28 09 2019

Drenas: 126 e largon mjegullën, sepse erdhi Dita

Në Drenasin e dëshmorëve e luftëtarëve mbajtëm tubimin e radhës, në valën e fushatës së fitores.

Në fjalën e tij, kandidati nga Drenasi dhe ish gjenerali i FSK-së, Enver Dugolli, theksoi se është në të njëjtën lëvizje, qysh prej vitit 1981 kur ka nisur angazhimin për çështjen kombëtare, e deri sot në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Me të njëjtën dëshirë për ta bërë shoqërinë dhe vendin të lirë, për ta bërë Kosovën të zhvilluar e të drejtë.

Ndërsa kandidatja dhe nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, tregoi gjendjen e rëndë në shëndetësi dhe zotimin e Lëvizjes se, “se do të kemi një shëndetësi me qendër pacientin, se do të garantojmë sigurim shëndetësor universal dhe një sistem të unifikuar për sëmundjet kronike dhe onkologjike”.

Kandidati Xhelal Sveçla bëri thirrje për t’u bashkuar në 6 tetor sepse, “bashkë bëhemi në spital kur jemi apo kemi dikë sëmurë, bashkë presim para bankave për pensione të ulëta e kredi me kamata të larta, bashkë në shkolla, bashkë po hamë ushqime të skaduara e bashkë po thithim ajrin e ndotur”. Mirëpo, situata po ndryshon. “Siç thotë populli, ujku do mjegull, por mjegull s’ka më sepse erdhi dita. Erdhi dita kur edhe një fëmijë do ta dallojë të mirën nga e keqja”, tha në përfundim aktivisti i hershëm Sveçla.

Kandidati për deputet Rexhep Selimi kujtoi se, “për 20 vite vetëm i kanë marrë Drenicës dhe nuk i kanë dhënë asgjë, vetëm i kanë marrë familjeve të dëshmorëve dhe nuk i dhanë asgjë”. Ish komandanti i UÇK-së u bëri thirrje drenicakëve të çohen sepse nuk ka më bastione që e ndalojnë fitoren e Lëvizjes dhe se Drenica nuk është pronë e PDK-së por vatër e Adem Jasharit dhe e të gjithë dëshmorëve të tjerë të rënë për liri.

Në fjalën përmbyllëse Kryeministri i ardhshëm Albin Kurti tregoi se Drenasi dhe Skënderaj janë komunat me skemat më të mëdha sociale në Kosovë dhe se varfëria nuk luftohet vetëm me skema sociale, por me zhvillim e punësim. Edukimi është qendror në suksesin dhe progresin e secilit. “Prandaj ne me qeverisjen tonë do të ndajmë 160 milion euro investime në arsim për mandatin tonë 4 vjeçar”, u zotua aktivisti i parë i Lëvizjes tonë.

Fitorja e qeverisë Kurti është fitorja e arsimit me cilësi, tokës me bujqësi, gjykatave me drejtësi, punëtorit me barazi, shëndetësi me mjekësi dhe bankave për zhvillim. E vota për këtë fitore, mban numrin 126.

Kontribo

28 09 2019

Erdhi dita për Hanin e Elezit

Mes brohoritjeve “Vetëvendosje”, “Erdhi dita”, “Albin Kurti” kandidatët për deputetë të Lëvizjes, Hekuran Murati, Emrush Xhemajli , Glauk Konjufca dhe kandidatë të tjerë nga lista e Lëvizjes hynë në sallën e re të sporteve që ishte mbushur me njerëz në Han të Elezit.

Lindita Rexha që kandidon për deputete nga Hani i Elezit për shkak të problemeve shëndetësore nuk ishte e pranishme në sallë, por iu drejtua publikut me një letër plot shpresë për ditën e 6 tetorit. Ajo tha se me qeverisjen e re të Lëvizjes në vend të asfaltit do të ketë fasha, në vend të tenderëve të vjedhur dorëza nëpër spitale, në vend të intervencave trajtim të barabartë e njerëzor, në vend të shqetësimit financiar për shëndetin, shqetësim vetëm për sëmundjen dhe tejkalimin e saj.

Kandidati Hekuran Murati tha se me datë 6 tetor do të ndodhë një prerje mes 20 viteve të kaluara dhe 20 viteve të ardhshme. Me qeverinë e re që do sjell sigurime shëndetësore nuk do të ketë më të sëmurë që kërkojnë para për shërim jashtë vendit. Me qeverinë e re do të ketë skema sociale që nuk e lënë as një familje pa kulm mbi kokë dhe asnjë familje pa dikë të punësuar. Me qeverinë e re do të ketë përkrahje për ndërmarrësit e rinj, sepse vetëm kështu me datë 6 tetor ikën terri dhe vjen dita e ndryshimit.

Kandidati Emrush Xhemajli theksoi se sundimtarëve po iu vjen fundi dhe koha është për qeverisjen e Lëvizjes që trajton me prioritet drejtësinë, ekonominë, varfërinë e pabarazinë si dhe ambientin ku nënvizoi Hanin e Elezit që vuan nga ndotja e ajrit, ujit dhe tokës. Xhemaji tha se ata sundimtarë që bëjnë thirrje t’iu besohet tashmë nuk iu beson askush, kurse ata që flasin për 100% shtet, po t’iu zgjatej edhe pak sundimi do t’i emëronin edhe 100 zv. Ministra dhe nga 100 skandale do i bënin edhe 1000 të tjera.

Kandidati Glauk Konjufca foli për qeverinë e re në krye me Albin Kurtin që me datë 6 tetor do e vej vendin në binarët e drejtësisë dhe zhvillimit ekonomik. Të tjerët patën rastin të tregohen dhe nuk sollën ndryshime por vetëm u bënë keqpërdorues e sundimtar të ligjit. Erdhi dita për drejtësinë sepse Lëvizja do e luftoj krimin dhe korrupsionin, erdhi dita e shtetit të mirëqenies dhe barazisë, erdhi dita për shëndetësinë e sigurimet shëndetësore, për arsimin e shkollat profesionale që do t’i ndërtoj Lëvizja për aftësimin dhe punësimin e të rinjve.

Erdhi dita për festë, për shkak se me datë 6 tetor do të fitojmë.

Kontribo

28 09 2019

Besianë: Më të mirët e Llapit për më të Mirën e Kosovës, Qeverinë

Llapi do ta votojë numrin 126. Në Besianë nga sheshi ‘Ali Ajeti’, mbushur përplot me qytetarë, mbajtëm tubimin madhështor të radhës për ardhjen e qeverisë Kurti. Burrat e gratë më të mirë të zonës së Llapit i janë bashkuar Lëvizjes për qeverisjen më të mirë që do të ketë parë ndonjëherë Kosova.

Kandidati jonë nga Llapi, Ajet Potera, u bëri thirrje të pranishmëve që të mos e humbin shansin e artë e historik të 6 tetorit që ta ndalim qeverisjen e mbrapshtë e ta kthejmë qytetarin në qeverisje. “Asnjë integrim nuk është i mundur në një shtet të kapur. Mirëpo, erdhi dita që Kosova të jetë shtet i integruar në vete më së pari, pra si shtet me integritet”, thirri ish-ushtari i UÇK-së, Potera.

