për ndërtimin e një shteti të së drejtës, të barabartë në mirëqenie e të qëndrueshëm financiarisht. Sepse, populli vendosi që mbaroi pritja e gjatë për një qeveri të pakorruptuar dhe punëtore.

Shprehëm falenderimin dhe mirënjohjen tonë për përkrahjen dhe ndihmën e Italisë për Kosovën për paqe, zhvillim, demokratizim e siguri. Italia është edhe fqinji më i madh i Ballkanit perëndimor.

Bashkëpunimi ynë do të jetë i afërt dhe i sinqertë, si bilateral ashtu edhe për BE e NATO. Prandaj edhe takimet tona do të jenë sa më të shpeshta e sa më konstruktive.

Kontribo

21 11 2019

Fjala e Kryetarit Albin Kurti në tryezën: “Mbështetja dhe fuqizimi i organizimit sindikal”.

Mirëdita të gjithëve dhe ju falemnderit shumë që i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës sonë për këtë tryezë shumë të rëndësishme. Roli dhe rëndësia e sindikatave në Kosovë duhet të rritet, ky është qëndrim i yni themelor.

Organizimi sindikal

Në një shtet të mirëqenies sociale sindikatat dhe shteti janë partnerë për të rritur mirëqenien dhe standardin jetësor të punëtorit dhe jo konkurrente me njëra-tjetrën.

Negociatat e sindikatave duhet të ndodhin për bindjen tonë në nivel industrial e sektorial jo vetëm me shtetin dhe përmes shtetit sepse kjo edhe ngapak i ka pasivizuar sindikatat.

Ne duam që sindikatat të forcohen sepse të drejtat e punëtorëve mbrohen më së miri kur sindikatat janë të fuqishme e sindikatat e fuqishme i mbrojnë punëtoret nga arbitrariteti i punëdhënësit, duke përfshirë edhe shtetin si punëdhënës.

Kontratat në vendin e punës, respektimi i orarit, paga minimale, pushimi dhe të drejtat tjera duhet të garantohen nga shteti por duhet të mbrohen së bashku me sindikatat. Punëtorët janë më të fortë kur sindikatat janë më të organizuara.

Ka disa veprime që do të ndërmarrin në këtë drejtim e që do të lehtësojnë dhe fuqizojnë punën e sindikatave.

Ekonomia formale që synon të sjellë punëdhënësit dhe punëtorët brenda ligjit, rritja e inspektorëve të punës dhe krijimi i Gjykatës së Punës do jenë hapa që do të mbrojnë punëtorët dhe fuqizojnë sindikatat.

Kontrata kolektive

Ne mbështesim kontratën kolektive si kontratë mes punëdhënësve dhe punëtorëve që rregullon të drejtat dhe obligimet. Në kontratën e tanishme kolektive, pjesëmarrës dhe garantues i saj është edhe qeveria e Kosovës dhe ky është model i mirë, por prezenca e shtetit nuk duhet të dobësojë rolin dhe fuqinë e sindikatave, pra, një model ku sindikatat dhe punëdhënësit rregullojnë të drejtat dhe obligimet pa prezencën e shtetit si ndërmjetësues është po ashtu e favorshme.

Duhet synuar që kontratat kolektive të jenë sektoriale gjithashtu dhe të jenë pjesë përbërëse e kontratave të punës. Negocimi nga sindikatat duhet të jetë shkallor dhe sektorial në mënyrë që të jetë i drejtë dhe fer. Shembuj për këtë organizim janë vendet nordike të cilat kanë edhe një nivel të lartë të mirëqenies.

Tregu i punës, duke përfshirë ligjin e punës duhet të jetë i rregulluar ashtu që promovon kurdo dhe kudo të drejtat e punëtorëve dhe fuqizon sindikatat.

Gjykata e punës

Do të themelojmë Gjykatën e Punës për trajtim të kontesteve punëdhënës-punëmarrës sepse shkeljet e mëdha meritojnë gjykim e dënim por edhe shkeljet e vogla nuk duhet neglizhuar dhe duhet trajtuar. Kur kemi reagim të duhur për shkeljet e vogla, parandalohen edhe të mëdhatë.

Paga minimale

Progresi jonë shoqëror matet jo me rrogën dhe jetën që bëjnë biznesmenët dhe qeveritarët, por me jetën dhe standardin jetësor që bënë qytetari jonë më i varfër.

Vendimi për pagën minimale është vendim që merret për të mbrojtur pjesën më të ndjeshme të shoqërisë që jetojnë në minimum të të ardhurave.

Do të ishte e dëshirueshme që punëdhënësit së bashku me sindikatat të negocionin dhe të vendosnin për pagën minimale bazuar në produktivitetin e sektorit, në kërkesat e punëtorëve për të siguruar një jetë normale dhe në dijen, njohuritë dhe përvojën e punëtorëve.

Por kjo është larg realitetit. Nëse dilni dhe pyesni qytetarët se si paguhen dhe si punojnë ata sot, të shumtë janë ata që tregojnë që punojnë pa kontrata, pa sigurim shëndetësor pa kujdes nga shteti dhe pa dinjitet.

Në mungesë të një roli më vendimtar të sindikatave dhe në mungesë të një vullneti të punëdhënësve për të trajtuar me dinjitet punëtorët, është e domosdoshme që shteti të mos rrijë si spektator por të ndërhyjë dhe të rregullojë tregun e punës.

I tillë është edhe vendimi për pagën minimale i cili qëllim ka të garantoj një minimum të të ardhurave për punëtorët në mënyrë që të sigurohet një standard më i mirë jetësor.

Por sado i rëndësishëm të jetë ky vendim, e që është shumë i rëndësishëm, nuk mundet të merret me lehtësi pa një studim të mirë të tregut për të caktuar nivelin e kësaj page dhe pa një kategorizim që mundëson konsultimin e të gjitha grupeve të interesuara.

Së bashku me vendimin duhet të analizohet edhe zbatimi i tij i deritashëm sepse kur shteti nuk funksionon, ligjet dhe vendimet janë të kota. Sot, në shumë kantiere ndërtimi punëtorët kanë paga të ulëta, orë të gjata të punës dhe u mungon siguria minimale sepse mekanizmat zbatues nuk funksionojnë.

Me 60 inspektorë të punës nuk mund të mbikëqyren e inspektohen ndërtimet e punimet në 38 komuna, ky numër i inspektorëve është i vogël edhe për Prishtinën se lëre më për Kosovën.

Prandaj edhe vendimi për pagën minimale duhet të jetë i tërësishëm dhe nuk mund të merret pa një proces të shqyrtimit të gjendjes në teren, konsultimit të grupeve shoqërore që preken direkt nga ky vendim dhe pa analizimin e mekanizmave për zbatimin e këtij vendimi.

