19 07 2019

Në mbështetje të marshit “Kundër Vrasjeve institucionale” në Fushë Kosovë

Prokuroria dhe policia, në një shtet të së drejtës do të duhej të ishin institucione që përkujdesen dhe mbrojnë qytetarët e Republikës pa dallim përkatësie e statusi shoqëror, dhe jo të jenë të neglizhentë, e në të shumtën e rasteve selektivë, duke mos vepruar as kur paraqiten rastet e dhunimit e kërcënimit me jetë.

Përfaqësues të Lëvizjes VETËVENDOSJE! përmes Kuvendit të Kosovës janë duke hulumtuar në detaje për rastin e përdhunimit dhe vrasjes së të riut nga Fushë Kosova. Ajo çka jemi të bindur deri tani është se pas procedimit të rastit nga Policia, Prokuroria e ka neglizhuar në tërësi rastin në fjalë, dhe ajo është përgjegjësja kryesore për këtë rast.

Përdhunimi i 11 vjeçarit për të disatën herë, paraqitja e rastit, dhe më pas vrasja e tij, janë tregues që në Kosovë nuk funksionon shteti i së drejtës dhe nuk ka institucione që kujdesen për qytetarët e këtij vendi; janë tregues që nëse dikush kërcënohet atëherë më mirë të shohë për alternativa të tjera sesa të presë mbrojtje nga institucionet. Kjo është e papranueshme.

Reagimi institucional ndaj rasteve të paraqitura në vendin tonë po merr trajtat e një fenomeni këmbëngulës e shqetësues. Vitin e kaluar kishim rastin e një të riu rom, 18 vjeçar, që u dënua me 7 vite burg, për 450 euro që thuhet se i kishte vjedhur nga një bankë; këtë vit patëm rastin e një gruaje rome që u sulmua më shumë se dy herë dhe së fundi këtë vrasje makabre të një 11 vjeçari rom për të cilin rast kaluan dy ditë, e deri kur filloi çështja të bëhet më publike nuk pati asnjë reagim.

Këto institucione që për rol kushtetues kanë të mbrojnë jetën e qytetarit të Republikës, po vazhdojnë ta dallojnë rolin e tyre: nëse rasti i paraqitur ka të bëjë me një grua, me një fëmijë, e aq më tepër me një rom atëherë shpesh nuk veprohet, madje as kur në rrezik është jeta. Kjo qasje nuk mund të vazhdojë tutje.

Institucionet duhet të japin llogari për këto jetë të humbura, për dhunën e përsëritur, dhe për qasjen selektive e diskriminuese në vënien e rendit dhe drejtësisë. Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrah marshin protestues të thirrur sot prej orës 14:00 dhe fton qytetarët t’i bashkangjiten kësaj proteste e cila mbahet tek lagja Meshari (te pazari) për të vazhduar më pas drejt stacionit policor në Fushë Kosovë.

Kontribo

18 07 2019

Homazhe për Enver Zymberin.

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga kryetari Albin Kurti, deputetët Albulena Haxhiu, Rexhep Selimi, Arbërie Nagavci, Shemsi Syla dhe Xhelal Sveçla, si dhe nënkryetari i komunës së Vushtrrisë Besim Muzaqi, nënkryetarja e Qendrës sonë dhe asamblistja Gresa Muli e me aktivistë të tjerë, vizituan familjen e Enver Zymberit dhe bënë homazhe te varri i tij në Dubovc të Vushtrrisë në tetë vjetorin e rënies. Me këtë rast kryetari Kurti deklaroi:

Rënia e Enver Zymberit është rënie për ta ngritur lartë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetërorë të Republikës. Prandaj Kosova, institucionet, politika dhe qytetarët e saj, i kanë shumë borxh këtij polici tonë i cili nuk kurseu asgjë për atë që është e jona, që është e të gjithë neve.

Nuk mund të themi që Enver Zymberi prehet i qetë dhe as që ne jemi të qetë si qytetarë dhe politikanë përderisa drejtësia nuk vihet në vend.

Në njërën anë vrasësit janë të lirë, ndërkaq në anën tjetër veriu ende nuk është plotësisht i integruar, dhe për të dyja këto institucionet, politika dhe shteti ynë nuk duhet të ndalen meqenëse i ka obligim sipas detyrës, i ka borxh sipas moralit njerëzor dhe kombëtarë. Lavdi Enver Zymberit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.

Kontribo

17 07 2019

Nga vendi i ligjërimit – një ligjëratë e posaçme

Mbrëmë në selinë qendrore u organizua ligjëratë me profesorin e biologjisë, Ilir Mazrekun. Së bashku me studentë të psikologjisë, biologjisë e shkencave të tjera, ligjëratën e pasuan pyetje e komente mbi temën që ishte një pikëprerje e kërkimeve nga të dyja këto fusha. Në diskutimin mbi bindjet ideologjike, konstruksionin dhe burimin e ndërtimit të besimeve dhe qëndresën karshi tyre, përballjen me faktorët e ndryshimit dhe rolin shoqëror për to, e sollëm në vëmendje se kërkimi shkencor i shoqëruar me mbështetjen për studiuesit e studentët është jo vetëm i dëshirueshëm por kusht themelor i emancipimit.

Kontribo

17 07 2019

Takim me delegacionin zyrtar nga Mbretëria e Bashkuar

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, i shoqëruar nga drejtuesi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca dhe deputetet Saranda Bogujevci dhe Fitore Pacolli, priti në takim delegacionin nga Mbretëria e Bashkuar të kryesuar nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Foreign Office, z. Andrew Page, znj. Susan Laffey, drejtuese e Sektorit të Analistëve, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairí O’Connell, dhe Samuel Paice, Sekretar Politik në Ambasadë.

Në fillim të takimit Kryetari Kurti e njoftoi z. Page për zhvillimet e fundit në Kosovë me fokus të veçantë situatën socio-ekonomike, mungesën e zhvillimit ekonomik, nivelin e lartë të papunësisë sidomos tek gratë dhe të rinjtë, nevojën për reformim të sistemit të drejtësisë dhe nevojën shumë të madhe të lidhjes së sistemit edukativ me ekonominë.