Sipas kandidatit tjetër llapjan, Sabri Kiçmari, Lëvizja është e njëjta përpjekje si përpjekjet e tij me shokë në vitin ’89 për Kosovën Republikë, për liri, barazi, demokraci e VETËVENDOSJE!. Veprimtari i kahmotshëm i çeshtjes kombëtare, Kiçmari vendosi theksin se: “jemi mbledhur për të dhënë një fjalë e për të vendosur një besë, se do të votojmë Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe Albin Kurtin si Kryeministër, sepse në këtë mënyrë do të ndërtojmë të kaluarën dhe do të ndërtojmë të ardhmen”.

Kandidatja Saranda Bogujevci rreshtoi masat e Lëvizjes për të mbështetur investimet e komunave në ujë të pijshëm, arsim, mjedis, kulturë e infrastrukturë. Përmes grantit të katërt për komuna, Lëvizja do të shpërndajë 600 milionë euro për 4 vite, ku komunat do të vendosin për shpenzimet sipas nevojave. Pas 4 viteve, komunat e Kosovës do të sigurojnë çdo shërbim të nevojshëm për qytetarët.

Ndërsa për kandidatin tjetër, profesorin universitar, Shpejtim Bulliqin, Kosova me qeverisjen Kurti do të jetë një shtet i kompletuar, dinjitoz dhe i cili do të angazhojë të gjitha zanatet, profesionet e talentet e qytetarëve tanë.

Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, në fjalën e tij shpjegoi se dija, puna, toka, kultura dhe sporti nuk do të kenë asnjë mbështetje mangut nga qeveria e drejtuar prej tij. Për rivalët politik, i pari i qeverisë së Lëvizjes tha se, “sot kemi për rivalë kundërshtarë të frikësuar e të tjerë që frikësojnë, dhe kur frikësohesh përfundon tek ata që ua ke frikën”, për të shtuar më tutje se, “ata që e kanë trurin asfalt natyrisht që mund të na sjellin asfalt, por pa tru”. Ndërkohë, në Kosovën me 18% të popullsisë në varfëri ekstreme Kryeministri Kurti u zotua se motoja jonë është, “asnjë familje pa kulm mbi kokë dhe asnjë shtëpi pa dikë të punësuar”.

Me këtë vizion e guxim, me këto qëllime e me këtë dashuri të madhe për shqiptarët qeveria Kurti do ta transformojë Kosovën e do ta emancipojë mbarë shoqërinë.

Kontribo

27 09 2019

Erdhi Dita për Artanën e Artë

Në vendin më të artë të Kosovës e kryeqytetin e argjend, siç e cilësoi Glauk Konjufca, në Artanë u mblodhën qindra qytetarë për të dëgjuar kandidatët e Lëvizjes për deputet Emin Gërbeshin, Labinotë Demi Murtezin, Shemsi Sylën, Fitore Pacollin dhe Glauk Konjufcën .

Ne jetojmë në komunën më të pasur në rajon dhe jemi qytetarët më të varfër të vendit. Me qeverinë Kurti që investon në minierat e Artanës e Trepçës do të zhvillohet ekonomia dhe Artana, tha kandidati Emin Gërbeshi.

Kandidatja Labinotë Demi Murtezi u shpreh e bindur se qytetarët tashmë e dinë që Lëvizja është e vetmja shpresë dhe se e meritojmë të qeverisim me një kryeministër si Albin Kurti.

20 vite pas çlirimit nuk mund t’i lëmë pensionistët me lëmoshë, nënat e reja pa pushim lehonie, të sëmurët pa ilaçe dhe ushtrinë e Kosovës pa funksionalizim të plotë, andaj erdhi dita e ndryshimit, u shpreh Shemsi Syla.

Fitore Pacolli kujtoi se 1 në 8 gra është sot e punësuar dhe mbi 60% e të rinjve janë të papunë dhe se kjo do të ndryshojë me 6 tetor, me një shtet që është për të gjithë.

Glauk Konjufca foli për të mirat që vijnë pas 6 tetorit, për Fondin Sovran që shpëton ndërmarrjet publike nga falimentimi dhe për Bankën Zhvillimore që ndihmon bizneset e vogla dhe të mesme për të krijuar vende pune për rininë.

Me numrin 126 dhe me kandidatin më të mirë për kryeministër Albin Kurtin, me 6 tetor festojmë fitoren e Lëvizjes.

Kontribo

27 09 2019

Ferizaj: Mbështetje Masive për Ndryshime të Mëdha

Nga pallati i zjarrtë i sportit në Ferizajn e harmonisë fetare e sipërmarrësve të rinj mbajtëm tubimin e radhës të fushatës zgjedhore mes mijëra qytetarësh. Së shpejti nuk do të ketë as pallate sporti të mëdhenj mjaftueshëm për tubimet tona. Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë është emri i fitores, sllogani i popullit dhe rruga e të ardhmes së vendit.

Kandidati dhe Kryetari i Qendrës së Ferizajt, Valon Ramadani, kujtoi përpjekjet nëpër kryengritje të shqiptarëve 126 vite më parë për të treguar se përpjekja e tyre është paraprirëse e fitores tonë për drejtësi politike dhe ekonomike. Haki Abazi e vazhdoi paralelizimin historik duke krahasur 6 tetorin e vitit 2019 me 6 tetorin e vitit 1968 ku entuziazmi i shqiptarëve për të drejta kombëtare e barazi me kombet e tjera ishte i pakompromis. “Ky është fundi i pushtimit pas çlirimit të vitit ’99, sepse do t’i japim fund hajnisë, krimit e korrupsionit dhe metodave të nënshtrimit që të gjitha partitë kanë përdorur për ta gjunjëzuar e varfëruar që ta manipulojnë dhe drejtojnë në drejtimin e duhur”, tha kandidati Abazi.

Për kandidaten Arbërie Nagavcin, 6 tetori mund ta çlirojë shtetin nga kapja vetëm nëse fitorja është plebishitare, “Republika nuk është pronë private, por është inteligjenca jonë publike”. Si inteligjencë publike, Kosova ka nevojë për rimëkëmbjen e arsimit, investimin në shkolla, dinjitetin për mësimdhënësit, vëmendjen maksimale për fëmijët dhe lidhjen e arsimit me ekonominë. Mirëpo, të gjitha projektet për të ardhmen e vendit, shpjegoi kandidati Xhelal Sveçla, mund të çohen para vetëm në një shtet të sigurtë, ku të gjithë janë të barabartë përpara shtetit dhe askush nuk qëndron përtej ligjit. “Të gjitha partitë e tjera e kanë qeverisur vendin dhe ne e dimë se nga këta nuk mund të vijë ndryshimi. Këta edhe mund të na e vjedhin programin, edhe mund të na e kopjojnë atë, por ndryshim nuk sjellin”, tha në vazhdim aktivisti i kahmotshëm i Lëvizjes, Sveçla.

Kryetari jonë dhe Kryeministri i ardhshëm i mbarë Kosovës, Albin Kurti, ia filloi me konstatimin se rinia dikur ikte prej Serbisë e tash prej qeverisë. Qeveria Kurti do ta zëvendësojë korrupsionin me shërbim, privatizimin me investime, deindustrializimin me ringritje fabrikash, keqpagimin e punëtorëve me të drejta kolektive për ta, dhe dhunën ndaj gruas me mbështetje sociale e arsimore për gratë.

Duke prezantuar vizionin e qeverisë, Kryeministri në ardhje Kurti bëri me dije se në katër vite mandat 1.4 miliard euro do të jenë investime publike për sektorët strategjikë të Kosovës, 160 milion euro investime në arsim çdo vit, dhe 1000 bursa në disponim për vajzat studente që studiojnë matematikë e shkenca natyrore.