Vendimi duhet të ulë nivelin e varfërisë dhe të ngushtojë hendekun në të ardhura, sidomos për ata që jetojnë me minimum të të ardhurave.

Në vitin 2011 paga minimale u pat vendosur pa një proces konsultues dhe pa një studim të mirëfilltë e në formë të fushatës elektorale.

Sot nuk mund të bëhet prapë gabimi i njëjtë dhe askush nuk duhet të shënojë poena politik duke luajtur me dinjitetin e punëtorëve.

Së pari, vendimi i atëhershëm ishte dhe mbetet diskriminues në bazë të moshës e që ka lejuar eksploatimin e forcës së re punëtore. Pastaj, është vendim që nuk përcakton se si është kalkuluar saktë paga mujore. A janë përdorur ditët, orët apo thjeshtë muaji, sepse paga minimale mujore nuk mund të jetë e njëjtë nëse punëtori punon 10 e deri 13 orë në ditë e çdo ditë sikurse kur punon 8 orë në ditë dhe 5 ditë në javë.

Edhe vendimi që tash propozohet nuk ka një qartësi të tillë. Paga minimale duhet të përcaktohet për numrin e orëve, duhet të jetë në harmoni me kontratën kolektive dhe me ligjin e punës dhe duhet të mbrojë edhe dinjitetin e punëtorit por edhe produktivitetin në punë.

Prandaj vendimi, në dukje i thjeshtë, është më kompleks nëse vërtetë duam që ai të jetë i drejtë.

Vendimi i ri duhet të jetë i qartë, i detajuar dhe i saktë. Ai duhet të definojë saktë se çka është paga minimale, si kalkulohet dhe si do të ndryshojë. Ne besojmë se vendimi duhet të marrë për bazë orët në punë e jo ditët e muajt dhe duhet të synohet që paga minimale të rregullohet për sektorë të ndryshëm.

Kriteret për ndryshimin e saj nuk duhet në asnjë variant të varen nga një vendim politik por nga ndryshimi i faktorëve të përcaktimit të pagës minimale.

Paga minimale nuk duhet të mbysë produktivitetin në sektorin privat, andaj ngritja e saj duhet të jetë e ndërlidhur me rritjen e pagës mesatare në sektorin privat dhe me lëvizjen e kostos të shportës familjare.

Duhet synuar paga minimale sektoriale. Nuk mundet që paga minimale për një inxhinier ndërtimi të jetë ekuivalente me pagën e një punëtori të ndërtimit, apo paga minimale për infermierin të jetë e njëjtë me kirurgun. Pastaj paga minimale duhet të marrë parasysh edhe shkallën e produktivitetit të sektorit. Një sektor që është shumë produktiv dhe ku punëdhënësit fitojnë shumë nga fuqia punëtore nuk mund të jetë i njëjtë me sektorin që është më pak produktiv që po ashtu varet nga fuqia punëtore. Pra, në dukje vendim i thjeshtë, caktimi i drejtë i pagës minimale është më shumë kompleks.

Në secilin rast, paga minimale nuk duhet të jetë shkaktar për rritjen e papunësisë në vend, prandaj një studim i tillë është i nevojshëm para se të marrim vendime. Studimet, analizat duhet t’i paraprinë vendimeve.

Procesi i përcaktimit të pagës minimale nuk duhet të jetë një proces ku ne ngutemi të shënojmë poena politik, por një proces ku rregullojmë dhe mbrojmë punëtorin, dinjitetin dhe mundin e tij, por edhe punëdhënësit dhe incentivat e tij për prodhim dhe sigurojmë një standard minimum të jetesës.

Qeveria duhet që para vendimit të ofrojë një studim të qëndrueshëm me përfshirje të Këshillit Ekonomiko Social, sindikatat, shoqërinë civile, studiuesit dhe grupet e interesit.

Pra, ne si qeveri e re duke u bazuar në këtë besim tonin do të fillojmë një dialog social duhet t’i paraprijë vendimit dhe ky dialog duhet të jetë shkencor dhe shterrues.��Unë ju falënderoj shumë për durimin duke theksuar edhe një herë se tek unë, tek qeveria jonë do të gjeni partnerin që nuk e keni pasur asnjëherë me asnjë qeveri në këto vitet e pasluftës, e jo vetëm të pas shpalljes së pavarësisë.

Ju faleminderit

Kontribo

20 11 2019

Fjalimi i Kryetarit Albin Kurti në Konferencën e UBT-së, në panelin mbi “ Edukimin dhe Inovacionin”.

Thank you very much.

Let me start by a bit of my history with Finland. When I was a child, the Finnish man I knew was ski jumper Matti Nykänen, who unfortunately passed away this year. Then, later on in my adolescence, it was Mika Häkkinen, the driver of Formula One. And, in this century, I analyzed the case of Finland when we were about to form VETËVENDOSJE!, because of the principle of self-determination and self-determination which was granted to Finland in 1917. And, then there were two other Finnish men, one was Martti Ahtisaari, President Ahtisaari, as mediator in status talks, and the other one was one of my favorite film directors, Aki Kaurismäki. And, recently now, I got to know Dr. Taipale when I got his book on 100 social innovations by Ambassador Stjernvall, and I must say that this was greatest present I got this year and Christmas is not going to change this.

Let me continue in Albanian now about the topic.

I nderuari Rektor i Universitetit UBT, Edomond Hajrizi,

Zonja dhe zotërinjë,

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar panelistë e organizatorë, Ambasadore, znj. Pia Stjernvall,

Unë jam i nderuar dhe shumë i gëzuar që ndodhem sot këtu në mesin tuaj për një temë kaq të rëndësishme.

Kur fëmija hyn në klasë të parë për herë të parë nuk ka rëndësi kush janë prindërit e tij dhe sa para kanë, rajoni prej nga vjen apo ku është rritur, por cili është mësuesi apo mësuesja i tij.

Mësuesi është gjithçka për nxënësin, për të ardhmen e fëmijëve tanë e për pasojë për të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë tonë.

Unë kam qenë me fat që kam pasur mësuese të mirë. Në kohën time vërtetë mund të mos ketë pasur shkolla e infrastrukturë moderne, por kishim mësuese që inspironin e motivonin dhe nxisnin urinë e etjen tek ne për dije.

Prandaj një ndër sfidat por edhe qëllimet kryesore të mija është investimi në edukim cilësor në mandatin tonë qeveritar.

E para, si pyetje që duhet të ja shtrojmë vetës është që si të krijojmë vende të punës?
E dyta, si të sigurohemi që punëtorët tanë posedojnë edukimin dhe shkathtësitë e duhura për këto vende të punës?
Dhe, e treta, si të sigurohemi që këto vende pune garantojnë një standard të mirë të jetesës?

