15 10 2019

Takim me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, z. Qemal Minxhozi.

Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, mirëpriti sot në zyrën e tij, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, z. Qemal Minxhozi.

Z. Minxhozi e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për organizimin e fushatës që arriti t’i adresojë me sukses brengat e qytetarëve të Republikës. Ai përshëndeti daljen e madhe të qytetarëve në këto zgjedhje që tregoi pjekuri e vendosmëri për ndryshime.

Z. Kurti e falënderoi ambasadorin Minxhozi për urimin dhe e njoftoi atë për nismat që do t’i ndërmarrë qeveria e re në funksion të sovranizimit, zhvillimit dhe bashkëpunimit të Kosovës e Shqipërisë. Ne do të angazhohemi, tha ai, që në të ardhmen të kemi komisione të përbashkëta qeveritare sa i përket politikës së jashtme, burimeve natyrore dhe mbrojtjes e sigurisë. E, po ashtu, edhe një regjistër të përbashkët të bizneseve e për një regjistër të përbashkët civil, për sistem unik doganor, për një sistem të integruar elektro-energjetik dhe për një treg të përbashkët. 50 marrëveshjet e nënshkruara mes shteteve tona nuk do të mbesin në letër por do të zbatohen.

Kontribo

15 10 2019

Takim me një delegacion nga Lugina

Dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, mirëpriti një delegacion nga Lugina të kryesuar nga Kryetari i Komunës së Preshevës, z. Shqiprim Arifi, Nënkryetari i kësaj komune, z. Armend Aliu, Kryetari i Degës së Alternativës për Ndryshim – Dega Bujanoc, z. Arbër Pajaziti dhe Shefi i Zyrës për të Rinj në Preshevë, z. Altin Boriçi.

Z. Shqiprim Arifi e uroi Kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e drejtë dhe të rregullt të gjithë procesit. Pjesëmarrja kaq e madhe e qytetarëve të Republikës së Kosovës në këto zgjedhje tregon se interesimi për politikën dhe besimi për ndryshime janë në rritje dhe se kjo është një gjë e mirë si për Kosovën ashtu edhe për gjithë shqiptarët.

Kryetari Kurti i falënderoi për vizitën dhe urimet. Ai tha se Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të angazhohen më shumë për shqiptarët, e bashkarisht të bëjnë më shumë për ta, sidomos në Luginë, me qëllim që të rritet punësimi e të bie emigrimi, të shtohet cilësia në arsim e të realizohen të drejtat kombëtare e njerëzore.

Fitorja e Lëvizjes i ka dhënë një kuptim përpjekjeve historike të shqiptarëve për një politikë barazimtare me dinjitet dhe kjo tashmë po ndihet gjithandej.

Kontribo

14 10 2019

Takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Nicholas Abbott dhe Kryesuesin e Departamentit Politik në Ambasadën Britanike, z. Samuel Paice.

Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë znj. Fitore Pacolli, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Nicholas Abbott dhe Kryesuesin e Departamentit Politik në Ambasadën Britanike, z. Samuel Paice.

Z. Nicholas Abbott e uroi Kryetarin Kurti për suksesin zgjedhor. Ai tha se Mbretëria e Bashkuar do ta vazhdojë përkrahjen për Republikën e Kosovës. Përveç luftimit të korrupsionit, nevojitet edhe përqendrimi i mëtejshëm edhe në krijimin e kushteve të reja për investime dhe mundësi për të rinjtë në vend.

Z. Kurti e falënderoi ambasadorin Abbott për përkrahjen e deritanishme të Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehu bindjen se me qeverinë e re bashkëpunimi mes dy vendeve tona vetëm sa do të thellohet. Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin se prioritet i qeverisë së re do të jetë zvogëlimi i pushtetit për forcim të shtetit, drejtësia institucionale e ligjore dhe zhvillimi ekonomik e punësimi. Sa i përket procesit zgjedhor, ai tha se nevojitet adresimi i parregullsive dhe shkeljeve që e përcollën atë në komunat me shumicë serbe si dhe fillimi i dialogut nga poshtë me serbët lokal që jetojnë në Kosovë.

Kontribo

14 10 2019

Takim me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Çağrı Sakar.

Sot, në zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë së Lëvizjes, znj. Arbërie Nagavci, pritën në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Çağrı Sakar.

Z. Çağrı Sakar e uroi Kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ai tha se mbështetja e Turqisë do të vazhdojë dhe se me rëndësi është të zhvillohet një partneritet mes dy vendeve tona sidomos në fushën e ekonomisë dhe shëndetësisë. Turqia po ashtu do ta ndihmojë dhe e përkrahë anëtarësimin e Republikës tonë në NATO dhe organizmat tjerë ndërkombëtarë.

Nga ana e tij, Kryetari Kurti e falënderoi ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë, duke shprehë besimin se partneriteti mes republikave tona do të përparojë me qeverinë e re të Kosovës. Shqiptarët në Turqi mund të jenë një urë e fuqishme për bashkëpunim ekonomik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë dhe me qeverinë e re do të shtrohet mundësia që kjo të ndodhë. Gjithashtu, në aspektin e shëndetësisë mund të bëhen përmirësime të ndjeshme, si dhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë që do e forconte aleancën mes dy shteteve tona.

Në mbyllje të takimit u shpreh gatishmëria për ta vazhduar si komunikimin ashtu edhe bashkëpunimin mes nesh.

Kontribo

14 10 2019

MBËSHTETJE PËR KANDIDATËT SHQIPTARË NË ZGJEDHJET E 20 TETORIT NË ZVICËR

Më 20 tetor 2019, në Zvicër do të mbahen zgjedhjet parlamentare në nivelin federal. Diaspora shqiptare atje është e madhe në numër, e suksesshme në angazhimet e saj dhe e fuqishme ekonomikisht. Interesat dhe të drejtat e shqiptarëve në Zvicër duhet të përfaqësohen sa më shumë edhe në nivelin institucional. Bashkatdhetarët tanë tanimë janë më të organizuar se më parë dhe po marrin pjesë në garë për këto zgjedhje.

Nëpërmjet kësaj letre publike, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet kandidatët shqiptarë në Zvicër, të cilët garojnë në zgjedhjet parlamentare në nivelin federal, të cilat mbahen më 20 tetor, 2019.