Në anën tjetër, z. Page tregoi interesimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’i ndihmuar Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik përmes përkrahjes së ndërmarrësisë tek të rinjtë me interes të veçantë në fushën e shkencave kompjuterike dhe dixhitalizimit si dhe për të krijuar mundësi për të rinjtë që ata të mos largohen nga vendi. Po ashtu, z. Page njoftoi për dyfishimin e fondeve që ndanë Mbretëria e Bashkuar për rajonin e Ballkanit Perendimor dhe dyfishimin e ekspertëve për të ndihmuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar e krimit kibernetik.

Ndër çështjet tjera për të cilat u diskutua ishte Procesi i Berlinit, të arriturat dhe fushat ku duhet fokusuar në të ardhmen ku kryetari Kurti sugjeroi se Procesi i Berlinit duhet të iniciojë një fond për zhvillim ekonomik të ngjashëm për Ballkanin siç ishte Plani i Marshallit për Evropën me fokus të veçantë në qytetet e ndara.

Sa i përket dialogut më Serbinë z. Page ripërsëriti qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar e cila është kundër iniciativës për ndryshimin e kufijve. Ndërsa, z. Kurti ritheksoi qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për një dialog të hapur nga poshtë-lartë për zhvillim si mënyrë për integrim e përparim.

Kontribo

17 07 2019

Driton Vela anëtarësohet në VETËVENDOSJE!

Driton Vela në VETËVENDOSJE!. Tash jemi edhe më të fortë e më të përgatitur. Ai është asistent në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe specialist i mjekësisë interne. Definitivisht një profesionist i përkushtuar i profesorëve të gjeneratës së re me arritje të konfirmuara në fushën e shkencës. Dritoni e mori çmimin Shkencëtari i Vitit më 2018. Dhe botoi librin e çmuar nga fusha e mjekësisë – Fiziologjia e Sistemit Kardiovaskular. Shumë të gëzuar që do ta bëjmë së bashku rrugën e mbetur për ndryshimin e domosdoshëm të vendit tonë.

Kontribo

17 07 2019

Takim me bashkatdhetarë

Në mbrëmjen e 17 korrikut Lëvizja mirëpriti shumë bashkëatdhetarë të cilët këto ditë po kalojne pushimet në vendlindje. Ky është viti i dytë me radhë që Lëvizja organizon takime me mërgimtarët. Kosova asnjëherë nuk e ka vlerësuar siç duhet kontributin e bashkëatdhetarëve nga mërgata, të cilët kanë merita e kontribut të veçantë, si për lëvizjen kombëtare para luftës, ashtu edhe Kosovën për vetë çlirimin, dhe ende sot janë një nga ndihmat kryesore për ekonominë tonë. Pa ta jeta e shumicës së familjeve në Kosovë do të ishte jashtëzakonisht e vështirë, nëse jo e pamundur. Lëvizja u dëshiron pushime të mira ne vendlindje mërigmtarëve, ndërkohë i falenderon shumë të gjithë ata që erdhën në këtë takim, ku u bisedua për shumë tema të rëndësishme për mërgimtarët. Pritje të tilla për bashkatdhetarët, sërish me pjesëmarrjen e figurave kryesore të Lëvizjes, do të mbahen edhe në datat 7 e 14 gusht.

Kontribo

10 07 2019

Prokurimi publik në Kosovë, nga problemet në zgjidhje – Si të parandalojmë keqpërdorimin e parasë publike përmes tenderëve

Çdo projekt e shërbim publik në modelin e funksionimit  në Kosovë preket nga procesi I prokurimit publik. Si i tillë ky proces dhe sektori që e zbaton atë kthehet në një nga më të rëndësishmit dhe prek drejtpërdrejt parametrat e zhvillimit ekonomik të vendit.

Nëpërmjet prokurimit publik rreth 1/3 e gjithë buxhetit vjetor të Kosovës vendoset të shpenzohet në projekte e shërbime për publikun e administratën në përgjithësi. Përmes prokurimit, institucionet publike, qendrore dhe lokale blejnë mallra, shërbime dhe punë. Si dhe projektet e plaftormat qeverisësë pas buxhetimit

Volumi i transaksioneve, interesat financiare, kompleksiteti i procesit dhe ndërveprimi i zyrtarëve publik me bizneset e bëjnë prokurimin publik të ndjeshëm ndaj korrupsionit.

Në Kosovë një përqindje e lartë e shumave të tenderëve përfundon në xhepat e zyrtarëve publikë. Zyrtarë të lartë publik përdorin ndikimin e tyre për të orientuar tenderët tek partnerët e tyre të biznesit, tek të afërmit dhe tek anëtarët partiakë.

Pasuria e pashpjegueshme e shumë zyrtarëve të lartë publik mendohet se është siguruar edhe përmes korrupsionit në tenderë publikë.

Korrupsioni në prokurim publik që të humbet vlera e parasë publike duke përfunduar xhepat e zyrtarëve publik; bënë që kualiteti i punëve të jetë i dobët çka kërkon riinvestim dhe ritenderim dhe rimundësi për më shumë korrupsion; bën që të krijohet klientelizëm mes zyrtarëve partiakë dhe bizneseve të cilat pastaj kontrollojnë qytetarët (të punësuarit) çka ndikon direkt në zgjedhje të lira; bën që të rritet kriminaliteti pasi pasuria e siguruar në mënyrë të paligjshme ushqen kriminelët dhe kriminalitetin; bën që parimet bazë të garës së bizneseve për ide dhe kualitet të korruptohen çka ndikon në cilësinë e shërbimeve, inovacionin dhe zhvillimin e bizneseve dhe krijon monopol në treg.

Të enjten në Lëvizjen VETËVENDOSJE! u diskutuan në një prezantim të detajuar nga Jeton Zulfaj e pasuar nga një diskutim i gjatë mbi praktikat dhe zonat ku nevojitet ndërhyrje.

10

Kontribo

21 06 2019

Takimi i fshehtë Arifi – Gjuriq, vazhdim i avazit antikombëtar

Qytetarët e Kosovës morën vesh prej informacioneve të publikuara nga mediat e më vonë të konfirmuara nga Vuçiqi, se në Berlin janë mbajtur takime të fshehta mes përfaqësuesit të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifit, dhe të dërguarit të Vuçiqit, Marko Gjuriq.