S’kam dyshim që të tria pyetjet kërkojnë përgjigje nga shteti, por shteti nuk duhet të jetë i vetëm pasi që këto janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

Nuk mund të kemi standard të mirë të jetesës pa vende të mira të punës dhe nuk do të kemi vende të mira të punës pa një edukim cilësor dhe shkathtësi që kërkohen nga tregu i punës.

Kjo është sfida e çdo qeverie dhe e çdo shoqërie sot në botë.

Prandaj unë jam sot këtu sepse dua që të adresojmë pyetjen e dytë. Pra, si të sigurohemi që punëtorët tanë posedojnë edukimin dhe shkathtësitë e duhura për vendet e punës që ekzistojnë dhe ato që hapen?

Shpejtësia e zhvillimit të teknologjisë dhe shpejtësia e globalizimit paraqesin sfidë për secilën shoqëri kudo në botë sot.

Fëmijët që hyjnë në shkollë në vitin 2019 do të jenë gati për treg të punës në vitin 2030. Shkollat tona do të duhet të i përgatisin për vende të punës që ende nuk janë krijuar, për teknologji që ende nuk është shpikur dhe për të zgjidhur probleme që ende nuk kanë ndodhur.

A janë shkollat tona të pajisura me mësues, kushte dhe teknologjinë që duhet për të fituar këtë betejë, apo thënë ndryshe, a jemi ne si shoqëri dhe si shtet te përgatitur për ketë të ardhme?

Unë mendoj se jo.

Beteja me të ardhmen është e humbur qysh në start, ditën kur fëmija hyn në shkollë për shkak të kushteve dhe sistemit jo cilësor të edukimit.

Për të fituar këtë të ardhme, fëmijët tanë duhet të edukohen me një ambient që nxitë kureshtjen, imagjinatën dhe vetëbesimin. Pra, kurreshtje, imagjinatë dhe vetëbesim.

Do të ju duhet të rriten e zhvillohen me një ambient që respekton idetë dhe mendimin ndryshe. Duhet të rriten me garën dhe presionin e refuzimit dhe dështimit në jetë që të kaliten për sfidat që i presin.

Ne na duhen shkolla që edukojnë gjeneratat e reja jo vetëm për rëndësinë e sigurimit të një vendi të punës dhe një rroge të mirë, por edhe për rëndësinë e kujdesit për njëri-tjetrin, kujdesit për shoqërinë dhe vlerat e saj, rëndësinë e të qenit qytetar aktiv, përgjegjës dhe pjesëmarrës, dhe që kujdeset për komunitetin edhe për planetin.

Për këtë botë që jemi e për atë që vjen në vitin 2030, të gjithë duhet të konsiderohemi nxënës. Pra jo vetëm nxënësit por edhe mësuesit, trajnerët, menaxherët e prindërit, që të gjithë. Sepse ajo që kemi përpara është më shumë e panjohur se sa e njohur, rrjedhimisht mësuesit tanë duhet të mësojnë vazhdimisht në mënyrë që fëmijët tanë të jenë në hap me kohën.

Edukimi duhet të jetë sa kolektiv po aq edhe personal. Ambienti i edukimit duhet të jetë i tillë që mundëson zhvillimin e aftësive individuale. Për botën ku jemi e atë që na pret, edukimi rreth digjitalizimit dhe të dhënave do të jetë qendror për zhvillimin e tyre.

Vendet e zhvilluara janë duke i orientuar shkollat drejt shkencës dhe matematikës sepse aty janë vendet e punës të se nesërmes dhe që paguhen lartë.

Një profesor i matematikës që kisha unë në studime atëherë, neve që e kishim qef fizikën na thoshte se fizika është një orvatje, për ta përkthyer natyrën në matematikë. Thoshte fizika është përkthim. Matematika është kryesorja.

Numër i madh i vendeve të punës tashmë gjenden në sektorin e shërbimeve të IT-së. Për të siguruar punë si zhvillues e mirëmbajtës i ëebsite, zhvillues i softverëve të ndryshëm apo i programeve për kompani të mëdha dhe për të shpikur e prodhuar kërkohet dije dhe shkathtësi që ne nuk i posedojmë, e për më keq nuk kemi shkolla dhe infrastrukturë që mundësojnë zhvillimin e këtyre aftësive.

Prandaj na duhet të ndryshojmë qasjen tonë rreth edukimit. Kemi nevojë asgjë më pak se revolucion në sistemin tonë arsimor e edukativ.

Unë në mandatin e parë do të filloj që të sigurojë që kurrikulat në shkollat fillore e të mesme e deri tek ato të lartat të dominohen nga shkenca dhe nga kërkesat e tregut. Për këtë duhet të rekrutojmë qindra mësues të rinj që inspirojnë dhe motivojnë gjeneratat e reja sepse aty është talenti, aty është dija, e ardhmja e vendeve të punës dhe e ardhmja e vendit tonë.

Si qeveri ne duhet të sigurohemi që nxënësit në secilin fshat e qytet kanë së pari mësuesit e mirë e pastaj edhe mjetet dhe teknologjinë që ju duhet për të shkëlqyer në mësime e studime por edhe për të kultivuar talentin e tyre.

E kemi për obligim që çdo të riu të i mundësojmë kushtet dhe mundësitë që të shkëlqejnë në çdo drejtim.

Prindërit duhet të kryejnë pjesën e tyre. Shkollat nuk mund të jenë një vend ku prindërit vetëm i lëshojnë fëmijët e tyre por ku ka një angazhim dhe përkushtim të përbashkët për zhvillimin e talentit dhe dijës edhe pas shkollës.

Shkollat duhet të jenë ambient i sigurt por edhe atraktiv. Hapësirat e shkollave nuk duhet të jenë beton e karrige, por hapësira atraktive të leximit dhe pushimit, me librari dhe me qasje në teknologji që frymëzojnë dhe nxisin dëshirën për mësim.

Çdo fëmijë në shkollë duhet të ketë qasje në internetin më të shpejtë që ekziston në Kosovë dhe në mjetet që ju duhen për të shkëlqyer në mësim. Shembull, qasja në tablet elektronik sot nuk është luks, por obligim dhe ne duhet të sigurohemi që fëmijët në shkolla dinë të përdorin jo vetëm për lojëra e për zbavitje por për mësim-nxënie, hulumtim dhe eksperimentim.

Duhet që secila klasë në shkollat publike të furnizohet me teknologjinë e nevojshme (jo pajisje vetëm në nivel shkolle, por në nivel klase), duhet që gradualisht të fillohet me digjitalizimin e materialeve mësimore (teksteve shkollore) në mënyrë që brenda një periudhe afatmesme të gjithë nxënësit të pajisen me pajisje teknologjike dhe të dalin nga përdorimi tekstet e printuara.