Disa nga këta kandidatë janë:

1. Shëndrit Sadiku, i cili garon në Kantonin Schaffhausen nëpërmjet Partisë Socialiste të Zvicrës

2. Ylfete Fanaj, e cila garon në Kantonin Luzern nëpërmjet Partisë Socialistë të Zvicrës

3. Arbër Bullakaj, i cili garon në Kantonin St.Gallen nëpërmjet Partisë Socialistë të Zvicrës

4. Islam Aliaj, i cili garon në Kantonin Zürich nëpërmjet Partisë Socialistë të Zvicrës

Gjithashtu, nëpërmjet kësaj letre, Lëivzja VETËVENDOSJE! mbështet të gjithë kandidatët shqiptarë, në të gjitha subjektet politike të cilat përpiqen për politika progresive dhe në të mirë të mërgatës shqiptare, dhe nxitë shqiptarët në Zvicër dhe veçanërisht strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! atje, që të angazhohen në fushatat zgjedhore të të gjithë kandidatëve shqiptarë.

Këto zgjedhje janë mundësia e diasporës tonë që të krijojë hapësirë për përparimin e të drejtave dhe interesave të kombit shqiptarë në Zvicër dhe më gjerë.

Kontribo

10 10 2019

Çmimi Nobel për Peter Handken është fyerje për viktimat e shovinizmit serb.

Akademia Suedeze vendosi që për vitin 2019 çmimi Nobel t’i shkojë shkrimtarit austriak Peter Handke. Justifikimi i vendimit që ka marrë akademia ka qenë tërësisht letrar, mirëpo letërsia ka një autor, të cilit i jepet çmimi. E ky autor, Peter Handke, ka qenë mbështetësi më i famshëm i spastruesit etnik, Millosheviqit, gjatë kohës kur elitat ndërkombëtare të kulturës, e më pas edhe ato të politikës, u distancuan dhe e dënuan politikën e tij gjenocidale.

Ç’prej 1996 Handke u angazhua me publicistikë në mbështetje të veprimeve kriminale të Serbisë në Bosnjë, duke u përpjekur të mohojë gjenocidin në Srebrenicë, ku humbën jetën mijëra të pafajshëm. E në 1999, kur miliona shqiptarë ishin përzënë nga shtëpitë e tyre dhe nga vendi i tyre, Handke doli në përkrahje të Millosheviqit. Në 2006, kur kryeshovinisti serb vdiq i padënuar kurrë, në burgun e Hagës, shkrimtari austriak mori pjesë në ceremoninë funerale, ku mbajti një fjalim lavdërues për Millosheviqin para dhjetëra mijëra adhuruesve të atij krimineli.

Për kujtesën e viktimave të dhunës serbe në Kosovë, për mbi 12.000 të vrarët gjatë luftës, për mbi 20.000 gra, burra e fëmijë të dhunuar seksualisht, për njerëzit të cilët vuajtën dhe ende vuajnë traumën e pësuar, për familjarët e mbi 1600 personave ende të pagjetur, ky çmim i dhënë nga Akademia Suedeze për Peter Handken është fyerje e rëndë. Plagët ende të pambyllura, dhembin e djegin. Nuk është letërsi e mirë, nuk është letrar i mirë, ai që i bashkohet dhunës së luftës, ai që poshtëron e fyen viktimat.

Lëvizja VETËVENDOSJE! zyrtarisht proteston ndaj dhënies së këtij çmimi për këtë autor.

Kontribo

10 10 2019

Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, priti sot në takim ambasadorin zviceran, z. Jean-Hubert Lebet.

Z. Jean Hubert Lebet e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për fushatën që adresoi me sukses shqetësimet e qytetarëve.

Kryetari Kurti e njoftoi se prioritet i qeverisë së re do të jetë shtetndërtimi demokratik me sundim të ligjit e luftim të korrupsionit, zhvillimi ekonomik për punësim dhe ndryshimet aq të nevojshme në shëndetësi, arsim, e kujdes për ata që kanë më së shumti nevojë.

Në mbyllje të takimit, u shpreh interesimi për kontakte dhe takime bashkëpunuese në të ardhmen.

Kontribo

08 10 2019

Takim me Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, z.Philip S. Kosnett

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, sot priti në takim Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, shkëlqesinë e tij, z.Philip S. Kosnett, shoqëruar nga këshilltarja politike, znj.Jessica Long dhe zyrtarja politike, znj.Mia Ter Har.

Në një takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve. Ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë, dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

Nga ana e tij, kryetari Kurti e siguroi z.Kosnett se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë.

Kryetari Albin Kurti tha se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me z.Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj.

Në fund të takimit, të dy palët shprehën interesimin për komunikim të vazhdueshëm e takime të mëtutjeshme.

Kontribo

04 10 2019

Mërgata arrin në Kosovë për ndryshimin e shumëpritur.

Sot pritëm shumë mërgimtarë entuziastë të sapoardhur në Kosovë nga ShBA-të, Anglia, Gjermania, Zvicra e Austria, për tubimin e fundit të madh sonte e për votimin, fitorën e festën e së dielës. Mijëra të tjerë në kufij, në ajër e në nisje drejt vendit i përshëndetëm dhe i uruam rrugë të mbarë për në atdhe.
Mërgata e ka mbështetur gjithmonë ndryshimin dhe Lëvizjen tonë. Madje edhe paqen sociale e mbijetesën në Kosovë e kemi vetëm falë remitancave të tyre.

Megjithatë, të dielën mërgata do të votojë për më shumë se paqe e mbijetesë, do të votojë për ardhjen e barazisë, drejtësisë e zhvillimit në Kosovë. Varfëria, papunësia e mungesa e të ardhmes i detyroi të fluturojnë nëpër botë, angazhimi i Lëvizjes po i ngazëllen të fluturojnë prapa në shtëpi për të mundësuar vendin që patën ëndërruar e e lëshuar.

Mërgata jonë është vula e fitorës sonë. Me mërgatën dhe me qeverinë Kurti e ardhmja do të jetë e ndritur e me plot mundësi për rikthimin e investimin e tyre.

Kontribo

04 10 2019

Vushtrri: Anemban kumbon fitorja e Qeverisë Kurti.

