30 10 2019

Takim me Kryetarin e Partisë Egjiptiane (IRDK), z. Elbert Krasniqi

Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë, z. Xhelal Sveçla, priti sot në takim Kryetarin e Partisë Egjiptiane (IRDK), z. Elbert Krasniqi, të shoqëruar nga ekipi i tij, z. Xhevdet Neziraj, z. Fazli Stollaj dhe z. Fridon Lala.

Në këtë takim miqësor, biseduam për procesin dhe rezultatin zgjedhor, çertifikimin e rezultateve finale që po e presim për të filluar me formimin e institucioneve të reja, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit drejt një shtetndërtimi demokratik me progres socio-ekonomik për të ardhmen, që nuk diskriminon asnjëri e i jep shansë secilit.

Kryetari Kurti e njoftoi z. Krasniqi që prioritet i qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që punëson dhe integron, të gjithë dhe pa dallime, si dhe sundimi i ligjit, përkatësisht hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional.

Me vende pune, drejtësi, dhe politika që trajtojnë pabarazinë në shoqëri, Kurti tha se do të hapen mundësi të reja të komunikimit e bashkëpunimit mes qytetarëve dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Kontribo

29 10 2019

Reagim për helmimin e punonjësve të KQZ

Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë.

Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë.

Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata.

Pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar.

Kontribo

29 10 2019

Takim me kryetarin e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, në Shqipëri, z. Shpëtim Idrizi

Dje, në ambientet e zyres së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryetari z. Albin Kurti, së bashku me anëtarët e kryesisë së Lëvizjes, znj. Albulena Haxhiu dhe z. Liburn Aliu, priti në takim kryetarin e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, në Shqipëri, z. Shpëtim Idrizi të shoqëruar me përfaqësuesit e kësaj partie, znj. Mesila Doda dhe z. Alket Veliu.

Z. Shpëtim Idrizi uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për organizimin e fushatës që arriti t’i adresojë me sukses brengat e qytetarëve të Republikës. Ai po ashtu përshëndeti daljen e madhe të qytetarëve në këto zgjedhje gjë që tregon bindjen e qytetarëve se politika është vendi ku arrihen ndryshimet e rëndësishme shoqërore.

Z. Kurti foli për marrëdhëniet e reja në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në kuptimin që 50 marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve nuk do të mbeten në letër, por do të zbatohen sa më parë. Ne do të angazhohemi që në të ardhmen të kemi komisione të përbashkëta qeveritare sa i përket politikës së jashtme, burimeve natyrore dhe mbrojtjes e sigurisë. E, po ashtu, edhe një regjistër të përbashkët të bizneseve e për një regjistër të përbashkët civil, për sistem unik doganor, për një sistem të integruar elektro-energjetik dhe për një treg të përbashkët.

Fitorja e Lëvizjes i jep kuptim përpjekjeve historike të shqiptarëve për një politikë barazimtare me dinjitet dhe këtë po e ndjejnë shqiptarët kudo që janë.

Kontribo

29 10 2019

Takim me Ambasadoren e Finlandës në Kosovë, znj. Pia Stjernvall dhe këshilltaren në Ambasadën e Finlandës, znj. Trinka Jusufi.

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti, mirëpritën në takim Ambasadoren e Finlandës në Kosovë, shkëlqesinë e saj, znj. Pia Stjernvall dhe këshilltaren në Ambasadën e Finlandës, znj. Trinka Jusufi.

Znj. Stjernvall uroi kryetarin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe vlerësoi me notë pozitive procesin e rregullt zgjedhor, i cili u monitorua edhe nga vëzhguesit e Ambasadës së Finlandës në Kosovë.

