01 10 2019

Takim me deputetin e Bundestagut gjerman nga rradhët e SPD-së, z. Stefan Schwartze

Sot, kryetari Kurti, bashkë me kandidatet për deputete Arbërie Nagavci e Mevlyde Hyseni, dhe aktivistin Edison Jakurti, takuan deputetin e Bundestagut gjerman nga rradhët e SPD-së, z. Stefan Schwartze. Takimi u mbajt në një frymë shumë bashkëpunuese duke qenë se z. Schwartze po qëndron në Kosovë në mbështetje të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zgjedhjet e 6 tetorit.

Kryetari Kurti foli për tubimet e takimet e shumta që po zhvillohen çdo ditë anë e mbanë vendit. Entuziazmi që po vërehet gjithandej është rezultat i mobilizimit të brendshëm dhe vullnetit të jashtëm për ndryshim. Përveç theksimit të disa masave që do t’i ndërmarrim si qeveri për zbutjen e varfërisë e zvogëlimin e pabarazisë gjinore, kryetari Kurti foli edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes qeverisë Kurti dhe asaj gjermane. Një fushë me potencial u theksua të jetë ajo e shkollave profesionale si urë lidhëse mes arsimit dhe ekonomisë. Gjithashtu, u diskutua për nevojën e thellimit të bashkëpunimit në fushën e riciklimit si metodë për ruajtjen e ambientit, meqë Gjermania ka shumë përvojë e Kosova nuk qëndron mirë në këtë drejtim.

Z. Shwartze foli për rëndësinë e takimeve të vazhdueshme me qytetarë si mundësia më e mirë për t’i njohur e adresuar brengat e tyre. Ai e vlerësoi lartë mërgatën shqiptare në Gjermani duke e konsideruar atë si burim të pazëvendësueshëm për zhvillimin e Kosovës. Poashtu theksoi se është mbështetës i fuqishëm i sistemit dual të arsimit dhe se kjo do t’mund të ishte një fushë kyçe e bashkëpunimit mes qeverisë gjermane dhe qeverisë Kurti. Përveç arsimit, ideja për fillimin e bashkëpunimit për ndërtimin e një sistemi riciklimi në Kosovë u vlerësua si projekt shumë i rëndësishëm e i realizueshëm.

Takimi u përmbyll duke u koordinuar për tubmin që do të mbahet sonte në Gjilan, ku do të marrë pjesë edhe z. Schwartze si mysafir i veçantë.

Kontribo

01 10 2019

Mendje ndërkombëtare mbështesin Lëvizjen tonë

AKADEMIKË TË UNIVERSITETEVE PRESTIGJIOZE BOTËRORE MBËSHTESIN LËVIZJEN VETËVENDOSJE!

Këta janë emrat e akademikëve, ndërsa tekstin mbështetës e gjeni më poshtë:

– Slavoj Žižek, Ljubljanë/Slloveni, profesor në Birkbeck College/Londër
– Gabriel Tupinambá, Rio de Janeiro/Brazil, filozof dhe psikoanalist
– Natalia Romé, Buenos Aires/Argjentinë, profesor në Universidad de Buenos Aires
– Luka Mesec, Ljubljanë/Slloveni, deputet në parlamentin Slloven
– Ceren Özselçuk, Stamboll/Turqi, profesor në Boğaziçi Üniversitesi
– Yahya M. Madra, Stamboll/Madison- SHBA, profesor në Drew University
– David Pavón-Cuéllar, Morelia/Meksikë, profesor në Universidad Michoacana de San Nicolás de Hidalgo
– Jamil Khader, Betlehem/Palestinë, dekan në Universitetin e Betlehemit
– Frank Ruda, Dundee/Berlin, profesor në Universitetin e Dundee
– Alenka Zupančič, Ljubljanë/Slloveni, hulumtuese në akademinë e shkencave dhe arteve, instituti i filozofisë
– Warren Montag, Los Angelos/SHBA, profesor në Occidental College
– Robert Pfaller, Linz/Austri, profesor në Kunstuniversität Linz
– Alberto Toscano, Londër/Britani e Madhe, profesor në Goldsmith College
– G.M.Tamás, Budapst/Hungari, filozof
– Mladen Dolar, Ljubljanë/Slloveni, profesor në Fakultetin Filozofik
– Adrian Johnston, New Mexico/SHBA, Shef i departamentit në fakultetin filozofik në The University of New Mexico
– Rodrigo Nunes, Rio de Janeiro/Brazil, profesor i filozofisë në Pontifícia Universidade Católica do Rio de Janeiro, PUC-Rio
– Boris Buden Berlin/Zagreb, filozof
– Todd McGowan, Vermont/SHBA, profesor në University of Vermont
– Michael Roberts, Londër/Britani e Madhe, ekonomist
– Molly Anne Rothenberg, New Orleans/SHBA, profesor në Tulane University
– Nick Nesbitt, New Jersey/SHBA, profesor në Princeton University
– Vittorio Morfino, Milano/Itali, profesor në Universitetin Milan-Bicocca.

Republika e Kosovës po shkon në zgjedhje të reja të përgjithshme, të cilat do të mbahen më 6 tetor, 2019. Qeveria konservatore dhe neoliberale e deritanishme, e përbërë nga një koalicion me mbi 17 parti politike, do të mbahet mend për vendimet e saja neoliberale, për korrupsionin e niveleve të larta dhe për politikën e jashtme apatike. Kjo vetëm e ka përkeqësuar gjendjen tashmë shumë të rëndë politike, ekonomike dhe sociale në Republikën e Kosovës.

Niveli i papunësisë në Kosovë është të paktën 32% dhe trendi vazhdon të jetë negativ. Ndërmarrjet publike janë rrezikuar nga kontratat e dëmshme me qëllim privatizimin. Pabarazia në pasuri dhe në të ardhura është e lartë dhe vetëm sa po thellohet, ndërkohë që niveli i lartë i varfërisë nuk po zvogëlohet. Republika e Kosovës mbetet vendi më i varfër në Evropë.

Kjo situatë ka nevojë për masa urgjente që mund të ndërmerren vetëm nga një program social-demokrat, dhe në Kosovë është vetëm Lëvizja VETËVENDOSJE! ajo që mund të marrë masa të këtilla. Në zgjedhjet e fundit të 2017, LVV doli partia me mbështetjen më të madhe ndërkaq kandidati për Kryeministër, Albin Kurti, ishte njeriu më i votuar në Kosovë. Prej asaj kohe, Lëvizja u rrit me një ritëm të paprecedent, si rezultat i programit, politikave, aktiviteteve e edhe si rezultat i situatës së përkeqësuar në Kosovë.
Statusi politik dhe juridik i Kosovës është veçanërisht i pazakontë. Ndërkohë që formalisht i pavarur, Kosova mbetet një vend i varur, i shndërruar kështu në një vend mes gjysmë-kolonializmit dhe gjysmë-protektoriatit. Si pasojë, u bë tokë pjellore për shumë politika dhe projekte neoliberale dhe të tjera të ngjashme, ku edhe rregullat formale elementare të demokracisë shkelen tepër shpesh.

Siç e dimë, këto çështje nuk janë lokale, por globale. Paradigma neoliberale na ka bashkuar të gjithëve për të luftuar kundër saj dhe për ta bërë këtë kemi nevojë për solidaritetin e mbështetjen e njëri-tjetrit.

Prandaj, ne si nënshkrues shprehim mbështetjen tonë për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe për Kurtin në zgjedhjet që po vijnë, me shpresën se qeveria e tij e ardhshme do të jetë një fillim i ri në këtë betejë të vështirë, por të domosdoshme, kundër ngjarjeve aktuale në Republikën e Kosovës. Në situata si kjo, shpresa është më e rëndësishme se realiteti aktual, diçka që Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Kurti ia japin popullit të këtij vendi, si parakusht për çdo transformim të realitetit në Kosovë.

Kontribo

30 09 2019

Le t’i shqyejn posterat, forca e Lëvizjes është te zemrat e qytetarëve

Në pallatin e kulturës “Jusuf Gërvalla” në Deçan, deputetët e mazhorancës së ardhshme, Zekë Sinanaj dhe Mirlinda Tishukaj Sadiku nga Deçani, Xhelal Sveçla, Glauk Konjufca dhe nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku folën para qindra deçanasve për programin e qeverisë Kurti.