Duhet të krijojmë një Portal Shkollor për Arsimin Parauniversitar i cili duhet të jetë një platformë digjitale gjithëpërfshirëse dhe e integruar, e cila përmban në formë digjitale gjithçka për arsimin parauniversitar (ditarët digjitalë, materiali pedagogjik digjital, të dhënat dhe statistikat e shkollave, qasje të personalizuar për prindërit, nxënësit, personelin e shkollave, të DKA-së e MASHT-it, statistika të detajuara pa të dhëna personale për publikun dhe studiuesit, regjistri i trajnimeve të akreditura, databaza e Zhvillimit Profesional të Mësimdhënësve, databaza e licencimit të mësimdhënësve, materiale mësimore digjitale, kurrikulat, plan-programet, profilet e shkollave profesionale, etj

Pra, investimi në shkolla është parakusht për çfarëdo zhvillimi që synojmë të arrijmë në fusha të tjera.

Potenciali dhe talenti është në shkolla, sidomos në shkollat e mesme. Është e domosdoshme që shkollat e mesme t’i freskojmë në rang kombëtar në secilën komunë. Është mirë që në këtë aspekt sektori privat të krijoj hapësirë për zhvillim dhe absorbim të potencialit, por kjo nuk do të thotë që ai të zëvendësoj detyrën dhe obligimin e shtetit për të krijuar këtë hapësirë në sektorin publik.

Publiku e ka për obligim të sigurojë qasje dhe mundësi të barabarta për të gjithë, dhe sektori privat e plotëson duke e konkurruar në secilin hap.

Prandaj le t’i kthehemi shkollave, për dijen dhe idetë, për etikë edhe mësimi edhe pune. Le ta bëjmë qeverisjen tonë shkollë të mirë. Le të bëjmë qeverisjen e mirë shkollave. E ku ka më mirë se sa të zotohemi sot me 20 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, e ku ka më mirë se sa me Finlandën, liderën botërore të arsimit cilësor e shkencor, dhe të edukimit adekuat social.

Ju falemnderit.

Kontribo

20 11 2019

Takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF) dhe njëherit deputetin e Parlamentit Kombëtar të Francës, z. Jacques Krabal

Sot, Kryetari Kurti, së bashku me kandidaten për deputete, znj. Saranda Bogujevci, Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti dhe anëtaren e Kryesisë së Lëvizjes, znj. Fitore Pacolli priti në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF) dhe njëherit deputetin e Parlamentit Kombëtar të Francës, z. Jacques Krabal, të shoqëruar nga Drejtuesi i Misionit për Evropë në APF, deputeti Belg, z. Jean Charles Luperto, Sekretari i Përgjithshëm Administrativ i APF, z. Emmanuel Maury dhe këshilltari i APF për rajonin e Evropës, z. Fatmir Leci, Cécile Fisterberg dhe Fikrije Pllashniku nga Ambasada Franceze, si dhe Bardha Etemi nga MPJ.

Z. Krabal e uroi kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhjet e fundit dhe shprehu bindjen se një proces i tillë zgjedhor e demokratik mund të merret shembull nga 88 shtetet anëtare të APF. Ai tregoi se APF i ka dy misione: të ofroj mundësi për mësimin e gjuhës frënge dhe të ndihmoj në zhvillimin e demokracisë në vendet anëtare të APF-së, dhe vendet tjera duke respektuar sovranitetin e secilit shtet. Sipas tij, Kosova ka bërë punë shumë të mirë drejt zhvillimit dhe kulturës frankofone por ka nevojë që të përmirësohet cilësia e mësimdhënies së gjuhës frankofone në të gjitha nivelet shkollore dhe akademike. Ai shprehu bindjen se me qeverisjen e ardhshme dhe bashkëpunimin e ndërsjellë do të ketë më shumë suksese në këtë pikë.

Z. Luperto theksoi rëndësinë e mundësive që ofrojnë organizatat ndërkombëtare si APF për shtrirjen e ndikimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai tha se APF dhe Kosova si anëtare e saj janë që të dyja në situatë fituese kur bashkëpunojnë.

Kryetari Kurti i falënderoi për urimin dhe vizitën, dhe shprehu gatishmërinë për t’u angazhuar për përparimin e statusit të Kosovës përbrenda APF-së në të ardhmen. Ai tha se qeveria e ardhshme krahas prioriteteve që lidhen me sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, zhvillimin ekonomik që krijon vende të reja pune, do të angazhohet që studentët që studiojnë e punojnë jashtë vendit të kthehen në Kosovë dhe t’i vazhdojnë studimet nga këtu duke bërë praktikë në institucionet e ndryshme publike ku edhe do të mund ta shpërndanin njohurinë dhe kulturën e punës që e kanë përvetësuar prej vendet nga vijnë.

Në fund të këtij takimit, palët u pajtuan që ta vazhdojnë bashkëpunimin e tyre drejtë përparimit të statusit të Kosovës në APF dhe për zhvillimin e kulturës frankofone dhe demokracisë në Kosovë.

Kontribo

20 11 2019

Takim me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Tao Zhang

Dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, së bashku me kandidatin për deputet, z. Hekuran Murati dhe anëtaren e Kryesisë së Lëvizjes, znj. Arbërie Nagavci priti në takim zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Tao Zhang, i cili ishte i shoqëruar nga Këshilltari z. Steven Alan Barnett, Shefi i Misionit për Kosovë, z. Gabriel Di Bella dhe Përfaqësuesen e Lartë të FMN-së nga Zyra Regjionale në Vjenë, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, znj. Stephanie Eble.

Z. Zhang uroi Kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhjet e fundit, dhe u shpreh i bindur që bashkëpunimi me qeverinë e re do të jetë në nivelin e duhur, sidomos për sa i përket menaxhimit të financave publike dhe zhvillimit ekonomik.

Kryetari Kurti në anën tjetër shpalosi prioritetet e qeverisë së re, duke theksuar vendosjen e rendit dhe ligjit dhe luftimin e krimit e korrupsionit, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e fuqisë blerëse, si dhe ndërlidhjen e shkollimit me tregun e punës.

Në takim u diskutua edhe për Bankën Zhvillimore, funksioni së cilës u tha se është i domosdoshëm për të ndihmuar me financim ato biznese që duan të rrisin punësimin e të rrisin eksportin. Në lidhje me këtë, z. Zhang theksoi se FMN është e gatshme të ndihmojë qeverinë e re në gjetjen e modelit më të mirë të mundshëm për të realizuar këtë projekt, duke marrë për bazë modele që kanë funksionuar në shtetet tjera.

Në fund, z. Zhang falënderoi Kurtin për mikpritjen dhe shprehi gatishmërinë e stafit të FMN-së që të ofrojnë mbështetje për qeverinë në realizimin e objektivave për një menaxhim më të mirë të financave publike.