Më tutje u diskutua nevoja që Qeveria e ardhshme të realizojë reforma në sektorë të ndryshëm të vendit, me theks të veçantë në sistemin arsimor. Në takim pati pajtueshmëri që përvojat dhe ekspertiza nga sistemi arsimor i Finlandës do ta ndihmonin reformën dhe përmirësimin cilësor të sistemit arsimor të Republikës së Kosovës. Në lidhje me dialogun me Serbinë, Kryetari Kurti përsëriti qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që për dialogun më e rëndësishme është përmbajtja, sesa afatet kohore, dhe tri parimet për të shëruar pasojat e qasjes së gabuar paraprake: jo marrëveshje pa dialog; jo dialog me harta; dhe, jo presidentët e shteteve mbi harta.

Në fund, Ambasadorja Stjernvall i dhuroi Kryetarit Kurti dy libra mbi inovacionet shoqërore të Finlandës, si dhuratë për rezultatin zgjedhor dhe si ndihmë për zgjidhjen inovative të problemeve më të cilat përballet vendi.

Kontribo

29 10 2019

Takim me Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor z. Arne Sannes Bjørnstad nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë – Departamenti i Evropës Juglindore dhe z. Jens Erik Grøndahl, Ambasadorin Norvegjez në vendin tonë.

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë, Fitore Pacolli, ka mirëpritur Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor z. Arne Sannes Bjørnstad nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë – Departamenti i Evropës Juglindore dhe z. Jens Erik Grøndahl, Ambasadorin Norvegjez në vendin tonë.

Z. Arne Sannes Bjørnstad e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor nga Norvegjia shprehi interesim për zhvillimet politike në Kosovë dhe për dialogun Kosovë – Serbi.

Kryetari Kurti e njoftoi se prioritet e ka forcimin e shtetit në të gjitha fushat, në drejtësi, në ekonomi e në atë sociale. Sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, ai tha se duhet të nxjerrim mësimet nga e kaluara në mënyrë që dialogu të jetë i përgatitur mirë, me parime të qarta, dhe kësisoj të jetë solid.

Në fund, bashkarisht shprehëm interesim për kontakte dhe takime të vazhdueshme bashkëpunuese në të ardhmen.

Kontribo

29 10 2019

Dorëzohet në Gjykatë Supreme ankesa ndaj vendimit të PZAP

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! dorëzoi në Gjykatën Supreme ankesën me qëllim lejimin e numërimit të të gjitha pakove me fletëvotime nga bashkatdhetarët tanë si dhe hedhjen poshtë të vendimit të PAZP-së.

Presim që në afat sa më të shpejtë Gjykata Supreme të marrë vendim duke ia mundësuar realizimin e të drejtës për të zgjedhur dhe numërimin e fletëvotimeve të qytetarëve tanë me banim jashtë Kosovës.

Rikujtojmë edhe njëherë se pakot me fletëvotime janë dërguar brenda afateve kohore nga bashkëatdhetarët dhe si të tilla ato duhet të numërohen dhe të bëhen pjesë e rezultatit final të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës.

29 tetor 2019,
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

29 10 2019

Partia Socialiste e Francës mbështet VETËVENDOSJE!-n

Lëvizja VETËVENDOSJE! pranoi edhe një mbështetje ndërkombëtare. Në adresën tonë erdhi mbështetja nga Partia Socialiste e Francës.

Mbështetja masive nga organizata, parti, politikanë, akademikë e aktivistë ndërkombëtar, po vërteton se Lëvizja VETËVENDOSJE! po shihet si mundësia e vetme për zhvillim, mirëqenie, drejtësi e integrime ndërkombëtare, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga organizata e subjekte të huaja.

Në vazhdim e gjeni përkthimin e letrës mbështetje të dërguar nga Partia Socialiste e Francës

Letra e perkthyer

———————————————————

Zoti Albin Kurti
Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje!
Republika e Kosovës

Paris, 30 Shtator 2019

I dashur shok,

Me rastin e zgjedhjeve legjislative të parakohshme që po mbahen në vendin tuaj më 6 tetor 2019, ndjej thellësisht se duhet të të shpreh, në emrin tim dhe në emër të Partisë Socialiste, dëshirën time për fitoren e listës së partisë që drejton, Lëvizjes Vetëvendosje!