Zekë Sinanaj tha se kërkesën për ndryshim po e dëgjojmë gjithandej. Ata që e kanë zhvatur vendin tani po i shohim të zbutur duke kërkuar sërish votën, e kinse për ndryshim. Por, të gjithë e kanë të qartë tashmë se kur për flasim për ndryshim në drejtësi e ekonomi, shëndetësi e arsim, luftim të krimit e korrupsionit dhe për të drejta të punëtorëve, në mendje e kemi Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe qeverinë e saj në krye me Albin Kurtin.

Mirlinda Tishukaj Sadiku shtroi pyetjen se a mund të bëhet ndryshimi me njerëzit e njëjtë? Një Jo – jehuese në sallë zbriti te fjala e saj për gratë e vajzat që kanë diplomuar e magjistruar e që tani qëndrojnë nga 12 orë nëpër arkat e hipermarketeve, te djemtë që shërbejnë si kamarierë milionerët e pashkolluar dhe te Lëvizja që do e ndryshojë këtë gjendje. Posterat në Deçan mund të shqyhen, por jo edhe vullneti i qytetarëve të Deçanit që janë përcaktuar për ndryshimin. Ajo tha se me 6 tetor duhet dhe do t’i jepet shansi Lëvizjes dhe Albin Kurtit për ndryshime.

Nënkryetarja, doktoresha Fatmire Kollçaku Mulhaxha kujtoi që sot është 21 vjetori i rënies në luftë të doktorit dhe humanistit, Doktor Shpëtim Robaj. E gjithë salla duartrokiti për veprën e tij.

Tutje, ajo foli për rëndësinë e një shëndetësie publike, sigurimet shëndetësore dhe ndryshimet tjera që do i bëj Lëvizja në mënyrë që një sëmundje e rëndë të mos e hedh në varfëri një familje siç po ndodhë tani. Ajo përmendi edhe përkrahjen e grave dhe vajzave që do e bëjë qeveria e re përmes bursave për studime, banimit të përballueshëm për gratë kryefamiljare dhe qiftet e reja në nevojë. Me 6 tetor, porositi ajo, duhet t’i japim fund këtyre që kanë qeverisur e që tani flasin për ‘mentalitetin e robit’, me Albin Kurtin dhe programin e Lëvizjes Kosova do bëhet një vend i jetueshëm për të gjithë, e sidomos për ata që kanë nevojë.

Duke iu referuar të kaluarës, rritjes së vazhdueshme të Lëvizjes, Xhelal Sveçla tha se ajo përcakton fitoren tonë në zgjedhjet e 6 tetorit. Tashmë është kuptuar që ne jemi ndryshimi dhe e kemi për detyrë të kthejmë shpresën në vend e duke e bërë këtë do i kthejmë edhe investimet edhe rininë. Është për shkak të së ardhmes së Kosovës që e kemi për detyrë ta bëjmë këtë vend të jetueshëm. Sa më i thellë dallimi me kundërshtarët në këto zgjedhje aq më i thellë ndryshimi. Edhe 6 ditë për Kosovën edhe 6 ditë për Albinin kryeministër.

Glauk Konjufca tha se pas 6 tetorit fëmijët do ta kuptojnë më mirë se ç‘është çerdhja, nxënësit se ç’është shkollimi, studentët se ç’është universiteti, bujku se çka janë subvencionet pa të njohshëm. Rinia do e prek punësimin e pleqtë pensionin e dinjitetshëm kurse ekonomia zhvillimin. Të gjitha këto do të ndodhin sepse në krye do vijë Albin Kurti. Qeveria Kurti do të jetë e përgjegjshme dhe e ndjeshme, profesionale dhe e ndershme, ajo do ta çrrënjosë krimin e korrupsionin, klientelizmin dhe nepotizmin.

Të tjerët le të shqyejnë postera se fuqia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk është te posterat por te zemrat e qytetarëve.

Kontribo

30 09 2019

Fitorja e qeverisë Kurti nuk do të mungojë as në Malishevë

Malisheva priti me tubim ngadhënjyes në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” kandidatët fitimtarë të Lëvizjes të drejtuar nga kryeministri i ardhshëm Albin Kurti.

Kandidati Gani Krasniqi kujtoi vlerat kulturore, patriotike e lufttarake të Malishevës. Për të mbrojtur këto vlera sot më shumë se kurrë, veprimtari i kahmotshëm i çeshtje kombëtare Krasniqi u shpreh se na duhet shteti i drejtë për popullin dhe ligji për hajnat, duke shtuar se Republikës i duhet virtyti e i duhen njerëzit e Kosovës dhe jo hajnat. “Ia kemi borxh shpresës që po lind që ta bëjmë realitet”, tha Krasniqi.

Kandidatja dhe inxhinierja Jetmira Vrenezi tregoi se vullneti për ndryshim dhe besimi në Lëvizjen VETËVENDOSJE! vetëm se po rriten. Jetmira nuk është ndaluar as si aktiviste, as si nënpunëse në Komunën e Prishtinës dhe në atë të Prizrenit dhe nuk do të ndalet as si deputete e Kuvendit.

Në fjalën e saj kandidatja Albulena Haxhiu shpjegoi se populli po e mbështet Lëvizjen sepse VETEVENDOSJE! nuk e ka tradhëtuar e mashtruar asnjëherë atë. “Për dallim nga të tjerët, VETËVENDOSJE! i sheh qytetarët në sy tek u kërkon mbështetje për zgjedhjet e 6 tetorit”, tha kandidatja Albulena Haxhiu.

Kryeministri i ardhshëm Albin Kurti përballë qytetarëve të shumtë të Malishevës në tubim tregoi sesi autostradat e mbyllura, si në Malishevë e në tërë vendin, i kanë ngulfatur komunat, tokat bujqësore dhe i kanë detyruar banorët të shpërngulen prej tyre. Ndërsa me qeverinë Kurti dhe me grantin e katërt për komunat prej 600 milionë eurosh për 4 vitet e mandatit, komunat do të kenë mundësi të investojnë në infrastrukturë, shkolla e ujësjellësa. “As nuk do të tolerojmë që ujrat e zeza të bëhen ujëvarë e as nuk do të lejojmë që ujvara e Mirushës të ketë ujra të zeza”, tha vendosmërisht kryeminstri jonë Kurti.

Ndërsa në fund të fjalimit ai bëri thirrje që ta mposhtim varfërinë e ta mposhtim frikën, sepse aty ku populli ka frikë nga qeveira kemi tirani dhe aty ku qeveria ka frikë nga populli kemi demokraci. Me VETËVENDOSJE!-n në qeveri e heqim frikën dhe e rikthejmë shpresën.

Kontribo

29 09 2019

Erdhi dita për Pejën

Edhe dritaret e shtëpive përreth kishin sytë nga qendra sportive Valon Begolli në Pejë, ku kandidati për kryeministër, Albin Kurti bashkë me deputetët e ardhshëm Fatmire Mulhaxha Kollçaku, Bashkim Nurboja, Taulant Kryeziu, Ali Lajçi dhe Mimoza Kusari folën për qeverinë e re të 6 tetorit.

Nënkryetarja e Lëvizjes, doktoresha që kandidon për deputete, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, përmendi artistët, aktorët e sportistët me vlerë botërore që Peja i ka dhënë vendit, duke nënvizuar suksesin e grave dhe mbështetjen që qeveria e re do ta jap për to. Ajo foli edhe për bukuritë e Pejës, grykën e Rugovës, Lumëbardhin e paprekshëm prej hidrocentraleve dhe qeverinë Kurti që do ta mbrojë ambientin e do të invesojë në zhvillimin e turizmit në Pejë.

Kandidati Bashkim Nurboja kujtoi se sot është përvjetori i protestës “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu” duke theksuar se motoja e këtyre zgjedhjeve do të jetë “një popull nuk i nënshtrohet as kriminelëve dhe as hajnave.” Ne do ta luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar, do t’i ndihmojmë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që të zhvillohen dhe do të mundohemi për mirëqenien e të gjithëve e jo vetëm të disave, tha ai.

Kandidati Taulant Kryeziu tha se ka ardhur koha për një Kosovë ku të fuqishmit janë të barabartë me njerëzit e rëndomtë. Me shtetin e kapur nuk ka konkurrencë politike, as konkurrencë idesh por ka hajni votash, degradim të dijes dhe shkatërrim të së ardhmes. Vetëm një qeverisje me një Kryeministër të dijshëm e të guximshëm, që e do shtetin dhe vendin e është i pathyeshëm e i pashantazhueshëm si Albin Kurti mund të ecim tutje dhe kjo tashmë është domosdoshmëri.