Tubimi e trumpetimi masiv i radhës për fitoren e Lëvizjes u mbajt në Vushtrri. Të pranishëm ishin edhe qindra mërgimtarë të sapo kthyer për të votuar e shpërndarë lajmin për për fitoren e Lëvizjes.

Besim Muzaqi, si kandidat dhe si Kryetar Qendre, në fjalwn e parë tha se erdhi dita për fëmijët që të kenë shtesa, erdhi dita për bujkun, fermerin e prodhuesin qëë të subvencionohen drejt, për pacientët që të kenë trajtim e shërim, për profesionistët që të kenë punë e llogari, studentët bursa e sigurime shëndetësore për policët e zjarrfikësit. Ndërsa kandidati i ri Gazmend Gjyshinca shprehu me bindje se pas çdo rrënimi të kobshëm ka një shpresë që vjen hovshëm, pas Kosovës që e kanë gjunjëzuar është një Lëvizje që po vjen për ta shpëtuar. “Rinia është gjenerata që ka më së shumti nevojë për ndryshim dhe do ta votojë më së shumti qeverinë Kurti”, tha ai.

Kandidatja Albulena Haxhiu iu drejtua qytetarëve e bindur se pas 6 tetorit hajnave, mungesës së përgjegjshmërisë, improvizimeve, krimit të organizuar, pabarazive dhe padrejtësive iu vjen fundi. “Qytetarët dhe Lëvizja nuk kanë asnjë dilemë, sepse të gjithë e dimë se ne nuk e duam pushtetin për ta kthyer në parti, por e duam pushtetin për ta vënë shoqërinë në Lëvizje”, tha Haxhiu.

Në fjalën e radhës, Glauk Konjufca, kujtoi se në politikën tonë kemi më shumë se kurrë nevojë për shembullin e Hasan Prishtinës dhe ne në këtë sallë e kemi shembëllimin e tij, modelin e Hasan Prishtinës dhe ky është Albin Kurti. Në gjurmët e Hasan Prishtinës dhe besnike ndaj Republikës së Kosovës, Konjufca u zotua se qeveria Kurti në punësim do të vendosë merita, në arsim dija, në shëndetësi përgatitja, në ekonomi profesionalizmi, sepse në qeveri do të vendosë VETËVENDOSJE!”.

Albin Kurti si kryeministër në ardhje iu drejtua mijëra të pranishëmve se epoka e zhvillimit e përparimit do të njohë 2-fishimin e prodhimit bujqësor përmes granteve, subvencioneve e mbrojtjes së prodhimit vendor dhe se fitimi nga bujqësia do të 5-fishohet nga nxitja e hapjes së fabrikave për përpunimin e produkteve bujqësore. “Lëvizja VETËVENDOSJE! pas 6 tetorit nuk do të lejojë që toka bujqësore të shndërrohet në sheshe ndërtimi ku shpërlahen paratë e kontrabandës e krimit të organizuar, Kosova nuk ka tokë për të shitur, ndotur e lënë djerrë. Ne do t’ia kthejmë bujkut arën cilësore dhe arës rendimentin e lartë”, tha i pari i fitores së madhe dhe shtoi se, “Lëvizja VETËVENDOSJE! ofron mbrojtje sociale, sepse me program nëpërmjet mbrojtjes sociale edhe punëtori edhe i papuni, dhe jo vetëm pronari e i pasuri, bëhen qytetarë të Republikës me të drejta të barabarta e të barbartë para ligjit”

Në fund të fjalës Kryeministri që po e pret mbarë shqiptaria iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve se, “gënjeshtra është si kredia, kënaqu sot e paguaj nesër. Këta kanë gënjyer sa kanë mundur e me 6 tetor bëni që ta paguajnë shtrenjt duke votuar Lëvizjen VETËVENDOSJE!”

Kontribo

04 10 2019

Delegacioni nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës viziton Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Dje, një delegacion nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës, i udhëhequr nga deputetja shqiptare në Kantonin e Zurich-ut, Qëndresa Sadriu, vizitoi Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Delegacioni u prit nga Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, kandidatët për deputetë Arben Vitia dhe Venera Llunji, dhe këshilltari i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Egzon Azemi.

Në këtë takim, delegacioni nga Zvicra i përbërë nga deputet të nivelit kantonal e të qyteteve, u interesuan për fushatën zgjedhore dhe prioritetet qeverisëse të Lëvizjes VETËNDOSJE!. Ata u njoftuan me 20 prioritetet qeverisëse, të cilat janë zgjidhja e vetme për tejkalimin e krizës kronike ekonomike e sociale në vend. Me këtë rast, u diskutuan problemet e punësimit dhe zhvillimit të ulët ekonomik dhe masat konkrete të cilat do t’i zbatojë qeverisja e VETËVENDOSJE!-s në mandatin e radhës.

Në anën tjetër, në këtë takim u shkëmbyen përvojat e strategjive dhe metodave të fushatave zgjedhore. Përfaqësuesit nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës u njoftuan me fushatën zgjedhore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe me faktin që subjekti ynë ka shpenzimet më të ulta të fushatës, sepse është i bazuar në aktivistët/et dhe vullnëtarët/et e saj, dhe se është subjekti i vetëm i cili po i respekton rregullat e fushatës me rigorozitet.

Në fund palët u pajtuan që t’i vazhdojnë kontaktet edhe në të ardhmen, me ç’rast delegatët nga Zvicra shprehën dëshirën që të marrin pjesë në tubimin e fitores së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i cili mbahet sot, më 4 tetor, në ora 20:00, në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë.

Kontribo

03 10 2019

Jehona e Dukagjinit nga Klina u dëgjua në Skenderaj, e do dëgjohet gjithandej me 6 Tetor

Erdhi dita që nga këto vende ku frymoi liria e u bënë ndryshimet e kohës të ngrihet qeveria Kurti.

Drilona Jakaj që kandidon nga komuna e Klinës, shprehi shqetësimin për gratë e papuna dhe punëtorët e sektorit privat, duke shprehë bindjen se Qeveria e re do të rris punësimin dhe do kujdeset për punëtorin. Kurse kandidatja Drita Millaku theksoi se me Lëvizjen do të ketë sistem të informimit shëndetësor e sigurime shëndetësore, punësim e mirëqenie për të gjithë e pa diskriminim.