Sipas analizave tona, ky votim ka ngjallur një pritshmëri të rëndësishme për qeverisje demokratike dhe për vendosjen e shtetit të vërtetë të së drejtës. Që prej zgjedhjeve të parakohshme të qershorit të vitit 2017 dhe lojërave të aleancave, lojëra që e hoqën prej pushtetit ekzekutiv partinë tënde, parti që ishte tashmë më e rëndësishmja, qorrsokakët politikë dhe institucionalë u thelluan në Kosovë. Këto kriza të njëpasnjëshme rrënuan njëherësh perspektivën e ardhshme dhe evropiane të popullsisë rinore të Kosovës, por ndihmuan edhe bllokimin e shanceve për rrugëdalje gjithpërfshirëse dhe realiste në dialogun me Serbinë, dialog i arbitruar prej Bashkimit Evropian.

Sot, ndërhyrjet e tua në organizimin e Internacionales Socialiste, si edhe shkëmbimet e tua me partnerët tanë shoqërorë social-demokratë evropianë dëshmojnë për besimin që të është dhënë përsa u takon vlerave të paqes, progresit, barazisë dhe drejtësisë shoqërore, vlera që i ndajmë mes nesh. Këto marrëdhënie dëshmojnë po ashtu zhvillimin e partisë suaj që lindi prej shoqërisë civile dhe grumbullimit të forcave rezistuese, si lëvizje qytetare që u rrit dhe u poq progresivisht drejt statusit të ofertës politike që përbën tashmë të vetmen alternativë të besueshme në interes të gjithë popullit dhe komuniteteve të tij.

Gjithashtu, me shpresën se shumica e zgjedhësve ta besojnë përgjegjësinë e një pikënisjeje të re për shtetin e ri evropian të Kosovës, po të përsëris mbështetjen time të lartë.

Vëllazërisht,

Olivier Faure
Sekretar i Parë i Partisë Socialiste

Kontribo

29 10 2019

Takim me Ambasadorin e Hungarisë, z. Laszlo Markusz.

Kryetari Albin Kurti dhe anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Fitore Pacolli pritën sot në takim Ambasadorin e Hungarisë, z. Laszlo Markusz.

Gjatë këtij takimi u diskutua për situatën politike në prag të formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, dhe për qeverinë e ardhshme. Z. Markusz e uroi Kryetarin Kurti për mbarëvajtjen dhe rezultatin e zgjedhjeve që e nxori VETËVENDOSJE!-n parti e parë. Ai tha se 6 tetori ishte festë për demokracinë e shtetit të Kosovës.

Kryetari Kurti e falënderoi për urimin dhe e njoftoi ambasadorin me prioritetet e qeverisë së re. Zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i korrupsionit të lartë dhe politikat që zbusin pabarazinë në shoqëri janë tri shtyllat kryesore ku do të koncentrohemi, tha ai. Krahas kësaj, Kurti theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira bilaterale midis dy vendeve tona.

Për fund, shprehëm gatishmërinë për ta vazhduar komunikimin mes nesh, ambasadori z. Markusz tha se shteti Hungarez është në dispozicion për të bashkëpunuar me qeverinë e re të vendit.

Kontribo

29 10 2019

Takim me një delegacion nga Misioni i Vëzhguesve të Zgjedhjeve të BE-se në Kosovë

Dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, së bashku me përfaqësuesit e Lëvizjes në KQZ, znj. Nazlie Bala dhe z. Adnan Rrustemi, takuan një delegacion nga Misioni i Vëzhguesve të Zgjedhjeve të BE-se në Kosovë, të përfaqësuar nga z. Marian Gabriel, zv. Shef i Misionit, z. Dominic Howell, shef i Zyrës së Analizës Politike dhe znj. Eirini Skouzou, shefe e Zyrës Ligjore të Misionit.