Punëtorët do të kenë zërin e tyre në qeverisjen Kurti, puna e tyre do të njihet, jeta e tyre do të mbrohet dhe organizimi i tyre do të mbështetet. Për shëndetësinë, Albin Kurti u përbetuar se shëndetësia publike pa pagesë individuale do të jetë e garantuar dhe me investimet e nevojshme. “Askush nuk duhet të vdes pse është i varfër, i papunë apo me rrogë të vogël”, tha ai.

Kontribo

27 09 2019

Istogu: historia po ia bën vendin Qeverisë Kurti

Fushata e fitores vazhdoi sot drejt Istogut. Në Istogun e tokave pjellore por pa mbështetje shtetërore, me ujësjellës por pa ujë, me bashkjetesë fetare por me jetë të varfëruar kulturore, dhe më së shumti e më së keqi me rini të talentuar por pa punë, fermerë, punëtorë, të papunë e të rinj po përbashkohen përreth tubimeve të qeverisë së ardhshme Kurti. Tashmë e dimë se cilën qeveri, shtet e Kosovë duam dhe duhet pas 6 tetorit.

Kandidati për deputet dhe njëherazi Kryetari i Qendrës së Istogut, Agron Avdijaj, tregoi se, aty ky qeveria është e madhe në numër, numri i qytetarëve të punësuar është shumë i vogël. “Sa më shumë këshilltarë kishim, aq më shumë kishim skandale korruptive. Zëvendës ministrat e shumtë për funksion kishin uljen e besimit tonë në institucionet tona. Kosovën dhe Istogun e kanë degraduar në vendin më të varfër në Evropë, të izoluar e kriminalizuar, pa prodhim e me migrim masiv”, tha ai.

Duke parë prezencë kaq të madhe të qytetarëve, kandidatja Fatmire Mullhaxha Kollçaku tha se nuk ka më bastione, ndërsa u zotua se pas 6 tetorit vendi do të ketë një sistem të fortë e të garantuar publik e shëndetësor falas. Sidomos klinika onkologjike do të jetë e mbështetur dhe e financuar siç duhet dhe siç ia kanë nevojën dhe e meritojnë të gjithë qytetarët.

Përkundër degradimit të institucioneve në vend, kandidati Shpejtim Bulliqi kujtoi se përgjatë gjithë këtij degradimi Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë aty për të na dëshmuar se gjërat do të duhej të kishin qenë ndryshe. Për Bulliqin qeveria Kurti do të jetë një pasqyrë e re ku qytetarët do ta shohin veten siç janë dhe siç duhet e duan të jenë.

Kandidatja Mimoza Kusari Lila e vazhdoi tubimin duke kujtuar se në historinë tonë si popull ka pasur gjithmonë një dritë e një lëvizje që ka punuar për t’ia kthyer shpresën Kosovës dhe sot kjo lëvizje e kjo dritë ka një listë fitimtare me 110 burra dhe gra të prëgatitur me armën më të fortë, dije, integritet dhe profesionalizëm.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, mes urgjencës për një qeveri të re me vizion të ri, që ndihej në sallë e kudo tjetër, tregoi sesi ndryshimi është i domosdoshëm sepse atë po e kërkojnë studentët me diplomë e të papunë, fermerët që punojnë e nuk fitojnë, mërgata që ndihmon Kosovën që nuk ndryshon, dhe punëtorët që punojnë shumë e paguhen pak. Mirëpo, ndryshimi, tha ai, nuk mund të vijë duke votuar të njëjtit njerëz e të njëjtat parti.

Për drejtësi gjyqësore ndaj të korruptuarve e drejtësi sociale për qytetarët, kandidati për kryeministër, Albin Kurti iu drejtua qytetarëve duke iu thënë: “le të bëhemi bashkë të gjithë për ta ndryshuar vendin për fëmijët tanë e për fëmijët që duhet të lindin e do të lindin për të na trashëguar ne sepse me VETËVENDOSJEN! Tash ka shpresë. Me VETËVENDOSJE-n do ta kthejmë dinjitetin te punëtori, bujku e studenti. Me VETËVENDOSJE!-n do ta zhvillojmë ekonominë, do ta avancojmë bujqësinë, do ta përmirësojmë arsimin dhe do ta rregullojmë shëndetësinë”.

Me rrugë që lidhin fshatin me qytetin e jo me autostrada që i varfërojnë edhe fshatin edhe qytetin, me ujësjellës që i bashkon fshatarët, me punëtorë që bashkohen me ligj të ri për mbrojtjen e të tyre, fushata jonë fitimtare është vegimi paraprak i të gjithë Kosovës pas 6 tetorit.

Kontribo

27 09 2019

Viti: Me aktivistë, punëtorë e bujq bashkuar Lëvizja del e fituar

Dallga e tubimeve të fitores, tashmë të pashmangshme, vazhdoi në Viti. Vitia e priti masivisht e plot entuziazëm tubimin me Kryeministrin e ardhshëm, Albin Kurtin. Në terrin e kapjes së shtetit e shoqërisë, Lëvizja është ylli që sjell dritën e të ardhmes në Kosovë.

Për kandidatin, Njazi Isaku, Lëvizja do të fitojë sepse tashmë jemi më shumë, më mirë e më të bashkuar se ata që e degraduan Kosovën. “Qeverisja e një vendi është publike dhe e hapur e jo private dhe sekrete”, tha kandidati e njëherazi Kryetari i Qendrës në Viti Isaku.

Kandidatja Mirlinda Sadiku tregoi se në Kosovë qeveritë e deritanishme i kanë vjedhur shpresën punëtorit me 12 ore punë, ndërmarrësve me nëpërkëmbjen e biznesit privat, studentit për ndërtimin e të ardhmes së tij dhe mergimtarit për rikthimin në atdhe.

Vitinë e kanë izoluar me autostrada të mbyllura e pa zhvillim lokal, por tashmë qytetarët po thonë ‘boll më’.

Në një sallë ku brohoritjet nuk kishin të ndaluar, Kandidati Liburn Aliu kujtoi se VETËVENDOSJE! është emri historik i Kosovës, ndërkohë që kush e ka harruar historinë është bërë skllavërues i këtij populli. “Ne kemi thirrur gjithmonë VETËVENDOSJE! dhe vetëm kur e kemi thirrur këtë fjalë kemi ekzistuar bashkë e bindshëm dhe sot po e thërrasim këtë emër për qeverisjen e re”, tha aktivisti e kandidati Aliu.

Fitorja e Lëvizjes ka marrë dhenë dhe Kandidatja Albulena Haxhiu bëri të ditur se, “tubimet e kësaj fushate janë hera e fundit kur ne akuzojmë një të keqe që po shkon dhe siç thotë populli ‘kurrë mos u ktheftë më’. Do t’u japim goditjen e fundit me 6 tetor dhe për 4 vite do t’u tregojmë se si duhet të qeveriset vendi”.

Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, përmendi faktin se më shumë kanë emigruar në vitet pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova sesa edhe në kohën e okupimit dhe se kjo prirje është në grahmat e fundit. “Me numrin 126 erdhi dita që të investojmë në arsim e shëndetësisë, infrastrukturë e energji”, u zotua numri 1 i numrit fitues 126.

Qeveria Kurti zotohet se do t’i sigurojë ilaçet bazë dhe do të garantojë kujdesin shëndetësor publik që meritojmë e na takon. Barazia mes qytetit e fshatit do të rritet duke investuar në ujin e pishëm, ndriçimin, kanalizimet, ujësjellësat, çerdhet e infrastrukturën publike kudo në Kosovë.