Kandidati nga Skenderaj, Nezir Bejta pohoi se me Qeverinë Kurti përfundon qeverisja e asfaltit që largoi bujqit nga toka, nxënësit nga shkolla dhe të rinjtë nga vendi. Kandidati Enver Dugolli tha se Drenica nuk ka sakrifikuar që disa të pasurohen. Erdhi dita që Drenica ta thotë fjalën e saj për një shtet ku ka punësim e mundësi të barabarta për të gjithë.

Fitore Pacolli potencoi se pas 6 tetorit nuk do të ketë më emra fëmijësh që thirren nëpër sheshe të Kosovës. Shteti do të përkujdeset për shëndetin e gjithë qytetarëve të vendit. Shteti do përkujdeset t’i nxjerrë familjet nga varfëria ua dhënë mundësinë e zhvillimit.

10-tshi, siç e thërrasin nëpër tubime, gjenerali Rexhep Selimi tha se pas 6 tetorit qyteti i Mujës dhe Ademit do të frymojnë lirshëm ashtu siç deshën ata. Një kombinim i Drenicës dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! është një kombinim që tremb çdo armik të jashtëm e të brendshëm të këtij vendi. Andaj me 6 tetor, Klina dhe Drenica po ngriten në këmbë me Lëvizjen dhe për Albin Kurtin Kryeministër.

Kandidati Glauk Konjufca u shpreh se kjo nuk është Kosova për të cilën u flijuan dëshmorët duke theksuar që secili politikan që del para popullit për t’i kërkuar diçka duhet ta ketë në mendje e zemër gjakun e atyre që u flijuan për themelet e këtij shteti. Qeverisjes së deritanishme i erdh fundi dhe nga e diela në krye të vendit do të jenë ata që zhvillojnë punësimin e shëndetësinë, drejtësinë e barazinë, e atyre që kujdesen për të rinjtë dhe të moshuarit, e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe e kryeministrit Albin Kurti.

Pan-i po bjen se dita po vjen.

Kontribo

03 10 2019

Prizren: më 6 tetor fillon lufta kundër pabarazisë.

Në Prizrenin e historisë e bukurisë, mes mijëra qytetarësh deri në majat e pallatit të sportit, Lëvizja mbajti tubimin madhështor për fitoren e jashtzakonshme të 6 tetorit.

Në hapje, Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka deklaroi se, “me Albinin Prizrenit do t’ia kthejmë shkëlqimin dhe Kosovës zhvillimin”. Pas 6 tetorit fabrikat do të kenë makina e punëtorët punë me dinjitet, trashëgimia do të mbrohet e nderohet, spitalet do të garantojnë shëndet dhe shkollat arsim bashkëkohor e emancipues.

Për kandidatin e Kryetarin e Qendrës Artan Abrashi, “me 20 pikat e programit të qeverisë Kurti askush më nuk do të jetë i braktisur, punëtori do të jetë i mbrojtur, prodhuesi i mbështetur, bukju i subvencionuar, mjeku do të jetë i pajisur “. Ndërsa kandidatja tjetër nga Prizreni, Drita Millaku u bëri thirrje qytetarëve që, “me 6 tetor mos hezitoni të dilni e të votoni nëse keni ëndërr për ndryshim, besoni VETËVENDOSJE!-n dhe besoni Albinin. Distanca mes ëndrrës e realizimit të saj quhet veprim e në këtë rast votim”.

Sipas kandidatit Arbër Rexhaj dallimi mes Lëvizjes e rivalëve tanë politik është se, “me ne Koosva bëhet republikë ndërsa me ta Kosova mbetet pa republikë”, “me Albin Kurtin do të kthehet çdo ëndërr e thyer, çdo fëmijë i përbuzur do të ketë ëndrra dhe trajtim dinjitoz”. Në fjalën e radhës Hajrulla Çeku pohoi, “janë 3 gjëra që duhet t’i bëjmë urgjentisht: duhet ta ndalojmë hajninë e zhvatjen e shtetit, duhet ta ndalojmë ikjen e rinisë dhe duhet ta ndalojmë degradimin e burimeve natyrore dhe të shtetit tonë”.

Në përmbyllje të tubimit, me temperaturat rritur nga ngazëllimi i zjarrtë i të rinjve, Kryeministri i 6 tetorit Albin Kurti kujtoi se, “që nga ndërhyrja e NATO-s e çlirimi i vendit, që nga dita e shpalljes së pavarësisë, nuk kemi parë një ngazëllim në zemra e shkëlqim në sy të popullit tonë sikurse e shohim tani” dhe vazhdoi të thotë, “dje në Gjakovë i shpallëm luftë varfërisë dhe sot në Prizren po i shpallim luftë pabarazisë”. Për bindjen e Albin Kurtit dhe për të ardhmen e vendit gratë do të kenë barazi gjinore e shanse të barabarta në shoqëri, ndërsa për punëtorët, “unë zotohem para jush se siguria në punë, të drejtat e punëtorëve dhe dinjiteti i tyre do të jenë prioritet i qeverisë së VETËVENDOSJE!-s pas 6 tetorit”.

Më në fund, Prizrenit e Kosovës i erdhi dita e shumë pritur e luftës kundër varfërisë e luftës për barazi, zhvillimit në ekonomi dhe dinjitetit në punë. Pas 6 tetorit ndryshon humori i qytetarëve, ngazëllimi e virtyti do të na mbajnë gjallë në një të ardhme me të mirën e përgjithshme për të gjithë.

Kontribo

03 10 2019

Internacionalja Socialiste mbështetë VETËVENDOSJE!-n

Mbrëmë Lëvizja VETËVENDOSJE! pranoi mbështetjen ndërkombëtare të radhës. Internacionalja Socialiste, organizatë e cila përbëhet nga 147 subjekte socialdemokrate nga e gjithë bota dhe pjesë e së cilës është edhe Lëvizja VETËVENDOSJE!. Nëpërmjet letrës së mëposhtme Internacionalja Socialiste mbështet Lëvizjen si qeverisja e ardhshme dhe Albin Kurtin si kryeministri i saj, si zgjidhjen e vetme për situatën e rëndë politike, ekonomike dhe sociale në Republikën e Kosovës.