Kandidati Ali Lajçi tha se numri 126 ka gjetur shprehje te qytetarët e Republikës, por 6 tetori do shënoj ngjarjen e fitores së Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ai tha se Kosova është menaxhuar shumë keq në kuptimin institucional dhe se e ka humbur imazhin me këto struktura udhëheqëse. Duhet të sigurohemi që ata të mos kthehen porositi ai, duke uruar që me peshën e madhe të dashurisë që kemi për Kosovën ta votojmë Lëvizjen dhe kryeministrin Albin Kurti.

Kryetarja e Alternativës, kandidatja në listën e Lëvizjes, Mimoza Kusari Lila, duke iu referuar panistëve tha se këta që nuk i ruajnë as territoret nuk mund ta sigurojnë lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës. Këta vetëm e kanë trashur të keqen dhe andaj jemi bërë bashkë. Bashkë për Lumëbardhin dhe kundër hidrocentraleve dhe për bukuritë natyrore e sportin që qeveria Kurti i ka prioritet. E vetmja lëvizje politike që sot e ka guximin, dijeninë dhe mundësinë e reformës është Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Kryeministri në ardhje, Albin Kurti foli për çlirimin e dytë të Pejës e të Kosovës nga oligarkët e tajkunët që e kanë pushtuar.

Me shtetin si rregullator e mirëmbajtës dhe jo dirigjues, do të ndryshojë qasja ndaj bizneseve për të mirë. Do të perëndojnë tajkunët e lindin ndërmarrësit inovativ, do të ulet importi dhe rritet eksporti. Me qeverinë e VETËVENDOSJE!-s nuk do të ketë tajkunë a oligarkë, Kelmendë e as Devollë, që e detyron punëtorin të marr pjesë në tubime të ndonjë subjekti politik dhe që ua kushtëzon pagën me votë. Ne do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve të punës, do ta themelojmë Gjykatën e Punës, do ta miratojmë ligjin e ri të punës dhe organizimi sindikal do të ndihmohet e do të fuqizohet. Me qeverisjen tonë nuk mund të lejojmë që Peja të jetë e pasur me tajkunë e të falimentojnë zejet e artizanatet e mbi 1000 familje të varen nga skema e ndihmës sociale.

Pas 6 tetorit, për punëtorët: punë, bukë e dinjitet. Për tajkunët, tatim mbi fitimin legjitim, dënim e konfiskim mbi atë jolegjitim.

Kontribo

29 09 2019

Të merren masa ndaj dhunuesve e mashtruesve

Pamjet e dala në një portal, tregojnë sulmin brutal ndaj kandidatit për deputet të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Haki Abazit, nga ana e kandidatit të AAK-së Dardan Molliqaj dhe truprojës së tij Fatos Sahitit. Ky sulm nga ana e dy personave, njëri prej të cilëve shihet duke vënë dorën në brez kërcënueshëm, vërteton atë që kemi thënë prej fillimit. Haki Abazi është sulmuar në mënyrë rrugaçërore, e nga prapa shpine.

Ne e denoncojmë këtë krim, dhe konsiderojmë se këto imazhe e vulosin si njeri të dhunshëm e si mashtrues Dardan Molliqajn, i cili asokohe mohoi të ketë sulmuar fizikisht. Po ashtu, del se edhe Rexhep Hoti e paska fshehur të vërtetën, meqenëse dukshëm ishte dëshmitar i këtij sulmi. Të dyja partitë duhet të distancohen nga këta kandidatë, AAK duhet të dënojë dhunën kriminale të Molliqajt, e PDK-ja duhet të dënojë mashtrimin publik nga ana e Rexhep Hotit. Në të njëjtën kohë, jemi të zhgënjyer nga mosveprimi i prokurorisë, e cila i ka patur në dorë këto filmime.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga policia e prokuroria të marrin masa tash që e vërteta doli në shesh. Prokuroria duhet të kërkojë arrestimin e Molliqajt, i cili e ka sulmuar një person vetëm pse nuk pajtohet politikisht me të. Njëkohësisht media duhet të mos i jape hapësirë këtyre dhunuesve e mashtruesve flagrantë.

Kontribo

29 09 2019

Lipjan: 126 rrahje zemre në minutë për Qeverinë Kurti

Në shtëpinë e kulturës në Lipjan mbajtëm tubimin e radhës mobilizues. Salla ishte e mbushur përplot me të rinj, të cilët do të marrin pjesë edhe më masivisht në votimet e 6 tetorit.

Kandidati nga Lipjani Berat Reçica në fjalimin e tij u shpreh i bindur se siç rrëzohet shkëmbi kur nuk i ka tre këmbë ashtu do t’i rrëzojë edhe qeveria Kurti, rivalët politik të cilët nuk janë për shtet të së drejtës, shtet zhvillimor e shtet social. Kandidati Reçica u bëri thirrje qytetarëve se, “nuk është marre me ndërru parti. Marr është me të vjedhë e më të mashtru për 20 vjet e t’i prap me i votu”. Ndërsa kandidati jonë tjetër nga Lipjani Xhelal Haliti u zotua se Lëvizja dhe lista jonë fituese është zëri i qytetarëve dhe i të drejtave të tyre të përditshme, se me numrin 126 Kosova do të ketë mirëqenie, punë e jo skllavëri.

Kandidati Liburn Aliu mes brohoritjeve të parreshtura të qytetarëve tha se qeverisja Kurti me të keqen ballafaqohet me guxim ndërsa qytetarit i shërben me përulje. “Shtetin e çkap ai që pret me padurim ballafaqimin e madh dhe prandaj ne themi erdhi dita”, tha veprimtari dhe luftëtari Aliu dhe shtoi se, “me datën 6 tetor do të fillojë çkapja e shtetit, por do të ndodhë edhe çkapja e LDK-së prej PDK-së”.

Fitore Pacolli tregoi se Lëvizja do të fitojë sepse nuk shkon më që varfëria e pabarazia të jenë kaq të thelluara në Kosovë, që ushqimi të kushtojë më shumë sesa në vendet e Europës, ndërkohë që punëtorët paguhen shumë më pak sesa atje. Nuk shkon më me shkolla e spitale të mjeruara! Le ta bëjmë Kosovën shtet, tha kandidatja Pacolli, “që punon për të gjithë, fëmijë, burra, gra, punëtorë e pensionistë”.

Kandidati Glauk Konjufca shpjegoi se Lëvizja do t’i fitojë zgjedhjet sepse kemi programin që më së shumti i nevojtitet vendit tonë, kemi njerëzit më profesionalë që i ka Kosova, kemi vullnetin e dijen për transformimin e vendit, kemi guximin për ta çrrënjosur krimin dhe korrupsionin, kemi ndjeshmërinë për ta ndërtuar barazinë e solidaritetin dhe mbi të gjitha e kemi njeriun e duhur për ta udhëhequr vendin.

“Lëvizja do ta luftojë mafian, do t’i konfiskojë pasuritë e bëra me krim e korrupsion dhe do t’i eliminojë e zhdukë monopolet e PAN-hajnisë”, tha ai.

Në përfundim të tubimit kandidati Konjufca u shpreh së me 7 tetor Kadri Veseli bashkë me Ramush Haradinajn do të marrin vesh se si luftohet korrupsioni dhe Vjosa Osmani ka me kuptu se kujt i beson popullit”.

Secili e ndjen në zemër me 126 rrahje në minutë programin e Lëvizjes VETËVENDODSJE!. Secili e ndjen në zemër dhe ia merr mendja se erdhi dita e tij dhe e saj për t’u bërë pjesë e barazisë, drejtësisë e zhvillimit të vendit.

Kontribo

29 09 2019

Ky regjim do ikë me hapat 1 2 6

Mes qytetarëve të shumtë që e thërrisnin emrin dhe funksionin e tij të ri si kryeministër, Albin Kurti së bashku me kandidatët për deputetë nga Theranda, Salih Zyba, Drita Kabashi, Liridon Fandaj, Albana Gashi dhe kandidati Rexhep Selimi hynë në oborrin e Gjimnazit “Jeta e Re” në Therandë për ta folur qeverinë e 6 tetorit.

Kandidati Salih Zyba kujtoi se ato pak prona e ndërmarrje që i mbijetuan luftës nuk i mbijetuan pasluftës së privatizimeve nga partitë që udhëheqin vendin për 20 vite. Ai tha se këto parti që kanë shkatërruar ekonominë, arsimin, shëndetësinë e drejtësinë po shkojnë për mos t’u kthyer më dhe se me 6 tetor qeverisja e re me Albin Kurtin në krye po vjen.