Haradinaj, është ai i cili fillimisht sapo u bë kryeministër, në mënyrë antikushtetuese ia la dialogun Thaçit. Kësisoj ai ia hapi rrugën projektit antikombëtar, atij të copëtimit të Kosovës. E tash, kur projektin e copëtimit të Kosovës e ndalëm, përmes protestave masive si dhe duke e diskredituar ndërkombëtarisht, kryeministri dërgon këshilltarin e tij në takime të fshehta. Ky kryeministër i cili nuk pranoi të marrë haptazi përgjegjësitë e tij duke ndalur rrezikun që po sillte Thaçi, tash, po shkon fshehurazi për të ringjallur projekte të marra fund, siç ishte “Zajednica”.

Ne nuk e dimë ç’mund të jetë folur në atë takim, sepse askush nuk e njoftoi as popullin e Kosovës e as parlamentin për këtë takim. Por, një gjë është e sigurt, nuk do të ketë kurrë dialog pa i ndjekur katër hapat që e bëjnë dialogun legjitim e demokratik, dhe ato janë:

1 – Shqyrtimi i marrëveshjeve të deritashme dhe vlerësimi i dialogut 2011-2017.
2 – Përcaktimi paraprak i qëllimeve të Kosovës në këtë dialog që bëhen kërkesa ndaj Serbisë.

Pas këtyre, zgjedhje të reja dhe legjitimim të institucioneve demokratike që e drejtojnë dialogun. Dhe, dy hapa tjerë pastaj:

3 – Përgatitje e platformës ku përcaktohen parimet, temat e panegociueshme e ato të ngutshme për t’u trajtuar në dialog.
4 – Formimi i një ekipi negociator gjithëpërfshirës, me udhëheqje kredibile e strategji.

I gjithë procesi i dialogut, që nga fillimi, do të duhet të ketë mbështetjen e 2/3 të Kuvendit, dhe jo vetëm ratifikimi i përfundimit të tij.

Këto përpjekje për të gjetur rrugë të fshehta, nuk i japin kredibilitet dialogut të diskredituar. Me këtë mungesë transparence, Haradinaj po tregon se i qaset dialogut me mentalitet të njëjtë si të Thaçit.

Kontribo

20 06 2019

Takim me shoqata shqiptare në Stamboll

Mbrëmë, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! zhvilloi takim të përzemërt katërorësh me përfaqësues të dhjetëra shoqatave dhe organizatave të ndryshme shqiptare në Stamboll.

Kryetari Albin Kurti falenderoi shqiptarët e Turqisë për kontributin e tyre për Kosovën dhe shqiptarët, në paqe dhe në luftë, si dhe për ndikimin e tyre në institucionet e shtetit turk për mbështetjen e Kosovës. “Mërgata jonë ndodhet jashtë atdheut, por ajo është brenda kombit” – tha Kurti.

U diskutua për shumë tema e çështje: mësimin e gjuhës shqipe, investimet në Kosovë, të drejtën për nënshtetësi, studentët shqiptarë, e deri te aktualiteti politik në Kosovë.

Në bashkëbisedim të hapur me bashkatdhetarët, qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! i shpalosën edhe anëtarët e tjerë të delegacionit: Mytaheri, Albulena, Fitorja, Arbeni, Esma dhe Arbëri.

Kontribo

20 06 2019

Në mbështetje të Federatës Sindikale të Telekomit

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet kërkesat dhe qëndrimet e Federatës sindikale së pavarur të PTK-së të paraqitura sot publikisht, lidhur me ndërprerjen, respektivisht mosvazhdimin e Kontratës së dëmshme me Z-mobile, afati përfundimtar i së cilës përfundon me 30 korrik 2019.

Prej gati një dekade Lëvizja VETËVENDOSJE!, përfaqësuesit e saj dhe profesionistët e telekomunikacionit e financave kanë kërkuar hetimin dhe ndërprerjen e kësaj kontrate skajshmërisht të dëmshme për Telekomin dhe për të gjithë sektorin e komunikimeve elektronike në vend.

Prej 1 viti Qeveria ka qenë e obliguar që të marrë masa si aksioner i kësaj ndërmarrje publike, për të evidentuar dëmin dhe për ta ndërprerë kontratën me Z-mobile. Kjo është kërkuar nga rezoluta e Kuvendit e miratuar me 12 korrik 2018.

Afati për Qeverinë po përfundon, ndaj punëtorët kanë të drejtë dhe duhen mbështetur në protestën e tyrë të paralajmëruar për të hënën, 24 qershor 2019.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën sërish thirrje menaxhmentit, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Qeverisë që të ndërpresin menjëherë kontratën me Z-mobile. Të përllogarisin dëmin e ta kërkojnë ligjërisht dëmshpërblimin për dëmin shkaktuar Telekomit nga kontrata.

I drejtohemi po ashtu edhe organeve të drejtësisë, prej krimeve ekonomike e deri tek prokuroria e shtetit: Hetoni krimin ekonomik që dëmtoi Telekomin dhe financat publike duke hetuar këtë kontratë.

20 qershor 2019
Komiteti për Komunikimi Elektronike dhe Postare
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

18 06 2019

Takim me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Turqisë

Sot pasdite delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në krye me kryetarin Albin Kurti pati një drekë pune me kryetarin e Parlamentit të Republikës së Turqisë, z. Mustafa Şentop i cili theksoi se përcjell situatën politike në Kosovë si dhe qëndrimet dhe punën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Z. Şentop shtoi se paqja dhe stabiliteti në Kosovë dhe rajon janë shumë e rëndësishme, duke shtuar se Turqia ashtu siç ishte shteti i parë që njohu pavarësinë e Kosovës do të vazhdojë të përkrahë Kosovën edhe më tutje në arenën ndërkombëtare. Z. Şentop theksoi se marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve duhet të thellohen më tutje por rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet takimeve të këtilla mes deputetëve të parlamenteve tona.

Ndërsa, kryetari Kurti falenderoi Turqinë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj shtetit të Kosovës: ndihmën humanitare për popullsinë, pjesëmarrjen ushtarake në misionin e NATO-s dhe projektet zhvillimore në ekonominë në Kosovë. Ai potencoi se ka shumë hapësirë që të bëhet më tepër sidomos në zhvillim industrial dhe në avancimin profesional të të rinjve. Kosova ka nevojë në ndërtimin e urave ndërmjet shkollimit profesional dhe ekonomisë prodhuese dhe këtu Turqia mund të luajë një rol të rëndësishëm.