Më poshtë gjeni letrën e përkthyer ne shqip:

I dashur shok, I dashur mik,

Në emër të familjes botërore politike të Internacionales Socialiste, anëtare e së cilës është edhe subjekti juaj, është kënaqësia ime që t’ua dërgoj juve, dhe nëpërmjet juve të gjithë anëtarëve të Lëvizjes VETEVENDOSJE!, urimet më të mira për sukses në zgjedhjet e ardhshme të 6 tetorit.

Në këtë kohë të vështirë e cila aktualisht na sundon, ekonomikisht ashtu sikurse politikisht, sot është më e qartë se asnjëherë më parë se populli i Kosovës do të përfitonte nga programi i juaj socialdemokrat, të cilin e përfaqësoni dhe për të cilin e angazhoheni ju e i cili bazohet në vlerat dhe parimet të cilat i ndajmë të gjithë gjithandej në familjen tonë botërore politike. Në këtë përpjekje, ju mund të llogarisni në mbështetjen e Internacjonales Socialiste.

Suksesi juaj në zgjedhjet e se dielës është sukses për të gjithë ne dhe është e sigurtë që do të jetë e dobishme jo vetëm për Kosovën, por edhe për regjionin dhe më gjerë.

Përshëndetje vëllazërore,

Luis Ayala

Sekretar i Përgjithshëm

Kontribo

02 10 2019

Fitorja fillon në Shtime, vazhdon në Prishtinë e kurorzohet gjithandej me datë 6 tetor

Në Shtimen e Reçakut të lavdishëm, të dëshmorëve dhe martirëve që sollën lirinë. Në Shtimen e Ahmet Shtimës, Imer Devetakut dhe të Qorr Ilazit, të rinjtë vullnetar e aktivistë bënë vend për qindra qytetarët që kishin ardhur për të dëgjuar deputetët dhe qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Doktor Qemail Aliu që kandidon nga kjo komunë, tha se Shtimes dhe Kosovës po i kthehet dinjiteti me datë 6 tetor. Padrejtësia dhe kriminaliteti që po lulëzon, korrupsioni që ka metastazuar dhe ngecja ekonomike që po na asfikson, ka bërë që shumë të rinj dhe profesionistë ta lëshojnë vendin për një punë dhe jetë më të dinjitetshme. Me datë 6 tetor Shtimja dhe e gjithë Kosova do votojë për të ardhmen me drejtësi e zhvillim, për Lëvizjen e Albin Kurtin Kryeministër.

Kandidati Fatmir Rushiti kujtoi se qeverisjes së krimit e korrupsionit, nepotizmit e klientelizmit, harraqit e fajdeve, nëpërkëmbjes së vlerave të këtij vendi po i vje fundi. Me qeverinë që parasheh investime në infrastrukturën e komunave do të përfundojnë nevojat bazike të kësaj komune. Me investimet në industri dhe përkujdesjen ndaj prodhimit vendor do të shtohet zhvillimi e punësimi në vend. Me datë 6 tetor do të fitojmë bindshëm dhe qeverisja do ta bëjë këtë vend të jetueshëm.

Kandidatja Saranda Bogujevci tha se lirinë e paguam shumë shtrenjtë e tash 20 vite pas po ballafaqohemi me problemet e njëjta. Ende pa ujë të pijshëm, ende pamundësi të shkollimit të fëmijëve tanë, pa institucione të mirëfillta të shëndetësisë dhe me ikjen e rinisë jashtë vendit. Kjo do të ndryshoj me Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe programin e saj, me njerëzit që kanë përvojën e duhur e me Albin Kurtin në krye të qeverisë. Numri 126 është numri më i rëndësishëm i kësaj kohe, porositi ajo.

Kandidati Glauk Konjufca theksoi se ata që kanë qeverisur deri më tani kanë dështuar dhe është radha e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për t’i bërë ndryshimet që secili qytetar i dëshiron.Secilit po i thotë zemra boll më me padrejtësi, papunësi e varfëri. Lëvizja do sjell drejtësi, zhvillim e të drejta për punëtorët. Ne do t’i mbështesim bizneset tona dhe do ta mbrojmë punëtorin.

Në Kosovë ata që punojnë në sektorin privat e dinë se sa të pafat janë. Paga është edhe njëherë më e vogël se në sektorin publik dhe nganjëherë nuk merret fare. Kontratat janë të shkurtra dhe të pasigurta. Vetëm vitin e kaluar 22 persona kanë humbur jetën në ndërtimtari. Nuk do të guxohet të shkelet punëtori, Lëvizja do e themeloj gjykatën e punës që do të jetë përherë në anën e punëtorit dhe ta mbroj atë.

Erdhi dita e fitores që fillon në Shtime e vazhdon me datë 4 tetor në Prishtinë, për t’u kurorëzuar masivisht nëpër gjithë Kosovën me datë 6 tetor ku Lëvizja del e para e Albin Kurti bëhet kryeministër i vendit.

Kontribo

02 10 2019

Kaçaniku: Me qeverinë Kurti i hapim luftë varfërisë

Në Kaçanikun e Kushtetutës e të etur për transformim, Lëvizja vazhdoi karvanin e fitores së 6 tetorit.

Avni Tafili, kandidat nga Kaçaniku, shprehu me bindje se për 20 vite me rradhë pushtetet kanë krijuar e ngritur bastione mjerimi e varfërie, por se erdhi dita t’i thyejmë bastionet e joshjes e shantazhit dhe t’i pastrojmë fytyrat nga pluhuri që na kanë hedhur. “Erdhi dita për të çliruar njerëz, ëndrra e vullnete”, pohoi Kryetari i Qendrës Tafili.

Enver Haliti pohoi se, “qytetarët e meritojnë ta gëzojnë një shtet me ekonomi të zhvilluar, me demokraci që vepron dhe me institucione që iu shërbejnë e iu japin llogari qytetarëve”. “Rinisë tonë të mençur e punëtore i përket e drejta e shkollimit dhe punësimit cilësor në mënyrë që e ardhmja e tyre e sigurtë t’u përkasë në vendin e tyre”, shtoi ish-ushtari i UÇK-së Haliti.

Ndërsa për kandidaten e re Vlera Gjakova, Lëvizja VETËVENDOSJE! është ngazëllimi e shpëtimi i shtetit nga hajnat e fisit e farefisit dhe një forcë emancipuese për të rinjtë e gratë.