Doktoresha Drita Kabashi foli për atdhedashurinë dhe shëndetësinë. Si doktoreshë e shkolluar dhe me përvojë pune në Gjermani, ajo tha se dashuria për atdheun dhe njerëzit në Kosovë ja shtyu ndjenjën e detyrës për t’u kthyer dhe shërbyer në vendin e saj, ku tash me qeverinë e re do të ketë sigurime shëndetësore dhe trajtim profesional dhe njerëzor për qytetarët e vendit pa diskriminim.

Kandidatja Albana Gashi përmendi ndërmarrjet e Therandës që ja kanë dhënë identitetin dhe dinjitetin qytetarëve të saj e që janë shkatërruar përmes privatizimit. Qeveria e re do ta shfuqizoj AKP-në dhe do t’ia marr asaj ndërmarrjet shoqërore për ta hapur një kapitull të ri në ekonominë e vendit, që do t’ia kthej shpresën qytetarit e dinjitetin punëtorit.

Gjenerali dhe kandidati për deputet Rexhep Selimi tha se pas një jave do të flas populli i Kosovës, e pas asaj jave do të heshtin ata që na vodhën e na rrjepën, e pas edhe asaj jave në ditët tona plotë dritë nuk do i shohim më këta lakuriq të natës. Ata do të ikin sepse në emër të UÇK-së kërkuan votën dhe sollën Gjykatën Speciale, sepse premtuan vende pune dhe e larguan rininë jashtë vendin, ata do të ikin sepse po vjen Vetëvendosja dhe Albin Kurti kryeministër.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti tha se Theranda duhet të ketë ujë e trotuare, parqe e sheshe publike dhe se këto do të bëhen përmes grantit të katërt për komuna në vlerë prej 600 milionë eurosh, që do e ndajë qeveria e re. Edukimi do të lidhet me kërkesat e tregut në mënyrë që çdo i diplomuar ta gjej një vend pune dhe e gjithë kjo do të mbështetet edhe prej investimeve të Bankës Zhvillimore në industrinë prodhuese dhe përpunuese që do i zëvendësojë importet.

“Me qeverinë e re të rinjtë nuk do e lidhin më besën me partinë, por kontratën me kompaninë dhe trendi i ikjes do të ndalet përmes shtetit solidar dhe shtetit social. Ne do të ofrojmë punësim të garantuar për një anëtar të familjes për çdo familje në skemë sociale. Do ta ndajmë mirëqenien duke paguar deri në 240 euro në vit për fëmijët nën 2 vjeç, e 120 euro në vit për fëmijët nën 16 vjeç, dhe do të heqim tatimin për të ardhurat deri në 300 euro sepse askush nuk duhet të paguaj për të mbetur gjallë”, tha ai.

Me votimin e qeverisë së re me datë 6 tetor, e me fitoren tonë të përbashkët do t’i bëjmë ndryshimet që i duam dhe i presim.

Kontribo

29 09 2019

Deçan: Frika nga humbja i detyron të bëjnë veprime të ulëta

Pesë herë me radhë, në Deçan, disa të panjohur kanë dëmtuar banerët elektoralë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Fokusi i këtij gjesti të ulët ka qenë sidomos baneri ku shfaqej fotografia e kandidatit për kryeministër, Albin Kurtit.

Ky veprim i shëmtuar tregon frikën e cila i ka kapur bandat partiake që e kanë vjedhur Kosovën për 20 vite me radhë. Me pushtetin e tyre po largohet rinia, por me pushtetin e VETËVENDOSJES! do të largohet mafia!

Ne do të vazhdojmë t’i vendosim banerët tanë, sipas ligjit, kudo. Subjektet e PAN-it, në panik sepse janë jashtë gare, po kërkojnë vazhdimisht të na provokojnë. Por ne nuk do të biem pre e provokimeve të tyre. Aktivistët tanë në Deçan, e në krejt Kosovën, kanë qenë në gjendje të ballafaqohen me guxim maksimal, dhe gjithnjë të fitojnë, përballë pushtetarëve abuzivë nga të gjitha partitë.

As Deçani e asnjë vend në Kosovë, nuk ka nevojë për tension, por për zhvillim e investime. Ata që e kanë lënë Deçanin pa investime, pa zhvillim ekonomik dhe pa urbanizim sot kanë frikë, sepse ka ardhur koha që të humbasin bindshëm. Populli ka marrë vendim kundër tyre, ka marrë vendim për ndryshimin e madh që Deçani e Kosova të kthehet kah e mbara, me Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Fatkeqësisht policia e cila është njoftuar zyrtarisht, nuk po vepron, edhe pse ky veprim i përsëritur pesë herë rresht ka ndodhur në qendër të qytetit në një hapësirë të monitoruar me kamera. Prandaj themi se me qeverinë Kurti, edhe policët do të çlirohen prej frikës dhe do të kenë mundësi ta zbatojnë ligjin njësoj për secilin, edhe për banditët e partive të vjetra.

Erdhi dita për ndryshim. Erdhi dita t’i largojmë abuzuesit dhe banditët nga pushteti. Erdhi dita për drejtësi e zhvillim, për Deçanin dhe për krejt Kosovën.

Kontribo

28 09 2019

Drenas: 126 e largon mjegullën, sepse erdhi Dita

Në Drenasin e dëshmorëve e luftëtarëve mbajtëm tubimin e radhës, në valën e fushatës së fitores.

Në fjalën e tij, kandidati nga Drenasi dhe ish gjenerali i FSK-së, Enver Dugolli, theksoi se është në të njëjtën lëvizje, qysh prej vitit 1981 kur ka nisur angazhimin për çështjen kombëtare, e deri sot në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Me të njëjtën dëshirë për ta bërë shoqërinë dhe vendin të lirë, për ta bërë Kosovën të zhvilluar e të drejtë.

Ndërsa kandidatja dhe nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, tregoi gjendjen e rëndë në shëndetësi dhe zotimin e Lëvizjes se, “se do të kemi një shëndetësi me qendër pacientin, se do të garantojmë sigurim shëndetësor universal dhe një sistem të unifikuar për sëmundjet kronike dhe onkologjike”.

Kandidati Xhelal Sveçla bëri thirrje për t’u bashkuar në 6 tetor sepse, “bashkë bëhemi në spital kur jemi apo kemi dikë sëmurë, bashkë presim para bankave për pensione të ulëta e kredi me kamata të larta, bashkë në shkolla, bashkë po hamë ushqime të skaduara e bashkë po thithim ajrin e ndotur”. Mirëpo, situata po ndryshon. “Siç thotë populli, ujku do mjegull, por mjegull s’ka më sepse erdhi dita. Erdhi dita kur edhe një fëmijë do ta dallojë të mirën nga e keqja”, tha në përfundim aktivisti i hershëm Sveçla.

Kandidati për deputet Rexhep Selimi kujtoi se, “për 20 vite vetëm i kanë marrë Drenicës dhe nuk i kanë dhënë asgjë, vetëm i kanë marrë familjeve të dëshmorëve dhe nuk i dhanë asgjë”. Ish komandanti i UÇK-së u bëri thirrje drenicakëve të çohen sepse nuk ka më bastione që e ndalojnë fitoren e Lëvizjes dhe se Drenica nuk është pronë e PDK-së por vatër e Adem Jasharit dhe e të gjithë dëshmorëve të tjerë të rënë për liri.

Në fjalën përmbyllëse Kryeministri i ardhshëm Albin Kurti tregoi se Drenasi dhe Skënderaj janë komunat me skemat më të mëdha sociale në Kosovë dhe se varfëria nuk luftohet vetëm me skema sociale, por me zhvillim e punësim. Edukimi është qendror në suksesin dhe progresin e secilit. “Prandaj ne me qeverisjen tonë do të ndajmë 160 milion euro investime në arsim për mandatin tonë 4 vjeçar”, u zotua aktivisti i parë i Lëvizjes tonë.

Fitorja e qeverisë Kurti është fitorja e arsimit me cilësi, tokës me bujqësi, gjykatave me drejtësi, punëtorit me barazi, shëndetësi me mjekësi dhe bankave për zhvillim. E vota për këtë fitore, mban numrin 126.

Kontribo

28 09 2019

Erdhi dita për Hanin e Elezit

Mes brohoritjeve “Vetëvendosje”, “Erdhi dita”, “Albin Kurti” kandidatët për deputetë të Lëvizjes, Hekuran Murati, Emrush Xhemajli , Glauk Konjufca dhe kandidatë të tjerë nga lista e Lëvizjes hynë në sallën e re të sporteve që ishte mbushur me njerëz në Han të Elezit.