Kontribo

18 06 2019

Delegacioni nga LVV takohet me Ambasadën e Kosovës në Turqi dhe me drejtuesit e TIKA-s

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i kryesuar nga kryetari Albin Kurti, deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryetari i Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia dhe asambleisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Arbër Vokrri po qëndrojnë në një vizitë katër ditore në Turqi.

Sot në mëngjes vizituan Ambasadën e Republikës së Kosovës në Ankara ku takuan Ambasadorin, Avni Spahiu dhe Atasheun Ushtarak, Bekim Osmani të cilët njoftuan delegacionin për aktivitetet e Ambasadës.

Më pastaj u takuan me Drejtorin e TIKA-s për Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, Mahmut Zütüh Çevik. Drejtori Çevik i informoi rreth aktiviteteve dhe projekteve që ka realizuar TIKA në Kosovë. Ai theksoi se janë rreth 600 projekte me vlerë rreth 35-40 milionë euro prej të cilave 260 projekte sociale ku hyjnë 150 projekte në fushën e edukimit dhe 60 projekte në shëndetësi.

Kryetari Kurti e falenderoi z. Çevik për mikpritjen dhe për projektet që ka realizuar TIKA në Kosovë. Kurti e njoftoj z. Çevik se këtë vit Kosova shënoi 20 vjetorin e çlirimit nga Serbia dhe shtoi se Kosova është vend i varfër edhe për shkak se okupatori serb ka kryer shumë vrasje e masakra, dhe ka shkaktuar shumë vuajtje e dëme. Papunësia është shumë e lartë dhe na mungojnë investimet ekonomike, sidomos ato të cilat rrisin prodhimtarinë në Kosovë. Aty ku neve mund të na ndihmojë Turqia dhe TIKA në veçanti është lidhja e arsimit profesional me ekonominë prodhuese.

Në anën tjetër, kryetari i Prizrenit Haskuka e falenderoj për ndërtimin e çerdhes ne Komunën e Prizrenit, projektin për biblotekën, restaurimet e monumenteve si dhe trajnimin profesional të shumë të rinjëve nga Prizreni.

Arben Vitia, foli në veçanti për projektet e TIKA-s në shëndetësi, arsim dhe sidomos për Qendrën për Autizmin dhe Sindromën DOWN. Ai falenderoj TIKA-n për këtë projekt të rëndësishëm, ku përveç investimeve materiale pritet të ofrohet edhe ndihmë profesionale për këtë qendër.

Kontribo

17 06 2019

LVV pajtohet me shoqërinë civile: Ligji nuk kalon

Sot, mirëpritëm marshin “Refuzoj” të organizuar nga dhjetra organizata të shoqërisë civile të cilët ndaluan edhe para zyreve tona, në kuadër të marshit të tyre protestues pranë secilës seli të subjekteve politike në kundërshtim të projektligjit për financimin e subjekteve politike.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kohë më parë pati deklaruar qëndrimin në lidhje me këtë projektligj duke theksuar se është pro rritjes së transparencës dhe llogaridhënies nga subjektet politike, por është absolutisht kundër neneve që janë antikushtetuese dhe shkelin vullnetin e votuesit siç është rasti me nenin 6 që ka të bëjë me financimin e subjekteve politike.

Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrahë kërkesat e drejta të shoqërisë civile dhe kërkojmë që në çdo ndryshim përbrenda projektligjeve për subjektet politike të kërkohet më shumë transparencë, rritje të demokracisë dhe llogaridhënie karshi qytetarëve dhe institucioneve përgjegjëse.

Gjithashtu, ne dënojmë rëndë sulmin fizik dhe kërcënimin që ju bë aktivistëve të shoqërisë civile nga zyrtarë të PDK-së në selinë qendrore të kësaj partie politike. Ne kërkojmë që ky gjest antidemokratik dhe kriminal të dënohet edhe nga organet e drejtësisë.

Kontribo

14 06 2019

Të fshihet neni që grabit qytetarët në emër të RTK-së

Me 30 maj, 55 deputetë të Qeverisë pra nga PDK, AAK, NISMA, PSD etj, votuan në lexim të parë Projektligjin për transmetuesin publik (RTK) ku detyrohen qytetarët që të paguajnë në faturat e tyre të rrymës plus 2.5 euro, nga të cilat 50 cent për çdo faturë i fiton KEDS, pra rreth 2 milionë e 400 mijë euro të tjera do i falen KEDS dhe do i zhvaten qytetarëve.

Sot deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Grupi ynë parlamentar, Valon Ramadani dhe Albulena Haxhiu, dorëzuan zyrtarisht amendamente ku kërkohen fshirja e këtij neni dhe ndryshimi i disa neneve të tjera.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka paralajmëruar disa herë që nuk do ta lejojë grabitjen e qytetarëve të Kosovës për interesave private e klienteliste. Mbarëvajtja e Radio Televizionit Publik është jetike për Republikën tonë. Por atë e ka ngulfatur pushteti që e ka kapur dhe shtetin tonë.

Ne do të jemi po ashtu në mbështetje të qytetarëve që nuk pajtohem me këtë hajni të re, dhe në mbështetje të Sindikatave që po e kundërshtojnë atë.

Nëse ky projektligj mbërrin dhe leximin e dytë të votohet, gjë për të cilën po punojmë që mos të ndodhë, Grupi ynë parlamentar do ta dërgojë atë në Kushtetuese.

Kontribo

14 06 2019

Afera SHAHINI, zv.Kryeministri Hoxhaj dhe dëmi për Sigurimet Shëndetësore

Prej një dekade premtohen sigurimet shëndetësore publike. Bashkë me to dhe finalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor. Në vitin 2016, Lëvizja VETËVENDOSJE! denoncoi aferën e sistemit informativ shëndetësor, ku përveç të tjerëve përgjegjës për abuzimin me fondet e dedikuara ishte Ymer Shahini, kunati i Enver Hoxhaj, aktualisht zv.Kryeministër dhe nënkryetar i PDK-së.

Atëbotë, pas denoncimit tonë, z. Hoxhaj pati dalë publikisht duke e shfajësuar kunatin e tij, lidhur me këtë aferë i cili njëkohësisht ishte një i kërkuar nga drejtësia e Shteteve të Bashkuara. Madje, ai pati akuzuar Lëvizjen për shpifje dhe “fashizëm politik”.