Në një sallë të mbushur plot jetë e dritë nga qytetarë anekënd Kaçanikut, Kryeministri i zemrave të tyre Albin Kurti deklaroi, “pas 6 tetorit ne mbetemi të pathyeshëm e thyhet edhe krimi edhe papunësia edhe varfëria.

“Komunat do të transformohen në infrastrukturë, ujësjellës, kanalizime, rrugë, ndriçim, parqe e sheshe përmes grantit të katërt prej 600 milion eurosh për komunat nga qeveria Kurti”, tha ai. “Erdhi dita që të kujdesemi për ata që kanë nevojën e shtetit, në një vend me kaq shumë varfëri zor se mund të ketë demokraci”, shpjegoi Kryeministri i ardhshëm Kurti. Demokracia vjen pas 6 tetorit sepse fillon lufta kundër varfërisë e papunësisë. Më së shumti të rinjtë kanë nevojë për këtë luftë dhe 8000 grupeve të rinjsh nuk do t’i mungojë mbështetja e qeverisë së Lëvizje prej 80 milion eurosh për projektet e tyre inovative. “Të rinjtë e kanë talentin e aftësinë dhe me VETËVENDOSJE!-s në qeveri do ta kenë edhe financimin edhe mundësinë, erdhi ditra ta luftojmë varfërinë e ta mbështesim rininë”, kumboi në sallë fjala e të parit të qeverisë Kurti.

6 tetori është shkëputje e Kosovës nga mjerimi, pabarazia e padrejtësia. 6 tetori me fitoren e qeverisë Kurti ia çel horizontin rinisë dhe ia siguron shëndetin e dinjitetin qytetarëve tanë.

Kontribo

01 10 2019

Gjakova e dijes, Gjakova e VETËVENDOSJE!-s

Gjakova e kulturës e artit, e luftës dhe e sakrificës priti Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurtin. Të rejat e të rinjtë, gratë e burrat me lumë brohoritjesh përcollën fjalët e deputetëve të ardhshëm. Fjala e Lëvizjes e shpalli të mbyllur ciklin e territ dhe lakmisë së pushteteve të deritanishme. Fjala e Lëvizjes deklaroi kohën e re politike si kontratë të re mes poltikës dhe popullit.

Kandidati Agon Batusha në fjalën e tij u shpreh i bindur se populli e sidomos të rinjtë e vendit do ta përqafojnë shansin për t’u bërë protagonistë kryesor të fatit të tyre. Lëvizja e ka guximin e paepur për ndryshim. “Qëllimi dhe misioni ynë është ndërtimi i një sistemi ku të korruptuarit dhe keqbërësit e të gjitha ngjyrave ta ndjejnë veten se janë jashtë loje”.

Kandidatja Mimoza Shala në vazhdim tregoi se Gjakova, dikur qyteti më i zhvilluar, sot ka mbetur e anashkaluar, e vjedhur, e degraduar dhe e izoluar. “E vërteta jonë është barazia dhe e vërteta e tyre është vjedhja”, tha ish-ushtarja e UÇK-së Shala.

Kandidati Hysamedi Feraj tha se të vetmit qytetarë të lirë në Kosovë janë ata që thërrasin VETËVENDOSJE!. Sepse këta qytetarë janë të lirë sa dhe historia e gjatë e Vetëvendosjes, “e jashtzakonshme është Lëvizja VETËVENDOSJE!, është subjekti me përvojën më të gjatë politike sepse është subjekti më i vjetër politik i organizuar prej 10 qershorit 1878”, “ndryshe prej gjithë të tjera nuk është parti krahinore, është lëvizje e të gjithë shqiptarëve prandaj Kosova i bie e vogël VETËVENDOSJE!-s, është organizuar në mërgatë, në Shqipëri, dhe shpejt do të jetë kudo ku ka shqiptarë”.

Kryetarja e Alternativës dhe kandidatja e numrit 126, Mimoza Kusari-Lila, tha e bindur se, “e vetmja lëvizje politike sot në Kosovë e … që Kosova po kërkon tash 20 vite është Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe numri 126”. Partitë e tjera janë mashtrim; ose ta përmendin luftën si kusht dhe për shpërblim e janë parti mercenarësh, ose e përdorin emancipimin e gruas për me i mbedhë votat për patriarkët e partisë.

Dashuria për popullin tonë është e pakushtëzuar, dashuria e ka numrin 126.

Kandidatja tjetër nga Gjakova Arbërie Nagavci u shpreh para qytetarëve të ngazëllyer se, “Lëvizja tashmë është Kosovë, një trup me qindra mijëra zemra që thërrasin me një ritëm 126”, dhe shtoi se, “përkundër pushtetit që dha dëshpërim ne japim shpresë” dhe se “ne i ofrojmë Kosovës më të mirin, Albin Kurtin”.

Në një atmosferë të elektrizuar e të zjarrtë, Kryeministri Albin Kurti falënderoi për mbështetjen studiues e profesionistë me përvojë botërore që janë të gatshëm të vijnë bashkë me fitoren e Lëvizjes për ta bërë Kosovën sipas vullnetetve të lirë e krijues. “Erdhi dita ta largojmë korrupsionin dhe ta kthejmë mërgatën për të investuar e punuar në atdhe”, bëri thirrje mes mijëra të pranishëmve i pari i fitores tonë të madhe Kurti.

Të rinjve me shumë potencial por me pak mbështetje, grave të forta por të izoluara, bujqëve të përkushtuar por të anashkaluar, punëtorëve të shfrytëzuar e të keqpaguar dhe të varfërve të përjashtuar u erdhi dita e tyre 6 tetor. “Ne do t’i shpallim luftë varfërisë”, deklaroi Kryeministri jonë Kurti dhe shtoi se, “puna 40 orë në javë do të jetë kufi i patejkalueshëm, e nëse tejkalohet duhet të paguhet ose pagë shtesë ose gjobë”.

“Për një shtet që mirëmban idealet e dëshmorëve dhe realizon dëshirat e fëmijëve votoni ndryshimin që mban numrin 126”, tha në përmbyllje të tubimit Kryeministri i ditëve të reja të Kosovës, Albin Kurti.