Lindita Rexha që kandidon për deputete nga Hani i Elezit për shkak të problemeve shëndetësore nuk ishte e pranishme në sallë, por iu drejtua publikut me një letër plot shpresë për ditën e 6 tetorit. Ajo tha se me qeverisjen e re të Lëvizjes në vend të asfaltit do të ketë fasha, në vend të tenderëve të vjedhur dorëza nëpër spitale, në vend të intervencave trajtim të barabartë e njerëzor, në vend të shqetësimit financiar për shëndetin, shqetësim vetëm për sëmundjen dhe tejkalimin e saj.

Kandidati Hekuran Murati tha se me datë 6 tetor do të ndodhë një prerje mes 20 viteve të kaluara dhe 20 viteve të ardhshme. Me qeverinë e re që do sjell sigurime shëndetësore nuk do të ketë më të sëmurë që kërkojnë para për shërim jashtë vendit. Me qeverinë e re do të ketë skema sociale që nuk e lënë as një familje pa kulm mbi kokë dhe asnjë familje pa dikë të punësuar. Me qeverinë e re do të ketë përkrahje për ndërmarrësit e rinj, sepse vetëm kështu me datë 6 tetor ikën terri dhe vjen dita e ndryshimit.

Kandidati Emrush Xhemajli theksoi se sundimtarëve po iu vjen fundi dhe koha është për qeverisjen e Lëvizjes që trajton me prioritet drejtësinë, ekonominë, varfërinë e pabarazinë si dhe ambientin ku nënvizoi Hanin e Elezit që vuan nga ndotja e ajrit, ujit dhe tokës. Xhemaji tha se ata sundimtarë që bëjnë thirrje t’iu besohet tashmë nuk iu beson askush, kurse ata që flasin për 100% shtet, po t’iu zgjatej edhe pak sundimi do t’i emëronin edhe 100 zv. Ministra dhe nga 100 skandale do i bënin edhe 1000 të tjera.

Kandidati Glauk Konjufca foli për qeverinë e re në krye me Albin Kurtin që me datë 6 tetor do e vej vendin në binarët e drejtësisë dhe zhvillimit ekonomik. Të tjerët patën rastin të tregohen dhe nuk sollën ndryshime por vetëm u bënë keqpërdorues e sundimtar të ligjit. Erdhi dita për drejtësinë sepse Lëvizja do e luftoj krimin dhe korrupsionin, erdhi dita e shtetit të mirëqenies dhe barazisë, erdhi dita për shëndetësinë e sigurimet shëndetësore, për arsimin e shkollat profesionale që do t’i ndërtoj Lëvizja për aftësimin dhe punësimin e të rinjve.

Erdhi dita për festë, për shkak se me datë 6 tetor do të fitojmë.

Kontribo

28 09 2019

Besianë: Më të mirët e Llapit për më të Mirën e Kosovës, Qeverinë

Llapi do ta votojë numrin 126. Në Besianë nga sheshi ‘Ali Ajeti’, mbushur përplot me qytetarë, mbajtëm tubimin madhështor të radhës për ardhjen e qeverisë Kurti. Burrat e gratë më të mirë të zonës së Llapit i janë bashkuar Lëvizjes për qeverisjen më të mirë që do të ketë parë ndonjëherë Kosova.

Kandidati jonë nga Llapi, Ajet Potera, u bëri thirrje të pranishmëve që të mos e humbin shansin e artë e historik të 6 tetorit që ta ndalim qeverisjen e mbrapshtë e ta kthejmë qytetarin në qeverisje. “Asnjë integrim nuk është i mundur në një shtet të kapur. Mirëpo, erdhi dita që Kosova të jetë shtet i integruar në vete më së pari, pra si shtet me integritet”, thirri ish-ushtari i UÇK-së, Potera.

Sipas kandidatit tjetër llapjan, Sabri Kiçmari, Lëvizja është e njëjta përpjekje si përpjekjet e tij me shokë në vitin ’89 për Kosovën Republikë, për liri, barazi, demokraci e VETËVENDOSJE!. Veprimtari i kahmotshëm i çeshtjes kombëtare, Kiçmari vendosi theksin se: “jemi mbledhur për të dhënë një fjalë e për të vendosur një besë, se do të votojmë Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe Albin Kurtin si Kryeministër, sepse në këtë mënyrë do të ndërtojmë të kaluarën dhe do të ndërtojmë të ardhmen”.

Kandidatja Saranda Bogujevci rreshtoi masat e Lëvizjes për të mbështetur investimet e komunave në ujë të pijshëm, arsim, mjedis, kulturë e infrastrukturë. Përmes grantit të katërt për komuna, Lëvizja do të shpërndajë 600 milionë euro për 4 vite, ku komunat do të vendosin për shpenzimet sipas nevojave. Pas 4 viteve, komunat e Kosovës do të sigurojnë çdo shërbim të nevojshëm për qytetarët.

Ndërsa për kandidatin tjetër, profesorin universitar, Shpejtim Bulliqin, Kosova me qeverisjen Kurti do të jetë një shtet i kompletuar, dinjitoz dhe i cili do të angazhojë të gjitha zanatet, profesionet e talentet e qytetarëve tanë.

Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, në fjalën e tij shpjegoi se dija, puna, toka, kultura dhe sporti nuk do të kenë asnjë mbështetje mangut nga qeveria e drejtuar prej tij. Për rivalët politik, i pari i qeverisë së Lëvizjes tha se, “sot kemi për rivalë kundërshtarë të frikësuar e të tjerë që frikësojnë, dhe kur frikësohesh përfundon tek ata që ua ke frikën”, për të shtuar më tutje se, “ata që e kanë trurin asfalt natyrisht që mund të na sjellin asfalt, por pa tru”. Ndërkohë, në Kosovën me 18% të popullsisë në varfëri ekstreme Kryeministri Kurti u zotua se motoja jonë është, “asnjë familje pa kulm mbi kokë dhe asnjë shtëpi pa dikë të punësuar”.

Me këtë vizion e guxim, me këto qëllime e me këtë dashuri të madhe për shqiptarët qeveria Kurti do ta transformojë Kosovën e do ta emancipojë mbarë shoqërinë.

Kontribo

27 09 2019

Erdhi Dita për Artanën e Artë

Në vendin më të artë të Kosovës e kryeqytetin e argjend, siç e cilësoi Glauk Konjufca, në Artanë u mblodhën qindra qytetarë për të dëgjuar kandidatët e Lëvizjes për deputet Emin Gërbeshin, Labinotë Demi Murtezin, Shemsi Sylën, Fitore Pacollin dhe Glauk Konjufcën .

Ne jetojmë në komunën më të pasur në rajon dhe jemi qytetarët më të varfër të vendit. Me qeverinë Kurti që investon në minierat e Artanës e Trepçës do të zhvillohet ekonomia dhe Artana, tha kandidati Emin Gërbeshi.

Kandidatja Labinotë Demi Murtezi u shpreh e bindur se qytetarët tashmë e dinë që Lëvizja është e vetmja shpresë dhe se e meritojmë të qeverisim me një kryeministër si Albin Kurti.

20 vite pas çlirimit nuk mund t’i lëmë pensionistët me lëmoshë, nënat e reja pa pushim lehonie, të sëmurët pa ilaçe dhe ushtrinë e Kosovës pa funksionalizim të plotë, andaj erdhi dita e ndryshimit, u shpreh Shemsi Syla.

Fitore Pacolli kujtoi se 1 në 8 gra është sot e punësuar dhe mbi 60% e të rinjve janë të papunë dhe se kjo do të ndryshojë me 6 tetor, me një shtet që është për të gjithë.

Glauk Konjufca foli për të mirat që vijnë pas 6 tetorit, për Fondin Sovran që shpëton ndërmarrjet publike nga falimentimi dhe për Bankën Zhvillimore që ndihmon bizneset e vogla dhe të mesme për të krijuar vende pune për rininë.

Me numrin 126 dhe me kandidatin më të mirë për kryeministër Albin Kurtin, me 6 tetor festojmë fitoren e Lëvizjes.

Kontribo

27 09 2019

Ferizaj: Mbështetje Masive për Ndryshime të Mëdha

Nga pallati i zjarrtë i sportit në Ferizajn e harmonisë fetare e sipërmarrësve të rinj mbajtëm tubimin e radhës të fushatës zgjedhore mes mijëra qytetarësh. Së shpejti nuk do të ketë as pallate sporti të mëdhenj mjaftueshëm për tubimet tona. Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë është emri i fitores, sllogani i popullit dhe rruga e të ardhmes së vendit.