Lëvizja nuk do t’i vazhdojë proceset nëpër të cilat ka mbetur peng vendi, por do ta çlirojë atë në procese të reja. “Erdhi dita të investojmë në energji, industri e bujqësi që t’i hapim fabrikat, t’i punojmë arat dhe ta rrisim punësimin”, shtoi Kryeministri Kurti.

Djersa e punëtorit dhe e bujkut po i zë besë përpjekjeve të aktivistëve të Lëvizjes për drejtësi, barazi e zhvillim në Kosovë. Në qeverinë Kurti bëhen bashkë mundi e djersa, dëshirat dhe ëndrrat e të gjithë qytetarëve. Qeveria Kurti ia kthen fytyrën dhe ia drejton kurrizin Kosovës.

Kontribo

27 09 2019

Erdhi Drita për Sharrin

Peizazhet e detajuara harxhojnë shikimin, sidomos kur janë delikate dhe të ngjyrosura kaq bukur si në Sharrin tonë sot, ku një dritë sydjegëse buzë kodre na e bëri më të përshtatshme të tubohemi brenda për të folmen e ndryshimeve të mëdha që na presin me Qeverinë Kurti.

Doktor Mërgim Mestani, kandidat nga kjo anë e Dragashit, tha se prioritetet e qeverisë Kurti përmbushin nevojat dhe kërkesat e secilës kategori shoqërore ngase avancojnë arsimin, rrisin punësimin, ulin varfërinë dhe mbështesin rininë e ndërmarrësin.

Kandidatja Dafina Alishani përmendi interesimin e madh të turistëve vendorë e ndërkombëtarë në bukuritë e Sharrit dhe neglizhencën institucionale ndaj kësaj pjese. Me qeverinë e re Sharri do të jetë pika e zhvillimit të turizmit në vend.

Kandidati Xhelal Sveçla kujtoi se me qeveritë që kanë sunduar vendi ynë është bërë gurë që nuk peshon shumë e ku të rinjtë e të rejat po e braktisin vendin. Kosovës i duhet një fitore e thellë e Lëvizjes ngase edhe ndryshimet duhet të jenë rrënjësore.

Duke përmendur ndërtimin ilegal të hidrocentraleve që po shkatërrojnë lumenjtë dhe pellgjet lumore, kandidatja Fitore Pacolli tha se qeveria e re do të jetë e pakompromis në ndalimin dhe gjobitjen e tyre. E pakompromis edhe për gurthyesit që kanë bërë dëme.

Mytaher Haskuka tha se erdh dita për ta çliruar Kosovën nga kriminelët që po pengojnë zhvillimin e jetës në vend. Duke përmendur projektin e Parkut të Biznesit që nuk po merr dritën jeshile nga pushteti dhe çështjen e banimit për personat në nevojë që po përmbyllë çështjen e banimit në Prizren, ai tha se Albin Kurti duhet të bëhet sa më parë kryeministër në mënyrë që vendi të ecën para.

Me Lëvizjen në qeverisje do të zhduken monopolet e miqve të PAN-it në ekonomi dhe fondet do të orientohen në forcim të prodhimit vendor, tha kandidati Glauk Konjufca, duke renditur tri gjë ra që do t’i bëjë Lëvizja për rininë : Së pari, çdo i ri do të shkollohet mirë në të gjitha fazat e edukimit. Së dyti, një vend pune do ju sigurohet dhe së treti, do të mundësohet banimi i përballueshëm për qifte të reja përmes ndihmës shtetërore.

Për ti hequr hajnat dhe për ta sjellë ndryshimin ka vetëm një garanci, Albin Kurti kryeministër dhe Lëvizja në qeverisje. Me datën 6 do të fitoj numri 6. Fitorja do jetë e popullit, kurse festa e qytetarëve.

Kontribo

27 09 2019

Me 6 tetor politika u merret tuxharëve e u kthehet qytetarëve

Fushata fituese e Lëvizjes kaloi sot mes tokash pjellore për t’u tubuar në Rahovec. Rahoveci ka shumë mundësi për zhvillim, shumë bujari mes banorësh e shumë dëshirë për punë, por pak mbështetje dhe vizion shtetëror.

Kandidati jonë Visar Korenica tregoi se qeverisja e Lëvizjes do ta avancojë bujqësinë duke siguruar treg për bujqit e fermerët bashkë me subvencionime e investime kapitale për ta. “Me ne do të kthehet dinjiteti për punë”, tha Korenica i cili edhe vjen nga Rahoveci.

Më së shumti, mungesën e mbështetjes shtetërore në vend e ndjejnë të rinjtë, ndërkohë që për Lëvizjen ata janë e vetmja shpresë e jona për ardhmëri. Kandidatja jonë Yllza Hoti tregoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! beson fuqishëm në potencialin e të rinjve të Kosovës dhe në përfshirjen e tyre në vendimmarrje e qeverisje. “Me arsim e lidhur me ekonominë, të garantuar e papagesë, me shkolla profesionale e me bursa për vajzat tona studente të shkencave natyrore të rinjtë e Kosovës do të kenë shumë arsye për të qendruar e jetuar këtu”, tha ajo.

Ndërsa kandidati dhe profesori i shkencave politike Hysamedin Feraj u shpreh i bindur se me 6 tetor politika u merret tuxharëve dhe u kthehet qytetarëve. Me 6 tetor institucionet i kthehen shtetit në vend se të përdoren kundër territorit e sovranitetit. Me 6 tetor rithemelohet republika dhe shemben feudet.

Qeverisja Kurti do t’ia kthejë institucionet republikës përmes luftës kundër krimit, korrupsionit e kapjes së shtetit. Për kandidatin Rexhep Selimi kjo do të realizohet me ngritjen e dinjitetit për policinë e vendit duke u siguruar sigurimin e jetës, pensionin e parakohshëm, vettingun për udhëheqësit e lartë dhe mbikqyrje për ta. Kosova do të ketë, me fjalët e ish-komandantit të UÇK-së, policë të dashur për qytetarët e vet dhe tmerr për krimin dhe kriminelët. “Përkrah ringritjes së policisë edhe ushtria do të zhvillohet siç i ka hije e siç na e do nevoja brenda vetëm 4 viteve e jo 10 sa premtojnë ish-PAN-istët”, tha Selimi.

Në fjalën përmbyllëse, Kryeministri jonë i ardhshëm, Albin Kurti, shpjegoi vizionin e Lëvizjes për t’iu bërë krah bujqve e fermerëve në mbjellje e korrje me ngritjen e pikave të grumbullimit për produktet e tyre, mbrojtjen nga vërshimet, bërjen e sistemeve të ujitjeve, mbështetjen me subvencionime sipas nevojës e jo nepotizmit dhe me investime përmes grantit të katërt për komunat.

Përmes ligjit për mbrojtjen e prodhimit vendor, drejtuesi i qeverisë Kurti shpjegoi se në qeverinë tonë institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike do të furnizohen me prodhime vendore, shteti ynë duhet të bëhet konsumator i prodhimeve të vendit tonë.

“Taksimi progresiv mbi fitimin për solidaritet dhe rishpërndarje sipas nevojave shoqërore dhe investimi në projekte strategjike do t’ia kthejnë fytyrën Kosovës. Të gjithë do të korrin çkanë mbjellë në Rahovec e mbarë vendin, hajnat burgun e konfiskimin, punëtorët e bujqit punën me dinjitet e prodhimin, gratë barazinë e studentët arsimin siç e meritojnë”, tha në fund Kurti.