Në këtë takim, u diskutua për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, procesin e qetë dhe të rregullt, si dhe për raportin preliminar të vëzhguesve të BE-së, rekomandimet e raportit përfundimtar që do të shërbejnë si bazë e mirë për të përmirësuar infrastrukturën ligjore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Ishte vlerësim i përbashkët se dita e zgjedhjeve në përgjithësi ishte e rregullt dhe e qetë, në përjashtim të vendvotimeve në mesin e komunitetit serb të Kosovës, ku partitë që synuan të garojnë nuk ishin në gjendje të zhvillojnë fushata efektive për shkak të frikësimit të kandidatëve, familjeve të tyre dhe votuesve në përgjithësi. Kjo kufizoi ushtrimin e të drejtave themelore demokratike për lirinë e shprehjes, tubimit dhe përfaqësimit, dhe për rrjedhojë, procesi zgjedhor për serbët e Kosovës nuk i përmbushi standardet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Delegacioni i Misionit të Vëzhguesve të BE-së paralajmëroj publikimin e raportit përfundimtar dhe rekomandimet që synojnë forcimin e procesit zgjedhor, rritjen e transparencës, ngritjen e kapaciteteve institucionale për organizimin e zgjedhjeve. Rekomandimet e vëzhguesve të BE-së do të jenë bazë e mirë për përmirësimin e infrastrukturës ligjore të zgjedhjeve në përgjithësi, duke krijuar kushte që edhe në mesin e komunitetit serb të Kosovës të kemi zgjedhje të lira, garë të pacenueshme, e mjedis politik demokratik.

Kontribo

28 10 2019

Drejtësi për Astritin

Sot, në Prishtinë, pranë objektit të “Kinemasë ABC”, ku gjendet edhe murali i aktivistit Astrit Dehari, u mbajt një aktivitet përkujtues për Astritit, ku u kërkua drejtësi për vrasjen makabre të tij në rrethana të panjohura në burgun e Prizrenit. Qindra qytetarë ndër të cilët edhe Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti ndezën qirinj dhe vendosën kurora lulesh në përkujtim të Astritit.

Në fjalën e saj të rastit aktivistja e shoqërisë civile dhe anëtarja e trupës koordinuese “Unë jam Astriti”, Jeta Berisha, duke kërkuar drejtësi për Astritin njoftoi për marshin protestues të 5 nëntorit që do të mbahet prej orës 12:00 te Sheshi “Skenderbeu” në kërkim të zbardhjes së kësaj vrasje.

Pasi falenderoi qytetarët që ju bashkuan këtij aktiviteti përkujtues, babai i Astritit, Avni Dehari, theksoi se me raportin e ekpertizës zvicerane është tejkaluar beteja e parë e përmbysjes së tentativës së institucioneve vrastare për ta nxjerr vdekjen e Astritit si vetvrasje. Tash është koha për betejën e dytë për t’i zbuluar kryerësit e kësaj vrasje dhe për ta ndriquar rastin deri në fund.

Drejtësi për Astritin.

Kontribo

28 10 2019

Takim me Kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) z. Mahir Yağcılar

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë z. Xhelal Sveçla priti në takim Kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) z. Mahir Yağcılar që njëherazi është edhe ministër në detyrë i Administratës Publike.

Nga z. Yagcilar pranuam urimet për fitoren e Lëvizjes në zgjedhjet e fundit dhe bashkëbiseduam për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë me theks të veçantë për reformat e brendshme që duhen bërë në administratën publike. Kryetari Kurti e njoftoi z.Yagcilar me prioritetet e qeverisë së re, për bashkëpunim dhe shtetndërtim demokratik që siguron si punësimin e drejtësinë ashtu edhe mirëqenien e integrimin për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Me z. Yağcılar folëm edhe për rolin e komunitetit turk në Kosovë dhe përfaqësimin e këtij komuniteti. Kryetari Kurti theksoi se zhvillimi ekonomik që krijon vende pune është çelës për përparimin si të individëve ashtu edhe të komuniteteve që jetojnë në Republikën tonë.

Në fund të këtij takimi, shprehëm gatishmërinë për ta vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin në të ardhmen.