Kandidati dhe Kryetari i Qendrës së Ferizajt, Valon Ramadani, kujtoi përpjekjet nëpër kryengritje të shqiptarëve 126 vite më parë për të treguar se përpjekja e tyre është paraprirëse e fitores tonë për drejtësi politike dhe ekonomike. Haki Abazi e vazhdoi paralelizimin historik duke krahasur 6 tetorin e vitit 2019 me 6 tetorin e vitit 1968 ku entuziazmi i shqiptarëve për të drejta kombëtare e barazi me kombet e tjera ishte i pakompromis. “Ky është fundi i pushtimit pas çlirimit të vitit ’99, sepse do t’i japim fund hajnisë, krimit e korrupsionit dhe metodave të nënshtrimit që të gjitha partitë kanë përdorur për ta gjunjëzuar e varfëruar që ta manipulojnë dhe drejtojnë në drejtimin e duhur”, tha kandidati Abazi.

Për kandidaten Arbërie Nagavcin, 6 tetori mund ta çlirojë shtetin nga kapja vetëm nëse fitorja është plebishitare, “Republika nuk është pronë private, por është inteligjenca jonë publike”. Si inteligjencë publike, Kosova ka nevojë për rimëkëmbjen e arsimit, investimin në shkolla, dinjitetin për mësimdhënësit, vëmendjen maksimale për fëmijët dhe lidhjen e arsimit me ekonominë. Mirëpo, të gjitha projektet për të ardhmen e vendit, shpjegoi kandidati Xhelal Sveçla, mund të çohen para vetëm në një shtet të sigurtë, ku të gjithë janë të barabartë përpara shtetit dhe askush nuk qëndron përtej ligjit. “Të gjitha partitë e tjera e kanë qeverisur vendin dhe ne e dimë se nga këta nuk mund të vijë ndryshimi. Këta edhe mund të na e vjedhin programin, edhe mund të na e kopjojnë atë, por ndryshim nuk sjellin”, tha në vazhdim aktivisti i kahmotshëm i Lëvizjes, Sveçla.

Kryetari jonë dhe Kryeministri i ardhshëm i mbarë Kosovës, Albin Kurti, ia filloi me konstatimin se rinia dikur ikte prej Serbisë e tash prej qeverisë. Qeveria Kurti do ta zëvendësojë korrupsionin me shërbim, privatizimin me investime, deindustrializimin me ringritje fabrikash, keqpagimin e punëtorëve me të drejta kolektive për ta, dhe dhunën ndaj gruas me mbështetje sociale e arsimore për gratë.

Duke prezantuar vizionin e qeverisë, Kryeministri në ardhje Kurti bëri me dije se në katër vite mandat 1.4 miliard euro do të jenë investime publike për sektorët strategjikë të Kosovës, 160 milion euro investime në arsim çdo vit, dhe 1000 bursa në disponim për vajzat studente që studiojnë matematikë e shkenca natyrore.

Punëtorët do të kenë zërin e tyre në qeverisjen Kurti, puna e tyre do të njihet, jeta e tyre do të mbrohet dhe organizimi i tyre do të mbështetet. Për shëndetësinë, Albin Kurti u përbetuar se shëndetësia publike pa pagesë individuale do të jetë e garantuar dhe me investimet e nevojshme. “Askush nuk duhet të vdes pse është i varfër, i papunë apo me rrogë të vogël”, tha ai.

Kontribo

27 09 2019

Istogu: historia po ia bën vendin Qeverisë Kurti

Fushata e fitores vazhdoi sot drejt Istogut. Në Istogun e tokave pjellore por pa mbështetje shtetërore, me ujësjellës por pa ujë, me bashkjetesë fetare por me jetë të varfëruar kulturore, dhe më së shumti e më së keqi me rini të talentuar por pa punë, fermerë, punëtorë, të papunë e të rinj po përbashkohen përreth tubimeve të qeverisë së ardhshme Kurti. Tashmë e dimë se cilën qeveri, shtet e Kosovë duam dhe duhet pas 6 tetorit.

Kandidati për deputet dhe njëherazi Kryetari i Qendrës së Istogut, Agron Avdijaj, tregoi se, aty ky qeveria është e madhe në numër, numri i qytetarëve të punësuar është shumë i vogël. “Sa më shumë këshilltarë kishim, aq më shumë kishim skandale korruptive. Zëvendës ministrat e shumtë për funksion kishin uljen e besimit tonë në institucionet tona. Kosovën dhe Istogun e kanë degraduar në vendin më të varfër në Evropë, të izoluar e kriminalizuar, pa prodhim e me migrim masiv”, tha ai.

Duke parë prezencë kaq të madhe të qytetarëve, kandidatja Fatmire Mullhaxha Kollçaku tha se nuk ka më bastione, ndërsa u zotua se pas 6 tetorit vendi do të ketë një sistem të fortë e të garantuar publik e shëndetësor falas. Sidomos klinika onkologjike do të jetë e mbështetur dhe e financuar siç duhet dhe siç ia kanë nevojën dhe e meritojnë të gjithë qytetarët.

Përkundër degradimit të institucioneve në vend, kandidati Shpejtim Bulliqi kujtoi se përgjatë gjithë këtij degradimi Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë aty për të na dëshmuar se gjërat do të duhej të kishin qenë ndryshe. Për Bulliqin qeveria Kurti do të jetë një pasqyrë e re ku qytetarët do ta shohin veten siç janë dhe siç duhet e duan të jenë.

Kandidatja Mimoza Kusari Lila e vazhdoi tubimin duke kujtuar se në historinë tonë si popull ka pasur gjithmonë një dritë e një lëvizje që ka punuar për t’ia kthyer shpresën Kosovës dhe sot kjo lëvizje e kjo dritë ka një listë fitimtare me 110 burra dhe gra të prëgatitur me armën më të fortë, dije, integritet dhe profesionalizëm.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, mes urgjencës për një qeveri të re me vizion të ri, që ndihej në sallë e kudo tjetër, tregoi sesi ndryshimi është i domosdoshëm sepse atë po e kërkojnë studentët me diplomë e të papunë, fermerët që punojnë e nuk fitojnë, mërgata që ndihmon Kosovën që nuk ndryshon, dhe punëtorët që punojnë shumë e paguhen pak. Mirëpo, ndryshimi, tha ai, nuk mund të vijë duke votuar të njëjtit njerëz e të njëjtat parti.

Për drejtësi gjyqësore ndaj të korruptuarve e drejtësi sociale për qytetarët, kandidati për kryeministër, Albin Kurti iu drejtua qytetarëve duke iu thënë: “le të bëhemi bashkë të gjithë për ta ndryshuar vendin për fëmijët tanë e për fëmijët që duhet të lindin e do të lindin për të na trashëguar ne sepse me VETËVENDOSJEN! Tash ka shpresë. Me VETËVENDOSJE-n do ta kthejmë dinjitetin te punëtori, bujku e studenti. Me VETËVENDOSJE!-n do ta zhvillojmë ekonominë, do ta avancojmë bujqësinë, do ta përmirësojmë arsimin dhe do ta rregullojmë shëndetësinë”.

Me rrugë që lidhin fshatin me qytetin e jo me autostrada që i varfërojnë edhe fshatin edhe qytetin, me ujësjellës që i bashkon fshatarët, me punëtorë që bashkohen me ligj të ri për mbrojtjen e të tyre, fushata jonë fitimtare është vegimi paraprak i të gjithë Kosovës pas 6 tetorit.

Kontribo

27 09 2019

Viti: Me aktivistë, punëtorë e bujq bashkuar Lëvizja del e fituar

Dallga e tubimeve të fitores, tashmë të pashmangshme, vazhdoi në Viti. Vitia e priti masivisht e plot entuziazëm tubimin me Kryeministrin e ardhshëm, Albin Kurtin. Në terrin e kapjes së shtetit e shoqërisë, Lëvizja është ylli që sjell dritën e të ardhmes në Kosovë.

Për kandidatin, Njazi Isaku, Lëvizja do të fitojë sepse tashmë jemi më shumë, më mirë e më të bashkuar se ata që e degraduan Kosovën. “Qeverisja e një vendi është publike dhe e hapur e jo private dhe sekrete”, tha kandidati e njëherazi Kryetari i Qendrës në Viti Isaku.

Kandidatja Mirlinda Sadiku tregoi se në Kosovë qeveritë e deritanishme i kanë vjedhur shpresën punëtorit me 12 ore punë, ndërmarrësve me nëpërkëmbjen e biznesit privat, studentit për ndërtimin e të ardhmes së tij dhe mergimtarit për rikthimin në atdhe.