Kontribo

26 09 2019

Kastriot: Duam ndryshime prandaj e duam Lëvizjen

Nga Mitrovica vazhduam në Plemetin të Kastriotit fushatën e Lëvizjes. Fushatën e kemi kthyer në stuhi tubimesh. Plemetini i Kastriotit nën mjegullën ndotëse plot pluhur e zhurmë nga KEK-ut, me varfërinë e madhe e papunësinë e lartë, sidomos mes shqiptarëve atypari, është i bindur se vetëm ndryshimet e mëdha na duhen. Asgjë më pak se transformimi i Kosovës, jo thjeshtë reformimi i saj, që ajri dhe mjedisi në Plemetin e në mbarë Kosovën të jetën ashtu siç na i do trupi e zemra.

Në një natë të ndriçuar nga qytetarë pjesmarrës shihej qartë bindja se Lëvizja është i vetmi subjekt i ndryshimit.

Kandidati për deputet Aziz Bici kujtoi se të gjitha subjektet e tjera kanë mashtruar në fushata e na kanë zhgënjyer pas saj duke mos bërë asnjë dallim nga qeverisja para tyre. Ndërsa kandidati Sulejman Çerkezi bëri thirrje që qeveria Kurti të votohet si qeveria e parë shërbëtore e këtij populli dhe se duhet të bëhemi bashkë duke thënë se, “kjo është detyra jonë dhe detyrat tona nuk i kryen askush tjetër përpos nesh”.

Nuk luftohet kapja e shtetit me kryeprokuror pa kryeaktakuza, shpjegoi Kryeministri në ardhje Kurti, “këta mbjellin korrupsion e ne korrim mjerim”.

Në një shtet të delegjitimuar nga kapja e tij dhe korrupsioni i lartë duhet një qeveri me guximin për të bërë vetting në gjyqësor e prokurori, polici e inteligjencë, duhet një qeveri me guxim për të zhvendosur investimet nga asfalti në shkolla e spitale, duhet një qeveri që i ngjan punëtorëve e fermerëve të këtij vendi dhe jo oligarkëve të tij.

Sa për arsimin, ai duhet lidhur me ekonominë dhe me fokus të veçantë shkollat profesionale, bëri me dije Kryeministri në ardhje Kurti duke shtuar, “në këtë mënyrë as nuk do të kemi analfabet me diplomë e në të njëjtën kohë kushdo që ka diplomë do të gjej punë”.

Kastrioti, Kosova dhe mërgata jonë do të lëvizin masivisht drejt qendrave të votimit me 6 tetor. Ndryshimi me qeverisjen Kurti do të jetë po aq i madh sa pjesmarrja në votime. Barazia, drejtësia e zhvillimi do të jetë po aq sa ne i dëshirojmë. Erdhi dita që Kosova të na duket ashtu siç jemi e duam të jemi edhe vetë.

Kontribo

25 09 2019

Mitrovica, fillimi i fitores

Nga Mitrovica, me guxim, shpresë e dashuri për veten e për Kosovën tonë, nisëm fushatën për ndryshimet e mëdha që duam t’i shohim të realizuara pas 6 tetorit. Mijëra qytetarë, plot të rinj e të reja e mbushën sallën e sporteve “Minatori” përplot me brohorima dhe entuziazëm, duke mirëpritur Kryeministrin e ardhshëm, Albin Kurtin, bashkë me kandidatët e listët tonë fitimtare.

Kosovës i duhet një qeveri e cila e drejton atë me vizion e projekt transparent, dhe nuk e nënshtron verbërisht në objekt negociatash apo në negociata pa parime.

Mitrovicës, tha kandidati për deputet dhe Kryetari i Qendrës në Mitrovicë, Faruk Mujka, “i duhet një politikë qendrore ku Prishtina na e dëshmon se është më pranë Mitrovicës sesa Serbia”.

Mitrovica është plaga e Kosovës, me fjalët e Liburn Aliut, “të cilën në fillim e ndanë e pastaj e varfëruan për ta nënshtruar e trajtuar si problem të dorës së dytë. Mirëpo, erdhi dita për ta rimëkëmbur Mitrovicën e të gjithë Kosovën”.

Kandidatja për deputete Albulena Haxhiu u shpreh e bindur se qytetarët do ta votojnë Lëvizjen sepse duan vetting në gjyqësi, prokurori, polici e inteligjencë, sepse nuk duan një shtet të kapur, e sepse “kur kapja e shtetit bie, liria jep frytet e veta në çdo fushë e aktivitet njerëzor”.

Ndërsa Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, bëri thirrje plot besim për ta votuar e mbështetur Albin Kurtin si Kryeministër, si figurën politike gjithnjë konsistente, guximtare, të drejtë, në mbështetje të palëkundshme të Mitrovicës dhe gjithnjë në ballë të ngjarjeve e të vërtetave të popullit tonë.

“Lëvizja e lëviz Trepçën dhe Mitrovicën përpara”, kumtoi Albin Kurti, numri një i fitores sonë dhe shtoi se, “nuk zhvillohet ekonomia duke futur në borxh shtetin për të paguar rrogat e për të shtruar asfalt”.

Mes ngazëllimit e fytyrave të qeshura nga e gjithë Mitrovica, Kryeministri i ardhshëm Kurti bëri me dije se erdhi dita e arsimit me dinjitet e me cilësi, erdhi dita e shëndetësisë së garantuar e pa pagesë, dita e barazisë mes burrave e grave, dita e mbrojtjes së punëtorëve e mbështetjes së fermerëve, dita e ringritjes së ekonomisë e stimulimit të biznese. Erdhi dita e ekonomisë pa privatizime, por me politika zhvilimore e inovative për mbrojtjen e mjedisit e zhdukjen e monopoleve dhe për t’u ndërtuar bashkë me ndihmën e mërgatës.

Me ftesën për ta marrë në dorë të ardhmen tonë e për ta kthyer Kosovën kah e mbara, Albin Kurti e përmbylli tubimin me apelin, “le t’i bëjmë krenare gjeneratat që vijnë pas nesh për punën që do të bëjmë pas datës 6 tetor, sepse këto nuk janë thjeshtë një palë zgjedhje. Ky është referendum për të ardhmen, prandaj le të dalim masivisht dhe të shënojmë kthesën historike”.

Fitorja e Lëvizjes nisi nga Mitrovica, me një qeveri të re siç nuk e kemi parë asnjë herë më parë, për drejtësi, barazi dhe zhvillim siç nuk e kemi jetuar kurrë.

Kontribo

25 09 2019

Lëvizjes i duhet ndihma juaj!

Të dashur miq e mbështetës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Si në çdo zgjedhje, ne i drejtohemi qytetarëve për mbështetje financiare. Si subjekti më transparent në Kosovë, ne e kemi patur një mbështetje financiare në rritje, e cila është përkthyer edhe në rezultat më të mirë elektoral. Kësaj radhe fitorja jonë është e domosdoshme, për ta çliruar shtetin e Kosovës nga kapësit e korruptuar e kriminalë.

Ne nuk pranojmë financime nga persona apo biznese të dyshimta. Nuk pranojmë shuma të mëdha. Fuqia jonë bazohet në ndihmat e vogla, që na i jepni shumë prej jush.