Kontribo

19 11 2019

Takim me deputetët e Parlamentit Gjerman z. Ervin Ruddle nga CDU dhe znj. Maria Klein-Schmeink nga partia e Gjelbër.

Dje, Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, i shoqëruar nga Nënkryetarja znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe anëtarët e kryesisë z. Arben Vitia dhe znj. Fitore Pacolli priti në takim deputetët e Parlamentit Gjerman z. Ervin Ruddle nga CDU dhe znj. Maria Klein-Schmeink nga partia e Gjelbër.

Fillimisht, Kryetari Kurti shprehu falënderimin për ndihmën që Gjermania i ka dhënë Republikës së Kosovës si për lirinë e pavarësinë ashtu edhe për zhvillimin dhe demokratizimin e vendit. Tutje, ai i njoftoi përfaqësuesit gjerman me prioritetet e qeverisë së re, shtetndërtimin demokratik me sundim të ligjit e luftim të korrupsionit, zhvillimin ekonomik për punësim përcjellur me një kujdes për ata që kanë më së shumti nevojë, dhe ndryshimet aq të nevojshme në arsim dhe shëndetësi ku përmendi sistemin dual të arsimit dhe sigurimet shëndetësore.

Në këtë takim u diskutua për format e mundshme të bashkëpunimit në mes dy shteteve tona në sfera konkrete si ajo e shëndetësisë. Deputetët z. Ervin Ruddle dhe znj. Maria Klein-Schmeink njoftuan për përvojat e shtetit Gjerman në atë fushë, arritjet, problemet dhe sfidat e tyre aktuale, si dhe shprehën gatishmërinë për ndihmë të ndërsjellët për të plotësuar nevojat e të dyja vendeve.

Nga ana jonë, Nënkryetarja Kollçaku foli për rëndësinë e bashkëpunimit sa i përket studimit, specializimit dhe edukimit të vazhdueshëm profesional në përgjithësi. Ajo shtoi se përveç bashkëpunimit në këtë drejtim ku profesionistët tanë pas studimeve do të ktheheshin me ekspertizën e fituar për të kontribuar në vend, një mundësi tjetër e mirë është edhe ardhja e profesionistëve shëndetësor nga Gjermania për të sjellë përvojën e tyre që është tejet e nevojshme në institucionet tona. U kërkua po ashtu edhe mbështetje konkrete për trajtimin e rasteve më të rënda me theks të veçantë për shërimin e fëmijëve me leukemi akute dhe pacientëve në hemodializë.

Z. Vitia theksoi nevojën për themelimin e sigurimeve shëndetësore si dhe e vlerësoi të rëndësishme përvojën e Gjermanisë sa i përket mbledhjes së të dhënave si parakusht për Sigurimet Shëndetësore. Jetësimi i Sistemit Informativ Shëndetësor është prioritet i qeverisë së ardhshme. Rëndësi e veçantë në këtë diskutim iu kushtua edhe shërbimit parësor shëndetësor si shërbim bazik dhe sistemit të referimit.

Në fund të takimit z. Ruddel premtoi se të gjitha çështjet e ngritura do të diskutohen në nivelin më të lartë institucional të shtetit Gjerman. Të dyja palët u dakorduan për rëndësinë e këtyre takimeve bilaterale dhe vazhdimin e tyre në të ardhmen.

Kontribo

19 11 2019

Takim me Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, znj. Gerrie Willems

Dje, Kryetari Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë, znj. Arbërie Nagavci dhe Kryetarin e Komunës së Mitrovicës, njëherit anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, z. Agim Bahtiri, priti në takim Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, znj. Gerrie Willems, e cila ishte e shoqëruar nga Zëvendës Shefi i Misionit, z. Peter van der Bloemen dhe Zyrtarja e Lartë për Sundimin e Ligjit në këtë ambasadë, znj. Venera Ramaj.

Ambasadorja znj. Willems e uroi Kryetarin Kurti për procesin dhe rezultatin zgjedhor të deritanishëm dhe ndau shpresën që pas çertifikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së institucionet shtetërore të formohen sa më parë. Ajo u interesua për prioritetet e qeverisë së re, duke thënë që Holanda është e gatshme të ofroj mbështetjen për Republikën e Kosovës në rrugën e integrimit Evropian.

Kryetari Kurti e njoftoi znj. Willems se prioritet i qeverisë së re do të jetë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional, zhvillimi ekonomik që sjell vende pune, dhe politikat që zbusin pabarazinë. Kurti përmendi rëndësinë e përfshirjes së diasporës në zhvillimin ekonomik, dijen profesionale dhe kapitalin e tyre në formë investimi në vend, dhe theksoi nevojën e sistemit të arsimit profesional që do t’ua lehtësonte fushëveprimin bizneseve në vend.

Znj. Willems tha se këto prioritete përputhen në masë të madhe me ato të BE-së, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe me Agjendën për Reforma Evropiane (ARE). Nga ana e saj u ndanë edhe shembujt ekzistues të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Holandës në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin e bujqësisë dhe të biznesit, duke deklaruar se ka hapësirë për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit.

Në fund të takimit, u shpreh gatishmëria për ta vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin për projekte konkrete në të ardhmen.

Kontribo

19 11 2019

Deputeti i IRDK-së , z.Elbert Krasniqi, i bashkohet Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti së bashku me anëtarët e Kryesisë, znj. Arbërie Nagavci dhe z. Xhelal Sveçla, pritën delegacionin e Partisë Egjiptiane IRDK, kryesuar nga Kryetari z. Elbert Krasniqi me bashkëpunëtorë, z. Xhevdet Neziraj dhe z. Fazli Stollaj.

Në takim u bisedua mbi situatën politike në vend, me theks të veçantë për zgjedhjet e fundit, në të cilin qytetarët votuan me shumicë për ndryshim duke e bërë VETËVENDOSJE!-n fituese, si subjektin e parë në vend dhe grupin më të madh në legjislaturën e shtatë në Kuvend.

Po ashtu u bisedua për gjendjen në të cilën ndodhet komuniteti egjiptas. Duke parë si parësore bashkëpunimin e ngushtë ne u dakorduam që deputeti i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës, z. Elbert Krasniqi, të jetë pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në legjislaturën e shtatë.

Nga ky takim doli edhe iniciativa që të dy subjektet të trajtojnë sfidat me të cilat komuniteti egjiptas ballafaqohet dhe të propozohen masat për qeverinë e ardhshme Kurti, në mënyrë që pozita e këtij komuniteti, por jo vetëm, të përmirësohet sa më shumë dhe më shpejtë.

Kontribo

19 11 2019

Takim i kryetarit Albin Kurti me bashkatdhetarë në Bruksel.