Para tre ditësh Shahini, nënshkruesi i kontratës për SISH me Ministrinë e Shëndetësisë, u arrestua pas për ekstradim në SHBA ku akuzohet si pjesë e skemës së mashtrimit financiar. Ai qëndronte i fshehur dhe i mbrojtur në Kosovë. Atë asnjëherë nuk e intervistoi apo kërkoi Prokuroria e Kosovës për aferën e Sistemit Informativ Shëndetësor.

Përveç denoncimit publik morëm iniciativë edhe në Kuvendin e Kosovës duke i hapur rrugë Auditorit të përgjithshëm që të shqyrtonte këto kontrata. Rezultati ishte se paratë, mbi 20 milionë, një pjesë nga buxheti dhe një pjesë si donacion nuk kishin dhënë rezultat. Pra, prej vitit 2009 deri në vitin 2018 çdo vit është buxhetuar për këtë sistem deri në 5.600.000 në vit, dhe nga donatori deri në 20 milionë për të gjithë projektin.

Afera Shahini së bashku me Aferën Spitali implikojnë drejtpërdrejt drejtuesit e PANkoalicionit. Kryetari dhe Nënkryetarët e PDK-së, me pozicione drejtuese në Kuvend dhe Qeveri kanë penguar hetimet për këto raste dhe janë duke penguar zhvillimin e sistemit shëndetësor publik.

Uran Ismajli, ministër i shëndetësisë dhe nënkryetar i PDK-së, jo vetëm nuk po punon për të jetësuar Sistemin Informativ Shëndetësor, por ka hequr dorë plotësisht prej këtij detyrimi. PANministri në vend se të distancohej e të denonconte keqpërdorimet, ka vijuar me një tjetër tender, në vlerën 2.5 milionë euro për tani Fondin e Sigurimeve shëndetësore. Sipas nesh një afere e re duket në horizont.

Ende kryeprokurori nuk ka iniciuar asnjë hap për ta adresuar këtë aferë multimilionëshe që e ka lënë Kosovën si para dy shekujsh, pra pa Sigurime Shëndetësore. Edhe pse lënda për këtë rast ka qenë tek prokurori Shkëlzen Ibrahimi, asnjëherë nuk u zgjeruan e thelluan hetimet.

Doktor Jusuf Ulaj dhe doktor Mirsad Shkreta nga Komiteti për Shëndetësi risollën në vëmendjen e publikut këtë aferë, detajet dhe dëmet që ende po vijojnë në kurriz të qytetarëve të Kosovës.

Sistemi informativ shëndetësor është parakusht për Sigurimet Shëndetësore. Sigurimet janë jetike për vendin tonë. Ato ndihmojnë më të varfrit dhe parandalojnë skemat korruptive e abuzive në spitale.

Prokuroria duhet të hetojë. Përgjegjësit duhet të jenë para drejtësisë dhe buxhetit duhet t’i kthehen paratë e humbura duke ia sekuestruar ato dëmtuesve.

Kontribo

12 06 2019

Nga Lëvizja që shërben dhe mbron te Lëvizja që prodhon dhe punëson, siguron drejtësi dhe dinjitet

Me rastin e 14 vjetorit të themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti dhe Liburn Aliu mbajtën një konferencë për media ku folën për rrugën e Lëvizjes, prej krijimit të saj në 2005 e deri më sot.

Liburn Aliu përmendi shkrimin e parullës ‘JO NEGOCIATA – VETËVENDOSJE!’ në murin e UNMIK-ut si aksionin e parë që hapi një valë të re të aktiviteteve të shumta politike në funksion të pengimit të proceseve të dëmshme që po i gatuheshin Kosovës asokohe.

“Ne donim që liria e Kosovës të ndërtohej mbi vullnetin e qytetarëve të saj dhe jo përmes negocimit me pushtuesin. Ishim të bindur se liria dhe zhvillimi i vendit do të jenë të qëndrueshme vetëm duke u bazuar në këtë vullnet.” tha ai duke theksuar bindjen se negocimi do të kishte për bazë vetëm stabilitetin e përkohshëm dhe jo lirinë, barazinë dhe të drejtat që ne si popull po i kërkonim.

“Tubime, aksione, deklarime dhe punë e shumtë vullnetare dhe e përditshme në çdo qendër të Kosovës u zhvilluan nga vera e vitit 2005. Këto u shoqëruan me arrestime dhe dhunë të përditshme por ne nuk u zmbrapsëm ngase ishim në rrugën e drejtë të kundërshtimit të planit të negociatave me Serbinë” tha Aliu në fjalën e tij, duke shpjeguar se si Lëvizja nga takimet e vogla kaloi në tubimet e mëdha, ndërkohë që pushteti vetëm sa shtonte radhët e policëve.

“Në çdo përvjetor, në ligjërimin tonë mbeti përherë e njëjtë një fjali, jemi më të fortë se vitin që shkoi. Edhe sot, ne jemi më të fortë se kurdoherë deri më tani dhe të tjerët janë më të dobët se kurdoherë deri më tani” tha ai duke theksuar se lëvizje të tilla ka pas çdo herë përgjatë dekadave të shkuara, dhe se Lëvizja është vetëm një vazhdimësi e përpjekjes së një kombi të vogël drejt forcimit të vet.

Albin Kurti në fjalën e tij tha se kur çlirimi kishte mbushur 6 vjet dhe pavarësia po shtyhej prej vitit në vit, lindi Lëvizja VETËVENDOSJE!. 12 qershori është dita e çlirimit të Kosovës, por edhe ditëlindja e Lëvizjes sonë. Para 14 vjetëve, në murin që ndante selinë e pushtetit të UNMIK-ut prej neve që asokohe konsideroheshim banorë të Kosovës dhe jo qytetarë shkruam parullën ‘JO NEGOCIATA – VETËVENDOSJE!’.

Nga ajo kohë, përveç kritikës, Lëvizja ka paraqitur përherë edhe alternativa tha kryetari Kurti, duke përmendur fushatën për bojkotimin e produkteve të Serbisë në Kosovë, që filloi në maj të vitit 2006, fushatën BLEJ SHQIP në shtator të vitit 2009 dhe fushatën ‘Duaje tënden’ për rritjen e konsumit të prodhimeve vendore në vitin 2011.