Andaj, me rastin e zgjedhjeve të 6 tetorit, ku Lëvizja VETËVENDOSJE! do të fitojë, ne duhet të bëjmë një fushatë perfekte. Për ta arritur këtë, është e nevojshme ndihma juaj. Cilado shumë që keni mundësi, pa ju ngushtuar e pa ju vënë në vështirësi, neve na ndihmon që ta sjellim më pranë kthesën e madhe. Qeveria Kurti do të jetë momenti i kthimit të Kosovës kah e mbara, për të gjithë qytetarët e saj.

Udhëzimet mund t’i gjeni në faqen:

https://donacion.vetevendosje.org

Kontribo

25 09 2019

VETËVENDOSJE! hap fushatën në MITROVICË

Qytetarët prej vitesh presin ndryshimin, që Kosova të kthehet nga e mbara. Më në fund, erdhi dita për ta bërë realitet këtë dëshirë.

Fushata zgjedhore e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të nisë në Mitrovicën emblematike. Do të nisë prej qytetit që do të bëhet motori i zhvillimit ekonomik.

Ftojini të gjithë të marrin pjesë në tubimin e hapjes së fushatës zgjedhore, të mërkurën më 25 shtator, në orën 16:00, në Sallën e Sporteve “Minatori”, në Mitrovicë.

Kontribo

25 09 2019

Qytetarët përkrahin listën fituese të qeverisë Kurtit

Kandidati për Kryeministër, Albin Kurti, bashkë me kandidaten e listës tonë të përbashkët, Mimoza Kusari-Lilën, dhe me kandidatin tjetër Taulant Kryeziun ishin të pranishëm në takim me qytetarë organizuar në Hotel Sirius, në Prishtinë, nga pjestarë të Alternativës.

Në fjalën e saj, kandidatja Kusari tha se ajo që e bashkon me Lëvizjen është përpjekje esenciale për kthesën që duhet ta ketë Kosova në zgjedhjet e 6 tetorit. “Ne po përpiqemi në vazhdimësi për të treguar se Kosova ka mundësi të jetë një histori suksesi dhe kjo histori suksese do të fillojë me fitoren dhe qeverinë Kurti”, tha në mbyllje Kusari.

Për Taulant Kryeziun domosdoshmëria e qeverisjes Kurti shpërfaqet edhe nga raportet e të gjitha organizatave ndërkombëtarë e partnerëve tanë strategjikë ku thuhet se Kosova është një shtet i kapur dhe me shoqëri të politizuar skajshmërisht. “çkapja e shtetit dhe e shoqërisë tonë vjen me qeverinë Kurti pasi kryeministri i ardhshëm nuk është as i kapur as i dirigjuar prej të tjerëve”, e mbylli fjalën e tij Kryeziu.

Në fjalën e tij Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti theksoi nga alternativa qeverisëse rëndësinë e lidhjes së ekonomisë me arsimin, shtesat për fëmijët, sigurimin shëndetësor, pesë fishimin e inspektorëve të punës. “Ne angazhohemi që shteti ynë përherë të parë prej se është shpallur i pavarur të jetë edhe shtet social. Në duam që shteti ynë ta ketë karakterin universal dhe solidar që do të thotë që të gjithë do të paguajnë për të mirën e përgjithshme, por që do të thotë se në të njëjtën kohë do të ndihmojmë dhe t’u shërbejmë më së shumti dhe më së pari atyre që kanë edhe nevojat më të mëdha”, tha Kurti.

Një shtet i hapur për qytetarët, përkujdesës për rininë, gratë e punëtorët dhe i palëkundur përballë krimit do të jetë shteti i qeverisë Kurti dhe shteti që meriton Kosova.

Kontribo

25 09 2019

Takim me delegacionin e parlamentarëve danez

Kryetari Albin Kurti bashkë me kandidatët për deputetë, Avni Zogianin, Yllza Hotin, Fitore Pacollin dhe Vlera Gjakovën mirëpritën një delegacion të gjerë ish anëtarësh të parlamentit e qeverisë daneze nga shumica e partive daneze si dhe gazetarë prej andej. Delegacioni po e viziton Kosovën si pjesë të një vizite studimore në Ballkan.

Kryetari Kurti me kandidatët për deputetë u shpjegoi delegacionit se si e mendon situatën në rajon Lëvizja, se si do të duket qeveria e pas zgjedhjeve të 6 tetorit, se si do ta luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe se si e mendojmë ne t’i integrojmë serbët e Kosovës përmes dialogut të brendshëm për zhvillim ekonomik. Po ashtu, edhe ndaj interesimit të delegacionit për ndërtimet e shumta në Kosovë, Kryetari shpjegoi se në çfarë gjendjeje të rëndë është Kosova prej mafias së ndërtimit dhe shtetit të dobët në mbikqyrjen e ndërtimeve dhe ndalimin e atyre të paligjshme.

Në përfundim të takimit, i uruam vizitë të mbarë me plot të reja dhe mësime të nxjerrura nga Ballkani.

Kontribo

24 09 2019

Kandidati për Kryeministër Kurti Përballë të Rinjve

Kandidati jonë për Kryeministër, Albin Kurti, ndau dhe bashkëbisedoi me të rinjtë programin tonë për rininë në Kongresin Kombëtar të dytë të të Rinjve të Kosovës.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të të rinjve mbi korrupsionin dhe papunësinë nga njëra anë dhe jetën e varfër sociale e kulturore nga ana tjetër që po i shtyjnë ta braktisin Kosovën, Kryeministri i ardhshëm Kurti prezantoi masat kryesore të Lëvizjes mbi arsimin dhe zhvillimin ekonomik.

Skema e punësimit të garantuar për 16-18 vjeçarët, ringritja e një rrjeti shkollash të mesme profesionale, afrimi i universiteteve me praktikat për studentët dhe 1000 bursat për vajzat me prioritet studentet e shkencave të natyrës janë vetëm disa nga nismat që rinia jonë ta jetojë Kosovën si projekt të të ardhmes së tyre.

Pa rininë ndryshimet janë arnime të të njëjtit realitet. Me rininë ndryshimet e transformojnë realitetin.

Kontribo

24 09 2019

Lëvizja Infrastrukturë për Qytetarët

Në një bashkëbisedim me qytetarë nga Gjakova e Peja që jetojnë dhe punojnë në Prishtinë, ndamë idetë kryesore të ndryshimeve që do të sjellim pas 6 tetorit. Kandidati jonë për Kryeministër, Albin Kurti, shoqëruar nga kandidatët e listës tonë për deputetë, Mimoza Kusari-Lila, Arbërie Nagavci, Arben Vitia, Taulant Kryeziu dhe Vlera Gjakova bisedoi me shumë qytetarë të interesuar për planin tonë qeverisës.

Kandidatët tanë për deputetë prezantuan disa nga masat tona prioritare. E zemëruar me degradimin 20 vjeçar të shëndetësisë Lëvizja angazhohet për një sistem shëndetësor të fortë e të garantuar publik, ku qendrat e mjekësisë familjare janë vendi i parë ku marrim trajtimin që meritojmë dhe ku të gjithë kanë sigurime shëndetësore. Madje, 1 janari 2023 ne zotohemi se do të fillojë funksionimi i plotë i sigurimeve shëndetësore.

Ndërsa kapjes së shtetit të denoncuar edhe nga partnerët tanë më të mëdhenj do t’i përgjigjemi me një vetting të gjyqësorit, prokurorisë e drejtuesve të nivelit të lartë të policisë e inteligjencës.

Në sferën e ekonomisë, ndërmarrjet shoqërore nuk do t’i privatizojmë, por do t’i mbrojmë e zhvillojmë brenda fondit sovran që do të krijojmë.