Mbrëmë, në Bruksel, një numër i madh bashkatdhetarësh pritën Kryetarin e Lëvizjes dhe Kryeminstrin e ardhshëm, Albin Kurti.

Të pranishëm në tubimin ishin dhe aktivistja Teuta Fazliu, Kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Belgjikë, Bujar Krasniqi dhe Kryetari i Pikës sonë në Anvers, Ilir Morina.

Kryetari Kurti ripotencoi edhe një herë zotimet për mërgatën të cilat do të realizohen nga qeverisja e ardhshme. Nga lehtësimi i votimit e deri te krijimi dhe mundësimi i kushteve për investime të bashkëatdhetarëve në vendlindje ishin vetëm disa temat e diskutuara.

Po ashtu Albin Kurti, sot, së bashku me delegacionin vizituan edhe njërën nga shkollat shqipe në Bruksel.

Kontribo

19 11 2019

Takim me një delegacion nga Shoqata e Muhaxhirëve të kryesuar nga Kryetari i saj, z. Asllan Qyqalla

Sot, Kryetari Kurti, së bashku me anëtaren e Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë, znj. Tropikë Agaj, priti në takim një delegacion nga Shoqata e Muhaxhirëve të kryesuar nga Kryetari i saj, z. Asllan Qyqalla, nënkryetarja znj. Esma Bunjaku dhe Sekretari z. Orhan Ramadani.

Z. Qyqalla e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe i dëshiroi sukses në qeverisjen e vendit. Tutje, në këtë takim miqësor ai na njoftoi për punën e shoqatës së Muhaxhirëve që po mbledhë fakte për dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në fund të viteve të ’70-ta të shekullit XIX. Për terrorin, masakrat dhe spastrimin e 712 fshatrave shqiptare nga rrethi i Nishit, Prokupljes, Leskovcit dhe Vranjës deri në Kurshumli, me synimin për ta paditë Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg për gjenocid dhe kompensim të pronave.

Kryetari Kurti i falënderoi për urimin, dhe i përgëzoi për punën që po e bëjnë. Mbledhja e fakteve dhe paraqitja e tyre nëpër instanca shkencore të instituteve e konferencave ndërkombëtare, por edhe në instanca të drejtësisë ndërkombëtare është diçka që duhet mbështetur.

Në këtë drejtim, u dakorduam të bashkëpunojmë në të ardhmen, në mënyrë që të krijojmë mundësi për sensibilizimin e opinionit mbi Muhaxhirët, si dhe t’i shtojmë nismat institucionale si për ruajtjen e fakteve historike të grumbulluara, ashtu edhe për paraqitjen e tyre të mëtejme.

Kontribo

15 11 2019

Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit është shprehje e qartë për ndryshim.

KQZ ka filluar rinumërimin e 1428 kutive të votimit, që përbëjnë rreth 60% të votave të përgjithshme. Rinumërimi duhet të bëhet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe në përputhje me ligjin dhe procedurat. Votuesit kanë shprehur vullnetin e tyre, dhe se derisa nuk përfundon rinumërimi i të gjitha kutive deri në votën e fundit, rezultati mbetet ai që është shpallur nga KQZ-ja.

Lëvizja VETËVENDOSJE! po e përcjellë me vëmendje këtë proces, si dhe përmes vëzhguesve dhe përfaqësuesve tanë, do të ndjekë nga afër cdo fazë të rinumërimit deri në përmbyllje të procesit. Ashtu siç kemi qëndruar në mbrojtje të votës e vullnetit të qytetarëve në ditën e zgjedhjeve e në fazat e mëvonshme, nuk do të lejojmë që ky vullnet të dëmtohet as në rinumërim.

Është evidente, që zyrtarë e gjyqtarë të institucioneve janë ndikuar politikisht në marrjen e vendimeve të fundit, me synim ndryshimin në rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Lëvizja VETËVENDOSJE! është duke mbledhur fakte e prova të ndërhyrjes politike në marrjen e këtyre vendimeve dhe ne do të sigurohemi që të gjithë këta zyrtarë të përfshirë në këto ndërhyrje për vendime që do të duhej të ishin të bazuara në ligj e Kushtetutë, do të përgjigjen para drejtësisë.

Poashtu, insinuatat dhe presionet nga subjekte partiake që qytetarët i kanë lënë jashtë përfaqësimit në Kuvend, në një kohë kur po rinumërohen mbi gjysma e votave të përgjithshme, kanë për synim ndikimin në rinumërim dhe krijimin e faktit të kryer të përfaqësimit në Kuvend. Ftojmë KQZ-në që në përputhje me përgjegjësitë që ka, të garantojë numërim të sakt të secilës votë, si dhe mos të bie pre e presioneve të tilla mbi numëruesit dhe stafin përgjegjës. Rezultati zgjedhor dhe vullneti i votuesve nuk mund të ndryshohet as me vendime administrative, e as me presion në opinionin publik nga subjekte të caktuara.

Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit është shprehje e qartë për ndryshim. Lëvizja VETËVENDOSJE! garanton që ky vullnet do të përmbushet në Qeverinë e ardhshme.

Kontribo

12 11 2019

Takim me një delegacion nga Partia Demokratike që ka shtrirje në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë

Dje, Kryetari Kurti, së bashku me anëtaren e kryesisë znj. Albulena Haxhiu, kandidaten për deputete znj. Teuta Fazliu dhe Sekretarin për Marrëdhënie me jashtë nga Lëvizja, z. Kreshnik Ahmeti, priti në takim një delegacion nga Partia Demokratike që ka shtrirje në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, të kryesuar nga kryetari i saj, z. Nagip Arifi, kryetarja e Forumit të Gruas znj. Adelina Brucaj Hasani, kryetari i Forumit Rinor z. Sali Salihi, si dhe z. Shaban Xheladini.

Në këtë takim, përfaqësuesit nga Bujanoci na uruan fitoren e zgjedhjeve të 6 tetorit, dhe shprehën dëshirën që qeveria e re të formohet sa më parë në mënyrë që edhe ndryshimet për të cilat qytetarët kanë votuar të vihen në jetë. Mes tjerash, ata na njoftuan edhe për gjendjen e rëndë në Bujanoc, ku për shkak të ngecjes në ekonomi dhe arsim, të rinjtë nuk po shohin më perspektivë atje dhe po emigrojnë jashtë vendi siç kanë bërë më herët në Medvegjë. Kryetari i PD-së, z. Arifi tha se mungojnë veprimet konkrete nga qeveritë e deritanishme të Kosovës.