“Kemi kundërshtuar planet dhe ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë dhe kemi argumentuar e jemi angazhuar për afrimin e bashkimin me Shqipërinë. Mirëpo, ne nuk e shohim bashkimin e këtyre vendeve tona përmes dobësimit apo dështimit të shteteve tona, por nëpërmjet forcimit të tyre.” tha ai, duke potencuar se PANhajnia e zullumit në politikë dhe e tajkunëve në ekonomi duhet të marrë fund e do të marrë fund.

Kryetari Kurti përmendi se si gjatë aktivitetit dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë vrarë aktivistët Mon Balaj e Arben Xheladini kurse në burg u mbyt aktivisti Astrit Dehari.

“Në rrugëtimin tonë, nuk jemi sprapsur e as nuk jemi ndalur, nuk kemi devijuar dhe as s’jemi lodhur, edhe kemi bashkëpunuar me të tjerë edhe dyert i kemi pasur të hapura për të tjerët, për të mirën e vendit dhe interesin e përgjithshëm kemi ecur drejt e qartë, fortë e fuqishëm.” – tha ai.

“Ndryshimi demokratik e progresist do të jetë ai në të cilin opozita e vërtetë dhe e drejtë bëhet qeverisje e ardhshme e mirë. VETËVENDOSJE!-a sot është mundësia për qytetarët e Kosovës dhe garancia për Republikën e Kosovës. Nesër ajo do të jetë qeverisja që shërben e mbron, që rrit produktin, buxhetin dhe punësimin, që siguron drejtësinë, paqen dhe dinjitetin.” – tha Albin Kurti duke theksuar se Lëvizja VETËVENDOSJE! kurrë nuk ka pasur më shumë mbështetje dhe se në zgjedhjet e ardhshme PAN-i do të mundet, e Kosova do të shpëtojë, e do të përparojë.

Kontribo

07 06 2019

Tekstet shkollore po bëhen për klientelë dhe jo për nxënësit

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet profesionistët dhe organizatat e fushës të cilët kanë reaguar dhe informuar mbi gjendjen e rëndë në procesin e hartimin të teksteve të reja shkollore.

Tekstet shkollore janë përdorur nga drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për interesa klienteliste me kompanitë private botuese dhe jo për garantimin e cilësisë së teksteve për nxënësit tanë.

Deputetja e Lëvizjes Arbërie Nagavci shpjegoi jo seriozitetin e procesit të vlerësimit të teksteve. Recensentët e konfirmuar për të vlerësuar tekstet e shtëpive botuese konkurrente vijnë nga të njëjtat shtëpi botuese. Madje, nuk kanë pasur as udhëzime për kriteret e vlerësimet dhe përshtatjen me kurrikulën e re. Skandali më i madh ishte mbledhja e tyre jo serioze dhe e nxituar brenda një fundjave për përzgjedhjen e teskteve në një hotel, edhe pse formalisht procesi i vlerësimit duhej të zgjaste 45 ditë.

Tekstet e reja kanë gabime përmbajtësore, didaktike dhe teknike. Kanë pasaktësi shkencore, përzierje konceptesh dhe gabime të tjera. Nuk ka tematikë e ushtrime që nxisin ndërthurjen e dijeve të fushave të ndryshme ndërkurrikulare. Ka raste kur recensenti ka rekomanduar që teksti të mos licensohet dhe megjithatë teksti është shpallur fitues. Vetëm në njërin prej teksteve janë numëruar 39 gabime faktike. Recensentëve u është kërkuar të mos i bëjnë publike lëshimet. Vetë Këshilli për tekstet nuk nxori raport përfundimtar për shpalljen e fituesve dhe nuk ishte i përfshirë në asnjë fazë të procesit të vlerësimit, ndonëse e ka për detyrim ligjor. Përgjegjësia jashtëligjshëm u bart në individë brenda kabinetit të Ministrit. Ministria tashmë e ka pranuar se disa tekste po botohen pa miratimin e Këshillit.

Deputeti i Lëvizjes Ismajl Kurteshi tregoi natyrën klienteliste të këtij procesi. Për shkak të shkeljeve nga Ministria, shumica e anëtarëve të jashtëm të Këshillit për tekstet shkollore dhanë dorëheqje ose u larguan duke i paraqitur shkeljet edhe publikisht.

Në konkursin e publikuar mungonin përshkrimi dhe udhëzimet e nevojshme. Formalisht proces i referohej kurrikulës së re dhe standardeve të teksteve shkollore që burojnë nga Ligji aktual për tekstet, por konkretisht nuk ka ndodhur kështu. Konkursi është konceptuar gabim dhe me natyrë klienteliste pa ftuar studiues dhe profesionistë të fushës të konkurojnë me tekstet e tyre. Shtëpive botuese private u është hapur rruga të kontrollojnë çdo pjesë të procesit.

Ai po ashtu theksoi se Ministria ka qenë e interesuar të hapi një tender më shumë se sa një konkurs përmbajtësor. Për interesat e tenderit nuk është finalizuar projektligji në fjalë. Fondi për tekstet e reja mbërrin deri në 10 milionë euro, ku shumica përfitohen nga shtëpia botuese Dukagjini e cila nga 46 dorëshkrime ka fituar 30 prej tyre.

Siç ka sugjeruar publikisht eksperti Halim Hyseni dhe jo publikisht shumë të tjerë, i gjithë procesi duhet të kthehet në pikën zero. Ministri duhet të japë përgjegjësi ligjore për vonesat, por tani edhe për këtë dështim total të përgatitjes së teksteve të reja. Cilësia e shkollimit të nxënësve tanë, por edhe financat publike po rrezikohen nga një proces i tillë i paligjshëm. Prandaj, do të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme për t’u siguruar që Ministri nuk vijon më tej me këtë proces dhe nuk e fut qeverinë në obligime të mëtejshme ligjore e financiare.

 

Kontribo

06 06 2019

Raporti i Komisionit Evropian – Kosova pa sigurime shëndetësore dhe pa mbrojtje sociale për të rrezikuarit

Komisioni Evropian në raportin e vitit 2019 e cilëson Kosovën vend i cili nuk i garanton plotësisht as shërbimet bazike shëndetësore dhe as mbrojtjen sociale për qytetarët. Ka një dallim të madh mes ligjeve të Kosovës, dhe sasisë në të cilën ligjet zbatohen.