Pas 6 tetorit, si gjithmonë në angazhimin tonë, me të shkuarën në lëkurë lëvizim drejt horizontit e ëndrrave të reja që i ndërtojmë bashkë. Deri tani kemi patur pushtete që kanë sunduar përmes mashtrimit e grabitjes dhe tani do të kemi një qeveri e cila do të qeverisë me të vërtetën, qeveria e ëndrrave tona, qeveria Kurti.

Çdo qytetar i ndershëm dhe çdo partner i joni që brengoset për gjendjen ekonomiko-politike të Kosovës nuk do të rrijë pa e mbështetur qeverinë Kurti

Kontribo

01 10 2019

126 orë deri në fitore

Në Kastriot po gjenerohet drita e ditëve të mira për vendin. Këtë po e tregon entuziazmi dhe pjesëmarrja e qytetarëve nëpër aktivitetet dhe tubimet tona atje.

Aziz Bici, që kandidon për deputet nga kjo komunë tha se me qeverinë e re po i vjen fundi padrejtësive dhe diskriminimit të banorëve të Kastriotit që jetojnë me ajrin e ndotur, bartin sëmundjet dhe shohin militantët e partive tjera të punësohen në Termocentrale e KEK.

Ndërsa kandidati Sylejman Qerkezi duke iu referuar frymës së ndryshimit që po përcjellë këto zgjedhje theksoi se ajo nuk po vjen thjeshtë prej një partie, por prej popullit dhe si të tillë nuk do të mund ta ndalë askush.

Kandidatja Mevlyde Hyseni përmendi statistikat që tregojnë rritjen e numrit të të rinjve të prekur me sëmundjen e kancerit në komunën e Kastriotit dhe foli për masat që do i ndërmarr qeveria e re për ta ndalur këtë trend duke shtuar kujdesin shëndetësor e duke mbrojtë mjedisin.

Kandidatja Fitore Pacolli tha se Qeveria Kurti do të vendosë filtra në termocentrale dhe një brez të gjelbër mes Kastriotit, Fushë Kosovës dhe Prishtinës. Deponitë do të mbyllen dhe ndaj hidrocentraleve e gurthyesve do të jemi të pakompromis.

Rexhep Selimi numëroi 126 orë nga fitorja e festa në shesh dhe porositi që deri në ditën e zgjedhjeve të mos pushojmë së punuar për këtë fitore. Erdhi dita jonë, erdhi koha jonë. Ky vend do të udhëhiqet nga njerëz që as nuk shiten, as nuk shesin e as nuk blihen, nga Albin Kurti dhe qeveria e tij.

Glauk Konjufca nënvizoi se fitorja e Lëvizjes do të jetë fitore e popullit të Kosovës mbi padrejtësitë 20 vjeçare dhe një revoltë e përgjithshme kundër nëpërkëmbjes dhe hajnisë. Me datë 6 tetor është Lëvizja ajo që do sjell drejtësinë, ngritjen e arsimit dhe mirëqenien për shumicën në vend. Këtë do ta bëjmë sepse e kemi vullnetin e sinqeritetin, programin e përgatitjen e nevojshme, por mbi të gjitha për shkak se e kemi njeriun e qëlluar, Albin Kurtin për kryeministër.

Erdhi koha për një qeverisje që na bënë të gjithëve krenar. Me 6 tetor, vendimi është i popullit, kurse festa e të gjithë qytetarëve.

Kontribo

01 10 2019

Dardanë: 126 herë më shumë mbështetje për Lëvizjen

Nga bukuritë e Dardanës, mes brohorimash entuziaste, në tubimin e radhës kumboi fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kandidati Bajram Mavriqi bëri thirrje për ta bërë ndryshimin e madh për ta kapërcyer errësirën në të cilën e kanë futur Kosovën dhe akoma më shumë Dardanën. Na e shuajtën shpresën, vodhën punën, na morën subvencionet e tani duan të na mbyllin edhe shkollën. “Ata duan që ne ta braktisim Kosovën e Dardanën, mirëpo ne u përgjigjemi atyre: shpirti nuk shitet dhe atdheu nuk braktiset” tha Kryetari i Qendrës Mavriqi.

Ndërsa kandidatja tjetër nga Dardana, Arta Barajlia, foli për të drejtat e grave. “Asnjë shoqëri në botë nuk është zhvilluar pa angazhimin e gruas në politikë dhe kjo është e vetmja rrugë për barazi”, tha ajo. Shteti zhvillimor i qëndrueshëm sjell edhe barazi më të madhe tha me bindje kandidatja Barajlia, e cila shtoi ndër të tjera se pas 6 tetorit nuk do të ketë punë pa dinjitet, pa pagesë të orëve shtesë, pa kontrata për punëtorët, pa siguri në të dhe pa pushime lehonie. “Rritja e punësimit dhe mbrojtja e punëtorit është edhe mbrojtje e avancim i pozitës së grave, të cilat e vuajnë më së shumti shfrytëzimin e papunësisë dhe të punës”, përfundoi Bajralia.

Në fjalën e radhës kandidati Ilir Kërçeli kujtoi se Kamenica është lënë pas dore për 20 vite pa ujë të pijshëm e me rininë që po e braktis vendlindjen, por prej 6 tetorit situata ndërron Kamenicës do i kthehet uji dhe rinia e saj.

Si kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, iu drejtua Dardanës me fjalët e zjarrta, duke thënë se erdhi dita që ta largojmë terrin e ta sjellim dritën në Dardanë, erdhi dita e një shteti të së drejtës që e lufton krimin dhe krimin e organizuar, ku pushtetarët e qytetari janë njësoj përfundi ligjit e para tij”.

I pari i fitores tonë të madhe përforcoi faktin se me oligarkë e mujsharë nuk ka as drejtësi, as barazi e as zhvillim dhe shtoi se me qeverinë e VETËVENDOSJE!-s e kthejmë prodhimin në ekonomi dhe e kthejmë ekonominë në poitikë e nuk e lëmë të përjashtuar në tregun ku dominojnë mujsharët e oligarkët”.

Më 6 tetor do t’i tregojmë vetes dhe mbarë botës sesi nuk duam të jem, se si nuk duam të qeverisemi më. Me guxim votojmë më 6 tetor dhe bëhemi vetë shpresa e vetes tonë.