Kontribo

28 10 2019

Do ta apelojmë në Gjykatë Supreme vendimin për mosnumërimin e votave të bashkatdhetarëve

Sot pranuam nga Paneli zgjedhor për ankesa dhe parashtresa vendimin e marrë nga gjyqtarët Fejzullah Rexhepi Kryesues, Nenad Llazic, Afjete Sada – Gllogjani, Kymete Kimete, Zyhdi Haziri, Rrustem Thaqi, Ferki Xhaferi, Faton Ademi dhe Adnan Konushevci, anëtarë, ku refuzohet si i pabazuar apeli i paraqitur nga Lëvizja VETËVENDOSJE! për numërimin e zarfeve me fletëvotime nga bashkatdhetarët tanë.

Ndonëse Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës i kërkonte PZAP ta merrte parasysh këtë të drejtë, sërish sot ky panel në mënyrë artificiale dhe në interpretim të ngushtë ia mohoi të drejtën për numërimin e votës qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta dërgojë në Gjykatën Supreme apelin sërish, duke pritur që kjo çështje të zgjidhet e të numërohen këto fletëvotime.

Bashkatdhetarët tanë nuk ia kanë borxh askujt këtë cenim të së drejtës së tyre bazike që buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe të drejtat ndërkombëtare në këtë sferë.

Kontribo

27 10 2019

Turneu memorial i futbollit “Astrit Dehari”

Me aktivistë e mbështetës nga të gjitha qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! organizuam për të dytin vit radhazi turneun e futbollit në nder të aktivistit tonë Astrit Dehari.

55 ekipe nga e gjithë Kosova dhe një ekip nga Shqipëria morën pjesë, ndërkaq fitues doli skuadra nga Qendra e Lipjanit.

Futbolli të kalitë së bashku me të barabartit e tu. Astriti e ka dashur futbollin dhe loja barazitare në skuadër e ngazëllente. Le të bëhemi gjithnjë e më të bashkuar, më të fortë dhe më të mirë me njëri-tjetrin, siç do të donte Astriti.

Kontribo

26 10 2019

Vizitë në panairin ndërkombëtar të Agrobiznesit dhe Ushqimit “AGROKOS” që po mbahet në Prishtinë.

Dje, Kryetari Kurti së bashku me një delegacion nga Lëvizja,VETËVENDOSJE!, z. Ismail Ferati, z. Namik Durmishi, z. Mergim Mestani, znj. Magbule Hyseni, z. Tahir Tahiri, z. Mufail Salihaj, z. Bashkim Demolli, z. Arsim Ademi dhe z. Fadil Sadikaj, vizituan panairin ndërkombëtar të Agrobiznesit dhe Ushqimit “AGROKOS” që po mbahet në Prishtinë.

Në këtë panair ku po marrin pjesë kompani dhe biznese nga bota, rajoni, dhe vendi, Kryetari Kurti së bashku me ekipin profesional nga Lëvizja u njoftuan për së afërmi me cilësinë e produkteve, kushtet e punës, si dhe me kërkesat që prodhuesit vendor dhe bizneset kanë për qeverinë e re.

Kompanitë vendore kërkuan lehtësira për të bërit biznes në Kosovë dhe shprehën nevojën që qeveria e ardhshme të angazhohet më shumë në aftësimin e fuqisë punëtore në vend, dhe në krijimin e kushteve më të përshtatshme për importimin e lëndës së parë për prodhim.

Kryetari Kurti i siguroi ata se me qeverinë e re dora e shtetit nuk do të jetë për ta penguar prodhimin vendor por për ta ndihmuar e mbrojtur atë, sepse vetëm kështu zhvillohet e përparon procesi i prodhimit, rritet ekonomia e punësimi si dhe zëvendësohet importi. Ai theksoi se me qeverinë e re do t’i kushtohet rëndësia e duhur bujqësisë, tokës, prodhimit, dhe lidhjes midis tyre në fabrikë, ashtu sikurse edhe lidhjes midis arsimit dhe ekonomisë, që do e largoj barrën e aftësimit të punëtorëve nga bizneset.