Raporti përmend atë që e dimë të gjithë: vdekjet në vendin e punës po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Të drejtat e fëmijëve shkelen shpesh, pasi edhe pse ligji e ndalon punësimin e fëmijëve, 10% e fëmijëve punojnë, madje 6.8% punojnë në kushte të rrezikshme. Skemat sociale janë të fryra, njerëz që nuk kanë nevojë marrin ndihmë sociale, ndërsa shumë familje në nevojë nuk marrin ndihmën e duhur. E sa i përket Sistemit Informativ Shëndetësor, përmes të cilit do të mblidheshin të dhënat e detajuara për pacientët, realizimi i tij është penguar nga vetë Ministria e Shëndetësisë.

Nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku përmendi pasojat e kësaj gjendjeje në shëndetësi, ku 40% e kostos së shërbimeve shëndetësore mbulohet me para nga xhepat e pacientëve. Për më tepër, Kosova nuk është as pjesë e organizatës Eurotransplant dhe nuk i garanton transplantet për qytetarët e saj.

Sa i përket të drejtave të njeriut, deputetja e Lëvizjes, Saranda Bogujevci tha se mungon vullneti institucional për zbatimin e legjislacionit në fuqi, ku raporti konstaton, ndër të tjera, se:

–          Dhuna në familje mbetet shqetësim i madh, me numër të lartë të grave të vrara dhe të keqtrajtuara, si dhe të fëmijëve;

–          Çeshtja e strehimoreve nuk po zgjidhet sepse qeveria po refuzon të sigurojë financim të qendrueshëm. Strehimoret mbeten të varura prej vullnetit të subvencionimit. Gjithashtu, nuk ka mekanizma brenda institucioneve që monitorojnë gjendjen e strehimoreve;

–          Dënimet janë shumë të ulëta për veprat penale, shpesh ato janë të vonuara në kohë, dhe shumë prej tyre nuk janë të formës së prerë.

Ende mbetet shqetësim mosmiratimi i projektligjit për të drejtat e fëmijëve dhe mungesa e fondeve për shërbime sociale për ta. E njëjta gjendje është edhe me personat me aftësi të kufizuara. Sa i takon minoriteteve dhe integrimit të komuniteteve të tjera, mungesa e dialogut të drejtpërdrejtë me ta shpërfaq faktin se mungesa e të drejtave dhe të integrimit të tyre nuk janë shqetësuese për qeverinë tonë.  Prioritet i kësaj qeverie, ashtu si dhe më herët, mbetet asfalti dhe shpenzimet e luksit. Që të ndryshojë Raporti i Komisionit Evropian për ne, dhe që të përmirësohet marrëdhënia jonë me BE-në, duhet së pari ta ndryshojmë qeverinë dhe t´i largojmë pushtetarët me mentalitet korruptiv.

Kontribo

05 06 2019

PANQeveria përgatit zhvatjen e 55 milionë eurove nga buxheti

Qeveria e Kosovës publikoi vendimin për shpronësim më 28 maj, ku kryeministri Ramush Haradinaj ka nënshkruar shpronësimin e një parcele private për siç thonë ata nevoja administrative të qeverisë. Për të njëjtin qëllim më 2 prill patën publikuar shprehjen e interest për shpronësim me sipërfaqe 40 mijë m2.

Për çfarë bëhet fjalë konktretisht pas këtyre vendimeve?

Kemi të bëjmë me shpronësimin e një prone, ndërtim dhe parcelë që shkon deri në 50 mijë m2. Prona në fjalë është marrë për 99 vjet nga kompania Dukagjini – Invest shpk e Ekrem Llukës për vetëm 2 milionë euro. Këtë ndërtim privat Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ta “shpronësojë” me vlerë rreth 55 milionë euro.

Së pari ky shpronësim po bëhet kundër ligjit për shpronësime publike, dhe duke shkelur të gjitha planet hapsinore në fuqi të Komunës së Prishtinës. Qeveria ka mjaft parcela në pronësi publike ku dhe janë të parashikuara sipas planit ndërtimet për qëllime administrative. Por ka zgjedhur t’i hyj një rrugë me plot korrupsion e abuzim.

Këta kanë bërë ftesë për ofertim publik dhe kjo me automatizëm, konceptualisht, përjashton ligjin për shpronësim, pasi ligji për shpronësim zbatohet në momentin kur një pronë plotëson një karakteristikë të veçantë dhe kjo çështje nuk është garë e hapur. Vetë hapja e ofertës, vetë fillimi i këtij procesi shkel ligjin për shpronësim.

Sipas planit të Prishtinës, kryeqyteti parashihet të zhvillohet si qytet policentrik, në drejtim të juglindjes dhe mbi këtë bazë është ndërtuar për shembull edhe Pallati i Drejtësisë. Dhe po mbi këtë bazë ajo pjesë është shpallur zonë me interes të veçantë nga vet kjo Qeveri.

Mënyra se si po tentohet të bëhet shpronësimi dhe shkelja e planit të kryeqytetit përveç që është në kundërshtim me ligjin është dhe haptazi korruptive.

Kushdo do të shtronte pyetjen legjitime se mbi cilin plan po bëhet kjo lëvizje.

Në fakt, në këtë mes, askush në qeveri nuk ka fare plan dhe as agjendë. PANQeveria vepron vetëm në funksion të agjendave të profitit të kompanive kliente të pushtetit. Sapo fillojnë të hartojnë nje plan ai iu ndryshon pasi në të ndërhyjnë interesat. Ata pra, PANQeveria janë në kaos, ndërsa vetëm profiterët e dinë se cka po bëjnë.

Duan t’i japin 55 milionë euro për një ndërtesë, e cila në asnjë aspekt nuk përputhet me ndonjë interes të planifikuar publik

Deputeti Liburn Aliu dhe Këshilltari i grupit parlamentar, Avni Zogiani, paraqitën vendimet e sqarimet për aferën me të re të PANqeverisë me buxhetin e shtetit.

Si dhe paralajmëruan se përveç publikimit do t’i shfrytëzojnë rrugët në Kuvendin e Kosovës, që kryeministri Haradinaj, Ministri i Administratës Publike, Jagxhillar, Ministri i Financave, Bedri Hamza dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, të ndalen nga procedimi i mëtejmë të këtij shpronësimi abuziv.

Kontribo

05 06 2019

Kujt po i jipen favore dhe liçenca për burimet e ripërtëritshme të energjisë?

Sot është duke u mbajtur mbledhja e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë lidhur me kompanitë e licencuara për gjenerimin e energjisë së ripërtëritshme.