Për realizimin e të gjitha këtyre masave dhe shumë të tjerave qytetarët do ta kthejnë 6 tetorin në një fitore referendare sepse ndryshime që na duhen dhe që do t’i sjellim janë shumë të mëdha. “Secila votë është një ndryshim më shumë, sa më shumë të votojnë aq më i madh do të jetë ndryshimi”, u zotua i pari i listës tonë, Albin Kurti.

Efektet e qeverisë Kurti, përmes grantit të katërt për pushtetin lokal dhe përmes investimeve strategjikë do t’i ndjejë edhe Gjakova, e lënë kaq shumë pas dore pas luftës. Ndër të tjera, kryeministri i ardhshëm Kurti shtroi idetë se, “është e rëndësishme që të funksionalizohet aeroporti i Gjakovës që të jetë për fluturimet cargo dhe me bileta të lira, por duhet ta bëjmë edhe një studim fizibiliteti me Republikën e Shqipërisë sepse është e rëndësishme lidhja infrastrukturore Gjakovë-Shkodër. Riaktualizimi socio-ekonomik, lidhja historike Gjakovë-Shkodër duhet të jetë prioritet kombëtar”.

Kontribo

23 09 2019

Akrashticë, Vushtrri: me ngazëllim për qeverinë Kurti

Akrashtica e Vushtrrisë nuk kishte sallë apo shkollë të madhe mjaftueshëm për të akomoduar numrin e madh të banorëve që kishin ardhur në tubim. Akrashtica gjithnjë e ka mbështetur Lëvizjen masivisht në tubime e protesta, por kurrë si dje, plot ngazëllim. Dukej sikur i gjithë fshati ishte para shkollës, nipa e mbesa me prindër e gjyshër, për të dëgjuar si do të duket Kosova pas 6 tetorit.

Gjithnjë, pahezitim dhe e pakursyer përballë forcave serbe e regjimeve të pasluftës, Akrashtica tashmë është gati edhe për ndryshimet e mëdha me qeverinë Kurti. Në sytë e banorëve nuk sheh urrejtje, por zemërim të madhe për mungesën e drejtësisë, nuk sheh dëshpërim, por dëshirë të madhe për një kthesë të madhe.

Kandidatët nga Vushtrria, Sulejman Meholli, Besim Muzaqi, Fjolla Ukjani e Gazmed Gjyshinca, përforcuan mbështetjen e madhe ku edhe sipas sondazheve të fundit lokale Lëvizja del e para bindshëm në këtë zonë. Aq më tepër në Akrashticë, e cila është angazhuar gjithmonë masivisht në aktivitetet tona.

Kosova nuk e ka luksin që të rinjtë t’i lërë të paarsimuar mirë dhe të papunë edhe kur janë të mirëarsimuar. Ndërsa, ata që i hapën rrugën papunësisë, arsimit të dobët e rrugët e kufijve për migrimin masiv, ne do të hapim derën e burgut për ta.

Me fjalët e tij, kandidati jonë për kryeministër, Albin Kurti, tregoi sesi qytetarët po e duan Lëvizjen dhe sesi po i japin zemër që përmes saj pa u dridhur të funksionojë shteti i Kosovës. Pritjes së madhe të banorëve iu përgjigj duke u thënë se, “e di që ju keni vuajtur shumë e keni pritur gjatë, me qeverisjen e VETËVENDOSJE! edhe Vushtrria edhe Akrashtica do ta kenë vemendjen e duhur sepse njerëzit patriotë e punëtorë duhet ta kenë pranë shtetin për ta përparuar shoqërinë”.

“Më së pari qytetarët do ta shohin ndryshimin e qeverisjes pas 6 tetorit me reformimin e administratës publike ku përulja ndaj qytetarëve dhe mbikqyrja e mirëmbajtja e pasurisë së përbashkët do të jenë praktikë e përditshme shtetit të Kosovës”, vazhdoi Kurti. Duke përmendur numrin e vogël të inspektorëve të punës dhe mbipunësimin në sektorë të tjerë administratës, i pari i listës tonë fituese shpjegoi se ka njerëz me vende pune e pa punë dhe ka njerëz që duan punë e nuk kanë vend pune. “Në administratën publike ne nuk do t’i hedhim njerëzit nga puna, por do t’u japim atyre punë. Aty ku ka dypunësim do t’i punësojmë në inspektoriatin e punës”, potencoi ai.

Besimi në Lëvizjen e prioritetet e qeverisë Kurti dhe dashuria për Kosovën do ta kthejnë 6 tetorin në një dasëm të madhe për një republikë të re për zhvillim për vendin tonë, ku qytetarët do të bashkohen në prodhim dhe do të jenë të barbartë përballë një shteti të drejtë.

Kontribo

22 09 2019

Fushë-Kosova: mobilizim edhe përmes piknikut.

Të dielën në Fushë-Kosovë e shndërruam në piknik mobilizues. Mes pishave të parkut të Sllatinës, me aktivistë e qytetarë, të rinj e të moshuari, mes gjelbërimit dhe ajrit të pastër, biseduam me entuziazëm për kthesën kah e mbara, që do të marrë Kosova pas 6 tetorit.

Qytetarët e kërkojnë Kosovën të pastër ashtu siç kërkojnë parqet, për fundjavat me familjet e tyre. “Me qeverisjen tonë të re”, u zotua Kryeministri jonë i ardhshëm Kurti, “ne do ta mbrojmë mjedisin, do ta luftojmë ndotjen dhe gjithashtu do ta pastrojmë Kosovën. Do ta pyllëzojmë Kosovën, sepse këta e kanë shpyllëzuar, dhe do t’i rregullojmë shtratet e lumenjve në mënyrë që sa herë kemi të reshura të mos kemi vërshime”.

Qeverisja e Lëvizjes nuk do të vijë me urrejtje e për inat të askujt, por me hir e për nevojat e popullit tonë. Kosova ka nevojë për një shtet aktiv i cili i kryen më së miri funksionet e tij kryesore të mbikqyrjes dhe mirëmbajtjes të pasurive tona të përbashkëta.

Kryeministri i ardhshëm, mes duartrokitjeve të ngrohta të qytetarëve, shtoi se, “duhet t’i luftojmë dy vese të këqija që vijnë prej lart-poshtë, harresën e lakminë. Harresa edhe lakmia e kanë përçarë e ndarë shoqërinë tonë, harresa ndaj krimeve të luftës e të paqes, dhe lakmia për pushtet e para. Këto duhet të ndalen. Harresën ta luftojmë me kujtesë institucionale dhe lakminë me një qeverisje të re e cila e bën reformën e administratës ku do kemi edhe departizim edhe profesionalizëm”.

Për kandidatët nga Fushë-Kosova, Albana Gashin dhe Avni Zogianin, përkrahja e përditshme qytetare po tregon se më 6 tetor Lëvizja do të fitojë edhe më bindshëm sesa në zgjedhjet e vitit 2017, kur doli e para në komunën në fjalë. Qytetarët duket se e kanë të qartë zgjedhjen mes qeverive të deritanishme të lidhura me tregtarët e mëdhenj të importit e dirigjimeve nga Serbia përballë qeverisë Kurti për prodhim vendor e reciprocitet me Serbinë.

Lëvizja është bërë zgjidhja e shqetësimeve, adresa e shpresave dhe ëndrrave tona, nyja që na mbledh në shoqëri prej bindjes se të mirat e përbashkëta janë për t’u bashkëndarë. Erdhi dita e një vullneti të përgjithshëm, për të mirën e përbashkët me Lëvizjen.