Kontribo

25 10 2019

Gjykata Supreme konfirmon të drejtën e mërgatës

Mijëra dërgesa me fletëvotime të bashkatdhetarëve të nisura brenda afatit dhe para datës së zgjedhjeve, e të cilat padrejtësisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i kishte shqyrtuar dhe numëruar, me vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme ato do të numërohen dhe do të bëhen pjesë e rezultatit të zgjedhjeve.

E drejta e votës si e drejtë kushtetuese, është e garantuar dhe nuk mund të mohohet me justifikime teknike që bien ndeshë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës. Andaj, Gjykata Supreme shmangi një padrejtësi të madhe, e konfirmoi një të drejtë kushtetuese të mijëra votuesve nga mërgata.

Kërkojmë që pa humbur kohë të fillojë shqyrtimi dhe numërimi i këtyre fletëvotimeve, që vullneti i votuesve nga mërgata të përfshihet në rezultatin përfundimtar.

Kontribo

25 10 2019

Takim me anëtarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) z. Fikrim Damka.

Kryetari Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes, z. Xhelal Sveçla, priti sot anëtarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) z. Fikrim Damka.

Me z. Damka biseduam për mbarëvajtjen dhe rezultatin e zgjedhjeve, planet e qeverisë së re dhe për mundësitë e një bashkëpunimi për shtetndërtim demokratik me progres shoqëror dhe ekonomik për vendin.

Kryetari Kurti e njoftoi z. Damka se prioritetet i qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i korrupsionit të lartë dhe politikat që zbusin pabarazinë në shoqëri. Kurti e siguroi se qeveria e re do t’i trajtojë të gjithë qytetarët e Republikës si të barabartë dhe do të punoj për zhvillimin dhe integrimin e të gjitha pakicave kombëtare në vend, pa bërë dallime.

Në fund të takimit, u shpreh gatishmëria për ta shtuar komunikimin dhe bashkëpunimin mes nesh në të ardhmen.

Kontribo

21 10 2019

Takim me ambasadorin italian z. Piero Cristoforo Sardi.

Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, priti sot në takim, ambasadorin italian z. Piero Cristoforo Sardi.

Z. Sardi përshëndeti mbarëvajtjen e rregullt të procesit zgjedhor duke vlerësuar pjesëmarrjen aq të madhe të qytetarëve në zgjedhjet demokratike në vend. Ai tha se, pas çertifikimit të rezultateve, është e rëndësishme të formohen institucionet dhe qeveria e re.

Z. Kurti e falënderoi ambasadorin Sardi për përkrahjen e deritanishme të Italisë ndaj Republikës së Kosovës dhe shprehu bindjen se me qeverinë e re bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të ndërtohet e avancohet tutje. Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin se prioritet i qeverisë së re do të jetë zvogëlimi i pushtetit për forcim të shtetit, drejtësia institucionale e ligjore dhe zhvillimi ekonomik e punësimi. Në këtë drejtim, tha ai, janë duke u zhvilluar bisedimet nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Lidhja Demokratike, që do t’i japin qeverinë e re Republikës. Për fund, z. Kurti foli edhe për parregullsitë dhe shkeljet gjatë procesit zgjedhor në komunat me shumicë serbe ku mungojnë sundimi i ligjit, pluralizmi politik e demokracia.

Në mbyllje të takimit, u shpreh interesimi për kontakte të vazhdueshme dhe takime bashkëpunuese në të ardhmen.

Kontribo

20 10 2019

Vizitë në Zyrën për Punë të Jashtme të Qeverisë Britanike.

Sot pasdite kryetari Albin Kurti i shoqëruar nga deputetet Fitore Pacolli dhe Saranda Bogujevci vizituan Zyrën për Punë Jashtme të Qeverisë Britanike.