Vitinë e kanë izoluar me autostrada të mbyllura e pa zhvillim lokal, por tashmë qytetarët po thonë ‘boll më’.

Në një sallë ku brohoritjet nuk kishin të ndaluar, Kandidati Liburn Aliu kujtoi se VETËVENDOSJE! është emri historik i Kosovës, ndërkohë që kush e ka harruar historinë është bërë skllavërues i këtij populli. “Ne kemi thirrur gjithmonë VETËVENDOSJE! dhe vetëm kur e kemi thirrur këtë fjalë kemi ekzistuar bashkë e bindshëm dhe sot po e thërrasim këtë emër për qeverisjen e re”, tha aktivisti e kandidati Aliu.

Fitorja e Lëvizjes ka marrë dhenë dhe Kandidatja Albulena Haxhiu bëri të ditur se, “tubimet e kësaj fushate janë hera e fundit kur ne akuzojmë një të keqe që po shkon dhe siç thotë populli ‘kurrë mos u ktheftë më’. Do t’u japim goditjen e fundit me 6 tetor dhe për 4 vite do t’u tregojmë se si duhet të qeveriset vendi”.

Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, përmendi faktin se më shumë kanë emigruar në vitet pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova sesa edhe në kohën e okupimit dhe se kjo prirje është në grahmat e fundit. “Me numrin 126 erdhi dita që të investojmë në arsim e shëndetësisë, infrastrukturë e energji”, u zotua numri 1 i numrit fitues 126.

Qeveria Kurti zotohet se do t’i sigurojë ilaçet bazë dhe do të garantojë kujdesin shëndetësor publik që meritojmë e na takon. Barazia mes qytetit e fshatit do të rritet duke investuar në ujin e pishëm, ndriçimin, kanalizimet, ujësjellësat, çerdhet e infrastrukturën publike kudo në Kosovë.

Lëvizja nuk do t’i vazhdojë proceset nëpër të cilat ka mbetur peng vendi, por do ta çlirojë atë në procese të reja. “Erdhi dita të investojmë në energji, industri e bujqësi që t’i hapim fabrikat, t’i punojmë arat dhe ta rrisim punësimin”, shtoi Kryeministri Kurti.

Djersa e punëtorit dhe e bujkut po i zë besë përpjekjeve të aktivistëve të Lëvizjes për drejtësi, barazi e zhvillim në Kosovë. Në qeverinë Kurti bëhen bashkë mundi e djersa, dëshirat dhe ëndrrat e të gjithë qytetarëve. Qeveria Kurti ia kthen fytyrën dhe ia drejton kurrizin Kosovës.

Kontribo

27 09 2019

Erdhi Drita për Sharrin

Peizazhet e detajuara harxhojnë shikimin, sidomos kur janë delikate dhe të ngjyrosura kaq bukur si në Sharrin tonë sot, ku një dritë sydjegëse buzë kodre na e bëri më të përshtatshme të tubohemi brenda për të folmen e ndryshimeve të mëdha që na presin me Qeverinë Kurti.

Doktor Mërgim Mestani, kandidat nga kjo anë e Dragashit, tha se prioritetet e qeverisë Kurti përmbushin nevojat dhe kërkesat e secilës kategori shoqërore ngase avancojnë arsimin, rrisin punësimin, ulin varfërinë dhe mbështesin rininë e ndërmarrësin.

Kandidatja Dafina Alishani përmendi interesimin e madh të turistëve vendorë e ndërkombëtarë në bukuritë e Sharrit dhe neglizhencën institucionale ndaj kësaj pjese. Me qeverinë e re Sharri do të jetë pika e zhvillimit të turizmit në vend.

Kandidati Xhelal Sveçla kujtoi se me qeveritë që kanë sunduar vendi ynë është bërë gurë që nuk peshon shumë e ku të rinjtë e të rejat po e braktisin vendin. Kosovës i duhet një fitore e thellë e Lëvizjes ngase edhe ndryshimet duhet të jenë rrënjësore.

Duke përmendur ndërtimin ilegal të hidrocentraleve që po shkatërrojnë lumenjtë dhe pellgjet lumore, kandidatja Fitore Pacolli tha se qeveria e re do të jetë e pakompromis në ndalimin dhe gjobitjen e tyre. E pakompromis edhe për gurthyesit që kanë bërë dëme.

Mytaher Haskuka tha se erdh dita për ta çliruar Kosovën nga kriminelët që po pengojnë zhvillimin e jetës në vend. Duke përmendur projektin e Parkut të Biznesit që nuk po merr dritën jeshile nga pushteti dhe çështjen e banimit për personat në nevojë që po përmbyllë çështjen e banimit në Prizren, ai tha se Albin Kurti duhet të bëhet sa më parë kryeministër në mënyrë që vendi të ecën para.

Me Lëvizjen në qeverisje do të zhduken monopolet e miqve të PAN-it në ekonomi dhe fondet do të orientohen në forcim të prodhimit vendor, tha kandidati Glauk Konjufca, duke renditur tri gjë ra që do t’i bëjë Lëvizja për rininë : Së pari, çdo i ri do të shkollohet mirë në të gjitha fazat e edukimit. Së dyti, një vend pune do ju sigurohet dhe së treti, do të mundësohet banimi i përballueshëm për qifte të reja përmes ndihmës shtetërore.

Për ti hequr hajnat dhe për ta sjellë ndryshimin ka vetëm një garanci, Albin Kurti kryeministër dhe Lëvizja në qeverisje. Me datën 6 do të fitoj numri 6. Fitorja do jetë e popullit, kurse festa e qytetarëve.

Kontribo

27 09 2019

Me 6 tetor politika u merret tuxharëve e u kthehet qytetarëve

Fushata fituese e Lëvizjes kaloi sot mes tokash pjellore për t’u tubuar në Rahovec. Rahoveci ka shumë mundësi për zhvillim, shumë bujari mes banorësh e shumë dëshirë për punë, por pak mbështetje dhe vizion shtetëror.

Kandidati jonë Visar Korenica tregoi se qeverisja e Lëvizjes do ta avancojë bujqësinë duke siguruar treg për bujqit e fermerët bashkë me subvencionime e investime kapitale për ta. “Me ne do të kthehet dinjiteti për punë”, tha Korenica i cili edhe vjen nga Rahoveci.

Më së shumti, mungesën e mbështetjes shtetërore në vend e ndjejnë të rinjtë, ndërkohë që për Lëvizjen ata janë e vetmja shpresë e jona për ardhmëri. Kandidatja jonë Yllza Hoti tregoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! beson fuqishëm në potencialin e të rinjve të Kosovës dhe në përfshirjen e tyre në vendimmarrje e qeverisje. “Me arsim e lidhur me ekonominë, të garantuar e papagesë, me shkolla profesionale e me bursa për vajzat tona studente të shkencave natyrore të rinjtë e Kosovës do të kenë shumë arsye për të qendruar e jetuar këtu”, tha ajo.

Ndërsa kandidati dhe profesori i shkencave politike Hysamedin Feraj u shpreh i bindur se me 6 tetor politika u merret tuxharëve dhe u kthehet qytetarëve. Me 6 tetor institucionet i kthehen shtetit në vend se të përdoren kundër territorit e sovranitetit. Me 6 tetor rithemelohet republika dhe shemben feudet.

Qeverisja Kurti do t’ia kthejë institucionet republikës përmes luftës kundër krimit, korrupsionit e kapjes së shtetit. Për kandidatin Rexhep Selimi kjo do të realizohet me ngritjen e dinjitetit për policinë e vendit duke u siguruar sigurimin e jetës, pensionin e parakohshëm, vettingun për udhëheqësit e lartë dhe mbikqyrje për ta. Kosova do të ketë, me fjalët e ish-komandantit të UÇK-së, policë të dashur për qytetarët e vet dhe tmerr për krimin dhe kriminelët. “Përkrah ringritjes së policisë edhe ushtria do të zhvillohet siç i ka hije e siç na e do nevoja brenda vetëm 4 viteve e jo 10 sa premtojnë ish-PAN-istët”, tha Selimi.

Në fjalën përmbyllëse, Kryeministri jonë i ardhshëm, Albin Kurti, shpjegoi vizionin e Lëvizjes për t’iu bërë krah bujqve e fermerëve në mbjellje e korrje me ngritjen e pikave të grumbullimit për produktet e tyre, mbrojtjen nga vërshimet, bërjen e sistemeve të ujitjeve, mbështetjen me subvencionime sipas nevojës e jo nepotizmit dhe me investime përmes grantit të katërt për komunat.