Në dekadat e fundit prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e ripërtrishme ka marrë hov në vendet e BE-së. , pra nga uji, era, dielli e biomasa. Edhe në Kosovë, në vitet e fundit ka filluar janë dhënë një numër i konsiderueshëm i licencave për prodhimin e energjisë elektrike nga këto burime. Impakti pozitiv i rritjes së pjesëmarrjes së prodhimit të energjisë elektrike nga Burimet e ripërtrishme të energjisë (BRE) është i shumëfishtë, veçanërisht në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit tonë.

Kosova ka marrë obligime edhe ndaj Komisionit Evropian dhe Traktatit të Energjisë që deri në vitin 2020, prodhimin e energjisë nga BRE ta rrisë në nivelin prej 25% të prodhimit të tërësishëm. Qeveria e Kosovës ka shkuar edhe më tej dhe këtë cak e ka rritur në mënyrë vullnetare në 29%.

Llogaritjet e deritanishme na dëftojnë se arritja e këtyre caqeve të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëristhsme do të rrisë tarifat e energjisë elektrike me rreth 2% për konsumatorët fundor. Sigurisht, që çdokush do ta konsideronte të favorshme këtë rritje marrë parasysh ndikimin që ka në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit tonë.

Por, kjo storie e mirë, progresive, përfundon mu këtu. Nga këtu fillojnë të dalin në shesh, klientela e pushtetit, pazaret dhe abuzimet e drejtuesve ndër vite të ZRrE-s në këtë fushë, në dëm të interesit publik të qytetarëve tanë.

Po listojmë në vijim problemet:

1. Nga etapa e I-rë e licencave të dhëna me 2018 për prodhimin e energjisë solare me kapacitet prej 10MW dhe me çmim të garantuar (çmime nxitëse) prej 136.4 €/MW, 60% të tyre (6 nga 10MW) iu jepen kompanive “Birra Peja sh.a.”dhe “Frigo Food Kosovë”, pra të Devolli Group. Këto licenca janë dhënë për 12 vite.

2. Nga etapa e II-të e licencave për prodhimin e energjisë solare me kapacitet prej 20MW dhe me çmim të garantuar (çmime nxitese /feed-in-tariffs) prej 90.4 €/MW, (që po duan t’ia japin sot në mbledhjen e radhës të ZRrE), 85% të tyre (17 nga 20MW) do t’iu jepen kompanive si “VBS”, “VITA Energy”, “Devolli Group”, “Energy Development Group”, “Alsi & Co-Kosova” dhe “Building Construction”, të gjitha të Devolli Group. Këto licenca janë po ashtu për 12 vite.

3. Shumat e të hyrave që kompanitë e Devollëve do të përfitojnë nga këto licenca kapin vlerën përfundimtare prej 36.1 Milionë € përgjatë 12 viteve.

4. I gjithë procesi i dhënies së licencave është bërë në mënyrë shumë jo-transparente. Për më tepër, njëherë janë dhënë licencat e para dhe më pastaj janë përcaktuar çmimet dhe kushtet e tjera të mbështetjes, gjë që ka bërë që shumë kompani të interesuara nuk kanë mundur të aplikojnë pa i ditur kushtet e aplikimit. Natyrisht, kushtet e ardhshme kane qenë të ditura për kompanitë e lidhura me pushtetin.

5. Çmimi i garantuar prej 105.73 €/MW (i kombinuar nga Etapa I dhe II) për 12 vitet e ardhshme është në kundërshtim të plotë me të gjitha trendet dhe zhvillimet në tregun e energjisë solare në Evropë dhe me gjerë. Me zbritjen e vazhdueshme të prodhimit të paneleve solare dhe avancimet në teknologjinë e ruajtjes së energjisë çmimi i prodhimit të energjisë elektrike pritet te këtë rënie të vazhdueshme.

6. Dhënia e këtij çmimi të garantuar prej 10.6 Cent/KwH për 12 vite është praktikë e monopolit dhe abuzimit me tregun. Në ‘Global Market Outlook 2019-2023’ të Solar Power Europe kosto për prodhimin e energjisë elektrike nga dielli në vitin 2018 ka rënë rreth 18% nga viti në vit duke mundësuar çmimin prej vetëm 2 Cent amerikanë për kilovat.

7. Dhënia e licencave për prodhues solar përmes praktikave abuzive për një grup specifik, me pronarë specifik, pra Devolli Group dhe kompanive të tyre, me tarifa nxitëse të larta dhe jo-kompetitive në njërën anë, si dhe moslejimi e pengimi i instalimit të paneleve solare për vetkonsum të qytetarëve dhe bizneseve përmes pengesave të shumta administrative e procedurale nga KEDS, KesCo me ndihmën e ZRrE-s, godasin drejtpërdrejtë zhvillimin e tregut të lirë të energjisë në Kosovë, zhvillimin ekonomik, rritjen e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe për më tepër, e rëndojnë edhe me shumë koston e jetesës së qytetarëve duke i rritur në vazhdimësi tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët fundor.

Bordi i ZRrE-së sot nuk duhet ta legalizojë këtë abuzim të madh me një fushë që do të duhej të ishte për interesin e publikut dhe me kushte të drejta për çdo investitor e veçanërisht për vetkonsum.

Kontribo

04 06 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE! i uron të gjithë besimtarëve Festën e Fitër Bajramit

Lëvizja VETËVENDOSJE! i uron të gjithë besimtarëve Festën e Fitër Bajramit që paraqet edhe fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Pas muajit të Ramazanit që shënon muajin e sakrificës, solidaritetit me të varfrit dhe kalitjen shpirtërore për të përballuar sfidat, sot, përreth familjes dhe miqve me dashuri dhe pranë të afërmve shënohet dita e Fitër Bajramit.

Po ashtu, sot një delegacion i Lëvizjes i prirë nga anëtari i Kryesisë Arben Vitia, deputetët, Albulena Haxhiu, Saranda Bogujevci, Xhelal Sveçla dhe Valon Ramadani bënë vizitë tek Bashkësia Islame e Kosovës me ç’rast kreut të BIK-ut, Naim Tërnavës, të pranishmëve të tjerë dhe gjithë popullit shqiptar i uruan festën e Fitër Bajramit.

Duke menduar për më të varfrit e duke u përpjekur për barazinë,
Urime Festa e Fitër Bajramit!

 

Kontribo