Kontribo

01 10 2019

Takim me delegacionin shtetëror nga Finlanda, të udhëhequr nga Ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, z. Pekka Haavisto

Dje, Kryetari i Lëvizjes dhe kandidati ynë për Kryeministër, z. Albin Kurti, bashkë me kandidatet tona për deputete, znj. Fitore Pacolli dhe znj. Mevlyde Hyseni, dhe me Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti, takuan delegacionin shtetëror nga Finlanda, të udhëhequr nga Ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, z. Pekka Haavisto.

Në këtë takim u diskutua rreth dialogut me Serbinë, kundërshtimit që Lëvizja VETËVENDOSJE! ia bëri ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit territorial, dhe ndikimit rus në rajon. Sa i përket dialogut me Serbinë, Kryetari Kurti theksoi se para së gjithash, duhet të kemi dialog demokratik nga poshtë-lart, me të gjitha pakicat, për temat sociale dhe ekonomike, nëpërmjet të cilave do të realizohet integrimi i tyre në shoqërinë dhe ekonominë e vendit, përveçse në institucione. Përtej kësaj, për çfarëdo dialogu, duhet t’i respektojmë tri parime: 1. Nuk do të ketë marrëveshje pa dialog, 2. Dialogu të orientohet rreth të drejtave të qytetarëve e jo mbi shkëmbimin territorial, dhe, 3. Jo dialog me harta, jo presidentet e dy shteteve, por ekspertët. Gjithashtu, ai potencoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! gjithmonë do të mbrojë sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës dhe asnjëherë nuk do të lejojë që disa individë të vendosin për fatin e një populli.

Ministri Haavisto tregoi qëndrimin pozitiv të Finlandës për procesin e integrimeve evropiane të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e madhe të diasporës shqiptare në Finlandë. Ndërsa, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!-s vlerësoi mbështetjen që Finlanda i ka dhënë Kosovës në faza të ndryshme, veçanërisht në mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kontribo

01 10 2019

Gjilan: Ditë të bardha vijnë me numrin 126

Me pjesëmarrje të paprecedent, mes mijëra të rinjsh që i bëhen krah Lëvizjes e që do ta kenë krah qeverinë Kurti, me të pranishëm nga Presheva e Bujanoci, Kumanova e Gostivari, me miq nga Social-Demokratët e Bundestagut gjerman, Gjilani priti kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurtin me ekipin e tij fitues.

Në hapje, tubimin e nderoi deputeti i Partisë Social-Demokrate në Bundestagun gjerman, Stefan Schwartze. “Unë jam këtu sot sepse mendoj se ju qendroni përpara një momenti historik. Besoj se e keni shansin e madh për ndryshimin e madh në Kosovë. Në këto zgjedhje varet edhe perspektiva e ardhshme e Kosovës”, tha deputeti gjerman duke shtuar se, “unë kam ardhur që ta mbështes Albinin për kryeministër e shpresoj që edhe ju e keni guximin ta mbështesni Albinin për kryeministër”.

Në fjalën e radhës, kandidati Nevzad Isufi, tha se bashkë me qytetarët Lëvizja po kërkon ndryshim, zhvillim, shtet, parime, barazi e mirëqenie të cilat na kanë munguar deri në 6 tetor, sepse një epokë e re po vjen. Sipas tij Gjilani pa ujë e me lumenj e ambient të ndotur do ta ketë përkrahjen e qeverisë Kurti për ta mbrojtur mjedisin e për t’ia siguruar shërbimet bazike publike. Ndërsa kandidatja tjetër nga Gjilani, Arijeta Rexhepi, u zotua se Lëvizja do të punojë për një vend ku mund t’i paramendojmë fëmijët tanë të rriten, jetojnë e punojnë me dinjitet në vendin e tyre.

Kandidati Alban Hyseni tha me bindje se vetingu do të bëhet e do të jetë gardian i përhershëm i sistemit të drejtësisë e sigurisë, duke thënë më tutje se drejtësia e barazia janë baza dhe thelbi i rendit dhe i rregullit në shoqëri dhe drejtësia e barazia do të shërbejnë si rregullatorë të fushave të tjera në shoqërinë tonë pas 6 tetorit. Ndërsa për kandidatin Ismajl Kurteshi njëri nga kuptimet e qeverisë Kurti do jetë arsimi dinjitoz, pa pagesë e i garantuar për nxënësit e studentët tanë.

Kandidatja Tinka Kurti si aktiviste e zëshme e çeshtjes së gruas denoncoi dhunën, shfrytëzimin, izolimin dhe përjashtimin e grave nga sfera publike e jetës e tha me bindje se ditë të bardha po na presin vendin pas 6 tetorit. “Nga 6 tetori fillon jetësimi i kërkesave tonë si gra për siguri, punë, strehë, arsim, shëndet, pavarësi e mirëkuptim” u zotua bindshëm kandidatja Kurti dhe shtoi se, “kemi një jetë që po presim, dy dekada lirie, por edhe 6 ditë vjen çlirimi i Kosovës”.

Në fjalimin e tij deklarativ, kryeministri jonë Albin Kurti, mes zotimesh për ta çliruar shtetin nga kapja, gjyqtarët e prokurorët nga eprorët lepurushë, gratë nga dhunuesit, punëtorët nga shfrytëzimi e veteranët nga mujsharët e luftës, u zotua se do ta sjellim ligjin e ri të punës, do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve të punës që të garantojmë cilësi e siguri në punë. Do ta themelojmë gjykatën e punës dhe qeveria jonë do të jetë komplementare e bashkëpnuusese në përpjekjet e sindikatave në përmirësimin e kushteve të punës e të drejtave të punëtorëve e kurrsesi pengesë për ta.

Mes brohoritjesh pafund e plot padurim për qeverinë e drejtuar prej tij, kryeministri i shumëpritur i vendit e mbylli tubimin me fjalët: “Kosovën e kemi trashëgim nga gjaku i dëshmorëve dhe djersa e punëtorëve ndërkaq e kemi marrë hua nga fëmijët e porsalindur e ata që akoma nuk kanë lindur. Gjithkah duhet të punojmë, gjithçka duhet të shpëtojmë e shumëçka do të fitojmë”.

Kontribo