Përmes ligjit për mbrojtjen e prodhimit vendor, drejtuesi i qeverisë Kurti shpjegoi se në qeverinë tonë institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike do të furnizohen me prodhime vendore, shteti ynë duhet të bëhet konsumator i prodhimeve të vendit tonë.

“Taksimi progresiv mbi fitimin për solidaritet dhe rishpërndarje sipas nevojave shoqërore dhe investimi në projekte strategjike do t’ia kthejnë fytyrën Kosovës. Të gjithë do të korrin çkanë mbjellë në Rahovec e mbarë vendin, hajnat burgun e konfiskimin, punëtorët e bujqit punën me dinjitet e prodhimin, gratë barazinë e studentët arsimin siç e meritojnë”, tha në fund Kurti.

Kontribo

26 09 2019

Kastriot: Duam ndryshime prandaj e duam Lëvizjen

Nga Mitrovica vazhduam në Plemetin të Kastriotit fushatën e Lëvizjes. Fushatën e kemi kthyer në stuhi tubimesh. Plemetini i Kastriotit nën mjegullën ndotëse plot pluhur e zhurmë nga KEK-ut, me varfërinë e madhe e papunësinë e lartë, sidomos mes shqiptarëve atypari, është i bindur se vetëm ndryshimet e mëdha na duhen. Asgjë më pak se transformimi i Kosovës, jo thjeshtë reformimi i saj, që ajri dhe mjedisi në Plemetin e në mbarë Kosovën të jetën ashtu siç na i do trupi e zemra.

Në një natë të ndriçuar nga qytetarë pjesmarrës shihej qartë bindja se Lëvizja është i vetmi subjekt i ndryshimit.

Kandidati për deputet Aziz Bici kujtoi se të gjitha subjektet e tjera kanë mashtruar në fushata e na kanë zhgënjyer pas saj duke mos bërë asnjë dallim nga qeverisja para tyre. Ndërsa kandidati Sulejman Çerkezi bëri thirrje që qeveria Kurti të votohet si qeveria e parë shërbëtore e këtij populli dhe se duhet të bëhemi bashkë duke thënë se, “kjo është detyra jonë dhe detyrat tona nuk i kryen askush tjetër përpos nesh”.

Nuk luftohet kapja e shtetit me kryeprokuror pa kryeaktakuza, shpjegoi Kryeministri në ardhje Kurti, “këta mbjellin korrupsion e ne korrim mjerim”.

Në një shtet të delegjitimuar nga kapja e tij dhe korrupsioni i lartë duhet një qeveri me guximin për të bërë vetting në gjyqësor e prokurori, polici e inteligjencë, duhet një qeveri me guxim për të zhvendosur investimet nga asfalti në shkolla e spitale, duhet një qeveri që i ngjan punëtorëve e fermerëve të këtij vendi dhe jo oligarkëve të tij.

Sa për arsimin, ai duhet lidhur me ekonominë dhe me fokus të veçantë shkollat profesionale, bëri me dije Kryeministri në ardhje Kurti duke shtuar, “në këtë mënyrë as nuk do të kemi analfabet me diplomë e në të njëjtën kohë kushdo që ka diplomë do të gjej punë”.

Kastrioti, Kosova dhe mërgata jonë do të lëvizin masivisht drejt qendrave të votimit me 6 tetor. Ndryshimi me qeverisjen Kurti do të jetë po aq i madh sa pjesmarrja në votime. Barazia, drejtësia e zhvillimi do të jetë po aq sa ne i dëshirojmë. Erdhi dita që Kosova të na duket ashtu siç jemi e duam të jemi edhe vetë.

Kontribo

25 09 2019

Mitrovica, fillimi i fitores

Nga Mitrovica, me guxim, shpresë e dashuri për veten e për Kosovën tonë, nisëm fushatën për ndryshimet e mëdha që duam t’i shohim të realizuara pas 6 tetorit. Mijëra qytetarë, plot të rinj e të reja e mbushën sallën e sporteve “Minatori” përplot me brohorima dhe entuziazëm, duke mirëpritur Kryeministrin e ardhshëm, Albin Kurtin, bashkë me kandidatët e listët tonë fitimtare.

Kosovës i duhet një qeveri e cila e drejton atë me vizion e projekt transparent, dhe nuk e nënshtron verbërisht në objekt negociatash apo në negociata pa parime.

Mitrovicës, tha kandidati për deputet dhe Kryetari i Qendrës në Mitrovicë, Faruk Mujka, “i duhet një politikë qendrore ku Prishtina na e dëshmon se është më pranë Mitrovicës sesa Serbia”.

Mitrovica është plaga e Kosovës, me fjalët e Liburn Aliut, “të cilën në fillim e ndanë e pastaj e varfëruan për ta nënshtruar e trajtuar si problem të dorës së dytë. Mirëpo, erdhi dita për ta rimëkëmbur Mitrovicën e të gjithë Kosovën”.

Kandidatja për deputete Albulena Haxhiu u shpreh e bindur se qytetarët do ta votojnë Lëvizjen sepse duan vetting në gjyqësi, prokurori, polici e inteligjencë, sepse nuk duan një shtet të kapur, e sepse “kur kapja e shtetit bie, liria jep frytet e veta në çdo fushë e aktivitet njerëzor”.

Ndërsa Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, bëri thirrje plot besim për ta votuar e mbështetur Albin Kurtin si Kryeministër, si figurën politike gjithnjë konsistente, guximtare, të drejtë, në mbështetje të palëkundshme të Mitrovicës dhe gjithnjë në ballë të ngjarjeve e të vërtetave të popullit tonë.

“Lëvizja e lëviz Trepçën dhe Mitrovicën përpara”, kumtoi Albin Kurti, numri një i fitores sonë dhe shtoi se, “nuk zhvillohet ekonomia duke futur në borxh shtetin për të paguar rrogat e për të shtruar asfalt”.

Mes ngazëllimit e fytyrave të qeshura nga e gjithë Mitrovica, Kryeministri i ardhshëm Kurti bëri me dije se erdhi dita e arsimit me dinjitet e me cilësi, erdhi dita e shëndetësisë së garantuar e pa pagesë, dita e barazisë mes burrave e grave, dita e mbrojtjes së punëtorëve e mbështetjes së fermerëve, dita e ringritjes së ekonomisë e stimulimit të biznese. Erdhi dita e ekonomisë pa privatizime, por me politika zhvilimore e inovative për mbrojtjen e mjedisit e zhdukjen e monopoleve dhe për t’u ndërtuar bashkë me ndihmën e mërgatës.

Me ftesën për ta marrë në dorë të ardhmen tonë e për ta kthyer Kosovën kah e mbara, Albin Kurti e përmbylli tubimin me apelin, “le t’i bëjmë krenare gjeneratat që vijnë pas nesh për punën që do të bëjmë pas datës 6 tetor, sepse këto nuk janë thjeshtë një palë zgjedhje. Ky është referendum për të ardhmen, prandaj le të dalim masivisht dhe të shënojmë kthesën historike”.

Fitorja e Lëvizjes nisi nga Mitrovica, me një qeveri të re siç nuk e kemi parë asnjë herë më parë, për drejtësi, barazi dhe zhvillim siç nuk e kemi jetuar kurrë.

Kontribo

25 09 2019

Lëvizjes i duhet ndihma juaj!

Të dashur miq e mbështetës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Si në çdo zgjedhje, ne i drejtohemi qytetarëve për mbështetje financiare. Si subjekti më transparent në Kosovë, ne e kemi patur një mbështetje financiare në rritje, e cila është përkthyer edhe në rezultat më të mirë elektoral. Kësaj radhe fitorja jonë është e domosdoshme, për ta çliruar shtetin e Kosovës nga kapësit e korruptuar e kriminalë.

Ne nuk pranojmë financime nga persona apo biznese të dyshimta. Nuk pranojmë shuma të mëdha. Fuqia jonë bazohet në ndihmat e vogla, që na i jepni shumë prej jush.

Andaj, me rastin e zgjedhjeve të 6 tetorit, ku Lëvizja VETËVENDOSJE! do të fitojë, ne duhet të bëjmë një fushatë perfekte. Për ta arritur këtë, është e nevojshme ndihma juaj. Cilado shumë që keni mundësi, pa ju ngushtuar e pa ju vënë në vështirësi, neve na ndihmon që ta sjellim më pranë kthesën e madhe. Qeveria Kurti do të jetë momenti i kthimit të Kosovës kah e mbara, për të gjithë qytetarët e saj.

Udhëzimet mund t’i gjeni në faqen:

https://donacion.vetevendosje.org

Kontribo