Kryetari Kurti i falënderoi për urimin e vizitën, dhe tha se është në dijeni për gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalon Lugina. Ai e njoftoi z. Lutfiu për prioritetet e qeverisë së re, ku vend të rëndësishëm ka mirëqenia e shqiptarëve jashtë kufirit, të drejtat dhe liritë e tyre si dhe aspekti i shëndetësisë dhe arsimit në ato vende ku ata jetojnë. Z. Kurti tha se qeveria e Kosovës do jetë më aktive në mbështetjen e shqiptarëve në Luginë, dhe këtë do e bëjë bashkë me Shqipërinë, si përmes zbatimit të marrëveshjeve të deritashme ashtu edhe me marrëveshje të reja për politika që mundësojnë zhvillimin e jetës atje

Kontribo

12 11 2019

Takim me Doktorin, z. Denis Mukwege

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin z. Besnik Bislimi, deputeten e legjislaturës së re, znj. Saranda Bogujevci dhe Drejtuesen e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në Lëvizje, znj. Nazlie Bala, takuan Doktorin, z. Denis Mukwege i cili në vitin 2018, për përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës seksuale si armë lufte, Komiteti Norvegjez i Nobelit e shpalli fitues të çmimit Nobel për paqe. Në këtë takim, prezent ishin edhe Drejtoresha e QKRMT, znj. Feride Rushiti, znj. Vasfije Krasniqi Goodman, znj. Shyrete Tahiri Sulimani, Drejtoresha e Mukwege Foundation, znj. Esther Dingeman, znj. Dalal Ali Khairo dhe znj. Mer Ayang.

Me Dr. Mukwege bashkëbiseduam për rëndësinë e trajtimit të krimeve të luftës, për nevojën e gjykimit të kriminelëve që enden të lirë, dhe për drejtësinë që do të sillte shërim të viktimave, si dhe paqe e qetësi në zemrat e gjithë atyre që janë prekur nga lufta dhe gjenocidi serb në Kosovë. Kryetari Kurti i njoftoi ata me nismat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë drejtim, mbledhjen dhe dorëzimin e dëshmive për kriminelët që kanë kryer krime në Kosovë, si dhe për nismat që kanë shpjer në formimin e Prokurorisë Speciale për hetimin e krimeve të luftës, dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që mundëson gjykimin dhe dënimin e kriminelëve në mungesë. 20 vite jemi vonë, andaj duhet të bëjmë çmos si shtet që t’i përshpejtojmë hetimet për rastet e tilla, e të sjellim drejtësi për gjithë ata që ende i vuajnë pasojat e krimeve.

Me z. Mukwege ishim të mendimit se rastet e përdhunimeve duhet të trajtohen me prioritet nga Prokuroria Speciale dhe nuk duhet të ketë asnjë vonesë në vënien e drejtësisë për ato raste

Kontribo

11 11 2019

Takim me Ambasadoren Kroate znj. Danijela Barišić

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti, pritën në takim Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, znj. Danijela Barišić dhe Sekretarin e Parë të Ambasadës së Kroacisë, z. Zlatko Vnučec.

Znj. Barišić uroi z. Kurtin për fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e 6 tetorit. Ajo përmendi faktin që nga janari deri në qershor të vitit 2020, Kroacia do të jetë në krye të Presidencës së Bashkimit Evropian (BE), me ç‘rast do të angazhohet për procesin e integrimit të vendeve të rajonit në këtë institucion. Më tutje, ajo u interesua për procesin e formimit të Qeverisë dhe prioritetet mbi të cilat do të ndërtohet programi i Qeverisë Kurti.

Z. Kurti njoftoi Ambasadoren Barišić për procesin e negociatave me partnerin e ardhshëm të koalicionit qeverisës. Ai tregoi se programi i Qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës tanimë është në fazën e përmbylljes, me ç‘rast po përfundon suksesshëm edhe procesi negociator, nga i cili do të rezultojë një Qeveri e ndryshimeve progresive. Qeveria e re për prioritet do të ketë ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit brenda dhe jashtë institucioneve.

Të dyja palët u pajtuan që emigrimi i qytetarëve të shteteve të Ballkanit, veçanërisht i të rinjve, drejt vendeve të zhvilluara të Evropës, paraqet një problem të madh për rajonin. Fenomeni i ikjes së trurit po ulë kapacitetet për zhvillimin ekonomik në vend, pa marrë parasysh a ndodhë kjo në Kroaci, e cila tashmë është anëtare e BE-së, apo në vendet sikurse Kosova, të cilat kanë pasur pak përparim drejt integrimeve Evropiane. Në takim pati pajtueshmëri se zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij problemi kronik është ngritja e mirëqenies nëpërmjet zhvillimit ekonomik, dhe barazia para ligjit nëpërmjet luftimit të krimit dhe korrupsionit.

Në fund të takimit, palët u pajtuan që t’i vazhdojnë raportet e mira dhe t’i zhvillojnë ato edhe më tutje

Kontribo

07 11 2019

Takim me Drejtoreshën Rajonale të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, znj. Linda Van Gelder

Dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, priti në takim Drejtoreshën Rajonale të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, znj. Linda Van Gelder, e cila ishte e shoqëruar nga Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, z.Marco Mantovanelli, Drejtoresha Rajonale për Financa Koncesionale Globale, znj. Lalita Moorty dhe Drejtori Rajonal për Sektorin e Ujit, z. Steven Schonberg.

Znj. Van Gelder e uroi kryetarin Kurti për mbarëvajtjen dhe rezultatin zgjedhor. Ajo tha se Banka Botërore do të vazhdoj bashkëpunimin për projekte zhvillimore me qeverinë e re dhe do të ketë rol më aktiv në koordinimin e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën.

Kryetari Kurti e falënderoi znj. Van Gelder për urimin dhe e njoftoi atë me prioritetet e qeverisë së re. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë është parakusht ose pikënisje për zhvillimin ekonomik. Me politika që mbështesin bizneset e vogla dhe të mesme, prodhimin vendor, me lidhjen e arsimit me ekonominë lëvizim drejt zhvillimit tha z. Kurti, i cili theksoi edhe nevojën për tërheqjen e investitorëve nga jashtë, ku rol aktiv dhe pozitiv mund të luajnë si mërgata ashtu edhe institucionet tjera financiare ndërkombëtare që e pranojnë dhe ndihmojnë Republikën e Kosovës.

Në këtë takim u diskutuan disa projekte që kanë të bëjnë me furnizim të ujit të pijshëm, ujitjen e tokës bujqësore, ruajtjen e lumenjve, deponitë e hapura, zhvillimin rural dhe për punësimin e të rinjve. Banka Botërore na informoi për portofolin e projekteve aktive të saj në Kosovë, dhe për mundësinë ekzistuese për shfrytëzimin e fondeve të alokuara për Kosovë nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) në vlerën e mbetur prej rreth 68 milionë eurove, në kuadër të ciklit të tashëm të IDA.