Kontribo

22 09 2019

Me Lëvizjen gratë sjellin ditën e barazisë në shoqëri

Gratë janë kusht për ta rritur dhe intensifikuar barazinë mes nesh.

Me këtë dëshirë e qëllim kandidatet tona për deputete, mbajtën tubim për shpalosjen e prioriteteve të Lëvizjes që avancojnë pozitën shoqërore dhe ekonomike të grave në Kosovë.

Kandidatja për deputete dhe aktivistja për të drejta të njeriut, Saranda Bogujevci, kujtoi se gratë kurrë nuk rezistojnë, angazhohen dhe luftojnë vetëm për veten. Gjithnjë janë aty për të gjithë shoqërinë dhe nuk e duan një botë pa tjetrin. Gratë janë emri i barazisë në shoqëri. Lufta e tyre kundër papunësisë së lartë, shfrytëzimit, dhunës dhe përfaqësimit të ulët politik janë diskurs, brengë dhe prioritet i yni politik.

Garantimi i përfitimit të trashëgimisë familjare, sistemi shëndetësor i fortë publik, skema e punësimit të garantuar, hapja e çerdheve dhe forcimi i edukimit parashkollor, arsimi pa pagesë në të gjitha nivelet, bursat për vajzat studente, shtesat për fëmijët, banesat sociale dhe mbrojtja e të drejtave të punëtoreve janë masat e qeverisë Kurti që ndryshojnë radikalisht gjendjen e grave e rrjedhimisht të të gjithë shoqërisë tonë.

Nga mungesa e shtetit shqiptarët kombin e kanë mirëmbajtur në familje dhe nga mungesa e barazisë familjen e kanë mirëmbajtur gratë. Kryetari i Qendrës së Prishtinës, kandidati, Arben Vitia, përshkroi gjendjen e grave në shoqëri, ku sipas nevojës janë ekonomiste e pastruese, mjeke e mësuese; punëtore 24-orë në shërbim të pakursyer që ta mbajnë familjen të qetë brenda katër mureve. Jashtë mureve të shtëpisë mbeten më së shumti të papuna e ato pak që punojnë keqpaguhen e tej shfrytëzohen. Ngaqë mungon shteti social, gratë shfrytëzohen edhe më shumë. Një shoqëri që i dhunon, fsheh e shfrytëzon gratë është një shoqëri burrash të frikësuar. Gratë ia kthejnë guximin e barazinë dhe ia heqin frikën shoqërisë.

Sipas kandidates, Jetmira Vrenezit, pjesa më e bukur e fushatës së Lëvizjes janë pikërisht takimet e tubimet me gra. Ato janë të bindura se programi i Lëvizjes është rruga për avancimin e pozitave të tyre në shoqëri. Gratë e dinë se fitorja e Lëvizjes është vetëm fillimi i zgjidhjes së çeshtjeve të grave dhe thirrje për mobilizim edhe më të madh të tyrin pas 6 tetorit.

Temat me karakter gjinor nënvlerësohen me termin `punë grash`. Tinka Kurti, kandidate, bëri thirrje për çlirimin e krijimin e hapësirave publike pikërisht për ato që quhen çështje grash, që të dëgjohen e trajtohen me seriozitet e prioritet. Gratë kërkojnë një shtet të mirëqenies me një sektor publik të gjerë ku ka shtëpi të pleqve, çerdhe, kopshte, qendra kulturore për fëmijët e të tjera të ngjashme. Duhet të çlirohen nga kapja e shtetit mjetet e shoqërisë me dëshirën, ëndrrat e organizimin për ndarjen e tyre sipas nevojave për barazi, drejtësi e zhvillim.

Lufta për një shtet aktiv, social, e zhvillimor është edhe luftë për gratë dhe e grave në Kosovë. “Dobësimi i shtetit dihet që e godet më shumë gruan sesa burrin në familje e jashtë saj, e forcon patriarkalizmin dhe e rrit varësinë e gruas. Shteti ynë është dobësuar nga moszvhillimi, nga padrejtësia dhe pabarazia”, rikujtoi në fjalën e tij Kryeministri i ardhshëm Kurti dhe shtoi se, “erdhi dita për fitoren e madhe të grave e të burrave që vendosin vetë, fitorja jonë do të jetë fitore e grave dhe e vajzave që do të lëvizin për ndryshime si forcë emancipuese për të gjithë shoqërinë tonë”.

Gratë në lëvizje po ia shtojnë mobilizimin organizatës, por po ia shtojnë edhe zgjidhjet problemeve e vendit. Shteti me Lëvizjen dhe gratë do të jetë një shtet që nuk ia kap dhe mbyt mundësitë qytetarëve por i çliron dhe shpalos ato.

Kontribo

22 09 2019

Petrova e Shtimës mbështet fort Lëvizjen

Nga Petrova e Shtimes me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurtin, dhe me kandidatët për deputetë, Fatmir Rashitin, Enkelejda Arifin dhe Qemajl Aliun mbajtëm tubim mobilizues.

Kandidati Fatmir Rashiti tha në tubim se një qeveri si ajo e Albin Kurtit nuk mund të dështojë kur e ka prioritet arsimimin e rinisë së vendit. Pas datës 6 tetor brenga e braktisjes së Kosovës nga të rinjtë do të marrë përgjigjen e përkujdesin që ka kërkuar në një qeveri e cila arsimin e bën cilësor dhe e lidh atë me tregun e punës përmes përgatitjet praktike e profesionale të studentëve e nxënësve.

Kandidati Qemajl Aliu shpjegoi masat e qeverisë Kurti për sistemin shëndetësor me krijimin e fondit të sigurimeve shëndetësore publike, listën esenciale të barnave të paguara nga buxheti i shtetit për mjekimet bazë, ambulancat e lagjeve e fshatrave të depolitizuara dhe fokusimin te mjeku i familjes e organizimi i mjekësisë familjare.

Kandidatja Enkelejda Arifi bëri thirrje për votim masiv sepse vota është e drejtë dhe detyrim i çdo qytetari, për t’u shfrytëzuar nga secili, “sepse nëse ne nuk votojmë votojnë të tjerët për ne, prandaj të dalim të gjithë me 6 tetor të votojmë për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë”.

Në fjalën e tij Kandidati për Kryeministër, Albin Kurti tregoi sesi me shtetin e së drejtës e luftojmë padrejtësinë korrupsionin e krimin, me shtetin zhvillimor papunësinë dhe me shtetin social sjellim barazinë në mënyrë që ata që kanë nevoja më të mëdha të shërbehen më së pari nga shteti. “Me VETËVENDOSJE!-n në qeverisje do të ndihmojmë dhe mbështesim ata që janë më keq, sepse milionerët bëjnë zgjidhjeje gjithsesi”, tha i pari i listës tonë. Për mjedisin premtoi se, “do ta ruajmë dhe mbrojmë mjedisin, do ta pastrojmë Kosovën dhe nuk do ta lejojmë ndotjen e saj. … Toka, ajri dhe uji jonë duhet të mbrohen në mënyrë të pakompromis e pa rezervë. Planifikimi hapësinor dhe mjedisi janë kushtetuta e dytë e një republike”.

Për çdo ditë rritet pjesëmarrja e qytetarëve në tubimet e Lëvizjes, për çdo ditë rritet entuziazmi për ditën e madhe të 6 tetorit. Fitorja e Lëvizjes do të jetë masive e referendare ashtu siç e meritojnë ndryshimet e mëdha për barazi, drejtësi e zhvillim.

Kontribo