Kryetari Kurti u prit nga z. Andrew Page, kryesuesi i Departamentit për Ballkanin Perëndimor, znj. Lamce Domm, nënkryetare e departamentit për Ballkanin Perëndimor, znj. Catherine Barnes, kryesuese e sektorit për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, znj. Helen Walker, kryesuese e sektorit për Serbi dhe Mal të Zi, znj. Lisa Farrington zyrtare përgjegjëse për Serbi, znj. Elise Nelson zyrtare përgjegjëse për Kosovë, znj. Rachel Chetham, kryesuese e zyrës për Siguri dhe Luftimin e Krimit të Organizuar, znj. Gemma Warren, kryesuese e sektorit për marrëdhenie të jashtme dhe shumëpalëshe.

Z. Page shprehu interesim të kuptojë prioritetet e qeverisë së ardhshme dhe për mënyrat e bashkëpunimit dhe përkrahjes që mund të na ofroj Britania e Madhe në realizimin e tyre. Kryetari Kurti prezantoi zotimet dhe hapat e menjëhershëm që do të ndërmarrë qeveria e re duke veçuar reformën në sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në sistemin e edukimit dhe ndërlidhjen e arsimit me ekonominë, kthimin e trurit, dhe themelimin e fondit sovran e të bankës për zhvillimore në vend.

Z. Page deklaroi se është i gatshëm të thellojë bashkëpunimin me qeverinë e re dhe të ndihmojë e të ofrojë ekspertizën e Britanisë në fushën e drejtësisë, në veçanti në fushën e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, në fushën e reformimit të kurikulave dhe përmirësimin e edukimit primar dhe sekondar.

Kontribo

19 10 2019

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vizitë dyditore në Britani të Madhe.

Dje në Parlamentin Britanik në Londër u shtrua një darkë nga ana e Grupit të Miqësisë me Kosovën, John Grogan, deputet i Partisë Laburiste dhe Martin Vickers, deputet i Partisë Konservatore, për nder të kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti dhe të deputeteve Fitore Pacolli dhe Saranda Bogujevci.

Në darkë morën pjesë edhe Alex Sobel, deputet i Partisë Laburiste, Nick Dakin, deputet i Partisë Laburiste, Earl of Sandwich John Montag dhe Lordi Dykes. Në një atmosferë të ngrohtë e miqësore u shkëmbyen mendime e ide rreth situatës socio-ekonomike, politike e rajonale, si dhe për prioritetet e qeverisë Kurti.

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vazhdon me vizitën dyditore në Britani të Madhe.

Kontribo

17 10 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE! ushtroi ankesë në PZAP

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! ushtroi ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me mosnumërimin në Qendrën e Numërimit të Rezultateve të 4639 të dërgesave postare me fletëvotime të ardhura nga mërgata.

Mbrëmë u numëruan 13 491 fletëvotime të votuesve nga mërgata. Presim që PZAP, të marrë vendim brenda afateve ligjore dhe të urdhëroj KQZ-në, shërbimin për votimin jashtë vendit, që pa vonesë të procedojë për numërim të gjitha fletëvotimet e ardhura nga mërgata jonë.

Arsyetimet procedurale që artificialisht po i mbivendosen vullnetit të lirë të zgjedhësve nga mërgata e cenojnë demokracinë. Andaj ato fletëvotime duhet të numërohen.

Kontribo

16 10 2019

Festa e fitores

Qindra aktivistë, anëtarë e simpatizantë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! u mblodhën mbrëmë në festën e fitores. Vullneti i fuqishëm, puna e përkushtimi i jashtëzakonshëm i të rejave dhe të rinjve, grave dhe burrave sollën ndryshimin për Republikën. Pa këtë lloj aktivizmi fitorja do të ishte e pamundur. Teksa një numër i madh i qyetarëve po festonin, një numër tjetër i konsiderueshëm dhe më ndërrime po mbronin votën e qyetarëve në Qendrën e Numërimit. Deri në çertifikimin e rezultateve në të cilën kohë po thellohet edhe më shumë diferenca e Lëvizjes me subjektet e tjera ne po bëjmë përgatitjet maksimale për një qeverisje ndryshe, me mendësi të re dhe për të gjithë.

Urime!

Kontribo