Në përfundim të takimit, u dakorduam që menjëherë pas formimit të institucioneve të reja, qeveria e re të ulet dhe të përzgjedh projektet më të përshtatshme që do të mbulohen nga fondet e IDA-së.

Kontribo

07 11 2019

Takim me Ambasadorin e Japonisë z. Kiyoshi Koinuma

Dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z.Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë, znj. Fitore Pacolli dhe Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti, pritën në takim Ambasadorin e Japonisë z. Kiyoshi Koinuma, i cili ishte i shoqëruar nga Sekretari i Parë z. Mitsunori Ogasawara dhe Përgjegjësi për Zyren Japoneze në Prishtinë, z. Arbër Myftari.

Z. Koinuma, i cili është në përfundim të mandatit të tij, njoftoi z. Kurtin për raportet e deritanishme të Japonisë dhe Kosovës, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe kulturës. Ai ndau me zyrtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! lajmin e mirë se që nga janari i vitit 2020, Japonia do ta hapë Ambasadën e saj në Republikën e Kosovës. Ky do të jetë një hap shtesë në përparimin e raporteve bilaterale në mes të dy vendeve tona. Për më tepër z. Koinuma u interesua për procesin zgjedhor dhe procesin e negociatave për formimin e Qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës.

Z. Kurti tregoi që bashkë me përfundimin e procesit të numërimit dhe rinumërimit të votave, po afrohet edhe përfundimi i suksesshëm i negociatave me LDK-në për formimin e Qeverisë. Ai tregoi që me qeverisjen e re do të ndalet korrupsioni brenda Qeverisë dhe do të luftohet korrupsioni jashtë saj. Prioritet do të jetë zhvillimi ekonomik, ngritja e cilësisë së arsimimit nëpërmjet sistemit dual arsimor dhe dialogu nga poshtë-lart me minoritet për zhvillim ekonomik dhe shoqëror. Sa i përket dialogut me Serbinë, z. Kurti përsëriti qëndrimin se së pari duhet të kemi një vlerësim të zbatimit të marrëveshjeve të kaluara dhe efekteve të tyre dhe pastaj duhet të ketë një dialog me Brukselin mbi kornizën e dialogut me Serbinë. Dialogu pa parime me Serbinë, duhet të zëvendësohet me dialogun i cili ndërtohet mbi tri parime bazë: jo marrëveshje pa dialog; jo dialog me harta; dhe jo presidentët sipër hartave në tryezë. Vetëm një dialog i përgatitur mirë dhe parimor do të mund të sillte marrëveshje të qëndrueshme mes dy vendeve

Kontribo

06 11 2019

Takim me Kryetarin e organizatës “Shpresa” në Bujanoc, z. Nevzad Lutfiu

Në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryetari Albin Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë z. Liburn Aliu dhe anëtaren nga Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë , znj. Tropikë Agaj, pritën sot në takim Kryetarin e organizatës “Shpresa” në Bujanoc, z. Nevzad Lutfiu, të shoqëruar nga Koordinatori i Organizatës, z. Nedim Rexhepi, dhe anëtarët e kësaj organizate, Almedina Ameti, Arbër Aliu, Almir Halili dhe Besir Fejzullahu.

Z. Nevzad Lutfiu, e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor. Ai tha se edhe shqiptarët jashtë Republikës së Kosovës e kishin vëmendjen te këto zgjedhje dhe të gjithë iu gëzuan rezultateve që ia dhanë shansin opozitës e ndryshimit në vend. Z. Lutfiu e njoftoi kryetarin për programin dhe aktivitetet e organizatës së tij, të arriturat, si dhe vështirësitë që hasin në punën e tyre.

Z. Kurti e falënderoi për urimin dhe vizitën. Ai e njoftoi z. Lutfiu për prioritetet e qeverisë së re, ku vend të rëndësishëm kanë të drejtat dhe mirëqenia e shqiptarëve jashtë kufirit, liritë e punësimi i tyre si dhe aspekti i shëndetësisë dhe arsimit në ato vende ku ata jetojnë. Marrëveshjet e nënshkruara me Shqipërinë, sidomos për shqiptarët në Luginë do të zbatohen, dhe të tjera që dalin nga bashkëbisedimi i ndërsjellë dhe që i përgjigjen nevojave të kohës do të inicohen, tha Kurti.

Në këtë takim të përzemërt u fol për nevojën e unifikimit të subjekteve politike në Luginë, në mënyrë që kërkesat e shqiptarëve atje të adresohen më fuqishëm në të ardhmen. Për një Universitet publik në gjuhën shqipe në Bujanoc, njohjen e diplomave të studentëve shqiptarë, dhe shtimin e kuotës për studentë nga Lugina në universitetet publike të Kosovës, sidomos në nivelin master. Mes tjerash, u dakorduam edhe për rëndësinë e hapjes së qendrave rinore atje, ku përmes organizimeve edukative, kulturore e artistike do të krijoheshin mundësi të reja për aktivizimin e të rinjve dhe aftësimin e tyre për tregun e punës.

Në fund, u tha se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit duhet ta kenë vëmendjen dhe angazhimin e duhur si të Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës. Kjo duhet të ndodhë si për faktin se edhe ata janë meritorë për shtetet tona, por sidomos për shkak se ata diskriminohen më së shumti sot, në të drejtat dhe liritë e tyre njerëzore e kombëtare.

Kontribo

05 11 2019

Takim me Kryetarin e Komunës së Bujanocit, z. Shaip Kamberi,

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, priti në takim sot Kryetarin e Komunës së Bujanocit, z. Shaip Kamberi, të shoqëruar nga Shefi i Zyrës për Zhvillim Ekonomik në këtë komunë, z. Agron Islami.

Z. Kamberi e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe shprehu dëshirën që institucionet shtetërore të formohen sa më parë, në mënyrë që qeveria e re t’ia filloj punës për ndryshimet që qytetarët e Republikës së Kosovës kanë votuar.

Z. Kurti e falënderoi për urimin dhe vizitën. Ai e njoftoi z. Kamberin se prioritet i qeverisë së re do të jetë shtetndërtimi demokratik që siguron progres socio-ekonomik për gjithë qytetarët e Republikës, pa dallim.

Duke diskutuar për zhvillimet në Luginë e Bujanoc, në këtë takim u theksua nevoja e angazhimit më të madh të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë për shqiptarët atje. U fol për nevojën për universitet në gjuhën shqipe në Bujanoc, për fondin e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për Luginën e Preshevës të miratuar para gati 6 vjetësh, gratë shqiptare që për të lindur shkojnë nga Bujanoci në Vranjë meqenëse materniteti i famshëm në Preshevë është jashtëspitalor etj.

Në përfundim të takimit, u shpreh gatishmëria për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.

Kontribo